GJENEZA E FISIT TIM(GJOKHILAJT)

Gjeneza e Gjokhilajve

 

Në vend të parathënies

   A- foto e diplomës Kur je larg njerëzve dhe vendit që ke dashur më shumë, ndien më shumë mall dhe obligim për ta. Edhe unë tashmë, i ndodhur prej disa vitesh larg vendlindjes dhe njerëzve të mi të dashur, shumëherë kujtime të shumta vijnë e më mbulojnë për ato që më mungojnë aq shumë. Nganjëherë mendimet më ndërthuren edhe me ato gjëra që kanë të bëjnë me pasardhësit tanë nëse edhe ata do ta kenë dashurinë dhe mallin që ne kemi tashti, për vendin e të parëve të tyre. A do të jenë ata në gjendje të njohin mirë prejardhjen dhe origjinën e tyre kudo që ata të jenë? A do të kenë interesim të mjaftueshëm t’ua transmetojnë të dhënat për origjinën e tyre(nëse për vete do ta kenë të qartë), pasardhësve të tyre.
Duket vërtetë absurditet, por më ka rastisur të njoh njerëz që kanë ditur emrat e kushërinjëve të tyre, po nuk kanë mundur të kujtojnë emrat e xhaxhallarëve të tyre edhe kur ata mund të kenë qenë kushërinj të parë. Sigurisht, këto duhet të jenë raste të veçanta dhe kurrësesi të shpeshta, por, sidoqoftë, duke më lënë një shije jo fort të këndshme për ata persona, kam menduar shpeshherë se mos kjo mund të ndodhë edhe tek pasardhësit tanë, aq më tepër në kushtet e një emigracioni të madh që ka përfshirë vendin tonë.
Duke u nisur nga këto ide dhe mendime, ndërmora me vetën time këtë nismë që të paraqes disa të dhëna kryesore për gjenezën e fisit tim dhe të njerëzve të mi në veçanti.
Nuk kam të dhëna të mjaftueshme për të paraqitur një material plotësisht të saktë e pa gabime, por po përpiqem të shpalos kujtesën time rreth atyre gjërave që unë kam dëgjuar nga goja e më të moshuarve rreth origjinës së fisit tonë. Po ashtu po u drejtohem kujtimeve të mia të moshës së fëmijërisë e rinisë sime të hershme. Jam i sigurtë se po të kisha ndërmarrë këtë nismë këtu e 25-30 vjet më parë, do të kisha pasur më shumë mundësi për të shfrytëzuar të dhëna gojore me shumë vlerë e më të sakta përsa i takon vërtetësisë së faktëve, por atëherë unë nuk kam qen kaq i motivuar sa jam tashti.
Ua kushtoj këtë testament fëmijëve të mi, djalit tim Enkeledit dhe vajzës sime Aldës si dhe nipave e mbesave të mija që i kam larg e që më ka marrë malli aq shumë për to, e përgjithësisht të gjithë atyre që janë të etur për të ditur diçka më shumë rreth origjinës së fisit të tyre.
Ndiej keqardhje që për momentin nuk e kam mundësinë për t’u konsultuar me ata njerëz që ende kanë njohuri më shumë për këtë gjë. Shpresoj që ndonjëherë do të më jepet mundësia për të korrigjuar ndonjë gjë që tashti për tashti e kam me dyshim ose, për të shtuar edhe fakte të tjera që unë s’kam mundur t’i përfshij këtu.
Shpresoj që ky punim të ketë sadopak vlera njohëse për ata që janë të interesuar të dinë diçka më shumë për origjinën e tyre.

KODHELI
Në qendër të Fushës së Zadrimës, në një kodër që zbret në formën e një patkoi pak a shumë, në njërin degëzim të saj shtrihet fshati Kodhel. Është një fshat i vogël. Drejtimi kryesor ekonomik i fshatit është bujqësor dhe blegtoral. Kohët e fundit një ndihmë e madhe në ekonominë e fshatit ka qenë edhe emigracioni. Pyjet, që dikur kanë qenë një tjetër burim i të ardhurave si dhe ia shtonin së tepërmi bukurinë këtij fshati, tashmë ekzistojnë veç si një kujtim i bukur i së kaluarës, ose si një imazh i së ardhmes për ata që kanë dëshirë për t’i rimëkëmbur përsëri.

     I ndodhur pothuajse në distancë të barabartë nga dy malet e ulëta që kufizojnë Fushën e Zadrimës(Mali i Krajnit dhe Mali i Kakarriqit), Kodheli kufizohet ose më mirë të themi: në veri ka Kotrrin, në veri-perëndim ka Dajçin, në perëndim ka Gjadrin, në jug ka Blinishtin, në jug-lindje ka Baqlin, në lindje ka Krajnin dhe në veri-lindje Nënshatin dhe më tej Hajmelin.

     Dikur ka qenë një fshat i madh, siç thonë gojëdhënat, me rreth 300 shtëpi ku mund të ketë pasur një popullsi me mbi 2000 banorë duke pasur parasyshë se ka pasur familje të mëdha me më shumë se 60-70 pjesëtarë. Mendohet se, së paku, popullsia e Kodhelit ka qenë e shpërndarë në tetë lagje kryesore. Këto kanë qenë: Pleshë, Shtjepalaj, Përzhinaj, Brozaj, Shlikaj, Llugaj, Gjonaj dhe Kolgjonaj, ndoshta ka ekzistuar edhe ndonjë lagje tjetër, por unë kaq kam arritur të marr të dhëna nga më të moshuarit në kohë të ndryshme. Për këtë kanë dëshmuar të moshuar që kanë jetuar në ato kohëra dhe që më vonë ua kanë transmetuar gojarisht më të rinjëve e fëmijëve të vegjël e ata i kanë transmetuar më vonë tek brezi ynë. Babai im, Gjin Zeka, e ka dëgjuar nga goja e një plake të moshuar të fisit tonë, e cila ka jetuar 114 vjet jetë dhe ka qenë e pamartuar. Ajo e ka pasur emrin Mrikë Marku dhe të rinjtë e fëmijët e thërrisnin Halla Mrikë Marke. Ajo tregonte se në lagjën Pleshë, e panjohur nga banorët e sotëm të fshatit, në kohë kur turku merrte burrat angari, kishin dalë 50 burra me 50 kuaj njëherësh për të punuar angari për qeverinë turke.

     Gjithashtu, edhe toponomastika e fshatit flet qartë, jo vetëm për kulturën e hershme të fshatit, siç do të mundohem ta shtjelloj edhe më popshtë për të ilustruar detaje të ndryshme, por edhe për emrat e lagjeve që përmenda më sipër. Lagjja Pleshë ka qenë një nga lagjet më të sipërme të fshatit dhe rrënojat e themeleve të kësaj lagjeje kanë ekzistuar gjer në ditët e sotme. Kodra ku ka qenë e vendosur kjo lagje quhet sot Kodër Pleshë. Diku tjetër ka ekzistuar edhe një bërrakë uji që është thirrur Bërraka Kolgjone, që do të thotë se është përdorur nga banorët e asaj lagjeje për nevojat e tyre, për të larë e shpëlarë apo për t’u dhënë ujë bagëtive të kësaj lagjeje. Mëhalla e sipërme që ekziston sot e që ka qenë banuar kryesisht nga fisi ynë, nga banorët e tjerë ka qenë thirrur me emrin Llugaj. Kështu kanë ekzistuar edhe toponime të tjera të bollshme për lagjet e tjera. Dëshmi të qarta janë edhe themelet e rrënojave të shtëpive të vjetra të këtyre lagjeve që dikur kanë qenë të banuara dhe që unë i kam parë vetë ato themele kur unë kam qenë fëmijë, por që sot s’e besoj që ato ekzistojnë më, pasi vetë fshatarët i kanë prishur për të marrë gurët për ndërtim. Tani le t’u referohemi toponimive për të ilustruar më tej.

    Në qendër të fshatit është një vend që quhet Farka. Kjo dëshmon se duke qenë një vend me një popullsi të madhe, i duhej edhe një repart farkëtarësh për të farkëtuar vegla pune në nevojë të popullsisë vendase. Nga të moshuarit në një rreze kohore prej më shumë se 100 vitesh nuk është njohur një objekt i tillë në Kodhel. Edhe vetë prejardhja e emrit të fshatit duhet të ketë origjinën tek kjo zej karakteristike e cila për këtë fshat duhet të ketë qenë mjaft e hershme dhe, pse jo, edhe kryesore për zonën për vetë vendndodhjen e fshatit me një rreze largësie me fshatrat që e rrethojnë që varion në më pak se 2km. E jo më shumë se 4km. Edhe origjina e emrit të fshatit tonë ka disi një pikë të dyshimtë. Një variant i mundshëm mund të jetë edhe nga fakti se  në Kodhel ka ekzistuar një farkë apo më shumë në vendin ku quhet “Farka”. Pra mund të them se emri Kodhel vjen nga fjala kudhër(kudhen,kudhel). Dihet se në dialektin gegë nuk është i përdorur ’’r,, si në toskërishte(drapen,gjarpen,zemen,urdhen,laken,emen,etj. për: drapër, gjarpër, zemër, urdhër,lakër,emër,etj.). Megjithatë kjo mund të mos jetë e saktë dhe mund të ketë një prejardhje tjetër etimiologjike ky emër.

      Një version tjetër i prejardhjes së emrit Kodhel duhet të jetë nga fjala ’’kullë,,. Kjo ka gjasë për dy arsye: E para se fshati është shquar për ndërtesa dykatëshe në tërësi dhe këto lloj ndërtesash janë quajtur kulla. Secila ndërtesë kishte oborrin e vet të rrethuar mjaft mirë. E dyta është fakti se fshati ynë gjithmonë është shqiptuar me emrin Kullel. Kjo ka ngjashmëri të përpiktë shqiptimi me fjalën’’kullë,,.

Dok-kulla e Zek HilësDok-kulla e Hilë Filipit                 Janë të njohur vende me emrat: Brraka e Kuvendit si dhe Brraka Mihajne. E para tregon për një pikë takimi te kryefamiljarëve për mbledhje fshatçe. E dyta mund të lidhet me emrin mejhane fjalë turke që në të shkuarën është përdorur në vend të fjalës pijetore. Pra kjo lë të kuptohet se duhet të ketë ekzistuar një e tillë që është karakteristikë për vende me popullsi relativisht të madhe. Në kohët e vona nuk kanë ekzistuar ato, gjithnjë është fjala për rreze kohore në më se 100 vjet. Në majën e Kodër Pleshës njihet një vend me emrin Lamë Kodër. Atje nuk ka pasur shtëpi banim në kohët e vona(të paktën për nja 100-150 vjet),por emri ekziston dhe në atë vend, sipas thënieve të të moshuarve, po të gërmohet, mund të zbulohet një lëmë e madhe që dikurë është përdorur për të shirë grurin e lagjes që mund të ketë pasur vendbanimin në atë pjesë vendi. Vendi në fjalë ndodhet në një largësi mjaft të konsiderueshme nga fshati ekzistues i sotëm. Kjo mund të përbëjë edhe një fakt interesant për ndonjë ekspeditë arkeologjike. Gjithashtu ekzistojnë emra tokash e vendesh me emra pronarësh të hershëm që nuk u kanë takuar katër fiseve kryesore që sot popullojnë Kodhelin.

     Për një popullim mjaft të hershëm të një popullsie relativisht të madhe flet edhe fakti se Kodheli ka pasur një kishë të ndërtuar para më shumë se 300-350 vitesh. Kjo ka ekzistuar deri në vitin 1967 kohë kur regjimi komunist i Enver Hoxhës i shkatërroi të gjitha objektet e kultit në Shqipëri. Kjo kishë ka qenë me një arkitekturë mjaft të thjeshtë e me mure mjaft të vjetra dhe mund të themi se ka qenë ndër kishat më të vjetra të Zadrimës në mos më e vjetra, duke lënë mënjëanë kishën e Shkrepit në Nënshat që është njohur si një nga dioqezat më të vjetra të zones së Veriut. Gjithashtu kisha e Kodhelit është thirrur Kisha e Shën Rrokut dhe ka qenë ndërtuar në një pikë që zotëronte një fushëpamje mjaft të gjerë. Ndërtimi i kishave në kohë të herëshme ka pasur disa kritere karakteristike. Kryesisht ato duhej të ndërtoheshin në pika dominante ku mund të shikohej prej dy kishave të tjera simotra të saj. Kjo bëhej që njëra kishë t’i transmetonte mesazhe të ndryshme tjetrës me anë drite ose edhe me anë këmbane. Kështu në ato kushte jepeshin sinjale nga një fshat në tjetrin e nga njëra krahinë në tjetrën. Pranë kishës ka qenë edhe qela e priftit apo e priftërinjëve. Më vonë ka qenë shkatërruar tërësisht dhe priftërinjtë vinin nga Nënshati. Mesa duket, pas shpërnguljeve të mëdha dhe pas epidemive që ranë në Kodhel dhe e shpopulluan si fshat, edhe priftërinjtë që shërbenin aty u shpërngulën dhe qela nuk funksionoi më, derisa pësoi rrënim total.

     Popullsia gjithnjë ka qenë e besimit katolik dhe nuk mbahet mend të ketë pasur popullsi muslimane ose të ndonjë besimi tjetër në Kodhel. Gjithashtu banoret e fshatit gjithëmonë kanë festuar festën e Shën Rrokut, emrin e të cilit mbante kisha si dhe festën e Rruzarës të cilën e ka festuar edhe Dajçi e Kotrri. Tashti, aty nga viti 1997 filluan punimat për ndërtimin e kishës së re e cila është përfunduar dhe është ndërtuar në qendër të fshatit, por jo më në vendin që dikurë ka qenë ndërtuar kisha e vjetër.

Dok-Kisha e Kodhelit

    Atëherë lind pyetja: Ku shkuan gjithë ata njerëz që populluan këtë fshat para pak më shumë se 100-150vjet dhe pse ata nuk lanë pasardhës të sotëm në këtë fshat? Përgjigja qëndron në dy faktorë kryesorë që çuan në shpopullimin e këtij fshati. I pari ishte se në Kodhel pat rënë një epidemi mortaje që shfarosi në masë popullsinë e këtij fshati. Epidemia përfshiu si njerëzit ashtu edhe gjënë e gjallë e cila ishte në ato kohë burim kryesor jetese për popullsinë. Njerëzit vdisnin në masë dhe kush mundte i varrosnin ku të mundnin. Ka ekzistuar një vend me emrin Vorri i nanës së Tatës. Të moshuarit tregonin se aty ishte varrosur një grua e fshatit në kohën e mortajës. Ajo kishte qenë duke sjellë në shtëpinë e saj një barrë dru dhe kishte vdekur mu në mes të rrugës me gjithë barren e drurëve në shpinë. Në po atë vend që ajo kishte vdekur, në po atë vend e kishin varrosur edhe pse nuk ka qenë shumë larg varrezave të fshatit. Varri ka ekzistuar deri në ditët e sotme, por nuk jam i sigurtë nëse ekziston akoma atje edhe tash.

    Një faktor tjetër ka qenë edhe emigracioni ose shpërngulja e shumë familjeve dhe rendja drejt Shkodrës për një jetë më të mirë. E njohur ka qenë edhe familja Marubi ose familja e Kel Kodhelit në Shkodër. Familja e Kel Kodhelit e ka ruajtur mbiemrin  nga fshati i origjinës, Kodheli.

     Aty nga vitet ’50-’60, ashtu siç e kam njohur unë në fëmijërinë time, Kodheli ka numëruar në përbërjen e tij më pak se 20 shtëpi në dy lagjët e tij të njohura:     Mahalla e Sipërme ku kanë banuar vetëm fisi ynë, Gjokhilajt, dhe Mahalla e Poshter (e Poshtme) ku kanë banuar Syqtë, Markajt, Brozajt, Simondocajt si dhe ndonjë familje e ardhur në vitet e fundit (pak para çlirimit).

     Duke dashur të tregoj përbërjen e fshatit, siç e njoha unë në fëmijërinë time të hershme, po përmend emrat e kryefamiljarëve të viteve’50:

     Në Mahallën e Sipërme kanë qenë familjet e Ndokë Simonit, Lekë Simonit, Ndoc Lushit, Rrok Dedës, Shuk Prekës, Zog Bardhit, Zekë Shtjefnit dhe Jak Kolës. Për pak kohë ka banuar këtu edhe Prengë Marku nga Kaça.

     Në Mahallën e Poshtme kanë banuar familjet e Lazër Matisë, Kolë Zefit, Gegë Zefit, Marka Zefit, Llesh Kolës, Zekë Hilës, Shyt Lazrit, Rrok Gjushit, Hilë Filipit, Prend Lleshit dhe Kolë Matisë. Familjet e Zekë Hilës dhe e Llesh Kolës kanë qenë dy familjet më të mëdha të Kodhelit për atë kohë, me mbi 20-25 pjesëtarë, ndoshta edhe më shumë. Edhe familja jonë ka numëruar deri në 20 vetë, si dhe familja e Zog Bardhit, gjithashtu, ka pasur shumë pjesëtarë.

     Aty nga viti 1956 fshati u kolektivizua dhe kryatar i kooperatives u zgjodh Luigj Kodheli, djali i Zog Bardhit. Për objekt zyrash kooperativa përdori shtëpinë e Palok Gjokës që prej disa kohësh kishte shkuar me banim në Shkodër. Pas 2-3 vitesh kjo kooperativë u bashkua me tre fshatra të tjerë që ishin Dajçi, Kotrri dhe Dragusha. Pra u formua kooperativa e bashkuar me qendër në Dajç. Më vonë u bashkuan edhe Maba, Grashi e Zojzi.

     Gjer në atë kohë shumica e fushave ishin të pyllëzuara e të pasistemuara. Kishte shumë vija uji që qarkonin territore të konsiderueshme tokash e kullotash dhe i shërbenin fshatit për të siguruar ujin për bagëtitë, si dhe për peshkim gjatë verës, por hera-herës edhe dimrit. Me kolektivizimin e bujqësisë këto vija u mbyllën dhe tokat u shpyllëzuan. Që nga lumi Gjader, në mes Dajçit e Kotrrit me punën e të burgosurve u hap kanali i madh kullues që derdhet në lumin Drin. Kjo shërbeu pastaj si për të siguruar ujin gjatë verës, ashtu edhe për kullimin e fushave nga përmbytjet e dimrit. Natyrisht ky ishte ujë më i paster se ujërat e ndenjura të vijave ekzistuese, sepse ishte ujë i rrjedhshëm e për këtë i shërbeu fshatit për shumë kohë për të larë e për të gatuar. Ujin e pijshëm Kodheli e ka pasur rreth 2 ose pak më shumë kilometra larg, në afërsi të Krajnit.

      Në vitet e para të çlirimit të vendit ishte hapur shkolla fillore për dy fshatrat; Baqel dhe Kodhel në fshatin Baqel. Aty nga fillimi i vitit 1961 u hap shkolla fillore në Kodhel në ish shtëpinë përdhese të Rrok Gjushit. Duhet thënë se pothuajse të gjitha shtëpitë e Kodhelit ishin kulla dykatëshe, por kishte 2 ose 3 shtëpi që ishin përdhese. Këta ishin shtëpia e Rrok Gjushit, e Lazër Matisë dhe e Kolë Matisë që kishte ardhur relativisht vonë në Kodhel. Më 15 prill 1979 ra një termet i fuqishëm e megjithatë kullat e Kodhelit qëndruan në këmbë pothuajse të gjitha por me disa dëmtime të riparueshme. U dëmtua kulla e Mark Zefit dhe e Gegë Zefit të cilëve ua bënë të reja, po ashtu edhe kulla e Gac Jakut pjesërisht.

      Kur u hap shkolla në Kodhel, mësuesi i parë i kësaj shkolle ka qenë Benardin Ashiku nga Shkodra dhe me qenë se Kodheli nuk i kishte kushtet e përshtatshme për strehimin e jabanxhinjve, ai flinte në shtëpinë e Marka Zefit në një dhomë të sajuar enkas për të. Hapja e shkollës u bë e mundur nga iniciativa dhe interesimi tepër i veçantë i Luigj Kodhelit (Gjokhilajt). Aty nga viti 1959 u hap shkolla 7-vjeçare në fshatin Blinisht dhe kjo solli mundësinë e shkollimit të mëtejshëm të fëmijëve të Kodhelit.

Dok-kulla

            Prejardhja e fiseve të tjera

    Përveç fisit të Gjokhilajveë siç e cilësova më lart kanë qenë dhe janë edhe katër fise të tjera kryesore. Fisi i Markajve mendohet të ketë qenë më i vjetri në Kodhel. Ky fis mendohet ta ketë origjinën nga Kthella e Mirditës. Për këtë unë mbështetem gjithënjë sipas thënieve të gjyshit tim, Zekë Shtjefni, por nuk mund ta konfirmoj si të vërtetë plotësisht. Kjo gjë u përket atyre ta cilësojnë për vetën e tyre nëse kjo është e saktë, ose ata kanë ndonjë tjetër prejardhje. Gjithashtu dallohen edhe fisi i Simondocajve dhe i Brozajve që mendohet të jenë edhe më të hershmit në Kodhel.

     Fisi i Syqve ka një prejardhje pak a shumë të panjohur, por është thënë gjithënjë se i pari i tyre ka qenë një jetim që është rritur, përkrahur e martuar nga fisi i Gjokhilajve me një vajzë të po këtij fisi. Ky, thuhet, se e ka pasur emrin Tomë dhe e kanë thirrur me mbiemrin Syku që më vonë ka derivuar në Syqi. Në këtë fis kanë qenë familjet e Zekë Hilës dhe të Llesh Kolës si dhe Gjush Frrokut. Dy familjet e para kanë qenë deri vonë familje me më shumë pjesëtarë.

     Prend Lleshi ka qenë i ardhur nga Karma e Shkodres dhe Kolë Matia nga Nënshati. Prengë Marku s’ka ndenjur për shumë kohë në Kodhel. Ka qenë i ardhur nga Kaça e prapë ka shkuar atje për banim.

     Mua nuk më takon të shkruaj gjatë për fiset e tjera,  pasi u takon atyre të shkruajnë e të flasin për vetën e tyre, prandaj s’po ndalohem më gjatë ta shtjelloj këtë problem. Megjithatë iu kërkoj falje nëse këtu krijohet ndonjë keqkuptim dhe do të jemë i gatshëm të bëj korrigjimet e nevojshme, në rast se mund të jetë bërë ndonjë paraqitje e gabuar në këtë shkrim timin dhe dikush prej tyre m’i sugjeron gabimet e mia të mundshme. I mirëpres me respekt dhe dashamirësi të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e ndonjërit që ka të dhëna më të sakta dhe më të mbështetura për sa kam thënë e sa do të parashtroj më poshtë në këto shënime. Do t’i isha shumë mirënjohës çdo bashkëpunuesi që është i gatshëm të japë kontributin e tij sado modest me qëllim që ky hulumtim i imi të jetë sa më i plotë dhe sa më i saktë.

                               GJOKHILAJT

Dok-kodheli me foto celularKuzhneni

      Prejardhja e fisit tonë është nga fshati Kushnen i Mirditës. Mendohet se mbiemri pararendës i fisit tonë ka qenë Gjonaj, ose Ndregjonaj. Kjo është thënë nga të moshuarit e fisit tonë si dhe kanë ekzistuar toponime me emra vendesh si Ara Ndregjonej, Brraka Kolgjonaj etj. Gjithashtu, në një bisedë që më ka rastisur të kemë bërë me një grua të moshuar nga fshati Kashnjet i Mirditës shumë vite më parë, aty nga fundi i viteve ’70, (ajo ishte bijë nga Kushneni, nga i njëjti vend nga origjina e fisit tim), më ka konfirmuar se në Kushnen ekziston një fis me emrin Ndregjonaj. Pra ne duhet t’i përkasim atij fisi, mendoj.

      Në Kodhel fisi ynë duhet të ketë më shumë se 250-300 vjet që ka rënë nga Kushneni. Për këtë flasin zakonet, traditat si dhe theksi gjuhësor që fisi ynë përdor. Po të shihet me vëmendje, banorët e Zadrimës që kanë rënë relativisht vonë nga Mirdita, i kanë ruajtur shumë të freskëta zakonet, traditat, veshjet si dhe theksin gjuhësor të zonës së Mirditës nga ata kanë rënë. Krejt e kundërta ngjet me fisin tonë. Veshjet e grave, sidomos, zakonet, traditat si dhe theksi gjuhësor janë tërësisht zadrimore dhe tërësisht të ndryshme me ato mirditore ku janë ruajtur mjaft mirë në Dragushë e në fshatra të tjerë ku janë mirditorë të ardhur ndoshta pak më shumë se 100 vjet më parë. Megjithatë nga gjyshi im kam dëgjuar se kanë ekzistuar lidhjet me fisin mirditor nga është shkëputur fisi ynë deri me fillimin e Luftës së Parë Botërore. Ata vinin rregullisht e sillnin në Kodhel pjesën tonë të gështenjave dhe merrnin drithëra e gjëra të tjera. Më pas janë shkëputur tërësisht lidhjet dhe nuk është marrë më vesh për ekzistencën e tyre.

       Mbiemri Gjokhilaj është marrë relativisht vonë dhe këtë emër e ka si dhuratë nga Gjokë Hila që ka qenë kryefamiljari i njërës prej shtëpive më të mëdha të fisit e të krejt fshatit. Atje ku mund të gjurmojmë rrënjët e këtij fisi dalin dy vëllezërit Hilë Mar Shtjefni dhe Shtjefën Mar Shtjefni. Babai i Shtjefnit quhej Gjin Gjonaj. Pleqtë thoshin se ishte një plak i vjetër dhe mbante mjekërr të madhe. Thoshin gjithashtu se e thërrisnin me emrin Tata Gjini në shenjë nderimi për moshën e tij të madhe. Gjithashtu ka të ngjarë që ai nuk duhej të ketë rënë krejtësisht vetëm, ose ndoshta edhe po, por që ka pasur edhe ndonjë degëzim tjetër që për mua, sidomos në këto kushte dhe në këtë kohë nuk arrij dot të bëj një lidhje të saktë e të qenësishme me trungun e fisit. Fjala është për një person që ka qenë i fisit tonë (kështu, të paktën, kanë thënë të moshuarit), por që nuk ka lënë pasardhës dhe nuk i dihet saktë lidhja me fisin e ky ka qenë Hilë Gjoni. Mundet që të ketë ardhur si një sediment i shkëputur së bashku me pjesën tjetër të trungut të fisit tonë. Hila nuk ka lënë askënd pas vetes. Janë dy mundësi: e para ndoshta se nuk ka qenë kurrë i martuar dhe e dyta se mundet të ketë qenë i martuar, por kurrë nuk pati fëmijë në jetën e tij. Të dyja këto mundësi lidhen me një fakt të vetëm të jetës së tij sa enigmatike, aq edhe të mjerë. Që në moshë të re ka qenë marrë nga turku dhe është dërguar nizam, ose me sa duket edhe internuar për një kohë mjaft të gjatë në Anadoll. Pleqtë thoshin në Torobolluz të Anadollit(nëse vërtetë ekziston një vend i tillë në Turqi) pas shumë kohësh i humbur, ka arritur të kthehej në atdhe dhe ka jetuar në Kodhel deri në fund të jetës së tij. Ndoshta pas internimit edhe ka qenë martuar, por nuk ka arritur të lindte fëmijë, pasi qarkullonin fjalë se turqit e kishin sterilizuar nga organet gjenitale. Babai im, Gjini, më thoshte shpeshherë se ai nuk ka pasur askënd dhe se kur ai(babai im) ka qenë fëmijë i vogël, i ka bërë shërbim gjer sa vdiq. Nuk e di nëse në varrezat e fshatit  dhe kryesisht të fisit tonë të ketë ekzistuar një varr për Hilë Gjonin, por as edhe në ndonjë vend jashtë varrezave. Në të vërtetë jashtë varrezave të fshatit ka qenë vetëm një preçident i ekzistencës së një varri dhe ai ka qenë varri i Nanës së Tatës, me një histori sa të çuditshme aq edhe reale, ashtu siç e cilësova më lart dhe që po e citoj edhe këtu. Të moshuarit na tregonin për atë varr që ka qenë mjaft i dallueshëm deri shumë vonë, se aty është varrosur një grua që e kanë thirrur nëna e Tatës(ndoshta ka qenë vërtetë nëna e ndonjë burri që të tjerët e thërrisnin tatë në shenjë respekti për moshën, pasi jo shumë ka ekzistuar si emër i mirëfilltë njeriu, për të mos thënë fare) dhe që ka vdekur pikërisht tek ai vend që edhe është varrosu, jo shumë larg varrezave ekzistuese të fshatit, jo më shumë se 500 metra larg në anë të një rruge qe lidhte fshatin tonë me fshatin Nënshat. Thoshin se ajo ka vdekur gjatë rrugës së kthimit nga pylla ku kishte shkuar për të bërë dru zjarri për familjen dhe ashtu siç ka qenë e ngarkuar me barrën e drurëve mbi kurriz ka vdekur nga sëmundja e mortajes. Njrëzit, nga frika e ngjitjes së kësaj sëmundjeje famëkeqe, nuk e kanë varrosur në varrezat e fshatit, por kanë hapur një varr mu në anë të rrugës dhe e kanë varrosur mu aty. Thoshin se nuk e kanë prekur fare me dorë, por i kanë prerë litarët e barrës së drurëve dhe e kanë shtyrë drejt e në varr. Gjithmonë më ka bërë përshtypje se varri ka ekzistuar në pjesën e sipërme të rrugës dhe jo në atë të poshtmën ku mundej të ishte më e lehtë për ta rrokullisur trupin pa e prekur me dorë dhe për ta groposur. Kjo më vë në dyshimin se ajo e gjorë grua nuk do të jetë varrosur vërtetë ashtu siç thonë, por mund të jetë djegur ashtu siç ka qenë në pozicionin që ka nxjerrë frymën e fundit së bashku me barrën e drurëve që ka pasur mbi kurriz, po në atë vend ku është mbështetur në grahmat e fundit të jetës së saj dhe që njerëzit më vonë simbolikisht duhet t’i kenë ngritur atë varr në shenjë kujtimi dhe respekti. Pra nuk ka pasur asnjë varr tjetër veç atij të cilin e përmenda më sipër dhe që besoj se ekziston edhe sot e kësaj dite në po atë vend si më përpara. Hilë Gjoni duhej të jetë varrosur në të njëjta varreza të fshatit, por më vonë në varrin e tij mund të jetë varrosur ndonjë person tjetër e pas tij edhe ndonjë tjetër dhe kështu që nuk ka ekzistuar një varr i veçantë për të, ose ndoshta po, por tashmë i harruar diku në ndonjë qoshe të varrezave.

     Hilë Marshtjefni kishte disa djem. Ndër ta ishin Marku, Jaku, Gjoka dhe Tuku (Pjetri). Megjithëse Marku ishte më i madh në moshë se Gjoka, njerëzit e fshatit si dhe të fshatrave përreth e thërrisnin Marku i Gjokë Hilës. Kështu thërriteshin edhe vëllezërit e tjerë dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes. Gjoka ka qenë i njohur si në Zadrimë ashtu edhe në krahinat e tjera përreth për urti e burrëri. Gjithashtu Gjokë Hila ka marrë pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Çdo pjesëtar i familjes në vende të tjera prezantohej duke thënë; ’’Jam i shpisë së Gjok Hilës,,.

       Gjoka ka pasur dy djem, Prekën dhe Ndokën. Preka ka pasur Kolën, Dedën, Shukun dhe Lukun. Kola ka pasur Jakun, Deda ka pasur Rrokun dhe Shuku ka pasur Gjinin. Luku nuk ka lënë djalë veç dy vajza. Jaku ka lënë Kolën,Gacin dhe Serafinin. Rroku ka pasur Vasën, ndërsa Gjini ka lënë Ejllin, Hilën, Pashukun, Bardhin dhe Sokolin. Djemtë e Jakut kanë: Kola ka Lazrin dhe Jakun. Lazri ka Klodin dhe Vladimirin, ndërsa Jaku(Kici) ka Zefin dhe Palin. Gaci ka Ndocin, Pëllumbin dhe Blerimin. Ndoci ka Aleksin dhe Blerimi ka Mateon. Serafini ka Zefin, Lonin dhe Gjergjin. Zefi ka Eduardin. Loni ka Enrikon dhe Gjergji ka Serafinin. Vasa ka lënë Zefin, Arbenin dhe Pëllumbin. Zefi ka Elvisin, Beni ka Valentinin ndërsa Pëllumbi është martuar vonë, pas kthimit nga Londra dhe ka dy djem të vegjël e jeton në Itali. Atje është edhe Beni. Djemtë e Gjinit janë shtuar me djem e vajza. Këtu dua të shtoj se më ka ardhur mirë jashtëzakonisht kur Hila ia ka vënë emrin djalit të tij Gjokë në ripërtëritjen e emrit të Gjokë Hilës së madh dhe uroj që edhe djali i Hilës, Gjoka, të bëhet një njeri i njohur për burrëri e urti siç ka qenë i madhi Gjokë Hila. Pashuku ka Gjinin dhe Angjelinin, ndërsa Sokoli ka Andin (kërkoj ndjesë për momentin që nuk ua di emrat fëmijëve të vegjël e kjo ka ardhur si pasojë e largimit tim prej shumë kohësh nga Kodheli si dhe të emigrimit të disa prej familjeve jashtë vendit tonë.)e kështu mund të them edhe për Bardhin si dhe për të tjerë që mund të kenë djem e unë natyrisht, për arsyet që shtrova më sipër mund të mos i di. Shpresoj se me kalimin e kohës do të më jepet mundësia që ta mbush vakumin që ekziston këtu.

   Ndokë Gjoka, djali tjetër i Gjok Hilës ka pasur Simonin. Simoni ka pasur Ndokën, Lekën, Vlashin dhe Martinin. Ndoka s’ka lënë djalë, por ka lënë 5 vajza, kurse Vlashi, megjithëse ka qenë i martuar dy herë, s’ka pasur e s’ka lënë fëmijë. Leka ka Kelin dhe Keli ka një djalë pas shumë vajzash, Florin. Martini ka lënë Tanushin dhe Petritin.                                        Mark Hila ka pasur Palokën dhe Gjergjin. Paloka ka pasur Lushin dhe Markun. Gjergji nuk ka lënë njeri pas. Lushi ka pasur Ndocin, ndersa Marku ka pasur një vajzë, Shaqen, gruan e Ndrekë Hilë Syqit. Ndoci ka lënë Zefin, Gjergjin, Markun, Vlashin dhe Lleshin. Zefi ka lënë Paulinin. Gjergji ka Lekën dhe Prekën. Marku ka lënë Ndocin, Martinin dhe Gjovalinin. Ndoci ka Valentinin e Martini ka Eltionin. Vlashi ka Kujtimin dhe Pjetrin. Kujtimi ka Elvisin dhe Kristianin. Lleshi ka Artanin dhe Sandrin.

          Jak Hila nuk ka lënë ndokënd pas, ndersa Pjetër Hila i thirrur Tuku i Gjokhilës, (thonë se fillimisht ka studjuar për prift katolik, por që nuk e ka ushtruar këtë në shërbesa fetare) ka pasur Bardhin. Bardhi ka pasur Gjergjin i njohur me emrin Zog Bardhi. Zogu ka pasur Pjetrin, Ndrecën dhe Luigjin e Pjetri ka lënë Antonin, Markun, Lazrin dhe Gjonin. Antoni ka dy djem; Bledarin dhe Dritanin. Marku ka Nertilin dhe Lazri ka Petritin.

    Ndreca ka lënë Bertin, Prekën, Çefën dhe Çeskun. Berti dhe Preka nuk kanë djem deri tashti, ndersa Çefa ka Agimin dhe Yllin. Çesku është martuar vonë. Luigji ka Angjelinin dhe Ernestin. Këta kanë djemtë e tyre. Angjelini ka Gëzimin dhe Mirin e Errnesti ka Leonardin dhe Edin.

      Edhe një herë kërkoj ndjesë për ndonjë pasaktësi. Jam i bindur se ato edhe mund të jenë të shumta sidomos në paraqitjen e çifteve të reja dhe fëmijëve që ata kanë, pasi që duke ndodhur larg tyre prej shumë kohësh informacionet mund të kenë qenë të pamjaftueshme. Do të kisha pasur dëshirë që t’i kisha paraqitur hollësisht edhe për të gjitha familjet e tjera me të gjithë fëmijët që ata kanë, por ishte e pamundur për mua dhe jam mjaftuar të paraqes aq sa unë kam ditur dhe sa unë kam pasur informacionin e nevojshëm. Ishte dashur më së miri të kisha paraqitur edhe të gjitha bijat e fisit tonë dhe vendet ku ata janë martuar, pasi edhe ato si dhe fëmijët e tyre janë pjesë e gjakut tonë, por, siç e thashë edhe më sipër, ato janë shumë dhe e pamundur për t’i ditur të gjitha nga ana ime, prandaj jam mjaftuar vetëm me degëzimet e fisit tonë në mëshkuj. Me keqardhje duhet të shtoj këtu se kanë ndodhur edhe martesa me lidhje të afërta gjaku nga mosnjohja mirë e lidhjeve të tyre. Normalisht jo më afër se në katër ose pesë brez, por gjithësesi kjo s’ka qenë aspak e pëlqyeshme. Për të mos e lënduar ndokënd në sedër, këtu nuk po i paraqes ato raste që kanë ndodhur dhe mjafton që vetë familjarët e tyre i dinë dhe i mendojnë vetë këto gjëra.

     Krahu tjetër, krahu ynë, fillon me Shtjefën Mar Shtjefnin, vëllain e Hilë Mar Shtjefnit, babait të Gjok Hilës së madh e të mirënjohur. Shtjefni la Zefin e ky pati Shtjefnin. Gjok Hila e ka mbajtur gjithëmonë afër djalin e Zefit, Shtjefnin edhe pse me sa duket se mbeti herët jetim, por edhe pse kishte dhunti të mira e shumë herë që kur ky ishte fëmijë i besonte pazaret në qytetin e Shkodres. Thuhet se mbeti jetim që kur qe në moshën 10 vjeç. Aty nga viti 1902 shtëpia e madhe u nda në disa pjesë. Shtjefën Zefit i linden mjaft djem e vajza, por i jetuan veç një djalë, Zeka dhe një vajzë, Ageja. Shtjefni vdiq aty nga viti 1953. Zeka la tre djem e pesë vajza; Gjinin, Shkurtin (Pashukun), Rozën, Filën, Verën, Tefën(Shtjefnin), Lukën dhe Anxhen. Zeka vdiq aty nga marsi i vitit 1977 në moshën 79-vjeçare. Gjini vdiq më 7 janar 1999 e la Nikollën, Tomën, Marien, Ndojën, Paulinin, Davidin dhe Lekën. Nikolla pati dy djem, Ardianin, i cili u vra aksidentalisht nga një shok i tij kur po kryente shërbimin ushtarak në Tropojë dhe tashti ka vetëm Dedën i cili ka edhe ai një djalë, Adin e vogël si dhe Xhinën e Kristinën. Unë(Toma) kam Enkeledin dhe Esmeraldën. Ndoja ka lënë Galdinin dhe dy vajza, Françeskën dhe Luljetën. Paulini ka Valerianin dhe Anetën. Davidi ka Renaton, Rovenën dhe Elën. Leka është martuar vonë dhe pas shumë kohësh i kanë lindur dy binjakë: Leonardoja dhe Gertiola. Maria është e martuar me Tonin Topallin dhe kanë pesë fëmijë, Brikelin e Gjergjin si dhe Aurorën, Doretën e Gretën.

    (shënim:) me qenë se ky punim arriti i pabotuar deri tani në nëntor 2013 më duhet të shtoj se që nga përpunimi i fundit e deri më tash kanë ndodhur disa ndryshime prandaj gjej rastin t’i shënoj këtu. Ndoja tashti nuk jeton më pasi ka ndërruar jetë nga një sëmundje e papritur e keqe me datën 13 gusht 2012.

    Shkurti ka 3 djem e 3 vajza; Franin, Markun(nuk jeton më që nga muaji prill 2012), Pjetrin, Mrikën, Lulën dhe Agen. Frani ka 4 djem; Gjovalinin, Dritanin, Paulinin e Kristianin. Gjovalini ka Damjanin dhe Dritani ka Flavion. Marku ka lënë 2 djem; Pashukun dhe Florin. Pjetri ka një djalë, Kleartin.

    Tefa ka pasur një djalë e një vajzë; Zekën e Dranden. Zeka tashti nuk jeton më dhe ka ndërruar jetë nga një sëmundje e pashërueshme në nëntorin e vitit 2010. familja e tij ndodhet në Florida dhe ka lënë një djalë dhe 2 vajza; Kristianin, Mirën dhe Çelestinën.

     Edhe Tefa tashti nuk jeton më e po ashtu edhe Drandja që ka vdekur nga një aksident automobilistik në maj 2013.

      Davidi jeton me gjithë familjen e tij në Florida, ndersa Leka ka jetuar në Florida dhe në Kanada për disa kohë e sot jeton në Kodhel. Davidi tashmë e ka marrë pasaportën amerikane. Ne që nga 11 nëntori 1999 kemi ardhur dhe jetojmë në Britaninë e Madhe dhe më 21 maj 2004 kemi fituar lejen e qëndrimit të përheshme në Britani.

      Nga fisi ynë kanë ndjekur shkollën mjaft djem e vajza duke përfunduar të mesme profesionale dhe të përgjithshme. Disa kanë mbaruar shkollat e larta në profesione të ndryshme. Mund të cilësojmë Martin Simonin që ka kryer akademinë ushtaraka e ka punuar gjatë gjithë jetës së tij si një efektiv i Forcave të Armatosura të Ushtrisë Shqiptare. Sot nuk jeton më. Anton Pjetri ka mbaruar Institutin Pedagogjik 2-vjeçar në Shkodër dhe është diplomuar e ka punuar si mësues i matematikës.  Unë kam përfunduar Institutin e Lartë Pedagogjik në degën Gjuhë-Letersi. Kam mbrojtur diplomën për letërsi shqipe e botërore dhe kam punuar për 30 vjet mësues në fshatra të ndryshëm të Lezhës dhe pjesën më të madhe të kësaj kohe në shkollën e mesme të Dajçit ku kam dhënë lëndën e letërsisë në këtë shkollë deri në tetor 1999. Gjithashtu shkollën e lartë e kanë kryer edhe Nikolla, Ndoja e Paulini duke u diplomuar në degën agronomi. Leka gjithashtu ka përfunduar Universitetin e Shkodrës në degën Matematikë-Fizikë e ka punuar disa vjet në shkollën e mesme të përgjithshme të Blinishtit deri sa emigroi në Amerikë tek Davidi e Zeka. Pas kthimit nga Kanadaja është sistemuar në punë në profesionin e tij si mësues matematike. Edhe Drandja ka përfunduar shkollën e lartë e është diplomuar në degën e agronomies, pastaj ka përfunduar fakultetin e Universitetit të Shkodrës për Bio-Kimi. Kështu edhe Paulini. Pjetri ka mbaruar institutin e lartë pedagogjik në degën Cikël i Ulët. Angjelin Luigji(Gjokhilaj) ka përfunduar Universitetin e Shkodrës dhe është diplomuar në degën Bio-Kimi e vazhdon ta ushtrojë zanatin e tij si mësues. Universitetin e Tiranës në degën Matematikë e ka kryer edhe Marie Gjokhilaj (Marku), vajza e Martin Simonit. Vajza e Antonit, Ermira e ka kryer gjithashtu shkollën e lartë dhe Albana, vajza tjetër e Antonit e vazhdon shkollën e lartë në Itali. Po kështu edhe gjeneratat më të reja si fëmijët e Angjelinit apo të Ernestit kanë përfunduar ose vazhdojnë akoma shkollat e larta  në degë të ndryshme.

    Për shumë kohë, pothuajse asnjë familje ose përson i veçntë të fisit tonë nuk ka qenë i larguar me banim jashtë Kodhelit deri vonë. Por ka pasur ndonjë familje ose person që, për arsyet që ua kanë diktuar kushtet e punës, të jetojnë larg familjeve të tyre. Më tipike ka qenë për Martin Simonin, i cili vonë është shpërngulur dhe ka jetuar familjarisht në Lezhë. Po kështu edhe djemtë e Ndrecës; Berti, Preka dhe Çesku kanë jetuar për shumë kohë në Lezhë nga që kanë punuar gjithnjë në kantierin e ndërtimit në Lezhë. Edhe unë për shumë kohë kam jetuar larg familjes sime pasi kam qenë me punë në disa zona të Lezhës, larg familjes sime. Me ardhjen e demokracisë filluan emigrimet e para e shumë të rinj si dhe familje kanë emigruar në vende të ndryeshme e sidomos në Greqi, Itali, Amerikë, Angli e në ndonjë vend tjetër.

    Në këto kushte të një largësie mes njerëzve e familjeve të ndryshme të fisit tonë, në një të ardhme, ndoshta jo shumë të largët do të humbasin lidhjet dhe s’do të jetë e mundur që ata të njihen mes tyre, por është mirë që secili të dijë se nga vjen dhe kë ka për fis. Gjithashtu është mirë që të ruhen traditat e mira që ka pasur fisi ynë, sidomos ato tradita të mirëkuptimit e të harmonisë brenda fisit që kanë ekzistuar veçanërisht para regjimit komunist. Regjimi komunist pak a shumë e shthuri popullin shqiptar duke vënë vëllain të spiunonte vëllain veç për një copë bukë ose kultivoi vjedhjen. Njerëzit duke mos pasur se ç’të hanin, vidhnin sidomos atë të ashtuquajtur pronë të përbashkët, por që konceptohej si e askuja. Këta ndoshta kanë ndodhur edhe brenda fisit tonë, por, kurrësesi të një shkalle të rëndë siç mund të ketë ndodhur gjetk. Ku ka qenë e mundur, janë ruajtur marrëdhëniet e mira brenda fisit dhe kurrë nuk ka pasur ngatërresa e grindje as në të kaluarën e as në të tashmën. Uroj që kjo gjë të ruhet e të forcohet edhe në të ardhmën.

dok-pema 1

20663263_1399685713472787_1526834856_o.png    Këtu paraqita atë pjesë të trungut deri në brezin më të ri, aq sa munda. Megjithatë pema vazhdon të rritet e të hedhë degë të reja gjithandej. Vazhdon gjithashtu të hedhë rrënjë të qëndrueshme dhe t’i shtrijë ato tani më jo vetëm brenda vendit tonë, si dikurë nga Mirdita në Zadrimë e në ndonjë vend tjetër, por edhe jashtë vendit, në Itali, Amerikë, Angli, Greqi e gjetk, gjithandej ku kemi emigruar e jetojmë aktualisht. Degët e reja vazhdojnë të lëshojnë llastarë të rinj e kështu uroj të ndodhë vazhdimisht, prandaj kjo nuk përfundon këtu dhe prandaj ata llastarë që vazhdojnë të lindin e të rriten edhe pas publikimit të këtij shkrimi, jo se nuk e kanë vendin në trungun e kësaj peme, se ata e meritojnë të jenë aty pa asnjë diskutim dhe fuqishëm madje, por se me kalimin e kohës mbase dikush tjetër, pse jo edhe unë vetë, mund t’i shtojë aty.

                              Traditat

      Mendoj se duhet thënë diçka edhe për traditat dhe zakonet që fisi ynë ka trashëguar e ruajtur si dhe për ato që kanë ekzistuar, por që sot në kohërat moderne janë venitur e zbehur mjaft e, një pjesë prej tyre janë harruar e lënë mënjëanë si diçka të panevojshme për t’u përdorur. Disa nga traditat janë çuar më tej dhe janë zhvilluar në kushtet e një jetë tjetër të re. E rëndësishme është se traditat më të mira janë ruajtur dhe zhvilluar më tej edhe në ditët e sotme duke u pasuruar me elemente të reja të kohës. Këtu më poshtë po i përmend ato më të rëndësishmet sipas njohjes sime duke u mbështetur në kujtimet e së kaluarës si dhe në thëniet e njerëzve në kohëra të ndryshme.

       Mikpritja ka qenë një nga traditat më të shquara të fisit tonë. Këtë traditë e kanë shfaqur dhe ruajtur në kohë të ndryshme për këdo që ua ka shkelur pragun e derës si mysafir. Njerëzit e fisit tonë kanë pritur e përcjellë këdo me bujari dhe respekt. Sofrën ua kanë shtruar me të gjitha të mirat që ato kanë pasur si në kohëra të mira ashtu edhe në kohëra të vështira. Në kohëra të vështira kanë hequr kafshatën e gojës së kalamanjëve të tyre për t’ia shtruar mikut që u ka shkelur pragun e derës, ose për t’ia dhënë lypësit që u ka trokitur në derë për një kafshatë bukë. Miqtë janë vlerësuar pothuajse njësoj në mikpritje pa dallim race apo feje, i njohur ose  jabanxhi i panjohur në pastë qenë, madje këta të fundit janë respektuar e përkrahur në mos më shumë se të njohurit e të afërmit. Domëthënës është fakti se fisi ynë ka pasur një shtrirje mjaft të madhe miqësie sidomos në të ashtuquajturën miqësi buke e bese. Kurrë nuk është shikuar nëse ka qenë jevgjit, gabel apo diçka tjetër rrugëtari që u ka trokitur në derë, por i është hapur dera gjithmonë e është mikpritur me të gjitha nderet që i kanë takuar një miku të nderuar. Hallexhinjtë kurdoherë kanë gjetur bukën e kripën dhe zemrën e mirë, siç i kanë thënë fjalës. Besoj se edhe sot ky zakon i mirë i të parëve tanë ekziston i freskët dhe i pacënuar tek të gjithë pjesëtarët e fisit tonë.

       Besa ka qenë gjithëmonë një traditë që jo vetëm nuk është shkëputur kurrë nga mikpritja, por është vlerësuar si një diçka e shenjtë dhe e pacënueshme për këdo. Shumëherë kanë gjetur strehim e mbrojtje si dhe besë njerëz të ndryshëm nga krahina të ndryshme për gjakmarrje. Këta njerëz më vonë i kanë vlerësuar besën e mikpritjen që kanë gjetur aty dhe kanë lidhur miqësi të forta e të qëndrueshme.

        Veshjet kanë qenë karakteristike për fisin tonë si për të gjithë krahinën e Zadrimës. Ka qenë traditë e veçantë edhe përpunimi i tyre nga vetë njerëzit e fisit e të krejt Zadrimës. Dallueshmëri kanë pasur sidomos veshjet e grave në larminë e zbukurimeve e të ornamenteve. Ngjyrat mbizotëruese kanë qenë e kuqja dhe e bardha e në disa raste e zeza. Gruaja zadrimore veshjet e veta i ka përgatitur vetë në vegj, ose siç i ka quajtur vetë ato në vekë, ose tullarë. Gjithashtu ka thurur me shtiza ose me të ashtuquajtura gjypnyer triko apo çorape. Si material është përdorur dendur lini (liri, kërpi), por i përpunuar mirë e me kujdes të veçantë. Gjithashtu është përdorur edhe mëndafshi të cilin e kanë kultivuar e përpunuar me mjeshtëri e kujdes të veçantë, si dhe pëlhurat e pambukta të cilat i kanë blerë si lëndë të parë në treg të papërpunuar (fill) e pastaj e kanë endur e përpunuar në vegj si dhe leshi i të imtave. Gjithashtu dendur është përdorur leshi e sidomos leshi i deleve, por edhe leshi i dhive, kmenda. Kjo e fundit përdorej mjaft rallë pasi nuk ishte edhe aq e përshtatshme dhe e rehatshme në rroba, por varfëria ka bërë të mundur që me raste të futej në përdorim. Me li kanë endur dhe punuar rroba të trasha dimërore të cilat janë quajtur të linjtat. Gjithashtu është përdorur edhe leshi i deleve për triko, çorape, trasta, qilima, rroba shajaku e të tjera. Qëndismat kanë qenë një traditë e veçantë dhe e rrallë për të cilat Zadrima zë një vend unikal mund të them jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Në përgjithësi kjo traditë në ditët e sotme pothuajse është zbehur totalisht, megjithëse ka mjaft punishte që janë krijuar tashti ose gra të veçanta që po mundohen ta ripërtrijnë këtë traditë të shkëlqyer të Zadrimës megjithëse vajzat e reja, s’e besoj se sot i përdorin më veç në i përdorshin për qejf në raste të veçanta.

    Edhe veshjet e burrave kanë pasur karakteristika të veçanta. Është përdorur mjaft shajaku për çakçirët(tirqet) e xhurdinjtë(xhoket) e për dollamat. Shumë herët kanë qenë përdorur opinga lope të përpunuara nga vetë burrat me lëkura lopësh, por më vonë dolën nga përdorimi e u zëvendësuan me opinga llastiku me një jetëgjatësi më të madhe e më të forta në përdorim. Sot edhe këta kanë kohë që kanë dalë nga përdorimi e janë zëvendësuar me këpucë të markave e modeleve nga më të ndryshmet e nga më modernet. Në kokë mbanin qeleshe të bardha.  Sot s’e besoj se ndokush përdor më qeleshe, veç ndonjë të moshuari të rrallë.

     Shumë herët, madje edhe deri vonë me punët e dorës në përpunimin dhe qëndisjen e veshjeve janë marrë dendur edhe burrat zadrimorë e për pasoj, besoj, edhe burrat e fisit tonë. Tashti në këtë kohë duket si një kuriozitet i rrallë kjo gjë, por e vërteta kështu ka qenë. Ka pasur burra që kanë qëndisur shumë e me mjaft mjeshtëri, kanë thurur me shtiza e gjypnyer triko e çorape, kanë përgatitur shajakun e pastaj me të kanë qepur kostumet e tyre tradicionale. Këtë gjë e kam dëgjuar prej babait tim dhe ai më thoshte për ca burra të fshatit tonë që kanë punuar ashtu siç e citova më lart, madje, me mjeshtëri mjaft të madhe sa që nuk kishte grua qëndistare që mund t’ua kishte kaluar në rininë e tyre.

    Kultivimi i lirit ka qenë një traditë e veçantë për fisin tonë, por jo vetëm kultivimi. Edhe përpunimi dhe përgatitja e veshmbathjeve me të ka qenë karakteristikë dhe traditë e veçantë. Pasi korrej liri dhe lihej të thahej, futej në ujë për një periudhë kohe të caktuar e regjej aty. Pastaj merrej dhe perpunohej në mangnë apo strungë duke e thyer e zhveshur nga kashta dhe shkëputur fijet e lirit. Mangna ishte një mekanizëm i përgatitur me ca dërrasa të forta prej druri lisi apo frashëri ku në pjesën e poshtme vendoseshin tri nga ato dërrasa të fiksuara nga të dy skajet e tyre në dy trungje të lartë afërsisht 1m. Vendosja e tyre bëhej duke lënë një distancë mes tyre sa ku mund të hynte lirisht një dërrasë tjetër. Po kështu kombinoheshin edhe dy dërrasa të tjera dhe fiksoheshin me tri të parat në formë gërshëre. Pra në njërin skaj bashkoheshin të pestat me një bosht të përbashkët dhe në skajin tjetër rrinin lirë. Në tri dërrasat e poshtme vendoseshin tufat e regjura të lirit dhe me derrasat e sipërme bëhej thyerja e zhveshja e lirit. Pastaj merreshin fijet e nxjerra dhe përpunoheshin me gërhanë duke e imtësuar dhe filtruar fijet e lirit. Këta fije merreshin dhe viheshin në furka dhe tirej filli i cili dilte me trashësi të ndryshme sipas asaj që i interesonte artizanës përpunuese. Pastaj endeshin fijet e përgatitura dhe i shtronin në vegj për të endur pëlhurërat e linjta me të cilat bëheshin këmisha apo të brendshme për burra apo edhe për gra. Kur pëlhurërat e linjta endeshin me fije më të trasha, me to përgatiteshin dhe qepeshin rroba të jashtme si brekesha për burra apo rroba të tjera karakteristike për gra. Rrobat e pambukta ishin luks, aq më tepër kur ato punoheshin me kambrik të bardhë apo me sakez. Them me kambrik të bardhë se kishte edhe pambuk që nuk ishte edhe aq i bardhë dhe ngjasonte pak a shumë me ngjyrën e lirit, veçse ishte më i butë. Punimi i lirit ka qenë një punë jo shumë e lehtë, sidomos kur bëhej thyerja e kërcenjve dhe nxjerrja e fjollave me mangnë. Gjithmonë puna e gruas zadrimore në mangnë ka qenë cilësuar si puna më e rëndë. Ka ekzistuar shprehja se mangna për gratë dhe kosa për burrat kanë qenë gjithnjë punët më të rënda. E rëndë ishte edhe barra e shpinës kur mbartnin drurët e zjarrit nga pylli apo bolierat e ujit nga puset apo burimet e largëta, por nuk janë përmendur si punët më të rënda.

     Thamë edhe më sipër se traditë ka qenë edhe kultivimi dhe përpunimi i mëndafshit. Me mëndafsh, që ishte gjithashtu mjet luksi, përgatiteshin pjesë veshjesh dhe qëndisma të ndryshme dekorative. Me mëndafsh përgatiteshin apo më mirë të themi, qëndiseshin peshqirët e kokës për nuset dhe gratë zadrimore, qaforet e këmishave apo këmbëzat e brekeshave për burrat por më shumë edhe me diçka të ngjashme me brekeshat e burrave edhe me veshjet e brendshme të grave. Në ndonjë rast është përdorur përzier me materiale të tjera edhe në endjen e pëlhurërave të tjera sidomos për këmisha apo peshqirët e kokës për gratë. Gratë e fisit tonë, një pjesë prej tyre e kanë kultivuar vetë në ambientet e shtëpive të tyre mëndafshin duke rritur e ushqyer me gjethe mani krimbat e mëndafshit që në fazën e tyre të ndryshimit nga krimb në flutur, krijonin fshikëzat e mëndafshit. Disa prej tyre, gratë i linin për të krijuar vazhdimësinë e kultivimit duke ruajtur vezët(farërat) e fluturave të reja, ndërsa pjesën tjetër e shprishnin dhe merrnin fijet e çmuara të mëndafshit.

     Kuzhina ka pasur artin e saj të veçantë. Karakteristike ka qenë buka e gatuar me një mjeshtëri të veçantë dhe që kishte një shije të rrallë e të veçantë. Është përdorur misri dendur për gatimin e bukës dhe furra të vogla artizanale. Kjo lloj buke është quajtur bukë qethi pasi ngjeshej brumi fort e, para se të futej në furrë për t’u pjekur, hapej në qeth. Më vonë me krijimin e kooperativave të mëdha u zevendësua kjo bukë me bukën e misrit të gatuar në furrat e mëdha të kooperativës dhe nuk e pati kurrë shijen e bukës tradicionale. Është përdorur edhe buka e mbrunjtur prej mielli gruri të cilën e quanin ’’mrume’’, por edhe buka e ngjeshur e grurit që quhej ’’pogaçe’’. Me raste të veçanta është përdorur edhe buka e misrit e mbrujtur dhe është quajtur ’’kamkuqe’’. Vërtetë ka qenë traditë e veçantë kjo lloj buke dhe përgatitej me miell misri të mbrujtur e, pasi lihej të thartohej, brumi futej në furrë e piqej. Kishte një shije karakteristike të veçantë. Të gjitha llojet e bukëve të gatuara tradicionalisht kanë pasur shije të veçantë dhe shumë të mirë. Buka e qethit, edhe pse prej mielli misri, ka pasur një emër të mirë në të gjithë vendin dhe kush ka pasur rastin ta shijojë një herë e ka ruajtur në kujtesë si një diçka të rrallë e të veçantë. Ndre Mjeda i madh i cili ka pasur rastin ta shijojë disa herë këtë bukë edhe tek shtëpitë e fisit tonë thoshte: ’’bukë kollomoqe me mshesh tamla të mira për zotnijtë’’ dhe kishte parasysh bukën e qethit, traditë e Zadrimës.

    Tradicionalisht janë përdorur mishi i derrit me lakra gjatë dimrit e, në të kreshme, fasulja, peshku e zarzavatet e ndryshme. Në ditë festash fetare(Shën Rrokut dhe Rruzares) janë therur bagëti të imta e shumëherë edhe ndonjë viç, por asnjëherë nuk është therur derr për t’i festuar këto festa, veç në raste të rralla kur nuk ka pasur të imta të tjera për t’u therur. Në netët e shënuara si të Shën Nikollit, Shën Zefit apo ndonjë festë tjetër janë therur përsëri gjela pulash ose edhe ndonjë bagëti e imët.

   Qumështi ka qenë përdorur për djathë e për gjalp si dhe për produkte të tjera si kos, dhallë etj.

    Për përgatitjen e ëmbëlsirave janë përdorur mjalti që kurrë nuk ka munguar dhe ka qenë me bollek në shtëpinë tonë, qumështi, vezët dhe mielli i grurit. Me to janë përgatitur pite të ndryshme e pelte me mjaltë. Gjithashtu ka qenë traditë përpeqi me kulloshtër e me vezë por edhe me qumësht e me vezë kur kulloshtra mungonte e duhej përgatitur për mysafirët e për raste festash. Shumëherë është përdorur edhe kryelana e përgatitur me gjalpë, brume mielli misri dhe mjaltë ose sheqer.

   Pulendra ka qenë tradicionale dhe përgatitej me miell misri e zhigla(copa mishi  të dhjamosura(ushunj) derri, ose më mirë të themi nga copa dhjami të shkrirë) ose thjeshtë me yndyrë derri. Zakonisht është përdorur në mëngjeset e ftohta të dimrit.

    Thuhet se në hershmëri, kur nuk është njohur misri si produkt për bukë, është përdorur një produkt tjetër që tashmë nuk njihet fare dhe është quajtur’’mel’’. Por me sa duket edhe fara e lirit është përdorur për bukë dhe ka të ngjarë për disa arsye të thjeshta: e para me që liri ka qenë kultivuar në masë të madhe për t’u përdorur për veshmbathje edhe farërat e tij ka mundësi të kenë gjetur përdorim për vetë faktin se janë mjaft të pasura në vlera ushqimore; e dyta është fakti se në mungesë të grurit që mund të mos ketë qenë i mjaftueshëm si dhe të misrit që mund të jetë njohur relativisht vonë, mund të jetë përdorur ky produkt. Nga ana tjetër ka ekzistuar si një gojëdhënë se njërit prej të parëve të fisit tonë të cilin e thërrisnin tata Gjini i kishin ngjitur një bejte që ka qarkulluar dendur herët dhe ka arritur në formën e proverbit në kohët e mëvonshme në këtë formë:’’Tata Gjini mjekërr thimi çka po çon tek mullini? Melekuq e fare lini’’. Këtë gjë e thonin më të moshuarit që unë i kam njohur dhe e cilësonin si fakt se në kohë të vjetra janë përdorur për të gatuar bukë për njerëzit këto asortimente. Meli ka qenë një si tip fshese me farëra të vogla dhe të mveshura, por që sot as kultivohet e as njihet si bimë në Zadrimë. Flora e zonës ka qenë mjaft e pasur edhe me bimë të egra që në raste të veçanta janë përdorur si perime apo zarzavate qoftë për të përgatitur supëra të ndryshme, qoftë edhe si erëza siç kanë qenë më të dendura menderza apo muraja e butë. Po kështu janë përdorur edhe lëpjetat, këmbëpata, veshlepuri e në raste nevojash edhe hithëra për ndonjë byrek. Të gjitha këto barishte të egra në të vërtetë kanë pasur vlera të mëdha ushqyese dhe kuruese, por preferencat gjithnjë kanë qenë për perimet e kultivueshme si lakrat, preshi, qepa e njomë ose edhe e thatë, domatet, specat, kastravecat e mjaft të tjerea tradicionale të zonës.

      Gjuetia ka qenë një traditë e hershme e trashëguar në fisin tonë. Ajo është përdorur edhe si mjet argëtimi, por edhe si mjet për të siguruar ushqim për njerëzit e familjes. Më së shumti ka qenë e përhapur gjuetia e lepujve si dhe e shpendve (patave,rosave, turtujve dhe e thëllënzave). Gjithashtu edhe gjuetia e dhelprave ka qenë e përdorur e ka shërbyer për gëzofin e tyre si dhe për të ruajtur vendin të padëmtuar nga këto grabitqarë shpendësh. Edhe peshkimi ka qenë mjaft i zhvilluar dhe siguronte ushqim e të ardhura të konsiderueshme. Ka pasur mjaft vija të mëdha uji të pasura me peshk e ngjala.

      Dasmat janë zhvilluar me rite tradicionale për fisin tonë e krejt Zadrimën. Nuk e shoh me vend të futem në hollësira në zhvillimin e tyre tradicional, jo pse është pa interes për t’i përshkrur ato, por pse do të duhej një kohë e gjatë për t’i trajtuar ato. Këtu unë po ndalem në ato tipare më thelbësore të zhvillimit dhe të evolimit të tyre në kohë. Zakonisht nuk është preferuar që nuset të merren në zona e fshatra të largëta e rrallëherë brenda fshatit. Nusja është marrë me duvak të kuq në kokë e mbuluar dhe në rastet kur në fis ka pasur ndonjë vdekje të afërt në kohë ose edhe në fshat ka pasur gjithashtu ndonjë vdekje të dhimbshme, nusja ka ardhur e mbuluar me duvak të zi (futë të zezë) dhe, kur ka hyrë në territorin e fshatit është përkulur përmbys mbi shpinën e kalit ku ka qenë e hipur. Në këto raste nuk është kënduar e as hedhur valle në respekt e në kujtim të personit të vdekur e të familjes së tij. Por në këto raste të afërmit e të vdekurit kanë shkuar të parët dhe kanë hapur dasmën duke kënduar edhe pse për vetë kanë qenë në zi. Pra me dashamirësi dhe respekt për njëri-tjetrin si njerëzit e fisit tonë ashtu edhe të krejt fshatit nuk kanë shkelur asnjëherë në ndjenjat e njëri-tjetrit dhe as kanë bllokuar njëri-tjetrin në çaste të këtilla gëzimi. Nusja është marrë zakonisht me kalë të bardhë (kal shale) mbi të cilin më parë se nusja të vinte, kishte hipur deveri, një djalë i vogël i familjes ose i fisit që kishte një lidhje gjaku të afërt me dhëndrrin. Mund të ishte vëllai, nipi ose kushëriri që mund të ishte dhjetë ose më pak vjeç e në raste të veçnta edhe pak më i madh se aq. Ishte e preferuar të shkonin shumë krushq dhe nuk ishte i domosdoshëm një numër i caktuar si në Mirditë e krahina të tjera. Krushqëve u printe krushkapari një burrë i fisit që në shumë raste ishte i paracaktuar nga vetë fisi, por që në disa raste edhe mund të ndryshonte.

   Dasma niste dy javë para se nusja të vinte tëk dhëndrri. Zakonisht niste me të djelën e parë të leçisë dhe mblidhëshin bijat dhe miqtë më të afërt të dhëndërrit e të të zotit të shtëpisë. Leçia bëhej në të dy kishat në fshat të dhëndërrit dhe në fshat të nuses me qëllim që njerëzit të njoftoheshin e në rastet që ndokush kishte ndonjë njohje që kjo lidhje martesore duhej ndaluar me çdo kusht duhej ta thoshte në kohë pa u bërë martesa. Kjo nënkuptonte ndonjë lidhje gjaku që nuk ishte njohur më parë si dhe lidhje shnjoni (Shën Gjoni; pagëzim, krezmim) ose kumbarie. Zakonisht atëhere fillonte edhe kënga, vallja e hareja. Çdo mbrëmje mblidheshin njerëzit e fisit dhe herë-herë edhe të fshatit tek shtëpia e dhëndërrit e këndonin, hidhnin valle dhe organizonin lojëra të ndryshme popullore. Në rastet kur kishte pasur ndonjë vdekjes të afërt në fshat nuk këndohej veç në ato raste kur një i familjes së të vdekurit vinte dhe e hapte i pari këngën, ashtu siç e cilësova edhe më lart. Në javën e dasmës në ditën e enjte (për djalin) dhe të premten (për vajzën), mblidheshin burrat dhe gratë e fisit në shtëpinë e atij që martohej dhe shpërndaheshin thirrësat që në mëngjes. Në mbrëmje mblidheshin përsëri dhe raportonin për njerëzit që kishin thirrur dhe dhuratat që ata kishin marrë prej atyre që kishin thirrur për dasëm. Hanin darkë aty dhe pas darke caktoheshin detyrat për sëcilin anëtar të fisit. Punët ishin të shumta dhe  të larmishme duke filluar që nga caktimi i të zotit të shtëpisë që nuk ishte e thënë të ishte vetë kryefamiljari i familjes ku bëhej dasma, por mund të ishte edhe një njeri me influencën më të madhe të fisit dhe që mund të kishte edhe një lidhje më të afërt gjaku me të zotin e shtëpisë ku bëhej dasma, e deri caktimi i shërbyesit më të fundit. Pra bëhej një organizim i përsosur i punëve dhe ditën e dasmës që zakonisht bëhej të hënën secili shkonte e kryente me përpikmëri punën e vet. Zakonisht këto që thashë më sipër i takonin dasmës në përgjithësi e në veçanti dasmës së djalit, pasi ka pasur ndryshime të vogla me organizimin e dasmës së vajzës.

     Gradualisht edhe kjo traditë filloi të ndryshonte në bazë të kushteve të reja dhe në kohë të reja. Vendin e kalit të bardhë të shalës me të cilin merrej nusja filluan ta zinin me radhë mjete të reja më moderne e kryesisht filluan të përdoreshin kaloshinët e pas tyre sharopajkat në kohët e kooperativave bujqësore. Më vonë filluan të viheshin në përdorim makinat e transportit të kooperativave bujqësore e akoma më vonë në fillimet e demokracisë u përdorën aotobusat e furgonat private. Tashti përdoren benza e makina të tjera të markave të ndryshme e në vende të ndryshme edhe limuzinat. E them këtë jo në përgjithësi për njerëzimin, por për njerëzit e fisit tonë, pasi ata janë përhapur nëpër botë dhe kur kanë ndodhur t’i kenë bërë dasmat, i kanë bërë duke përdorur edhe limuzinat siç ishte edhe rasti i martesës së Lekës me Olën në Florida. Kështu edhe vendin e duvakut e zuri tërësisht veli e kurora e vendin e koretit e të shamijave, traditë për nuset e reja zadrimore e zunë fustanet e modeleve e llojeve të ndryshme.

    Lojërat popullore: Ka ekzistuar një traditë e pasur me lojëra popullore të larmishme që janë luajtur në raste të ndryshme në fshat e në mënyre të veçantë në fisin tone. Mbaj mend që kur isha fëmijë në shtëpinë tonë mblidheshin djemtë e burrat e fisit dhe luanin lojëra të ndryshme popullore e ne argëtoheshim së tepërmi me to. Mezi prisnim të vinte mbrëmja e të mblidheshin të rinjtë e burrat për të luajtur lojëra popullore. Ndër të shumtat lojëra në kujtesë më kanë mbetur: “Ban usta siç ban baba”, “Të ra kush të ra, turrën drejt kush u ka”, “Bati-bat”, ”Filxhanash”, e të tjera që tashti për momentin nuk po më kujtohet, por këto ishin lojëra që luheshin në ambjente pak a shumë familjare të mbyllura, se në terrene të hapura luhej edhe “Kala dibrançe”,”Shkapërcejsh” e të tjera. Fëmijët gjithashtu kishin lojërat e tyre tradicionale si: “Shkop e cingël”, “Dojkë”, “Top xhixhi”,  zakonisht për djem, por kishte edhe lojëra për vajza si:  “Kamkizë”, “Guriç” etj.

     Natën e Krishtëlindjeve ishte traditë të digjej në oxhakun e shtëpisë një degë dëllinje. Si dhe natën e Të lidhurave dikush nga familja duhej të dilte e të fshihte furkat me të cilat gratë e vajzat tirrnin lesh delesh apo fijet e linit. Këta duhej të rrinin të fshehura për gjat gjithë motit të lidhur siç ishin “Kreshmet”.

    Punët e shumta dhe të zakonshmet për njerëzit e fisit tonë kanë qenë bujqësia dhe blegtoria. Me të rralla kanë qenë zanatet e tjera. Pothuajse askush nga njerëzit e fisit tonë të jetë marrë me zeje apo ndonjë zanat tjetër të veantë, me përjashtim të ndonjë rasti të shkëputur të marangozit, apo ndryshe më saktë të qerrepunuesit, siç ka qenë rasti i Shtjefën Zefit, gjyshit të babait tim, i cili e ka ushtruar duke punuar për një sipërmarrës nga Shkodra të quajtur Ndrekë Qerraxhija. Ai la pas mjaft vegla të kësaj zeje me të cilat më vonë punoi i biri dhe nipi i tij Pashuku e në ndonjë rast edhe unë e të tjerët. Veglat e marangozit i kishte të larmishme dhe mjaft të kompletuara si komplet pajisjesh.

   Traditat dhe zakonet kanë qenë nga më të larmishmet dhe të shumta, por unë nuk po ndalohem këtu për t’i paraqitur e trajtuar hollësisht pasi ato nuk janë qëllimi kryesor i këtij shkrimi, prandaj unë po mjaftohem vetëm me aq sa paraqita më lart.

                Biografi të shkurtëra

      Këtu po mundohem të paraqes disa jetëshkrime të shkurtëra për disa nga burrat e fisit tonë që janë shquar më shumë. Sigurisht që për disa nga ata më duhet t’u referohem thënieve të njerëzve të tjerë të fisit, pasi unë përsonalisht nuk i kam njohur nga afër e nga ana tjetër nuk kam as të dhëna arkivore për t’i shfrytëzuar këtu pasi ato nuk ekzistojnë tërësisht dhe ato pak që mund të ekzistojnë unë e kam të pamundur për t’i shfrytëzuar. Besoj se për ndonjërin prej tyre ato çka unë do të paraqes këtu, mundet edhe të ketë mjaft materiale arkivore. Megjithatë këto fakte që po paraqes më poshtë në këto momente vijnë tërësisht sipas kujtesës sime. Me kalimin e kohës, sapo të bie në kontakt me të dhëna të reja, dhe shpresoj ta kemë këtë shans ndonjë ditë, do t’i paraqes ato, ose do të bëj korrigjimet e nevojshme. Sigurisht është me vend të theksoj edhe një herë se kurrësesi nuk pretendoj të kemë arritur të paraqes atë material që do të ishte i mjaftueshëm dhe që do t’i përmbushte më së miri dëshirat e mija për të qenë i tillë dhe nga ana tjetër të kumtonte fakte sa më të plota rreth atyre që kërkohen të dihen tek ata që do të kenë mirësinë për ta lexuar këtë material. Shpresoj se ndokush mund të ketë edhe fakte të tjera dhe me kohë mund të m’i sugjerojë për t’i paraqitur këtu. Por, gjithashtu, shpresoj të mos krijohet ndonjë qejfmbetje, pasi unë këtu nuk kam pasur dhe as kam kurrë qellime diferencimi mes njerëzve të fisit tim, por, duke mos pasur shumë njohje, jam kufizuar në ato çka unë kisha njohje më të mëdha dhe po i paraqes këtu më poshtë.

  Gjokë Hila                                                                                                                                                          Ka qenë kryefamiljari dhe burri më me potencë i fisit tonë i cili i dha edhe emrin e tij të mirë gjithë fisit. Njihej jo vetëm në krahinën e Zadrimës, por edhe në mjaft vende të tjera për burrëri, zgjuarsi dhe bujari. Thuhet se është marrë me tregëti dhe ka drejtuar karvanet që merrnin mallëra në Durrës, kryesisht kripë, e cila mungonte së tepërmi në Kosovë dhe i çonin në drejtim të Gjkakovës dhe Prizrenit. Atje ka të ngjarë të jetë njohur edhe me personalitete të njohura të asaj kohe si Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Idriz Seferi, Ymer Prizreni e ndonjë tjetër. Fakt është edhe pjesëmarrja e tij në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit duke përfaqësuar Zadrimen aty. Kjo flet, mendoj unë, edhe më shumë për lidhjet që Gjoka kishte me ato përsonalitete të shquara të asaj kohe. Dëshmitar i këtij fakti është edhe emri i Gjokë Hilës(Jok Hila) i gdhendur në Muzeun Historik të Lidhjes së Prizrenit në Prizren në shpinën e një karrigeje në sallën e mbledhjeve të atij kuvendi. Këtë fakt ma ka thënë gojarisht babai im, Gjini, i cili e ka vizituar këtë muze në kohën e Luftës së Dytë Botërore kur ai ka qenë atje si ushtar i ushtrisë italiane dhe ka qëndruar mjaft gjatë atje. Gjoka ka qenë shoqëruar me Abdyl Frashërin dhe e ka mikpritur atë në konakun e tij në Kodhel. Gjithashtu e ka shoqëruar atë për mjaft kohë nëpër Zadrimë si dhe në Shkodër e nëpër malësi. Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Gjoka është thirrur nga Veziri i Shkodres në një gosti dhe tradhëtisht është helmuar aty nga Veziri. Atje ka vdekur dhe po atje është varrosur.

   Pjetër Hila(Tuku i Gjok Hilës) Ka qenë njëri nga vëllezërit e Gjokë Hilës dhe është shquar për zgjuarsi. Ka kryer një shkollë për prift, por që nuk e ushtroi meshtarinë për rrethana që nuk dihen. Të paktën nuk janë transmetuar deri në ditët tona të dhënat për shkaqet që e çuan Tukun të mos e ushtronte detyrën e meshëtarit. Në atë kohë nuk ishte gjë e paktë të kryeje një shkollë për prift pasi të përzgjedhurit ishin nga shtresat e fëmijëve që kishin dhunti zgjuarsie dhe kjo ishte nje tregues i dhuntive të tija. Pas vdekjes së Gjokës ka qenë zot i shtëpisë së madhe.

Kolë Preka Ka qenë nipi i Gjokë Hilës. Pas Gjokës e Tukut ësht njohur edhe ai si drejtues i aftë i shtëpisë së madhe. Ka qenë i zgjedhur nga fshati si kryeplak i Kodhelit me vullnet të plotë nga të gjithë fshatarët e ka qenë i përhershëm si kryeplak deri sa ka vdekur. Kjo ka qenë falë dhuntive të tij të mira e zgjuarsisë e burrërisë që ka treguar kurdoherë.

   Shtjefën Zefi Ka qenë i përzgjedhuri i Gjokë Hilës që në moshën e tij të fëmijërisë. Është shquar për zgjuarsi, burrëri dhe bujari. Nëna e tij ka qenë njëra nga motrat e nënës së Gergj Fishtës. Ka pasur një njohje të gjerë jo vetëm në Zadrimë, por edhe në Mirditë, Shkodër, Pukë e Malësi të Madhe. Gjoka i ka besuar shumë herë tregëtinë për harxhet e shtëpisë që kur Shtjefni ishte 10 vjeç. Në moshën madhore, kur në Shqipëri sundonte mbreti Zog, ai ka mbajtur krahun e opozitës që përfaqësohej nga i madhi Fan Noli. Pas dhjetorit të vitit 1924, kur Ahmet Zogu e rrëzoi qeverinë e Fan Nolit, e arrestoi Shtjefnin dhe e mbajti të burgosur për mjaft kohë si të burgosur politik. Ka qenë përfaqësues i popullit i zgjedhur për fshatrat Baqel e Kodhel. Pushtetin e Enver Hoxhës nuk e ka dashur gjer sa vdiq dhe nuk lejoi që asnjë anëtar i familjes sonë të bëhej anëtar i P.K.SH(Partisë Komuniste Shqiptare). Ilegalisht Shkurti, nipi i tij ishte pranuar anëtar i kësaj partie dhe kur Shtjefni e mori vesh këtë gjë ia mori tesërën e anëtarësisë së partisë dhe ia dogji në zjarr. Ka vdekur aty nga viti 1953.

  Shuk Preka Ka qenë nipi i Gjokë Hilës(djali i Prekë Gjokës). Ka qenë i njohur si komit kryengritës kundër qeverisë turke. Ka ndenjur disa kohë në mal pa u dorëzuar. Ka vdekur aty nga viti 1957.

picture-064Zekë Shtjefni Ka qenë i njohur për urti, zgjursi e bujari. Shumë herë tregonte histori e ngjarje të ndryshme dhe i tregonte me vërtetësi të mahnitshme. Kohën që vetë e kishte jetuar që sa kishte qenë në fëmijërinë e tij të hershme e tregonte me detaje të hollësishme që mund t’ia kishte lakmi edhe një professor historie i universitetit. Ishte një arkiv i gjallë që aksidentalisht për neglizhencën time të pafalshme nuk e shfrytëzova aspak sa ai ishte gjallë. Kishte një etje të patreguar për të ditur të shkruante e të lexonte. Shpeshherë ma shprehu duke më thënë:’’Ah sikur të dija me shkrue e me lexue e t’i shkruaja të gjitha ato që i kam të mbylluna këtu në kokën time!’’ Ky qe, nga ana tjetër, një mesazh që ma drejtonte mua atëherë e unë jo se nuk e kapja kontekstin, por se nuk isha aq i motivuar sa ç’jam tashti në të vërtetë, por historitë që ai tregonte i dëgjoja me shumë vëmendje e më kanë ngelur në kujtesën time të pashlyera. Atyre tregimeve edhe u jam drejtuar për t’i paraqitur në këtë material të shkurtër.

       Përveç dhuntisë së një kujtese të fortë dhe të të treguarit të ngjarjeve në mënyrë të përpiktë, Zeka ka pasur edhe dhuntinë e të rënit të çiftelisë si dhe të të kënduarit bukur të këngëve tona patriotike. Çdo mbrëmje së bashku me Shkurtin ia merrnin këngës me çifteli si në çaste gëzimesh, ashtu edhe kur nuk kishte shumë lumturi në familjen tonë, kushtëzuar nag rrethanat e vështira ekonomike, shkaktuar nga sistemi i keq ekonomik i shtetit të asaj kohe. Këndonin shumë këngë trimërie sidomos atë të Zekë Jakinit, Bec Patanit, Ndokë Zhubës, Djalit të pistullores, Halil Gashit, Halilit e Hajrisël, Rexhës, Shtatë Shaljanët e të tjera si këto që tashmë nuk më kujtohen të gjitha. Pasi e përfundonin një këngë, vinte çiftelinë në prehër dhe na e tregonte historinë e heroit të këngës së tij fill e për pe dhe ne e dëgjonim me po atë kënaqësi e interes siç kishim dëgjuar edhe këngën e bukur që ata këndonin. Pastaj këndonin një tjetër e një tjetër dhe ne harronim hallet dhe problemet e jetës së përditshme e nuk kishim të ngopur së dëgjuari. Atë kohë unë nuk isha ndonjë mësues letërsie, madje nuk isha bërë ende mësues, madje, madje, as edhe në ëndërr që t’i shkruaja e t’i komentoja më pas tek brezat e rinj. Sot i kërkoj, por nuk mund t’i gjej më ato këngë, jo vetëm si melodi, por as edhe si tekste

.   Zeka ka qenë shquar për shpirtin e tij kryengritës kundër padrejtësive dhe kjo gjë në momente të veçanta gati sa nuk i kushtoi edhe jetën. Nga fundi i Luftës, në vitin 1944 u zgjodh Sekretar i Këshillit Antifashist Nacional-çlirimtar. Kjo e vuri në pozita përgjegjësie para popullit të Kodhelit, se dilnin mjaft probleme që u duhej dhënë rrugëzgjidhje. Një herë, tregonte ai, famëkeqi Toger Baba i kishte mbledhur burrat e fshatit në shtëpinë e Zekë Hilë Syqit dhe po i rrihte me dajak për të treguar armët e fshehura. E kishin thirrur edhe Zekën atje e ai, kur shkoi dhe pa se si po i rrihte fshatarët e gjorë në atë mënyrë shtazarake, i turret Toger Babës e i thotë:

    -Çfarë ban ashtu në popull fukara, more faqezi, se ata s’kanë bukë të hanë e jo ma të kenë armë!

      Atëherë ky toger famëkeq që kishte pushkatuar e varur sa e sa njerëz të pafajshëm në Zadrimë e në Mirditë e merr përpara duke i vënë grykën e automatikut në shpinë dhe e çon për ta pushkatuar. Me ndërhyrjen e Luigj Kosmaçit që ishte mësuesi i shkollës së Baqlit ku mësonin edhe fëmijët e Kodhelit dhe që e njihte mirë Zekën,  pasi kishte ngrënë bukë e fjetur shumëherë në shtëpinë tonë, Toger Baba ia fali jetën, por improvizoi një pushkatim fallso për të frikësuar burrat e tjerë të fshatit.

     Një herë tjetër e burgosin pasi nuk pranoi të paguante planin e shtetit se i dukej i padrejt të paguhej aq sa ato i kishin caktuar. Gjykatësi i çështjes, për ta ndihmuar Zekën, i kishte thënë që të deklaronte se donte ta paguante, por nuk kishte dhe kishte kërkuar për ta blerë në treg e s’e kishte gjetur, po ky s’kishte pranuar  të gënjente e kishte thënë se nuk e kishte aq sa i kërkohej dhe nuk e paguante se i dukej e padrejtë ta paguante, pasi nuk kishte bukë për familjen e tij jo më të paguante detyrime të padrejta. E kishin dënuar me 3 vjet heqje lirie, por kishte bër vetëm tre muaj burg.

     Zeka ka pasur miqësi në mjaft fshatra të Mirditës, Pukës e Malësisë së Madhe jo të  lidhjeve të gjakut, por të bukës e të besës. Ai ka vdekur në mars të vitit 1977.

      copy-3-of-toma12 Gjin Zeka ka qenë shquar për urti dhe zgjuarsi. Ka qenë ndër të paktë fëmijë të moshës së tij që ka kryer një shkollë fillore me 5 klasë. I ka takuar të bëjë dy herë radhazi ushtri. Një herë ka kryer shërbimin ushtarak të detyrueshëm në ushtrinë italiane për 3 vjet ku ka mësuar të flasë rrjedhshëm italisht si dhe sllavisht, pasi për shumë kohë ka qëndruar në Bosnjë e, herën tjetër me Ushtrinë Nacional-çlirimtare si efektiv i Brigadës XVII Sulmues. Edhe këtu ka qëndruar për 3 vjet dhe është plagosur kur ka qenë me shërbim në Ishullin e Sazanit. Nga kjo plagosje u bë invalid, pasi humbi njërin sy, por nuk e gëzoi kurrë invaliditetin e tij me ndonjë shpërblim të veçantë, siç shumë syresh, të privilegjuar të regjimit i gëzonin, madje pa bërë as sa një e dhjeta e tij apo madje pa bërë gjë fare, veçse ishin anëtarë partie.

    Ka pasur dhunti për një kujtesë të mahnitshme dhe mund të them me plot gojën se i ka ditur vargjet e Lahutës së Malësisë të Gjergj Fishtës që nga vargu i parë e deri tek vargu i fundit si dhe veprat e tjera të këtij gjigandi të letërsisë shqipe e gjithashtu edhe veprat e Ndre Mjedës, i citonte shpeshherë. Ka pasur dhe ka ushtruar për shumë kohë dhuntinë e shikimit të shpatullave të bagëtive për të parashikuar të ardhmen e pronarëve të tyre, dhunti që nuk ia la trashëgim askujt. Gjithashtu ka pasur dhunti t’u binte veglave muzikore si zamares, fyellit dhe bilbilit (flautit) si dhe ka pasur dhunti për të krijuar bejte. Për këtë gjë i është tërhequr vërejtja disa herë edhe nga organizatat e partisë të asaj kohe dhe është diskutuar edhe për t’u dënuar. Faktikisht nuk i ka shpëtuar dënimit, pasi për shumë kohë ka qenë i detyruar të punojë larg Kodhelit, në brigadat e fshatrave të tjera si në Kotërr e në Dragushë. Një dhunti tjetër ka qenë parashikimi i kohës. U vinte shenja ditëve të veçanta të vitit dhe përcaktonte se kur mund të binte shi e kur mund të bënte kohë e ftohtë apo e nxehtë dhe në të shumtat e rasteve i dilnin parashikimet e përpikta, për të mos thënë në të gjitha rastet.

    Gjini ka vdekur më 7 janar 1999.

  Ndokë Simoni Ka qenë shquar për mjeshtërinë e mjekut popullor të mjekimit të thyerjeve të kockave ose të ndrydhjeve e të nxjerrjeve nga vendi të gjymtyreve. Gjithashtu për shumë kohë në fisin tonë ka kryer funksionin e kuzhinierit në raste dasmash apo mortesh. Nuk ka lënë djalë si trashëgimtar, por ka lënë 5 vajza; Dranden, Shaqen, Nushën,Tazen dhe Pashkën.

   Luigj Kodheli (Zogu) ka qenë një nga burrat më të shquar të brezit më të ri. Që në moshë të re(kur ishte fëmijë) është aktivizuar me lëvizjen Nacional-çlirimtare si DEBATIK-as në Tiranë. Pas luftës është bërë e ka punuar për mjaft kohë si kryetar lokoliteti për zonën e Zadrimës. Kur u formua kooperativa bujqësore në Kodhel, u emërua kryetar i saj e më vonë përgjegjës i sektorit të blegtorisë në kooperativën e bashkuar si dhe kryetar i këshillit të bashkuar. Kur ishte kryetar kooperative është dërguar nga shteti i asj kohe për një vizitë pune në Bashkimin Sovjetik. Më vonë punon si përgjegjës i tregtisë së Lezhës dhe, kur ai e martoi motrën e vet me një djalë të një familjeje kulake, e përjashtojnë nga partia dhe e ulin në detyrë duke e bërë revizor të tregtisë së Lezhës për zonën e Zadrimës. Aty nga viti 1972 e akuzojnë për manipulim revizionimesh në disa dyqane shitjeje dhe e dënojnë me 25 vjet burg. Ky ka qenë vetëm një pretekst nga regjimi i asaj kohe, pasi Luigji, duke qenë se disa kohë më përpara kishte fejuar motrën e tij, Matildën me një djalë që vinte nga një familje e shpallur kulake, dhe duke qenë se ai nuk donte ta prishte fejesën e motrës, se donte ta mbante besën që kishte dhënë i kishte thënë motrës që të ikte fshehurazi e pa dasëm. Ajo ashtu kishte bërë dhe Luigji u hoq nga anëtarësia e parties komuniste si masë e pare dhe pastaj të gjitha funksionet shtetërore. Pra ky duhej të ketë qenë shkaku kryesor dhe jo mbulimi i defiçiteve të disa shokëve të tij shitësa. Kështu që ka të ngjarë që ky të ketë pasur më shumë dënim politik se sa ordiner, por, gjithësesi, është maskuar si dënim për faje ordinere. Kryen rreth 15 vjet dënim dhe përfiton nga një amnisti e shpallur nga shteti i asaj kohe.

    Këtu mund të ishim përmendur edhe të tjerë burra të njohur e të respektuar të fisit tonë, por nuk e kam parë të arsyeshme t’i përmend të gjithë me radhë në këtë shkrim të shkurtër. Nga ana tjetër edhe njohja ime për ata mund të jetë e cunguar e ndodh që mund të paraqiten gjëra që nuk kanë përkuar me karakterin e veçoritë e tyre reale. Dikush tjetër mund të ketë njohuri më të plota e mund të ndihmojë në kompletimin e këtij materiali. E mirëpres me respekt dhe mirënjohje të thellë për të gjithë ata që më ofrojnë çdo bashkëpunin në lidhje me këtë temë që unë jam munduar të paraqes këtu.

    Pasi m’u dha mundësia e një bashkëpunimi dhe konsulteje, e pasurova materialin duke u mbështetur në disa korrigjime të vogla nga ana e vëllait tim, Nikollës si dhe Zekës, kushëririt tim, i cili qe rastësisht në një vizitë të shkurtër nga Florida. Megjithatë përsëri nuk pretendoj se është bërë i plotë ky material. Shpresoj se diçka vlen për lexuesin edhe kaq sa është ky material.

    Jam shumë i sigurtë se fisi im ka një hapësirë shumë më të gjerë se sa unë kam paraqitur në këtë shkrim timin dhe se do të ishte shumë më e dobishme të njihnim edhe atë pjesë tjetër të fisit tonë që jeton, besoj, në Kushnen apo mund të jenë përhapur edhe në vise të tjera të Shqipërisë. Shpresoj që dikush tjetër nga ajo pjesë e fisit tonë që ekziston në Kushnen apo gjetk, mund të gjurmojë edhe më shumë se kaq dhe të mund plotësojë atë çka unë nuk kam paraqitur këtu. Do ta kisha pasur dëshirë të madhe ta kisha pasur mundësinë dhe privilegjin e jashtëzakonshëm ta kisha paraqitur vetë një gjë të tillë, por mundësitë e mija janë mjaft të kufizuara e për këtë arsye më duhet ta mbyll me kaq. Sigurisht, kjo është mjaft e nevojshme dhe shumë e dobishme, pasi mund të na qëllojë të qëndrojmë me kushërinjtë tanë të afërt e të mos e dimë se ata janë gjaku ynë më i afërt. Mbiemra të ngjashëm me mbiemrin e fisit tonë para se ne të thirreshim “Gjokhilaj” si “Ndregjonaj” apo “Gjonaj” besoj se do të ketë, jo vetëm në Kushnen, por edhe në vise të tjera. Duhet shikuar e gjurmuar gjithashtu edhe një prejardhje edhe më e largët se e Kushnenit e cila mund të jetë Dibra ose Kosova. Këtë e hedh vetëm si hipotezë pa pasur mundësi shumë premtuese për ta vertetuar nga ana ime, gjë që e cilësova edhe më lart.

   Duke e përfunduar këtu këtë shkrim timin,dëshiroj të shpreh gjithë respektin dhe nderimin tim të thellë për të gjithë ata burra e gra, djem e vajza të fisit tim që e mbajtën të panjollosur emrin e mirë e të nderuar të Gjokhilajve gjatë gjithë kohërave. Nderim e respekt të thellë të gjithë atyre që na ushqyen dashurinë e respektin për njëri-tjetrin, për vendlindjen tonë, për gjuhën, traditat e zakonet tona të mira. Nderim e respekt për të gjithë ata që na lanë trashëgimi të çmuara si: nder, besë, bujari e krenari për prejardhjen tonë të panjollosur ndonjëherë. Dashuri e mirënjohje të gjithë atyre që përpiqen t’i ruajnë e t’i çojnë më  tej traditat e mira që na lanë etërit tanë të paharruar, të nderuar e të respektur.

                                                                                                                            Gusht 2005

                                                                                                    Ripunuar në Korrik 2008

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s