Perdorimi i gabuar i foljes “pres”

 

A-IMG_1602Folja “pres” ka dy kuptime semantike të dallueshme nga njëri-tjetri. Pra këtu kemi dy homonime, një fjalë me dy kuptime:

Kuptimi i parë është veprimi i ndarjes së diçkaje me një mjet prerës si thikë, sëpatë, hanxhar a diçka tjetër të këtij lloji. Pres një mollë me thikë. Pres mish me hanxhar. Pres dru me sëpatë. Pres një dërrasë me sharrë. etj. Pra ka kuptimin: prerje

Kuptimi i dytë ka diçka krejt ndryshe nga i pari. Kryesisht ka kuptimin e takimit me një apo disa personave të tjerë. Nesër mbrëma pres mysafirë. Po pres një shok tek stacioni i trenit. Po pres të vijë treni dhe të udhëtoj drejt Jugut. Kam dhjetë minuta që pres të lidhem me vëllain nëpërmjet skype-it. Pra ka kuptimin: pritje

Sipas kuptimit të secilës nga këto fjalë, edhe format gramatikore të tyre ndryshojnë, sidomos në të kryerën e thjeshtë. Në rastin e parë “pres”(prerje) diçka me një mjet prerës del: preva. Unë preva dru në pyll.

Pa u shmangur nga subjekti i shkrimit, po bëj këtu një sugjerim të vogël: fjala “dru” mund të përdorej edhe në formën “drurë”. Megjithatë, ne përdorimin e mëssipërm nuk është aspak gabim, ashtu siç nuk do të ishte gabim edhe varianti i dytë, por do të ndryshonte kuptimi i fjalisë. Në rastin e parë fjala “dru” ka konceptin e materialit, ndërsa fjala “drurë” ka konceptin e bimës. Tashti le t’i kthehemi përsëri thelbit.

Pra: pres –preva –prerë janë format gramatikore të tashmës, të kryerës së thjeshtë dhe pjesores për kuptimin e parë të foljes “pres” si dhe varianteve kuptimore të dyta metaforike që dalin nga ky kuptim si:

“Unë prej kohësh i kam prerë lidhjet me ca shokë të mi, nga që jetoj larg në emigrim.” “Atij ia kam prerë shkurt se nuk dua ta takoj”.

Ka edhe ca raste ku nga folja “pres” formohen fjalë të tjera si “ndërpres” apo “rrethpret”. Edhe në këto raste format gramatikore nuk ndryshojnë qoftë formën veprore, qoftë në pësore e vetvetore. Le t’i shikojmë konkretisht:

ndërpres –ndërpreva –ndërprerë(veprore); ndërpritet –u ndërpre –(është, ishte, qe) ndërprerë,

por asnjëherë “ndërprehet”.

Kjo formë i takon më shumë gjuhës mistike dhe kryesisht fjala “prehet”. Ja një shembull:

“Trupi i tij prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit”. “U prehtë në paqe!”.

Por gjithsesi nuk ka kuptimin e fjalës “pres” të asnjërit rast. Megjithatë, në mjaft herë më ka rastisur në njerëz të ndryshëm ta dëgjoj përdorimin e gabuar të fjalës “pres” si dhe fjalëve që vijnë prej saj. Është e gabuar të thuhet:

“Ky dru është lehtë të prehet.”,  por duhet thënë:

“Ky dru është lehtë të pritet.”

Ky rast që sapo përmenda nuk duhet ngatërruar me kuptimin “mpreh”.

Mpreh lapsin me një thikë të mprehtë.

Mprehim shpatat dhe shkojmë në luftë pa na u dridhur qerpiku.

Domosdo, edhe këtu kemi konceptin e të prerit diçkaje apo aty afër. P.sh. lapsi mprihet duke hequr me thikë pjesë nga druri mbështjellës të grafitit për ta bërë atë sa më fin për të shkruar. Pra me thikë presim drurin e lapsit duke hequr ashkla të vockla. Kur mprihet shpata, thika, sëpata, kosorja, hanxhari, apo diçka tjetër konceptohet këtu veprimi i hollimit të tehut të mjetit prerës me një mjet tjetër abraziv si me limë, grihë, gur fresibël, apo duke shkuar tek kovaçi dhe kryer atje prej tij veprimet e nevojshme. Kjo nënkupton edhe dhënien e aftësisë prerëse sa më shumë. Pra lidhet deri diku me konceptin e prerjes, por jo drejtpërdrejt si në vetore (mpreh) ashtu edhe në kuptimin pësor e vetëvetor (mprihet)

Po kështu nuk mund të përdoret shprehja:

“Më ndërprehet fjala në mes nga zhurmat e papritura.”, por

“Më ndërpritet fjala në mes nga zhurmat e papritura.”.

Në këtë rast fjala “ndërpritet” është përdorur korrekt, ashtu siç mund të përdorej me një kontekst tjetër edhe fjala “rrethpritet” fjalë e përbërë që ka për bazë foljen “pres” dhe që është përdorur në këtë rast në formën pësore. Ka shumë raste që kam dëgjuar të përdoret forma e gabuar:

prehet; ndërprehet; etj, ndaj paraqita këtu këto sugjerime që lexuesi të zgjedh formën e rregullt të përdorimit të kësaj fjale dhe varianteve të tjera të formuara prej saj.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s