Gjurmime gjuhësore:koha e ardhshme e mënyrës habitore

A- foto e diplomës    Shpeshherë, në stilin bisedor të ligjërimit e më rrallë në stilin e të shkruarit, ndeshemi edhe me variantet e kohës së ardhshme të mënyrës habitore. Duke e krahasuar përdorimin e kësaj kohe me atë të kohës së tashme të po kësaj mënyre, mund të themi se nuk janë shumë larg njëra-tjetrës, megjithëse kjo kohë e foljes nuk përmendet në programin e gjuhës shqipe, as në shkollën 9-vjeçare dhe as në atë të mesme. Në “Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme letrare shqipe”(2) botim i vitit 1976, për shkollat e larta, por mendoj se edhe në botimet e mëvonshme jepet vetëm si një mundësi përdorimi duke dhënë një shembull dhe vetëm kaq. Mendoj se nuk do të ishte pa rëndësi të studjohet e të konceptohet më gjerë, shtrirë kështu, deri në programet mësimore të shkollës 9-vjeçare. Them kështu duke u nisur nga këto arsye:

    1-Në gjuhën shqipe vetëm kjo mënyrë foljeje afrohet me mënyrën dëftore për nga përdorimi i varianti kohor. Ky variant i së ardhshmës, siç e përmenda edhe më sipër, përdoret më shumë në stilin bisedor pa dallime dialektore apo krahinore, në po ato variante që formohet e ardhshmja e mënyrës dëftore dhe kryesisht kështu:

     -me pjesëzat”do” dhe “të” plus folje në kohën e tashme të mënyrës habitore, p.sh. Pas një muaj do të dilkam në pension. Do të na u rritkan pagat dhe pensionet në masën 5%.

     -me foljen ndihmëse “kam” në kohën e tashme të mënyrës habitore plus formën e pashtjelluar pakajore të foljes, p.sh. paskam për të bërë analizat e gjakut për të më përcaktuar shkaqet e dhimbjes së gjoksit! Dje më lajmëruan se paska për të na ardhur për vizitë një personalitet i lartë shtetëror! Paskam për të kryer gjithë ato detyra shtëpie dhe nuk besoj se do të më dilka kohë të dal me shokët sonte!

     2-Ka përdorime të gjera kuptimore. Disa nga këto kuptime po përpiqemi t’i paraqes sado shkurt këtu më poshtë:

    -Kur shprehet një dyshim nga folësi për diçka që do të ndodhë në të ardhmën. Këtu më poshtë po jap disa shembuj: Flitet se paskan për t’u ngritur ca pallate të reja! Nuk e kuptoj pse paskan për t’i prerë këto pemë anës rrugës?! Nuk më besohet se do të mblidhkan kaq shumë fonde për të përballuar shpenzimet e rrugës së re! Flitet se do t’u bëka një miting i madh ku do të merrkan pjesë shumë njerëz. Me sa duket aty do të flitkan shumë përsona dhe do të shtruakan shumë probleme që e shqetësojnë popullin!

     Siç shihet edhe nga shembujt e mësipërm kjo kohë e foljes në mënyrën habitore shoqërohet me folje të tilla si: flitet, shihet, duket, thonë(thuhet), mendohet, parashikohet, supozohet, etj. dhe nga ana tjetër, pjesa e fjalisë së përbërë është pjesë ftilluese.

     Gjithashtu, në shumë raste paraqiten ngjyrime emocionale të formave të ndryshme si:

     -Kur pyesim duke shprehur njëfarë mosbesimi dhe habi për atë që do të ndodh në të ardhmën, p.sh. Pse, edhe ju do të merrki pjesë në këtë konkurs kaq të madh? Mos vallë paskam për të ardhur edhe unë atje me ju? Për kur e paskan lënë për të ardhur këta miqtë tanë të ftuar? Sa kohë do t’u dashka për ta kryer këtë punë ty që i bëke kaq naze?!

     -Kur i drejtohemi dikujt me një ton e mocional ironizues, p.sh. Posi, more, do të vike edhe ti, pa lë! Posi, posi! S’paska për të na i zgjidhur kush këto probleme e do t’u merrke ti me to!

    Siç shihet nga shembujt e sjellë më sipër kjo formë kohore e mënyrës habitore përdoret me lehtësi në të tri diatezat(veprore, pësore dhe vetvetore). Këtu nuk po ndalem t’i sqaroj me shembuj konkret përdorimet e tyre. Dua të sqaroj këtu se edhe në variantet dialektore ka po ato forma përdorimi që ka edhe e ardhshmja e mënyrës dëftore. Kështu, në qoftë se e ardhshmja e mënyrës dëftore paraqitet në variantin dialektor të këtij tipi: Prit pak se tash po vijnë edhe të tjerët! Edhe e ardhshmja e mënyrës habitore paraqitet në variantin dialektor kështu: Thuhe se tash po vikan shumë njerëz të tjerë dhe po u baka një miting i madh. Tash po u baka një zallamahi e s’tash po u merrka vesh se kush asht i parë dhe kush i dytë aty, me një fjalë s’tash po e njhka qeni të zonë!

     Po kështu edhe formimet e tipit paskam+formë e pashtjelluar e tipit me ardhë (paskam me ardhë; paskam me ba; paskam me shku; paskam me punu; paskam me jetu, etj.) krahaso:(kam me ardhë; kam me ba; kam me shku; kam me punu; kam me jetu, etj.).

      3 Mendoj se përdorimi i saj në të folur dhe në të shkruar, jo vetëm nuk do ta rëndonte gjuhën tonë, por do ta bënte më të bukur, më të gjallë, më shprehëse.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s