TOM GJOKHILAJ – BALADA E YLLIT

Picture 069

Shpirtin s’e lashë vakant

 

Sa herë ëndrrën time avion e kam bërë,

Sa herë mallin e pashuar peng kam vënë

E me avionin tim ëndërr sa e sa herë

Botës pash më pash i kam rënë.

Sa herë në kupa lotësh mallin tretur kam

E me to kam ngritur me mijëra dolli.

Sa herë në detin e ëndrrave zhytur jam

E kam notuar në ekstazë,…në pafundësi.

Kur malli zemrën ma ka lënduar

Unë shpresën kam thirrur garant.

Përmes ditësh të zymta kam kalëruar,

Por shpirtin kurrë s’e lashë vakant.

 

O njeri kërmill!

 

Puna që më lidhi me ty

-për mua një fatkeqësi!

Shoqëria që të bëra unë ty

-për mua turp e neveri!

Miqësi e besë në se të fal

-për mua i madhi skandal

Ndaj larg, sa më larg nga ti,

O njeri-kërmill,

rrugëjargavitur,

O njeri-urith,

balt’e hijezhargavitur!

 

Atje dua të jem

 

Atje ku syri më galdohet,

Atje ku shpirti më gjen paqe,

Atje ku zemra më shërohet

Pa doktor e pa ilaçe

Atje ku gjaku njeh burimin

Dhe ku shpresa m’flladit syrin,

Atje ku mbushem me gaz e shpresë,

Fjalës së dhënë ku i zë besë,

Ku kam vëlla e ku kam motër

I rrethuar me nipa e mbesa,

Ku më jep ngrohtësi çdo votër,

Ku e shenjtë gjithmonë është besa,

Ku rrënjët e mia dhe të fisit

Gërshetohen si degët e lisit,

Ku kam mbrujtur shpirtin tim,

Ku kam njohur lot e gëzim,

Atje ku fjala më rrjedh pa ndrojë

Edhe ëndrrat marrin krahë,

Miq e shokë ku më rrethojnë

Dhe gaz e lot unë ndaj me ta,

Ku buzëqeshja është buzëqeshje

E pas shpine s’marr ngërdheshje,

Atje ku nderi më jep nder,

Atje ku shpirti më jep vlerë,

Atje dua të jem përherë,

Pranverë, vjeshtë e dimër, verë!

 

Flaka e shpirtit tim

 

Shpirti im një zemër Dankoje

Digjet tash i braktisun,

Rrugëve të botës i degdisun,

Buzëplasun në arrati.

Shpirti im pishtar i mekun

Në’i cep rruge lënë n’harresë,

I paqasun e pakurrë shpresë,

Zemërlanun në vetmi.

Shpirti im digjet e digjet

Në vend t’zbrazët pa kënd pranë,

Në pyll t’errët e t’paanë

Pa mujt rrugën kujt t’ia ndrijë.

Flaka e shpirtit dalëngadalë

E shfryn dufin që i pat mbetun,

Me za t’brishtë edhe të mekun

Në pyll t’zbrazët e pa njeri.

 

Chloe

 

Kur shpresa ishte grisur

Dhe arna s’mbante më

Ti si yll i shumëpritur

Plot dritë e hare

Nga qielli tejet i ngrysur

ngarkuar me zymtësi e re

Në jetën tonë ti Chloe ke zbritur

Lajmëtare e një shpresë të re.

Me dashuri të rrethojmë

Ti dashuri na fal,

O engjëll dlirësie, Chloe,

I buzëgazit që s’ndal!

Dritës ia kalon

Se drita je vetë,

Në sytë tanë rrezaton

Dritë, gëzim e jetë.

 

Brandon

 

Të gjitha dlirësitë

Tek ti janë mbledhur,

Të gjitha pafajësitë

Mbi ty janë derdhur.

Ëndërrndezur zbrite

Shpresëblertë në agim

Brandon, o yll drite

Jetës sonë i dhe kuptim.

Ti je frymëzim i muzës

Dhe buzëqeshje e jetës,

Je lulja që çel pas lules,

Premtim real i shpresës.

 

Në krahë ëndrrash

 

Nëpër shtigje ku jam nisur,

Nëpër shtigje ku kalova,

Në krahë ëndrrash i bitisur,

Mbi enigma fluturova.

Çika diellin me krahë shprese,

Putha hënën në ëndërrime,

Mblodha yjet në shenjë bese

Si kurorë të zemrës sime.

Me shpejtësinë e një komete

Një nga një gëlltita vitet,

Hapa krahët, përpiva detet,

Në sekonda ktheva ditët.

 

Shpirti im  garant

 

Nëpër rrugët ku jam endur,

Nëpër shtigjet ku kam shkelur,

Nëpër hijet ku kam ndenjur

Shpirtin tim kam lënë garant.

Nëpër pyje ku jam flladitur

Ndër lëndina ku kam shëtitur

Dhe butësisht i kam soditur

Zemrën time atje lënë kam.

Rrënjët e mia ku i kam hedhur

Dashurinë atje kam gdhendur,

Lot e gëzim atje i kam derdhur

Mallin tim lënë peng e kam.

 

Sa herë

 

Sa herë në magjen e trurit fjalë kam mbrujtur

E në kuzhinën e zemrës i kam gatuar,

Me kripë të shpirtit sa herë i kam spërkatur

E në sofrën e shpresave i kam shtruar.

Në gostira miqsh sa herë si meze i kam shtruar

Dhe me to dolli pas dollie kam ngritur,

Në vetmi me to sa e sa herë jam ngushëlluar

E në gëzime shpirti më është argalisur.

Në lumenj vargjesh sa e sa herë kam vozitur

Me varka të vjetra e shpesh me të reja.

Në krahë ëndrrash nëpër qiej jam përpëlitur

Nëpër galaktika fjalët e zemres t’i gjeja.

 

Me gjoks t’zbrazun

 

Hoqa zemrën dhe e lashë,

Mora trupin me gjoks t’zbrazun,

Ndava shpirtin për së gjalli,

Mora detin e n’shpinë i rashë.

Në gjoks t’zbrazur grumbullova,

Mallë e brengë të ndarjes së gjatë,

Shpresëhumbur e ëndërrvrarë,

N’lumenj lotësh shpesh notova.

Përtej detrave s’kishte diell

Që shpresoja shumë ta gjeja,

Se zymtësia na rrethonte,

Në t’katër anët n’tokë e n’qiell.

 

Pakëz dritë

 

Larg prej njerëzve

Këtu në megrim

Një dritare hapa

Të shoh vendin tim.

Kur nisa të shfryj mallë

Dikush m’u shfaq tek dera

Dhe m’i hodhi dy fjalë:

“Mbylle se hyn era!”

E unë:

“Ju lutem

Më lini të shoh vendin tim!”

“Jo!” -prerë më tha:

-nuk ke liçensim!”

dhe me xhentilesë

më tha:“Ba-baj!”

Unë mbylla dritaren,

Se s’kisha ç’të baj!

Shtëpia m’u errësua

Bashkë me të dhe shpirti

Thellë nga burg i errët

Me të madhe thërriti:

“Përse?

Përse m’i mbyllni sytë

Dua të shoh dhe unë

Nga vendi im pakëz dritë!”

 

VEÇ MIRËKUPTIM

 

Çka shkrova për vete

Në shpirtin tim varr

I kyça në sekrete

E asgjë s’lashë të dalë.

Çka për të tjerët thashë

I nxora në pazar.

Si shitësi ambulant

Renda pa zarar

Ngado duke thirrur;

“Merrini fjalët e zemres,

Merrini fjalët e shpirtit tim!”

Dhe për këmbim

Unë kurrë para s’kërkova,

Doja veç mirëkuptim.

 

Shpresoj

 

Shpresoj të mos kem vdekur,

Shpresoj të jem tek ju,

Ashtu siç isha më parë,

Prap dua të jem ashtu.

Mos na vdekshin Kostandinat

Qindra male kaptuar,

Dhjetëra dete përshkuar,

N’lumenj lotësh mbuluar,

Në dhera të huaja mërguar.

Zemrat tona Kostandinë,

Shpresat tona prap Dhoqinë,

Kërkuan zemrave veç premtim,

Për ta pasur prap një kthim.

 

Humba shpresën

 

Humba shpresën,

Shita ëndrrën,

Bleva brengën t’më ndihmonte,

Brenga shpirtin ma copëtonte.

Në pazar unë prap dola

Të shes brengen se u vola,

Por pazari nuk më qasi

Brengën n’shpirt prap ma rrasi.

S’kish nevojë për brengën time,

Kishte të vetat me teprime.

Prandaj ika e më s’u pashë,

Me brengë n’shpirt botës i rashë.

 

Dhimbje e dyfishtë

 

Kur vdekja të mori,

O i pafati emigrant,

Shpirti më dhembi

E loti m’u bë garant.

Në dhè të huaj varri t’u hap

E me baltë atje t’mbuluam,

Peng i dhimbjes mbeta prap,

M’u duk, dy herë të mohuam.

 

Nuk fajësoj

 

Nuk e fajësoj natën

Për dritën e mohuar,

Nuk fajësoj as burimin

Për ujin e munguar,

Fajësoj vetëm veten

Për shpirtin e lënduar.

 

Kur lindi kënga

 

Kur lindi kënga

Në muzgun njerëzor,

S’kishte as radio,

S’kishte televizorë.

Grykat përcillnin jehonat

Dasmat mblidhnin këngët,

Plagët edhe dhëmbjet

Shpërfillnin gjëmat.

 

Në hijen time tretem

 

Çdo ditë unë në hijen time tretem

E gëlltis pak e nga pak copërat e saj.

Mbështetem pas kurrizit të hijes sime

Si të isha binjaku i pandashëm siamez

E frymë shpeshherë nga gërmazi i saj

Me tërë fuqitë e shpirtit jap e marr.

Kërkoj unë me hijen time të matem,

Në mëngjes, drekë e darkë

Por koha shpesh hijen ma dovarit

E tej horizonteve kërkon të ma flakë.

Kërkoj unë ngultas me hijen të matem

E diellit me përgjërim i lutem e i lutem

Që hijen sërishmi prap të ma falë

Të pastër si ujët e burimit në mal.

Prej hijës së mugët dua të largohem

Veçse hija gjithnjë më ndjek nga pas,

E unë s’kam ç’bëj e prap mundohem

Vetëveten me hijen e mëngjesit ta mas.

Në mëngjes hija ime pret fusha e male,

Në drekë më përulet e ndër këmbë më rri

Dhe unë frerët ia vë si të ishte kal shale,

Por vjen darka e hijen ma grabit përsëri.

 

Shpirtplagosur

 

Zemërthyer e shpirtplagosur,

Shpresëvrarë e ëndërrsosur,

Rrugëve të botës seç u rashë.

Dallgët e detitit i bëra shokë,

Me stuhi qielli përmbi kokë

Mora rrugët e më s’u pashë.

Tokën e zezë e pata shtrojë,

Netët e errëta për mbulojë

Copëra shpirti ngado lashë.

Në dhera të huja me gjak të ngrirë

Në krahë të harresës i përpirë

Shpirtit tim karar s’i dhashë.

Ngrita sytë drejt nga qielli

Se mos ndriste për mua dielli,

Veçse dielli më kish bërë hashë.

Mallzhuritur e sypërlotur,

Krahëprerë e i pambrujtur

Fatit të keq “Sos!” i thashë.

 

Ah, ky truri im

 

Ah, ky truri im

Një koshere bletësh

Një det me tërbim

Një tsunam termetesh.

Eh! këto bletët e mia

Venë e nga nuk venë;

Në sy të përlotura nënash

E mbledhin polenë.

E mbledhin nektarin

Në petlat e brengave

Dhe e mpiksin bramin

Në pikëllim të zemrave.

Nisen drejt lëndinash

Por mbledhin trishtim varresh.

Në fletë të zverdhura kurorash

Shkëpusin copëra vajesh.

Eh! Këto bletët e mia

S’janë si të gjitha bletët

Kanë shpejtësinë e dritës,

Por u mungojnë fletët.

Jo, s’janë prej natyre

Bletë si të gjitha bletët

Ndaj dhe mjalt’i tyre

I hidhët zehër mbetët.

 

Ënndrrat e mia

 

Në ëndrra kam qeshur

Në ëndrra kam kënduar.

Brenda ëndrrës jam dehur

E kështjella rëre kam ndërtuar

E kur sytë më janë hapur

Kështjellat më janë rrëzuar,

Llahtarshëm janë shembur

E unë kam thërriturr:

Sa keq që ishte ëndërr!

Në ëndrra kam qarë

Në ënddrra jam trishtuar

Tmerret e botës kam përcjellur

E prap kur jam zgjuar

Me të madhe kam thirrur:

Sa mirë që ishte ëndërr!

Në ënddrra vargje thurur kam

E në eterin e tyre më janë tretur.

Nga ëndrra kur unë kam dalë

Përpjekur jam vargjet për t’i gjetur,

Po ëndrrat kurrë më s’m’i dhanë

Se pronë e tyre ishin e u banë

E bashkë me to fluturuan

Në honet e errëta ku ato vanë.

Ënddrrat e mia fluide

Ditët i ndryshkin,

Netët i plakin,

Kapërcejnë vite,

Pranverën e vyshkin,

Por shpirtin ma përflakin.

Në ëndrra kam dashuruar,

Në ëndrra kam kaluar male,

Në ëndrra mbi re kam fluturuar

E kam përpirë oqeane.

Të dashurit e munguar

Të vdekur e të gjallë

Në ëndrra i kam takuar

E prap aty kam shfryrë mallë.

 

Pikël shiu u bëfsha

 

Pikël e vockël shiu u bëfsha

Në dhè të huaj në vdeksha

Vorbulla e erës të luaj me mua,

Por të më çojë atje ku unë dua.

Mbi tokë të bie si pikël e vesës

Si uji i munguar në ditët e verës,

Dhe dielli prap në re të më kthejë

Ditësh të prushta kur të më nxejë.

Qielli i kaltër le të më bëhet strehë

Për shtrojë e mbulojë le të kemë re

Por erës unë do i lutem me përgjërim

Të mos më largojë prap nga vendi im.

Tokës që më rriti do t’i bëhem freski

E në ditë të acarta të më ngrohi në gji,

Se unë bir i saj isha e prap do të mbetem

Në baltën e saj dua të shkrihem, të tretem.

 

Motiv i heshtur

 

Motiv i heshtur i një fjale të pathënë

E gjethe të zverdhura vjeshte u bëmë

Ku furia e një tufani tejet të krisur

Nga nuk e pritëm na ka degdisur.

E shkuam andej nga më s’u pamë

Larg prej trungut ku veç lotë lamë

Pa shpresë, pa ëndërr, pa dritë

Në kthetrrat e vuajtjes në pritë.

Në rrugët e botës kudo që ne shkuam

Më kot trëndafila erëshumë kërkuam

Se veç gjëmba në çdo hap korrëm

Dhe jetën tonë që më kot e borëm.

Me vete morëm lotë edhe brenga

E mallin zhuritës në zemra brenda

Me ëndrra të plagosura e shpirtin varr

Shpresa të zhuritura të kallura në zjarr.

Mallkimin e etërve me vete morëm

Dhe kurrë nga geni dot s’e nxorëm,

Se limani ku zbritëm e ku neve na priti

Mallkimin nga shpirti dot s’na e shqiti.

 

Kohë moderne

 

Na ishte njëherë…!

Na ishte njëherë…!

Dikush…!

Dikurë…!

Diku…!

Dhe shpalosen tabllo të pafundme

Në refrene nostalgjikësh

Të zhytura në muzgje kohërash,

Të mbarsura me lot e brengë

Dhe mbinjeriu rritet e rritet

E në trajta tragji-komike shkrihet.

Nostalgjikët derdhin lumenj ligjëratash

Për bëmat e kohërave “të arta”:

Na ishte njëherë…!

Na ishte njëherë…!

Dikush…!

Dikurë…!

Diku…!

E refreni përsëritet e përsëritet

Me nota bajate të një melodie bastarde

Që kohërat moderne dot s’e fashitën

Këtë gozhdë të ndryshkur në tru të njerëzisë

Ngulur në ditët e zymta të historisë.

Përditë ne shohim diku në trotuare e sheshe

Futboll “modern” prej të çmendurish

Të luhet me koka të prera njerëzish.

Hap sytë, o njeri,

E shkuara iku,

U shkri

bashkë me të sajat lavdi.

Tani është e sotmja,

Jetoje si të të vijë!

Përenduan legjendat,

S’ka më balada murimesh,

As të vdekur që nga varret ngrihen

Amanetin e besën e dhënë për të mbajtur,

Se besa përendoi

E tash e harruar në fletë të zverdhura kanunesh

Dergjet në vetmi,

Në heshtje,

Në agoni.

Veç Ajkunat çdo ditë e më shumë po shtohen

Mbi varre Omerësh duke qarë

Që s’dihet se ku e pse u vranë

Dhe varret ku i kanë.

Vdiqën heronjtë e qëmoçëm

Që botën mbi supe mbanin,

Që me përbindsha dhëmb për dhëmb luftonin,

Që përendive zjarrin ua rrëmbenin

Me dashuria njerëzve t’ua dhuronin.

Përditë po lindin e përendojnë

Të rinj heronj,

Përditë po shohim nga një Trojë

Mes krismash e flakësh të kallun,

Të përbuzun për vdekje,

Të tallun.

Përditë “kreshnikët” kamikazë

Ndeshen me imagjinarët balozë

Në bataqe betejash moderne.

S’ka më kal të drunjtë Troje

Dhe as mullinj ere.

Modernët “Odise” në kohë moderne

Trena elektrik,bohingë e limuzina shpikën

Në punishte të nëdheshme fantomësh,

Me krahë të fuqishëm reaktorësh

E floririn me shkëlqim të praruar

Me pluhurin e bardhë të vdekjes e ndërruan.

Agamemnonët e rinj e Menelatë

“Helena të rrëmbyera” kur ua do qejfi shpikin

E mizëritë e anijeve i kthejnë

Andej nga era e gjakut i shtyn.

Vdiqen heraklinjtë,

Përgjithmonë i varrosëm.

E tash ata nga mbinjerinjtë

Shtrijnë duartë që andej nga i groposëm

Mëshirë kërkojnë për ringjallje.

Argonautët e rinj

Pas arit të zi

Në detra gjaku notojnë

E botën me zjarre mbulojnë.

Modernët donkishotë thirrje bëjnë

Që botën ta shpëtojnë

Me marrëzitë e tyre

Nga marrëzitë ta mbrojnë.

S’ka më Romeo që farmak kapërdijnë,

Për Zhuljetat që tash e ndërruan dashurinë,

Me vleren e parasë dhe miellit të bardhë

E Romeot i ndërrojnë me kë t’u dalë më parë.

Zhuljetat në pazar i nxjerrin Romeot e rinj

Pasi betuar janë për të përjetshmën dashuria.

Helenat e Trojës dhe zanat e përrallave

Bukurinë e zhgërryejnë në dritat e semaforëve.

Modernët heronj në salla luksoze

Në lojëra makabre peshkaqenësh

Të dehur nga era e gjakut

Vallën e vdekjes hedhin

Në orgji të shfrenuara epshesh

Të mpleksura me jehona haremesh.

Mu në rrëzë grataçelash

Të zhytura në shkëlqim verbues kazinosh

Nëpër gërmadha kullash të stërlashta

E në kasolle të kalbura kashte

Mjerimi është ulur këmbëkryq

Në çdo skutë duke pjellë modernët këlyshë

Të cilët pa lindur mirë vetëvetën kafshojnë

Dhe në kafshim tërbues majmen e majmen

E rrënjët metastazë në çdo anë prap lëshojnë.

Ah! Ti botë moderne,

Botë e mpleksur për dreq

Zhytur në shkëlqime të rreme

Ku dhuna, luksi, rrëmuja e mjerimi

Kacafytur janë në katrahurën përshesh

Në lëmshe udhëkryqesh pa kurrëfarë drejtimi.

E kush tash mundet të të ndreq?!

Se vdiq Hamleti nga shpatë e helmuar

E bashkë me kalorësin e fytyrës së vrerosur

Që ty do të mbronte mbi Rosinantin kalëruar

Përgjithmonë në gjirin e harresës janë varrosur.

E prap tik-taku yt i zhurmshëm

Hipur mbi trenin tënd të pandalshëm

Stacione pas stacionesh i kalon vrullshëm

Në monotoninë e një simfonie të përjetshme

Nga pas duke lënë shtëllunga tymi të pashlyeshme.

Dhe prap në stacionet e tua të reja

Refreni përsëritet e përsëritet

Me nostalgji malli të tjera:

Na ishte njëherë…!

Na ishte njëherë…!

Dikush…!

Dikurë…!

Diku…!

 

Politika

 

Politika një barcoletë banale

Që s’ka nevojë të thuhet.

Mashtrim i kohës me halle

Në kode gënjeshtrash ruhet.

Hamenjt e saj padashur jemi

Se shpresat me to ushqejmë

Vetën me copëra hallesh që kemi

Me lugë të zbrazët gënjejmë.

Në pjatanca hipokrizie

Garsonët sharlatanë,

Lotë krokodili sërvirin

Dhe shpirtin e tyre katran.

 

Ëndrra të jetojë

 

Në të mbramnin çast timin

Fryma duke dalë

Do ta shkund unë shpirtin

Ëndrrën t’ma ringjall.

Ëndrra të marrë jetë

Se jeta nuk merr fund

E nesërmja do të jetë

Ndryshe nga ç’e njoha unë.

Le të mbetem gjallë

Veç në ëndrrat e mia

Le të tretem në varr

I harruar nga njerëzia

Por ëndrra krahë të marrë

Sa e tërë gjithësia.

Në ma vrafshi ëndrrën,

Jetën keni vrarë,

Por ëndrrën dhe jetën

S’ka varr që t’i kalbë.

Do mbyll sytë e i qetë

Vdekjen do ta pres,

Se ëndrra ime do të jetë

E në mes jush do mbesë.

Poetin dhe këngëtarin

I përjetësojnë në këngë,

Mua ëndërrimtarin

Në ëndrra le t’më lënë.

 

Lumërrëmbyer

 

Nëpër natën vjedhacake

Përcjell gjumin e pafjetur

Në pyll ëndrrash varfanjake

Kërkoj shpresën e patretur.

Lumërrëmbyer e dettallaz

Ndrydh mendimin e pabindur

Në kupa lotësh shpirtin zbraz

Pagëzoj shpresën e palindur.

 

Më mungojnë 7 Marsët

 

Në apelin tim të ditëve

7 Marsët më mungojnë.

I kërkoj në palat e viteve,

Por vitet m’i mohojnë.

Nga larg i shoh tek ikin

Pa lule e pa nxënës çapkënë.

Ikin dhe shpirtin ma sfilitin

E brengë në zemër më lënë.

I kërkoj nga larg të vinë

7 Marsët e mi të brishtë

Të ma dëbojnë vetëminë

Në shpirtin tim të trishtë.

 

Në se kalon

 

Ti udhëtar i rrugës sime,

Shtegut të shpirtit në se kalon

Njomi buzët në muzën time

Dhe shuaj etjen që të mundon.

Mos gjyko se çfarë unë them

Zemra fjalët nuk i zgjedh,

Por gjyko shpirtin që dhemb

Gjyko mallin që unë derdh.

Rrugës së lotit në i paç rënë

Do të gjesh aty ngushëllim,

Zemrën brenga n’ta pastë zënë

Merre timen pa shpërblim.

 

Vlorës

 

Vlorë e bukur rrëzë shkëmbinjeve

Det i kaltër të rri përballë

E qëndisur në kurorë të ullinjëve

Zanë e bukur si në përrallë.

Aty rrugën ia dhamë shpresës,

Aty ndezëm shpirtin flakë,

Aty krahët ia vumë ëndrrës,

Që të çanim nëpër dallgë.

Morëm lotin rubin në sy

Edhe mallin mbi supe mal,

Retë e qiellit përmbi kry,

Por vegimi yt s’na u ndal.

Sa herë malli do na marrë

Do t’i hedhim sytë nga deti,

Do ta shprazim mallin zjarr

Gjersa flakë të marri qielli.

 

Ëndërrshuar

 

Nëpër rrugët ku kemi shkelur

Nëpër kohëra lotëshaluar

Shpirtgremisur e zemërbrejtur

Netëve të gjata ëndërrshuar.

Jetën zhgrryem në llum mashtrimesh

Falëm gjakun e palumur,

Udhëtuam përbuzë greminash

Shitëm ëndrrën e palindur.

Krahët e shpresës ia vumë ikjes

Fluturimin të mos e ndalë,

Kërkuam dritën t’ia kthejmë ditës,

Kërkuam jetën me e ringjallë.

Përtej shpresës n’lumenj ëndrrash

Mbytëm shpirtin e brengosur,

Përtej zemrës në pellgje gjakrash

Nder e besë ne i kemë varrosur.

Filiza të tharë në fushë të begatë,

Burime të ndalura në ujëvarë

Buzëpanjomur nëpër shtrëngatë

Shpirtin trupit ia kemë ndarë.

 

Kalimtarë

 

Kalimtarë të rrugës sime

Mos ma vrisni hijen e brishtë!

S’kam një të dytë në jetën time

Ndaj dhe ndihem pak i trishtë,

Se mos hijen ma copëzoni,

Se mos shpresën tej ma flakni,

Se mos ëndrrën ma dëboni,

Se mos shpirtin  do ma plakni.

 

BALADA E YLLIT

 

Kam një frikë të të thërras në emër

Kam frikë plagët t’i ngacmoj

Se kam frikë se zgjoj një endërr

Kam frikë shpirtin ta lëndoj.

Ëndërr ishe dhe mbete ëndërr

Ike shpejt sikur u vodhe,

Hape plagë të mëdha në zemër

Edhe pse ti vetë s’e zgjodhe.

Koha të mori si të mos ishe,

Kohë plagësh që pikojnë,

Shpejt i këpute ëndrrat që kishe

Që nga çasti kur burojnë.

Kohët ikin e të tjera vijnë

Imazhi yt prap mbetet aty,

Akullnajat dot s’e ngrijnë

E ruan loti që djeg në sy.

Ishe yll ndaj qielli të mori

Dhe shëtit nëpër yllësi,

Xhani të doli nga krahërori

Por buzëqeshja  në buzë t’u ngri.

Lulja e parë e degës së parë

Që u këpute gonxhepaçelë

Zambakbardhi shtatllastarë

Dimri t’lindi e t’thau një verë.

Në sytë e shpirtit lot i patharë

N’tretësirë zemrash i patretur

Heshtjes i ngrite një lapidar

Peng i dhimbjes për të mbetur.

 

Brenda lotit

 

Brenda lotit lind një këngë

Sepse kënga s’ka veç gaz.

Brenda këngës ka dhe brengë,

Me det shpirtërash plot tallaz.

Ëndrra të grisura nëpër muzgje

Shpresa të djegura nëpër plagë

Varre të mbjellura në shpate e lugje

Nota dhimbjesh nëpër baladë.

Zemra të djegura në furra malli,

Këmishëstolisura me lule gjaku,

Përrenjthelluar ndër rudha balli,

Burimshterrur pa kurrëfarë haku.

Krushqpërlotur ndër dasma morti,

Velagrisurat nuset pa dhëndërr,

Varkëvozitës ndër detëra loti,

Kurbethumbur në rrugë pa emër.

Thirrje nënash në zë pikëllimi

Nëpër rrugët e shpresës së grisur

Pritje vashash në krahë dëshpërimi

Duke plakur jetë të panisur.

Betejëngadhnjyes me humbje jetë,

Lavdimëdhenj në rrugë turpi,

Varrehumbur nëpër dete,

Pasurivënës me shitje trupi.

 

Çdo ditë

 

Në sofrën e shpirtit tim të brishtë

Çdo ditë si meze durimi

Mëngjeset e ftohta të Londrës shtroj

E dolli ngre me kupa të zymta reshë.

Në trtësira të dendura malli

Ëndrrën time fluide njom

Dhe për ombrellë e mbaj

Në rrugët e mjerrgullta pa diell.

Garsonët përreth gjithë lajka

Buzëqeshje pa gjak orë e çast sërvirin

Në pjatanca të sheshta diplomacie

Ndersa retë qiellin grisin.

 

Gurë të shkulur

 

Në ato vende ku kemi lindur

Pranë bollekut, por në varfëri,

Në ato vende ku jemi rritur

Njohëm lotë dhe dashuri.

Lindëm ëndrrën dhe e flladitëm,

Ushqyem shpresën me lugë të zbrazur,

Mëkuam shpirtin ashtu siç ditëm,

Pranë burimesh, por buzëplasur.

Pranë bukës dhe të uritur,

Pranë lirisë dhe të robëruar,

Pranë dijes dhe të paditur,

Ëndërrprerë e shpirtcunguar.

Kishim qiellin të kufizuar

Edhe ajrin me komandë,

Kishim hapin të shkurtuar,

Por në atë vend peshonim randë.

Gurë të shkulur tashti jemi

Dhe ndërtojmë të huajat kështjella,

Veç shpirt e zemër atje i kemi,

Murosur thellë në themele të thella.

 

Falmëni dritën

 

Falmëni dritën ta mund ferrin,

Jepmani dritën ta gris terrin,

Terri dritën s’e duron,

Kur vjen drita, terri shkon.

Lërmëni dritën t’ia kthej diellit,

Jepmëni yjet t’ia kthej qiellit!

Diell e yje veç qiellin kanë,

Se pronë e qiellit ata janë.

Mos ma ndryshkni fjalën e brishtë,

Se s’është grumbull me hekurishtë,

Fjala s’ka adresë, as emër,

Por ka shpirt e gjak në zemër.

Drita e fjalës veç ndriçon,

Në se fjala nuk çalon

Në brazda lajkash e mashtrimi

Por vrapon në rrugë ndriçimi.

 

Kthema  shpresën

 

Malli grin në pritje të gjatë,

Syri shterret në thatësirë durimi,

Shpirti nxin e bëhet natë,

Loti rrjedh si ujë burimi

Loti lotin e përcjell

Edhe shpirti digjet zjarr

Ëndrra shpresën dot s’e sjell,

Porse heshtja bëhet varr.

Ndalo syri i sterrosur

Retë lotin të mos e zbrazin

Mos e mbaj shpirtin burgosur,

Lëshoma ëndrrën, jepma gazin!

Hapma qiellin, kthema shpresën,

Mos ma lër zemrën vakant

Pritjes së gjatë nuk ia kam besën

Shpirtit të lodhur s’i jap garant.

Gur i shkulur s’e njeh peshën

Gjethe vjeshte shkëputur dege

Pupul bëhet në krahë të erës,

Tallazshkulur nëpër dete.

 

A ka gojë deti

 

A kanë gjumë malet

Kur stuhia i përshkon?

A kanë peshë fjalët

Kur shpirti rënkon?

Një ëndërr e plagosur

Që në pikë të lotit mbytet

Në zemrën e brengosur

Me zhgënjimin kacafytet.

A ka gojë deti

Tmerret t’i tregojë?

A ka zemër qielli

Shpresën ta rizgjojë?

Ulërimat nga deti

Vijnë si mallkim i qiellit,

Vijnë si oshëtimë tërmeti

Përzier me flakët e ferrit.

O det i trazuar

Hape atë bark të zi

Tregona ç’ke mbuluar

Sa nëna ke veshur në zi.

Pse në besë i preve

Ata që të besuan shpresën,

Pse ti ua rrëmbeve

Dritën, ëndrrën, jetën.

Mos vallë të mungonin

Lotët e nënave tona

Që shpirtin tè ta qetësonin

Në tërbim netësh të vona?

Sa lule dhe këngë

U derdhën mbi valët e tua,

Por më shumë more nëmë

Për jetët që ke shuar.

Djep i ëndrrës ishe,

Apo varr i shpresës je,

Se babëzi të madhe kishe

Për ata që t’u bënë pre.

E varr gjigant u bëre

I atyre që jetën ta besuan

Lapidar i lotit mbete

Përjetësisht në lot mallkuar.

 

Alo! Alo!

 

Alo! Alo!

Me lot në sy nënat presin

Një zë të dashur që u mungon,

Në fund të rrugës sytë u mbesin,

Shpirtin malli ua përvëlon.

Sytë e ngrirë tek telefoni

Me shpresë të vakët padurimi

Nënat presin që ju t’u çoni

Atë “Alo” që kurrë s’u mbërrini

Shpirt i nënës çoje një fjalë!

Heshtja vret më shumë se plumbi

Loçka e zemrës, o vajzë, o djalë,

Për së gjalli jo, mos humbni!

Harruam vendin prej nga erdhëm

Harruam lotin që nanat derdhën

Morëm rrugët e më s’u pamë

Stuhive të detit në shpinë u ramë

I lamë nanat në prag të votres

Iu thamë zemrat nusës, motres

Rrugve t’botës plot gropa e kthesa

Me krahë t’saj na mbuloi harresa.

Nënat tona presin te pragu:

Kthehuni bij se iu thërret gjaku

Nënat tuaja i dogji malli

Me iu pa nji herë për së gjalli.

Mos i lini nuset me pritë

Mos ua ktheni në t’zeza shamitë!

Mallku qofsh kurbet i zi

Të gjithve jetën na e ke nxi!

Na prishe mendjen me magji

Ndave nanë e gru e fmi,

Ndave gjakun, shpirtin, zemrën

Na la trupin veç me brengën.

Rrugëve të botës ngado u ramë

Veç mundime ngado lamë.

Hej ju nana mos na vajtoni

Zotin lutni dhe shpresoni

T’merrni lajmin sa më parë

Djalë e vajzë t’i keni gjallë,

T’ju vijë zani nga telefoni:

“Jam yt bir” nanës i thoni!

Mbrapa lamë ne shpirt e zemër

Morëm trupin e i ndrruam emër

Humbëm nder dhe identitet

Kështu e paska ky i zi kurbet.

Thua shqiptarin mallkimi e ndjek

Shpirt e zemër po ia djeg.

Ah! Moj nanë malli m’ka marrë,

Por s’po mundem me u ba i gjallë,

S’po mund vuajtjes me i ba ballë,

S’po mund jetës me ia dalë

Me marrë rrugën e me u kthy

Me t’i pa njata dy sy

Lotë nga faqet me t’i fshi,

Me t’i heq mallë e mërzi.

Jo moj nënë, nuk t’kam harru

Veç se rrugët m’kanë mundu
Shpirt e zemër m’kanë sakatu

E s’po mundem me t’diftu

Po druaj zemrën me ta gri,

Po druaj shpirtin me ta nxi,

Me t’i thanë t’gjitha me radhë

Djalin tand çfarë e ka ndalë

Me t’u ba një herë i gjallë,

Mallku qoftë ky miell i barrdhë

Mendtë e kresë ia ka hutu

Trupin krejt ia ka shkatrru

E ka kthy njeri t’ pa vlerë,

Ia ka humb emër dhe nder.

Nëpër botë circetë në pritë

Mendtë e kresë na i kanë fashitë

Humbur kemi si të mos jemi

Nëpër shpella Polifemi.

Kalipsotë e pamëshirë

Lidhë na kanë me një mijë zinxhirë.

Lotët e nënave akujt shkrijnë

Po zemrat tona kallkan i ngrijnë.

Retë e shpirtit stuhi lëshojnë

Me lotë nënash që përvëlojnë

Mallin mal e brengën detë

Zemrën copë e shpirtin brejtë.

Kripa e lotit sytë na i djeg

Ëndrra shpresës s’po i hap shteg.

 

Në qenien time

 

Thellë në qenien time

Dashurinë burgosur kam,

Në burgun e zemrës time

Dashuri e dhembje janë.

 

*    *    *

 

Dashuria e verbër

Fal dhe tradhëtinë,

Xhelozia e tepërt

Vret dhe çiltërsinë.

Dashuria dhe xhelozia

Kur pranë e pranë flenë

Vritet çiltërsia

E tradhëtia bën folenë.

 

O njerëz

 

Shpirtin tek ju lënë e kam

O njerëz, lexojeni në dritë të diellit.

Në dashurinë tuaj frymëzuar jam

E zërin e ngrita gjer në kupë të qiellit:

“O njerëz, ju dua pa shpërblim!

Dhe në se ju mua s’më doni

Prap  do të jeni pjesë e shpirtit tim!”.

Për ju në shpirtin tim veç dashuri gatuaj,

Për ju në zemrën time dashurinë të pastër e ruaj.

 

Stacioni i fundit

 

Nga stacioni në stacion

Dashurinë kërkova.

Tek i fundit stacion

Më  në fund qëndrova

Ato që takova rrugës

Nuk është se s’i dua,

Por zgjedhja ime e vetme

Ishe ti për mua.

 

Në ëndrrën time mbete

 

Në ëndrrën time të brishtë

Në atë mbrëmje të vonë

Të vjeshtës sonë të largët

Befas zbrite si të ishe

Shkreptima e një qielli të kristaltë.

Dhe luajte me ëndrrën time

Si të ishte kukulla jote e preferuar.

Dalëngadalë u rrite

Në djepin e shpresës sime

Ndonse mamia kohë hezitonte të të lindte

E unë nga moslindja jote

Shpirtin përgjakja

Në monopatet e errata të mëdyshjes.

Pa dashjen tënde vjeshta të lindi

Dimri u bë i mëshirshëm e të rriti

Pranvera e hirshme me lule të mveshi

E shpirtërat e ndrydhur flakë na i ndezi,

Por erdhi vera e përgjithmonë të mori

E kurrë më pranë meje nuk të solli.

Vegimi yt në ëndrrën time aty  brenda mbeti

Shkundullinë e pandalshme e një tërmeti.

 

Je një mrekulli

 

Ti je motiv i ëndrrës

Ti je avion i shpresës

Ti je motor i zemrës

Ti je kryefjala e jetës.

Mbi të gjitha mrekullitë

Ti je një mrekulli,

Ndër të gjitha kaltërsitë

Ti je e vetmja yllësi.

Nga ti frymëzim merr kënga

Prej teje merr dritë dhe hëna,

Lulja tek ti merr jetë

Se ti je e gjithë jeta vetë.

Nëpër udhët ku ti shkel

Shpërthen bari e lulja çel,

Ndizen yjet lart në qiell,

Puthet hëna bashkë me diell.

Çohen të vdekurit nga varri

Digjen dhe akujt nga zjarri

I dashurisë që kanë për ty

Edhe të verbërit marrin sy

 

Trëndafili i parë

 

Lule pas lulesh këputa me radhë

Dhe erë u mora pak e nga pak,

Veç asnjëra s’ish si trëndafil i parë

Edhe pse s’e pata, veç fare pak.

Në kopshte zemrash edhe ëndrrash

Luleve të tjera u mora erë,

Por kurrë nuk gjeta atë kënaqësi erërash

Siç e pata për të parën herë.

Ndër kopshte ëndrrash unë e kërkova

E me afshin e zemrës e thirra pranë,

Vit pas vitesh fatit iu përgjërova,

Por fati jo, s’ma solli të dytin shans.

 

Në velin e bardhë

 

Mbi supet e nuses

Në velin e bardhë

Një flok i brishtë dëbore

Zbriti dalëngadalë.

Kaltërsinë e qiellit

Në sytë e saj derdhi

E shpirtin e dlirët

Me zjarr dashurie ndezi.

 

FABULA

 

Një “Oh!”

 

Kur dhëmbit shpirti i dhëmbi,

Gjuha që më pranë ishte

Me majë lehtas e përkëdheli

E dhëmbjen ndau me të.

Kur dhëmbja kufirin kaloi,

Dhëmbi s’dinte ç’të bënte

Gjuhën në atë çast kafshoi.

Atëherë gjuha nga zori

Dhëmbjen s’e duroi,

Një “Oh!” nga thellësia nxori

Dhe alarmin lëshoi.

 

Erë e krisur

 

Fryu një puhizë ere

Si marramendje

E një kohe të dehur

Që dot s’e gjen shtegun

E përplaset me shtyllat

Që rrugën gabimisht ia zunë.

Një molekul e krisur

Me një vrull të nisur

U përplas me shoqen e saj

E nisi lëvizja rrungajë.

Molekulat e krisura

Ashtu të bitisura

Kush e kush më parë

U nisën në garë

E mendja u tha më mirë

Të arrijnë ku ishte më lirë.

Po vendin se matën

As edhe forcën

Dhe morën me vete

Një e nga një

Rrugës çka gjetën

E rruga u tremb

Desh u çmend

E hapi vend

Rrungaja që priste

Të mos e vriste.

 

Përroi i shterrur

 

Përroi i shterrur

Ujin e grabitur lyp

Me sy drejtuar nga deti

Se barkmadhi det ia pat marrë

Në ato ditë të vërshimeve të mëdha.

Por det banditi

Ujin që ia grabiti

Në vesë loti ia ktheu,

Por përroin më s’e ushqeu

Me freskinë e ujit që i rrëmbeu.

Kulçedra e detit

Me një etje të pamatë

Ia gëlltiti përroit ujët e paktë

E përroi piskamat e shpirtit lëshoi,

Por më kot se veshi i shurdhët s’e dëgjoi.

E tash zanat

Në kroje të thata

Atje ku i fsheh nata

Këngët e dhimbjes këndojnë

Nën pemët që gjethet më s’i bulojnë.

Zia pllakosi

Përroin e mori lumi

E në zemër të detit e varrosi.

Në funeral lëmashk e zhaba i vanë,

Lumi në barkmadhin det varroste vëllanë.

Përroi ofshani

E shpati i vodhi oshtimën

Se gurët nën vete

Ia fshehën gurgullimën.

Heshtja u bë varr

E varri u bë mal,

Por etja e detit

Kurrë nuk u ndal.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s