KODHELI NË KËNDVËSHTRIMIN TIM

Posted on August 18, 2016 by tomgjokhilaj

clip_image002

TOM  GJOKHILAJ

Dok-kodheli me foto celular

Dok-2 Kodheli bardh e zi

Dok-Kodheli buzë liqenit

Dok-Kodheli gjatë përmbytjes

Kodheli para vitit 1990

Dok-Kodheli foto

dok-hyrja-ne-kodhel

dok-pamje-nga-kodheli

 Pas 25 vitesh

Pamje e pjesshme e fshatit Kodhel marrë nga ura hyrëse në fshat

POZICIONI GJEOGRAFIK

       Në qendër të Fushës së Zadrimës, në një kodër që zbret në formën e një patkoi pak a shumë në njërin degëzim shtrihet fshati Kodhel.Është një fshat i vogël.Drejtimi kryesor ekonomik i fshatit është bujqësor dhe blegtoral.Kohët e fundit një ndihmë e madhe në ekonominë e fshatit ka qenë edhe emigracioni. Pyjet, që dikur kanë qenë një tjetër burim i të ardhurave dhe, gjithashtu, ia shtonin së tepërmi bukurinë këtij fshati, tashmë ekzistojnë veç si një kujtim i bukur i së kaluarës, ose si një imazh i së ardhmes për ata që kanë dëshirë për t’i rimëkëmbur përsëri. Them kështu, se Kodheli ka pasur pyje me bimësi disaqindravjeçare dhe në të kaluarën i ka ruajtur të paprekura duke mos pranuar t’i heqë apo shesë për asnjë lloj çmimi të ofruar.

     I ndodhur pothuajse në distancë të barabartë nga dy malet e ulëta që kufizojnë Fushën e Zadrimës (Mali i Krajnit dhe Mali i Kakarriqit), Kodheli kufizohet, ose më mirë të themi në veri ka Kotrrin, në veri-perëndim ka Dajçin, në perëndim ka Gjadrin, në jug ka Blinishtin, në jug-lindje ka Baqlin, në lindje ka Krajnin dhe në veri-lindje Nënshatin dhe më tej Hajmelin. Është karakteristikë që Kodheli duket sikur ndodhet mu në qendër të Zadrimës, por nuk mund ta them me saktësi.Me saktësi mund të them se kodrat e Kodhelit janë më të lartat në Zadrimë me Majën e Brokës ku janë vendosur edhe varrezat e fshatit.Maja e Brokës është më e larta në Zadrimë në se nuk marrim parasysh malet e Krajnit dhe të Kakarriqit si dhe Zefjanën e Bushatit, por që nuk i takon asaj zone që quhet Zadrimë, por Ultësirës Perëndimore Shkodrane. Tek Maja e Brokës është një pike që quhet Pilinarda.Deri vonë aty ka qenë një shenjë që tregonte si majën më të lartë të kodrës. Gjyshi im thoshte  se e kishin vendosur austriakët gjatë Luftës së Parë Botërore. Ai në atë kohë ka qenë rreth 16-17 vjeç dhe e mbante mend mirë këtë fakt. Nuk e kam pasur të qartë pse quhej ai vend “pilinarda”, por sot mund të konkludoj se, ose mund të jetë një prejardhje e huaj e këtij emri, ose vjen nga fjalë shqipe “pile” dhe “nalt”(lart) “pilë e lartë”. Fjala “pile” do të thotë në shqip një sasi objektësh të vendosura njëri mbi tjetrin(kapicë): pile arrash, pile gurësh, etj.Vërtetë, aty ku është quajtur Pilinarda, deri vonë ka ekzistuar një grumbull gurësh e shkëmbinjësh dhe formonin konceptin e një pile formuar prej tyre.

Dok-hartë e vjetër për Zadrimen

Këtu në këtë hartë të vjetër fshati Kodhel është vendosur me emrin Codeli.Vendosja në hartë e fshatrave të tjerë sipas pozicioneve të tyre nuk duket shumë e saktë, por është e përafërt. Aty paraqitet sikur edhe Kodheli, por edhe Baqli janë vendosur buzë lumit Gjadër, që nuk është aspak e vërtetë, veç nëse nuk aludohet që ky lumë të ketë kaluar në hershmëri mes kodrave të Dajçit dhe të Kodhelit dhe vonë të ketë ndërruar drejtim, por kjo gjë nuk paraqitet në hartë. Gjithashtu, kjo hartë nuk i paraqet të gjithë fshatrat e Zadrimës, madje as edhe ata më të mëdhenjtë e më famozët si Blinishti, Kallmeti e Troshani. Kodrat dhe malet që dekorojnë fushën e Zadrimës nuk janë paraqitur aspakt korrekt, gjithashtu. Gjithsesi, koncepti i paraqitjes së zonës është paraqitur qartë e dukshëm, sidomos ajo çka unë kam dashur të paraqes dhe ilustroj për qëllimin imediat të këtij shkrimi, kryesisht për Kodhelin; vendndodhjen dhe emërtimin e hershëm latin, pasi vetë harta është paraqitur në latinisht dhe tregon se është shumë e hershme.

                   SHTRIRJA GJEOGRAFIKE

      Ashtu siç e thashë edhe më sipër, fshati Kodhel ndodhet në mes të fushës së Zadrimës dhe në zotërimin e tij ka pasur një hapësirë gjeografike mjaft të konsiderueshme edhe pse në kohërat e vona(këtu është fjala në shekullin e kaluar në vitet 1900-2000) e sidomos në kohën e Reformës agrare të vitit 1946 ka pasur një numër shumë të vogël familjesh. Në atë kohë nuk e kalonte numrin njëzet. Nuk jam në gjendje ta përcaktoj sipërfaqen që zotëronte fshati në hektarë apo në km katrorë, por po cilësoj këtu atë hapësirë që zinte zotërimi i fshatit në prag të Çlirimit. E thamë se fshati është vendosur në njërin prej degëzimeve të kodrave të Kodhelit dhe është konsideruar ndarë në dy lagje(mëhallë) Mahalla e Sipërme dhe Mahalla e Poshtër(e Poshtme). Kështu janë quajtur nga banorët dhe unë i shkrova ashtu siç kanë qenë shqiptuar vazhdimisht. Largësia mes dy mëhallëve nuk ka qenë më e madhe se njëqind-njëqind e pesëdhjetë metra. I ndante rruga që kalonte mes shpisë së Mark Zefit dhe Lazër Matisë dhe Kopshtit të Madh që pastaj ky i fundit përmbyllej nga Pataloku para shtëpive të Mahallës së Sipërme.

     Si fillim duhet folur për kodrat që e rrethojnë vendndodhjen e fshatit.Kodër Plesha ndodhet në lindje dhe verilindje të fshatit.Fshati është vendosur në njërin degëzim të kësaj kodre.Dikur kjo kodër ka qenë e populluar me një lagje mjaft të madhe dhe në majën e saj ka qenë një lëmë e madhe ku banorët e asaj lagjeje shinin grurin, elbin, melin apo lirin.Është thirrur Lamëkodër dhe ka qenë në pikën më të lartë të kësaj kodre.Aty pak a shumë, sot ndodhet depoja e ujit të pijshëm të fshatit.

    Kodërplesha është e përbërë përveçse Lamkodres edhe me; Ograjë Mlikës, Ograjat e Palokë Zefit, Ograja e Ullinit, Ograja Mihajne, Ograja e Viçave, Gardhi i Lepurit, Rrahu i Syqit. Ndahet, ose më mirë të themi; lidhet me Kodrën e Brokës me një qafëz ku ka qenë ndërtuar që shumë herët kisha e vjetër e fshatit. Nga kjo qafëz në dy drejtime të ndryshme njëri në drejtim të lindjes dhe tjetri në drejtim të perëndimit varen dy përrenjë të vegjël. Përroi që varet në drejtim të lindjes dhe që përfundon në Stanzat e pastaj në Livadhet e Nënshatit duke u derdhur në përroin kryesor që qerthullon kodrat e Kodheli përreth tyre deri tek Ura Gjiluke, Vijën e Korbit është quajtur Rrega e Kishës dhe ka ndarë dy kodrat kryesore të fshatit. Rrega e Kishës ka qenë mjaft e pyllëzuar dhe është përdorur si një strehë natyrale për popullatën në rastet e trazirave apo luftrave të mëdha lokale siç ka qenë ajo e fillimshekullit të kaluar zhvilluar mes turqve dhe serbëve në Dajç të Zadrimës. Nga goja e të moshuarve Zog Bardhi e Zek Shtjefni kam dëgjuar se aty ka qenë një pyll mjaft i dendur dhe ishte mjaft vështirë të depërtohej në brendësi të tij. Kur u bë ajo luftë e përgjakshme që shkaktoi vdekjën e mijëra ushtarëve nga të dyja palët, fshatarët e Kodhelit kanë qëndruar të strehuar në Rregën e Kishës për rreth tri ditë e net dhe kanë dalë që andej kur çdo gjë kishte përfunduar duke mos mbetur më në këmbë këmbë ushtari turk a serb dhe kur u dha alarmi për të shkuar në fushëbetejë për të varrosur të vrarët që, siç thamë, ishin mijëra. Sipas thënieve të tyre, kanë qenë gjashtëmijë serb dhe dhjetëmijë turq e pas luftës nuk ka mbetur aty asnjë prej tyre e që nuk dihet në janë vrarë të gjithë, apo një pjesë e tyre ia ka mbathur në drejtime të ndryshme. Kjo është një çështje që i takon historisë dhe nuk mund ta them saktë e as që e marr përsipër një gjë të tillë. Në fakt, në asnjë libër historie nuk e kam hasur të shtjelluar këtë fakt, por ashtu shkarazi e kam hasur tek romani i Ali Abdihoxhes me titull “Një vjeshtë me stuhi”.Nuk e di në se në tekstet e shkollave të larta ekziston apo ka ekzistuar ndonjë herë, apo sot në tekstet e historisë të kategorive të tjera shkollore, pasi nuk kam studjuar dhe as operuar në këtë fushë të dijes.

      Koderplesha vazhdon nga ana jugperendimore e saj me Mahallën e Sipërme, por sipër kësaj mëhalle vijnë Ograjat e Shukut, Ograjat e Rrokut e më poshtë tyre vazhdojnë Ograja e Marka Lleshit që përfundon me Lamin Plak, ograja e Jakut, Ograjat e Zefit, Ograjat e Zogut, Kopshti i Lushit, apo Mandi i Lushit, e nga sipër këtyre ograjave janë: Lari i Zogut ose ndryshe, Kopshti i Larit, Lama e Jakut, Kopshti i Ndoc Kolës, Kopshti i Zefit, Kopshtet e Zef Markut, Lama e Syqit e me radhë me shtëpitë e Mahallës së Poshtër dhe kopshtet e ograjat e tyre.

       Kodra e Brokës, në majën e së cilës në rrafshin e saj janë vendosur varrezat e fshatit, fillon me Faqen e Shejit, Rrahun dhe Bishtin e Skunderës. Ashtu siç e thamë edhe më sipër, lidhet me Kodrën e Pleshës me një qafëz të vogël dhe ndahet prej saj me Rregën e Kishës nga krahu lindor dhe nga krahu perëndimor me Përroin e Veshtit të Keq. Në krye të Rrahut janë Lisat e Gjindrecës, të paktën kështu quhet vendi, pasi aty nuk ka asnjëfarë lisi veç ca shkëmbinjsh të mëdhenj e të thepisur e ca dëllinja. Dikur kanë qenë dy lisa shumë të vjetër, ose më mirë të themi, zgavrat e dy lisave të vjetër. Sot aty ka pisha të mbjella nga fshatarët në kohën e komunizmit. Kodra e Skunderës si pjesë e Kodrës së Brokës ndahet me pjesët e tjera përbërëse të Kodrës së Brokës me Përroin e Patokës dhe me vetë Patokën. Përroi i Skunderës fillon me Veshtin e Keq. Gjithashtu, Rrahu është vazhdim i Faqes së Shenjit. Faqja e Shenjit është përdorur nga burrat e fshatit në kohë të ndryshme si poligon qitjeje ku jo vetëm stërviteshin, por edhe provonin se kush kishte shenjë të mirë në qitje. Sigurisht, në kohën parakomuniste. Ka qenë gjithmonë një vend i zhveshur dhe mjaft i përshtatshëm për një sport të tillë. Faqen e Shenjit e ndate me Kodrën e Brokë një rrugë këmbësorësh që është quqjtur Rruga e Kotrrit. Kjo rrugë ka vazhduar sipër Patokës dhe Pyllës së Gjonit në Qafëgëlqerëz, poshtë Pilinardës dhe Vorrezës së Brokës. Ajo vazhdonte sipër kurrizit të kodrës së Presekut që ishte një pjesë e Kodrës së Brokës dhe, poshtë Bishtit të Presekut, kapërcente Vijën e Rretheve, apo siç është quajtur edhe me emrin Vija e Korbit, e vazhdonte drejt Kotrrit. Pas Skunderes, matanë Lisave të Gjindrecës, siç e thamë edhe më sipër përvijohet Përroi i Patokës e matanë tij vetë Patokja, një rrafshinë e pjerrët që përfundonte në rrugë poshtë kodrave e cila e ndante me Vacrren e Memës.Pas Patokës, vjen Pylla e Gjonit e pas saj Pylla e Milotit e cila ndahej edhe me ngastrat e veçanta dhe përcaktohej me emra sipas pronarëve që e zotëronin si Pylla e Bibë Dodës, Pylla e Liqit, etj. Nuk e di se pse, por pronarët vijnë nga fshati Dajç edhe pse sidomos pas Çlirimit, aq sa kam pasur konceptin tim, ka qenë e administruar kryesisht nga fshati Kodhel sidomos si kullota bagëtish. Së fundmi, prap vazhdon të kullotet nga bagëtitë e fshatit e nuk jam i sigurtë nëse administrohet nga pronarët e vjetër. Mundet që pronarët e tyre nga Dajçi ua kanë blerë si kullota apo si furnizuese me dru zjarri banorëve të hershëm të Kodhelit që janë shpërngulur që herët për në Shkodër apo gjetk. Të gjitha këto pyje me pronarë dajçasorë janë pjesë e Kodrës së Brokës së Kodhelit dhe më afër Kodhelit se Dajçit.

      Pjesa që paraqita këtu i takon pjesës jugore, perëndimore e veriperendimore, ndersa pjesa juglindore dhe lindore e Kodër Brokës kufizohet nga Rrega e Kishë, Stanzat, Picrraqet, Livadhet e Ndok Markut, Livadhet e Nënshatit dhe Bishti i Presekut. Nga maja e Brokës në drejtim të Livadheve të Nënshatit dhe Livadheve të Ndokë Markut përvijohen disa përrenjë që i japin pamjen e një ylli apo shtrydhëseje limoni, po të shihet nga lart. Këta përrenj janë: Përroi i  Brokës, Përroi i Shkjaut. Duhet thënë se këta përrenj janë të thatë, por janë krijuar nga rrëketë e ujërave në kohëra shirash. Të gjithë këta përrenjë e çonin ujin në Vijën e Korbit që qarkonte të dyja kodrat kryesore, atë të Pleshës dhe atë të Brokës nga lindja në drejtim të veriut dhe duke vazhduar nga jugu në anën perendimore për t’u derdhur në Gjiluke me një gjatësi prej 4km. Këtu duhet shtuar se Vija e Korbit u hap me kontributin dhe financimin vetiak të patriotit të shquar të Rilindjes Dom Ndre Mjeda në verën dhe vjeshtën e vitit 1902 dhe ndikoi shumë në kullimin e tokave të zonës sipër kodrave të Kodhelit që ishin moçalishte shkaktuar nga rrëketë e përrenjve që shkarkoheshin aty gjatë stinës së shirave dhe nuk kishin se nga të shfrynin më tej.

   Gjatë dimrit këta përrenjë mbajnë ujë sidomos në pellgje të vegjël dhe ushqehen herëpashere, jo nga burime të veçanta, por nga shirat apo dëbora që bie. Megjithëse nuk mund të them se nuk ka pasur aspak kullime nga kodrat në formë burimesh. Kodrat mund të kenë patur në brendësi të tyre rezerva ujore, por nuk i kanë shfaqur ato duke i shfryrë në sipërfaqen e tokës në formën e burimeve të ndryshme. Pra në Kodhel nuk ka pasur kroje apo gurra, megjithëse në daljen lindore të fshatit, mes Kodërpleshës dhe Varoshit vendi quhet Bunari. Bunar do të thotë burim uji. Babai im Gjin Zeka shpesh më thoshte se diku andej nga Ograjat e Palok Zefit që shtrihen në faqen jugperendimore të Koderpleshës ka qenë një burim uji mjaft i mirë dhe ka ekzistuar deri vonë, por që ka humbur pas një termeti të fuqishëm dhe nuk i dihet më vendi as gjurma. “Deri shumë vonë, -thoshte ai, -është dëgjuar gurgullima e ujit që vinte nga brendësia e tokës, por, edhe pse është gërmuar aty, nuk ka mundur kush ta nxirrte në sipërfaqe e kështu gjithmonë Kodheli ka vuajtur për ujin e pijshëm”.  Mundet që të ketë devijuar në ndonjë labirinth të nëndheshëm dhe ka qenë e vështirë për ta risjellë në funksion, edhe pse fshati për shumë dekada ka vuajtur për ujin e pijshëm. Tek Bunari, gjithashtu, nuk ka pasur kurrëfarë bunari(burimi) uji edhe pse ka qenë një grykë e ulët mes dy kodrave jo shumë të vogla. Vetë fjala “bunar” do të thotë burim uji, por aty s’ka pasur asnjë burim uji.

       Me që fola për pozicionin e dy kodrave kryesore të fshatit dhe më të lartat në fushën e Zadrimës, përjashto këtu malet që e rrethojnë këtë fushë si dhe Zefjanën e Bushatit, tash më duhet të përshkruaj kodrën tjetër që i rri përballë fshatit, apo më mirë të themi se i rrinte përballë fshatit deri në vitet ’90, se sot është populluar dhe rrethuar nga fshati. Është fjala për Varoshin. Varoshi është një kodër jo shumë e lartë dhe në shpatin verior të saj ka qenë e mveshur me pyje, ndersa sipër saj si dhe në pjesën jugore ka qenë e zhveshur nga pyjet. Fillon që nga Bunari dhe përfundon afër Peshtijeve e Tusheve. Nga pjesa veriore e kësaj kodre në rrëzë të saj janë Arat e Bardhe si dhe Zabeli që e kanë patur ndarë nga kodrat kryesore, por nga lindja është kufizuar nga Lezet e Lushit si dhe në pjesën juglindore nga Magjypet e Rrokut e nga jugu nga Kloset e Simon Ndocit. Magjypet kanë qenë më tepër një rrafshnaltë, në qoftë se mund ta quajmë kështu, ndersa Kloset përsëri një ultësirë mes Varoshit e Kodrave të Baqlit. Të dy këto ara mes kodrash i ka ndarë një rreshmore joprodhuese dhe një rrugë që kalonte përmes Qafës së Baqlit e, duke vazhduar përmes Prozhmes, të çonte drejt fshatit Baqel, fshati më i afërt me Kodhelin. Baqli dhe Kodheli kanë pasur mjaft gjëra të përbashkëta në të kaluarën; kanë pasur një kishë dhe deri vonë edhe varrezë të përbashkët(kjo e fundit për një pjesë të familjeve të atij fshatit), shkollën fillore si dhe në kohën parakomuniste një njësi të përbashkët elektorale. Kanë qenë relativisht fshatra të vegjël sa mund t’i quaje dy lagje të të njëjtit fshat. Megjithëse kanë pasur një kishë të përbashkët e kryesisht atë të Shën Rrokut në Kodhel, përsëri festat fetare që kanë festuar i kanë pasur të ndryshme. Kodheli ka festuar festën e Shën Rrokut dhe Rruzarën, ndërsa Baqli ka festuar festën e Shën Mëhillit. Kjo, ndoshta, se disa familje nga Baqli i kanë pasur varrezat në Fangun e Nënshatit së bashku me banorët e fshatrave Krajën e Nënshat të cilët kishin si kishë të përbashkët kishën e Shën Mëhillit në Nënshat. Të tre këta fshatra kanë festuar tradicionalisht festën e Shën Mëhillit.

    Fola më sipër për pjesën kodrinore të fshatit, por pjesa më e rëndësishme për nga ana ekonomike e fshatit, padyshim ka qenë dhe mbetet fusha, jo se kodrat ishin më pak. Fushat dhe arat e fshatit Kodhel në pjesën më të madhe janë shtrirë në perëndim dhe jugperendim të vendvendosjes së fshatit. Mu në rrëzë të fshatit shtrihen Ardajçet, Palvaset, Frashni i Gjushit, Arat e Kadisë, Peshtijet, Arat e Bardha, e tj., por më sipër Ardajçës janë edhe Bapreçet, Perivoli, Arëlamet, Skunderet, Guri i bardhë, Ara e kalit dhe vazhdimi i tyre deri tek Vacrra e Memës. Duke u nisur nga jugu dhe deri në veriperendim të zotërimeve të fshatit në toka arë apo në livadhe, pyje dhe kullota mund të cilësojmë këto: Tushet dhe mjaft toka ara në afërsi të tyre; Bërraka e Tushes dhe Pylli i Tushes(tani parcela prodhuese për kultura të ndryshme bujqësore), Livadhi i Madh, Veshet, Livadhi i Gjo Hilës, Mollishti, Ferrci, Qarret, Bullet, Gërrejet, Vneshtë e Syqit, Zhuriqet, Vneshtnurja, Vneshta e Llupit, Bërraka e Kishës, Pylla e Kishës, Bërraka e Kolë Ndokës, Gjiluket, Muninet, Rrethet. Duhet thënë se mes këtyre fushave ka pasur disa vija të mëdha uji ku mbanin ujë në shumicën e tyre edhe verës, por edhe ndonjëra edhe mund të thahej në periudhën e thatësirës, siç ishte Vija e Bulles. Këta vija uji i kanë shërbyr fshatit për ujë për nevojat shtëpiake dhe për larje rrobash si dhe për bagëtitë, por sidomos për peshkim. Nga mënyra e vendosjes së këtyre vijave, mund të them me saktësi se kanë qenë pjesë e një shtrati lumi të hershëm që ka kaluar mespërmes Fushës së Zadrimës; Drini, ose ndoshta Gjadri. Ka më shumë mundësi ky i fundit, në mos së bashku me një degëzim që kalon sipër fshatit Dragushë dhe quhet Glina. Këta vija uji shtriheshin përgjatë fushës, mes kodrave të Dajçit dhe të atyre të Kodhelit. Sipas fushave apo tokave që shtriheshin përgjatë brigjeve të tyre edhe janë quajtur ato vija përgjithësisht, megjithëse edhe shumë prej tyre kanë pasur emra krejt të pavarur. Të tilla janë Bullja, Qarrja, Kapnaqja apo siç quhej ndryshe Ferrci, Rrethja(Vja e Korbit), Gjilukja, apo Vija e Gërrejave, por kështu ka pasur edhe të tjera si: Vija e Gjojës, Vija e Këlyshëve e ndonjë tjetër. Kapnaqja ka qenë vija më e rëndësishme për Kodhelin, pse ka mbajtur ujë gjatë gjithë vitit, se ka qenë vija më e thellë. Në një pjesë të saj e quajtur Pusi i Vogël që ka qenë, gjithashtu edhe pika më e thellë, ka shërbyer edhe si një plazh i vogël për të rinjtë e fshatit, por aty është përdorur edhe për gratë e fshatit për të larë rrobat si dhe për t’u dhënë ujë bagëtive të fshatit në kohë thatësire. Pyjet dhe vijat e ujit që zotëronte Kodheli, kanë pasur një panoramë të shkelqyer sa pa frikë mund të quhej një Amazonë e vogël në mesin e Zadrimës. Bimësia e këtyre pyjeve ka qenë e larmishme dhe mjaft e dendur. Kanë mbizotëruar frashërat dhe lisat shumëshekullorë si dhe shelgjet, plepat, vidhat, kulumbritë e mjaft të tjera bimë frutore dhe jofrutore të të gjitha llojeve që ka pasur krahina e Shqipërisë veriperendimore.

     Më poshtë këtyre vijave kanë qenë ara, livadhe e Kullota si: Shkurtat, Dardha Shatore, Frashni i Pecit, Rrethetoret, Gryget e tj. deri në Arrnjet që ka qenë një kullotë e madhe për pjesën e madhe të bagëtive të fshatrave të Zadrimës. Arrnjeti dhe Zhavori kanë ekzistuar kryesisht për kullota në të kaluarën, por sot janë të gjitha toka bujqësore. Një pjesë e tokave kanë qenë të pyllzuara dhe me krijimin e kooperativave bujqësore ato u shpyllzuan dhe u sistemuan duke u kthyer në toka bujqësore. Gjithashtu u mbyllën të gjitha vijat e ujit, që pa frikë mund të thosha se ishin monumente kulture, po të ekzistonin akoma edhe sot. U bënë kanalizime dhe u ndanë në blloqe të mëdha të mbjella me kultura të ndryshme bujqësore, drithëra e foragjere. Aty nga vitet ’50 mespërmes fushës së Kodhelit, me punën e rëndë të të burgosurve të kampit provizor të Baqlit, u hap Kanali i Madh kullues dhe luajti rol të rëndësishëm në përmirësimin e jetës së familjeve të fshatit. Pak a shumë ky kanal fillonte nga lumi Gjader mes Kotrrit e Dajçit, afër vendbashkimit të këtij lumi me Glinën dhe ndante ato dy pjesë të fushës që përmenda në fillim me pjesën tjetër. Babreçe-Ardajçe-Tushe me Munine-Bulle-Livadhi i Madh etj.

                              ETIMIOLOGJIA E EMRIT

         Emri “Kodhel” vjen nga emri “kudhër”. Ky është versioni kryesor, pavarësisht se mund të mendohen edhe variante të tjera. Arsyet që na çojnë në këtë përfundim janë të shumta dhe do t’i analizojmë më poshtë. Karakteristikë kryesore e shqiptimit të emrit Kodhel nga banorët e fshatit ka qenë se gjithmonë është shqiptuar me variantin Kullel dhe kështu është shqiptuar edhe emri kullel nga fshatarët e Kodhelit për kudhër. Jo vetëm kaq, por edhe banorët e disa fshatrave përreth Kodhelit, kështu ia kanë shqiptuar emrin fshatit tonë e gradualisht më vonë filloi të kalojë në variantin përfundimtar siç shkruhet e shqiptohet sot. Pra këtu ka dy ndryshime kresore në paraqitjen fonetike të emrit: e para është se nga “u” kaloi në “o”; e dyta nga “ll” kaloi në “dh” karakteristikë jo e zakontë ngatërrimi i këtyre dy bashkëtingulloreve në fshat dhe në zonë përgjithësisht. Pra nuk është karakteristikë në ndryshimin e ngatërrimin e tingujve “dh”-“ll”, siç ndodh në ndonjë zonë tjetër të popullsisë së Veriut. Le ta sqarojmë këtë ide duke bërë një analizë të shkurtër.

          Në qendër të fshatit është një vend që quhet Farka. Kjo dëshmon se shumë kohë më parë Kodhelit, duke qenë një vend me një popullsi të madhe, i duhej edhe një repart farkëtarësh për të farkëtuar vegla pune në nevojë të popullsisë vendase. Ka qenë fakt i rëndësishëm ekzistenca e një farke në Kodhel. Dihet që kjo zejë ka qenë mjaft e domosdoshme për popullsinë nga nevoja e përgatitjes së veglave të punës, pasi pa to nuk konceptohej jeta, nuk konceptohej sigurimi i mjeteve të nevojshme për jetën. Duheshin farkëtuar veglat e punimit të tokës, por edhe të mirëmbaheshin ato, pasi konsumoheshin shumë gjatë përdorimit të tyre. E gjithë zona ka pasur drejtimin kryesor bujqësinë dhe blegtorinë dhe nuk është gjë çudi që Kodheli ka luajtur rol kyç me farkën për gjithë zonën, nga që ishte në një qendër pothuajse ekzakte për Zadrimen. Nga të moshuarit në një rreze kohore prej më shumë se 100-150 vitesh nuk është njohur një objekt i tillë në Kodhel, madje aty ku është quajtur Farka nuk kam parë asnjëhere në jetën time ndonjë gjurmë a shenjë të ndonjë objekti apo ekzistencës së tij të hershëm. Mendoj se prej kohësh rrënojat e ndonjë ndërtese të vjetër mund të jenë zhdukur prej vetë banorëve duke i marrë gurët për ndonjë ndërtim vetiak. Ose vetë farka ka qenë vendosur në ndonjë tendë të ngritur me lëndë drusore dhe jo e rrethuar me mure të gurta. Vendi në fjalë ishte pothuajse në qendër të fshatit dhe për shumë kohë ka shërbyer si pike grumbullimi fshatçe për mbledhje a diçka tjetër. Ky vend ka qenë një rrafsh i sheshtë dhe pa ndonjë bimë a pemë të veçantë frutore veç ca shkëmbinjë shtufi. Me kullën e Zef Markut e ndante rruga e madhe me mëhallën e poshtme, apo ndryshe rruga që vinte nga Baqli për në kishë të Kodhelit. Edhe ekzistenca e kësaj rruge që vinte nga tre drejtime të ndryshme, nga Baqli e Krajni, nga drejtimi i Gjadrit prej Urës së Re, tek Pusi i Poshtër dhe degëzohej me Rrugën e Bregut poshtë Lamës së Syqit e vazhdonte përbri kullës së Hilë Filip Brozit e më pastaj i binte para e në brinjë të kullave të Syqve duke i ndarë ato me kullat e Zef Markut, si dhe Rruga që vinte nga Dajçi nga drejtimi i Brrakës së Kuvendit duke ndarë në mes Kopshtin e Madh me Kopshtin e Zefit, tregon qartë se aty ka ekziztuar një farkë që duhet të ketë luajtur rol të rëndësishëm, jo vetëm për fshatin dhe banorët e hershëm të tij, por edhe për një pjesë të fshatrave të zonës. Është karakteristikë e veçantë se pikërisht aty tek Farka bashkoheshin të gjitha rrugët që përmenda më sipër. Edhe vetë prejardhja e emrit të fshatit duhet të ketë origjinën tek kjo zejë karakteristike e cila për këtë fshat duhet të ketë qenë mjaft e hershme dhe, pse jo, edhe kryesore për zonën për vetë vendndodhjen e fshatit me një rreze largësie me fshatrat që e rrethojnë që varion në më pak se 2km. E jo më shumë se 4km.

       Objekti kryesor dhe më i rëndësishëm i kësaj zeje padyshim është kudhëra që në shqiptimin e banorëve vendas gjithnjë ka dalë me variantin “kullen” e ndoshta në hershmëri edhe me variantin “kullel”, pasi me këtë variant është shqiptuar edhe një minikudhër që e përdornin bujqërit si vegël vetiake dhe ndihmëse për të mprehur kosat e barit. Kosëtarët, në trastat e tyre të veglave të punës gjithmonë mbanin nga një kudhër të vogël, çekiç si dhe një grihë(limë) guri. Pra mund të them se emri Kodhel vjen nga fjala kudhër (kudhen, kudhel). Dihet se në dialektin gegë nuk është i përdorur ’’r,, si në toskërishte (drapen, gjarpën, zemën, urdhen, lakën, emën, etj. për: draper, gjarpër, zemër, urdhër, lakër, emër, etj.). Megjithatë kjo mund të mos jetë e saktë dhe mund të ketë një prejardhje tjetër etimiologjike ky emër, por kurrë nuk duhet marrë si përjashtim pasi ngjashmëria është mjaft e madhe. Ndoshta duhen kërkuar edhe burime të tjera psh.: “ku del”, “ku dhelpën”, apo “ka dhelpën”, “kullë” a ndonjë variant tjetër.

       Në mbështetje të variantit të parë këtu do të sjell një fakt tjetër. Etimiologjia e emrave të fshatrave përreth është shprehur më qartë, por për Kodhelin nuk kam dëgjuar as prej të moshuarve ta thonë ndonjë variant tjetër. Prej gjyshit tim Zek Shtjefni kam dëgjuar një hamendsim të asaj që unë shtjellova këtu si dhe t’i shtjellojë prejardhjet e emrave të fshatrave të tjerë dhe këtu po sjell variantin e prejardhjes së fshatit Kallmet. Dihet historikisht se Zadrima dikur ka qenë një gji deti, ose kënetë, por në kohë shumë të lashta dhe me kalimin e epokave nga prurjet e lumenjve Drin dhe Gjadër dalëngadalë është mbushur nga prurjet lymore dhe është kthyer në fushë pjellore. Por duke qenë pellgje uji dhe moçalishte kënetash kishte edhe bimësinë karakteristike të këtyre moçalishtave siç ishin kallamat e egër që ndryshe shumësinë e kësaj bimësie popullata e quante kallm. Edhe sot e kësaj dite kjo bimësi quhet ashtu, kallm (kënete). Mirëpo vendi që sot quhet Kallmet ishte rrëza e malit dhe mbase edhe bregu i asaj kënetës gjigande që më vonë do të quhej Zadrimë, e për pasojë ishte edhe ajo kallamishta e kënetës që quhej kallm.

       Njerëzit e parë që e populluan Kallmetin ishin banorë të rënë nga malet dhe filluan të hapnin toka të reja përmes kallamishtave të kënetës që dalngadalë po tkurrej. Meqenëse këneta që po tkurrej po u lëshonte toka mjaft pjellore, ata që kishin ardhur aty ngritën edhe strehët e tyre dhe mbetën aty si banorë të rinj të atij vendi të pabanuar gjer atëherë. Familjarët e tyre që mbetën larg nëpër male kur pyetnin njëri-tjetrin për ata kolonë të rinj të atyre kënetave dhe kallamishteve, se ku ishte djali i tyre, përgjigjja ishte: “N’kallm met” që kuptimi real i shprehjes ishte “Mbeti në kallm të kënetës” e kështu u formua emri “Kallmet”. Kështu edhe për Kodhelin, mendoj se njerëzit thoshin: “Po çoj plorët n’kudhel”, apo “këto vegla janë ba për me i çue n’kudhel” që mund të nëkuptohej dyfish kjo shprehje: e para për t’i farkëtuar e mprehur në kudhër dhe e dyta nënkuptonte destinacionin(lokalin, fshatin, vendin ku ishte farka[kudhra]) ku duhej të shkonin e t’i farkëtonin veglat e tyre të punës e kështu për analogji u formua emri “Kullel”> ”Kudhel”> ”Kodhel” që është varianti përfundimtar i sotëm.

        Kodheli kishte të gjitha mundësitë për të qenë një pikë kyçe dhe mjaft e rëndësishme e këtë gjë, jo vetëm për arsyen se ishte mu në qendër i rrethuar nga afër nga shumë fshatra të tjerë, por edhe se ishte i rrethuar si në fusha, ashtu edhe në kodra me plot pyje dhe mundësia për të krijuar eshkën që ishte elementi kryesor i farkëtimit të metalit, ishte mjaft e madhe. Fshatrat e tjerë përreth nuk e kishin fare këtë avantazh, pasi përgjithësisht fushat, por edhe kodrat i kishin të zhveshura nga pyjet. Në Nënshat ka pasur dhe ka farka, por Nënshati ishte jo aq strategjik për zonën, pasi ishte në anë të malit dhe jo ashtu siç ishte Kodheli, mu në qendër dhe mes disa fshatrave të zonës. Në kodrat e Kodhelit ka pasur deri vonë mjaft gropa qymyri ku fshatarët e hershëm kanë djegur drurët e pyjeve që vishnin kodrat dhe nxirrnin eshkën për farkën. Ndoshta edhe për ta shitur, megjithëse qyteti ishte mjaft larg dhe nuk besoj se nxirrnin dhe e përdornin vetëm për këtë qëllim.

        Fshati ka qenë gjithmonë i rrethuar me pyje të dendura dhe mjaft të hershme. Në kohen e sistemit socialisto-komunist pjesa fushore e pyjeve u shkulën dhe u kthyen në toka bujqësore. U lanë në këmbë, apo më mirë të themi, u prenë dhe u lanë të rigjeneroheshin pyje të reja disi të sistemuara në blloqe masive pyjet kodrinore me qëllim argëtimi për shtetarët e lartë të diktaturës të cilët erdhën aty disa herë për të gjuajtur shapka, fazan, lepuj e dhelpra me të cilët ato pyje ishin mjaft të pasura. Pra ndoshta edhe fjala “dhelpër” me fjalën “ku” ose “ka” kanë formuar emrin e fshatit. Por ndoshta nga togfjalëshi “ku del” edhe për faktin pse aty ka ekzistuar një rrugë e hershme që kalonte mes Varoshit dhe Agraj Mlikës në vendin që është quajtur Bunari dhe drejtohej nga qendra e lashtë e banimit siç ishte Sapa, Nënshati i sotëm. Rruga vinte nga Ura e Re është quajtur Rruga e Bregut dhe i binte fshatit përbri në krye të Peshtijeve e më pas të Arëve të Bardha e Zabelit duke kaluar në grykën mes Varoshit e Agraj Mlikës në drejtim të Fangut. Aty ishte si një grykë daljeje që ishte krijuar mes kodrave të Kodhelit që fillonin nga Bishti i Presekut dhe kishin atë grykë dalëse si ndarje të vogël për të vazhduar me Varoshin dhe më tej Magjypet e Kloset i kufizonin me kodrat e Baqlit dhe ato të Blinishtit që përfundonin në lagjet e Lëmezhëve. Pikërisht kjo pike e veçantë e kësaj rruge mund t’i ketë dhënë edhe emrin(Kudel-Kudhel-Kodhel) pra “ku del nga Fangu në fushë” a disi në ndonjë kuptim tjetër aty afër. Edhe në hartën e vjetër që kam paraqitur më sipër, emri i fshatit Kodhel del me shqiptimin latin ”Codel”. Dihet se në latinisht “C” shqiptohet “K”, por edhe edhe tingulli “dh” i shqipes nuk shqiptohet në latinisht por ekuivalenti i tij në latinisht shqiptohet “D”. Por kjo është thjeshtë vetëm një shënim në një hartë, ashtu siç vetë lexuesi mund ta vërejë ndryshimin edhe tek shkrimi i emrave për fshatrat e tjerë. Mundet që prejardhja mund të jetë shumë e hershme dhe mund të lidhet me emrin “kodër” dhe më vonë ka derivuar në “Kodel” duke u ndërruar tingulli “r” në “l”. Ngjashmëria me emrin latin është e përpiktë. Ky variant duhet marrë në konsideratë, pasi Kodheli ka qenë gjithnjë një fshat i mbledhur dhe me vendosje në kodër. Gjithashtu, mund ta mendoj edhe një variant tjetër që mund të lidhet me fjalen shqipe “kollë”, apo “kullet” për “kollitet” por nuk mund të them se qëndron shumë si mundësi. Po kështu nuk mendoj se mund të jenë variantet “kullon” apo “kullotë” a ndonjë fjalë tjetër e këtyre ngjashmërie shqiptimi. Edhe të ketë ndonjë prejardhje nga ndonjë gjuhë tjetër e huaj nga pushtues të huaj, s’besoj se është. Megjithatë mund të paraqes edhe një variant tjetër këtu më poshtë që mund të përbëjë një sens të veçantë kuptimor.

      Një version tjetër i prejardhjes së emrit Kodhel duhet të jetë nga fjala’’kullë,,. Kjo ka gjasë për dy arsye: E para se fshati është shquar për ndërtesa dykatëshe në tërësi dhe këto lloj ndërtesash janë quajtur kulla. Banorët tradicionalisht shtëpitë e tyre i ndërtonin dy a tre katëshe ku në pjesën e poshtme të kullës e përdornin për ahur bagëtishë dhe në katet e sipërme jetonin njerëzit. Ky ishte qëllimi kryesor në hershmëri, se në kohët e mëvonshme, ose i ndërtonin kullat veç për njerëzit duke u lënë vende të tjera strehimi bagëtive jashtë ndërtesës ku njerëzit jetonin, ose shtëpitë filluan t’i ndërtonin njëkatëshe. Secila ndërtesë kishte oborrin e vet të rrethuar mjaft mirë me avulli të larta me mure të forta guri dhe ngjanin si kështjellëza të vogla. Secila shtëpi kishte nga një portë të madhe dykapakëshe dhe para hyrjes deri tek rruga kryesore kishte një kalldrëm me rrasa guri të shtruara me kujdes të veçantë. Edhe oborret e brendshme mjaft të mëdha e të bollshme ishin shtruar me kalldrëme me rrasa të zgjedhura guri dhe grate e familjes kujdeseshin çdo ditë t’i pastronin nga pluhuri e ndotësirat e rastit. Këtë gjë e kam përjetuar në fëmijërinë time dhe më ka ngelur në kujtesë e freskët pamja e kullës së familjes sonë si dhe ajo e Zog Bardhit, kushëririt tonë me të cilin na ndante një gardh i vogël oborrin nga oborri dhe hyrjet kryesore i kishim çift e u jepnin një pamje të veçantë vendit para shtëpive dhe kullave tona.

       E dyta është fakti se fshati ynë gjithmonë është shqiptuar me emrin Kullel. Kjo ka ngjashmëri të përpiktë shqiptimi me fjalën ’’kullë,,. Në fotografitë që po paraqes më poshtë tregon qartë se si kanë qenë kullat e Kodhelit të rrethuara me avulli të larta dhe me porta të mëdha dykapakëshe.Janë fotografi të marra nga fillimi i janarit 2006 dhe janë marrë në mënyrë amatore pa një qëllim të caktuar, por ama tregojnë qartë strukturën e hershme të ndërtimit të tyre. Duhet thënë se kullat e mëvonshme nuk i ndërtuan më avulli të larta guri, por rrethime të thjeshta, sepse nuk kishin se nga kush të mbroheshin, apo ruheshin. E tillë ishte kulla e re e Zog Bardhit apo ajo që ndërtoi gjyshi im aty nga viti 1963 e që u dogj aksidentalisht në vitet ‘2000 e sot kanë mbetur vetëm muret e larta që arrijnë deri në 10m lartësi në ballin e poshtëm të saj.Është ndërtuar nga mjeshtri duarartë, bashkëfshatari ynë, Prend Lleshi.

       Gjithashtu mund të them se emri “kullë” është përdorur në shumë treva shqiptare për të emërtuar fshatra. Një të tillë e kam hasur edhe në zonën e Himarës mes Qeparoit dhe Pilurit, por kam dëgjuar të flitet edhe për fshatra të tjerë në vende e krahina të tjera të Shqipërisë që mbajnë emrin Kullës si ai i Himarës, apo në vende të tjera si në Malësinë e Madhe, në mos gabohem, e gjetk

.Dok-kulla

         Kulla e Llesh Kolës(Syqit) janar 2006

Dok-kulla e Zek Hilës

       Pamja frontale e kullës së Zekë Hilës(Syqit) janar 2006

Dok-kulla e Hilë Filipit

  Pamja frontale e kullës së Hilë Filipit (Brozit) janar2006.

  Duket qartë porta hyrëse dhe një pjesë e avullisë.

     Është pak disi e pakuptueshme se emri Kodhel del si emër i përveçëm njeriu në disa zona të vendit që nuk kanë afërsi me fshatin Kodhel gjeografikisht. Por jo vetëm, pasi gjithandej gjendet edhe si mbiemër që ndoshta kanë të bëjnë me origjinën e hershme nga ky fshat, por edhe s’kanë të bëjnë fare me origjinën apo afërsinë me fshatin. Gjithashtu, nuk mund të them se etimiologjikisht në gjuhën shqipe fjala “kodhel” ka ndonjë kuptim të veçantë që njerëzit ta përdorin edhe si emër njeriu, siç ngjet me shumë emra shqiptarë si: Flamur, Mal, Shpend, Shpat, Uk, Gramoz, Drin, Korab, Shkelzen, Shkodran, Berat, Valbona, Saranda, Vlora, Lavdërim, Gëzim, Urim, Fatlum, Bardh, Dritan, e shumë e shumë të tjerë që gjuha jonë i ka adaptuar nga fondi leksikor i saj i larmishëm. Disa nga emrat e mësipërm që solla si shembuj vijnë nga emra vendesh apo qytetesh që përgjithësisht për shqiptarët janë mjaft famozë, por emri Kodhel s’mendoj se ka qenë edhe aq i njohur sa të përdoret gjerësisht për emër njeriu. Shumë do ta kisha dëshiruar të kishte qenë i tillë, me që unë kam lindur aty dhe do të kisha pasur një arsye më shumë të ndihesha krenar për origjinën time, por nuk ngjet kështu dhe unë nuk mendoj gjithashtu se emri i fshatit tim ka ndikuar në vendosjen e emrave të tillë që, sigurisht, po të kërkohet në google me emrin “Kodheli” gjen mjaft persona që e gëzojnë këtë fjalë si emër apo si mbiemër, por që nuk kanë të bëjnë as si origjinë dhe as si ndonjë lidhje të veçantë me fshatin Kodhel. Besoj se duhet të jenë me dhjetëra në Shqipëri, për të mos thënë me qindra, por që shumica prej tyre, mendoj se as që nuk e dine se ekziston një vend i veçantë me emrin Kodhel, lë pastaj të kenë lidhje të veçantë me fshatin tonë. Gjithshtu nuk di dhe nuk mendoj se ka edhe një Kodhel tjetër në Shqipëri dhe në google kam gjetur vetëm Kodhelin e Zadrimës e asnjë tjetër që ka një domethënie për sa paraqita më sipër.  Mendoj se ndoshta duhet thelluar më tepër në gjenezën e këtij emri, se mbase mund të jetë edhe si fjalë e ndonjë gjuhe të huaj, ndoshta nga turqishtja, pasi siç thashë edhe më sipër, në gjuhën shqipe nuk më rezulton se ka ndonjë kuptim të veçantë semantik përveçse emrit “kudhër” shqiptuar në variacionin “kullen(l)”. Unë për vetën time i përjashtoj të gjitha variantet e tjera dhe ngul këmbë veç në variantin e parë për disa arsye. Këtu po them ato më kryesorët:

       -ngjashmëria e përpiktë e shqiptimit të emrit “kullen(l) për kudhër dhe e emrit “Kullel” për Kodhel.

       -ekzistenca e hershme e një reparti farke që ka pasur ndikim të veçantë në ekonominë e fshatit, sigurisht, jo për faktin që sillte të ardhura për zotëruesit e kësaj zeje, por për faktin se ndihonte bujqërit e fshatit dhe pse jo edhe të zonës për të mprehur veglat metalike të punëve të ndryshme në bujqësinë që ishte mjeti kryesor i jetesës për krejt Zadrimën.

       -të moçmit nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim tjetër për etimiologjinë e emrit, veç varianti të hamendësuar të fjalës “kullel”(kudhër).

       -emri nuk mund të jetë domosdoshmërisht i lidhur me emrin “kullë”, pasi fshati Kodhel, vërtetë ka qenë një fshat me mbi 300-400 shtëpi dhe karakteristikë ishte se ato ndërtesa ishin kryesisht kulla, madje shumëherë të ndërtuara shumë pranë njëra-tjetrës, sa kishin çati të përbashkëta me dhjetëra prej tyre, siç mendohej për lagjen Pleshë e panjohur në kohërat e vona veç prej rrënojave dhe themeleve të dukshme të tyre, por, ama, edhe fshatrat e tjera përreth kishin të tilla shtëpi karakteristike duke mos qenë vetëm Kodheli me kulla si ndërtesë karakteristike veç e këtij fshati.

          -emri jo domosdoshmërisht mund të lidhet me emrin “kodër”, pasi një pjeë e konsiderueshme të fshatrave të tjerë të Zadrimës janë vendosur nëpër kodra, por jo tamam ashtu si Kodheli, ama. Por edhe varianti “Kodër”>”Kodhel” ka dy ndryshime mjaft të konsiderueshme në shqiptim e kryesisht “d”>”dh” dhe “r” >”l”.

         -në Shqipëri ka edhe vendbanime të tjera me emrin e drejtpërdrejtë që lidhet me zejën që ka si bazë kryesore mjetin “kudhër”, pra me fjalën “farkë”. Mjaft të kujtojmë lagjen Farkë të Tiranës sa për ilustrim. Si rrjedhojë fshati apo sot lagjja Farkë e ka marrë emrin nga farka dhe Kodheli nga kudhëra në shqiptimin tradicional të kësaj fjale nga banorët e zonës së Zadrimës në variantin “kullel”.

         Interasant është fakti se në ndonjë dokument anonim kur shkruhet për Dajçin në italisht emri i Kodhelit del Colebi. Duhet menduar se mund të jetë edhe ndonjë prejardhje latine e këtij emri.

Dok-Dajçi dhe Kodheli dokument

Dok-Colebi(Kodheli)

         Dua të shtoj këtu se emrin e fshatit Kodhel e kanë mbajtur dhe i kanë dhënë vlerë e nder mjaft figura dhe personalitete që Kodheli ka nxjerrë. Po t’i përmendim me radhë duke filluar që nga fotografi i shquar shqiptar Marubi i madh e me Gegë e Kel Kodheli që me ta krenohet, jo vetëm Kodheli që i lindi, jo vetëm Shkodra e Tirana që i rritën në vlerë, kulturë e famë, por edhe e gjithë Shqipëria së cilës i lanë në celeloid e kanavacë historinë e gjallë dokumentuar nëpërmjet fototekës së famshme që ata ndër breza krijuan dhe na e lanë ne trashëgimi me mjaft vlera kombëtare si dhe mjaft piktuara të rralla. Po kështu në radhën e njerëzve të shquar nuk mundet të lihet pa u përmendur edhe Gjokë Hila i cili u rreshtua përkrah burrave më të zgjedhur e më të nderuar të kombit që bënë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Gjokë Hila, jo vetëm qe ndër të rrallë burra të shquar të krahinës që mori pjesë fizikisht në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, por shoqëroi Kryetarin e kësaj lidhjeje, Abdyl Frashërin, në të gjithë zonën e Veriut të Shqipërisë si dhe e mikpriti në konakun e tij për disa kohë duke e strehuar dhe fshehur nga spiunët e Perandorisë Osmane. Në Kodhel ka pasur mjaft burra me vlera të larta në të gjitha drejtimet e jetës të cilët kanë qenë të njohur, jo vetëm në të gjithë Zadrimën, por edhe më larg, në Malësi të Madhe, në Shkodër, Pukë e Mirditë e këtu nuk po i përmendim të gjithë me radhë, por po nënvizoj se kanë marrë vlera të pamohueshme nga Kodheli dhe i kanë dhënë, gjithashtu, vlera të mëdha e të pamohueshme Kodhelit. Jo rastësisht, ashtu siç kam theksuar edhe më lart, emri Kodhel është i përhapur në shumë zona e krahina të vendit, si mbiemër fisi a familjesh të ndryshme, por edhe si emër i përvetshëm njeriu, gjë që po të mos kishte vlerën e vet ky emër, askush nuk do ta lakmonte ta kishte si mbiemër, lë pastaj ta kishin si emër njerëz të ndryshëm. Shumë prej banorëve të shpërngulur nga Kodheli i kanë ndërruar mbiemrat e tyre dhe kanë marrë mbiemrin “Kodheli” dhe kjo nga nderimi, respekti dhe dashuria që kanë pasur për fshatin e tyre dhe meritojnë nderim e mirënjohje të veçantë për të.

              NGA HISTORIKU I FSHATIT

 Ata që na lanë nder, besë dhe krenari

Alban Marku foto e restauruar e pleqve të Kodhelit

 Kemi qenë jashtzakonisht fatlumë ne që i njohëm dhe mësuam prej tyre e, gjithashtu u edukuam nga mirësia, burrëria dhe fisnikëria e tyre. Ata ishin arkiva ime e veçantë për njohjen e parë të historisë së atdheut në përgjithësi dhe të Kodhelit në veçanti. Mirënjohje pafund për atë çka ata na lanë trashigimi në kulturë dhe tradita të mrekullueshme.

Pleqtë e Kodhelit duke filluar nga e majta në të djathtë:  Ndrek Hila, Hilë Filipi, Gac Kola, Ndok Simoni, Llesh Kola, Jak Kola, Kol Zefi, Zog Bardhi, Zek Shtjefni.

      Dikur ka qenë një fshat i madh, siç thonë gojëdhënat, me rreth 300-400 shtëpi ku mund të ketë pasur një popullsi me mbi 2000-3000 banorë duke pasur parasyshë se ka pasur familje të mëdha me më shumë se 60-70 pjesëtarë. Të moçmit si Zog Bardhi e Zekë Shtjefni shpesh thoshin se, së paku, popullsia e Kodhelit ka qenë e shpërndarë në tetë lagje kryesore. Këto kanë qenë: Pleshë, Shtjepalaj, Përzhinaj, Brozaj, Shlikaj, Llugaj, Gjonaj dhe Kolgjonaj, ndoshta ka ekzistuar edhe ndonjë lagje tjetër, por unë kaq kam arritur të marr të dhëna nga më të moshuarit në kohë të  ndryshme. Për këtë kanë dëshmuar të moshuar që kanë jetuar në ato kohëra dhe që më vonë ua kanë transmetuar gojarisht më të rinjëve e fëmijëve të vegjël e ata i kanë transmetuar më vonë tek brezi ynë. Këtu unë mund ti referohem edhe emrit Marubi që ka qenë nga Kodheli, por është shpërngulur në Shkodër dhe se shtëpinë e ka pasur diku andej nga Lama e Gjok Palit apo diku afër Farkës. Lama e Gjok Palit dhe Farka janë në kufinj të njëra-tjetrës. Gjok Pali vetë nuk ka pasardhës në Kodhel. Mbiemri Marubi, mund të ketë qenë edhe emër fisi apo lagjeje, megjithëse studjuesit e tyre e binë me prejardhje nga Italia, por që ka jetuar dhe ngritur studion e tij tek shtëpia e Rrok Kodhelit e më vonë ka punësuar djemtë e këtij të fundit. Kjo gjë është disi kontradiktore nga ato që pleqtë e fshatit, Zekë Shtjefni dhe Zog Bardhi thoshin se Marubi ka dalë nga fshati Kodhel. Më vonë, thoshin ata, e kanë ndërruar mbiemrin në Kodheli si shumë të tjera familje të dala nga Kodheli. Por mund të jetë e kundërta; nga Kodheli e kanë marrë Marubi prej Pietro Marubit.

Lagjet e Kodheli të moçëm

Pleshë,

Shtjepalaj,

Përzhinaj,

Brozaj,

Shlikaj,

Llugaj,

Gjonaj,

Kolgjonaj.

Sipas vendosjes

Pleshë: Duke filluar që nga Lamëkodra në majën e Kodër Pleshës dhe duke vazhduar për poshtë Ograjës së Ullinit ku sot ka shpinë Paulini. Ishte një lagje mjaft e populluar me shtëpi dykatëshe(kulla) të sistemuara me oborre të mëdha para dhe me një rrugë mjaft të gjerë që kalonte para dyerve të oborreve. Kjo rrugë ishte e kalueshme, jo vetëm nga këmbësorët, por edhe nga mjetet e transportit të kohës siç ishin qerret që tërhiqeshin nga qetë e punës. Lidhej me rrugën kryesore që të çonte tek kisha dhe që ishte rrugë për të gjithë banorët e fshatit e ma gjerë. Pra fillonte aty afër Brrakës Mihajne dhe përfundonte sipër në Lamëkodër, një rrafshinë mu në majen e Kodër Pleshës. Shtëpitë përgjithësisht ishin të pashkëputura nga njëra-tjetra dhe me shtrirje lindje-perëndim me hyrje nga ana jugore. Poshtë kësaj lagjeje shtrihej një ograjë mjaft e butë dhe plot gjelbërim siç ishte Ograja e Palokë Zefit dhe diku nga gjysma e saj kishte një burim uji të mrekullueshëm që shërbente për nevojat e lagjes e të krejt fshatit, pasi kishte ujë të bollshëm dhe mjaft të pastër. Shumë kohë më parë kishte rënë një termet i fuqishëm dhe ia kishte ndryshuar rrjedhjen e nëndheshme këtij burimi saqë humbi njëherë e përgjithmon, por zhurma e ujit që gurgullonte nën tokë ishte mjaft e ndjeshme. Megjithë përpjekjet e banorëve për ta risjellë në sipërfaqe atë burim uji, përsëri nuk u arrit, dhe fshati mbeti pa ujin e pijshëm të pastër derisa u hap Pusi i Fangut disa qinra metra sipër fshatit në drejtim të Krajnit.

Sipas dëshmitarëve okularë të hershëm dhe që e kanë lënë si gojëdhënë, në kohën e pushtimit turk nga ajo lagje kanë dalë 50 burra me 50 kuaj dhe kanë shkuar në punë angari për llogari të qeverisë turke. Kjo flet për një numër të madh familjesh në atë lagje mjaft të populluar. Sipas gojëdhënave, diku në afërsi të asaj lagjeje ishte edhe një pijetore ku pas punës mblidheshin burrat e duke biseduar e kthenin nga një gotë. Kjo gjë mund të jetë mjaft e dyshimtë, por fakti se aty ka ekzistuar emri Ograja Mihajne si dhe diku në një shesh edhe Brraka Mihajne, lë shumë për të dyshuar edhe për ekzistencën e mundshme të një pijetoreje të thjeshtë lidhur edhe me faktin se në turqisht fjala mihajne(mejhane) nënkuptonte një pijetore. Për këtë gojëdhënë askush nuk është shprehur si dëshmitar okular, por veç si gojëdhënë dhe ndoshta e lidhur veç nga emri mejhane. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me emrin Farka që nuk ka pasur të dhëna nga dëshmitarë okularë, as të hershëm dhe as të mëvonshëm, por flitej se ka ekzistuar një farkë mjaft e rëndësishme, jo vetëm për fshatin, por edhe për zonën.

Kolgjonaj: Ishte e vendosur sipër Ograjës së Ullinit dhe pak a shumë nja 100-200 metra sipër Kishës së vjetër. Aty ka ekzistuar një rrugë mjaft e madhe që shkonte nga oborri i Kishës drejt Lamkodrës ku sot asht depoja e ujit të pijëshëm për Kodhelin. Kjo lagje kishte një karakteristikë tjetër të veçantë dhe thuhej se ka qenë një lagje-kala e rrethuar me mure të larta dhe me një portë kryesore hyrëse. Thoshin se e kishte marrë emrin nga një banor i asaj lagjeje me emrin Kolë Gjoni i cili kujdesej që dera kryesore hyrëse në lagje të hapej në mëngjes, kur njerëzit shkonin për në punë dhe të mbyllej, pasi të ishte siguruar mirë se askush nuk kishte mbetur pa u kthyer në shtëpitë e tyre. Edhe kjo ka qenë lagje përgjithësisht me kulla dykatëshe, por nuk mund ta konfirmoj faktin se kanë qenë të sistemuara si lagjja tjetër shumë afër me të. Mundësitë kanë qenë për një shtrirje lindje-perëndim, pasi edhe rruga e vjetër ekzistuese deri shumë vonë kishte një shtrirje të tillë. Rrënojat e themeleve kanë ekzistuar deri shumë vonë, por jo aq të dukshme sa tek lagjja Pleshë me konture dhomash e vatrash zjarri.

Llugaj: Ka qenë e mbivendosur që nga shtëpitë e sotme të Mahallës së Sipërme dhe ka vazhduar drejt ograjave të Shukut sipër Ograjës së Marka Lleshit deri tek Lami Plak ku sot kanë shtëpitë e tyre Gac Jaku e disa të tjarë. Besoj se kjo lagje nuk ka qenë e sistemuar si lagjja Plesh dhe as e rrethuar si lagja Kolgjonaj, por aty kanë vendosur banesat e tyre edhe të ardhurit e mëvonshëm, siç ka qenë fisi i Gjokhilajve të zbritur treqind-treqinde e pesëdhjetë vjet më parë nga malet e Mirditës. Këtë lagje e ndante mespërmes rruga që vinte nga Farka dhe shkonte drejt Dajçit si dhe degëzimi që të çonte nga lagjja Gjonaj pak më poshtë saj në drejtim të kishës. Them se e ndante mespërmes, pasi, jo vetëm kulla ekzistuese e Jak Kolës, stërnip i Gjok Hilës, por edhe mjaft rrënoja të tjera themelesh kanë ekzistuar aty ku sot ka shtëpinë Frrok Gega(Marku) i ardhun vonë në atë lagje, në shtëpinë e Prngë Markut, edhe ky i ardhur vonë(pas Çlirimit). Në anë të rrugës, disi në sqetull të lagjes së vjetër ka qenë hapur një pus uji për nevojat e banorëve të asaj lagjeje. Është quajtur Pusi i Keq, pasi uji i tij nuk ishte i pijshëm, por përdorej për të larë e shpëlarë. Nuk ka qenë shumë i thellë, ndaj në periudhën e verës nuk mbante shumë ujë, veçse kishte një kullim të vazhdueshëm të tokës që brenda një apo disa orësh, mund të mbushje disa kova uji, gjithnjë fjala është për kohë thatësirash, pasi gjatë vjeshtës, dimrit dhe pranverës me shira mbushej plot dhe kishte ujë të bollshëm. Pak më poshtë këtij pusi si dhe rrugës që të çonte drejt Lamit Plak e më tej drejt Skunderes e Dajçit akoma më tej, varej Ograja e Marka Lleshit që dimër-verë kishte mjaft mujaqe, gjë që fliste se mund të kishte potencial për burime uji, por nuk e kishte provuar askush, ndoshta, për të hapur ndonjë pus uji, përsëri ndoshta edhe për faktin se ishte pronë private dhe jo kolektive. Meqë jemi këtu, nuk po largohemi pa e përshkrur pak edhe këtë vend të veçantë për lagjen, ndoshta edhe për Kodhelin. Ograja e Marka Lleshit, deri vonë aty nga viti 1957 kur u kolektivizua bujqësia edhe në Kodhel, ka ekzistuar një pyll me një dru mjaft të rrallë për nga vlerat mobilare siç ishte frashëri i zi. Ishin drurë shumëshekullor dhe perimetri mesatar i një trungu mund të ishte sa një sofër burrash. Në kohën e pushtimit fashist, italianët ishin të interesuar ta blinin me para të shumta atë pyll, por gjyshi i babait tim që e kishte në pronësi të tij, nuk pranoi t’ua shiste atyre duke u shprehur: “Ma mirë i fus shkrepsen se ua shes të huajve!”.

Gjonaj: Ka qenë vendosur poshtë Brrakës së Kuvendit dhe kryesisht në territorin ku sot janë shtëpitë e Çefës, Lazrit, Ernestit,Antonit dhe Markut. Pra tek Kulla e Zog Bardhit si qendër. Edhe kjo lagje, nuk mund të them se ka qenë e madhe apo e vogël ndahej nga dy lagjet e tjera Llugaj nga sipër në veri-lindje me rrugën që vinte nga Brraka e Kuvendit dhe shkonte poshtë Ograjës së Jakut e binte drejt Bapreçes e Perivolit dhe me lagjen Perzhinaj ndahej me degëzimin e asaj rruge që binte e bie edhe sot e kësaj dite drej kishës së re të sotme. Nuk mund të them se ishte ndonjë lagje e rrethuar si lagjja Kolgjonaj dhe as e sistemuar si lagjja Pleshë, por mendoj se ishte një lagje e vogël me kulla dykatëshe karakteristikë e përgjithshme e Kodhelit dhe e mbarë zonës. Muranat dhe shenjat e themeleve të shtëpive kanë arritur të dukshme deri mjaft vonë edhe deri kur oborret e atyre shtëpive janë kthyer në kopshte perimesh nga banorët e mëvonshëm. Nuk besoj se banorët e hershëm përdornin mure në ndarje kopshtijesh, veç gardhiqeve të thurur me thupra ose me ferra, prandaj ato murana ndarëse siç kanë qenë mes Kopshtit të Lushit me Kopshtin e Zogut, mendoj se kanë qenë muranat e rrënuara, ose të avullive të shtëpive, ose edhe të vetë shtëpive të dikurshme. Tek Kopshti i Lushit ka qenë edhe një man mjaft i madh dhe mjaft i vjetër që zakonisht banorët e hershëm i kanë mbjellë në oborre dhe jo në kopshtije që i përdornin për perime, pasi dihej se nën hijen e pemëve perimet nuk zhvilloheshin. Pra edhe kjo është një shenjë treguese për ekzistencën e ndonjë lagjeje, ose të paktën të ndonjë banese të hershme aty. Po kështu, aq sa mbaj mend unë, aty pranë ka qenë edhe një bërrakë uji, por kjo nuk ësht ndonjë tregues, pasi bërrakat mundej të hapeshin edhe për përdorim uji për lagien e perimeve, ose eshe për bagëtitë e banorëve, Por mund të ketë qenë edhe ndonjë pus i hershëm uji që kushedi se për ç’arsye ka qenë mbyllur më vonë duke mbetur veç një bërrakë e vogël gati e padukshme.

Shtjepalaj: Ka qenë e vendosun tek Lama e Gjok Palit ku sot ka shtëpinë Gjergj Ndoci dhe vazhdonte sipër Kopshtit të Ndrecë Marka Zefit tek Lama e Nukës deri tek Guri i Curkës që është sipër shpisë së Pjetër Gacit. Në këtë lagje ka pasur Shtëpinë e tij edhe i pari i Marubëve dhe pikërisht tek vendi ku sot ka shtëpinë Gjergj Ndoci. Fundi i kësaj lagjeje ka qenë përmbyllur me vendin që ka marrë emrin Shpia e Re e Syqve dhe besoj se e ka marrë pikërisht atë emër nga që ka qenë ndërtuar më vonë se shtëpitë e tjera të lagjes. Kjo lagje ka qenë e ndarë në dy pjesë dhe këtë përfundim e nxjerr nga rruga e madhe që ndante Lamën e Gjokë Palit me Lamën e Nukës she që e kishte nisjen që tek Guri i Curkës e shkonte e bashkohej me rrugën tjetër që vinte që nga Bunari poshtë Ograjave të Palokë Zefit dhe dilte e bashkohej me rrugën tjetër që të çonte tek kisha dhe vinte para shtëpive të Mahallës së sipërme, rrugë ekzistuese edhe sot, por me një segment të ndryshuar. Rruga e parë gjurma e së cilës është mjaft e dukshme edhe sot, kalonte sipër jerevisë së Monit(shtëpia e Ndokë Simonit), përbri Ograjës Mihajne duke e ndarë këtë me Ograjën e Rrok Dedës dhe vazhdonte më tej drejt kishës së vjetër nën Ograjën e Ullinit. Kjo rrugë ndarëse që fillin e kishte që nga Guri i Curkës, mendoj se aty mund të ishte edhe lidhja me Farkën që ishte shumë afër me këtë lagje.

Shlikaj: Ka qenë shtrirë duke fillu nga shkolla e Kodhelit dhe sipër saj dhe besoj se ndahej me lagjen Shtjepalaj me rrugën kryesore që ndante shtëpinë e Pjetër Gacit tek Shpia e Re dhe Shkollën e Kodhelit. Shtrihej që nga vendi i quajtun Fiqtë e Lareces dhe shTëpisë së sotme të Nikë Ndocit, poshtë rrugës që të çonte tek shtëpia e sotme e Ndrekë Ndocit. Besoj se shtrihej deri në afërsi të Ograjës së Marjakut dhe sipër Rrugës së Bregut që lidhte Pusin e Poshtër me Bunarin.

Brozaj: Vendosja e tyre e hershme nuk ka ndryshuar me të sotmën, por shtrirja besoj se ka shkuar deri afër lagjes Shlikaj afër shpisë ekzistuese të Ndrekë Ndocit, ose duke e përfshirë edhe atë. Besoj se kanë qenë shtrirë edhe këta deri tek fundi i kodrës dhe sipër rrugës së Bregut.

Përzhinaj: Ka qenë shtrirë që nga shtëpitë e Zef Markut dhe deri tek Kopshti i Zefit poshtë rrugës që prej Farkës të çonte në drejtim të Dajçit. Ndahej me lagjen Gjonaj me rrugën që bie që nga Mahalla e Sipërme e sotmja dhe vazhdonte përbri Brrakës së Kuvendit në drejtim të shpisë së Çefë Ndrecës për të dalë tek Kisha e Re e Kodhelit. Vendshtrirja e kësaj lagjeje ka qenë Kopshti i Zef Markut deri tek Lama e syqit dhe ndahej me lagjen Brozaj me rrugën që vinte që nga Pusi i Poshtër deri tek Farka, rrugë që gjithmonë e ka ndarë Mahallën e poshtër në dy pjesë duke konsideruar pjesë edhe shpitë e Zaf Markut dhe të Lazer Matisë me pjesën tjetër Syq-Brozaj. Sot në atë lagje ekzistojnë shtëpitë e fëmijëve të Rrok Kolës, Tomë Kolës, Shtjefën Kolës si dhe më tej e Gjergj Kolës. Shenjat për këtë shtrirje të kësaj lagjeje deri, ose edhe në Lamën e Syqit e flasin muranat e vjetra ndarëse mes kopshtinjve që kanë ekzistuar deri vonë, por edhe ekzistenca e një pusi uji në një distancë largësie mjaft të konsiderueshme nag kulla e vjeter e Zef Markut. Por, edhe siç e përmenda një fakt për lagjen Gjonaj, aty afër pusit të Zef Markut, nuk jam i sigurt në është ende aty i pambyllur, ka qenë edhe një man shumë i vjetër, gjë që tregon se duhet të ketë qenë mbjellë në oborrine ndonjë shtëpie dhe jo për t’u bërë hije perimeve e zarzavateve që banorët mbillnin në kopshtijet e tyre. Gjithashtu poshtë këtyre kopshtijeve ka ekzistuar edhe një gjurmë e vogël rruge që futej disa metra mes Lamës së Syqit dhe Kopshtit të Zef Marku, ose sot në mes shtëpive të Luigj Gacit dhe të Vasë Rrokut dhe kishte lidhje me rrugën ndarëse mes lagjes Gjonaj me Përzhinaj. Mund të ketë qenë rrugë që futej në oborrin e ndonjë shtëpie, e pse jo në mes të lagjes së vjetër Përzhinaj.

Kisha e vjetër ka qenë ndërtuar pranë lagjeve Pleshë, Kolgjonaj dhe Llugaj. Pranë kishës ka qenë edhe qela në një distancë prej 20-30 metrash në drejtim të lagjes Pleshë e Kolgjonaj. Në hyrje të oborrit të kishës ka qenë ndërtuar një portë guri në formën e kambanjelit dhe aty ishte vendosur këmbana e kishës. Vendi ku ka qenë ndërtuar kisha ka qenë një pikë strategjike, pasi ka qenë mu në rrugën që të çonte tek vorret dhe aty mblidheshin të gjitha rrugët e lagjeve të Kodhelit, ishte pikë ku shiheshin, të paktën dy kisha të tjera, por ajo shihte tri a më shumë. Pra nuk ishte në qendër të fshatit, por shumë afër fshatit. Qela gjithashtu ka qenë e madhe dhe dykatëshe. Mes qelës dhe kishës ka qenë pusi i qelës dhe mund të them se ishte hapur në një pikë këndore në distancë 10-15m në drejtim të Përroit të Kishës që fillonte disa metra pas kishës dhe shkonte deri tek Stanzat në drejtim të Nënshatit. Poshtë kishës dhe qelës në drejtim të Stanzave varej Përroi i Kishës dhe mbulohej nga një pyll mjaft i dendur me lloj-lloj drurësh. Rrega e Kishës quhej ai pyll shumëshekullor dhe ishte aq i dendur për të hyrë në brendësi, sa ishte pothuajse për të depërtuar, veç në qoftë se i dije rrugët e fshehta. Përgjithësisht kodhelsit e hershëm nuk i patën dëmtuar pyjet, prandaj aty gjej drurë të shumta dhe shumë të moshuara, por sidomos Rregën e Kishës, qoftë në kohëtt e vjetra, qoftë edhe në ato të rejat, edhe kur shteti komunist i preu rrafsh me tokë pyjet shumë shekullore të kodrave të Kodhelit për t’i kthyer në rezervate gjuetie, përsëri kodhelësit nuk e prenë qoftë edhe një shufër të vogël aty në atë pyll dhe s’e besoj se ndokush mund ta bëjë edhe sot e kësaj dite, pasi sihet një vend i shenjtë që e ruanin si jetën e tyre.

52344293_398119747413372_8844082250879336448_n      Babai im, Gjin Zeka, e ka dëgjuar nga goja e një plake të moshuar të fisit tonë, e cila ka jetuar 114 vjet jetë dhe ka qenë e pamartuar. Ajo e ka pasur emrin Mrika e Mark Hilës, mbesa e Gjokë Hilës, dhe të rinjtë e fëmijët e thërrisnin Halla Mrikë Marke. Ka vdekur aty nga viti 1930 dhe im atë në atë kohë ka qenë rreth moshës 12 vjeç, një moshë e mjaftueshme për të fiksuar saktë në kujtesën e tij fakte, thënie e ngjarje. Ajo tregonte se në lagjën Pleshë, e panjohur nga banorët e sotëm të fshatit, në kohën kur turku merrte burrat angari, kishin dalë 50 burra me 50 kuaj njëherësh për të punuar angari për qeverinë turke. Kur nga një lagje e vetme dilnin kaq shumë, llogaria për tetë lagje del se duhet të ketë ekzistuar vërtetë një fshat mjaft i madh. Gjithashtu, ajo ka treguar se kur ka qenë e re, lagja Pleshë ka pasur një strukturë mjaft të ngjeshur ndërtimi, saqë macja kalonte nga shtëpia e parë deri në fund tek shtëpia e fundit, tjegull më tjegull pa zbritur e pa pasur nevojë të zbriste. Kjo flet qartë se ajo lagje që edhe kishte nxjerrë prej andej 50 burra me 50 kuaj për t’i shkuar turkut në angari, ka qenë mjaft e madhe dhe e strukturuar mjaft kulturalisht në një ngjashmëri të përsosur të një lagjeje qyteti, ku shtëpitë dhe rrugicat kanë qenë strukturuar mjaft mirë dhe këtu unë kam parasysh Shkodrën e vjetër me lagjet e njohura si Gjuhadol apo Arra e Madhe, Serreq e shumë të tjera që nuk po i përmend këtu.

      Në një nga shkrimet e tij Dom Gaspër Gurakuqi dëshmon se Kodheli dikur ka qenë një fshat i madh, por në kohën kur ai shkruante ishte veçse me dhjetë shtëpi. Duke treguar një anekdotë të vjetër sipas gojëdhënave të vjetra ai shkruan si më poshtë:52877824_365192160986621_175336679740014592_n

      Për një strukturë të veçantë jetese dhe ndërtimi të lagjeve të hershme të Kodhelit qarkullojnë gojëdhëna të ndryshme. Kështu lagjja Kolgjonaj, po e quaj kështu duke përdorur emrin e njërit prej banorëve më të përmendur të asaj lagjeje, Kolë Gjoni, ishte një lagje kala jo shumë larg lagjes Koderpleshë. Ishte një lagje me disa shtëpi të cilat ishin të rrethuara të gjitha së bashku me një mur të lart dhe të pakalueshëm dhe kishte një derë të madhe ku hynin dhe dilnin të gjithë banorët e asaj lagjeje. Kolë Gjoni, banori i kësaj lagjeje, ishte ai që kishte si detyrë të hapte dhe të mbyllte dyertë e kësaj lagjeje kala çdo mëngjes dhe çdo darkë. Ai, pasi sigurohej se të gjithë banorët e lagjes ishin futur brenda mureve rrethues të lagjes dhe ishin nëpër shtëpitë e tyre i mbyllte dyertë e rrethimit në mbrëmje dhe i hapte në mëngjes, kur zbardhte dita, pse njerëzit pastaj shpërndaheshin në punët e ndryshme të ditës.

Dok -IMG_3692Gjini

     Gjithashtu, edhe toponomastika e fshatit flet qartë, jo vetëm për kulturën e hershme të fshatit, siç do të mundohem ta shtjelloj edhe më popshtë për të ilustruar detaje të ndryshme, por edhe për emrat e lagjeve që përmenda më sipër.Lagjja Pleshë ka qenë një nga lagjet më të sipërme të fshatit dhe rrënojat e themeleve të kësaj lagjeje kanë ekzistuar gjer në ditët e sotme. Kodra ku ka qenë e vendosur kjo lagje quhet sot Kodër Pleshë. Diku tjetër ka ekzistuar edhe një bërrakë uji që është thirrur Bërraka Kolgjone, që do të thotë se është përdorur nga banorët e asaj lagjeje për nevojat e tyre, për të larë e shpëlarë apo për t’u dhënë ujë bagëtive të kësaj lagjeje ashtu siç ka qenë edhe Bërraka e Tushe e ndonjë tjetër që mund të jenë hapur a përdorur nga njesi fisnore a lagjeje. Mëhalla e sipërme që ekziston sot e që ka qenë banuar kryesisht nga fisi ynë, nga banorët e tjerë ka qenë thirrur me emrin Llugaj. Kështu kanë ekzistuar edhe toponime të tjera të bollshme për lagjet e tjera.

        Dëshmi të qarta janë edhe themelet e rrënojave të shtëpive të vjetra të këtyre lagjeve që dikur kanë qenë të banuara dhe që unë i kam parë vetë ato themele kur unë kam qenë fëmijë, por që sot s’e besoj se mund të ekzistojnë më, pasi vetë fshatarët i kanë prishur për të marrë gurët për ndërtim. Dua të shtoj këtu se kur unë kam qenë fëmijë në ato rrënoja që dukeshin qartë format e shtëpive që kanë ekzistuar shumë herët, kam gjetur mjaft copëra objektesh të ndryshme si filxhana kafeje, katrova rakije apo edhe uji, si dhe qelqurina të tjera, megjithëse, për hir të vërtetës, këta ishin më të rralla. Në atë kohë ato objekte i shikoja me syrin e një fëmije kureshtar ndaj materialit të veçantë me të cilin ishin ndërtuar, apo zbukurimeve me të cilat ishin dekoruar pa e vrarë mendjen më gjatë dhe kaq. I mblidhnim ato copa filxhanash të ngjyrave e dekuracioneve nga më të ndryshmet dhe dilnim e luanim sumbullash me shokët e mi. Nuk më shkonte kurrë mendja se sot do t’i kujtoja ato gjëra për t’i bërë objekt ilustrimi për ekzistencën e hershme të fshatit tim të lindjes. Po të kisha mundësi ta ktheja kohën pas dhe të shkoja në ato vite me kushtet dhe teknologjinë e sotme, të paktën do të fotografoja vendin e tyre dhe do ta paraqisja këtu. Tani le t’u referohemi toponimive për të ilustruar më tej.

      Kodheli ka qenë një fshat jo vetëm i madh në të kaluaren e tij të hershme, por ka qenë edhe një qender e lashtë banimi që në kohët iliro-pellazgjike. Për këtı fakt flasin, jo vetëm themele shtëpishë shumë të vjetra që gjenden përgjatë kodrave dhe sidomos në Kodërpleshë, por edhe ekzistenca e një tume të vjetër ilire zbuluar kohët e fundit nga biri i këtij fshati, arkeologu i ri Eltjon Prendi.

     Po kështu një fakt tjetër domëthënës që flet për hershmërinë e Kodhelit janë edhe varret e fshatit që janë vendosur në pikën më të lartë të njërës prej kodrave më të larta të Zadrimës siç është Broka e Kodhelit, një majë kodre nga mund të shohësh të gjithë fushën e Zadrimës në të katër anët e saj. Siç e kam cilësuar edhe në herët e tjera, varrezat janë shumë të hershme dhe për një kohë mjaft të madhe në të shkuarën kanë funksionuar si vendvarrimesh edhe për një pjesë të fshatarëve të Baqlit. Mundet që ata banorë që patën Brokën si vendvarrimesh, mund të kenë qenë banorë të hershëm të Kodhelit dhe në kohë të vona, kur banorët e hershëm të Baqlit janë shpërngulur nga fshati i tyre, shtëpitë dhe pronat e tyre mund t’i kenë blerë Kodhelësit dhe janë shpërngulur aty. Kjo, jo se ka ndonjë të dhënë, dokument apo gojëdhënë nga të moshuarit e hershëm që unë kam njohur, por thjeshtë është një hipotezë e imja e hedhur këtu bazuar në arsyetimin tim që mbështetet në dy pika kryesore:

     E para është se vetëm një pjesë e banorëve të Baqlit kanë pasë varrezë të përbashkët me Kodhelin, pasi të tjerët i kanë pasur varret e tyre në Fangun e Nënshatit.

     E dyta është se gjatë pushtimit turk fshati Baqël ka pasur popullsi muslimane dhe jo katolike e kjo popullsi prej më se 200-250 vitesh më parë është shpërngulur dhe ka shkuar drejt qyteteve e kryesisht drejt Shkodrës. Baqlorët e sotëm nuk mendoj se janë ulur të gjithë nga malet dhe as muslimanët e dikurshëm u kthyen në katolikë befas. Kjo nuk mund të ndodhte në ato kohëra, aq më shumë kur aty deri në vitet pas komunizmit nuk ka pasur asnjë kishë katolike e baqlorët shkonin për shërbimet fetare ose në kishën e Nënshatit, ose vinin në kishën e Kodhelit duke ruajtur lidhjet, mendoj unë, me fshatin nga ata kishin prejardhjen. Në Baqël ka pasur një vend që ka qenë quajtur varret e turqve dhe me fjalën “turqve” gjithnjë duhet nënkuptuar “muslimanëve”. E gjithë zona e Zadrimës muslimanët i ka quajtur kështu dhe jo ndryshe. Nga ana tjetër nuk ka pasur një varrezë për popullsinë e sotme.

    Por, si për një koinçidencë të veçantë, mund të konfirmoj se jo shumë larg varrezës së sotme të Kodhelit, nga arkeologu i ri, djali i Kodhelit tonë Eltjon Prendi, është zbuluar një tumë e hershme ilire aty pranë vendit të njohur si Pilënarda, siç e kemi cilësuar edhe më lart. Është pra edhe kjo një faturë e saktë që flet për hershmërinë e Kodhelit dhe për një kulturë iliro-pellazge të tij. Gjithashtu, dua të theksoj këtu se jam shpresëplotë se djem të zellshëm si Eltjon Prendi, Alban Marku, Kristian Gjokhilaj dhe shumë të tjerë si këta do të vazhdojnë t’i nxjerrin në dukje vlerat e pamohueshme të Kodhelit dhe do të zbulohen gjurmët e hershme siç Eltjoni ka zbuluar tumën ilire. Po kështu, mendoj se vende të tjera si objekt studimi dhe zbulimi arkeologjik mund të jenë edhe vendbanimet e dikurshme e kryesisht më interesante mund të ishte Lamëkodra, ku mendohet se në të duke gërmuar një shtresë dheu prej 50-60cm mund të zbulohet ndoshta gjurma e një qyteze të vjetër, apo së paku, struktura e ndërtimit të një lëme gruri të hershme shtruar e tëra me kalldrëm prej rrasa guri.

AA-Tuma ilire në KodhelDSC_0526.JPGAA- Tuma ilire në KodhelDSC_0529.JPG

   dy foto të vendit ku është zbuluar tuma ilire nga arkeologu Eltion Prendi

    Janë të njohur vende me emrat: Brraka e Kuvendit si dhe Brraka Mihajne. E para tregon për një pikë takimi të kryefamiljarëve për mbledhje fshatçe. E dyta mund të lidhet me emrin mejhane fjalë turke që në të shkuarën është përdorur në vend të fjalës pijetore. Pra kjo lë të kuptohet se duhet të ketë ekzistuar një e tillë që është karakteristikë për vende me popullsi relativisht të madhe, apo lagje qytetesh. Është me vend të shtohet këtu se Brraka Mihajne ka ekzistuar deri vonë dhe në një distancë jo më larg se 50-60 metra nga themelet e rrënojave të ndërtesave të lagjes Pleshë dhe mund të ketë shërbyer edhe si pikë grumbullimi apo si qendra e fshatit. Ajo ishte disi në anë të rrugës që të çonte tek kisha e vjetër e Kodhelit dhe duhet t’i ketë shërbyer, jo vetëm lagjës Pleshë, por edhe banorëve të tjerë si pijetore, sidomos në ditë dielash apo festash. Në kohët e vona nuk kanë ekzistuar ato, gjithnjë është fjala për rreze kohore në më se 100 vjet. Në majën e Kodër Pleshës njihet një vend me emrin Lamë Kodër. Atje nuk ka pasur shtëpi banimi në kohët e vona (të paktën për nja 100-150 vjet), por emri ekziston dhe në atë vend, sipas thënieve të gjyshit tim Zekë Shtjefni, po të gërmohet në thellësi deri 50-60cm, mund të zbulohet një lëmë e madhe që dikurë, siç e kam thënë edhe më sipër, është përdorur për të shirë grurin e lagjes që mund të ketë pasur vendbanimin në atë pjesë vendi. Kjo gjë është cilësuar dhe vertetuar edhe nga mësuesi i pasinuar i fshatit Shtjefen Sallaku nga Blinishti që ka punuar për një kohë të gjatë si mësues në Kodhel. Vendi në fjalë ndodhet në një largësi mjaft të konsiderueshme nga fshati ekzistues i sotëm. Kjo mund të përbëjë edhe një fakt interesant për ndonjë ekspeditë arkeologjike. Gjithashtu, dua të nënvizoj edhe një fakt tjetër me këtë rast; faktin që flet për një lashtësi të ekzistencës së Kodhelit, me këtë emër apo me ndonjë emër tjetër.

       Duke menduar dhe ndjekur rrugën logjike të ekzistencës së një lëme për shirjen e të lashtave siç ishte Lamëkodra, madje në majën e njërës prej kodrave të banuara herët dhe sot e groposur në një thellësi prej 50-60cm, do të thotë se fshati ka pasur një histori ekzistence shumë të lashtë. Imagjinoni sa kohë duhet që një vend i harruar të mbulohet me një shtresë dheu e pluhuri me trashësi 50-60cm. Duhen shekuj, madje edhe jo pak, aq më tepër që lëma ishte e krijuar në majën e kodrës dhe jo në fushë. Dihet; maja e kodrës ka tendencë të zhvishet nga dherat e jo të mbulohet, pasi dherat rrëshqasin e jo ngrihen lart, por në këtë rast, pluhurat e sjellë nga erërat dhe barishtet e dekompozuara herëpashere kanë ndikuar gradualisht ta groposin në gjirin e tokës lëmën e vjetër të një lagjeje të vjetër të një fshati të vjetër.

        Gjithashtu ekzistojnë emra tokash e vendesh me emra pronarësh të hershëm që nuk u kanë takuar tre, ose katër fiseve kryesore që sot popullojnë Kodhelin. Të tilla mund të përmendim shumë, por unë po sjell këtu disa shembuj: Ara Përzhine, Vneshtnure, Ura Gjiluke, Vacrra e Memes, Pylla e Gjonit, Vneshta e Llupit, Bishti i Presekut, Livadhet e Ndok Markut, Ograjat e Palok Zefit, Lisat e Gji Ndrecës, Lama e Nukës, Lama e Gjok Palit, Lami Plak, Veshti i Keq, Tushet, apo Brraka e Tusheve, Zabeli, Kloset, Ograjë Mliket etj. Askush nuk njeh sot ndonjë pasardhës të Përzhinëve, të Llupëve, të Ndokë Markut(në mos ky ka qenë nga Nënshati), të Palokë Zefit ograjat e të cilit janë sot në zemër të fshatit, Gji(n) Ndrecës(në mos pastë qenë i pari i fisit tonë të gjokhilajve), të Gjokë Palit, të Tushëve apo të Klosëve, të Mlikëve etj. Shumë prej këtyre emrave na dalin sot mbiemra të njohur në mjaft treva të tjera, por jo në Kodhel, siç janë tushët, klosët, memat, llupët, mlikët, madje edhe brokët e ndonjë tjetër që përkojnë pikë për pikë me toponominë e Kodhelit e mund të them se mund të kenë jetuar herët në Kodhel. Është një fakt shumë domethënës se në Hajmel jetojnë sot pasardhësit e Tone Kodhelit të shpërngulur herët nga Kodheli. Nuk dihet origjina e Urës së Gjilukës dhe se kush ka qenë Gji(n) Luka me të cilin lidhet emri i asaj ure. Emri Llup del si emër burri në ndonjë fshat tjetër dhe një shembull mund të sjell nga fshati Grash ku ka qenë banor i këtij fshati një burrë me emrin Llup Kasneci. Në Kodhel nuk është njohur prej disa brezash ta ketë mbajtur ndokush këtë emër tek paraardhësit e banorëve të sotëm. Me emrin Memë e Nukë janë njohur në Kodhel, por dalin si emra grashë e ndoshta me të parin mund të lidhet toponimi, por me emrin e dytë, megjithëse e ka një koinçidencë mjaft të çuditshme, prap nuk mund ta lidh me të, se toponimi ka ekzistuar shumë kohë para se në familjen që e ka zotëruar si pronë ka hyrë nuse gruaja që është njohur me atë emër. Kështu mendoj se emri lidhet me tjetër person dhe jo me atë Nukën e nderuar që kam njohur unë që në fëmijërinë time e deri sot.

     Për një popullim mjaft të hershëm të një popullsie relativisht të madhe flet edhe fakti se Kodheli ka pasur një kishë të ndërtuar para më shumë se 350-400 vitesh. Kjo ka ekzistuar deri në vitin 1967 kohë kur regjimi komunist i Enver Hoxhës i shkatërroi të gjitha objektet e kultit në Shqipëri. Bashkë me ndërtesën e kishës u shkatërruan dhe u groposën edhe objektet e kultit që kishte kisha e ndoshta edhe ndonjë arkiv të saj që sot do të ishte me mjaft vlerë për t’u studjuar dhe për të hedhur dritë mbi historikun e Kodhelit. Duhet kujtuar këtu se kishat mbi të gjitha kishin edhe librin e pagëzimeve dhe ky libër përfshinte një kohë mjaft të gjatë dhe të hershme dhe shërbente edhe si një regjistër i banorëve të fshatit apo të famullisë. Gjithashtu, duhet menduar se në dokumentat kishtare mund të ishte edhe një libër kurorëzimesh martesore apo edhe regjistrimi pronash a gjëra të tjera si këta si dhe ndonjë historik famullitarësh që kanë sherbyer aty në periudha të ndryshme të ekziztencës së famullisë. Mjafton të shfletojmë edhe arkivat e kohës së paraçlirimit të dioqezave kryesore apo literaturës së kohës që hedhin dritë edhe mbi historikun e fesë. Le të paraqesim këtu si ilustrim hulumtimin e G. Gurakuqit tek “Hylli i Dritës” mbi historikun e Blinishtit në faqe 272:

Dok-Blinishti 3

       Kjo kishë ka qenë me një arkitekturë mjaft të thjeshtë e me mure mjaft të vjetra dhe   mund të themi se ka qenë ndër kishat më të vjetra të Zadrimës në mos më e vjetra, duke lënë mënjëanë kishën e Shkrepit në Nënshat që është njohur si një nga dioqezat më të vjetra të zones së Veriut. Gjithashtu kisha e Kodhelit është thirrur Kisha e Shën Rrokut dhe ka qenë ndërtuar në një pikë që zotëronte një fushëpamje mjaft të gjerë. Ndërtimi i kishave në kohë të herëshme ka pasur disa kritere karakteristike. Kryesisht ato duhej të ndërtoheshin në pika dominante ku mund të shikohej prej dy kishave të tjera simotra të saj. Kjo bëhej që njëra kishë t’i transmetonte mesazhe të ndryshme tjetrës me anë drite ose edhe me anë këmbane. Kështu në ato kushte jepeshin sinjale nga një fshat në tjetrin e nga njëra krahinë në tjetrën.

      Megjithëse kisha ka qenë jo shumë e madhe dhe ka shërbyer për dy fshatra, Kodhel e Baqel, përsëri aty afër saj ka pasur dhe një qelë ku banonin priftërinjtë e asaj kishe. Rrënojat e qelës kanë ekzistuar deri vonë dhe unë, kur kam qenë fëmijë, i kam parë me sytë e mi ato rrënoja që tregonin një ndërtesë dykatëshe mjaft të bollshme. Aty afër ka qenë edhe një pus uji që ka ekzistuar, megjithëse jo funksional deri më 1967, kohë kur u mbyll e u shkatërerua kisha dhe pusi u mbush me objektet e kishës si pikturat(fuguret fetare) skulpturat(truporet e shenjtorëve, të Zojës së Bekueme dhe të Shën Rrokut), si dhe rrobat e materialet e tjera të shërbesës fetare, apo librat fetarë. Unë nuk e di me saktësi nëse ka ndodhur kështu, se kam qenë mjaft larg për të qenë dëshmitar i këtij akti barbar, por e kam dëgjuar ashtu si nën zë nga njerëzit e mi të afërt.

Qela në fjalë ka qenë shumë afër kishës dhe rrënojat e saj tregonin për një ndërtesë mjaft të madhe të paktën dykatëshe me disa dhoma. Kjo shpjegon se kur Kodheli ka qenë një fshat i madh, aty kanë shërbyer një grup famullitarësh apo fretnish. Madje, ka ekzistuar një legjendë që fliste për një frat të asaj qele që kishte humbur dhe rikthehet aty pas shumë vitesh, madje dekadash. Legjenda tregon se njëri prej fretënve që jetonin tek ajo qelë një ditë prej ditësh futet në Rregën e Kishës, një pyllnajë e dendur që shtrihej përgjatë luginës që fillonte fill pas pjesës së pasme të kishës dhe përfundonte tek Stanzat. Kurorat e drurëve krijonin asokohe një mbulesë të veçantë duke krijuar një bukuri të rrallë, por edhe një strehë natyrore. Fare lehtë mund të fshiheshe brenda Rregës së Kishës dhe askush nuk mund të të gjente. Pikërisht për këtë cilësi të rrallë në kohën e luftës serbo-turke të vitit 1911 të Dajçit Rrega e Kishës shërbeu si strehë për banorët e Kodhelit. E kështu, frati në fjalë, i dërgauar nga kolegët e tij për të sjellë ca drurë të thata për zjarr, merr litarin dhe niset nëpër pyll për të mbledhur shkarpa e degë të thata drurësh. Zakonisht asokohe askush nuk priste drurë të njoma, por i linin të rriteshin dhe zakonisht, meqenëse kishte pyje të bollshme, kishte edhe degë të thata mjaftueshëm për dru zjarri.

Sapo frati futet në pyll, i tërheq vëmendjen një zog i rrallë që këndonte me një ëmbëlsi të veçantë e të jashtzakonshme. Fillimisht frati ndalon në një vend për ta dëgjuar dhe zogu i vjen shumë pranë tij duke kënduar për njëfarë kohe dhe pastaj, sikur e ftonte ta ndiqte, fluturonte nga njëra degë tek tjetra dhe nga njëra pemë tek tjetra. I mahnitur nga zëri melodioz tepër i rrallë i zogut dhe larmia e ngjyrave të pendëve, frati filloi ta ndiqte nga pas dhe zogu i rrallë nuk trembej prej tij, por hidhej nga dega në degë e nga pema në pemë duke e joshur fratin ta ndiqte nga pas. Kështu vazhdoi kjo lojë e zogut me fratin për njëfarë kohe derisa arriti tek një lëndinë e bukur me lule të bukura dhe e mbuluar nga kurorat e pemëve gjigande. Frati u ul pranë njërës prej pemëve dhe vendosi të pushonte aty e të dëgjonte me ëndje këngën e zogut të rrallë. I harroi drutë për të cilat kishte shkuar atje dhe u tret i tëri pas bukurisë së rrallë të zogut e në mënyrë të veçantë pas zërave të ëmbël e melodioz që ai zog po prodhonte e nxirrte nga gërmazi i tij.

Zogu kishte hipur në degët e pemës ku ishte frati dhe vazhdonte të këndonte ëmbëlsisht duke nxjerrë zëra melodiozë nga më të ndryshmit por edhe sikur vallzonte me cicërimat e tij nga gemi në gem e nga dega në degë. Tashmë që frati ishte ulur aty dhe kishte mbështetur trupin e tij tek trungu i pemës dhe po sodiste koncertin e shpendit, ky i fundit, jo vetëm që nuk po largohej më, por filloi të afrohej gjithnjë e më afër fratit duke kënduar e duke vallëzuar nën ritmin e melodive që prodhonte me gërmazin e tij gjenial.

Kjo shfaqje vazhdoi gjatë, aq gjatë sa frati nuk e kuptoi fare kohën që kishte kaluar aty dhe pas njëfarë kohe e kishte zënë gjumi ashtu siç ishte nën hijën e asaj pemës ku ishte ndalur të dëgjonte me ëndje këngët mahnitëse të atij zogu të çuditshëm e misterioz. Fjeti një copë herë dhe kur u zgjua, iu kujtua se atje kishte shkuar me një mision tjetër. U kujtua se pak para se ta zinte gjumi kishte dëgjuar këngën e një zogu të rrallë dhe misterioz dhe hodhi sytë rreth e rrotull se mos e shihte përsëri, por sytë nuk ia zunë asgjëkundi, madje as veshët nuk ia dëgjuan më tingujt e mahnitshëm që ai shpend nxirrte nga gryka e tij. Gjithsesi, iu vu punës dhe mblodhi shkarpat e drurëve pa shkuar shumë larg nga vendi ku kishte fjetur dhe u nis për rrugën e kthimit për tek qela.

Rruga i zgjati mjaft dhe, kur arriti atje, pa ndryshime të çuditshme që nuk i kishte lënë në kohën kur ishte nisur për të mbledhur drutë e zjarrit, d.m.th. në mëngjes e tashmë kishte shkuar koha e drekës. Madje aty nuk gjeti as fretnit e tjerë me të cilët kishte jetuar gjerë atë mëngjes dhe që i kishte lënë aty para se të futej në pyll, por disa fretën të tjerë. U habit jashtzakonisht shumë për diçka të tillë, por më shumë u habitën fretnit e qelës kur ai u paraqit aty krejt i panjohur dhe me krahun e druve mbi supe. Shkarkoi drutë e mbledhura dhe, duke fërkuar sytë sikur të ishte zgjuar nga gjumi dhe nga një ëndërr e çuditshme, pyeti se kush ishin ata fretën, pasi aty në mëngjes kishte lënë shokë të tjerë. Ata iu përgjigjen se ata ishin tashmë fretnit që shërbenin aty dhe se atë nuk e njihnin dhe kurrë nuk e kishin parë në jetën e tyre atë frat. U habit jashtmase dhe nuk po e kuptonte se si në vend të kolegve dhe shokëve të tij që i kishte lënë në mëngjes aty ishin ndërruar që të gjithë pa përjashtim, por edhe fretnit që gjeti aty u habitë pamasë me shfaqjen e atij frati të panjohur për ta. Iu desh një kohë relativisht e gjatë para se ta merrte vetë ai dhe të pyeste për shokët që kishte lënë aty sipas tij atë mëngjes. Edhe ata iu përgjigjen se ata fretën që ai po thoshte kishin vdekur qëkuri. I fundit që kishte vdekur kishte mbi 20 vjet. Ai u çudit se si kishte mundësi të ndodhte diçka e tillë. Ai pothuajse sapo ishte ndarë prej tyre dhe nuk ishte e mundur që kolegu i tij të ishte ndarë nga jeta njëzet vjet më parë. U tha atyre se kush ishte dhe se atë mëngjes, ata shokët që këta po i thoshin se kishin vdekur qëkuri e kishin ngarkuar me detyrën që t’u sillte ca shkarpa nga pylli e ai atë mëngjes ishte nisur nëpër pyllin e Rregës së Kishës e kështu ua tregoi ngjarjen me zogun fillepërpe dhe gjumin që kishte bërë tek trungu i asaj pemës në lëndinën e bukur mbushur me lule të shumta e shumëngjyrëshe ku ishte ulur për të dëgjuar e parë atë shpendin e rrallë..

Edhe fretnit u habitën me tregimin e atij frati misterioz, pasi nuk u kujtohej që dikush nga ata të ishte nisur për drurë zjarri atë mëngjes, aq më tepër as ai përson krejt i panjohur për ta. Meqenëse ai ua tha emrin e tij, njëri prej tyre hapi librin e shërbesave kishtare tek kjo kishë dhe kërkoi të gjente emrin e fratit në fjalë e vërtetë e gjetën emrin e tij aty, por që bëhej fjalë për një kohë që para tridhjetë e tri vitesh më parë, madje aty shkruhej për fatin e tij se si në mënyrë misterioze ishte zhdukur pa lënë gjurmë e askush e asnjëherë nuk kishte dëgjuar asnjë lajm dhe asnjë fjalë për të edhe pse shokët e tij kishin pyetur për të gjithandej.

Legjenda thoshte se ai atje u paraqit tamam në moshën që kishte humbur dhe me ta treguar ngjarjen misterioze, pamja e atij frati, sapo ia thanë se tashmë kishin kaluar tridhjetë e tri vite nga koha për të cilën ai po u fliste atyre që kishte gjetur aty tek qela, ndryshoi menjëherë duke u mplakur e duke u dobësuar. Fretnit e tjerë e morën dhe e ushqyen, por tashmë trupi i tij i mplakur u fyshk dhe zuri shtratin e pas disa ditësh vdiq. Fretnit e tjerë e varrosën duke i bërë shërbesat fetare të nevojshme, por nuk e përhapën lajmin e kësaj ngjarjeje, pasi i druheshin keqkuptimeve në popullatë dhe se njerëzit do të krijonin ide e iluzione të ndryshme e se varrin e tij mund ta bënin si vend pelegrinazhi. Megjithatë, kjo legjendë u pëshpërit disi ngushtësisht në rrethet klerikale e më vonë qarkulloi si legjendë në popullatën e fshatit Kodhel e u transmetua nga brezi në brez. Unë e kam dëgjuar nga goja e babait tim, Gjinit, dhe po e shkruaj dhe e ndaj me lexuesit e këtij materiali.

Në të vërtetë, mua nuk më duket shumë bindëse kjo legjendë, edhe pse legjenda mbetet legjendë, por ama, aty ka një bazë shpjeguese kjo legjendë e cila është se në famullinë e Kodhelit kanë shërbyer në hershmëri grupe fretnish, se qela ka ekzistuar, jo vetëm si nocion, por realisht, pasi muret dykatëshe të saj unë para 60 viteve i kam parë me sytë e mi, madje edhe trarët e çardakut, tashmë të kalbur e ngrënë përgjysëm nga koha, diku të vendosur në mure e diku të rënë ashtu si natyra ka ushtruar mbi të forcën e shkatërrimit dhe asnjëherë dora e njeriut, pasi banorët e Kodhelit kurrë nuk kanë prekur në mallin e kishës duke e konsideruar një mëkat të madh e të pashlyeshëm. Më vonë, nuk e di tamam vitin, por më duket se në kohën e kooperativave, ende pa u mbyllur objektet e kultit nga shteti komunist diktatorial, gurët e qelës janë marrë dhe shfrytëzuar për të ndërtuar objektet e kooperativës, ashtu siç janë marrë edhe gurët e rrënojave dhe të themeleve të lagjës së lashtë Pleshë e të lagjeve të tjera të hershme.

img_5473 këtu duken qartë themelet e kishës së vjetër të Kodhelit.

Truporja e shën Rrokut - Kodhel

img_5469 Tek vendi i kishës së vjetër është vendosur lteri dhe figura e Shën Rrokut.

IMG_5460.JPG Gjurma e dukshme e rrugës së hershme që të çonte tek kisha e vjetër. Sot nuk është e përdorshme, por gjurma është mjaft e dukshme.

     Në kishën e Kodhelit kanë shërbyr mjaft priftërinj nga vende të ndryshme, por vlen të përmendet se për njëfarë kohe aty ka shërbyer dhe poeti i shquar i periudhës së Rilindjes dhe i Pavarësisë kombëtare Dom Ndre Mjeda. Ai ka kryer jo vetëm shërbesat fetare në Kodhel, por ka ndihmuar popullsinë në shumë drejtime dhe këtë gjë e kanë dëshmuar bashkëkohësit e tij. Për këtë ka shkruar edhe biografi i mirënjohur i Ndre Mjedës, Mentor Quku. Për ilustrim po paraqesim këtë faksimile nga libri i tij:

Dok-për Kodhelin nga Mentor Quku

     Popullsia gjithnjë ka qenë e besimit katolik dhe nuk mbahet mend të ketë pasur popullsi muslimane ose të ndonjë besimi tjetër në Kodhel. Përjashtohet këtu familja e Selman Lalës ardhur nga Dibra e qëndruar diku andej nga Ograjë Mlikja disa vjet si rojtar pyjesh pas familjes së Tomë Franit që ka pasur vendbanimin tek Ograja e Ullinit rreth dyqind metra larg shtëpive të Mëhallës së Sipërme. Gjithashtu banoret e fshatit gjithëmonë kanë festuar festën e Shën Rrokut, emrin e të cilit mbante kisha si dhe festën e Rruzarës të cilën e ka festuar edhe Dajçi e Kotrri.Llesh Prendi-Mesha e parë në Kodhelthumbnail_PICT0075 (2) mesha pare kodhel

Mesha e parë në Kodhel në vitet e fundit të diktaturës. Pjesmarrës në atë meshë ka pasur edhe nga fshatrat e tjerë përreth Kodhelit.

    thumbnail_PICT0065 (6) e rregulluar

Kjo foto mjaft e rrallë me vlera të veçanta historiko-dokumentare e shkrepur nga mjashtri Llesh Prendi në prill 1990, tregon momentet kur kurajozi i pashoq Simon Doda shkon në Shkodër dhe sjell në Kodhel një prift katolik të mbetur gjallë dhe të mbijetuar të regjimit komunist dhe hap siparin e rifillimit të besimit fetar që deri në atë kohë ishte ndaluar me ligj dhe me kushtetutë komuniste. Ishte një guxim i madh dhe mjaft i rrallë ta ushtroje besimin fetar haptas në atë kohë kur mund të arrestoheshe dhe mund të bëje disa vite burg e deri edhe në pushkatim, prandaj them se guximi i Simonit ishte i pashembullt dhe mjaft i madh për kohët e vështira që kalonte populli ynë. Kodheli ishte nga fshatrat e parë që po e aplikonte haptas besimin fetar në diktaturë, duke kujtuar këtu se veç nga fundi i vitit 1990 studentët shqiptarë do ta hapnin rrugën e pluralizmit me grevat e tyre sublime.

      Aty nga viti 1997 filluan punimat për ndërtimin e kishës së re e cila është përfunduar dhe është ndërtuar në qendër të fshatit, por jo më në vendin që dikurë ka qenë ndërtuar kisha e vjetër. Arkitektura e kësaj kishe është mjaft e bukur dhe është sipas kërkesës së kohës. Kisha e Kodhelit është ndërtuar nën kujdesin e Dom Antonio Sharrës dhe për ndërtimin e mureve të saj, janë përdorur 100 000 gurë të latuar, skuadruar e gdhendur me mjeshtëri nga mjeshtrat e vetë fshatit.  Dom Antonio Sharra ka kontribuar edhe në ndërtimin e shumë kishave të tjera në komunën e Blinishtit si dhe disa qendra kulturore dhe ekonomike për fshatarët e zonës. Besoj se tashmë edhe Baqli ka kishën e vet dhe nuk e ka të nevojshme të vijnë banorët e tij në Kodhel për të parë meshën e së dielës. Aty ka edhe një kolegj murgeshash, në mos gabohem, dhe kryehen mjaft aktivitete nga fëmijët e të rinjtë. Aty funksionon edhe një kopsht fëmijësh ngritur, administruar e drejtuar nga murgeshat për fëmijët parashkollorë të Kodhelit.

     Duhet thënë se besimi tek popullata nuk u shkul asnjëherë dhe atë e ruajtën fort edhe pse trysnia komuniste qe e madhe dhe e jashtzakonshme. Njerëzit fshehtas i festonin festat fetare, por edhe lutjet drejtuar Zotit i bënin në mënyrën e tyre edhe pse kisha ishte shembur dhe objektet kishtare ishin groposur. Atje ku ka qenë kisha, atje shpesh shkonin banorët e fshatit dhe luteshin e thoshin uratë.  Por, atëherë kur u dha e drejta e besimit fetar në vitet e fundit të diktaturës, apo në fillimet e demokracisë edhe pse nuk pati asgjë atje, veç lisit të vjetër të kishës, besoj sot monument kulture për popullin e Kodhelit i cili, jo vetëm nuk e dëmtoi, por e ruajti me fanatizëm, madje edhe atëherë kur pyjet u prenë totalisht, ai lis nuk u prek fare, atje u dha mesha e parë për besimtarët e Kodhelit. Fotoja më poshtë e marrë nga mjeshtri i talentuar i fotografisë, biri i denjë i Kodhelit, Llesh Prendi, e dokumenton qartë këtë moment.

Dok-Mesha e parë në Kodhel, pas territ komunist.

 Por jo vetëm kaq, në foton e mëposhtme shihet qartë se si fshatarët e Kodhelit kanë shkuar atje ku ka qenë dikur kisha dhe tek gurët e rrënojave të saj të mbledhur në një pirg të veçantë, kanë bërë lutje fetare, pa marrë parasysh pasojat.

Dok-Lutje fetare tek vendi i kishës Në kohën e diktaturës, besimtarët e Kodhelit kishin mbledhur gurë nga rrënojat e kishës dhe shpesh drejtoheshin aty për të thënë lutjet fetare. Aty paraqitet Gjyste Ndoc Gjokhilaj duke thënë lutje fetare, por në atë vend edhe shumë të tjerë besimtarë nga Kodheli i kanë zhvilluar lutjet fetare në kohë të ndryshme gjatë periudhës kur feja ishte e ndaluar me ligj nga shteti komunist.

Dok- Tek kisha e vjetër lapidari.

Dok-Kisha e Kodhelit

      Kisha e re nërtuar në demokraci

dok-shtatorja-e-zojes-ne-kodhelBorë në Kodhel

    Atëherë lind pyetja: Ku shkuan gjithë ata njerëz që populluan këtë fshat para pak më shumë se 150-200vjet dhe pse ata nuk lanë pasardhës të sotëm në këtë fshat? Përgjigja qëndron në dy faktorë kryesorë që çuan në shpopullimin e këtij fshati. I pari ishte se në Kodhel pat rënë një epidemi mortaje që shfarosi në masë popullsinë e këtij fshati. Epidemia përfshiu si njerëzit ashtu edhe gjënë e gjallë e cila ishte në ato kohë burim kryesor jetese për popullsinë. Njerëzit vdisnin në masë dhe kush mundte i varrosnin ku të mundnin. Ka ekzistuar një vend me emrin Vorri i nanës së Tatës. Të moshuarit tregonin se aty ishte varrosur një grua e fshatit në kohën e mortajës. Ajo kishte qenë duke sjellë në shtëpinë e saj një barrë dru dhe kishte vdekur mu në mes të rrugës me gjithë barrën e drurëve në shpinë. Në po atë vend që ajo kishte vdekur, në po atë vend e kishin varrosur edhe pse nuk ka qenë shumë larg varrezave të fshatit. Varri ka ekzistuar deri në ditët e sotme, por nuk jam i sigurtë në se ekziston akoma atje edhe tani.

     Një faktor tjetër ka qenë edhe emigracioni ose shpërngulja e shumë familjeve dhe rendja drejt Shkodrës për një jetë më të mirë, por edhe drejt fshatrave përreth.Në fshatrat përreth mund të sjell shembullin e Tone Kodhelit që është shpërngulur nga Kodheli dhe ka shkuar familjarisht të banojë në Hajmel. Pinjollët e kësaj familjeje jetojnë ende në Hajmel. Besoj edhe në fshatrat e tjerë ka familje të shpërngulura nga Kodheli, për kushtet e jetesës e kryesisht prej ujit të pijshëm që shumë kohë ka munguar në Kodhel. E njohur ka qenë edhe familja Marubi e njohur edhe si familja e Kel Kodhelit në Shkodër. Është fakt se në Shkodër, si kudo, në çdo qytet të vendit tonë ka familje me mbiemra vendesh nga më të ndryshmit si: Dibra, Tirana, Lezha, Elbasani, Podgorica, Ulqini, Hoti, Gruda, Shllaku, Kraja, Tuzi, Kruja, Krajni, Kotrri, Dajçi, Fishta, Troshani, Dragusha, Bushati, Barbullushi, Zojzi, Shkjezi, Paçrami, Mjeda, Puka e tj. pra edhe Kodhelet, besoj, më vonë mbiemrin ekzistues duhet ta kenë zëvendësuar me mbiemrin Kodheli. Të tjera familje janë shpërngulur më vonë, sidomos në kohën e vendosjes së regjimit komunist, a diçka më parë për kushte më të mira jetësore. Të tilla kanë qenë familjet e Palok Gjokës, në kullën e të cilit kanë qenë vendosur zyrat e para të kooperativës bujqësore e ngritur aty nga viti 1956-57, më vonë ka banuar familja e Prend Lleshit. Tjetër ka qenë edhe familja e Liq Lazër Lecit si dhe ajo e Rrok Simon Ndocit (Rrok Kodhelit). Këta familje i kanë pasë ruajtur lidhjet me fshatin deri mjaft vonë, por nuk e di nëse edhe sot janë të lidhur me fshatin apo me farë e fisin që kanë lënë aty.

     Aty nga vitet ‘50- ‘60, ashtu siç e kam njohur unë në fëmijërinë time, Kodheli ka numëruar në përbërjen e tij më pak se 20 shtëpi në dy lagjet e tij të njohura:     Mahalla e Sipërme ku kanë banuar vetëm fisi ynë Gjokhilajt, dhe Mahalla e Poshtër (e Poshtme) ku kanë banuar Syqtë, Markajt, Brozajt, Simondocajt si dhe ndonjë familje e ardhur në vitet e fundit (pak para çlirimit). Ndoshta deri aty nga fundi i shekullit XIX Kodheli ka numëruar fare pak shtëpi e ndoshta më pak se dhjetë duke menduar se shpija e Gjok Hilës ishte një familje e madhe dhe e pandarë, por në fëmijërinë time aty nga vitet ’50 të shekullit të kaluar ajo numëronte rreth 8 familje. Po kështu edhe shtëpia e Zef Markut ishte bashkë e unë kam numëruar tri. Ndoshta edhe syqtë ishin bashkë atë kohë, por nuk jam i sigurtë. Përveç kësaj në fëmirinë time numëroja tri familje të ardhura në Kodhel pas vitit 1900, ndoshta më vonë akoma. Atëherë, duke iu referuar listës së mëposhtme më rezulton të kenë qenë rreth shtatë familje ekzistuese plus nja tri që kanë emigruar për në Shkodër e Lezhë më vonë

     Duke dashur të tregoj përbërjen e fshatit, siç e njoha unë në fëmijërinë time të hershme, po përmend emrat e kryefamiljarëve të viteve’50:

     Në Mahallën e Sipërme kanë qenë familjet e Ndokë Simonit, Lekë Simonit, Ndoc Lushit, Rrok Dedës, Shuk Prekës, Zog Bardhit, Zekë Shtjefnit dhe Jak Kolës.Për pak kohë ka banuar këtu edhe Prengë Marku nga Kaça. Kur ka ikur nga Kodheli, shtëpinë e tij ia ka shitur Gegë Zef Markut dhe pastaj kanë jetuar ata në lagjen e Gjokhilajve, ashtu siç më vonë, ndonjë nga familjet e fisit të Gjokhilajve ka shkuar të banojë në Mëhallën e Poshtme.

     Në Mahallën e Poshtme kanë banuar familjet e Lazër Matisë, Kolë Zefit, Gegë Zefit, Marka Zefit, Llesh Kolës, Zekë Hilës, Shyt Lazrit, Rrok Gjushit, Hilë Filipit, Prend Lleshit dhe Kolë Matisë. Familjet e Zekë Hilës dhe e Llesh Kolës kanë qenë dy familjet më të mëdha të Kodhelit për atë kohë, me mbi 20-25 pjesëtarë, ndoshta edhe më shumë. Edhe familja jonë ka numëruar deri në 20 vetë, si dhe familja e Zog Bardhit, gjithashtu, ka pasur shumë pjesëtarë.

     Duhet shtuar këtu se aty nga fundi i Luftës Nacional-çlirimtare në ilegalitet në Kodhel u formua këshilli antifashist nacional-çlirimtar me kryetar Kolë Zef Marku dhe sekretar Zekë Shtjefen Gjokhilaj. Ky këshill u përpoq me të gjitha mënyrat dhe mundësitë t’i vinte në ndihmë popullit të Kodhelit, si gjatë luftës që kur u krijua dhe më pas shumë herë edhe duke u përplasur me forcat shtetrore të shtetit komunist që në ditët e para të çlirimit, siç ishte përplasja me famkeqin Toger Baba i cili e mori Zekën dhe desh e pushkatoi pa gjyq. Për këtë shih ngjarjen tek përshkrimi i shpirtit kryengritës të fshatarëve nga Kodheli pak më poshtë.

      Gjithashtu, këtu duhet shtuar edhe një fakt tjetër për Kodhelin dhe mbarë Zadrimën. Asnjëherë populli i Kodhelit ashtu si ai i krejt Zadrimës nuk e ka pranuar pushtuesin e huaj i çdo lloj kallëpi ka qenë ai. Me të gjitha mundësitë që ka pasur, e ka luftuar pushtuesin në mënyra të ndryshme. Në kohën e pushtimit turk shumëherë nga Kodheli kanë dalë komitë kryengritës që së bashku me komitë të tjerë nga Zadrima kanë luftuar për ta shporrur pushtuesin nga trojet tona. Por edhe në kohërat e mëvonshme nuk kanë qëndruar duarkryq e kanë shprehur mospranimin e pushtimeve të ndryshme në mënyrat nga ma të ndryshmet. Ka qenë fakt domethënës që shumë të rinj nga Kodheli së bashku me djemërinë nga Blinishti, Fishta, Baqli, Dajçi, Kotrri, Gjadri e ndonjë fshat tjetër me 7 prill 1939 u organizuan duke formuar një çetë luftëtarësh dhe dolën në malin e Balldrenit mbi Shëngjin me çfarë kishin si armatime që ngjanin më shumë me ca pushkalaqe ose ca armë gjahu të ndryshkura dhe e pritën pushtuesin italian me plumbat e atyre armëve të sajuara. Por forca e tyre si dhe armatimeve që ato kishin ngjeshur ishte shumëfish më e vogël se e mijërave këmishzinjëve që zbarkuan nga deti dhe e armatimeve të tyre të rënda me topa e mortaja që nuk përtuan, por e mbuluan malin e Balldrenit mbi Shëngjim me breshërinë e gjyleve dhe predhave të kalibrave të ndryshëm. Para kësaj force ajo djemuri nuk kishte se çfarë të bënte, ndaj u tërhoq për të mos rënë robër në duartë e fashistëve italianë.

       Këtë ngjarje që e tregova shkurt e thjeshtë e kam dëgjuar shumëherë hollësisht nga goja e babait tim Gjin Zeka që ka qenë vetë pjesmarrës në atë grupim luftarak. Por jo vetëm kaq. Edhe në forma të tjera është shprehur urrejtja dhe revolta ndaj pushtuesve. Gjyshi i babait tim, Shtjefen Zefi nuk pranoi t’ua shiste italianëve një pyll me frashëra shumëshekullorë duke u shprehur: “Më mirë ua vej flakën me duart e mia dhe i baj shkrum e hi se ua shes italianve të zinj!”. Ai kaq kishte në dorë të bënte dhe këtë e shprehu me vetsakrifikim, pasi nga ai pyll do të merrte një pasuri përrallore. Ai e refuzoi me neveri atë pasuri që do t’i vinte nga pushtuesi dhe nuk përfitoi as më vonë as edhe një kryq leku, pasi shteti komunist i mëvonshëm do ta shpyllzonte dhe do t’i linte të kalbeshin ato drurë të mrekullueshme pa asnjë dobi të qenësishme për stërgjyshin tim e për askënd tjetër.

     Aty nga viti 1956 fshati u kolektivizua dhe kryatar i kooperatives u zgjodh Luigj Kodheli, djali i Zog Bardhit. Për objekt zyrash kooperativa përdori shtëpinë e Palok Gjokës që prej disa kohësh kishte shkuar me banim në Shkodër. Pas 2-3 vitesh kjo kooperativë u bashkua me tre fshatra të tjerë që ishin Dajçi, Kotrri dhe Dragusha. Pra u formua kooperativa e bashkuar me qendër në Dajç. Më vonë u bashkuan edhe Maba, Grashi e Zojzi.

Kodheli në vitet '80(Llesh Prendi)

Kjo foto e bërë nga mjeshtri i fotografisë, Llesh Prendi, aty nga gjysma e dytë e viteve ’80 flet qartë për organizimin kooperativist të asaj periudhe ku qartas, krahas punimit të tokave, duken në sfond edhe stallat e kooperativës si dhe depot e armatimeve dhe vendroja. Diçka tjetër që bie në sy aty është edhe autobusi i linjës Dajç-Lezhë në rrugën e paasfaltuar që i binte përgjatë bregut të kanalit të madh kullues hapur me punën e detyruar të kampit të të burgosurve të Baqlit aty nga gjysma e viteve ’50.

dok-fshatare-nga-kodhelibrigada e Kodhelit

     thumbnail_PICT0056 (4) KOOPERATIVAthumbnail_PICT0054 (3) kodheli paranomikeSiç e kam cilësuar edhe më lart kur kam folur për shtrirjen gjeografike, gjerë në atë kohë shumica e fushave ishin të pyllëzuara e të pasistemuara. Kishte shumë vija uji që qarkonin territore të konsiderueshme tokash e kullotash dhe i shërbenin fshatit për të siguruar ujin për bagëtitë, si dhe për peshkim. Të tilla ishin: Bullja,Vija e Ferrcit apo siç quhej ndryshe Kapnaqja. Tjetër vijë ishte Vija e Qarrës, Vija e Gjojës, Gjilukja, Brraka e Kol Ndokës, Bërraka e Kishës, Vija e Grrejave e ndonjë tjetër. Një vijë tjetër që u hap aty nga fillimi i shekullit të kaluar me financimin dhe drejtimin e patriotit Dom Ndre Mjeda ishte edhe Vija e Korbit rreth 4km e gjatë, mbi 4m e gjerë dhe mbi 2m e thellë që ndihmoi shumë në bonifikimin e fushës rreth kodrave të Kodhelit. Këtë e shohim nga thëniet e më të moshuarve dhe dokumentuar nga biografi M. Quku.

Dok- Gjini faqe e plotë

       Normalisht që disa prej tyre lidheshin me njëra-tjetrën dhe për t’u bërë të kapërcyeshme nga banorët për në çdo kohë të vitit, ishin ndërtuar edhe mjaft ura bërë me gurë, siç ishin: Ura e Re drejtpërdrejt fshatit në drejtim të Gjadrit, Ura Bishtore, Ura Gjiluke, afër vendit ku sot quhet Ura Kulake, por që kjo e fundit ndan territorin e Dajçit me Kodhelin e është ndërtuar mbi kanalin kullues që vjen nga kodrat e Dajçit e derdhet në Kanalin e Madh të Kodhelit. Ka pasur edhe ura të mëvonshme ndërtuar me trarë siç ishte ajo e Qarres dhe e Grrejes mbi vijat me të njëjtët emër. Këto ura ka ngjarë të jenë ndërtuar nga vetë fshatarët për nevojat e tyre të komunikimit me tokat dhe pronat e tyre, por urat e gurta si Ura e Re, Ura Bishtore, Ura Gjiluke, për vetë strukturën e ndërtimit të tyre me gurë si dhe forma krejt e ngjashme me urat e tjera simotra në vende të tjera të Zadrimës si ajo e quajtura Ura e Shkinës, apo Ura Plakgjon, mund të jenë ndërtuar nga struktura shtetërore të ndryshme për nevoja komunikimi. Me kolektivizimin e bujqësisë, këto vija u mbyllën dhe tokat u shpyllëzuan. Që nga lumi Gjader, në mes Dajçit e Kotrrit me punën e të burgosurve u hap Kanali i Madh kullues që derdhet në lumin Drin. Kjo shërbeu pastaj si për të siguruar ujin gjatë verës, ashtu edhe për kullimin e fushave nga përmbytjet e dimrit. Megjithatë, kjo nuk e zgjidhi plotësisht çështjen, pasi pati përsëri përmbytje të herëpashershme në kohë të ndryshme.

Dok-Ura e kanalit gjatë përmbytjeve

Pamje nga përmbytjet tek ura e Kanali të Madh. Pamje të tjera të tilla janë vënë edhe në fillim të këtij shkrimi

     Siç shihet në kohëra me shumë lagështira e shira të rrembyeshëm edhe kanali nuk mund ta mbante ujin, por vërshonte drejt fushave duke dalë nga shtrati i tij. Në pamje shihet një pjesë e urës, por rruga matan saj duket qartë e mbuluar nga uji me një thellësi mjaft të konsiderueshme gjë që e bënte gati të pakalueshme në raste të tilla.

dok-ura-e-kanalit

       Natyrisht, uji i kanalit ishte  më i pastër se ujërat e ndenjura të vijave ekzistuese, sepse ishte ujë i rrjedhshëm e për këtë i shërbeu fshatit për shumë kohë për të larë e për të gatuar. Ujin e pijshëm Kodheli e ka pasur rreth 2 ose pak më shumë kilometra larg, në afërsi të Krajnit tek Pusi i Fangut që kishte ujë të mrekullueshëm e mjaft të shëndetshëm. Ishte ujë i bollshëm dhe mjaft i freskët. Kurrë nuk shterronte dimmer-verë e kurrë nuk e ndryshonte nivelin. Kanë bërë përpjekje për ta shterruar me pompa të mëdha e të fuqishme, por nuk kanë arritur ta bëjnë një gjë të tillë, pasi burimi i tij me sa dukej ka qenë një gurrë e nëndheshme me një hyrje dhe një dalje. Në kohën e sistemimit të tokave, krajnorët e kanë mbyllur e sot nuk i gjendet as nami e as nishani. Ishte vërtetë mëkat një gjë e tillë pasi ai ujë ka qenë shpëtim për fshatin e Kodhelit. Të moshuarit thoshin se ishte mjaft kurativ uji i atij pusi.

       Në Kodhel kanë kaluar mjaft rrugë të gjera komunikimi me fshatrat e tjera dhe për nga struktura e tyre flasin për një hershmëri të madhe të ndërtimit apo krijimit e përdorimit të tyre. Ndonjëra prej tyre ka ruajtur deri vonë gjurmët e kalldrëmeve me të cilat ka qenë ndërtuar, por edhe forma e ekzistencës së tyre ka treguar qartë se kanë qenë mjaft të hershme, disa qindravjeçare.Po të shikoheshin me vëmendje, ato në kohët e vona ngjanin me ca vija uji, por që kurrë s’kishin qenë të tilla. Këta rrugë kishin edhe emrat e tyre si: Rruga e letrave, Rruga Tigllareve(tjegullarëve), Rruga e Bregut, Rruga e Baqlit, Rruga e Dajçit që ishte vazhdim i të parës dhe kalonte që nga Varoshi ku kryqëzohej me  rrugën e Bregut, apo më mirë të themi bashkohej për nja njëqind-dyqind metra me të duke u ndarë në krye të Arëve të Bardha e duke ndjekur fundin e Ograjave të Palokë Zefit ku merrte një kthesë mes kopshtit të quajtur Shpia e Re dhe ndërtesës së shkollës së  Kodhelit e duke u ngjitur drejt Mëhallës së Poshtme, mes shtëpisë së Zek Hilës e Marka Zefit ku bashkohej me rrugën që vinte që nga Pusi i Poshtër e ngjitej mes Lamës së Syqit e shtëpisë së Hilë Filipit dhe vazhdonte të ngjitej drejt Farkës duke i rënë nga pas shtëpisë së Zef Markut e duke e qarkuar me një hark të lehtë për të rënë poshtë kopshtinjëve të mëhallës së sipërme midis Kopshtit të Madh dhe Kopshtit të Zefit për të dale tek Brraka e Kuvendit, në njëfarë mënyre duke e qarkuar Kopshtin e Madh e pastaj vazhdonte mes shtëpisë së Shtjefen Zefit (gjyshit të babait tim) dhe shtëpisë së Jak Kolës. Nga këtu kalonte drejt nga Pusi i Keq e vazhdonte duke i rënë nga sipër Ograjës së Marka Lleshit e më tej Lamit Plak për të vazhduar gjatë Skunderës, poshtë Rrahut e Veshtit të Keq, duke i kaluar sipër Gurit të Bardhë e Arës së Kalit poshtë Patokës e për të arritur tek Ura Gjiluke e më tej drejt Dajçit nën kodrën ku sot është shtëpia e Stakë Hubës e në vazhdim drejt lagjes së Milotëve. Ka mundësi që kjo rrugë të ketë pasur një drejtim ndoshta edhe mes dy kodërzave të vogla që krijojnë një qafë të vogël afër shtëpisë së Rrok Lukut.Gjurmët kanë qenë mjaft të dukshme deri mjaft vonë, prandaj mendoj se mund të ketë kaluar pikërisht aty.Gjurmët e saj në Kodhel kanë qenë mjaft të dukshme. Aty tek shtëpia e Zef Markut kjo rrugë ka qenë degëzuar dhe duke i dalë nga lindja Kopshtit të Zogut(Zog Bardhit) dhe Kopshtit të Madh në zotërim të gjyshit tim, vazhdonte drejt kishës së Kodhelit ku shihnin meshën e së dielës jo vetëm fshatarët e Kodhelit, por edhe ata të Baqlit. Drejt kishës shkonte që nga pataloku i lagjes së Mëhallës së sipërme që ishte para shtëpisë sonë dhe asj të Zog Bardhit dhe duke kaluar përbri shtëpisë së Lush Palokës duke kaluar anash Patalokut të Monit i binte nga pas shtëpisë së Lekë e Ndokë Simonit duke i rënë nga sipër Ograjes Mihajne e Brrakës Mihajne mes tyre dhe Ograjë e gurëve të Rrok Dedës e më pastaj sipër Ograjës së Shuk Prekës duke e ndarë këtë të fundit me Ograjën e Ullinit për të përfunduar përbri oborrit të kishës e në vazhdim drejt Lisave të Gji Ndrecës sipër Rrahut që quhej ndryshe rruga e Kotrrit e cila i binte poshtë Pilinardes dhe Majës së Brokës ku ishin edhe varrezat e fshatit, sipër Patokës dhe Gurëve të Gjonit.Pastaj i binte sipër Pyllës së Gjonit dhe asaj të Milotit drejt Bishtit të Presekut. Vazhdimi përgjatë kodrave ka qenë rrugë e ngushtë këmbësorësh, ndryshe të ashtuquajtur “rrugë dhishë”.Rruga që vinte nga Baqli deri tek kisha ka qenë një rrugë mjaft e gjerë dhe mund të kalohej me mjete transporti të kohës së shkuar siç ishin qerret. Kjo rrugë gjithashtu lidhte edhe dy lagjet e fshatit, por ka qenë edhe një rrugë tjetër e lagjës së sipërme për të komunikuar me tokat e fushës dhe kjo i binte nga Bërraka e Kuvendit dhe varej poshtë mes Kopshtit të Lushit dhe Kopshtit të Zef Markut si dhe Lamën e Rrok Dedës me Lamën e Syqit e këtë të fundit me Palvasen e pastaj me Frashnin e Gjushit. Kjo e fundit ndahej me rrugën që vazhdonte me Arat e Kadisë deri tek Pusi i Poshtër e në vazhdim nga Veshet tek Ura e Re drejt Rrethetoreve e pastaj Grygava e më tej drejt Gjadrit.

      Siç e cilësova edhe më sipër, Rruga e Baqlit bashkohej me Rrugën e Bregut poshtë Varoshit dhe ndahej pak poshtë Ograjave të Palok Zefit për t’u ngjitur drejt Farkës e për t’u ndarë tek shtëpia e Zef Markut në dy drejtime. Rruga e Baqlit i shërbente popullit të të dy fshatrave, por edhe fshatarëve që vinin nga Fishta apo që shkonin atje, pasi ajo, kur ndahej nga Rruga e Bregut, i kalonta nga lindja Varoshit duke u ngjitur drejt Magjypeve (tokat e Rrok Dedës) dhe për të vazhduar drejt Qafës së Baqlit e më tej përmes Prozhmes drejt lagjes së kodrës së Baqlit duke e ndarë atë përmes dhe duke vazhduar drejt çinarit të Limajit e pastaj tek shtëpitë e Lush Ndojës përpbri shtëpisë së Vlash Lazrit. Në Kodhel,  pasi shkonte tek kisha e Kodhelit, bigëzohej dhe vazhdonte drejt Nënshatit duke i rënë andej nga Vorri i Nanës së Tatës e duke zbritur drejt Stanzave e pastaj Livadheve të Nënshatit. Pra nga kisha e vjetër dhe në drejtim të Nënshatit deri tek Stanzat kalonin dy rrugë gati paralele. Njëra prej tyre ishte ajo e drejtimit nga Vorri i Nanës së Tatës dhe tjetra poshtë saj dhe shpesh është quajtur edhe rruga e priftit, pasi andej i binte prifti që vinte nga Nënshati për të çuar meshën në kishën e Kodhelit. Nuk mund të them se ishte rrugë e zakonshme, por mendoj se ishte thjeshtë rrugë këmbësorësh për  nevojat e fshatarëve të të dy fshatrave, por jo më gjerë. Mund të ketë shërbyer si rruga më e shkurtër për të shkuar drejt Nënshatit nga fshatarët e Kodhelit, ose ndoshta nga vetë banorët e Mëhallës së Sipërme që shkonin tek mullinjtë e Nënshatit për të bluar, por si rrugë kryesore që lidhte krejt zonën e poshtme, ndoshta edhe vetëm Gjadrin e Kodhelin me Nënshatin, ishte kryesisht Rruga e Bregut me vazhdim drejt Lezeve, Ograjë Mlikës, Pusit të Fangut e pastaj drejt Fangut të Krajnit dhe atij të Nënshatit. Kjo rrugë kishte komunikim me rrugën që kalonte drejt Vesheve, tek Ura e Re, drejt Shkurtave, Dardhës Shatore, Rrethetoreve, Grygeve, Arrnjetit e më tej drejt Gjadrit. Nuk e di në se kjo rrugë lidhte edhe Blinishtin e sotëm me Kodhelin, por di se ka ekzistuar një rrugë që lidhej perpendikular me rrugën e Bregut dhe kalonte duke ndarë Arat e Bardha me Peshtijet dhe vazhdonte poshtë Kodres së Varoshit e më tej poshtë Kloseve duke u zgjatur drejt kodrave të Blinishtit. Nuk jam i sigurt nëse kjo rrugë ka ndarë kodrat e Baqlit në mes pasi ka lënë Kloset e pastaj ka vazhduar më tej në rrugën që ka lidhur Baqlin me Blinishtin, apo ka vazhduar gjithnjë poshtë kodrave për të kaluar aty ku dikurë kanë qenë ngritur magazinat e Grumbullimit të shtetit komunist. Më shumë gjasa ka të ketë qenë varianti i parë, pasi diku aty afër Kloseve ka ekzistuar një qafë e ulët kodre që ka të ngjarë të ketë kaluar edhe ndonjë rrugë e hershme këmbësorësh, por edhe me mjete transporti si kuaj, qerre e karroca. Ka edhe një fakt domethënës se, meqenëse pothuajse në kohërat e shirave të vjeshtës, dimrit e nganjëherë edhe të pranverës, fusha e Zadrimës pothuajse qëndronte shpesh e përmbytur, rruga e komunikimit zgjidhej shpesh drejt kodrave, por edhe se këto të sillnin më shumë mundësi të shkoje pa ndeshur në baltëra e mujaqe të vështira për t’u kaluar gjatë kohërave me lagështirë.

Dok-Punimi i tokës gjatë kooperativave

        Më vonë, kur çdo gjë ndryshoi dhe pamja e fushës së Zadrimës mori pamje tjetër, u formuan rrugë të reja, të drejta dhe që ndiqnin linjat më të shkurtëra e më të shpejta.Zakonisht ato ndoqën bankinat e kanaleva kryesore kulluese dhe rrugët e vjetra dolën jashtë përdorimit.E tillë ishte rruga që lidh sot Blinishtin me Kodhelin dhe më tej me Dajçin.Rrugët e vjetra, ose u prishën duke sistemuar tokat, ose u lanë ashtu siç ishin, duke mos i përdorur e as mirëmbajtur. Shumë prej tyre u mbyllën më vonë nga ndonjë fshatar vetë kur u rishpërnda toka në vitet ’90 duke i futur ato në territoret e pronave përsonale e kështu u prishën edhe ato pak gjurmë e shenja të vjetra të ekzistencës së hershme të tyre, por ndonjëra edhe është riparuar, zgjeruar e rregulluar për t’i shërbyer më mirë komunitetit. Besoj kështu është një pjesë e rrugës së Bregut dhe ajo e Letrave, rruga nga Brraka e Kuvendit e deri tek kisha e re, rruga mes fshatit, me disa ndryshime gjurme si tek Lama e Syqit, Farka e ndonjë vend tjetër.Besoj se edhe rruga e Bregut nuk e ndjek plotësisht gjurmën e vjetër. Rruga e vjetër e Dajçit që kalonte mes kullës së Jakut dhe kullës sonë, mund të jetë rregulluaar e zgjeruar deri tek shtëpia e Frrok Gegës, por më tej, ose ka ngelur ashtu (deri tek Pusi i Keq), ose është mbyllur fare deri tek Lami Plak, me që nuk duhet t’i shërbejë askujt, pasi për lagjen e re krijuar atje është krijuar një rrugë e re që vjen që nga kisha e re duke i rënë poshtë kodres e sipër Palvases, Ardajçës, Bapreçes, për anash dhe sipër Arlames, poshtë Ograjës së Marka Lleshit e Lamit Plak dhe më tej përgjatë Skunderës. Dikurë ka ekzistuar një rrugë tjetër që binte poshtë Lamës së Jakut dhe varej poshtë drejt Bapreçes e Bullës e binte pastaj poshtë Arlameve e Perivolit drejt Bishtit të Skundereve.Nuk ishte rrugë e madhe, por ishte mjaft e vjetër dhe mjaft e dukshme.

            DREJTIMET EKONOMIKE

         Tashti që fola mjaft gjatë për rrugët e fshatit, mendoj se duhet folur edhe për drejtimet kryesore të ekonomisë së fshatit Kodhel.Tadicionalisht Kodheli drejtimin kryesor ekonomik ka pasur bujqësinë, kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore. Kodheli ka pasur tradita të hershme bujqësore dhe këtë e tregojnë edhe anekdotat e hershme që kanë qarkulluar në kohëra të ndryshme. Një herë e pyesin Vezirin e Shkodrës se kush e kishte më shumë traditë bujqësinë, ai ishte përgjigjur se bujku më i famshëm ishte bujku i Kodhelit. Drejtimi kryesor ekonomik i fshati sot është bujqësia dhe blegtoria.Kështu ka qenë gjithmonë.Drejtimi kryesor bujqësor është kryesisht kultivimi i drithrave të bukës dhe perimeve e zarzavateve për nevojat e veta. Gjithashtu, për nevoja të mbajtjes së blegtorisë, një vend të veçantë ka zënë edhe kultivimi i bimëve foragjere, sidomos i jonxhes.Para se të formoheshin kooperativat bujqësore, kjo bimë nuk është njohur fare në Zadrimë e as në Kodhel.

     Një drejtim tjetër i prodhimit bujqësor ka qenë edhe kultivimi i lirit.Liri ka qenë kultivuar që në hershmëri si nevojë për të përgatitur rroba për gra, burra e fëmijë, por ndoshta edhe si drith buke.Si drith buke në hershmëri është kultivuar edhe meli apo melekuqi, siç e quanin fshatarët, elbi dhe thekra, krahas misrit e grurit, si dhe fasulja si perime zakonisht.

      Sot është zhvilluar mjaft mirë edhe frutikultura.Duhet theksuar se më përpara, pothuajse nuk njihej kjo degë e bujqësisë në Kodhel, ose ishte mjaft e varfër.Kishte aty këtu ndonjë pemë të ndonjë kumbulle të egër, dardha të egra nëpër kodra, ca mana aty-këtu, ca kypça(xinxife), ca fiq aty këty, shega, më shumë të egra se të buta, dhe pothuajse kaq. Ishte krijuar përshtypja tek fshatarët se në Kodhel nuk bëheshin pemët, ndaj edhe nuk e kishin marrë mundimin të krijonin bahçe e vreshta. Vonë, aty nga vitet ’50 të shekullit të kaluar u thye ky koncept së pari nga njerëzit e familjes sime, kur kushëriri i nënës sime i kërkoi gjyshit tim t’i caktonte qoftë edhe tokën më të varfër që kishte se donte t’ia kthente në vreshtë. Pas shumë këmbënguljesh nga ana e tij për t’ia mbushur mendjen gjyshit tim, kishte arritur ta bindte dhe i formoi një sipërfaqe prej afro tre dynymësh a diçka më shumë një bahçe të mrekullueshme me shumë lloje pemësh e model për të gjithë zonën. Edhe pse kishte qenë një tokë djerrishtë që pothuajse nuk prodhonte asgjë, u bë një vend mjaft prodhues për pemë e rrush. Pas tij formuan edhe mjaft fshatarë të tjerë bahçet e tyre aty përbri përgjatë Ferrcit, kështu quhej ai vend, pasi vetëm ferrca(gjëmbaçë) e asgjë tjetër nuk mbinte atje, por ama pemët u bënë të mrekullueshme brenda pak kohësh deri sa erdhi kooperativa dhe i shkuli të tëra për të mos u lënë as namë e as nishan. Në të vërtetë, Kodheli i hershëm duhet të ketë pasur traditë në vreshtari, pasi ka pasur mjaft toponime me emra si: Vneshta e Llupit. Vneshtnurja, Veshti i Keq, Vneshtë e Syqit, por nga përmbytjet e vazhdueshme duhet të jenë shkatërruar e tharë.Sot pothuajse çdo familje ka krijuar bahçe të mrekullueshme me lloj-lloj pemësh nga më të ndryshmet dhe më cilësoret dhe bëhen për mrekulli. Nuk jam i sigurtë nëse ndokush ka mbjellë ndonjë agrume, sigurisht, në ndonjë strehëerë, pasi aty gjatë dimrit fryn veriu, erë e ftohtë dhe e acartë që vendasit e quajnë murra. Harrova të them se përveç manave, në Kodhel ka pasur edhe ullinjë aty-këtu. Në familjen time kemi pasur në dy vende ullinj: tek Ograja e Ullinit si dhe tek Kopshti i Zefit, ku sot ka shtëpinë Serafin Jaku, vend të cilin me bekimin e tij ia ka dhënë gjyshi im për ta përdorur si truall shtëpie. Tek Ograja e Ullinit ku sot ka shtëpinë Paulini, vëllai im, është ngritur një ullishtë mjaft e bukur prej tij me përkujdesjen e përkushtim të veçantë prej tij. Të parët e familjes sonë do të ishin tepër të lumtur e mjaft krenarë, po ta shihnin të ringritur ullishten në atë vend ku e kanë pasur vetë ata, para se të vinte kooperativa e më vonë ndërmarrja pyjore e t’i shfaroste me trung e me rrënjë.

    Gjithashtu, blegtoria ka qenë një drejtim tjetër kryesor i ekonomisë.Kodheli ka qenë shumë i përshtatshëm për zhvillimin e blegtorisë dhe tradicionalisht në gjedhe dhe në të imta. Familjet fshatare të Kodhelit, në kohën parakooperativiste kishin deri në 20 krerë lopë e mëshqerra, tufa me nga treqind kokë delesh e dhishë. Mund të them se tradicionalisht familjet e Kodhelit kishin drejtime të caktuara në mbarështimin e blegtorisë dhe kryesisht familja jonë(Zekë Shtjefnit) kishin mbi 20 krerë lopë dhe mbi treqindë kokë dele. Po kështu edhe familja e Zog Bardhit, Llesh Kolës dhe e Zef Markut. Familja e Zek Hilës kishte më shumë traditë mbarështimin e dhive dhe të lopëve, gjithashtu. Edhe familjet e tjera dhe një degë tjetër ishte edhe ajo e rritjes së shpendve si pata e rosa, por sidomos të gjelit të detit, traditë që e vazhduan edhe në kooperativën bujqësore duke e përhapur edhe tek kooperativistët e fshatrave të tjerë të kooperatives dhe më gjerë në shkallë republike. Të përmendur kanë qenë Bibë Doda, Jak Gaci, Çefë Gaci, Mark Doda, Serafin Jaku, Serafin Doda e ndonjë tjetër. Kam bindjen se fillimisht që herët e patën traditë brozajt mbarshtimin e gjelit të detit dhe më vonë fshatarët e tjerë. Markajt kanë qenë më shumë tradicionalisht në mbarshtimin e rosave dhe të patave. Krahas shpendve që përmenda më sipër fshatarët e Kodhelit në çdo familje mbarështuan edhe pulat. Edhe derrat ishin mjaft të mbarështuar në çdo familje të Kodhelit si drejtim ekonomik për sigurimin e mishit dhe zahireve të dimrit. Kishte familje që mbante tufa të mëdha me derra dhe thernin disa nga ato për gjatë gjithë vitit.Shumë familje kishin nga një deri në disa kuaj apo gomerë e mushq për nevoja vetiake si dhe për tregti.

     Në hershmëri, besoj kur Kodheli ka qenë me një popullsi shumë të madhe, një drejtim tjetër ekonomik duhet të ketë qenë edhe tregtia. Është një fakt domethënës që Gjok Hila, njeriu që i dha mbiemër fisit tim, është marrë me tregtinë e kripës me Kosovën. Ai kishte krijuar një karvan të vetin mjaft të madh dhe besoj me mjaft burra prej Kodhelit, që aso kohe ishte i mbipopulluar, dhe shkonte në Durrës e ngarkonte kuaj e mushka me kripë dhe nga aty dilte në Prizren e Gjakovë duke e shitur me shumicë tek tregtarët e atyre qyteteve. Nga këtu mendoj se edhe degë të tjera tregtie mund të jenë zhvilluar prej banorëve të hershëm të Kodhelit si bie fjala edhe ajo e qymyrit të drurit. Kodheli, ashtu siç e kam cilësuar mjaft herë, ka qenë i pasur me pyje dhe mes tyre ka pasur mjaft gropa qymyri të hershme që flasin shumë për një zanat të tillë në nxjerrjen dhe tregtimin e qymyrit, pasi për nevojat e tyre për ngrohje tradicionalisht përdornin drurët e zjarrit, sidomos lis e shkozë me të cilat pyjet e Kodhelit ishin të mbushura plot.

       Një drejtim tjetër ekonomik për Kodhelin duhet të ketë qenë edhe ndërtimi e zejtaria. Nuk mund të mbështetëm në dokumente, se më mungojnë, por, ashtu siç e kam cilësuar, Kodheli ka pasur një farkë të hershme që flet për artin e përpunimit të metalit dhe kryesisht të çelikut dhe hekurit.Gjithashtu, shumë herët duhet të ketë pasur mjeshtra të punimit të gurit, pasi gjithë ai fshat me mbi 300-400 shtëpi nuk mund të jetë ndërtuar nga ndërtues prej vendesh të tjera. I njohur ka qenë Prend Lleshi, mjeshtri duarartë i shekullit të kaluar që ndërtoi disa shtëpi në Kodhel dhe mes tyre kullën e Zek Shtjefnit, gjyshit tim 10m të lartë dhe me gjatësi 14m dhe 7m gjerësi. Më vonë e morën si zanat edhe shumë të tjerë si Bert, Prekë e Çesk Ndreca që u shkolluan dhe punuan në NSHN Lezhë shumë kohë, Mark Gjoni, Mark Ndoci, Zef Laca e mjaft të tjerë. Kodheli, gjithashtu ka pasur edhe mjeshtra për punime druri dhe ndër ta janë dalluar në hershmëri Shtjefën Zefi që ka punuar kryesisht në punimin e qerreve të punës në punishten e Ndrek Qerraxhisë nga Shkodra dhe në kohën e diktaturës mjeshtri duarartë Simon Doda që ishte një ndër marangozët më të mirë të zonës. Veç të tjerash, Simoni ka qenë edhe një berber njaft profesional dhe ka punuar përkrah berberve më të mirë të qytetit të Lezhës.

      EDUKIMI SHKOLLOR

    Shkolla e Kodhelit Kodheli nuk ka pasur herët shkollën e tij dhe vonë është hapur shkolla fillore aty, por dëshira për të ditur shkrim e këndim ka qenë e madhe.Shumëherë kodhelësit i dërgonin fëmijët të mësonin në fshatra të tjera apo edhe në ndonjë qytet ku kishin ndonjë mbështetje të veçantë.Këtu nuk është fjala për në Baqel kur u hap shkolla aty pas Çlirimit, por në Nënshat, Shkodër a Tiranë.Kështu u shkolluan në Nënshat Gjin Zeka e Kolë Matia, Luigj Kodheli në Tiranë dhe Anton Gjokhilaj në Shkodër.Ata që patën fatin të shkolloheshin që herët treguan pasion edhe për librin jashtshkollor.Edhe pse të varfër ata krijuan biblioteka vetiake modeste me letërsinë e kohës sidomos nga poetët e zonës si Ndre Mjeda dhe Gjergj Fishta.I ruajtën me fanatizëm dhe i fshehën në skutat më të errëta që të mos binin në duart e regjimit komunist, pse ishin shpallur “libra të ndaluar”. Dashuria për librin u bë traditë edhe më vonë në kohën e monizmit, por veç për librin që botohej në atë kohë si dhe librin politik.

      Në vitet e para të Çlirimit të vendit ishte hapur shkolla fillore për dy fshatrat; Baqel dhe Kodhel në fshatin Baqel tek shtëpia e Simon Kinit. Mësues i parë i kësaj shkolle ishte Filip Gjeka(Palushi) nga Baqli i cili kishte ndjekur studimet për prift, por që i kishte lënë përgjysëm. Me sa më kanë thënë prindërit e mi, kjo shkollë në fillim shërbeu jo vetëm për të mësuar fëmijët, por edhe në kurset e para kundër analfabetizmit tek banorët nga të dy fshatrat kryesisht tek të rinjtë e të rejat. Mësues të tjerë që kanë dhënë mësim aty në vitet e para kanë qenë Luigj Kosmaçi, Pina Shestani, Zef Sheldija, Vehbi Halili, Angjelina Kastrati, Zef Simoni e ndonjë tjetër.

  Aty nga fillimi i vitit 1961 u hap shkolla fillore në Kodhel në ish shtëpinë përdhese të Rrok Gjushit. Duhet thënë se pothuajse të gjitha shtëpitë e Kodhelit ishin kulla dykatëshe,por kishte 3 ose 4 shtëpi që ishin përdhese. Këta ishin shtëpia e Rrok Gjushit, e Lazër Matisë, Ndokë Simonit dhe e Kolë Matisë që kishte ardhur relativisht vonë në Kodhel. Më 15 prill 1979 ra një termet i fuqishëm e megjithatë kullat e Kodhelit qëndruan në këmbë pothuajse të gjitha por me disa dëmtime të riparueshme.U dëmtua kulla e Mark Zefit dhe e Gegë Zefit të cilëve ua bënë të reja, po ashtu edhe kulla e Gac Jakut pjesërisht.

      Mësuesi i parë i kësaj shkolle ka qenë Benardin Ashiku nga Shkodra dhe me qenë se Kodheli nuk i kishte kushtet e përshtatshme për strehimin e jabanxhinjve, ai flinte në shtëpinë e Marka Zefit në një dhomë të sajuar enkas për të. Hapja e shkollës u bë e mundur nga iniciativa dhe interesimi tepër i veçantë i Luigj Kodhelit (Gjokhilajt). Më pas si mësues i shkollës së Kodhelit për një kohë mjaft të gjatë ishte Shtjefen Sallaku nga Blinishti. Aty nga viti 1959 u hap shkolla 7-vjeçare në fshatin Blinisht dhe kjo solli mundësinë e shkollimit të mëtejshëm të fëmijëve të Kodhelit. Më vonë u hap shkolla e mesme bujqësore, fillimisht e natës, por më vonë u hap edhe e ditës që ndikoi shumë tek të rejat dhe të rinjtë, jo vetëm të fshatit Kodhel e sidomos të Blinishtit ku u hap ajo shkollë, por edhe për gjithë zonën përreth deri në largësi afro dhjetë km larg saj. Nga ajo shkollë u mundësua që mjaft të rinj e të reja të vazhdonin shkollat e larta në Shkodër apo Tiranë. Më vonë ajo u kthye në shkollë të mesme të përgjithshme dhe vazhdon edhe sot të pajisë me dije fëmijët e zonës përreth.Në Kodhel vazhdon të jetë në funksion shkolla e ciklit të ulët me mësues nga fshati Kodhel. Duhet thënë se aty në atë shkollë që nga hapja e saj e deri më sot kanë dhënë mësim mjaft mësues nga fshatrat përreth dhe nga vetë fshati Kodhel. Gjithashtu, nga Kodheli kanë dale mjaft mësues që kanë dhënë mësim në shkolla të tjera të rrethit në ato të ciklit tetë(sot nëntë)vjeçar dhe të mesëm dhe drejtues deri në instancat më të larta të arsimit të rrethit Lezhë.

        PREJARDHJA E FISEVE

    Përveç fisit të Gjokhilajve në Kodhel kanë qenë dhe janë edhe katër fise të tjera kryesore. Fisi i Markajve mendohet të ketë qenë më i vjetri në Kodhel.Ky fis mendohet ta ketë origjinën nga Kthella e Mirditës. Për këtë unë mbështetem gjithënjë sipas thënieve të gjyshit tim, Zekë Shtjefni, por nuk mund ta konfirmoj si të vërtetë plotësisht. Kjo gjë u përket atyre ta cilësojnë për vetën e tyre nëse kjo është e saktë, ose ata kanë ndonjë tjetër prejardhje. Gjithashtu dallohen edhe fisi i Simondocajve dhe i Brozajve që mendohet të jenë edhe më të hershmit në Kodhel. Unë për vetën time nuk e kam idenë se nga vine këto fise, por di gjithahtu se në Kodhel nuk kanë pasur ndonjë shtrirje dhe zgjerim, por vetëm nga një familje e vetme, sidomos ajo e brozajve, ose ndoshta kanë emigruar gjetk degëzimet e tjera. Sot janë ndarë në disa familje. Në Kodhel nuk janë njohur grindje dhe mosmarrveshje mes fisesh asnjëherë. Ka pasur gjithmonë harmoni e mirëkuptim të mrekullueshëm mes të të gjithë banorëve.Kanë qenë afër me njëri-tjetrin në të gjitha rastet e gëzimeve dhe të hidhërimeve si të ishte një familje e vetme e madhe.Këtë gjë e kam theksuar dhe e theksoj me të madhe, pasi harmonia ka qenë kurdoherë e shkelqyer mes banorëve të Kodhelit dhe meriton respekt të veçantë si dhe mirënjohje për ata çka kemi qenë dhe besoj, jemi.

     Fisi i Syqve ka një prejardhje pak a shumë të panjohur, por është thënë gjithënjë se i pari i tyre ka qenë një jetim që është rritur, përkrahur e pastaj martuar nga fisi i Gjokhilajve me një vajzë të po këtij fisi.Ky, thuhet, se e ka pasur emrin Tomë dhe e kanë thirrur me mbiemrin Syku që më vonë ka derivuar në Syqi. Në këtë fis kanë qenë familjet e Zekë Hilës dhe të Llesh Kolës si dhe Gjush Frrokut.Dy familjet e para kanë qenë deri vonë familje me më shumë pjesëtarë.

     Prend Lleshi ka qenë i ardhur nga Karma e Shkodres dhe Kolë Matia nga Nënshati.Prengë Marku s’ka ndenjur për shumë kohë në Kodhel.Ka qenë i ardhur nga Kaça e prapë ka shkuar atje për banim.

     Mua nuk më takon të shkruaj gjatë për fiset e tjera, pasi u takon atyre të shkruajnë e të flasin për vetën e tyre, prandaj s’po ndalohem më gjatë ta shtjelloj këtë problem. Megjithatë iu kërkoj falje nëse këtu krijohet ndonjë keqkuptim dhe do të jemë i gatshëm të bëj korrigjimet e nevojshme, në rast se mund të jetë bërë ndonjë paraqitje e gabuar në këtë shkrim timin dhe dikush prej tyre m’i sugjeron gabimet e mia të mundshme.

      GJOKHILAJT

      Padyshim, fisi i Gjokhilajve, në Kodhel ka qenë fisi më i madh përsa i takon familjeve që e përbënin atë. Më sipër i cilësova emrat e familjarëve që ishin edhe banues në Mëhallën e Sipërme.Është normale të themi se ishte fisi më i madh duke pasur parasysh se fiset e tjera përbëheshin nga tri apo e shumta katër familje, ndersa Gjokhilajt i kishin më shumë se tetë në vitet ’50-’60 të shekullit të kaluar.Prejardhja e fisit tonë është nga fshati Kushnen i Mirditës.Mendohet se mbiemri pararendës i fisit tonë ka qenë Gjonaj, ose Ndregjonaj.Kjo është thënë nga të moshuarit e fisit tonë si dhe kanë ekzistuar toponime me emra vendesh si Ara Ndregjonej, Brraka Kolgjonaj etj. Gjithashtu, në një bisedë që më ka rastisur shumë vite më parë, aty nga fundi i viteve ’70, të kemë bërë me një grua të moshuar nga Kashnjeti i Mirditës, por që ishte bijë nga Kushneni, më ka konfirmuar se në Kushnen ekziston një fis me emrin Ndregjonaj, por nuk e dinte nëse ka ekzistuar ndonjë fis me emrin Gjonaj. Pra ne duhet t’i përkasim atij fisi, mendoj.

      Në Kodhel fisi ynë duhet të ketë më shumë se 200-250 vjet që ka rënë nga Kushneni. Mundet edhe më herët se aq, por gjyshi im Zekë Shtjefni gjithnjë më thoshte se deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore i kemi pasur lidhjet me pjesën e fisit që ka jetuar në Kushnen, por më vonë u shkëputën fare lidhjet “Ata –thoshte ai, -na sillnin pjesën tonë të gështenjave dhe merrnin nga ne grurë e misër”. Megjithatë këto marrëdhënie duhet të kenë vazhduar për më shumë se një shekull, se ngulmimi i fist të Gjokhilajve në Kodhel ka qenë mjaft i hershëm. Për këtë flasin zakonet, traditat si dhe theksi gjuhësor që fisi ynë përdor.Po të shihet me vëmendje, banorët e Zadrimës që kanë rënë relativisht vonë nga Mirdita, i kanë ruajtur shumë të freskëta zakonet, traditat, veshjet si dhe theksin gjuhësor të zones së Mirdites.Krejt e kundërta ngjet me fisin tonë. Veshjet e grave, sidomos, zakonet, traditat si dhe theksi gjuhësor janë tërësisht zadrimore dhe tërësisht të ndryshme me ato mirditore ku janë ruajtur mjaft mirë në Dragushë e në fshatra të tjerë ku janë mirditorë të ardhur ndoshta pak më shumë se 100 vjet më parë.

       Mbiemri Gjokhilaj është marrë relativisht vonë dhe këtë emër e ka si dhuratë nga Gjokë Hila që ka qenë kryefamiljari i njërës prej shtëpive më të mëdha të fisit e të krejt fshatit. Atje ku mund të gjurmojmë rrënjët e këtij fisi dalin dy vëllezërit Hilë Mar Shtjefni dhe Shtjefën Mar Shtjefni. Babai i Shtjefnit quhej Gjin Gjonaj.Pleqtë thoshin se ishte një plak i vjetër dhe mbante mjekërr të madhe.Thoshin gjithashtu se e thërrisnin me emrin Tata Gjini në shenjë nderimi për moshën e tij të madhe. Këtu poshtë po paraqes hartën e pemës gjenealogjike të fisit sipas meshkujve trashëgimtarë të mbiemrit Gjokhilaj punuar dhe paraqitur nga unë grafikisht, por ndihmuar në plotësimin me emra konkret mëshkujsh të fisit tonë nga im vëlla Nikollë Gjin Gjokhilaj banues i përhershëm i Kodhelit i  datëlindjes 1947 dhe me edukim shkollor Universiteti Bujqësor i Kamzës: dok-pema 1

20663263_1399685713472787_1526834856_o.png

      Këtu nuk janë paraqitur ndonjë degëzim tjetër nga pjesëtarët e fisit që kanë jetuar në Kodhel, por që fatkeqësisht nuk kanë lënë trashëgimtarë dhe që nuk lidhen me asnjërin nga degëzimet e Mark Shtjefën Gjinit.Dy nga këta janë Marka Lleshi dhe Hilë Gjoni. Ky i fundit ka qenë marrë dhe internuar në Tarabulluz të Anadollit nga pushtuesi turk dhe ka qëndruar atje i internuar(syrgjynosur) e pastaj, në moshë mjaft të thyer, është kthyer në Kodhel, por nuk la trashëgimtarë. Të dy këta nuk kanë lënë trashëgimtarë, ashtu siç mund të ketë pasur edhe të tjerë që nuk kanë lënë trashëgimtarë në Kodhel, se, ose nuk e kanë pasur fatin t’u lindnin, ose jetojnë, por edhe se mund të jenë shpërngulur familjarisht për në ndonjë vend tjetër, kanë qenë pjesëtarë të fisit të hershëm që ka rënë nga Kushneni, por nuk bëhet një lidhje e saktë me fisin, ashtu siç bëhen edhe Jak Hila, Gjergj Marku, Mark Paloka, Luk Preka, apo Ndokë e Vlash Simoni që ishin pjesë e trungut të kësaj peme, por që vdiqën pa lënë trashëgimtarë në mëshkuj, pasi pjesa më e madhe e tyre patën vajza e që trashëgojnë në dyer të familjeve dhe fiseve të tjera në Kodhel e jashtë Kodhelit. Për Jakun dhe Gjergjin nuk dihet në lanë apo jo vajza, por Marku la Shaqen e cila u martua në Kodhel me Ndrekë Hilë Syqin dhe la Ninën, e cila është martuar në Baqel. Kështu edhe Luku la dy vajza të martuara në Dajç dhe Piraj si dhe Ndoka la Dranden, Shaqen, Nushën Daken dhe Pashkën e Vlashi nuk pati fatin të kishte fëmijë në asnjërën nga dy martesat që pati. Meqë nuk mund t’i paraqisja këtu të gjitha vajzat të lindura brenda fisit tonë, nuk kam paraqitur në këtë hartë as vajzat e këtyre që nuk patën fatin të trashëgoheshin me djem. Arsyeja që nuk janë paraqitur edhe vajzat si djemtë ka qenë se nuk mund të vazhdohej edhe me degëzimet e tyre në familjet ku kanë qenë apo janë martuar, pasi do të ishte më shumë se çdo gjë edhe e pamundur, por jo e paarsyeshme pasi në damarët e nipave e mbesave dhe trashëgimtarëve me stërnipa e stërmbesa e në vazhdim rrjedh gjaku i fisit tonë të Gjokhilajve apo gjonaj a ndregjonaj rënë nga Kushneni.

     Do të ishte mirë të paraqiteshin edhe hartat gjenealogjike të fiseve të tjera, por kjo do angazhimin e ndonjërit prej anëtarëve të fiseve të tyre. Edhe vetë do mundja ta bëja, por, duke iu druajtur ndonjë pasaktësie të mundshme të paraqitur aty si dhe pa ndonjë autorizim të tyre, mund të shkaktoja ndonjë pakënaqësi të panevojshme. U takon atyre nderi dhe detyra që të angazhohen në një diçka të tillë e të marrin pjesë aktive në plotësimin e përbashkët të panoramës sa më të plotë për Kodhelin.

fisi-marku-pema

Pema gjenealogjike e fisit Marku, ideuar dhe përgatitur nga Alban Marku, të cilin gjej rastin ta falenderoj për bashkëpunimin mjaft të frytshëm edhe për plottësimin e pemëve gjenealogjike edhe për fiset e tjera.

FISI SYQI

img_0266img_0268

FISI BROZI

img_0270

img_0283

          FLORA DHE FAUNA

       Kodheli për vetë pozitën gjeografike të tij dhe për klimën mjaft të përshtatshme është mjaft i pasur përsa i përket florës dhe faunës. Bimësia që mbulon fushat dhe kodrat e fshatit është mjaft e pasur në llojshmërinë si në formën drunore, ashtu edhe në atë barishtore. Nuk mund të flas me saktësi numrin e llojeve të bimëve, por them se është mjaft i madh e këtu unë do të përpiqem të them disa nga ato më kryesoret për të plotësuar sadopak panoramën e mrekullueshme të natyrës së këtij fshati.

      Para se të paraqes këtu llojet kryesore të bimëve dhe të kafshëve e shpendëve, mendoj se është me vend të paraqes, me aq sa mundem, panoramen e këtij fshati, jo vetëm në zonën e banuar, por në të gjithë zonën e zotëruar të fshatit.

       Kemi cilësuar më sipër se fshati ndodhet mu në qendër të Zadrimës me një largësi pothuajse të barabart me kufinjtë natyrorë që përmbledhin Zadrimën duke e marrë nga veriu me malin e Shën Markut në Vaun e Dejës deri në Grykën e Zezë në jug si dhe nga mali i Kreshtës në lindje dhe në perëndim me malin e Kakarriqit. Në zotërimin e fshatit Kodhel janë tri kodra kryesore: Kodra e Varoshit, Kodër Plesha dhe Kodra e Brokës. Fushat që i takojnë fshatit i përkasin përgjithësisht zonës perendimore të Kodhelit dhe kodrat zonës lindore.

      Pamje e pjesëshme e Kodrave të KodhelitKodrat e Kodhelit, në pjesën më të madhe prej tyre janë mbuluar prej pyjeve. Kështu kanë qenë gjithmonë, si në kohën e diktaturës kur çdo gjë u shpyllzua dhe u bë përpjekje për t’u kthyer në toka prodhuese e që në shumë vende kjo ndërmarrje pati një dështim të pakthyeshëm, ashtu edhe para dhe pas komunizmit. Në Kodhel kjo dukuri preku Varoshin që u shpyllzua nga rrënjët dhe u kthye në një kodër të thatë pa asnjë fuqi prodhuese. Koder Plesha si dhe Kodra e Brokës u prenë gjer në rrëzë drurët ekzistues dhe më pastaj u lanë që të ripërtëriheshin e të ktheheshin në rezervate shtetërore gjuetie. Kodër Plesha me Kodrën e Brokës lidhen me njëra-tjetrën me një istëm(qafë kodre) të vogël tek kisha e vjetër(ku ka qenë ndërtuar dikur ajo) Kodër Plesha është më e vogël se Kodra e Brokës qoftë nga lartësia, qoftë nga sipërfaqja.Kjo kodër latohet nga të gjitha anët në formën e një piramide.

         Në të gjithë këtë reliv kodrinor që përshkrova më sipër si dhe në atë të pjesës fushore ka një larmi të madhe bimësie. Duhet thënë se pjesa fushore është tërësisht e kultivuar me drithëra, foragjere e aty-këtu me pemë frutore, por në kohën e parakolektivizimit të bujqësisë edhe pjesa më e madhe e fushës ka qenë e pyllzuar me lloj-lloj drurësh e shkurresh frutore dhe jofrutore.Ajo pjesë e fushës kishte edhe mjaft pellgje dhe vija uji që së bashku me pyjet arat dhe livadhet që kishte i jepnin asaj një pamje mjaft piktoreske dhe mjaft të rrallë. Ishte si një Amazonë e vogël, por nuk u ruajt ashtu siç ishte pse kooperativa bujqësore e ngritur në fshat aty nga viti 1956-57 i ktheu këto pyje, livadhe dhe vija e pellgje uji në toka prodhuese bujqësore duke shkulur pyjet madhështore shumëshekullore me një bimësi mjaft të rrallë të zonës.

        Në pjesën kodrinore, përveç kopshtinjve me perime e pemë frutore, në mbi 95% mbulojnë sipërfaqen pyjet me drurë e shkurre të llojeve të ndryshme.Këtu ka drurë të rinj siç janë pishat të mbjella që në kohën e diktaturës në zonat e zhveshura veçanërisht dhe sot i japin një hijeshi të veçantë panoramës së kodrave e plotësojnë gjelbërimin e munguar në mjaft pjesë tradicionalisht të zhveshura. Siç shihet edhe në foton e më poshtme, aty fare lehtë mund të krijohet një turizëm natyror, pasi aty është gershetuar natyra mesdhetare me atë kontinentale në një mënyrë mjaft të përsosur, mjaft të ketë vullnet e dëshirë për ta krijuar atë dhe leje e nxitje edhe nga shteti. Aty mes pishash mund të ndërtohen hotele apo hostele të vogla moderne dhe me shumë pak shpenzime, aty mund të ftohen turistë nga vende të ndryshme të botës dhe vendas. Dikurë, në kohën e diktaturës Kodheli ishte në njëfarë mënyre një pikë turistike. Turizmi aty u zhvillua në një mënyrë krejt origjinale  nga elita e lartë shtetërore dhe vetëm nga ajo. Aty vinin shtetarët e kohës dhe gjuanin shpend dhe kafshë të ndryshme nga fauna e pasur që aty ekzistonte. Sot nuk them se duhet të zhvillohet përsëri turizmi i gjuetisë së kafshëve dhe shpendve, përkundrazi, fauna e zonës mjaft e pasur duhet ruajtur si një pasuri e rrallë dhe mjaft e çmuar me vlera të papërsëritshme, por them se aty duhet të tërhiqen turistë veç për ta vizituar dhe shijuar atë panoramë të mrekullueshme që të shpalos natyra e virgjër e Kodhelit. Po të shikohet me kujdes kjo pamje, ajo që thashë pak më sipër flet vetë më shumë se fjalët e mia; fushat e gjelbërta, kodrat e mveshur me pyje dhe sfondi nga pas me male kodrinore gati krejt të zhveshura, një kontrast mjaft i madh dhe i dukshëm.

Kodheli një ishull paqeje

        Në pasurinë e madhe dhe të papërsëritshme të shumëllojshmërisë bimore të pyjeve të Kodhelit një vend të veçantë zë lisi si dhe qarri. Gjithashtu, edhe frashri është mjaft i përhapur në mjaft pjesë të kodrave. Drurë të tjerë janë edhe dardhat e egra, mollat e egra, verri, plepat e egjër, vidhat, shelgjet, kolumbria, dafina dhe mjaft bimë shkurrore si thana, shqemi, hardhaqeni, ferrëkuqja, morrizi, shkoza, dëllinja, thanbardha, e ndonjë tjetër. Nëpër pyjet e vjetra të dendura ka pasur edhe mjaft bimë kacavjerrëse siç ka qenë urthi, kulpra apo larushi, një lloj hardhije e egër.Gjithashtu ka pasur mjaf bimë barishtore me cikël të shkurtër dhe të gjatë jetësor.Të tilla kanë qenë rrushkulli, lisna aromatike, lulekaçat që kanë ekzistuar në formën e shkurreve si dhe ferrmanat. Por ka pasur mjaft bimë të egra barishtore që në kohë të ndryshme kanë zëvendësuar më së miri perimet në raste mungesash, por edhe si aromatizuese, si muraja e butë, se ka pasur edhe murajë të egër dhe ne e kemi quajtur murajqen, mëllagat, nenat, hithërat, labotët, veshlepuri, këmbëpata, kilikaza, si dhe mjaft lule të ndryshme që hijeshonin dhe e aromatizonin mjaft sipërfaqen e kodrave dhe të fushave gjatë stinës së pranverës apo të verës, si lulezoja, aguliçja apo lulja e pashkës, vjollca, salepi, batrrat, rrëshqelli, tatulla, rridhi, lëpushka, zhabina, lulëkuqet, zambakët e egër, lulegjarpri, bostani i egër, manushaqet etj. Mjaft prej këtyre bimeve shumëherë janë përdorur edhe si mjete kurative në sëmundje të ndryshme në mungesë të ilaçeve mjeksore. Në fakt jam i bindur se nuk kam thënë pothuajse asgjë në krahasim me numrin e madh të llojeve të bimëve që kanë ekzistuar dhe ekzistojnë, ndaj për këtë duhet dora dhe kujdesi i një specialisti dhe seleksionuesi të aftë për t’iu afruar sadopak limitit të numrit të llojshmërisë së bimësisë që mbulon sipërfaqen e kodrave dhe fushave të Kodhelit. Gjithashtu, edhe perimet e kultivuara kanë qenë dhe janë të llojeve të ndryshme.Të tilla janë hudhra, qepa, prasi, lakra, domatja, patatja, patëllxhani, speci, sallatërat, kungulli, kastraveci, pjepri, shalqini, etj. Ndër pemët frutore që sot janë të shumta dallohen vreshtat e rrushit me varietete të ndryshme, fiku, dardha, molla, ftoi, kumbulla, qershia, pjeshka, arra, mani, kimça, aty këtu tash edhe ndonjë agrume si portokallja, limoni, mandarina, si dhe shega e egër dhe e butë e ulliri.

     Përsa i përket faunës mund të them se edhe ajo është mjaft e pasur si në kafshë ashtu edhe në shpend dhe duhet mjaft vend për t’i cilësuar dhe përshkruar llojet e tyre, por po mjaftohem të cilësoj këtu disa si: lepuri i egër, dhelpra, ujku, nuselale, vjedulla, lundërza, iriqi, breshka të ujit dhe të tokës, e ndonjë tjetër. Thotë një shprehje:”S’ka pyll pa derra”, por ja që në pyjet e Kodheli nuk kanë ekzistuar sa unë di e mbaj mend dhe besoj se edhe tash nuk egzistojnë atje, edhe pse në kohën e diktaturës kodrat e Kodhelit kanë qenë një rezervat i shkëlqyr gjuetie, por jo për shtresat e mesme dhe të ulëta të popullsisë. Ato ishin vetëm për elitën e lartë, madje më të lartën e piramidës udhëheqëse diktatoriale. Aty ka pasur fazanë që ishin importuar dhe jo se kanë qenë autoktonë, thëllënza, shapka, mëllenja e turtuj, të gjitha këto autoktone, por edhe shumë të tjerë shpend si shqiponja, skifterë, bufa, hutërroja, kukumjaçka, korba, sorra, laraska, çafka, grifsha, garguj, trumcakë, kanarina, fikëza, qyqe e mjaft zogj të tjerë uji a toke të llojeve të ndryshme me emra të caktuar, por që nuk më kujtohen t’i paraqes saktë emrat e tyre e që kanë qenë mjaft interesantë. Disa prej tyre nuk besoj se ekzistojnë më pas prerjes së pyjeve dhe rrafshimit të vijave të vjetra të ujit. Mendoj se është me vend të them se Kodheli me kodrat e tij mjaft piktoreske ka qenë zgjedhur ashtu siç e thashë më sipër, nga shteti komunist si vend argëtimi për elitën e lartë të piramidës shtetërore, por nuk u bë asgjë për t’ia ndryshuar pamjen atij vendi, nuk u bë pothuajse asnjë investim i veçantë, qoftë edhe në shtrimin e ndonjë rruge automobilistik, veç ndonjë llogoreje lufte a vendstrehim e asgjë më shumë.

    Edhe zvarranikët dhe amfibët janë dhe kanë qenë të llojeve të ndryshme.

    Bleta ka qenë një ndër insektet më tradicional dhe më dobiprurës për Kodhelin si për të gjithë Zadrimën dhe krejt vendin.Edhe sot bleta ruhet si traditë tek mjaft banor të sotëm në mbarështimin e saj në kushte moderne me nga disa koloni.Me qenë se zona është e mbushur me shumë lloje lulesh, kushtet e mbarështimit të bletës janë mjaft të mëdha dhe të favorshme.Në hershmëri, zgjojtë e bletëve krijoheshin në mënyrë natyrale me zgavra drurësh marrë drejtpërdrejt nga pyjet e fshatit.Gjithashtu, në pyjet e hershme ekzistonin aty-këtu edhe bletë të lira deri në momentin kur dikush i gjente dhe i bënte pronë e vathës së tyre duke e marrë së bashku me zgavrën ku e gjenin, apo edhe duke e joshur me erëza të veçanta siç ishte edhe bima e mjelzës së bletës dhe duke e futur në zgjojtë boshe. Në hershmëri, gjithashtu, marrja e mjaltit bëhej me mënyrat primitive që e dëmtonin mjaft bletën, por sot, jo vetëm që nuk dëmtohen ato, por edhe vazhdojnë t’i mbarështojnë mjaft mirë, pasi kushtet e sotme ua lehtësojnë këtë mundësi. Ka qenë karakteristikë se në gjuhën e popullit të Kodhelit dhe besoj në krejt gjuhën shqipe, kurrë nuk është përdorur fjala “ngordh” apo “cof” për bletën dhe ishte eufemizmi “vdes”, ashtu siç thuhej edhe për njerëzit. Ishte herezi të thuhej “kjo bletë ka cofë” apo “kjo bletë paska ngordhë!”. Dukej si një blasfemi përdorimi i atyre dy fjalëve siç përdorej për çdo kafshë, shpend, zvarranik apo insekt tjetër, sado të dobishëm kanë qenë për njerëzit. Dukej qesharake të thuhej se vdiq kjo lopë….ky kal…..ky qen….kjo dele….kjo pulë….kjo patë, por kurrë nuk ishte qesharake për “vdiq kjo bletë”. Pra bleta ishte barabitur me njeriun në përdorimin e fjalës “vdes”, pasi ishte insekti më dobiprurës e jashtzakonisht i dashur për njeriun; ishte insekti i jetës.

    Krimbi i mëndafshit ishte gjithashtu një nga insektet më dobiprurëse dhe mjaft tradicional në mbarështimin, apo më mirë të themi në kultivimin e tij.Mjaft gra nga Kodheli e patën traditë kultivimin e krimbit të mëndafshit dhe nxirrnin mëndafsh të një cilësie mjaft të lartë prej tij. Duke qenë se Kodheli kishte edhe mana mjaft në shumë familje, mundësia e kultivimit të këtij insekti të butë dobiprurës ishte jo e vogël. Gratë i merrnin farat(vezët) e krimbit të mëndafshit dhe i vendosnin mbi gjethe të njoma mani në ndonjë nga dhomat e shtëpisë(zakonisht në dhomat e gjumit të tyre) dhe pasi larvat dilnin nga vezët e tyre, i ushqenin me kujdes me gjethe të freskëta të manave duke ua ndërruar herëpashere. Gjethet zgjidheshin me kujdes dhe kryesisht nga mana të painfektuar apo të paspërkatur me kimikate të ndryshme, pasi e dëmtonin krimbin e mëndafshit duke i shkaktuar edhe vdekjen e tij. Me që e përmenda këtë fakt, duhet të them se ashtu si për bletën edhe për krimbin e mëndafshit gjithmonë është përdorur eufemizmi “vdes” dhe jo “ngordh” si për gjallesat e tjera veç njeriut. Ndoshta nuk është aspak etike ta them këtu, por ka pasur edhe raste që ndonjë familje që nuk e kultivonte vetë krimbin e mëndafshit, por që kishte ndonjë dru mani(pemë) dhe dëshironte të mos ia dëmtonin duke ia marrë degët e gjethet nga ato gra që e kultivonin krimbin e mëndafshit, i spërkatnin degët dhe gjethet e manit me shëllirë sheke dhe atëherë e ruanin atë bimë si dhe frutat e saj të padëmtuara, pasi po t’i merrnin gjethet për ta ushqyer krimbin e mëndafshit, ky i fundit vdiste pa diskutim.

      Kur krimbi i mëndafshit arrinte kulmin e rritjes së tij, para se të kthehej në krisalid, endte fshikëzën e tij të mëndafshtë dhe mbyllej brenda saj. Amvisat që e kultivonin, disa nga ato fshikëza i ruanin për të marrë farat(vezët) për ta kultivuar përsëri në vitin që vjen. Fshikëzat e tjera i përvëlonin dhe pastaj ua merrnin fijet e mëndafshit të cilat i përdornin për të endur pëlhura të ndryshme prej mëndafshi, apo për të qendisur me të.

                  Traditat

      Mendoj se duhet thënë diçka edhe për traditat dhe zakonet që Kodheli në përgjithësi ka trashëguar e ruajtur si dhe për ato që kanë ekzistuar, por që sot në kohërat moderne janë venitur e zbehur mjaft e, një pjesë prej tyre janë harruar e lënë mënjëanë si diçka të panevojshme për t’u përdorur. Disa nga traditat janë çuar më tej dhe janë zhvilluar në kushtet e një jetë tjetër të re. E rëndësishme është se traditat më të mira janë ruajtur dhe zhvilluar më tej edhe në ditët e sotme duke u pasuruar me elemente të reja të kohës. Këtu më poshtë po i përmend ato më të rëndësishmet sipas njohjes sime duke u mbështetur në kujtimet e së kaluarës si dhe në thëniet e njerëzve në kohëra të ndryshme.

           Mikpritja ka qenë një nga traditat më të shquara të fshatit Kodhel dhe në tërë zonën tonë.Këtë traditë e kanë shfaqur dhe ruajtur në kohë të ndryshme për këdo që ua ka shkelur pragun e derës si mysafir.Banorët e Kodhelit kanë pritur e përcjellë këdo me bujari dhe respekt.Sofrën ua kanë shtruar me të gjitha të mirat që ato kanë pasur si në kohëra të mira ashtu edhe në kohëra të vështira.Në kohëra të vështira kanë hequr kafshatën e gojës së kalamanjëve të tyre për t’ia shtruar mikut që u ka shkelur pragun e derës, ose për t’ia dhënë lypësit që u ka trokitur në derë për një kafshatë bukë. Miqtë janë vlerësuar pothuajse njësoj në mikpritje pa dallim race apo feje, i njohur ose  jabanxhi i panjohur në pastë qenë,madje këta të fundit janë respektuar e përkrahur në mos më shumë se të njohurit e të afërmit. Domëthënës është fakti që sidomos fisi ynë ka pasur një shtrirje mjaft të madhe miqësie sidomos në të ashtuquajturën miqësi buke e bese. Kurrë nuk është shikuar nëse ka qenë jevgjit, gabel apo diçka tjetër rrugëtari që u ka trokitur në derë, por i është hapur dera gjithmonë e është mikpritur me të gjitha nderet që i kanë takuar një miku të nderuar.Hallexhinjtë kurdoherë kanë gjetur bukën e kripën dhe zemrën e mirë, siç i kanë thënë fjalës. Besoj se edhe sot ky zakon i mirë i të parëve tanë ekziston i freskët dhe i pacënuar tek të gjithë banorët e Kodhelit.

          Besa ka qenë gjithëmonë një traditë që jo vetëm nuk është shkëputur kurrë nga mikpritja, por është vlerësuar si një diçka e shenjtë dhe e pacënueshme për këdo. Shumëherë kanë gjetur strehim e mbrojtje si dhe besë njerëz të ndryshëm nga krahina të ndryshme për gjakmarrje.Këta njerëz më vonë i kanë vlerësuar besën e mikpritjen që kanë gjetur aty dhe kanë lidhur miqësi të forta e të qëndrueshme.

         Veshjet kanë qenë karakteristike për fshatin Kodhel si për të gjithë krahinën e Zadrimës. Ka qenë traditë e veçantë edhe përpunimi i tyre nga vetë njerëzit e fshatit e të krejt Zadrimës. Dallueshmëri kanë pasur sidomos veshjet e grave në larminë e zbukurimeve e të ornamenteve. Ngjyrat mbizotëruese kanë qenë e kuqja dhe e bardha e në disa raste e zeza.Gruaja zadrimore veshjet e veta i ka përgatitur vetë në vegj, ose siç i ka quajtur vetë ato në vekë, ose i ka thurur me shtiza, të ashtuquajtura gjypnyer. Si material është përdorur dendur lini (liri, kërpi), por i përpunuar mirë e me kujdes të veçantë në mangnë e gërhanë.Gjithashtu është përdorur edhe mëndafshi të cilin e kanë kultivuar e përpunuar me mjeshtëri e kujdes të veçantë, si dhe pëlhurat e pambukta të cilat i kanë blerë si lëndë të parë në treg të papërpunuar (fill) e pastaj e kanë endur e përpunuar në vegj.Me li kanë endur dhe punuar rroba të trasha dimërore të cilat janë quajtur të linjtat. Gjithashtu është përdorur edhe leshi i deleve për triko, çorape, trasta, qilima, rrobe shajaku e të tjera. Qëndismat kanë qenë një traditë e veçantë dhe e rrallë për të cilat Zadrima zë një vend unikal mund të them se jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Në përgjithësi kjo traditë në ditët e sotme pothuajse është zbehur totalisht, megjithëse ka mjaft punishte që janë krijuar tashti ose gra të veçanta që po mundohen ta ripërtrijnë këtë traditë të shkëlqyer të Zadrimës megjithëse vajzat e reja, s’e besoj se sot i përdorin më veç në i përdorshin për qejf në raste të veçanta. Qëndismat mundet që sot t’i kryejnë veç në objekte zbukurimi si takëme shtëpiake dhe jo në veshmbathje.

10891735_1546366512304894_1595053974769738555_n

    Edhe veshjet e burrave kanë pasur karakteristika të veçanta. Është përdorur mjaft shajaku për çakçirët(tirqet) e xhurdinjtë(xhoket) e për dollamat. Shumë herët kanë qenë përdorur opinga lope të përpunuara nga vetë burrat me lëkura lopësh, por më vonë dolën nga përdorimi e u zëvendësuan me opinga llastiku me një jetëgjatësi më të madhe e më të forta në përdorim.Sot edhe këta kanë kohë që kanë dalë nga përdorimi e janë zëvendësuar me këpucë të markave e modeleve nga më të ndryshmet e nga më modernet. Në kokë mbanin qeleshe të bardha. Sot s’e besoj se ndokush përdor më qeleshe, veç ndonjë të moshuari të rrallë.

          Kuzhina ka pasur artin e saj të veçantë.Karakteristike ka qenë buka e gatuar me një mjeshtëri të veçantë dhe që kishte një shije të rrallë e të veçantë.Është përdorur misri dendur për gatimin e bukës dhe furra të vogla artizanale.Kjo lloj buke është quajtur bukë qethi pasi ngjeshej brumi fort e, para se të futej në furrë për t’u pjekur, hapej në qeth. Më vonë me krijimin e kooperativave të mëdha u zevendësua kjo bukë me bukën e misrit të gatuar në furrat e mëdha të kooperativës dhe nuk e pati kurrë shijen e bukës tradicionale. Është përdorur edhe buka e mbrunjtur prej mielli gruri të cilën e quanin ’’mrume’’, por edhe buka e ngjeshur e grurit që quhej ’’pogaçe’’. Me raste të veçanta është përdorur edhe buka e misrit e mbrujtur dhe është quajtur ’’kamkuqe’’.Të gjitha llojet e bukëve të gatuara tradicionalisht kanë pasur shije të veçantë dhe shumë të mirë. Buka e qethit, edhe pse prej mielli misri, ka pasur një emër të mirë në të gjithë vendin dhe kush ka pasur rastin ta shijojë një herë e ka ruajtur në kujtesë si një diçka të rrallë e të veçantë. Ndre Mjeda i madh i cili ka pasur rastin ta shijojë disa herë këtë bukë edhe tek shtëpitë e fshati tonë thoshte: ’’bukë kollomoqe me mshesh tamla të mira për zotnijtë’’ dhe kishte parasysh bukën e qethit, traditë e Zadrimës.

    Tradicionalisht janë përdorur mishi i derrit me lakra gjatë dimrit e në të kreshme fasulja, peshku e zarzavatet e ndryshme. Në ditë festash fetare(Shën Rrokut dhe Rruzares) janë therur bagëti të imta e shumëherë edhe ndonjë viç, por asnjëherë nuk është therur derr për t’i festuar këto festa. Në netët e shënuara si të Shën Nikollit, Shën Zefit apo ndonjë festë tjetër janë therur përsëri gjela pulash ose edhe ndonjë bagëti e imët. Ndër zahiretë e dimrit, në radhë të parë ka qenë mishi i derrit i bërë pastërma. Ka qenë traditë e shkelqyer për Kodhelin tharja dhe përpunimi i mishit të derrit si dhe përgatitja e kurmagjakëve dhe e suxhukëve me copa mishi, speci dhe hudhre. Gjithashtu, traditë ka qenë përgatitja e turshive me domate jeshile, kastraveca, lakra dhe speca, por shumë herë edhe me vezë të ziera.Përgatitja e turshive ka përfshirë edhe ndonjë perime tjetër sidomos kokrrat vjeshtake të pjeprit që ndryshe janë quajtur canguj. Edhe përpunimi dhe regjja e ullinjve ka qenë traditë për Kodhelin.

   Qumështi ka qenë përdorur për djathë e për gjalp si dhe për produkte të tjera si kos, dhallë etj. Në raste të nevojshme edhe shëllira e shekës është zier dhe e përzier me pak miell misri kryesisht, është kthyer në ushqim për njerëzit e familjes.Po kështu edhe nga dhalla është përgatitur shëllira e dhallës dhe ishte mjaft e shijshme.Një produkt tjetër i qumshtit ka qenë edhe hirra që e zier dhe e përpunuar është quajtur kjumsht dhe mjeshtërisht i përgatitur dhe thartuar në masën e nevojshme kishte mjaft shije dhe përdorej si pije freskuese për njerëzit e familjes.Përveç shijes së mirë, kjumshti kishte edhe vlera të veçanta kurative.

    Për përgatitjen e ëmbëlsirave janë përdorur mjalti që kurrë nuk ka munguar dhe ka qenë me bollek në shtëpinë tonë, kështu, besoj edhe në shtëpitë e tjera të Kodhelit, qumështi, vezët dhe mielli i grurit.Me to janë përgatitur pite të ndryshme e pelte me mjaltë. Gjithashtu ka qenë traditë përpeqi me kulloshtër e me vezë por edhe me qumësht e me vezë kur kulloshtra mungonte e duhej përgatitur për mysafirët e për raste festash. Shumëherë është përdorur edhe kryelana e përgatitur me gjalpë, brume mielli misri dhe mjaltë ose sheqer.

    Pulendra ka qenë tradicionale dhe përgatitej me miell misri dhe zhigla (copa mishi  të dhjamosura derri, ose më mirë të themi nga copa dhjami të shkrirë) ose thjeshtë me yndyrë derri.

    Thuhet se në hershmëri, kur nuk është njohur misri si produkt për bukë, është përdorur një produkt tjetër që tashmë nuk njihet fare dhe është quajtur’’mel’’. Por me sa duket edhe fara e lirit është përdorur për bukë dhe ka të ngjarë për disa arsye të thjeshta: e para me që liri ka qenë kultivuar në masë të madhe për t’u përdorur për veshmbathje edhe farat e tij ka mundësi të kenë gjetur përdorim për vetë faktin se janë mjaft të pasura në vlera ushqimore; e dyta është fakti se në mungesë të grurit që mund të mos ketë qenë i mjaftueshëm si dhe të misrit që mund të jetë njohur relativisht vonë, mund të jetë përdorur ky produkt. Nga ana tjetër ka ekzistuar si një gojëdhënë se njërit prej të parëve të fisit tonë të cilin e thërrisnin tata Gjini i kishin ngjitur një bejte që ka qarkulluar dendur herët dhe ka arritur në formën e proverbit në kohët e mëvonshme në këtë formë:’’Tata Gjini mjekërrthimi çka po çon tek mullini?Melekuq e fare lini’’. Këtë gjë e thoshin më të moshuarit që unë i kam njohur dhe e cilësonin si fakt se në kohë të vjetra janë përdorur për të gatuar bukë për njerëzit këto asortimente.Meli ka qenë një si tip fshese me fara të vogla dhe të mveshura, por që sot as kultivohet e as njihet si bimë në Zadrimë.

     Banorët e Kodhelit, krahas perimeve dhe zarzavateve të prodhuara në kopshtet e tyre, kanë shfrytëzuar edhe bimësinë e egër për përgatitjen e ushqimeve. Kanë qenë njohës të mirë të tyre dhe kanë zgjedhur me kujdes frutat e pyllit sidomos kërpurdhave ushqimore si dhe të barishteve të tjera duke i përdorur edhe për lakrorë e petanikë të ndryshëm, por edhe për erëza në ushqime si muraja e butë(finoku), mendra, apo mjelza e bletës si dhe lisna kur përdorej në turshi.

        Gjuetia ka qenë një traditë e hershme e trashëguar në fshatin tonë. Ajo është përdorur edhe si mjet argëtimi, por edhe si mjet për të siguruar ushqim për njerëzit e familjes. Më së shumti ka qenë e përhapur gjuetia e lepujve si dhe e shpendve (patave, rosave, turtujve dhe e thëllënzave).Gjithashtu edhe gjuetia e dhelprave ka qenë e përdorur e ka shërbyer për gëzofin e tyre si dhe për të ruajtur vendin të padëmtuar nga këto grabitqarë shpendësh.Edhe peshkimi ka qenë mjaft i zhvilluar dhe siguronte ushqim e të ardhura të konsiderueshme.Ka pasur mjaft vija të mëdha uji të pasura me peshk e ngjala.

         Dasmat janë zhvilluar me rite tradicionale për fshatin tonë e krejt Zadrimën. Nuk e shoh me vend të futem në hollësira në zhvillimin e tyre tradicional,jo pse është pa interes për t’i përshkruar ato, por pse do të duhej një kohë e gjatë për t’i trajtuar. Nga ana tjetër, e kam trajtuar më gjerësisht në një shkrim tjetër me titull “Kënga dhe rituali i dasmës Zadrimore”. Këtu unë po ndalem në ato tipare më thelbësore të zhvillimit dhe të evolimit të tyre në kohë. Zakonisht nuk është preferuar që nuset të merren në zona e fshatra të largëta e rrallëherë brenda fshatit. Nusja është marrë me duvak të kuq në kokë e mbuluar dhe në rastet kur në fis ka pasur ndonjë vdekje të afërt në kohë ose edhe në fshat ka pasur gjithashtu ndonjë vdekje të dhimbshme, nusja ka ardhur e mbuluar me duvak të zi (futë të zezë) dhe, kur ka hyrë në territorin e fshatit është përkulur përmbys mbi shpinën e kalit ku ka qenë e hipur. Në këto raste nuk është kënduar e as hedhur valle në respekt e në kujtim të personit të vdekur e të familjes së tij.Por në këto raste të afërmit e të vdekurit kanë shkuar të parët dhe kanë hapur dasmën duke kënduar edhe pse për vete kanë qenë në zi.Pra me dashamirësi dhe respekt për njëri-tjetrin banorët e fshatit nuk kanë shkelur asnjëherë në ndjenjat e njëri-tjetrit dhe as kanë bllokuar njëri-tjetrin në çaste të këtilla gëzimi.Banorët e Kodhelit e kanë konsideruar vetën si pjesëtarë të një familjeje të madhe dhe kështu e kanë respektuar njëri-tjetrin në çdo rast.

     Nusja është marrë zakonisht me kalë të bardhë shale mbi të cilin më parë se nusja të vinte, kishte hipur deveri, një djalë i vogël i familjes ose i fisit që kishte një lidhje gjaku të afërt me dhëndrrin.Kur mungonte kali i bardhë, mund të merrej një kalë i kuq, por asnjëherë i zi dhe gjithnjë një kalë mashkull.Deveri mund të ishte vëllai i dhëndrrit, nipi ose kushëriri që mund të ishte dhjetë ose më pak vjeç e në raste të veçnta edhe pak më i madh se aq. Ishte e preferuar të shkonin shumë krushq dhe nuk ishte i domosdoshëm një numër i caktuar si në Mirditë e krahina të tjera.Krushqëve u printe krushkapari një burrë i fisit që në shumë raste ishte i paracaktuar nga vetë fisi, por që në disa raste edhe mund të ndryshonte, sidomos kur dasma binte në familjen e tij.

   Dasma niste dy javë para se nusja të vinte tëk dhëndrri. Zakonisht niste me të djelën e parë të leçisë dhe mblidhëshin bijat dhe miqtë më të afërt të dhëndërrit e të të zotit të shtëpisë. Leçia bëhej në të dy kishat në fshat të dhëndërrit dhe në fshat të nuses me qëllim që njerëzit të njoftoheshin e në rastet që ndokush kishte ndonjë njohje që kjo lidhje martesore duhej ndaluar me çdo kusht duhej ta thoshte në kohë pa u bërë martesa. Kjo nënkuptonte ndonjë lidhje gjaku që nuk ishte njohur më parë si dhe lidhje shnjoni (Shën Gjoni; pagëzim, krezmim) ose kumbarie. Zakonisht atëhere fillonte edhe kënga, vallja e hareja.Çdo mbrëmje mblidheshin njerëzit e fisit dhe herë-herë edhe të fshatit tek shtëpia e dhëndërrit e këndonin, hidhnin valle dhe organizonin lojëra të ndryshme popullore.Ashtu siç e cilësova edhe më lart, në rastet kur kishte pasur ndonjë vdekje të afërt në fshat nuk këndohej veç në ato raste kur një i familjes së të vdekurit vinte dhe e hapte i pari këngën.Në javën e dasmës në ditën e enjte (për djalin) dhe të premten (për vajzën) mblidheshin burrat e fisit në shtëpinë e atij që martohej dhe shpërndaheshin thirrësat që në mëngjes. Në mbrëmje mblidheshin përsëri dhe raportonin për njerëzit që kishin thirrur dhe dhuratat që ata kishin marrë prej atyre që kishin thirrur për dasëm. Hanin darkë aty dhe pas darke caktoheshin detyrat për secilin anëtar të fisit. Punët ishin të shumta dhe  të larmishme duke filluar që nga caktimi i të zotit të shtëpisë që nuk ishte e thënë të ishte vetë kryefamiljari i familjes ku bëhej dasma, por mund të ishte edhe një njeri me influencën më të madhe të fisit dhe që mund të kishte edhe një lidhje më të afërt gjaku me të zotin e shtëpisë ku bëhej dasma, e deri caktimi i shërbyesit më të fundit. Pra bëhej një organizim i përsosur i punëve dhe ditën e dasmës që zakonisht bëhej të hënën secili shkonte e kryente me përpikmëri punën e vet. Zakonisht këto që thashë më sipër i takonin dasmës në përgjithësi e në veçanti dasmës së djalit, pasi ka pasur ndryshime të vogla me organizimin e dasmës së vajzës. Kur fisi ishte i vogël në numër në fshat bashkoheshin fiset e tjera për ta organizuar dasmën.

     Gradualisht edhe kjo traditë filloi të ndryshonte në bazë të kushteve të reja dhe në kohë të reja. Vendin e kalit të bardhë të shalës me të cilin merrej nusja filluan ta zinin me radhë mjete të reja më moderne e kryesisht filluan të përdoreshin kaloshinët e pas tyre sharopajkat në kohët e kooperativave bujqësore. Më vonë filluan të viheshin në përdorim makinat e transportit të kooperativave bujqësore e akoma më vonë në fillimet e demokracisë u përdorën aotobusat e furgonat private.Tashti përdoren benza e makina të tjera të markave të ndryshme e në vende të ndryshme edhe limuzinat. E them këtë jo në përgjithësi për njerëzimin, por për njerëzit e fshatit tonë pasi ata janë përhapur nëpër botë dhe kur kanë ndodhur t’i kenë bërë dasmat, i kanë bërë duke përdorur edhe limuzinat. Kështu edhe vendin e duvakut e zuri tërësisht veli e kurora e vendin e koretit e të shamijave, traditë për nuset e reja zadrimore e zunë fustanet e modeleve e llojeve të ndryshme.

   Lojërat popullore: Ka ekzistuar një traditë e pasur me lojëra popullore të larmishme që janë luajtur në raste të ndryshme në fshat. Mbaj mend që kur isha fëmijë në shtëpinë tonë mblidheshin djemtë e burrat e fisit, por edhe nga fshati dhe luanin lojëra të ndryshme popullore dhe ne argëtoheshim së tepërmi me to. Nuk e di pse pikërisht tek shtëpia jonë, por mendoj se kushtet ishin më të përshtatshme se në shtëpitë e tjera të fisit tonë. Shtëpia jonë kishte qoshkun e madh ku zakonisht rrinin burrat e shtëpisë dhe odën e madhe ku zakonisht rrinin grate e familjes dhe fëmijët e vegjël. Kullat e tjera nuk i kishin këto karakteristika dhe këto kushte të favorshme për t’u mbledhur burrat dhe të rinjtë e lagjes e më tej për të kuvenduar e për t’u argëtuar.Kështu besoj se bëhej edhe në lagjen tjetër të fshatit.Mezi prisnim të vinte mbrëmja e të mblidheshin të rinjtë e burrat për të luajtur lojëra popullore. Ndër të shumtat lojëra në kujtesë më kanë mbetur: “Ban usta siç ban baba”, “Të ra kush të ra, turrën drejt kush u ka”, “Bati-bat”, “Kube, gjik, maskarallik”,”Filxhanash”, apo “Kësulash”, e të tjera që tashti për momentin nuk po më kujtohet, por këto ishin lojëra që luheshin në ambjente pak a shumë familjare të mbyllura, se në terrene të hapura luhej edhe “Kala dibrançe”,”Shkapërcejsh” e të tjera. Më kujtohet që kur isha fëmijë dhe kur kisha e fshatit ende nuk ishte mbyllur, rrugën që nga pataloku para shtëpive tona e deri tek kisha e bënim me lojën “shkapërcejsh”. Rruga gjer atje ishte afërsisht një kilometër dhe ne e bënim kështu atë rrugë si dhe kthimin. Dikush nga ne zinte vend diku në fillim duke u përkulur si një kaluç kërcimi dhe të tjerët i kalonin duke e kapërcyer siç kapërcehet kaluçi. I dyti vendosej 6 deri në 10metra më tej dhe kështu me radhë deri sa arrinim tek kisha.Fëmijët gjithashtu kishin lojërat e tyre tradicionale si: “Shkop e cingël”, “Dojkë”, “Top xhixhi”, “Topthi”, zakonisht për djem, por kishte edhe lojëra për vajza si:  “Kamkizë”, “Guriç”, “Hanësh” etj. Kur shkonim të ruanim bagëtitë nëpër kodrat e fshatit luanim “Rrasash” që ka ngjashmëri me bowlingun, por me ca rregulla të tjera. Luhej me dy lojtarë që secili vendoste tri rrasa guri në këmbë njëra pas tjetrës në një distance të afërt me njëra-tjetrën që mundësisht të ciknin njëra-tjetrën po të rrëzoheshin. Me short vendosej se kush mund të gjuante i pari dhe kishte të drejt që të gjuante tri here radhazi për t’i rrëzuar dhe kështu me radhë. Distanca ishte e konsiderueshme popzicioni i njërit nga pozicioni i tjetrit 25 apo më shumë metra. Veç kësaj loje ishte edhe loja “Rras buç” ku mbi një rrasë të madhe guri vendosej një gur i vogël sa një grusht pak a shumë i rrumbullakët dhe pjesëmarrësit gjuajnë me radhë me ca rrasa të vogla me synim që ta heqin buçin(gurin e vogël të rrumbullakët) nga rrasa e madhe ku është vendosur. Gjuajtja bëhet nga një distance e paracaktuar afërsisht 10-12 m apo më pak.

     Natën e Krishtëlindjeve ishte traditë të digjej në oxhakun e shtëpisë një degë dëllinje. Kodrat e Kodhelit e kishin karakteristikë këtë bimë halore, por sot nuk e di në ka mbetur më ndonjë bimë e tillë. Kur filloi tradita e përgatitjes së pemës së Krishtlindjeve, krahas degëve që si traditë e hershme ishte t’i digjnin në oxhakun e shtëpisë, fshatarët nisën t’i prisnin pa kriter për të zbukuruar shtëpitë me rastin e Vitit të Ri, se ishte herezi të viheshin për Krishtlindje nga që regjimi komunist e kishte ndaluar fenë. Natën e Të Lidhurave dikush nga familja duhej të merrte furkat me të cilat grate tirrnin leshin, shkonte dhomë më dhomë duke i lidhur me një fill të trashë të leshtë e pastaj dilte t’i fshihte diku jashtë shtëpie. Këta duhej të rrinin të fshehura për gjatë gjithë motit të lidhur siç ishin “Kreshmet”. Megjithatë, nuk jam i sigurt sa zgjaste mbajtja e tyre e fshehur, por mbaj mend se nuk duhej që dikush të shkonte e t’i gjente ato, se thuhej se do të sëmurej. Gjithashtu di se për çdo lidhje nyje që bënin me fillin e perit përsëritnin nga një lutje drejtuar Shën Martinit t’u lidhte gojën ujqërve të mos ua dëmtonin bagëtitë, t’ua lidhnin gojën krimbave të mos ua hanin drithërat në arë, t’ua lidhnin gojën, këmbët e duart sëmundjeve, vdekjes dhe bakëqinjve që të mos ua dëmtonin shëndetin, gëzimin dhe qetësinë njerëzve të familjes.

EPSON MFP image
grupi artistik i Kodhelit 1968

   Tradicionalisht Kodheli ka gumëzhitur jo vetëm nga ushtima e këmborëve dhe blegërimave të bagëtive edhe kur fshati ka qenë mjaft i vogël, por edhe nga tingujt melodiozë të zëmareve, të fyejve dhe bilbilave që u binin çobenët e tufave të mëdha në kohërat parakooperativiste. Nga Kodheli ka pasur mjaft mjeshtra të interpretimit të melodive me vegla dhe instrumenta popullore të përgatitura nga vetë ata si dhe të improvizuar me mjete rrethanore, si gjethja e njomë, pipëza, boria përgatitur me lëkurë të njomë shelgjesh, por edhe bilbilat formuar me trungje kallamash.Në rënien e fyejve dhe zëmareve, por edhe të gjethit, ka qenë mjeshtër Gjin Zeka, i cili mori pjesë edhe në festivalin e Gjirokastrës 1968, për zëmare si dhe Fran Ndreca në fyell. Në mjeshtërinë e rënies së bilbilit ka treguar mjaft talent e mjeshtëri krahas dy të parëve edhe Kolë Gaci. Siç e cilësova edhe më lart, në Kodhel nuk kanë qenë vetëm mjeshtra të interpretimit të këtyre veglave muzikore, por edhe mjeshtra të përgatitjes së tyre.Zëmaret i bënin me brirë gjedhësh dhe me kallma çafkash apo me tuba të hollë bronzi.Brirët më parë i zgjidhnin me kujdes, i zienin dhe pastaj me shumë kujdes i gdhendnin dhe limonin duke u dhënë formën përfundimtare, pastaj kombinoheshin dhe bashkoheshin pjesët. Pipëzat nganjëherë i bënin me pendët e krahëve të patave apo gjelave të detit. Kështu edhe bilbilat me kallama duke zgjedhur pjesën më të drejtë dhe më përfekte të kësaj bime kur ishte e tharë mjaftueshëm.

    Nuk është rastësi që jo vetëm që nga viti 1968 në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës pothuajse herë pas here morën pjesë nga Kodheli elemente të ndryshme folklorike, sidomos me instrumentat tradicionale të lartpërmendura, por në festivalin e fundit të asaj kohe, atë të vitit 1988, morën pjesë një grup mjaft i spikatur nga Kodheli dhe u shquan në atë festival. Aty shkuan Matilda Ll. Prendi, Liljana P. Prendi, Vida Gj. Prendi si dhe Vera B. Ndreca. Liljana Prendi u dekorua nga juria e festivalit dhe kjo nuk ishte pak, ashtu siç nuk ishte pak kur grupi i vogël nga Kodheli i “vogël” u vlerësua maksimalisht nga Ansambli Çiftelia i Lezhës dhe drejtuesi i talentuar i atij ansambli kompozitori dhe muzikanti i shquar Agim Velaj dhe u përzgjodh ky grup i vogël për të përfaqësuar Zadrimën e madhe.

     Shpirti artistik i banorëve të Kodhelit gjithmonë ka qenë i pranishëm aty dhe herëpashere ka spikatur kur rasti i është dhënë, mjafton të kishte një nxitje apo një drejtues të talentuar. Aty në raste të ndryshme dhe në kohë të ndryshme, nxitje dhe drejtues të këtyre nxitjeve artistike kanë qenë shpesh mësuesit e fshatit ku spikat puna e Shtjefen Sallakut nga Blinishti,(në foton e mësipërme të ansamblit folklorik të Kodhelit i pari nga e majta) apo e edukatores Matilda Prendi që u bë shembull me fëmijët e kopshtit të Kodhelit të cilët zunë vendin e parë në Lezhë në aktivitetet kulturore në rrethin e Lezhës dhe po kështu Vera Zef Prendi, vogëlushja 5-vjeçare në vitin 1979 ishte spikere e grupit artistik të Kooperativës së Bashkuar të Dajçit, një vlerë mjaft e shtuar për Kodhelin. Pa diskutim, duhet kujtuar këtu se një rol të madh luajti edhe talenti dhe krijimtaria e të talentuarit Llesh Prendi, i cili shpeshherë u bë promotor i kulturës në Kodhel si në organizim, si në gjetje të materialeve folklorike dhe artistike, ashtu edhe në drejtimin e këtyre grupeve në vite.

     Edhe në sporte Kodheli ka nxjerrë elemente mjaft të spikatura sportive. Edhe pse një fshat i vogël, Kodheli ka pasur kurdoherë një ekip modest futbolli që përballej me mjaft fshatra përreth, madje edhe me ato fshatra të mëdha. Por nuk ishte vetëm futbolli, apo organizimi i lojërave të ndryshme popullore me të cilat Kodheli spikatte mjaft, po edhe në atletikë ka pasur elemente të spikatura siç ishte rasti i Zef Prendit(në foton e mëposhtme i pari nga e majta në këmbë, mjaft i talentuar si futbollist sulmues i pakapshëm nga mbrojtësit e skuadrave kundërshtare, por edhe trajner dhe drejtues i shkelqyer futbolli i skuadrës së fshatit Kodhel) që në 10 vjet ishte kampion për rrethin e Lezhës në garën e vrapimit ne 1200m.

futbolli-ne-kodhelekipi i futbollit në vitet’80

         Në Kodhel nuk kanë munguar as bejtexhinjtë. Në kohën e kooperativave, sidomos kur Kodheli ishte në kooperativën e bashkuar me Dajçin, Kotrrin dhe Dragushën, kur në drejtim të punëve ishin vendosur njerëz të paaftë dhe spekulantë, disa bejtexhinj  nga Kodheli krijuan një numer mjaft të konsiderueshëm bejtesh që qarkullonin si nën zë, madje ndonjëra prej tyre me sarkazëm mjaft të mprehtë dhe shumë therëse u bë mjaft popullore, por që krijuesve të tyre u kushtoi mjaft rëndë. Si autorë të tyre u cilësuan Gjin Zeka, Ndrekë Shyti dhe Fran Ndreca. Që të tre këta, pas daljes në popull të poemthit satirik me titull “Foragjerja” që shpejt u bë mjaft e njohur dhe shumë e përhapur, jo vetëm në Kodhel, Dajç, Kotërr e Dragushë, por në mbarë Zadrimën, u dënuan nga kryesia dhe drejtuesit kryesorë të kooperativës duke i internuar në punë jashtë Kodhelit në skajin më të largët të kooperativës, në Dragushë. Më parë këta të tre punonin në skuadrën e Kodhelit të brigadës Foragjere që ishte krijuar në kooperativë për të siguruar bazën ushqimore për blegtorinë e kooperativës. Aty kishte edhe disa të tjerë që ishin nga Kodheli dhe punonin së bashku, por këta të tre, kur bëheshin bashkë dhe në kohë pushimi viheshin në garë se kush do të nxirrte më shumë bejte deri sa arritën të krijonin disa poemtha satirike mjaft të goditura që u bënë mjaft popullore dhe qarkullonin gjithandej në njerëz që i recitonin tek dëgjues të ndryshëm. Kështu arriten tek e famshmja “Foragjerja” dhe pastaj, duke e mbajtur autorësinë të tre, pasi, me sa duket të tre e kishin sjellë në formën përfundimtare duke shtuar kush një pjesë e kush një tjetër dhe aq bukur sa i dhanë një famë mjaft të madhe për kohën.

     Në atë kohë si dhe në kohë të ndryshme Zadrima ka nxjerrë mjaft bejtexhinj që nxirrnin bejte mjaft pikante që u bënë të famshme, siç ishte ajo e Ndue Harapit nga Blinishti me titull “Njala e Tales” dhe kjo e këtyre të treve ishte mjaft therëse, sidomos në drejtim të pushtetit dhe drejtuesve burokratë të kooperativës së Dajçit, ndaj këta të fundit nuk ndenjën pa u hakmarrë ndaj tyre. Ndikimin e kishin të dukshëm, jo veç nga njeri-tjetri, por sidomos nga poezitë satirike të të madhit Gjergj Fishta, të cilat Gjini i dinte përmendësh  pjesën më të madhe të tyre dhe i recitonte, jo vetëm në familje, por edhe kur ishte në grup shokësh të besuar, pasi, siç dihet, ato ishin heretike dhe të ndaluara në kohën e diktaturës.

   Traditat dhe zakonet kanë qenë nga më të larmishmet dhe të shumta, por unë nuk po ndalohem këtu për t’i paraqitur e trajtuar hollësisht pasi ato nuk janë qëllimi kryesor i këtij shkrimi, prandaj unë po mjaftohem vetëm me aq sa paraqita më lart. Duhet të shtoj këtu se për aq sa njihet historia e fshatit dhe e banorëve të tij, asnjëherë Kodheli nuk u pajtua as me pushtuesin dhe as me shtypjen dhe shfrytëzimin e pasanikëve dhe bejlerëve të huaj e as vendas. Në përgjithësi, sidomos në kohërat e vona duke filluar që nga fillimshekulli XX e në vazhdim, Kodheli mund të konsiderohej si një familje e madhe dhe kompakte. Të mirat dhe të këqiat që u kanë rënë deri shumë vonë i kanë ndarë së bashku si fshat dhe jo vetëm si fise. Nuk pati kurrë grindje që mund t’i kishin çuar në ndarje e përçarje. Mortet e dasmat i kanë organizuar pothuajse bashkë dhe u janë gjetur njëri-tjetrit pranë në çdo moment. Kjo ndoshta se edhe Kodheli ka qenë një fshat i grumbulluar dhe kompakt, jo vetëm në kohën kur ka qenë një fshat me shumë pak familje, por edhe tashti që e ka 7-8 fishuar numrin e familjeve apo edhe në kohërat kur ishte nja 15-20 fish më shumë se kur e njoha unë në fëmijërinë time.

      Pasi i paraqita me radhë traditat e mira të banorëve të Kodhelit, ashtu si munda, unë tashti po paraqes atë më të shkëlqyerën dhe më të bukurën që rrallëkush nga banorët e fshatrave dhe zonave të tjera e ka pasur: Dashurinë, nderimin dhe respektin për njëri-tjetrin. Që sa njoh unë e deri më sot, por jam i bindur edhe që në lashtësi, që kur është formuar si fshat që nuk dihet se kur, ka pasur një unitet të shkelqyer mes banorëve, jo vetëm brenda familjes, jo vetëm brenda fisit, por brenda dhe mes të gjithë banorëve të Kodhelit. Kurrë nuk pati grindje dhe gjithmonë pati mirëkuptim e tolerancë.Nuk ndodhi kurrë ndonjë rast vëllavrasjeje në asnjë kohë, as në diktaturë e as në demokraci. Nuk pati asnjë grindje për arsye prone edhe pse tashti në demokraci në shumë vende kanë ndodhur vrasje për pronë edhe brenda familjes, vëlla me vëlla, baba me djalë, xhaxha e nip e po ashtu edhe në nivele të tjera brenda e jashtë gjakut.

     Në demokraci në shumë fshatra e krahina të Shqipërisë ndodhën, pse ligji i djallit që erdhi drejt e nga diktatura si rizbatim i reformës agrare të Enverit, ai ligji i famshëm 7501 a si djallin quhej, ligji i grindjeve e i vëllavrasjes, në Kodhel kaloi përmes një tolerance dhe mirëkuptimi të shkelqyer mes banorëve të Kodhelit.Askush nuk i bëri fjalë vëllait të vet bashkfshatar pse mori në tokën e tjetrit, por pranuan ta ndanin tokën në mënyrë të barabartë, që të gjithë të startonin me mundësi të barabarta. Para reformës nuk ishin shumë familje që kishin tokë, por në reformën e dytë, përsëri familjet që kishin pasur toka më shumë se të tjerët para reformës së dytë, u bënë vend me zemër të madhe atyre që nuk patën toka fare. Kjo edhe pse fshatit tonë, padrejtësisht i ishin shkëputur më shumë se gjysma e tokave që ka pasur në zotërim para reformës së parë komuniste, tokat më pjellore me më vlera dhe iu dhanë banorëve të fshatrave të tjerë e krysisht të Gjadrit, përsëri nuk pati grindje, por tolerancë e mirëkuptim të shkelqyer.

     Por unë mirëkuptimin dhe dashurinë reciproke mes banorëve të Kodhelit e çova që në hershmërinë e fshatit tonë që nga themelimi si fshat dhe jam i bindur për këtë plotësisht. Unë bazohem në dy arsye kryesore. E para qëndron në faktin se ka qenë një fshat mjaft i madh për kohët e vjetra me mbi 300-400 shtëpi dhe ka qenë një fshat tradicionalisht i mbledhur. Lagjet e mëdha i kishin shtëpitë e mbledhura dhe rresht vendosur tjegull më tjegull. Kujtoj këtu thëniet e plakës së moçme 114 vjeçe Mrika e Mark Hilës kur fliste për lagjen Pleshë dhe citonte se prej andej kishin dalë 50 burra me 50 kuaj dhe i kishin shkuar turkut në punën angari e, gjithashtu, që në atë lagje kishte shkuar macja nga çatia e parë tek e fundit tjegull më tjegull. Qoftë thënia e saj, qoftë përshkrimi që u bënte këtyre fakteve, flasin qartë për harmoninë e asaj lagjeje dhe krejt Kodhelit.

      Në kohërat që unë njoh, kodhelësit kanë qenë kurdoherë të bashkuar dhe çdo gjë të mirë apo të keqe e kanë ndarë dhe e kanë përballuar bashkë, në dasma, në lindje në sëmundje, në fatkeqësi dhe në vdekje. Kjo edhe falë asaj që gjithnjë ka qenë një fshat i mbledhur dhe jo me një hapësirë të panevojshme, jo se nuk i kanë pasur mundësitë, se toka, troje e kodra kanë pasur me shumicë përherë, por preferuan pjesën perendimore të Koderpleshës dhe aspak shtrirjen në Rrah e Skundere, në Varosh, Agrajmlike, Leze e Klose, por veç në atë pjesë të vogël e të mbledhur ndarë në dy mëhallë që fshatrat e tjerë fare lehtë mund ta quanin pjesë të një mëhalle, a së paku një mëhallë e vetme e jo dy mëhallë. Distanca mes dy mëhallëve nuk i kapte as 150m distancë, madje më pak se aq.

                    Vlerat njerëzore të Kodhelit në kohë të vjetra dhe të reja

        Është me vend të thuhet këtu se krahas traditave të shquara që ka pasur Kodheli, si fshat ka pasur edhe vlera të veçanta në personalitete dhe figura të shquara, ashtu siç kanë pasur edhe fshatrat e tjerë të Zadrimës si Dajçi, Blinishti, Fishta, Nënshati, Kallmeti, Gjadri e mjaft fshatra të tjerë përreth. Varfëria dhe problemet kanë qenë të shumtë, por nuk e lodhën shpirtin e zadrimorit dhe ai shpirt mbeti jo vetëm i pathyeshëm, po edhe krenar në të gjithë qenien dhe dinjitetn e tij. Kështu edhe për banorët e Kodhelit

       E thashë edhe më sipër se banorët e Kodhelit kanë jetuar në varfërinë e tyre, po kurrë nuk e ulën kokën para askujt duke notuar në modestinë, por edhe në krenarinë e jetës së tyre, ndaj mendoj se duhen paraqitur disa fakte historike duke paraqitur edhe ngjarje të thjeshta të shpirtit të tyre kryengritës dhe mospajtues me askënd që ka cënuar nderin dhe dinjitetin e tyre. Dhe ja, këtu poshtë po paraqes disa nga ato të dhëna historike:

     Gjok Hila që padyshim ka qenë figura më karizmatike dhe më e njohur nga fshati Kodhel, jo vetëm se ka qenë njëri nga kryefamiljarët e një prej familjeve më të mëdha të Kodhelit e ndoshta edhe të krejt zonës së Zadrimës për kohën kur ka jetuar, por edhe për vlerat e tij e cilësitë e larta të burrërisë dhe njohjes në të gjithë Zadrimën e më gjerë se aq. Gjoka kishte disa vëllezër dhe kushërinjtë e tij nën administrimin e tij si kryefamiljar, madje disa prej tyre edhe më të moshuar se ai, por të gjithë thirreshin si Jaku i Gjok Hilës, Marku i Gjok Hilës edhe pse ishin vëllezërit e tij më të mëdhenj në moshë se ai, po Gjoka ishte shumë i njohur gjithandej për të gjitha cilësitë e larta të tij, ndaj të gjithë pjesëtarët e familjes së tij quheshin “Të Gjok Hilës”, kështu edhe u ndryshua mbiemri nga Ndregjonaj, apo Gjonaj në Gjokhilaj. Zef Shtjefni, gjyshi i gjyshit tim, ishte kushëriri i Gjok Hilës dhe nuk ishte as vëllai e as djali, nipi a dikush tjetër, por djali i xhaxhait të tij e megjithatë ne trashëgojmë mbiemrin që na la Gjoka i madh dhe e kemi për nder ta mbajmë atë mbiemër. Ndryshe do të trashëgonim një mbiemër tjetër se ata që përmenda më sipër ose ndoshta edhe Gjini apo Shtjefni, por Gjokhilaj është mbiemri që më jep nder, se pesha dhe lavdia që pati Gjok Hila ishte mjaft e madhe. Ai, duke qenë i njohur në mjaft zona të Veriut si dhe në Kosovë, mori pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.Pastaj, i ndjekur nga hafijet turke, ai kaloi në ilegalitet dhe bashkë me kryetarin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit shkuan në shumë zona dhe krahina të Veriut të Shqipërisë. Gjithashtu, fshehurazi u kthye në familje së bashku me patriotin e Rilindjes Abdyl Frashëri dhe e mbajti fshehur dhe të sigurtë në konakun e tij për shumë kohë. Më pas i spiunuar nga hafijet turke, zbulohet dhe burgoset në Kala të Shkodrës së bashku me shumë bashkëpatriotë të tjerë ku torturohet dhe së fundmi vdes atje e atje edhe u varros pa mundur ta sjellin as trupin e tij për ta varrosur në Kodhel, në varrezat e fshatit aty ku prehen të parët e tij si dhe pasardhësit të cilëve u la emër, krenari, vlerë dhe nder. Shumë nga ne nganjëherë edhe e cunguam mbiemrin, se na binte më lehtë ta shkruanim Hilaj se Gjokhilaj, por jo se nuk e vlerësonim përsonalitetin që na la trashëgim mbiemrin, ndaj mua më duket, tashmë, se do të ishte aspak e moralshme të ndryshohet ai mbiemër, apo të deformohet në ndonjë farë mënyre.

      Hilë Gjoni  u internua(syrgjynos) dhe e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në Tarabulluz të Anadollit gjatë pushtimit turk për mosbindje ndaj rregullave, ligjeve dhe taksave që pushtuesi kishte caktuar, ndaj ai kishte dalë komit dhe kur u kap u syrgjynos.

      Shuk Preka, nipi i Gjok Hilës doli komit dhe qëndroi mjaft vite me armë në dorë duke luftuar ku mundte kundër asqerit turk së bashku me komitat e tjerë të kohës dhe i shpëtoi vdekjes e kapjes nga pushtuesi turk dhe u kthye në gjirin e familjes kur pushtuesi iku nga Shqipëria e vendi fitoi pavarësinë.

       Shtjefen Zefi del kundër qeverisë së Ahmet Zogut dhe bashkëpunon me patriotët e tjerë në 1924 për përmbysjen e asaj qeverie dhe pas shtypjes së revolucionit të qërshorit ai së bashku me mjaft pjesmarrës të revolucionit demokratik burgoset e bën disa vite burg. Edhe me famullitarin e kishës së Kodhelit, Dom Nikollë Deda, pati një konflikt të ashpër politik, pasi ky i fundit ishte zogist, ndaj pas zënkës me të, Shtjefni nuk shkoi më të shihte meshë në kishën e Kodhelit sa qe ai meshtar aty, por shkoi në Dajç. Po kështu, kur vendi u pushtua nga Italia, megjithse qe armik i betuar i regjimit zogist, nuk e pranoi kurrë pushtimin e vendit.Ai e shprehu këtë me mënyrën e vet origjinale. Gjatë pushtimit italian i erdhën aty në Kodhel tregtarët italian dhe i kërkuan t’ua shiste drurët e një pylli shumëshekullor në një ograjë pranë shtëpisë. Ata ia kërkuan duke i ofruar shumë para, aq shumë sa në atë kohë mund të blinte me ato para krejt fshatin, por ai nuk pranoi dhe u shpreh: “Më mirë i vë zjarrin se sa ia shes të huajit që na ka vu kamën në fyt!”. Ai pyll ishte me frashëra shumëshekullorë, një dru tepër i rrallë dhe me mjaft vlera industriale sidomos në atë të mobilerisë. Më vonë ai pyll me forcën e pushtetit të diktaturës komuniste, kur unë isha një fëmijë i vogël u pre dhe u la të kalbej pa asnjë shpërblim, por edhe pa asnjë vlerë të veçantë.

       Ka qenë shumë gjaknxehtë dhe nuk ka duruar askënd t’i bënte ndonjë padrejtësi, madje, kur ishte punësuar nga sipërmarrësi Ndrekë Qerraxhia i Shkodrës si marangoz në përgatitje qerresh, pronari i tij, Ndreka, parashtron një problem matematik të vështirë që donte shumë zgjuarsi. Ndreka kishte vënë edhe një çmim të majmë për atë që i jepte zgjidhje, ndaj Shtjefni e pyet se sa kohë u jepte afat për ta zgjidhur. Pronari i tij i thotë për një javë kohë, por Shtjefni i kërkoi veçse disa minuta dhe kështu ai iu fut arsyes dhe pas disa minutash analizash dhe arsyetimesh arriti ta zgjidhte me ekzaktësi. Ndreka e pranoi zgjidhjen, por nuk desh t’ia jepte çmimin e premtuar me pretekstin se Shtjefni e kishte ditur. Atëherë Shtjefni i turret me sqepar në dorë dhe desh ta vriste, por e ndaluan punëtorëtorët e meditësit e tjerë që punonin aty. Ndreka u detyrua t’ia jepte çmimin e vendosur nga vetë ai, por Shtjefni, me gjithë lutjet e pronarit të tij për t’u pajtuar, nuk punoi më për të.

       Baba Zekëpicture-064Zek Shtjefni shkon drejt pushkatimi nga famëkeqi Hodo Aliu nga Kuçi i Vlorës i quajturi ndrysheToger Baba. Ishin ditët e para të Çlirimit dhe Zeka ishte zgjedhur nga populli sekretar i këshillit nacional-çlirimtar dhe kryetar ishte Kolë Zefi.Famkeqi Toger Baba që kishte bërë mjaft vrasje dhe zollume nëpër Zadrimë, kishte arritur edhe në Kodhel i shoqëruar edhe nga mësuesi i fshatit Luigj Kosmaçi. Ai i kishte mbledhur të gjithë burrat e fshatit në çordakun e kullës së Zekë Hilë Syqit dhe po i rrihte e torturonte ca fukarenj të fshatit Lush Palokën, Lazer Matinë e ndonjë tjetër e, kur Zeka shkoi atje dhe e pa këtë skenë makabre, u revoltua dhe i thirri me zemërim:

       -Çfarë ban ashtu në popull fukara, more faqezi. A nuk e di ti se ata nuk kanë bukë me hangër e jo ma të kenë armë si mendon ti. Armët shko e gjeji tek ata që i kanë e jo tek ata që as pleshta nuk kanë se nuk kanë ku t’u rrinë pleshtat, se janë fukarenj!

       -Kush je ti që më turresh kështu?! –iu turrë monstra, -Marrsh para! –e i vuri tytën e automatikut në gjoks dhe, pasi e ktheu me forcë e vuri para për ta çuar në një rrugë të fshatit që ishte diku aty poshtë Ograjës së Marjakut, nja 100-200m larg asaj kullës.

       Ndërhyrja që bëri Luigj Kosmaçi ia shpëtoi jetën, por Toger Baba gjthsesi ia vuri tytën e automatikut mbi sup Zekës dhe e zbrazi për të krijuar frikë e panik në fshat dhe për të nënshtruar të pabindurit. Megjithatë, në fshat atë ditë, edhe pse e dinin Zekën të pushkatuar, askush nuk dorëzoi armë. Kjo edhe pse shumica nuk kishte, por edhe ata që i kishin, nuk i dorëzuan dhe ngulën këmbë në të tyrën se nuk kishin. Ata i kishin groposur në vende mjaft të fshehta dhe i lanë të kalbeshin e kurrë nuk i dorëzuan. Në një rast tjetër Zekën e burgosin, se nuk kishte pranuar të paguante detyrimin e padrejtë që shteti komunist i kishte ngarkuar e ai nuk e kishte atë mundësi. Ai kishte kundërshtuar me forcë dhe gjyqi e dënoi me tre vjet burg, por bëri vetëm gjashtë muaj.

copy-3-of-toma12

 Gjin Zeka

    Ka qenë shquar për urti dhe zgjuarsi. Ka qenë ndër të paktë fëmijë të moshës së tij që ka kryer një shkollë fillore me 5 klasë. I ka takuar të bëjë dy herë radhazi ushtri. Një herë ka kryer shërbimin ushtarak të detyrueshëm në ushtrinë italiane për 3 vjet ku ka mësuar të flasë rrjedhshëm italisht si dhe sllavisht, pasi për shumë kohë ka qëndruar në Bosnjë e, herën tjetër me Ushtrinë Nacional-çlirimtare si efektiv i Brigadës XVII Sulmues. Edhe këtu ka qëndruar për 3 vjet dhe është plagosur kur ka qenë me shërbim në Ishullin e Sazanit. Nga kjo plagosje u bë invalid, pasi humbi njërin sy, por nuk e gëzoi kurrë invaliditetin e tij me ndonjë shpërblim të veçantë, siç shumë syresh, të privilegjuar të regjimit i gëzonin, madje pa bërë as sa një e dhjeta e tij apo madje pa bërë gjë fare, veçse ishin anëtarë partie.

    Ka pasur dhunti për një kujtesë të mahnitshme dhe mund të them me plot gojën se i ka ditur vargjet e Lahutës së Malësisë të Gjergj Fishtës që nga vargu i parë e deri tek vargu i fundit si dhe veprat e tjera të këtij gjiganti të letërsisë shqipe e gjithashtu edhe veprat e Ndre Mjedës, i citonte shpeshherë. Ka pasur dhe ka ushtruar për shumë kohë dhuntinë e shikimit të shpatullave të bagëtive për të parashikuar të ardhmen e pronarëve të tyre, dhunti që nuk ia la trashëgim askujt. Gjithashtu ka pasur dhunti t’u binte veglave muzikore si zamares, fyellit dhe bilbilit (flautit) si dhe ka pasur dhunti për të krijuar bejte. Për këtë gjë i është tërhequr vërejtja disa herë edhe nga organizatat e partisë të asaj kohe dhe është diskutuar edhe për t’u dënuar. Faktikisht nuk i ka shpëtuar dënimit, pasi për shumë kohë ka qenë i detyruar të punojë larg Kodhelit, në brigadat e fshatrave të tjera si në Kotërr e në Dragushë. Një dhunti tjetër ka qenë parashikimi i kohës. U vinte shenja ditëve të veçanta të vitit dhe përcaktonte se kur mund të binte shi e kur mund të bënte kohë e ftohtë apo e nxehtë dhe në të shumtat e rasteve i dilnin parashikimet e përpikta, për të mos thënë në të gjitha rastet.

    Gjini ka vdekur më 7 janar 1999.

      10293624_1411694515772095_1093659016956414092_o Axha im për KodhelinAxha im me kostum tradicionalShkurt Zeka doli komit në mal në kohën e regjimit komunist në fillimet e këtij regjimi, se gjyshi i tij, Shtjefni, si dhe e ëma, Shaqja, ia djegin tesërën e partisë komuniste që e kishte marrë ilegalisht dhe ata nuk dëshironin që djali dhe nipi i tyre të ishte anëtar i asaj partie që ishte kundër dëshirave të tyre. Nga kjo Shkurti u detyrua të dilte ilegal komit në mal dhe me ndërmjetësinë e Bardhok Ndue Prendit që ishte një punonjës i sigurimit të shtetit të asaj kohe, dorëzohet dhe iu fal faji.

       70645406_235561850721190_6657659437236355072_nLuigj Zogu(Kodheli) nuk pranoi të dilte nga besa e fjala e dhënë dhe e martoi motrën e tij të fejuar me një djalë nga një familje me një njollë të madhe në biografi dhe e cilësuar një nga familjet kulake më të theksuara të Zadrimës. Luigji në atë kohë ishte anëtar i hershëm i partisë komuniste, një njeri me shkollë që rrallë i kishte pasë krejt Zadrima në atë kohë, ndaj kishte qenë edhe kryetar i lokalitetit të Hajmelit që përfshinte të gjithë zonën e Zadrimës. Më vonë u bë kryetari i parë i kooperativës së Kodhelit e një kuadër mjaft i lartë në kooperativën e bashkuar të Dajçit. Kishte qenë i privilegjuar, se kishte qenë pjesëtar i delegacionit që kishte vizituar Bashkimin Sovjetik dhe Moskën. Duhet shtuar këtu se Luigji, gjatë Luftës Antifashiste kishte qenë një nga anëtarët ilegal të DEBATIK-ut, pasi në atë kohë si fëmijë që ishte, prindërit e tij e kishin dërguar të shkollohej ku edhe përfundoi atje gjimnazin me rezultate të shkelqyera. Duke qenë DEBATIK-as, mori pjesë shumë herë në aksione luftarake ilegale dhe shpesh kryente edhe rolin e korrierit. Të gjitha këto atribute dhe përspektiva për të ardhmën e tij dhe të familjarëve të tij, ai i hodhi poshtë dhe nuk pranoi ta shkelë besën e fjalën e dhënë dhe prap e lejoi martesën e motrës së tij në atë familje të “deklasuar” edhe pse autoritetet e larta partiake të kohës ia kishin kërkuar me forcë ta prishte atë fejesë e atë miqësi. E heqin nga anëtar partie dhe më pas e fusin në kurth për ta dënuar e ekzekutuar politikisht. E dënojnë me 25 vjet burg, dënimi maksimal që jepej me burgim në atë kohë dhe falë zgjuarsisë së tij i shpëtoi pushkatimit të sigurtë. Në kohën kur po i bëhej gjyqi (1972) si dhe gjatë gjithë regjimit komunist nuk funksiononte sistemi i avokaturës, ndaj Luigjit si dhe shumë të tjerëve iu desh të mbronte vetën dhe të justifikonte veprimet e tija, por shteti ia kishte përgatitur mirë kurthin dhe e dënoi me 25 vjet burg, një pjesë të madhe të të cilëve i kreu derisa pak para përmbysjes së regjimit komunist u amnistua dhe iu fal pjesa tjetër e dënimit.

        Në Kodhel ka pasur mjaft burra të shquar e të nderuar në të gjitha kohërat. Pak më sipër kam paraqitur një emblemë kujtimore të Kodhelit me disa pleq të moshuar të viteve 60-70 e në kujtesën time të gjithë ata kanë qenë të ndruar e të respektuar. Këtu mund të përmend Llesh Kolë Syqin, një ndër burrat më të nderuar e të respektuar të asaj kohe. Ai ishte një kryefamiljar mjaft i nderuar dhe shumë autoritar i njërës nga familjet më të mëdha të Kodhelit. Për të kishin nderim të veçantë, jo vetëm familjarët e tij, por të gjithë banorët e Kodhelit. Ishte burrë i  matur, i urtë dhe mjaft i zgjuar. Nuk la trashëgimtar, por nipat e mbesat e tij e konsideronin si prind e idhull të tyrin. Si Lleshi kishte edhe mjaft të tjerë e këtu mund të përmend Kolë Zef Markun, i cili qe kryetari i Këshillit Antifashist Nacional-çlirimtar dhe e mbajti për mjaft kohë këtë detyrë edhe më pas. Gjithashtu këtu duhet të përmend edhe Zekë Hilë Syqin që nuk ishte në atë foto, pasi në atë kohë nuk jetonte. Edhe ai ishte një burrë i matur, i urtë dhe gëzonte respektin, jo vetëm të familjarëve të tij, por edhe të të gjithë bashkëfshatarëve të tij. Ishte kryefamiljar i një familjeje mjaft të madhe. Këtu dëshiroj të përmend edhe mjaft emra të tjerë si Zog Bardhi, Hilë Filipi, Jak Kola e shumë të tjerë, por mendoj se nuk do të ishte e mjaftueshme t’i përmendja veç si emra disa e të harroja shumë të tjerë si ata.

      Nga Kodheli dolën edhe mjaft personalitete të shquara që i dhanë nder dhe vlerë fshatit të tyre, Kodhelit. Disa prej tyre, edhe pse u shpërngulën nga Kodheli dhe shkuan në qytetet Shkodër, Lezhë e Tiranë për kushte dhe arsye të ndryshme ekonomike, politike e shoqërore, nuk e harruan dhe as e mohuan origjinën e tyre, madje shumë prej tyre e patën nder të merrnin e trashëgonin si mbiemër emrin e fshatit tonë të nderuar duke lënë mënjanë mbiemrat që kishin në fshatin tonë. Kështu mund të përmenden dinastia e Marubëve me paraardhësin e tyre Rrok Kodhelin, Gegë Kodheli që u ngul në Tiranë aty nga viti 1924 dhe pastaj djali i tij Keli që në atë kohë ishte veç se 6 vjeç, jo vetëm e ruajti mbiemrin Kodheli, por edhe i dha nder e vlerë me pikturat e tij të spikatura, Rrok Simon Ndoci(Kodheli) që u ngul në Lezhë dhe mbiemrin Ndoci e ndryshoi në Kodheli duke i dhënë nder e vlerë fshatit që e lindi e kështu e mbajnë edhe djemtë e tij me krenari dhe nder mbiemrin Kodheli Beni dhe Kastrioti që është edhe pedagog historie e shumë herë ka punuar si drejtues në digastere të rëndësishme të rrethit të Lezhës.

     Dom Ndue Kodheli 1845. Sipas gojëdhënave dhe sipas studjuesit dhe biografit Dom Gaspër Gurakuqi në përshkrimet e tij për Blinishtin, nga Kodheli kanë dalë edhe klerikë dhe aty ai përmend emrin e Dom Ndue Kodhelit që ka qenë meshtar edhe në Blinisht.

Dok-Blinishti 3 - Copy

            Figura të tjera të shquara nga Kodheli

Rrok Kodheli

       I shpërngulur nga Kodheli për në Shkodër familjarisht u bë streha e parë e Pjetër Marubit. Ky i fundit ngriti aty studion e parë fotografike aty nga viti 1856 kur u ngul tek shtëpia e Rrok Kodhelit dhe punësoi djemtë e familjes, në fillim Matinë(1862-1881) të cilin e dërgoi edhe për studime në Trieste, por që fatkeqësisht ndërroi jetë i ri. Më pas Pjetër Marubi mori vëllain e Matisë, Mikelin(1870-1940) Më vonë, kur Pjetër Marubi vdiq, gjithë trashëgiminë e tij ia la Kelit(Mikelit) dhe ky për nder të tij e ktheu mbiemrin nga  Kodheli në Marubi.

       Këtu mua më duhet të shtoj një mëdyshje timen që më ka lindur kur kam studjuar dokumentacionin e paraqitur nga hulumtues të ndryshëm për dinastinë e Marubëve. Aty studjuesit e biografive të Marubëve sjellin si fakt se Pietro Marubi vinte nga Italia për arsye politike i dëbuar, apo i arratisur dhe kërkon strehim e përkrahje tek qeveria turke e asaj kohe. Për mua, pa diskutim, krejt e pranueshme deri këtu, por pak dyshuese që Pietro u la trashëgimi Kodhelëve mbiemrin e tij(Marubi) e ndoshta ishte e kundërta për dy arsye:

52344293_398119747413372_8844082250879336448_n

     -e para se sipas thënieve të Zek Shtjefnit i datëlindjes 1898 dhe Zog Bardhit i datëlindjes 1894, familja Marubi ka jetuar në Kodhel dhe janë njohur që këtu me këtë mbiemër. Ata tregonin edhe se ku e kishte pasur shtëpinë i pari i tyre dhe lidhjen e derivonshme që kishte pasur me Kodhelin. Duhet pasur parasysh, gjithashtu, se ata nuk dinin shkrim e këndim, por kishin dëgjuar nga paraardhësit e tyre se familja e Rrok Kodhelit ishte shpërngulur në Shkodër dhe ata e kishin dëgjuar veç me mbiemrin Marubi e jo ndryshe.

      -e dyta se duke menduar se Pietro Marubi ishte arratisur nga Italia dhe ishte strehuar në Shkodër pikërisht tek shtëpia e Rrok Kodhelit djemtë e të cilit më pas punuan për të, duke dashur ta fshihte identitetin e tij, mund ta kishte fshehur mbiemrin italian që kishte pasur më parë dhe kishte marrë mbiemrin e mikpritësit dhe strehuesit të tij nga Kodheli. Pra, për mua, edhe mund të ketë ndodhur e kundërta, megjithse nuk insistoj, pasi nuk kam fakte dokumentare ndër duar ta vërtetoj versionin dhe dyshimin tim, ndaj le të thuhet e të pranohet ashtu siç të tjerët e kanë paraqitur dhe dokumentuar, pasi kjo nuk përbën ndonjë peshë të madhe dhe nuk e errëson aspak vlerën që pati dinastia e Marubëve.

Dok-foto e pasaportes turke të P. Marubit

Mati Kodheli(1862-1881)

     Pjetër Marubi, duke pasur shumë punë merr të parin ndihmës. Ai merr, Matinë, djalin e mikpritësit të tij Rrok Kodheli.I lindur me 1862, Matia është i mrekulluar nga puna e mjeshtrit Marubi, e kështu në këtë drejtim, ai kërkon të punësohet pranë mjeshtrit. Pjetër Marubi, duke dashur një ndihmës të kualifikuar, e dërgon Matinë për specializim në Trieste për ca kohë. Pas specializimit, Matia kthehet në Shkodër për të punuar në studion e mjeshtri të madh.Aty lidh edhe miqësi të ngushtë me Kolë Idromenon, piktorin e shquar. Por Matia nuk e pati jetën e gjatë dhe në moshën 19-vjeçare ndërron jetë aty nga viti 1981 duke lënë nga pas një emër jo të vogël në dinastinë e Marubëve.

Kel Kodhel(Marubi)(1870-1940)

Mikel Kodheli apo Kel Marubi, pas vdekjes së Pjetër Marubit filloi të punonte që në moshën 15 vjeçare në studion e Mjeshtrit Marubi dhe pikërisht aty nga viti 1885 deri në vitin 1920. Mikeli(Keli) me financimet e Pjetër Marubit studjoi në Lion në shkollën e parë të fotografisë dhe të kinemasë Lumière brothers dhe punoi si fotograf profesionist. Punoi në celoluid si dhe në pllaka xhami.Pas vdekjes së Pjetër Marubit (1903), ai trashëgoi studion e tij dhe për nder të mjeshtrit të madh dhe në nder e mirënjohje të tij e ndërroi edhe mbiemrin duke e marrë Marubi.Ai fotografoi figura të njohura politike dhe udhëheqëse të kohës si dhe patriotë të shquar të fundshekullit XIX dhe të fillim shekullit XX si dhe njerëz të ndryshëm me kostume popullore e panorama të ndryshme. Nga galeria e tij si dhe e pasardhësve të tij aty nga viti 1970 iu dorëzuan shtetit rreth 150 000 negative. Kel Kodheli(Marubi) ishte një patriot i flaktë. Ai, jo vetëm fiksoi ngjarje të rëndësishme të periudhës, por edhe u aktivizua në lëvizjen patriotike për pavarësinë e Atdheut. Gjithashtu, ai u bë pjesë e themelimit të mjaft shoqatave patriotike, siç ishte ajo e “Gjuha Shqipe” 1908 si dhe botimi i gazetës “Zëri i Shkodrës”. Ai pati jehonë me fotot dhe punën e tij edhe jasht kufinjve të Shqipërisë duke fituar edhe simpatinë e knjaz Nikollës të Malit të Zi dhe duke bërë mjaft foto atje.

Gegë Marubi(1907-1984)

Ishte djali i Kel Kodhelit(Marubi). Edhe ky studjoi në Paris për fotografi dhe kinematografi e zbatoi teknikat bashkëkohore të fotografimit, sidomos në përdorimin e rrezeve infra të kuqe, të solarimit dhe të fotografimit në reliev. Ai u laurua me medalje ari dhe fletë nderi 1936 në panairin e Barit Itali duke e përsëritur këtë laurim edhe më 1938 me të njëjtën medalje në Selanik të Greqisë.

      Gjatë atyre viteve ai punoi me përkushtim për pasurimin e fototekës, studios dhe arkivës së trashëguar nga paraardhësit e tij.Ai ishte i pari në Ballkan që solli kinemanë në qytetin e Shkodrës dhe po kështu projektoi i pari filmin në një sallë të qytetit duke e pagëzuar me emrin “kinemaja e qytetit” dhe kështu, krahas fotografisë, kinemaja u kthye në një pasion të dytë për të.Gjithashtu, ai ishte i pari që më 1970 i dha ngjyra fotografisë shqiptare dhe po këtë vit, ai i dhuroi shtetit të asaj kohe mbi 150 000 negativë të ruajtur dhe trashëguar nga galeria Marubi.

               Kel Kodheli (24 dhjetor 1918- 18 shkurt 2006)Kel Kodheli

       Lindi në fshatin Kodhel dhe, kur ishte në moshën 6 vjeç, familja e tij u vendos në Tiranë. Pasi kryu shkollën fillore, në vitin 1933 Keli vazhdoi shkollën e mesme teknike dhe, gjithashtu, ndoqi kurset e vizatimit dhe të pikturës me mësues mjeshtrin e madh Odhise Paskali si dhe poetin e mirënjohur Lasgush Poradecin.

         Prindërit e tij kishin dëshira kontradiktore për shkollimin e Kelit. Babai i tij, Gega, kishte dëshirë që Keli të ndiqte studimet e larta për inxhinieri, ndërsa Çilja, e ëma, kishte dëshirë të ndiqte shkollën për pikturë dhe këtu triumfoi dëshira dhe pasioni i tij për artin kështu që ai vazhdoi studimet në Romë në atelien e Karlo Silvierës. Nga Roma kthehet në vitin 1943 dhe në 10 vite ai punoi si modelues në Bankën Kombëtare. Më 17 prill 1945 Kel Kodheli hapi ekspozitën e parë të titulluar “Nëna e dëshmorit” bazuar në pikturën e tij me titull “Gruaja që i ka vdekur burri”. Punoi 20 vjet si mësues në Lice për të dalë në pension si një mësues i shkollës fillore, i pavlerësuar dhe i pamerituar nga regjimi komunist i kohës edhe pse me një punë kolosale si dhe i diplomuar nga akademia e arteve të bukura të Romës.

       Pikturat e tij më të njohura janë: “Vallja e shpatave” ,”Shote Galica”, “Bajram Curri”, “Dropullitja”, “Skënderbeu”. “Lahutari”, “Portret shkodraneje”.Në kohët e fundit, Kel Kodheli u muar edhe me pikturë moderne, madje edhe me nudi, që në opinion solli hutim, për moshën e tij.
Më 24 dhjetor 2003, në orën 20 Presidenti Moisiu, në shtëpinë e tij Kel Kodhelit i dorëzon çmimin e “Piktorit të Merituar”. Në Galerinë Kombëtare të Arteve, në fondin e sajë, ruhen 12 kompozime dhe 11 portrete të piktorit Kel Kodheli.
Për Kel Kodhelin aktivitetin dhe origjinën e tij kanë shkruar mjaft studjues e biografë të tij. Këtu më poshtë po paraqes disa prej tyre.

Kel Kodheli Vallja e shpatavekel-kodheli dhe piktura bujku

 Dhurata Hamzai

Kel Kodheli ka qenë një nga piktorët më produktivë në Shqipëri. Vetë institucioni i Galerisë Kombëtare të Arteve ruan në fondin e tij 30 piktura të Kel Kodhelit nga të cilat 12 janë kompozime dhe 11 janë portrete. Megjithëse pikturat e krijuara në periudhën e realizmit socialist ishin të drejtura në tematikë dhe shprehi ndjesore të reduktura, piktori Kel Kodheli ka ndryshuar paksa nga të tjerët, pasi si piktor ai është mirëfilli realist dhe tematika e tij përbëhet më tepër nga materia kombëtare sesa nga ajo politiko-sociale. Duke qenë modeli më i zgjedhur i realizmit në pikturë shumë herë edhe i admirueshëm në stilin e tij, Kel Gegë Kodheli ka pikturuar me mjeshtërinë e fituar në një nga shkollat prestigjioze eruropiane, si është Akademia e Arteve të Bukura të Romës. Në moshën 86 vjeçare e kanë kujtuar Kel Kodhelin shumë piktorë për të cilët ai ka qenë mësuesi i parë i elegancës në pikturë, psikologjizmit meditimit e detajit dhe më në fund institucioni i Galerisë Kombëtare i ka kërkuar me insistim e me këto argumente presidentit të Republikës Alfred Moisiu që të dekorohej Kel Kodheli me “Nderin e Kombit”.Dëshira e të gjithëve u plotësua të premten në mbrëmje në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku vetë piktori mori me dorën e tij titullin e lartë.Piktori ishte i emocionuar që në një ditë u vlerësua dhe u nderua fryti i punës së tij, dhe në përshëndetjen e tij ai u kujtoi artistëve të rinj se arti duhet e mundet të bëhet vetëm me dashuri e përkushtim.

      Vetë piktori Kel Kodheli lindi në katundin Kodhel të Shkodrës, më 24 dhjetor 1918.Edukimi i tij ndihmohet dhe drejtohet nga familja, e cila këmbëngul për t’i shkolluar fëmijët. Kel Kodheli ishte në moshën 6 vjeçare, familja e tij u vendos në Tiranë, ku tashmë Kel Kodheli kishte një ambjent të mirë ku mund të arsimohej. Pasi kreu shkollën fillore në vitin 1933, familja e tij insistoi që Keli të studionte në shkollën e Mesme Teknike të Harri Fulcit.Në këtë shkollë ai studioi deri në vitin 1938. Para se të fillonte shkollën dhe gjatë vazhdimit të saj, Kel Kodheli ndiqte në kohën e lirë edhe kurset e vizatimit nën drejtimin e artistëve të njohur për kohën, si Paskali, Poradeci, etj.. Në shkollën Harri Fulc ai ka studiuar edhe me disa emra të njohur të pikturës shqiptare si Kaceli, Strazimiri, Agalliu etj..Megjithëse dëshira e babait të tij Gegë Kodheli ishte që ai të vazhdonte për inxhinieri, ka qenë dëshira e nënës së tij Çile që djali i saj të merte rrugën e pikturës.Nënë Çilja ishte shumë e dhënë pas qëndisjeve e kostumeve popullore, por edhe pas modës civile shkodrane.Në brendësi ajo kishte një intuitë shumë të madhe artistike, ajo kishte një aftësi për të argumentuar vlerën e tyre dhe cilësinë e së bukurës, gjë që e nxiti piktorin që të vizatonte shumë nga motivet e qëndisura.Këto motive në një moshë më të pjekur ai i rivlerëson dhe beson se ka pasur një lidhje intuitive artistike me nënën ose e ka trashëguar prej saj ndjenjën dhe shijen e së bukurës.Dhe nuk u desh shumë që Keli të ndiqte studimet për artet e bukura në Romë.Kanë qenë kohë të një pasioni marramendës dhe ai u mundua të thithte ç’mund nga kultura e kësaj shkolle.Atelieja e piktorit Carlo Silviere.

      Keli kthehet në Tiranë në vitin 1943, i kërkuar për të modeluar një vulë të bankës shqiptare dhe iu deshën pastaj 10 vjet që të largohej nga mjediset e saj. Kështu që menjëherë pas luftës nacionalçlirimtare ai merr pjesë në ekspozitën e organizuar në 17 prill 1945 me portretin “Gruaja me të zeza”, që për arsye të motivacionit politik, u titullua më pas “Nëna e dëshmorit”, megjithëse ky portret të tregon më tepër një grua që i ka vdekur burri. Por në ato vite kështu është lozur me mjeshtërinë artistike të shumë piktorëve për t’i dhënë ngjyra të kërkuara sociale dhe politike. Pra Kel Kodheli ishte i shtrënguar të prodhonte piktura në industrinë artistike të socrealizmit, ku një pjesë e shpirtit të tij derdhej pa fjalë, por me ngjyra në pikturë, pra me punën e tij cilësore që ka bërë piktori dhe me veprat që ka lënë pas një ditë piktura do t’i rrëzojë emrat e rremë duke dalë në dritën e së vertetës ajo që ka dashur të shprehë. Dha për 20 vjet mësim në Lice dhe pikërisht në fund të aktivitetit të tij pedagogjik, atë e transferojnë në një shkollë tetëvjeçare ku ai punoi derisa doli në pension.

      Përfundoi mësues i thjeshtë vizatimi, edhe pse u shkollua në akademinë e Romës dhe sot në këtë ditë kur ai është ende gjallë, i numërohen 60 vjet krijimtari artistike. Kel Kodheli kishte përftuar një formim mjaft të mirë profesional dhe dhe ky lloj profesionizmi paraqitej me pikturën e tij tradicionale dydimensionale në vaj. Bazat e pikturës së tij janë ato të realizmit, por ai ka trajtuar pothuajse të gjitha gjinitë e tij duke filluar që nga portreti i kompozuar, gjinia rrëfimtare dhe peisazhi. Duke qenë i kujdesshëm me ekspozitat e tij jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe ka përfaqësuar atë jashtë saj, Kolë Kodheli ka lënë emrin e tij në historinë e pikturës, si piktor shqiptar që përfaqëson figurën e realizmit. Megjithatë shpesh studioja e tij mbante në mjegull nudot e bukura.Ato s’mund të dilnin kurrë në ekspozita kombëtare të sëmura nga temat politike dhe sociale.

      Incidenti shpirtëror me traditën nis që në vitin 1945, kur ai paraqiti në ekspozitë kombëtare pikturën “Gruaja me të zeza”, së cilës meqenëse ishte “festa e çlirimit” iu vu nga kuratorët e asaj kohe emri “Nëna e dëshmorit”, edhe pse piktura rrëfen në të vërtetë gruan që i ka vdekur burri.

      Shënim: i gjithë materiali i mësipërm është paraqitur i pareduktuar dhe i pakorrigjuar ashtu si autorja e ka paraqitur. Kështu do të paraqiten edhe materialet e mëposhtme sipas origjinalit.

     I lindur në Kodhel të Shkodrës, më 24 dhjetor 1918, vjen në Tiranë bashkë me familjen në moshën 6 vjeçare.Pasi kreu shkollën fillore në vitin 1933, familja e tij insistoi që Keli të studionte në shkollën e Mesme Teknike të Harri Fultzit. Para se të fillonte shkollën dhe gjatë vazhdimit të saj, Kel Kodheli ndiqte në kohën e lirë edhe kurset e vizatimit nën drejtimin e artistëve të njohur për kohën, si Paskali, Poradeci, etj.. Në shkollën “Harri Fultz”, ai ka studiuar edhe me disa emra të njohur të pikturës shqiptare si Kaceli, Strazimiri, Agalliu etj..Megjithëse dëshira e babait të tij Gegë Kodheli, ishte që ai të vazhdonte për inxhinieri, ka qenë dëshira e nënës së tij Çile, që djali i saj të merrte rrugën e pikturës.Pasioni i vetë Kelit dhe dëshira e nënës ndikuan që ai të ndiqte studimet për artet e bukura në Romë. Keli kthehet në Tiranë në vitin 1943, i kërkuar për të modeluar një vulë të bankës shqiptare dhe iu deshën pastaj 10 vjet që të largohej nga mjediset e saj. Kështu, që menjëherë pas luftës nacionalçlirimtare ai merr pjesë në ekspozitën e organizuar në 17 prill 1945 me portretin “Gruaja me të zeza”, që për arsye të motivacionit politik, u titullua më pas “Nëna e dëshmorit”, megjithëse ky portret, të tregon më tepër një grua që i ka vdekur burri. Dha për 20 vjet mësim në Lice dhe pikërisht në fund të aktivitetit të tij pedagogjik, atë e transferojnë në një shkollë tetëvjeçare ku ai punoi derisa doli në pension. Vetë institucioni i Galerisë Kombëtare të Arteve, ruan në fondin e tij 33 piktura të Kel Kodhelit nga të cilat 12 janë kompozime dhe 11 janë portrete. Para dy vjetëve, Kel Kodheli është dekoruar nga presidenti Alfred Moisiu me titullin “Nderi i Kombit”.

BLERINA GOCE

09 Shkurt

Vitet me sa duket, e kishin lodhur Kel Kodhelin. Ndaj dhe dje ai u largua nga kjo botë përgjithmonë edhe pse qetësisht në moshën 88- vjeçare.Një nga piktorët më produktivë në Shqipëri, Kodheli ishte nga të paktët artistë të brezit të tij, që i kishte rezistuar kohës. Megjithëse pikturat e krijuara në periudhën e realizmit socialist ishin të drejtura në tematikë dhe shprehi ndjesore të reduktura, piktori Kel Kodheli, ka ndryshuar paksa nga të tjerët, pasi si piktor, ai është mirëfilli realist dhe tematika e tij përbëhet më tepër nga materia kombëtare sesa nga ajo politiko-sociale. Kodheli ka pikturuar me mjeshtërinë e fituar në një nga shkollat prestigjioze eruropiane, siç është Akademia e Arteve të Bukura të Romës.I lindur nëKodhel të Shkodrës, më 24 dhjetor 1918, vjen në Tiranë bashkë me familjen në moshën 6 vjeçare.Pasi kreu shkollën fillore në vitin 1933, familja e tij insistoi që Keli të studionte në shkollën e Mesme Teknike të Harri Fultzit. Para se të fillonte shkollën dhe gjatë vazhdimit të saj, Kel Kodheli ndiqte në kohën e lirë edhe kurset e vizatimit nën drejtimin e artistëve të njohur për kohën, si Paskali, Poradeci, etj.. Në shkollën “Harri Fultz”, ai ka studiuar edhe me disa emra të njohur të pikturës shqiptare si Kaceli, Strazimiri, Agalliu etj..Megjithëse dëshira e babait të tij Gegë Kodheli, ishte që ai të vazhdonte për inxhinieri, ka qenë dëshira e nënës së tij Çile, që djali i saj të merte rrugën e pikturës.Pasioni i vetë Kelit dhe dëshira e nënës ndikuan që ai të ndiqte studimet për artet e bukura në Romë. Keli kthehet në Tiranë në vitin 1943, i kërkuar për të modeluar një vulë të bankës shqiptare dhe iu deshën pastaj 10 vjet që të largohej nga mjediset e saj. Kështu, që menjëherë pas luftës nacionalçlirimtare ai merr pjesë në ekspozitën e organizuar në 17 prill 1945 me portretin “Gruaja me të zeza”, që për arsye të motivacionit politik, u titullua më pas “Nëna e dëshmorit”, megjithëse ky portret, të tregon më tepër një grua që i ka vdekur burri. Dha për 20 vjet mësim në Lice dhe pikërisht në fund të aktivitetit të tij pedagogjik, atë e transferojnë në një shkollë tetëvjeçare ku ai punoi derisa doli në pension. Vetë institucioni i Galerisë Kombëtare të Arteve, ruan në fondin e tij 30 piktura të Kel Kodhelit nga të cilat 12 janë kompozime dhe 11 janë portrete. Para dy vjetëve, Kel Kodheli është dekoruar nga presidenti Alfred Moisiu me titullin “Nderi i Kombit”. Kodheli do të përcillet sot për në banesën e fundit, pas homazheve në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Shënim: Duhet thënë se të gjithë, ndoshta ndikuar nga njëri-tjetri dhe nuk e di se pse, por si vendlindje quajnë nga “Kodheli i Shkodrës”. E theksoj se nga ana administrative gjithnjë Kodheli ka qenë i Zadrimës, ose i Lezhës, por jo i Shkodrës dhe gjithashtu nuk ekziston tjetër Kodhel.

    Llesh Prendi

     Në vazhdën dhe traditën e hershme të fotografëve, kineasteve dhe piktorëve të shquar që gjeneroi Kodheli rreshtohet edhe në ditët e sotme edhe fotografi i talentuar i kohës së sotme mjeshtri Llesh Prendi që me fotot e tij i ka kaluar prej kohësh kufinjtë e Shqipërisë dhe sot veprimtaria e tij artistike vazhdon edhe në Itali, pa lënë pas dore edhe mallin dhe dashurinë e madhe për vendlindjen.

      Lleshi që në moshën e fëmijërisë së tij shfaqi interes të veçantë për artin dhe iu kushtua më tepër se çdo gjë artit fotografik dhe studjoi e punoi mjaft duke fiksuar me mjaft mjeshtëri realitetin e kohës së diktaturës komuniste duke lënë një trashëgimi tek brezat iamzhet e asaj kohe të vështirë për të gjithë popullin.

      Lleshi nuk ka operuar vetëm në Kodhel në fshatin e tij të lindjes dhe as vetëm në zonën e Dajçit, ku ishte ngarkuar të kryente detyrën e fotografit, por në të gjithë Zadrimën dhe më gjerë gjatë periudhës së komunizmit duke fiksuar dhe paraqitur realitete mjaft rrënqethëse, madje edhe më tej në Shkodër Lezhë, Laç, Krujë Tiranë dhe gjetk u shtri fokusi i aparatit të tij fotografik duke i dhënë nder, jo vetëm Kodhelit që e lindi, e rriti dhe e edukoi me dashuri, respekt dhe përkushtim ndaj njerëzve, por edhe krejt Zadrimës

      Në demokraci Lleshi, jo vetëm e vazhdoi punën e tij të përkushtuar ndaj artit fotografik, por e përsosi atë më tej. Ai e vazhdoi punën e tij të përkushtuar edhe në rrethana të vështira duke fiksuar momente mjaft të vështira të njerëzve e sidomos peripecitë e tyre për t’i mbijetuar kohës.Disa herë ka ndjekur e fiksuar edhe rrugëtimet e vështira të emigranteve që në mënyrë klandestine kapërcenin kufinjtë e vendit për të mjekuar sadopak plagët e rënda të varfërisë së tejskajshme.

     Ashtu siç e cilësuam edhe më sipër Lleshi sot operon në Itali dhe në Shqipëri në evenimente të ndryshme dhe është i kudogjendur për të fiksuar historinë me të mirat dhe të këqiat e saj, ndaj, pa diskutim, është ndera dhe vlera e pamohueshme e Kodhelit për të cilin punoi mjaft dhe i kushtoi mjaft vëmendje të veçantë me atë shpirtin dhe dashurinë e madhe për të.

Këtu më poshtë po paraqes intervistën e fotografit të shquar të ditëve tona dhënë tek Radio Kosova:

Dok-Ll. Prendi foto tek intervista

08.06.2015

LLESH PRENDI NJË FOTOGRAF I SHQUAR SHQIPTAR NË ITALI

Intervistoi: Vera Pelaj
Fotografia është art masiv! Sot, në rrjetet sociale, në gazeta e revista shikohen foto shumë interesante të cilat ngelen në kujtesë, thotë në një intervistë për Radio Kosovën, Llesh Prendi.

Më poshtë intervista me Z. Prendi, një fotograf shqiptar që veprimtarinë e tij prej fotografi e ushtron në Itali:

Radio Kosova: Z. Prendi, si u bëtë fotograf?

Llesh Prendi: Kam lindur në fshatin Kodhel të Zadrimes, në fshatin ku kanë lindur Marubët e famshëm, të cilët e kanë bërë historinë e fotografisë shqiptare. Pra, pionierët e fotografisë shqiptare.E kisha një ëndërr të fshehur për t’u bërë fotograf.Ishin vitet ’80-të, ku një kryetar kooperative më liroi nga puna që isha me detyrë atje.I thashë kam dëshirë të bëhem fotograf, e kam ëndërr…ai më bëri një nder të jashtëzakonshëm dhe në saje të tij, u futa në kurs dhe fillova aktivitetin e fotografisë.

Radio Kosova: Në Shqipëri e ndjekët kursin?

Llesh Prendi: Po, në Shqipëri. Pas mbarimit të specializimit, puna e parë që kam bërë, kam shkruar dhe jam njohur me fotografët e mëdhenj si Pirro Naqe, që ishte kryetar i Shoqatës së Fotografëve Shqiptarë, me fotografin e madh shkodran Angjelin Nenshadi dhe fotografin me origjinë nga Kodheli i Zadrimës, Kel Kodheli, që vdiq në vitet ’90-të, e nuk arriti të bëjë fotografi të lira në demokraci. Kam njohur fotografin, më të madhin shqiptar Besim Fusha, të cilët më kanë ndihmuar pa kursim për ecjen në karrierën time të fotografisë.

Radio Kosova: Në itali, erdhët për të studiuar fotografinë?

Llesh Prendi: Në Itali kam ardhur në nëntor të vitit 1994. Fatmirësisht erdha më vizë të rregullt me familjen.Jetoj që 19 vjet në Vicenca.Në fillim pak u aktivizova me fotografinë ngase ishte çështja e mbijetesës.Pastaj, shpjet u futa në grupe italianësh.Piktori i shquar në Vicenca, Rosi, më aktivizoi dhe nisa aktivitetin në Shoqatën e Artistëve të Huaj.Piktorëve, skulptorëve dhe fotografëve të huaj.Shumë vite më parë, një gazetë italiane pati bërë një artikull për mua, e që vlerësohesha. Kam botuar fotografi edhe në shtypin italian, por edhe në atë shqiptar.

Radio Kosova: A ju vlerësojnë italianët për punën që bëni?

Llesh Prendi: Po. Më kanë pritur më shumë dashamirësi dhe shprehin shumë simpati për fotografitë e mia. Një kritik italian, në ekspozitën e fundit që pata hapur në Vicenca, më pati thënë: “Kjo është fotografia e vërtetë”. Në një konkurs në facebook, që quhet fotografia javore, në fotografinë time janë tri gra që janë të ngarkuara me dru.Ato janë nga Kallmeti i Lezhës. Një kritik i fotografisë, më krahasoi foton time me një fotograf të famshmë hungarez Robert Capa, të luftës së Dytë Botërore, i cili kishte bërë fotografinë në Sicili. Të them të drejtën, si shqiptar që jam, u ndjeva krenar që krahasohesha me një fotograf kaq të madh.

Radio Kosova: Çka është fotografia?

Llesh Prendi: Fotografia është një art shumë i zhvilluar. Në vendin tim, mirë pati thënë një kritik shqiptar, se fotografia sot për sot është në shkallën e parë të arteve në Shqipëri. Madje edhe përpara artit të pikturës.Kjo, përsëri e ka zanafillën me Marubin e famshëm, që ishin të parët që e bënë fotografinë në Shqipëri e në Ballkan.Sa për kuriozitet në e kemi fotografinë edhe përpara suedezëve. Shqiptarët janë me fotografinë e parë që është Kazazi, që do të jetë bërë në pranverë atëherë kur Marubët ikën nga fshati im, dhe në shenjë respekti të 166 vjetorit të fotografisë së parë, promovohen në facebook fotografi bardh e zi, kryesisht nga Shqipëria ashtu siç ishte, pa zbukurime, realitet i ashpër, fëmijëria e ashpër, njerëzit, portretet…fotografia është gjithçka në jetë. Fotografi do të thotë: Loja me Dritën. Marubi thoshte: “Fotografët duhet të fotografojnë deri në orën 10.00, pastaj ta mbyllin makinën fotografike”! Ai e kishte idenë të loja me dritën.Pra, fotografia e bukur bëhet paradite, thoshte Marubi i famshëm.

Radio Kosova: Kur do ta hapni ekspozitën e radhës dhe ku?

Llesh Prendi: Kam një ëndërr që në Piacenca të Italisë, në vendin ku lindi Marubi, të hapi një ekspozitë fotografike me foto të zgjedhura në vite e t’i paraqes atje. Për këtë nuk do nxitohem, por e kam projekt.

Radio Kosova: Jeni nga Kodheli, fshat afër vendlindjes së të madhit Gjergj Fishta. A dini diçka që nuk din opinioni për të?

Llesh Prendi: Pata fatin që vitin e kaluar, kur u bë inaugurimi i bustit të të madhit Gjergj Fishta, që për fatin tonë, kosovari Sabri Novosella, investoi për bustin. Ishte kënaqësi e madhe që qëllova aty.Është për keqardhje që në shtëpinë e të madhit Gjergj Fishta, nuk është bërë rikonstruksion.Po t’i shikoni fotografitë e asaj shtëpie, të atij burri të madh, është e mjerueshme, është e pafalshme.Ajo po rrënohet dhe si duket, politika nuk ka kohë të merret me të madhin Gjergj Fishta.Ai, për ne ka qenë gjithçka.Babi im i dinte përmendësh vargjet e “Lahutës së Malcisë”.Fishta, u ringjall në vitet ’90-të.Kam pasur fatin, që në meshën e parë pas vitit ’90-të, në përvjetorin e parë të meshës së Gjergj Fishtës, në Troshan të Lezhës, bashkë me fotografin e madh Anxhelin Nenshadi.Aty bëra me qindra shkrepje nga aparati fotografik. Kur do t’i dixhitalizojë filmat, do të kem kënaqësinë që të hedhi gjithë aktivitetin që u bë atë ditë, që kishte me mijëra persona. Ishte një manifestim i jashtëzakonshëm, për të madhin Gjergj Fishta.

Radio Kosova: Çka të thoshte babai për Gjergj Fishtën?

Llesh Prendi: Gjergj Fishta për ne ishte gjithçka, ishte një yll i madh, ishte një vigan. Fatkeqëisht, atëherë flitej pak për të.Por, babai im më fliste mua. Ai punonte me priftërinjt, i thoshin atëherë rroktar! Ka punuar në Bërdicë, me një prift, i cili plakut tim, që në rini, në vitët ’30-të, i kishte mësuar të shkruaj dhe të lexojë. Plaku im ishte nga të vetmit pleq në Zadrimë që dinte të shkruante dhe të lexonte.Ai, më ka lënë një libër të shtypshkronjës së Shkodrës, 102 vjeçare, e cila ndodhet në shtëpinë time.Babai fliste me një simpati të jashtëzakonshme për Fishtën.Ashtu siç flasin të gjithë zadrimorët dhe bashkëjetuesit e këtij njeriu të pavdekshëm.

Radio Kosova: Po për At Zef Pllumin?

Llesh Prendi – Librin e At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”, e kam në dorë për të dytën herë duke e lexuar. Më mbush me shumë emocion një burrë vigan për një qëndresë të tillë që ka bërë në ato kohë të vështira.Qëndresa e tij, është frymëzim për gjenerata të tëra.

Radio Kosova: Çka përpiqeni të përçoni përmes fotografisë, për shqiptarët?

Llesh Prendi: Shqipëria është një vend me histori dhe kulturë me shumë interes. Në vitet ’90-të, me rënien e Murit të Berlinit, erdhën në vendin tonë shumë fotografë të huaj dhe kërkonin që të filmonin gjithçka që shihnin.Mua më pëlqen shumë portreti, natyra, etj. Kam disa portrete që nuk i fali me asnjë çmim sepse janë pjesë e historisë së vendit tim. Paraqes njeriun me karakter të fortë shqiptar, punëtorin, fëmijët… që edhe këto më japin kënaqësi kur i fotografoj! Janë pjesë e historisë sonë.Pastaj duhet përmendur edhe veshjet tona tradicionale, që duhet pranuar se po pakësohen dita ditës.

Radio Kosova: Çka do t’i porosisnit fotografët e rinj?

Llesh Prendi: Fotografia është art masiv! Sot, në rrjetet sociale shikohen foto shumë interesante.Gazetat dhe revistat, poashtu paraqesin foto që të ngelen në kujtesë. Shumë kush mendon se profesioni i fotografit është i lehtë… gabohen! Që të jesh fotograf, duhet të jesh artist, piktor, intelektual e punëtor! Sakrificat për këtë profesion, nuk numërohen.Që të jesh fotograf, me thoshte Pirro Nace, një kritik dhe fotograf i mirënjohur në Tiranë, duhet të lexosh pa ndërprerë libra, poezi e romane, që të kapësh portretet që paraqesin shkrimtarët.Pra, fotograf do të thotë të jesh një njeri i formuar dhe të sakrifikosh sikur një gjuetar për të kapur fotografinë çdo ditë.Jo për të vrarë, por për ta ruajtur historinë e vendit tënd. Të bëjnë sa më shumë foto dhe t’i ruajnë ato në arkivat e tyre. Fotografët shkodran, për mua ishin dhe mbeten gjithnjë frymëzim për punën time.

dok-gazetat-italiane-per-llesh-prendin

    Krahas këtyre figurave që përmenda më sipër Kodheli ka mjaft të tjerë që kanë punuar dhe po punojnë ende për të evidentuar vlerat e tij në mënyra të ndryshme dhe kryesisht në paraqitjen e vlerave të sotme duke dokumentuar dhe paraqitur në celeloid si dhe në rrjete sociale me foto apo vidio. Ndër to dallohet Kristian Gjokhilaj dhe Alban Marku që kanë punuar për wikipedian e fshatit dhe kanë hedhur vidio të ndryshme që tregojnë pamje dhe vlera të veçanta për Kodhelin. Pa diskutim që është një vlerë e shtuar, pasi dokumentohen vlerat që sot ka Kodheli, vlera që vlejnë të evidentohen dhe arkivohen në kohë. Po kështu edhe Antonio Gjokhilaj ka dhënë intervista duke folur e shpalosur të dhëna për demografinë e Kodhelit.

       Këtu duhet të nënvizoj se po rritet një brez i ri i mirëedukuar dhe i arsimuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Të shumtë janë ata djem e vajza, bijë e bija të Kodhelit që kanë mbaruar shkollat e larta dhe sot punojnë në profesione të ndryshme si brenda ashtu edhe jashtë atdheut, atje ku jetojnë me familjet e tyre, apo janë shkolluar. Meqenëse ata janë të shumtë dhe janë gjithnjë në evolim e sipër në edukimin e tyre arsimor e profesional, nuk po i përmend të gjithë, pasi lista e tyre duhet shtuar vit pas viti e kohë pas kohe, aq më tepër kur ndoshta disa prej tyre, për arsye mosnjohjeje nga ana ime, mundet që të mbeten jashtë listimit dhe do të ishte e padrejtë seleksionimi dhe veçimi i tyre. Kërkoj ndjesë që nuk arrij t’i evidentoj plotësisht vlerat dhe meritat e tyre këtu.

      Tashti që paraqita shpirtin kryengritës të kodhelësit në kohë të ndryshme si dhe disa figura dhe personalitete që i dhanë nderë, emër dhe vlerë fshatit tonë sidomos në fushën e artit, si dhe për ata që vazhdojnë ende për të evidentuar vlerat e tij, këtu më poshtë po paraqes emrat e disa banorëve për vlerat intelektuale që i sollën nder dhe vlerë Kodhelit me kontributin e tyre në drejtime të ndryshme duke përmendur edhe formimin e tyre intelektual pak a shumë sipas moshave e rendit të tyre:

     Pjetër Hila(Tuku i Gjok Hilës) Ka qenë njëri nga vëllezërit e Gjokë Hilës dhe është shquar për zgjuarsi. Ka kryer një shkollë për prift, por që nuk e ushtroi meshtarinë për rrethana që nuk dihen. Të paktën nuk janë transmetuar deri në ditët tona të dhënat për shkaqet që e çuan Tukun të mos e ushtronte detyrën e meshëtarit. Në atë kohë nuk ishte gjë e paktë të kryeje një shkollë për prift pasi të përzgjedhurit ishin nga shtresat e fëmijëve që kishin dhunti zgjuarsie dhe kjo ishte nje tregues i dhuntive të tija. Pas vdekjes së Gjokës ka qenë zot i shtëpisë së madhe. Ishte gjyshi i Zog Bardhit.

      Shaqe Tukja(Gjokhilaj) ishte e para nga vajzat dhe gratë e Kodhelit që pati një shkollë të mesme femërore të kryer në qytetin e Shkodrës dhe kishte drejtimin profesional mësuesinë, por , për mungesë të kushteve, nuk e ushtroi veç në shkollimin e fëmijëve të saj. Në fakt, ajo ndikoi që djali i madh i saj Gjini, të shkollohet në Nënshat në një shkollë murgeshash ku kryu pesë klasë në atë shkollë.Po kështu edhe vëllai i saj Kola, që ishte i vogël aso kohe, u shkollua njëherësh me Gjinin në të njëjtën kohë.Ajo nuk i pati kushtet për ta ushtruar zanatin, pasi u martua në moshë mjaft të re me Zek Shtjefnin dhe Kodheli nuk i pati mundësitë të kishte shkollën e tij.Familja e saj ishte nga Nënshati me origjinë, por vëllai i saj i vetëm, Kola ka jetuar në Kodhel.Ajo u ka futur në gjak fëmijëve të saj dashurinë për shkollën dhe në mënyrë të veçantë për librin. Ajo pati një bibliotekë të vogël me disa libra nga Gjergj Fishta dhe Ndre Mjeda si dhe ndonjë tjetër, por që ose u shkatërruan nga ne fëmijët e vegjël, ose kushedi se ku u fshehën për të mos ia gjetur regjimi diktatorial i Enver Hoxhës që i kishte cilësuar reaksionarë priftërinjtë katolikë e në mënyrë të veçantë Gjergj Fishtën.

      Martin Simoni(Gjokhilaj) ishte ndër të parët që mbaroi akademinë ushtarake dhe shërbeu në disa zona të vendit si një oficer i një rangu të lartë. Në fund të karrierës së tij ushtarake ai punoi si komandant i forcave të çetave vullnetare të Rrethit të Lezhës.

      Anton Pjetri (Gjokhilaj) qe i pari mësues nga Kodheli që mbaroi shkollën e lartë në fakultetin e matematikë-fizikës. Ka punuar në disa shkolla të rrethit si mësues i shkollës tetëvjeçare si atë të Kakarriqit, të Dajçit, të Ungrejit dhe së fundi atë të Blinishtit ku edhe e ka mbyllur karrierën e tij deri në daljen në pension.

     tomaNikollë Gjini(Gjokhilaj) ka mbaruar universitetin e lartë bujqësor të Kamzës duke u diplomuar si agronom i pergjithshem. Ka punuar dhe e ka ushtruar zanatin e agronomit për disa kohë, por edhe para se të kryente studimet e larta, ai ka punuar në bazën eksperimentale të kooperativës bujqësore.Kishte lidhje me studjuesit shkencorë të njohur të kohës në fushën e agronomisë.Në fund e ka kryer karrierën e tij si kryetar i kooperativës së Kodhelit, pak kohë para se ekonomitë kooperativiste të prisheshin.Ka punuar edhe pak kohë në demokraci si agronom i komunës dhe tashti është në pansion.

      Tish Kolë Tukja si fillim ka mbaruar shkollën e mesme të agronomisë në Golem të Kavajës. Pas mbarimit të shkollës së mesme ka punuar si agronom në kooperativën malore të Ungrejit dhe më pas ka kryer shkollën e lartë ushtarake e pas saj ka punuar në vende të ndryshme në forcat e armatosura, por më së shumti në Orikum e pastaj në Lezhë. Në demokraci del në lirim e së fundi emigron familjarisht në Greqi.

      A- foto e diplomësTom Gjokhilaj Kam mbaruar universitetin Luigj Gurakuqi të Shkodrës në fakultetin gjuhë-letërsi dhe kam mbrojtur diplomën për letërsi shqipe e botërore. Kam punuar në disa shkolla të rrethit si atë të Malit të Rencet, të Dajçit, të Blinishtit, të Kashnjetit, të Kalivaçit e më pas përsëri Dajç e Blinisht dhe pastaj pjesën më të madhe në shkollën e mesme të përgjithshme të Dajçit si mësues letërsie deri 1999 kur shkëputem dhe emigroj. Dekoruar nga Presidenti i Republikes me medaljen “Naim Frashëri”. Kam punuar dhe vazhdoj të punoj në disa drejtime të ndryshme në shkrime dhe sidomos në evidentimin e vlerave të fshatit Kodhel dhe zonës së Zadrimës në përgjithësi, krahas shkrimeve të tjera të natyrave letrare, por edhe studimore. Kam botuar katër libra. Tre prej tyre letërsi artistike dhe i katërti studim mbi gjenezën e fisit tim të Gjokhilajve. Kam edhe  mjaft shkrime dhe studime me karakter shkencor në fushën e etnografisë në dorëshkrime, siç është edhe ky shkrim që po paraqes.

       19642734_1596331230439747_3720601484307268309_nNikollë Ndreca ka mbaruar universitetin e Tiranës në fakultetin Gjuhë-letërsi e ka punuar në Ungrej si dhe në Kallmet si mësues i gjuhës dhe letërsisë në shkollat tetëvjeçare. Aktivitetin më të madh e ka pasur në kabinetin pedagogjik të rrethit të Lezhës e disa kohë edhe si drejtor i atij kabineti. Në demokraci ka ndjekur krahun republikan dhe për një kohë të gjatë ka drejtuar degën e Lezhës si kryetar i PR. Gjithashtu ka punuar në këshillin e rrethit dhe tashti drejton degën e punësimit për qarkun e Lezhës.

      Vasë Gjon Lleshi ka mbaruar shkollën e mesme veterinare në Delvinë dhe ka shërbyer si ndihmës veterinar në ekonominë bujqësore të bashkuar të Dajçit për shumë vite.

       Im vëlla, NdojaA-IMG_1424Ndue Gjokhilaj ka qenë ndër të parët që ka kryer studimet e larta në universitetin bujqësor të Kamzës dhe më pas ka bërë edhe një vit specializim për perimtarinë.Pas diplomimit ka punuar në kooperativën bujqësore të Ungrejit.Atje edhe ka dhënë mësim në shkollën e mesme bujqësore të Ungrejit. Pas ca vitesh transferohet duke ia lënë vendin vëllait tjetër Paulinit. Kur transferohet në kooperativën e Dajçit si agronom i lartë e caktojnë disa kohë mësues të lëndëve të agronomisë në shkollën e mesme bujqësore të Blinishtit. Më pas, kur shkolla e mesme atje dhe në të gjitha shkollat e mesme në fshat morën profil tjetër duke kaluar nga ai bujqësor në atë të përgjithshëm, ai e ndërpreu mësimdhënien dhe e mbylli karrierën si agronom në kooperativën e Kodhelit kur u shkëput nga ajo e bashkuara e Dajçit. Në kohën e censusit për regjistrimin e popullsisë, u caktua dhe punoi në përmbushjen e kësaj detyre në fshatrat e Zadrimës së Lezhës. Ka vdekur nga një sëmundje e pashërueshme që iu shfaq papritur.

       AngjelinAngjelin Gjokhilaj fillimisht në kushtet e një persekutimi dhe diskriminimi politik, se babain e tij, Luigjin ia kishin dënuar me 25 vjet burg, ai mbaron shkollën e mesme të përgjthshme në Lezhë. Megjithëse me rezultate të larta në mësime, regjimi komunist i kohës nuk i dha të drejtë studimi, ndaj iu nënshtrua punëve të rënda në bujqësi, madje edhe jasht Kodhelit në Dajç apo Kotërr e Dragushë. Më vonë, në demokraci, iu dha e drejta ta vazhdojë shkollën e lartë për kimi-biologji si dhe të ushtrojë zanatin e mësuesit të cilin vazhdon edhe sot e kësaj dite ta kryej me sukses.

       Kastriot Kodheli portretKastriot Kodheli edhe pse nuk lindi në Kodhel, por në Lezhë, asnjëherë nuk e mohoi origjinën e tij familjare, madje më se disa herë e ka pranuar me krenari të qenurit me origjinë familjare nga Kodheli. Madje, për nder të origjinës së tij i ati, Rroku, që ishte shpërngulur që në moshë të re nga Kodheli e ndërron mbiemrin e tij nga Ndoci në Kodheli dhe Kastrioti e trashëgon këtë mbiemër me nder dhe me krenari, ndaj është nder dhe vlerë ta rreshtoj këtu së bashku me të gjithë ata djem e vajza të Kodhelit që u shkolluan dhe punuan në sektorë të ndryshëm të administratës dhe jetës shoqërore. Ka mbaruar universitetin në degën Histori-gjeografi dhe ka punuar në disa shkolla të rrethit e si fillim në atë të Ungrejit malor. Pastaj në disa shkolla tetëvjeçare e të mesme të rrethit që shumë herë edhe në postet drejtuese.Ka qenë disa kohë kryetar i bashkimeve profesionale të rrethit dhe për disa kohë edhe drejtor i drejtorisë arsimore të qarkut Lezhë.Për një legjislaturë ka kryer edhe detyrën e prefektit të qarkut Lezhë.Në kohët e sotme punon si drejtor në një shkollë private në Lezhë. Siç shihet, atributet e tij intelektuale dhe profesioniste kanë qenë të larta dhe për këtë flet karriera e tij

.Kastriot Kodheli si drejtues i arsimitKastriot Kodheli Bashkia Lezhë

       Paulin Gjokhilaj ka mbaruar studimet e larta bujqësore duke u diplomuar agronom i përgjithshëm. Pas universitetit punon në kooperativën malore të Ungrejit si agronom, por edhe si mësues i jashtëm i shkollës së mesme bujqësore atje.Më pas transferohet dhe e caktojnë agronom në sektorin e Mabës e më pas e mbyll karrierën si agronom në Kodhel. Në demokraci, për mungesë të mësuesve të kimi-biologjisë si dhe për eksperiencën që pat marrë në shkollën e mesme bujqësore të Ungrejit malor, e caktojnë mësues biologjie në Gjadër dhe gjithashtu jep provimet plotësuese duke e kompletuar profilin e tij profesional edhe si mësues i kimi-biologjisë. Ka arritur të ketë kualifikimin më të lartë si mësues dhe vazhdon ta ushtrojë zanatin e mësuesit prej kohësh në Gjadër.

     Sandër Lleshi Sander Lleshi ka mbaruar shkollën e mesme industriale në Fier dhe ka punuar për 15 vjet në aviacion në Gjadër.Aty nga viti 1995 ka emiogruer familjarisht në Kretë të Greqisë dhe është sipërmarrës dhe bisnesmen i suksesshëm.Gjithashtu edhe djemtë e tij të talentuar spikasin në sporte të ndryshme sidomos Ervini që është një futbollist mjaft i talentuar në kategorinë e parë të Kretës.

       Gjin Lleshi ka mbaruar shkollën e policisë dhe ka punuar disa kohë në efektivat e policisë sidomos në Durrës.

       Gjon Ndreca ka mbaruar fakultetin për histori-gjeografi dhe kontribon në edukimin e brezave të rinj në shkollën e mesme të Blinishtit.

       Prend Marku ka mbaruar shkollën e lartë ushtarake dhe ka shërbyer për ca kohë në forcat e armatosura.Është aktivizuar në politikën e kohës së sotme shqiptare në krahun e majtë dhe ka qenë në postet drejtuese në partinë socialiste të Lezhës.

       Drande Gjokhilaj(Ndreka) ka mbaruar fakultetin e agronomisë në Universitetin Bujqësor të Kamzës e pastaj atë të Biologji-Kimisë në Shkodër. Ka dhënë mësim në shkollën nëntëvjeçare të Grashit deri sa humb jetën në një aksident tragjik rrugor.

       Marie(Marta) Gjokhilaj(Marku) ka mbaruar universitetin në fakultetin Matematikë-Fizikë dhe ka dhënë mësim në shkolla të ndryshme të Lezhës. Disa kohë edhe në poste drejtuese në shkollën e Gjadrit.

       Tonin Ndoci ka mbaruar universitetin e Tiranës në fakultetin e Biologji-Kimisë dhe për disa kohë, pasi kryen edhe studimet pasuniversitare, punon në Peshkim në Shëngjin si specialist biolog e më pas si drejtor i shkollës së mesme të Dajçit për një vit, pastaj mësues kimi-biologjie po në këtë shkollë deri sa emigron në Itali. Aty punon në sektor të kërkimit shkencor.

       leka.Lekë Gjokhilaj ka mbaruar Universitetin Luigj Gurakuqi në Shkodër në fakultetin Matematikë-Fizikë dhe specializohet për Fizikë. Ka dhënë mësim në shkollën e mesme në Blinisht dhe ka qenë edhe nëndrejtor i asaj shkolle deri sa emigron në Amerikë e më pas në Kanada. Pas kthimit nga Kanadaja fillon përsëri zanatin e mësuesit të cilin e vazhdon ende. Fillimisht punon në Shëngjin e më pas në Lezhë. Vazhdon të ushtrojë zanatin e mësuesit në shkollën e mesme të bashkuar “Gjovalin Gjadri” në Gjadër.

      Petrit Gjokhilaj ka mbaruar universitetin Luigj Gurakuqi në degën e mësuesisë për ciklin e ulët dhe më pas ka dhënë mësim në shkollën e Kodhelit e sot në atë të Baqlit.

       citations Sokol Ndreca  Ka mbaruar studimet për matematikë në vitin 1997 tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës (Universiteti i Tiranës). Pastaj ka punuar për një kohë të shkurtër si mësues në gjimnazin e Blinishtit.

– Në vitin 2005 ka mbrojtur masterin për matematikë tek Università Degli Studi di Roma “La Sapienza”.

– Ne vitin 2009 ka mbrojtur doktoraturën për matematikë (PHD in mathematics) tek Università degli Studi di Roma “Tor Vergata”.

– Gjatë periudhes 2009 deri në fillim të vitit 2011 ka fituar një pozicion si “postdoctoral fellowship” (https://en.wikipedia.org/wiki/Postdoctoral_researcher), në Universidade Federal de Minas Gerais (https://www.ufmg.br/) që ndodhet në qytetin Belo Horizonte, Brazil. Në fund të periudhës së mësipërme ka fituar konkursin si profesor në Departamento de Estatistica (http://plutao.est.ufmg.br/) në po të njëjtin universitet. Kështu që prej vitit 2011 punon si profesor dhe kerkues shkencor atje. Në këtë link mund gjeni disa publikime shkencore nga Sokol Ndreca

https://scholar.google.com.br/citations?user=4c0a8fYAAAAJ&hl=en

Sokol Ndreca

Departamento de Estatística, UFMG

Probability theorystochastic processgraph theorystatistical mechanics

Verified email at est.ufmg.br – Homepage

Top of Form

Bottom of Form

Citation indices All Since 2012
Citations 88 71
h-index 4 3
i10-index 3 3

Top of Form

     
Title1–10 Cited by Year
Improved bounds on coloring of graphs

 

S Ndreca, A Procacci, B Scoppola

European Journal of Combinatorics 33 (4), 592-609

40 2012
Discrete time GI/Geom/1 queueing system with priority

 

S Ndreca, B Scoppola

European Journal of Operational Research 189 (3), 1403-1408

23 2008
Queueing systems with pre-scheduled random arrivals

 

G Guadagni, S Ndreca, B Scoppola

Mathematical methods of operations research 73 (1), 1-18

19 2011
Queueing models for air traffic

 

S Ndreca

Universita degli Studi di Roma

4 2009
A continuum limit for the Kronig–Penney model

 

M Colangeli, S Ndreca, A Procacci

Journal of Statistical Mechanics: Theory and Experiment 2015 (6), P06006

1 2015
Queues with exponentially delayed arrivals

 

G Guadagni, C Lancia, S Ndreca, B Scoppola

ArXiv e-prints 1302

1 2013
Inference for Stochastically Contaminated Variable Length Markov Chains

 

D Duarte, S Ndreca, WO Prates

arXiv preprint arXiv:1702.06570

  2017
A-priori upper bounds for the set covering problem

 

G Felici, S Ndreca, A Procacci, B Scoppola

Annals of Operations Research 238 (1-2), 229-241

  2016
Asymptotics for the Late Arrivals Problem

 

C Lancia, G Guadagni, S Ndreca, B Scoppola

arXiv preprint arXiv:1302.1999

  2013
Lema Local de Lovász

 

S Ndreca

   

 

This image has an empty alt attribute; its file name is ermira-gjokhilaj-copy.jpg Ermira Gjokhilaj ka mbaruar fakultetin për gjuhë-letërsi.

 

     Eltjon Prendi ka mbaruar universitetin e Venecias me rezultate të shkelqyera në fakultetin e arkeologjise dhe ka bërë gjurmime historike në Kodhel e gjetk. Ka punuar dhe vazhdon të punojë për zbulimin e rrënjëve të vjetra të ekzistencës së Kodhelit. Së fundmi, ai ka zbuluar një tumë ilire në brendësi të territorit të Kodhelit dhe vazhdon me gjurmime të tjera arkeologjike aty dhe gjetk.

        Pëllumb Lleshi bisnesmen i suksesshëm në fushën e ndërtimeve, sidomos në qarkun e Lezhës.

     

Alban Marku 
Lindi ne Kodhel dhe kreu shkollen fillore deri ne klase te katert ne fshat. Pastaj beri dy (2) vjet ne shkollen tetëvjecare ne Blinisht. Ne vitin 2002 ka emigruar ne Kretë të Greqisë ne moshen 13-vjecare. Atje ka mbaruar gjimnazin fillimisht dhe pastaj liceun e atij vendi(3+3vjet). Pastaj, në vitin 2010 ka hyrë në institutin teknologjik (Technological Educational  Institut of Crete – TEI of Crete) ne degen Plant Science. Në vitet (2014-2015) ka qenë në Belgjikë në Universitetin e Amversas (University of Antwerpen) dhe ka bërë praktikën ne Laboratorin e Biologjise Moleculare (Plant Molecular Biology) bashkë me thesis me titull ‘Characterization of two receptor-like cytoplasmic kinases and the role of At1g74490 in Arabidopsis thaliana development’ në gjuhën angleze. Është  diplomuar nga shkolla e lartë në vitin 2015. Τani po bën Master (2015-2017)me titull

 https://en.wikipedia.org/wiki/Kodhel,_Lezhe. Jam më se i bindur se për Albanin kjo hapësirë që iu dha është mjaft e vogël, pasi perspektiva  dhe e ardhmja e tij do të rreshtojnë në CV-inë e tij mjaft vlera dhe arritje të shkelqyera dhe për këtë do të flasin më mirë se çdo gjë tjetër vetë arritjet e tij në fushën e shkencës.

alban-marku-ne-simpoziumalban-marku-ne-laborator-2           Alban Marku ne: Konferencen Internacionale ORBIT 2016 (a), ne Laborator (b)

kristiani-ne-gjermaniKristiani me nxënësit në GjermaniDok- Kristiani në futboll

          Kristian Gjokhilaj 
Ka mbaruar shkollën pedagogjike në Lezhë dhe ka punuar në disa media televizive të vendit duke krijuar një profil të tij profesionist në këtë fushë. Sot punon e jeton në Gjermani si mësimdhënës në një shkollë gjermane duke mos hequr dorë nga arti kinematografik. Gjithashtu me talentin e tij në futboll ka arritur të fitojë besimin e autoriteteve sportive dhe futbollistike të qytetit ku jeton dhe të zërë një vend të rëndësishëm në stolin e ekipit të parë të atij qyteti.

 Marjana(Jana) Prendi(Kukaj): Shpeshherë ne i hedhim syt larg në thellësi të kohërave me dhjetëra vite larg, madje edhe shekuj për të gjetur dhe përshkruar njerëzit e shquar famozë që kanë lënë emër me bëmat apo veprimet e tyre të shquara e të spikatura dhe harrojmë të hedhim sytë përreth nesh e të shohim ata, apo ato bij e bija tanë që janë bërë apo po bëhen famozë duke i kaluar kufinjtë, jo vetëm të Kodheli, jo vetëm të Zadrimes, madje, do të thosha, edhe vetë Shqipërisë me veprat dhe gjenialitetin e tyre. Sigurisht, ne padiskutim duhet t’i evidentojmë famozët e shquar nga e kaluara si Marubët e fotografisë dhe Kel Kodhelin e pikturës e mjaft të tjerë të shquar në fusha të ndryshme të jetës, por të mos harrojmë që të shikojmë gjenitë e kohës sonë. Një nga këta është edhe mjeshtrja e mrekullueshme e punimit në qeramikë, e talentuara dhe e papërsëritshmja Marjana Prendi(Kukaj), vajza e Pjetër Prendit nga Kodheli. Për këtë vajzë të mrekullueshme më mungojnë fjalët e duhura për të shkruar, pasai përmasat e gjenialitetit të saj janë të mëdha dhe unë e ndjej vetën tepër të vogël e tepër të paaftë për të gjetur  ato fjalë që mund ta përshkruajnë sa më saktë aftësinë dhe gjenialitetin e saj. Për këtë arsye unë po mundohem të jemë i kursyer në fjalë duke mos dashur ta zbeh gjenialitetin e saj, por po kujtoj këtu se jo rastësisht ajo është mbesa e gjyshit të saj, mbesa e mjeshtërit duarartë të ndërtimit, të të paharruarit Prend Lleshit që dikur i bënte edhe gurët të flisnin nëpër kullat tona në Kodhel, por edhe në shumë fshatra të tjerë të Zadrimës ; jo rastësisht është mbesa e xhaxhait të saj, Llesh Prendi, fotografit të shquar të ditëve tona me shpirt poeti e me sy piktori që ka stampuar në celoluid historinë e djeshme dhe të sotme, jo vetëm të Kodhelit, por të të gjithë Zadrimës e më shumë se aq. Unë në pamundësi të paraqes këtu pamjet e të gjitha atyre veprave të mrekullueshme që ka nxjerrë nga duartë e saj të florinjta, po paraqes disa foto të saj të çasteve të punës së saj. Të tjerat po ia lë në dorë lexuesit t’i shohë në profilin e saj në facebook dhe jam më se i bindur që, jo vetëm do të më japë të drejtë për ato çka shkrova këtu për të, por edhe do të mahnitet vetë nga mrekullitë e dala nga duartë e saj gjeniale.

Jana (Prendi) Kukaj Jana me Lleshin(xhaxhain)Jana gjatë pikturimit në qeramikëJana gjatë punësJana gjatë punimit në porcelan Jana Kukaj gjatë punësJana pikturë në qeramikë Jana Prendi punime qeramikeJana, punime artistikeJana Prendi(Kukaj) -pikturë e gruas zadrimore në qeramikëJana punim në qeramikëJana-Katrova dhe vazoJana - Punime artistikeJana -Vazoo dekorative

         Eduard Lleshi është një nga talentet e shquara në fushën e sportit dhe kryesisht në artet marciale. Që në moshën shkollore ai regjistrohet në akademinë e sportit në Kretë duke ndjekur dhe u stërvitur në artin marcial të Kickboxit ku tregon aftësi të mëdha dhe shpesh në ndeshjet prove që zhvillohen aty zë vendet e para duke fituar edhe besimin dhe admirimin e trajnerëve të tij. Gjithmonë ka treguar durim dhe pasion për këtë fushë pasionante të jetës së tij dhe kështu më 19 mars 2017 në ndeshjen e tij të parë zyrtare arrin ta mposht pa shumë vështirësi kundërshtarin e tij dhe duke fituar medaljen e titullin kampion në peshën e tij. Me këtë ndeshje e afirmon vetën me aftësi të pamohueshme në këtë sport dhe me një perspektivë mjaft të dukshme për një të ardhme të bukur dhe të sigurtë në këtë fushë të sportit burrëror të Kickboxit.

EduardiEduardi 1Eduardi 2

         Ervin Lleshi është njëri nga djemtë e Sander Lleshit.Aty nga viti 1995 kur Ervini ishte në moshën gjashtëvjeçare, së bashku me familjen e tij emigron në ishullin e Kretës në Greqi.Aty shkollohet deri në shkollën e mesme, por duke shfaqur talentin dhe pasionin e tij për futbollin, regjistrohet në Akademinë Futbollistike të ERGOTELIS. Gjatë studimeve në akademi aktivizohet dhe stervitet intensivisht.Talenti i shkelqyer i tij tërheq vëmendjen e drejtuesve lokalë të sportit në Kretë të cilët e inkuadrojnë në skuadrot e kategorisë “A” të IRAKLIEOS që në vitin 2008.Gazetat greke të asaj kohe “NEA KRITI” dhe “PATRILLA” shkruajnë me superealativa për talentin dhe aftësitë e tij. Po kështu edhe radio-televizioni i Kretës “KRITH TV” e interviston  për talentin e tij të jashtzakonshëm. Për talentin e Ervinit edhe gazeta shqipe që dilte në Athinë, me datën 25 janar 2008 shukruan duke e krahasuar me talentet dhe yjet e futbollit shqiptar të kohërave të ndryshme e sidomos me emra të mëdhenj si Astrit Hafizi dhe Bledar Kola.Vit pas viti ai rritet mjaft profesionalisht dhe sot luan me skuadrën e MINOICI duke qenë një nga lojtarët kryesor dhe më të paguar të ekipit e gëzon respekt të veçantë nga presidenti dhe të gjithë shokët e tij të ekipit.

Dok-E. Lleshi

Dok-Ervini

Ervin S. Lleshi

       Shumë familje nga Kodheli kanë emigruar jashtë atdheut, por edhe mjaft të tjera janë shpërngulur në qytete të tjera të vendit kohët e fundit dhe mjaft të rinj e të reja nga këto familje si dhe ata që jetojnë ende në Kodhel kanë studjuar apo vazhdojnë të studjojnë në shkollat e larta si brenda vendit ashtu edhe në shtetet ku jetojnë e punojnë. Ata janë të shumtë tashmë, ndaj këtu nuk po ndalem të bëj një listë emërore të tyre.

      Veç këtyre që përmenda më sipër duhet të themi se në Kodhel janë shquar edhe mjaft të tjerë që në kohën e kooperativave kanë punuar si kuadro, edhe pse nuk e kanë pasur arsimin e lartë, madje as edhe atë të mesëm. Të tillë kanë qenë Gegë Zeka(Ndreca) që ka punuar në sektorin e blegtorisë, Pjetër Gaci(Lleshi) që ka punuar si magazinier i kooperativës së bashkuar për shumë kohë si dhe me detyra të ndryshme si brigadier, apo punonjës i bazës eksperimentale, Tomë Kola(Marku) që ka punuar si brigadier e pastaj magazinier në kooperativën e bashkuar. Gjithashtu krahas këtyre ka pasur edhe mjaft të tjerë që kanë spikatur edhe në fusha të tjera dhe këtu unë dua të cilësoj edhe Simon Dodën(Ndrecën) i cili është shquar si marangoz dhe si berber duarartë. Por Simoni është shquar edhe për shpirtin e tij kryengritës dhe mospajtues ndaj regjimit diktatorial, madje për këtë gjë ai bën edhe disa vite burg.

       Nga Kodheli ka marrë pjesë në luftën Nacional-Çlirimtare për tre vjet rresht deri sa plagoset dhe humb shikimin në njërin sy edhe Gjin Zeka(Gjokhilaj), si dhe u takoi të jenë në ballë të luftës shqiptaro-greke në vitin1949 Kolë Gaci(Lleshi) dhe Shkurt Zeka(Gjokhilaj). Gjini, gjithashtu ka pasur dhunti të lexonte shenja të veçanta nëpërmjet shporëve shpendësh shtëpiakë dhe shpatulla bagëtishë duke shpalosur të dhëna të ndryshme, gati ekzakte parashikimesh, por edhe fakte të ndryshme për ngjarje që mund të ndodhnin në të ardhmen apo që kishin ndodhur. Në kohën e diktaturës, e ndalojnë dhe e mbajnë një ditë e një natë në degën e brendshme për manifestim paragjykimesh dhe zakonesh të vjetra. Si për t’u tallur me të, shefi i degës së brendshme i asajo kohe i nxjerr para një shpatull dashi dhe i thotë t’ia shpjegonte se çfarë shpatulle ishte dhe e ciles lloj bagëtie. Ai i thotë atij se do t’ia thoshte të vërtetën dhe pastaj i kishte thënë se ajo shpatull kishte qenë shpatull dashi duke i përcaktuar se kush kishte qenë i zoti i atij dashi dhe pse ishte bërë kurban ai dash. Fakti pse ishte therur ai dash kishte qenë që ishte therur që pronarit të tij t’i hiqej titulli i kulakllëkut. Unë këtu nuk po e them ekzaktësisht se kush kishte qenë i zoti i dashit për arsye etike, por po shtoj se kur Gjini ia thotë shefit fjalët e para, ky i fundit ia rrëmben nga dora se mos i dilnin në shesh të palara të tjera dhe e kërcënon Gjinin se do ta burgoste nëse shikonte më shpatulla dhe aq më tepër nëse fliste se çfarë kishte parë në atë shpatull, por kjo gjë më vonë u bë legjendë urbane dhe qarkulloi gjatë gojë më gojë në popullatën e zonës. 

        Duhet shtuar këtu se dikur shkolla e mesme ka qenë një vlerë e jashtzakonshme, jo vetëm për Kodhelin, por për të gjithë vendin. Madje, po ta hedhim vështrimin edhe më tej në thellësi të kohërave, edhe të diturit shkrim e këndim, lë pastaj të kishe mbaruar një shkollë fillore apo shtatëvjeçare në kohën e mbreti Zog a më parë.Sot fëmijët e Kodhelit e kanë shansin të gjithë ta mbarojnë shkollën e mesme të përgjithshme pa asnj pagesë të veçantë. Pra sot, nuk mendoj se kjo gjë është një vlerë e veçantë, ndaj nuk i kam paraqitur të gjithë ata që kanë përfunduar një shkollë të mesme nga Kodheli, se ata janë të shumtë, madje do kisha dëshirë të thosha se janë rreth 80-90% e banorëve që janë të moshës të paktën 20 deri në 55 vjeç e pak më lart, mbase.

     Gjithashtu të shumtë janë bijtë e bijat e Kodhelit që jetojnë jashtë atdheut dhe që janë shkolluar e po shkollohen nëpër shkollat e botës duke treguar aftësi, zotësi dhe mprehtësi të shkelqyera intelektuale.

     Dhe unë sot brohoras me krenari të madhe dhe me zë të fuqishëm: Jam krenar se Jam nga KODHELI! Jam i lumtur që linda aty dhe aty dua të më pushojnë kockat e mia, tek njerëzit e mi, tek fisi im, tek vëllezërit e motrat e mia prej KODHELIT. Po! Jam krenar se jam bashkfshatar i Marubëve të famshëm, se jam bashkëfshatar i Kel Kodhelit, jam stërnip i Gjokhilës së madh, jam bashkfshatar i Llesh Prendit, fotografit të shquar të ditëve tona, jam bashkfshatar i Ervin Lleshit, futbollistit të shquar dhe me mjaft talent që luan në një nga skuadrot me mjaft emër të Kretës, jam bir i atij populli të urtë, krenar e me tradita të shkelqyera. Unë ndjehem krenar për vendin tim dhe në shpirtin e zemrën time është gdhendur me shkronja të mëdha prej ari: KODHELI.

Dok-kodheli me foto celular

Ky, pra, është Kodheli, vendi më i ëmbël dhe më i dashur për mua. Këtu unë u linda dhe u rrita dhe jam krenar pafundësisht se jam bir i këtij vendi të bekuar!

Toponomastika e Kodhelit:

Këtu poshtë po paraqes disa nga toponimet që lidhen me Kodhelin dhe që kanë qenë gjithmonë në pronësi të fshatit.Sot disa nga këta emra vendesh e tokash nuk përdoren më nga ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur.Madje sot disa nga ato emra janë zëvendësuar me emra blloqesh në hektarë, p.sh.22 hektarshi, 13 hektarshi, Blloqet e Fermës, 14 hektarshi, etj.Por këtu poshtë po paraqes edhe ndonjë shpjegim të shkurtër apo hamendësim nga vjen emri, kryesisht nga ato që lidhen nga pronësia e dikujt, apo hamendësim fisi a lagjeje.

Ardajçet,(janë më afër se çdo pjesë tjetër me fshatin, por kan emrin e Dajçit aty)

Ara e Kadisë,

Ara kalit,

Arat e Krajnit,

Ara e Lareces,(nuk dihet se kush ka qenë Lareci apo Larecja)

Ara e Luke Ndrejes,

Ara Mrigjone,

Ara Ndregjone,

Arat e bardha,

Arlamet,

Babpreçet,(Babë Preçi. Nuk dihet se kush ka qenë personi që i dha emër tokës)

Bërraka e kishës,

Bërraka e Kolë Ndokës,(nuk dihet kush ka qenë Kolë Ndoka)

Bërraka e kuvendit,

Bërraka e Sylës

Bërraka Kolgjonej,

Bërraka Mihajne,

Bërraka Tushe,

Bishti i Presekut,

Bishti i Skunderës,

Bishtkodret,

Bregu i Korbit,

Broka,(mundet të ketë qenë edhe fis në Kodhel. Ka edhe mbiemër të tillë gjetk)

Bullet,(ndoshta nga emri i kafshes me këtë emër, por edhe emër fisi të hershëm)

Bunari

Dardha e Hasmemes

Dardha e Shytit,

Dardha shatorre,

Dardhat e Brokës,

Djerret,

Djerri i Bërrakës së Sylës,

Djerri i Zekë Hilës,

Djerri Përzhin,( Përzhinet nuk njihen në Kodhel. Ka qenë lagje e hershme)

Faqja e shenjit,

Farka,

Ferrci,

Fiqtë e arës së Kadisë,

Fiqtë e Lareces, nuk dihet kush ka qenë Lareci në mos pastë qenë gjyshi i Liq Lazrit

Fiqtë e Ndokës,

Firet,

Firet e Simon Ndocit,

Frashni i Gjushit,

Frashni i Pecit,(nuk dihet se kush ka qenë Peci. Ndoshta edhe emër fisi)

Gardhi i leprit,

Gërrejet,

Gropa e Gac Kinit,

Gropa e gëlqerës së Gac Kinit,

Gropa e qymyrit,

Gropa e shninit,

Gropcat,

Gryget,

Gurët e Gac Gjonit,(nuk përcaktohet qartë kush ka qenë Gac Gjoni)

Gurët e lisave të Gjindrecës

Gurët e Patokës

Gurët e pushimeve,

Gurët e Rrokut,

Guri i bardhë,

Guri i Curkës

Guri i Ndoc Kolës

Gjiluket,

Hasmemet,

Kanali i Madh

Kapnaqja,(vijë uji)

Katuzet e Shytit,

Katuzet e Zekë Shtjefnit,

Kepcat,

Kloset,(mund të jetë nga emër fisi apo familjeje)

Kloset e Hilë Filipit,

Kloset e Shytit,

Kloset e Zekë Hilës,

Kodërplesha(edhe emri i lagjes së hershme që sot nuk ekziston.Kujto fshatin Pleshë)

Kopshti i Dedës,

Kopshti i Jakut,

Kopshti i larit,

Kopshti i Lazer Matisë,

Kopshti i linit,

Kopshti i Lushit,

Kopshti i madh,

Kopshti i Monit,

Kopshti i Ndoc Kolës,(nuk dihet kush ka qenë Ndoc Kola)

Kopshti i Syqit,

Kopshti i Shukut,

Kopshti i Shytit,

Kopshti i Zefit,

Kopshti i Zef Markut,

Kopshti i Zogut,

Kroni i keq,

Kroni i Pleshës,

Kypçat e Lsamës së Gjok Palit,

Kypçat e Ndokës,

Lama e bletëve

Lama e Gjokë Palit,

Lama e Jakut,

Lama e kotecave,

Lama e Nukës,(nuk dihet kush ka qenë Nuka. Ndoshta emër fisi)

Lama e Syqit,

Lama e Shytit,

Lama e Zekë Hilës,

Lama e Zogut,

Lamëkodra,

Lami plak,

Lari i Ndokës.

Lari i Zogut,

Lezet,(emër toke që mund t’i ketë përkitur një gruaje apo edhe fisi)

Lisat e Gji(n) Ndre cës,(nuk është i përcaktuar se kush ka qenë Gjin Ndreca)

Lisi i kishës

Lisnja e Prendit,

Livadhet e buta,

Livadhi i madh,

Livadhet e Ndokë Markut,(nuk dihet kush ka qenë Ndokë Marku)

Livadhet e Nënshatit,

Livadhi i Çehajt(i Qehajait),

Livadhi i Gjo Hilës,(sot nuk dihet se kush ka qenë Gjon Hila)

Livadhi i Hilë Gjonit,

Livadhi i kishës,

Livadhi i priftit

Magjypet e Rrokut,

Magjypet e Zekë Hilës,

Mahalla e sipërme,

Mahalla e poshtër,

Maja e Brokës,

Mandi i Lamës së kotecave,

Mandi i Lushit,

Mandi i Marka Zefit,

Mandi i Pusit të Poshtër,

Mandi i Zekë Hilës,

Mandi i Zogut,

Meçet e Shukut,

Mollishti,

Muninet,(mund të ketë qenë emër fisi apo lagjeje të hershme)

Ograja e Jakut,

Ograja e kishës,

Ograja e Liqit të Lazër Lecit,

Ograja e Marjakut,(nuk dihet se kush ka qenë Mar(k) Jaku

Ograja e Marka Lleshit,(Marka Lleshi, ka qenë një degëzim nga Gjokhilajt)

Ograja Mihajne,(Mejhane)

Ograj Mlikja(Mlikët ka të ngjarë të kenë qenë fis nga Kodheli pa pasardhës)

Ograjet e Palok Zefit,(banor i hershëm i Kodhelit. Brezat e sotëm nuk e njohin)

Ograja e Pepës,

Ograjat e Rrokut,

Ograja e Syqit,

Ograja e Shtjefën Zefit

Ograjat e Shukut,

Ograja e ullinit,

Ograja e viçave,

Ograja e Zogut,

Palvaset,(nuk dihet se kush ka qenë Pal Vasa që ka pasur atë pronë me atë emër)

Pataloku i madh,

Pataloku i Ndokës, (i Monit)

Patoket,(mundet të jetë edhe emër i një fisi apo lagjeje)

Perivoli,(nuk ka domethënie. Mundet edhe të jetë emër lagjeje të panjohur)

Peshtijet,( në dukje tregon për emër fisi apo lagjeje)

Përroi i Brokës,

Përroi i Patokes,

Përroi i Pyllës së Gjonit,

Përroi i Shkjaut,

Përroi villç,

Picirraqet,

Pilinarda,

Pozicionet, pas Varreve të Brokës, llogore të hapura nga austriakët

Preseku,(ndoshta emër fisi. Kujto fshati Prosek i Mirditës)

Pusi i Fangut,

Pusi i keq,

Pusi i poshtër,

Pusi i Qelës,

Pusi i ri,

Pusi i shpisë së re,

Pusi i vogël,(pjesë e Kapnaqes pjesa më e thellë e saj dhe nuk shterronte kurrë)

Pusi i Zef Markut,

Pylla e Balldrenit,

Pylla e Bibë Dodës,

Pylla e Brungës

Pylla e Gjonit,(nuk dihet se kush ka qenë Gjoni që i kishte dhënë emër pyllit)

Pylla e kishës,

Pylla e Liqit,

Pylla e Lleshit,

Pylla e Milotit,

Pylla e Ndok Zefit,

Pylla e Tushe,

Qafëgëlqerëza,

Qarret,

Rrahi,

Rrahi i Marka Lleshit,

Rrahi i Monit,

Rrahi i Syqit,

Rrahi i Zogut,

Rrega e kishës,

Rrethet,

Rrethetoret,

Rruga e Baqlit,

Rruga e bregut,

Rruga e Dajçit,

Rruga e kishës

Rruga e Kotrrit,

Rruga e Krajnit,

Rruga e krytit të Ardajçeve,

Rruga e Lamkodrës,

Rruga e letrave,

Rruga e madhe,

Rruga e Nënshatit,

Rruga e priftit,

Rruga e Skunderes,

Rruga e shpisë Kolgjone

Rruga e tigllareve(nuk dihet se kush kanë qenë Tigllaret, ndoshta edhe fis a lagje)

Rruga e vorreve,

Rruga e Vorrit të Nanës së Tatës

Skunderet,(mund të ketë qenë lagje e hershme e fshatit)

Skuliqet,

Stani i Syqit

Stanzat,(emër që nuk dihet se nga vjen. Ndoshta emër fisi apo lagjeje të hershme)

Shkozat,

Shkurtet,

Shpija e re e Syqit,

Truma e Kodhelit,

Tushet,(mund të jetë nga emër fisi apo familjeje)

Ullini i lamkodres,

Ura bishtore,

Ura e Gërrejeve,

Ura e kanalit,

Ura e kulakëve,

Ura e Qarreve,

Ura e re,

Ura e Rretheve,

Ura Gjiluke,(nuk dihet kush ka qenë Gjin Luka, ndoshta edhe emër fisi)

Vacrra e Memës,(nuk dihet kush ka qenë Mema. Ndoshta edhe emër fisi)

Varoshi,(mund të ketë qenë edhe emër lagjeje. Kujto lagjen Varosh të Gjirokastrës)

Vau i Skunderes,

Vau i Zogut

Veshet,(ngjan si të jetë nga pronësi e ndonjë emër fisi)

Veshti i keq,

Vidhat e Vesheve,

Vija e Bulles,

Vija Gërrejave,

Vija e Gjilukes,

Vija e Korbit,

Vija e Qarres(Qarrja)

Vneshta e Hilë Filipit,

Vneshta e Llupit,(nuk dihet kush ka qenë Llupi. Ndoshta emër fisi)

Vneshta e Marka Zefit,

Vneshta e Nures,(nuk dihet kush ka qenë Nurja. Ndoshta emër fisi)

Vneshtë e Syqit,

Vneshta e Zekë Hilës,

Vneshta e Zek Shtjefnit,

Vorri i Nanës së Tatës,(nuk dihet se kush ka qenë nana e Tatës që vdiq nga kolera)

Zabeli,

Zhuriqet,

Shënim: të gjitha emertimet e toponimisë së paraqitur këtu janë paraqitur sipas shqiptimit të vetë banorëve të Kodhelit dhe nuk jam përpjekur të zbatoj me korrektësi normën letrare.

Literatura dhe burimet e shfrytëzuara:

Mentor Quku: Biografia e Ndre Mjedës,

Dom Gaspër Gurakuqi: Blinishti,

Ledia Lleshi: Marubët, pionierët e artit të fotografisë shqiptare,

Shqiptaria.com: Kel Kodheli,

Forumi Shqiptar: Piktori i madh “Nderi i Kombit” Kel Kodheli.

Gjithashtu janë shfrytëzuar burimet dhe thëniet gojore të të moshuarve si dhe të dhëna nga interneti apo rrjetet sociale.

           

        Në përfundim

  Gjithmonë krenar për vendin tim përulem me respekt të thellë para të gjithë njerëzve të vendit tim të origjinës, para të gjithë atyre që lindën aty, por që për arsye të ndryshme u shpërngulën dhe u vendosën në vende të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, por kurrë nuk e mohuan vendin e tyre të origjinës, përkundrazi, e përjetësuan atë duke e vendosur në substancën e tyre familjare si trashëgimi nga brezi në brez si mbiemër familjar. Kështu ishin dhe mbetën Kodhelët e famshëm si fotografë të hershëm të njohur edhe si Marubët e Shkodrës, por edhe piktori i famshëm Kel Kodheli si dhe shumë e shumë të tjerë që e morën dhe e trashëguan si mbiemër familjar dhe gjenden të shpërndar gjithandej.

       Unë në fëmijërinë dhe rininë time, ashtu siç e kam theksuar edhe më sipër, Kodhelin e njoha si një fshat ndër më të vegjëlit në Zadrimë, në mos më të voglin dhe që mund të rreshtohej veç me Baqlin, Zojzin, Kotrrin, Krajnin, Pirajt, Dragushën e Fishtën për nga madhësia, por ishte një fshat me tradita të shkëlqyera, ishte një fshat që e kishte prejardhjen e tij nga një fshat mjaft i madh dhe i hershëm, një qytezë e hershme mu në qendër të Zadrimës

       Shumëherë në korrespondencën time elektronike me mjeshtrin e madh të fotografisë të ditëve tona të talentuarin dhe të palodhurin Llesh Prendi, djalë i denjë i Kodhelit, kam cilësuar se ky libër që unë paraqes për Kodhelin nuk është vetëm imi dhe e them në dy kuptime mjaft reale dhe plot vend dhe jashtë çdo modestie. E para gjë është se këtë libër ia blatoi të gjithë bashkëfshatarëve të mi të të gjitha kohërave dhe kudo që ata qenë e që ndodhen duke u përulur para tyre me një nderim, respekt dhe dashuri të veçantë që buron nga thellësitë e shpirtit dhe zemrës sime, që buron nga krenaria e ligjshme që ndjej për origjinën time, ashtu siç u ndien dhe ndjehen të gjithë ata që ishin apo që janë nga Kodheli ynë i shtrenjtë. E dyta është se pa vlerat që ka pasur dhe ka Kodheli si dhe pa kontributin e madh dhe të paçmueshëm që mjaft miq shokë dhe të afërm të mi ma dhanë në hartimin dhe plotësimin e këtij libri, kurrë ky material nuk do të ishte kaq i vlershëm sa pretendoj dhe mendoj se është, ndaj gjej rastin të falenderoj në mënyrë të veçantë të gjithë bashkëpunëtorët e mi.

       Një falenderim të veçantë ia drejtoj mikut, shokut dhe (kam shumë dëshirë ta quaj) vëllait tim të zemrës Llesh Prendit, i cili me idetëtë e tij, por edhe me fotot e mrekullueshme nga fondi i fototekës së tij, nga arkivi i tij i mrekullueshëm, pa asnjë kursim më ndihmoi të paraqes dhe ilustroj mjaft saktë dhe me realitet të pamohueshëm shumë fakte dhe të dhëna që unë kurrë nuk do mund t’i paraqitja këtu.

     Një falenderim tepër special padiskutim që i shkon djaloshit tonë të talentuar, të palodhshmit dhe të mrekullueshmit Alban Marku, një djalë me një të sotme dhe të ardhme të shkelqyer në fushën e dijes dhe të shkencës, për ndihmesën e veçantë në përpilimin dhe plotësimin e këtij libri me pemët gjenealogjike të fiseve të sotme të Kodhelit si dhe me ndonjë material tepër special, siç është fotoja e pleqve të Kodhelit e restauruar dhe punuar me mjaft art nga ana e tij.

       Falenderoj nga zemra gjithashtu, Sander Lleshin, Filip Brozin, Kristian Gjokhilën dhe ndonjë tjetër që më ndihmuan me aq sa mundën në të dhëna kur unë kisha nevojë dhe ata pa u kursyer ma ofruan ndihmën e tyre. Nga ana tjetër, nuk mund ta lë mënjëanë dhe pa e falenderuar Nikollën, vëllain tim, i cili më orientoi dhe më dha mjaft material të vlefshëm dhe sidomos në drejtim të toponomastikës së fshatit, si dhe vëllezërit e tjerë, Paulinin, Davidin dhe Lekën, po në këtë drejtim.

     Një falenderim tepër të veçantë, me një nderim, respekt dhe dashuri të thellë, por dhe me një krenari jashtzakonisht të madhe ua drejtoj atyre që nuk janë më mes nesh, por që në kohë të ndryshme dhe që sapo nisa të hedh hapat e mi në jetë më ushqyen, jo vetëm me edukatë, kulturë dhe tradita të mrekullueshme, por edhe më mbushën kujtesën time me shumë njohuri për të kaluarën e vendit tim e në veçanti të Kodhelit dhe këta janë: gjyshi im, Zekë Shtjefni dhe babai im Gjin Zeka. Pa tregimet e tyre, pa diskutim që unë nuk mund të shkruaja as çerekun e këtij libri. Ishin ata që më treguan me mjaft hollësi për ekzistencën në hershmëri të një fshati gjigand nga ana e Kodhelit, që më trguan me imtësi sa lagje kishte pasur dhe se ku kishin qenë vendndodhjet e tyre të hershme, që më treguan vendndodhjet e rrënojave të shtëpive të atyre lagjeve, që më treguan rrugët e hershme dhe emrat e tyre si dhe drejtimet nga vinin dhe nga shkonin, që më treguan mjaft ngjarje nga historia e fshatit, por që unë jo të gjitha i kam paraqitur këtu, pasi për formatin e këtij materiali, mendova se nuk e kishin vendin t’i paraqitja të gjitha. Pa diskutim, ata ishin për mua një arkiv me vlera të mëdha dhe të pamohueshme, ndaj unë përulem me respekt dhe mirënjohje të thellë para kujtimit të tyre dhe se deklaroj se jam jashtzakonisht krenar që jam një pasardhës i tyre, që jam nip dhe djalë i tyre.

      Këtu nuk mund të rri pa falenderuar edhe mjaft të tjerë miq jobanorë të Kodhelit, por që më ndihmuan me ndonjë të dhënë që ma dhanë pa hezitim dhe në mënyrë të veçantë Gjovalin Kodhelin, sternip i Tone Kodhelit, që më orientoi për origjinën e familjes së tij. Por padiskutim këtu nuk mund të mos rri pa falenderuar edhe Gentian Zhgjunin, që më orientoi dhe më ndihmoi shumë në drejtim të publikimit të këtij materiali në google si dhe mjaft materialeve të tjera, së pari duke i paraqitur në WordPress dhe së dyti në rrjetet sociale si facebook, twiter apo google plus nga ku me kënaqësi shoh se çdo ditë, sipas të dhënave që paraqet llogaria ime e WordPress, ka mjaft ndjekës të mi nga të katër anët e botës për të gjitha sa kam publikuar, por veçanërisht për Kodhelin.

      Mirënjohje dhe respekt pafund për të gjithë ata që i kanë dhënë dhe i japin vlerë vendit tim, më të bukurit në botë, Kodhelit!

Kodheli një ishull paqeje

11 mendime mbi “KODHELI NË KËNDVËSHTRIMIN TIM

  1. Faleminderit qe keni bere gjithe kete pune kerkimore. Aq me terhoqi sa e kam lexuar thuajse te gjithen per nje nate. Kjo veper eshte nje pasuri jo vetem per Kodhelin po per te gjithe Zadrimen.

    p.s
    Te pema gjenealogjike me duket se ke kapercy Prendin, ke kalu nga Gaci te Pllumi.

    Pëlqyer nga 1 person

  2. I would like to thank you for the efforts you have put in writing this website. I am hoping the same high-grade web site post from you in the upcoming also. Actually your creative writing abilities has encouraged me to get my own web site now. Actually the blogging is spreading its wings rapidly. Your write up is a good example of it.

    Pëlqyer nga 1 person

  3. You have made some really good points there. I checked on the net for more information about
    the issue and found most people will go along
    with your views on this web site. Does your blog have a
    contact page? I’m having a tough time locating it but, I’d like to shoot you an e-mail.
    I’ve got some ideas for your blog you might be interested in hearing.
    Either way, great website and I look forward to seeing it improve over time.
    This is a topic which is near to my heart…
    Take care! Where are your contact details though? http://alienware.com

    Pëlqejeni

  4. YOU NEED QUALITY VISITORS THAT BUY FROM YOU ?I can get for your site visitors:- from search engines – visitors from social media – visitors from any country you want – very low bounce rate & long visit durationCLAIM YOUR 24 HOURS FREE TEST => https://bit.ly/3gqLEoEDo not forget to read Review to convince you, is already being tested by many people who have trusted it !!

    Pëlqejeni

  5. YOU NEED QUALITY VISITORS THAT BUY FROM YOU ?I can get for your site visitors:- from search engines – visitors from social media – visitors from any country you want – very low bounce rate & long visit durationCLAIM YOUR 24 HOURS FREE TEST => https://bit.ly/3gqLEoEDo not forget to read Review to convince you, is already being tested by many people who have trusted it !!

    Pëlqejeni

  6. YOU NEED HELP FOR SEO LINK BUILDING?

    We offer you the BEST SEO STRATEGY for 2020, my name is Roseanne Villalobos, and I’m a SEO Specialist.

    I just checked out your website fol-shqip.com, and wanted to find out if you need help for SEO Link Building ?

    Build unlimited number of Backlinks and increase Traffic to your websites which will lead to a higher number of customers and much more sales for you.

    SEE FOR YOURSELF=> https://bit.ly/3dhrKtA

    Pëlqejeni

  7. YOU NEED QUALITY VISITORS for your: fol-shqip.com

    My name is Gilda Sneddon, and I’m a Web Traffic Specialist. I can get:
    – visitors from search engines
    – visitors from social media
    – visitors from any country you want
    – very low bounce rate & long visit duration

    CLAIM YOUR 24 HOURS FREE TEST => https://bit.ly/3h750yC

    Pëlqejeni

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s