Përdorimi i gabuar i disa emrave dhe i përemrit “kush”

 

Tom Gjokhilaj

A- Dagenham fotoGjuha shqipe është pasuria më e vyer që na lanë trashëgim brez pas brezi të parët tanë, ndaj ne na bie për detyrë, jo vetëm ta ruajmë atë si gjënë më të shenjtë që na identifikon si komb, por edhe të kujdesemi qe ta trashëgojmë atë tek brezat e rinj sa më të pastër e sa më të saktë. Në pamjen e parë dikush mund të thotë: “Epo ne ashtu po veprojmë dhe po e lëmë trashëgim ashtu siç na e lanë të parët tanë e këtu s’ka vend për vërejtje e ankesa.” Sigurisht, këtë mund ta thonë me plot besim, por jo me plot të drejtë, të gjithë ata që nuk kanë emigruar dhe që jetojnë familjarisht brenda trojeve shqipfolese, pasi ata që jetojnë në emigracion nuk mund ta thonë me bindje të plotë, me gjithë përpjekjet e tyre titanike për ta trashëguar atë sa më të kthjellët tek fëmijët e tyre. Shembull i qartë është edhe përpjekja e madhe e shumicës së prindërve shqiptarë që jetojnë në Britaninë e Madhe të cilët kanë bërë e bëjnë përpjekje t’i çojnë fëmijet e tyre në kurse të ndryshme për mësimin e gjuhës shqipe. Kështu mendoj se mund të veprojnë edhe komunitetet e tjera shqiptare nëpër vendet e tjera të botës kudo ata jetojnë. Është jo vetëm kënaqësi, por edhe nder për ne kur shohim që fëmijët tanë, në kushtet e emigracionit e flasin bukur dhe rrjedhshëm gjuhën tonë të ëmbël. Por a mund të themi se ne vetë e flasim saktë e rrjedhshëm gjuhën tonë? Sigurisht që s’mundemi dhe s’duhet të jemi të sigurtë. Dikujt do t’i duket si paradoks kjo që sapo citova, por po ta mendojë disi më me kujdes, do ta vërejë edhe ai dikushi se unë kam pak a shumë të drejtë. Atëherë, si mund të shpjegohet se vetë ne të rriturit të ushqyer që në djep me gjuhën shqipe nuk dim ta flasim saktë gjuhën tonë?!

Në shumë raste ndeshemi me përdorime të gabuara të fjalëve në fjali, jo vetëm në të shkruar, por edhe në të shqiptuar. Më duhet ta theksoj këtu se një nga parimet themelore të drejtshkrimit të gjuhës shqipe është se fjalët në gjuhën shqipe shkruhen ashtu siç shqiptohen dhe pas këtij parimi vjen ai gramatikor. Jo pa qëllim ata që hartuan dhe formuan alfabetin e gjuhës shqipe na lanë trashëgim 36 shkronja që përfaqësojnë pothuajse të gjitha ngjyrimet tingullore që gjuha jonë ka në përbërje të saj të ndarë në zanore dhe në bashkëtingëllore. Pra çdo tingull është përfaqësuar nga një shenjë e veçantë apo kombinim shenjash që ne të mos kemi konfuzione e dyshime në të shkruar saktë. Megjithatë, unë këtu nuk dua të paraqes ndonjë rregull drejtshkrimor të cunguar apo të keqpërdorur nëpër shkrime, se ato janë të shumta dhe mjaft të rëndomta në shtypin e përditshëm, por dua t’i referohem ndonjë dukurie negative në shqiptimin e saktë ose më mirë të themi, në përdorimin e saktë të ndonjë fjale në të folurin e përditshëm.

Përdorime të gabuara të fjalëve në gjuhen shqipe hasen mjaft, por këtu në këtë shkrim unë do të trajtoj vetëm një rast dhe pikërisht fjalën “kush” si dhe derivatet e saj(fjalët që formohen prej saj). Shumëkush mund të mendojë se nuk ka pikë rendësie dhe kuptimi të merremi me analizën e përdorimit të kësaj fjale, pasi dimë ta përdorim dhe shqiptojmë saktë, se dimë mirë edhe kuptimet e nënkuptimet e saj. Po, ndoshta duke e marrë nga format gramatikore që unë nuk e kam ndërmend t’i analizoj e shtjelloj këtu, por dua të analizoj këtu perdorimin apo keqpërdorimin e kësaj fjale në fjali, vendin e saktë që kjo fjalë duhet të zërë në të folurin tonë të përditshëm. Dhe mendoj se është me vend për ne që pretendojmë se e flasim gjuhën shqipe pa komplekse, ta dimë se ku mund të qëndrojnë keqpërdorimet që t’i menjanojmë duke dhënë shembull të pastër tek brezat e rinjë se si duhet ta flasin bukur e saktë gjuhën tonë. Marr shkas nga faktet se edhe tek njerëzit e medjave, apo ata që dalin e flasin nëpër medjat vizive e kanë si tendencë për ta përdorur vend e pa vend këtë fjalë duke lënë, jo vetëm shije të keqe tek ata që e dëgjojnë, por edhe shembull të gabuar tek brezat që po rriten dhe që po përpiqen ta mësojnë ta flasin bukur gjuhën shqipe. Jo vetëm tek një përson, jo vetëm në një rast të vetmuar, por tek shumë vetë dhe në shumë raste më ka rastisur ta shoh këtë dukuri e për këtë arsye, duke më lënë shije jo të këndshme, më ka nxitur t’i hyj kësaj pune dhe të paraqes vërejtjet dhe pikëpamjet e mia në këtë fushë.

Së pari dua të theksoj se fjala “kush” në gjuhën shqipe përdoret si përemër të llojeve të ndryshme e kryesisht përemër pyetës, përemër të pacaktuar, e në disa raste edhe si përemër lidhor. Në të gjitha rastet që përdoret(si pyetës, si i pacaktuar, si lidhor) duhen pasur parasysh disa rregulla strikte të përdorimit të tij si përemër e si fjalë në fjali. Po kështu edhe fjalët e tjera me prejardhje nga kjo fjalë siç janë: dikush, shumëkush, gjithkush, çdokush, ndokush, askush, kurrkush, kushdo, etj. Edhe këto fjalë përdoren si përemra në gjuhën shqipe dhe kryesisht si përemra të pacaktuar. Edhe format gramatikore i marrin nën ndikimin e fjalës amë, fjalës “kush”. Dikush, dikujt dikënd; shumëkush, shumëkujt, shumëkënd;…kushdo, kujtdo, këdo. Siç shihet kur fjala përfundon me –kush, në rasën kallëzore pëson një ndryshim të vogël duke shtuar dy bashkëtingëllore përmbyllëse –nd si: dikënd e jo dikë; shumëkënd e jo shumëkë; gjithëkënd e jo gjithëkë; çdokënd e jo çdokë; ndokënd e jo ndokë; askënd e jo askë; kurrkënd e jo kurrkë.

Një dukuri tjetër e gabuar e përdorimit të fjalës “kush” është edhe përdorimi para një emri. Asnjë herë nuk përdoret: kush djalë erdhi, apo kush vajzë erdhi. Siç shihet përemri kush nuk ka gjini të përcaktuar, pra përdoret si në gjininë femërore ashtu edhe për gjininë mashkullore, ndaj kur pyetet se kush erdhi, nënkuptohet njësoj për burrë, grua, djalë apo vajzë në mënyrë të pacaktuar. Kështu ngjet edhe me derivatet e tij që paraqitëm më sipër. Ndryshe qëndron me sinonimin e tij “cili”, “cila”. Këtu përcaktohet gjinia, por këta fjalë kanë gjërësi më të madhe përdorimi se fjala “kush”, pasi përdoret për të përcaktuar jo vetëm gjininë e përsonit që pritet të vijë apo të kryejë ndonjë veprim tjetër, por përdoret edhe për sasi e lloje të tjera gjërash e jo vetëm për njerëz. Pra le ta nënvizojmë: asnjëherë fjala “kush” dhe derivatet e saj nuk përdoret shoqëruar drejtpërdrejt me një emër nga pas. Le ta shtjellojmë më tej përdorimet e sakta dhe keqpërdorimet në raste të tjera.

Përemri kush përdoret për të pyetur vetëm për njerëz dhe është e palejushme të përdoret për të pyetur a përcaktuar kafshë, sende, gjëra, dukuri, apo ide. Nuk mund të pyetët: kush ishte kali që fitoi garën? E aq më keq akoma: kush kal fitoi garën, por cili kal e fitoi garën? Apo edhe rasti tjetër: “kush është ajo gjë që na bën të dallueshëm si komb nga kombet e tjera”, që sigurisht është e gabuar, por “cila është ajo gjë që na dallon si komb nga kombet e tjera?” që është forma e saktë. Në pamje të parë duket diçka e parëndësishme kjo që sapo thashë e analizova, por ja që trashëgimia jonë popullore na e la këtë dukuri kështu dhe është pranuar dhe fiksuar si e tillë nga studjuesit dhe kultivuesit e gjuhës sonë në kohë të ndryshme dhe veçanërisht në kongresin mbarëkombëtar të drejtshqiptimit e drejtshkrimit të gjuhës shqipe të vitit 1973. Ne padyshim na bie barra ta zbatojmë si normë gjuhësore të patjetërsueshme.

Fjala “kush” dhe fjalët që rrjedhin prej saj përdoren veç për numrin njëjës dhe asnjëherë për shumë përsona. Thuhet: “Kush erdhi?” dhe jo “Kush erdhen?”. Nuk mund të themi “Dikush e kanë bërë gabim punën”, por “Dikush e ka bërë gabim këtë punë”. Thuhet: “Kushdo mund të vijë!” dhe asnjëherë “Kushdo mund të vijnë!” qofshin këta me mijëra dhe s’ka të bëjë fare numri një apo më shumë se aq. Kjo vlen edhe për ata përemra të pacaktuar që nënkuptojnë një numër të pacaktuar njerëzish që fillon me dy vetë e deri në infinit(pafundësi) si gjithkush, shumëkush etj. që kurdoherë përdoret në njëjës. Ja disa shembuj: Shumëkush e di se ne jemi pasardhësit e ilirëve. Nuk mund të thuhet: Shumëkush e dinë se ne jemi pasardhësit e ilirëve. Po ashtu edhe përemri “gjithkush” përdoret vetëm me trajtën e njëjësit si përemri “kushdo” apo “ çdokush”. Gjithkush ndihet krenar për atdheun e vet. dhe asnjëherë: Gjithkush ndihen krenarë për atdheun e tyre. Fare lehtë mund të zëvendësohen këta përemra me të tjerët që kanë në përbërje fjalën “kush” veço këtu rastet kur ndryshojnë kuptimin e frazës sidomos nëse përdoren fjalët me kuptim mohues në vend të atyre me kuptim pohues. Pra mund të ndryshojë kuptimi i frazës, por jo forma e saj gramatikore dhe gjithashtu duhet shoqëruar me ndajfoljen mohuese “nuk”. Askush nuk mund të mos e dojë atdheun e vet.

Për të paraqitur ato raste të palejueshme të përdorimit të fjalës”kush” dhe fjalëve që rrjedhin prej saj gjuha jonë ia ka lënë si atribut fjalës “cili” apo “cila”  si dhe derivatëve të tyre “cilido”, “cilado”, “gjithësecili(a)” e këtë për:

-përdorim para emrit: “cili ushtar u dallua në stërvitje sot?” dhe jo “kush ushtar u dallua në stërvitje sot?”.

-përdorimin në numër shumës: “cilat vajza morën pjesë në sfilatë mbrëmë?” dhe kurrë: “kush vajza morën pjesë mbrëmë në sfilatë?” që është dy herë e gabuar; pëdorim para emrit; përdorim në shumës.

-përdorimi për të pyetur a përcaktuar kafshë sende, gjëra, dukuri, apo ide:  “cila gjuhë flitet në Shqipëri?” dhe jo: “kush gjuhë flitet në Shqipëri?” që gjithashtu është dy herë e gabuar(shoqëruar me emër dhe për të pyetur jo për njerëz).

Siç shihet me pak kujdes ne së pari mund t’i menjanojmë dukuritë e gabuara të përdorimit të këtyre fjalëve që cilësova më sipër dhe nën shembullin tonë mund të ndikohen edhe brezat e rinj në edukimin gjuhësor të tyre. Është detyra jonë si prindër të udhëheqim me shembullin tonë personal në ruajtjen dhe përmirësimin e kulturës gjuhësore. Të jemi të sigurtë se ashtu si na duket ne si diçka e pazakontë e gati qesharake përdorimi i gabuar i gjuhës sonë nga të huajtë, ashtu do të dukemi edhe ne gati qesharakë dhe, madje, me të drejtë, kur e përdorim jo drejt gjuhën tonë, tek vetja jonë si dhe tek bashkëbiseduesit tanë që pak a shumë kanë një kulturë gjuhësore më të pasur se ne.

Është detyrë parësore e punonjësve të medjave e sidomos e gazetarëve ta përdorin saktë gjuhën tonë duke ndikuar pozitivisht në shijet tona gjuhësore, të paktën të mos ndikojnë negativisht me përdorime të gabuara sidomos tek fëmijët dhe të rinjtë. Është detyrë parësore edhe tek përsonat publikë ta përdorin saktë gjuhën tonë, pasi, jo vetëm ndikojnë pozitivisht tek dëgjuesit e tyre, por tregojnë nga ana tjetër edhe shkallën e tyre të formimit kulturor. Padiskutim, është detyrë parësore e mësuesve të çdo kategorie që ta flasin saktë gjuhën shqipe se me të formojnë dhe brumosin gjuhësisht fëmijët tanë, e ata do t’u jenë mirënjohës përjetë për trashëgiminë e pasur gjuhësore që ata do t’u lënë atyre, në mos jo, në se ndikojnë negativisht nga formimi i tyre i cunguar.

Për hir të vërtetës dua të shtoj këtu se me kënaqësi kam vërejtur aty-këtu ndonjë gazetar që, jo vetëm e flet saktë gjuhen shqipe për vete, por edhe këmbëngul që edhe të tjerët ta flasin saktë dhe kjo në medjat vizive, aty ku shikueshmëria është mjaft masive, ndikon jashtzakonisht në mënyrë pozitive tek shikuesi apo dëgjuesi i drejtëpërdrejtë. Unë këtu nuk dua t’i përcaktoj konkretisht me emra se ka mjaft nga ata dhe kjo gjë më ngroh po aq sa më shqetëson mjaft fakti kur shumë prej tyre nuk e kanë atë kulturë gjuhësore që duhet të ketë një gazetar i medjave vizive, sidomos.

Rreth përdorimit të gabuar të disa emrave

Shumëherë na ndodh të dëgjojmë raste të ndryshme të përdorimit të gabuar të fjalëve të ndryshme në gjuhën shqipe nga përsona të ndryshëm qoftë këta të zakonshëm, qoftë edhe të sferave të larta të shoqërisë shqiptare. Në të vërtetë, askujt nga shqipfolësit që së paku e ka mbaruar një shkollë tetëvjeçare apo tashti atë nëntëvjeçare, nuk i lejohet të bëjë gabime thuajse fëminore në përdorimin e gabuar të ca fjalëve të shqipes. Këtu nuk e kam fjalën për përdorime dialektore, megjithëse edhe ato janë jo të pranueshme për normën gjuhësore letrare të pranuar në mbarë hapësirat kombëtare, atje ku flitet dhe ushtrohet gjuha shqipe, por e kam fjalën për ato fjalë që në të gjitha ngjyrimet dialektore përdorën po njësoj, ose pothuajse njësoj, por që fatkeqësisht për një kulturë të mangët gjuhësore, përdoren mjaft gabueshëm.

Në shkrimin tjetër kemi përmendur rastet e gabuara të përdorimit të përemrit “kush” dhe derivatëve të tij, ndërsa këtu dua të përmend përdorimin e gabuar të emrave dhe kryesisht të emrit “prind” si dhe “fëmijë”. Çuditërisht, të dy këta emra janë emra të fondit të shqipës që janë të lidhur mes tyre nga ana semantike (kuptimore) mjaft ngushtësisht dhe objektet, në këtë rast frymorë njerëz, kryesisht, lidhen me dashurinë më të madhe njerëzore. Çuditërisht, të dy këta emra i gjejmë në gojën e njerëzve të përdorur në mënyrë mjaft të gabuar. Çuditërisht, në mënyrë të gabuar i dëgjon të përdoren edhe nga ata përsona që së pari duhet të jenë shembull në përdorimin e saktë të shqipes. Dhe këta mund të jenë personazhe publikë që në gjuhën elitare quhen VIP-a, që edhe kanë reputacion publik mjaft të madh. Të përdorurit e gabuar nga këta të ashtuquajtur “VIP”-a, është, jo vetëm e pafalshme, por edhe mjaft e dëmshme.

“VIP”-at shumëherë duke dalë në publik dhe duke manifestuar të meta në të folurin e tyre të shqipes, bëjnë më dëm tek dëgjuesit se një njeri i zakonshëm. Dëgjuesi e di për një njeri të kulturuar dhe të formuar në mënyrë të gjithanshme, prandaj edhe gabimet që mund të paraqesë në të shprehurit e tij të cunguar mund të bëjnë dëme akoma më të mëdha tek auditori dëgjues, pasi i marrin si model të të shprehuri të gjitha sa thotë e si shprehet. Kush më shumë se një deputet apo një ministër është më i besueshem tek elektorati që i ka zgjedhur se sa një njeri i thjeshtë? Po kështu edhe njerëzit e ekranit dhe të medjave janë mjaft të besueshëm tek masat, ndaj dhe ata ndikojnë mjaft atje me pastërtinë apo papastërtinë e të shprehurit saktë të shqipes.

Tani le t’i drejtohemi problemit kryesor, objektit kryesor të këtij shkrimi. Emrat që përmenda më sipër, përdoren shpeshherë në mënyrë të gabuar duke filluar që nga fëmijët, të rriturit e shtresave të ndryshme dhe të moshave të ndryshme, formimeve dhe kulturave të ndryshme, nga mësuesit tek-tuk, e nga ata që edhe u rrinë në krye atyre. Shpeshherë dëgjohet kur fjala “prind” përdoret në numrin shumës për numrin njejës. Nganjëherë edhe i shquar si njëjësi. Nëse mund ta vendosim në një fjali të thjeshtë këtë fjalë në mënyrën më të drejtë do të thosha: “Nga një prind i mirë, duhet të dalë edhe një fëmijë i edukuar mirë”. Normalisht, fjala “prind” është përdorur në numrin njëjës dhe korrekt. Le ta shohim në numrin shumës tani: “Ky fëmijë i dalluar është edukuar nga dy prindër shembullor”. Pra emri “prind” në numrin njejës është në formën që paraqitet në fjalinë e parë dhe në numrin shumës del “prindër”. Pra: një prind, dy(ca, shumë) prindër. Kjo është forma korrekte e përdorimit duke i përdorur edhe në pozicione të ndryshme rasore, si dhe në të dy trajtat: të shquar e të pa shquar. Njëjës: prindi; i(e) prindit; prindit; prindin; prej prindit. Një prind; i(e) një prindi; një prindi; një prind, prej një prindi. Siç shihet këto forma janë format korrekte të përdorimit të njëjësit. Format korrekte të shumësit janë: prindërit; i(e) prindërve; prindërve; prindërit; prej prindërve; si dhe trajta e pashquar: (ca) prindër; i(e) (ca) prindërve, (ca) përindërve; ca prindër, prej (ca) prindërish. Megjithatë, përdorim të gabuar janë rastet kur shumësi i këtij emri përdoret për njëjësin: “Prindëri i këtij nxënësi nuk është mjaft i përgjegjshëm për fëmijën e tij.” Siç shihet është përdorur forma e shumësit për formën e njëjësit dhe madje edhe në trajtën e shquar. Ata individë që e përdorin shumësin e këtij emri për njëjësin e përdorin në të gjitha format e rasat kështu në mënyrë kaq të gabuar. Fatkeqësisht, kjo formë e gabuar përdorimi haset shpesh, ashtu siç e thash edhe më sipër, jo vetëm tek njerëzit e thjeshtë, por edhe tek ata që vetë për vetën e tyre, jo vetëm që nuk duhet ta gabojnë përdorimin, por edhe t’ua mësojnë të tjerëve se si duhet përdorur

Më rrallë dhe jo aq dukshëm shfaqen edhe tek emri “fëmijë” përdorimet e gabuara, por në sensin e kundërt: përdoret njëjësi për shumësin. “Çfarë po bëjnë fëmija(nënkupto këtu fëmijët)?” “Fëmija sot kanë shumë hapësirë për dije.”  “fëmija” është përdorur numri njëjës për fjalën (emrin) “fëmijë”, por është aluduar jo për një, por për dy e më shumë fëmijë. Për më saktë shih përdorimin e foljes kallzues që lidhet me emrin “fëmijë” dhe folja është “bëjnë” përdorim në numrin shumës. Nuk po ndalohem këtu ta shtjelloj se si duhet të përdoret në shumës apo në njëjës emri “fëmijë”, por po them se në të dy rastet që solla më sipër duheshin përdorur në këtë mënyrë për të qenë forma korrekte: “Çfarë po bëjnë fëmijët?”, “Fëmijët sot kanë mjaft hapësirë për dije”.

Duhet patur parasysh edhe një tjetër përqasje e gabuar e përdorimit të emrit “fëmijë”. Kur përdoret në numrin njëjës ky emër, në disa raste, nga disa njerëz, kur e shquajnë në rasën emërore, gabimisht e thonë:”fëmiu”. Duhet ditur se ky emër përdoret bashkërisht si për gjininë femërore(pra kur fëmija është i seksit femër), ashtu edhe për gjininë mashkullore, kur flitet për një djalë, por kurrë nuk është e pranueshme të thuhet “fëmiu”. Në të vërtetë, emri “fëmija”, kur përdoret në fjali, merr një përcaktor apo mbiemër të gjinësë mashkullore. Kështu thuhet: “Fëmija i tij(por asnjëherë: “e tij” edhe sikur të flitet për një vajzë) është i dalluar në shkollë. Po kështu përdoret më pëlqyeshëm edhe në formën: “Ajo vajzë është një fëmijë i bukur”, ose “Ajo vajzë është fëmija më i bukur që më kanë zënë sytë ndonjëherë” e jo “Ajo vajzë është një fëmijë e bukur”, apo “fëmija më e bukur…”. Ndryshon problemi kur mbiemri “i bukur” vihet fill pas emrit vajzë. Atëherë thuhet “vajzë e bukur”, p.sh. “Ai fëmijë është një vajzë jashtzakonisht e bukur”.

Siç shihet më sipër solla vetëm dy shembuj të përdorimeve të gabuara të emrave, por kjo s’do të thotë se nuk ka edhe raste të tjera, sidomos në përdorimin e numrit shumës të shumicës së emrave, por këtu nuk po ndalohem për t’i shtjelluar të gjitha një e nga një. Besoj se është me vend që të nguliten konceptet një e nga një duke mos i paraqitur shumë prej tyre njëherësh. Në vazhdimësi, mendoj se duhen paraqitur edhe mjaft raste të tjera përdorimesh të gabuara edhe në folje dhe të tjera pjesë të ndryshme të ligjeratës. Këtë do t’ia lëmë të ardhmes.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s