Shumësi i emrave që mbarojnë me “k”, “g”

A-foto          

     Më ndodhi rasti që, një ditë kur po ndiqja lajmet në njërin prej televizioneve më prestigjoze shqiptare, një gazetar i terrenit ta shqiptonte shumësin e emrit tank në variantin tanqe. Për momentin mendova se ishte një lapsus, pasi të gjithë ne në një moment të caktuar edhe mund të gabojmë dhe mund të bëjmë nga ato të ashtuquajtura lapsuse të momentit, por kjo herë nuk ishte lapsus i rastit, pasi në më shumë se dy herë të tjera e përsëriti shumësin e këtij emri po ashtu tanqe dhe ajo gjë mua m’u duk pak si bajate në këtë formë përdorimi.

        Në bindjen time arsyetoj se televizionet në përgjithësi dhe ato shqiptare në veçanti, nuk i marrin gazetarët drejt e nga rruga duke i zgjedhur veç për fytyrën e tyre të bukur, se kështu mund të jenë fare mirë edhe gagaçët e memecët, por mbi të gjitha, mbi kriteret konkuruese që ata kanë vendosur e më kryesori duhet të jetë shkalla e kualifikimit që gazëtarët konkurues duhet të kenë. Kjo shkallë kualifikimi, në radhë të parë duhet të jetë që gazetari ta ketë përfunduar degën e gazetarisë të ndonjë universiteti privat apo shtetror e mbi të gjitha të dijë të shprehet bukur. Po kështu e çoj më tej rrugën e arsyetimit tim se në kurrikulat e këtyre degëve një vend mjaft të rëndësishëm duhet të zërë edhe dega e gjuhësisë. Nuk jam shumë i sigurtë, por kështu mendoj. Një gazetar i mirë duhet ta zotërojë mirë gjuhën në të cilën shprehet dhe normat e saj e, nga ana tjetër, një gazetar i mirë duhet të ishte edhe një mësues gjuhe i mirë. Por, gjithashtu, kam shumë dyshime se kjo gjë, ose nuk ndodh ashtu si mendoj unë, ose studentët e këtyre degëve dalin në disa raste me mjaft mangësi dhe kur vjen rasti i shfaqin në punën e tyre gazetareske.

        E mendoj ashtu atë që nënvizova më sipër, pasi jo rastësisht kam dëgjuar nga goja e një figure mjaft të shquar mediatike, që ka krijuar dhe drejton një media mjaft prestigjoze dhe mjaft i njohur vetë nga shumë njerëz, sidomos të fushës së mediave shqiptare të shfaqë gabime foshnjore gjuhësore. Ndoshta për hir të traditës së zonës nga vjen që unë vetë s’dua ta besoj edhe pse mund të jetë ashtu, por ama, unë nuk mund të besoj shumë në saktësinë gjuhësore të asaj medieje të shkruar që ai ka krijuar dhe drejton. Unë në shkrimet e mia nuk kam asgjë të veçantë ndaj njerëzëve apo përsonave të veçantë dhe nuk dua të kritikoj ata, por dukuritë e gabuara gjuhësore që dalin aty-këtu dhe që s’duhet të ndodhin, megjithse fatkeqësisht ndodhin nga formimi gjuhësorjo i mirë i tyre.

      Po. Ndodh që fëmijët parashkollor, por po e shtyj edhe më tej, fëmijët e një moshe të mitur deri në dhjetë vjeç foljen jap e bëjnë japa apo edhe në një variant tjetër dhana, por kjo se ende nuk e kanë mjaftueshëm eksperiencën gjuhësore, se më pas e përdorin saktë dhashë. Këtë e kam trajtuar në një shkrim tjetër e nuk dua ta shtjelloj më tej këtu, por këtu dua të shtjelloj dukurinë gjuhësore të tipit tanktanqe si më posht:

        Në gjuhën shqipe si rregull disa emra të gjinisë mashkullore që mbarojnë me bashkëtingulloren “k” në numrin njëjës në numrin shumës e ndërrojnë bashkëtingulloren “k” në “q”. Si shembull mund të merren emrat:

Bark-barqe,

Thark-tharqe,

Hark-harqe,

Park-parqe,

Hendek- hendiq,

Difek-difeqe,

Bujk-bujq,

Ujk-ujq,

Turk-turq,

Ulluk-ulluqe

       Po kështu edhe disa nga emrat që tema u mbaron në bashkëtingulloren “g” në numrin njëjës, në numrin shumës dalin me “gj”. Të tillë janë emrat:

Breg-brigje,

 Shteg- shtigje,

Shelg-shelgj,

Treg-tregje,

Trung-trungj,

Cung-cungj,

Lug-lugj(e), etj. E them edhe lugj, por edhe lugje mbi bazën e kontekstit kur përdoren këtë rast. Psh:

    “Dëbora kishte mbuluar shpate e lugje. Trashësia e saj ishte aq e madhe sa nuk e mbanin dot as lugjtë e tjegullave të shtëpive.”

     Por kjo dukuri e ndërrimit të “k” në “q” dhe “g” në “gj” nuk do të thotë se mund të përdoret në të gjitha rastet. Megjithatë ka mjaft njerëz që bëjnë shqiptime të gabuara duke u ndikuar nga dukuria gjuhësore që cilësova më lart që fjalën tank e shqipton në shumës “tanqe” që padiskutim është përdorim i gabuar.

         Po kështu emri “vekë”(krahinore) në këtë rast i përdorur në numrin shumës siç përdoren edhe emra të tjerë të gjuhës shqipe që tregojnë parë apo çift materialesh si:

Syze, gërshërë, pantallona, etj e si përfundim emri “vekë”, i përdorur tashmë në numrin shumës nuk mund të thuhet “veq”. Në fakt, fjala “vekë” është krahinore dhe jo mbarkombëtare, pasi fjala e normës letrare si zakonisht shkruhet dhe shqiptohet “vegjë”, por askush nuk mund t’i ndalojë zadrimorët, bie fjala ta shqiptojnë “vekë” se ashtu janë mësuar ta quajnë mjetin me të cilin amvisat endin e punojnë veshje etakëme shtëpiake. Ata kurrë nuk i kanë quajtur “vegjë”.

      Më sipër sollëm shembullin:

Turk-turq por jo:

Grek-greq, ulqinak-ulqinaq, durrsak-durrsaq, fierak-fieraq, etj. Shumësi i tyre del:

Grek-grekë,

Ulqinak-ulqinakë,

Durrsak-durrsakë,

Fierak-fierakë.

     Po kështu edhe emri zambak nuk mund të thuhet zambaqe, por zambakë, ose:

Vandak-vandakë e jo vandaqe, apo mbiemrat e emërzuar:

Zemërak-zemërakë e jo zemëraqe,

Frikacak-frikacakë e jo frikacaqe, ashtu siç solla si shembull emrat që emërtojnë banorët e qyteteve apo shteteve si Durrës, Ulqin, Fier, apo Greqi, etj.  Askush nuk mund të thotë:

Greqët e vjetër vunë bazat e kulturës letrare europiane.” Ose

“Në shesh ishin mbledhur shumë fieraqë(durrsaqë, ulqinaqë, ferizaqë)

       Kështu mendoj se jo të gjithë rastet e emrave, gjithashtu, që mbarojnë me “g” e ndryshojnë shumësin në “gj”. A mund të thuhet se:

“U mblodhën disa pedagogj dhe diskutuan rreth disa rregullave gjuhësore” apo:

Arkeologjët shqiptarë kanë zbuluar gjurmë iliro-pellazge në zona të banuara.” ashtu siç përdoret për rastet: zog-zogj, log-logje, blog-blogje etj.

            Po sjellim edhe një shembull tjetër paralel. Emri mik bën miq dhe emri fik bën fiq. Mirë, nuk ka ndonjë problem, por si do të dukej që për analogji emrat:

kreshnik, besnik apo hidraulik të na dalin në shumës:

kreshniq, besniq, hidrauliq.

pra nuk mund t’i barazojmë këta emra as me fiq e as me miq, por me formën e tyre origjinale të shumësit pa e ndërruar “k” në “q“.

Ne nuk mund të themi:

“Ishin mbledhur besniqët e partisë(X) në miting.” apo “Në ciklin e krshniqëve ka mjaft këngë që flasin për zana e shtojzavalle.” dhe as “Ne montimin e ujësjellësit të ri morën pjesë shumë hidrauliqë.”

       Së fundi u them atyre që tankeve u thonë tanqe t’i pyesin drenicakët, ferizakët, durrsakët, fierakët, ulqinakët, fishtakët, zojzakët, rraboshnjakët, merqiakët, velnjakët, ishllakët e shumë e shumë të tjerë si këta se si do të ndiheshin pë t’i thërrisnin:

drenicaqë,ferizaqë, durrsaqë, fieraqë, ulqinaqë, fishtaqë, zojzaqë,  rraboshnjaqë,merqiaqë, velnjaqë, ishllaqë etj dhe nuk po them se si ndihen grekërit t’i thërrisnin greqë, apo bosnjakët bosnjaqë, pasi nuk ua kuptojnë fare gjuhen. Atëherë, po sikur tanket “e gjora” të ishin njerëz dhe të dinin të flisnin, si do të ndiheshin po ta dëgjoni shumësin e tyre të dalë në tanqe, gjithashtu?. Mendoj se do të rvoltoheshin shumë dhe grykat e topave të tyre konvencionalisht do t’i drejtonin dhe shënjestronin gjuhën e keqpërdoruesit të emrit të tyre.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s