Edhe folja gjej shpeshherë gjendet tek njerëz të ndryshëm në përdorim të gabuar.
Së pari duhet të shohim se si bën forma e saj e rregullt në kohën e tashme, të pakryer dhe të kryer të thjeshtë të mënyrës dëftore, pastaj të shohim përdorimin e saj të gabuar.
Në kohën e tashme folja gjej bën:
unë gjej;
ti gjen;
ai(ajo) gjen për njëjësin,
ndërsa për shumësin:
ne gjejmë;
ju gjeni;
ata(ato) gjejnë.
E pakryera:
gjeja; gjeje ; gjente…etj,
ndërsa në të kryerën e thjeshtë bën:
gjeta; gjete; gjeti….etj.
Por problemi nuk qëndron këtu. Problemi qëndron tek forma pësore dhe vetvetore “gjendem” dhe kryesisht kjo formë ka një përdorim të gabuar dhe del në formën:
gjehem; gjehesh; gjehet…etj.
Edhe kur kemi shqyrtuar foljen “pres” në të dyja kuptimet, por sidomos për kuptimin pres-preva, kemi rastin “prehet” që është rast i gabuar dhe forma e saktë është pritet p.sh:
“Lisi nuk pritet me një të rënë të sëpatës” dhe jo “nuk prehet”.
Kështu edhe rasti gjehet është i gabuar.
Unë nuk mund të them;
“Unë gjehem ngusht para njerëzve kur jam i pasaktë në punën time”.
Forma e saktë është “gjendem”.
Po kështu edhe format e vetave të tjera si dhe në numrin shumës përdoren në formën:
gjendesh; gjendet; gjendemi; gjendeni; gjenden.
Edhe në të pakryerën:
gjendesha; gjendeshe; gjendej; gjendeshim; gjendeshit; gjendeshin,
kurse e kryera e thjeshtë duke marrë pjesëzën “u” përpara:
u gjenda;
u gjende;
u gjend;
u gjendëm;
u gjendët;
u gjenden.
Por ka edhe rast të veçantë kur përdoret:
U gjet edhe zgjidhja dhe jo “u gjend edhe zgjidhja”. Por “U gjend ngusht para njerëzve”.
Siç shihet folja “gjej” ka dy konceptime të ndryshme.
Njëri rast tregon një gjendje jo vepror dhe
rasti tjetër gjetje(kryerje veprim, por në rastin pësor dhe jo vetvetor). Në të dy rastet kurrë nuk përdoret forma:
gjehem; gjehet, por forma:
gjendem; gjendet; u gjenda; u gjend(u gjet)
.