Tom Gjokhilaj(rimat e shpirtit tim) – ëndërr dhe shpresë

IMG_3478            

                

MALLë E LOTë

                

 

                Krahëprerë në dhe të huaj

 

               Për nënën time vargje unë nuk shkrova

               Se fjalët e zemrës pena dot  s`i  nxjerr

               Por lotët nga sytë kurrë s`i  shterrova

               Dhe shpirti më nxin e bëhet skëterrë.

 

               Unë penën ngjyeva në lotin tim.

               Loti m`u bë det e pena varkë m`u bë.

               Zemërlëshuar u nisa në mergim

               Dhe nënën time s`e pashë kurrë më.

 

                Në frymën e fundit bekimin na le

                Dhe mbylle sytë në mall të pashuar

                E unë s`munda qoftë dhe një grusht dhè

                Mbi varrin tend për ta lëshuar,

 

                Se krahëprerë isha dhe prapë jam

                Këmbëlidhur këtu në dhè të huaj,

                Por shpresëhumbur jo, unë nuk jam,

                Ndonëse ëndrrat me lotë i gatuaj.

 

                Ndoshta ajo rrinte e priste te pragu

                Aty ku e lashë atë ditë të largët në vjeshtë.

                Kur të kthehem atje do ta kërkoj së largu,

                Me gjithë se e di: atje kurrë më s`do jetë.

 

                Lulet e majit për ty do t’i mbledh

                Në lotin tim të freskëta do t’i ruaj.

                Në se mbi varr s’do mund të t’i hedh

                Balsamin e shpirtit me to do të gatuaj.

 

                Në mes yjesh gjithënjë do të të kërkoj

                Me teleskop të shpirtit në lëndina do dal

                Të të gjej mes yjesh unë shumë shpresoj

               Në netët e verës…, në qiellin kristal!

                     

 

                                          Mall

 

Larg prej vatrës ku u linda

                                      Larg prej shokëve të fëmijërisë

                                      Në mërgim plot mall e brenga

                                      Kaloj vitet e pleqërisë.

  

 

Dhe shpresoj se një ditë

Do të vij prap në ato ana

                                            Të shfryj mallin që më grin,

                                            Të puth vendin ku më lindi nana!

 

 

 

                             Pengu i shpirtit tim

 

            Mblodha cicërimat e zogjve ndër pyje

            Bashkë me gurgullimën e ujit ndër kroje

            E kompozova të përjetshme simfoninë.

 

Rrëmbeva dritën vezulluese të yjeve

            Dhe shkëlqimin e dëborës së bjeshkëve

            E peng i vura në shpirtin tim.

 

Mora ngrohtësinë e dashurisë së nënave

            Dhe buzagazin e dlirët të foshnjave

            E jetës i dhashë dritë e ngazëllim.

 

Grumbullova ngjyrat e luleve të pranverave

            Dhe spektrin e pakrahasueshëm të ylberëve

            E pikturova tabllonë e shpirtit tim.

 

            Hapa kanatet e kështjellës së endrrave

            Dhe në dorë mora çelësin e mendimeve

            E fjalës i dhashë peshë e kuptim.

 

Dëgjova bashkë me gjëmimin e dallgëve të detit

Klithmat e malësorit në ‘Legjendën e Misrit’

            E mora rrugën për mergim.

 

Shtrova me këmbët e mia rrugët e botës

            Dhe syrin e shtriva përtej horizonteve,

            Por askund s’e gjeta si vendin tim!

 

Ku im atë prehet i qetë

Në frymë të fundit kur të jem,

            Lotë për mua ju mos lëshoni,

            Por ju lutem veç mendoni

            Banesë të fundit unë të kem

 

           Në vend të shenjtë të fisit tim

           Në anë të fshatit, mbi kodrinë

           Ku bilbilat përqark rrinë

           Dhe këndojnë gjithë ambëlsim!

 

           Ku pranvera qëndis vendin

           Dhe mbush jetën gjithë gëzim,

           Në ato kodra plot gjelbërim

           Dhe ku pemët flladin endin!

          

           Ku im atë prehet i qetë,

           Ndër më t’dashurit që kam pasur

           Nëna ime zemër plasur

           Djegur mallit për djem të vet!

 

           Nuk dua lule të më sillni

           Veç një lis ta kem brerore

           Përbri varrit në vend kurore

           Do t’ju lutesha të ma mbillni!

 

           Në fresk gjethesh tundur ere

           E mbi degë bilbilat këndojnë

           Dalim bashke e kuvendojmë

           Në dritë të hënës në net vere!

         

            Shohim brezat duke u rritur,

           Shohim fushat që blerojnë,

           Dëgjojmë këngët që burojnë

           Thellë nga shpirtrat e përtritur!

 

            Shpirtin tonë ju do të gjeni

            Në atë vend ju kur të vini

            Shkrirë me lisin do na shihni

            Se gjithëmonë aty do jemi.

          

 

           Lutju yllit

 

Në se malli të mundon

Edhe shpirti të rënkon

Hap dritaren vështro rrugët,

Pyet shtegtarin se trgon!

 

Në se syri pikon lotë

E pikëllimin s’e ndal dot

Thirre detin, ndalo erën,

Pyete dallgën se ta thotë!

 

Në se dallga të rrëmben

E trishtimi të mbërthen

Merre diellin,shporre natën,

Pyete rrezen se më gjen!

 

Në se rrezja s’të jep shpresë

Edhe shpirtin prap s’ta ndez

Shpalos qiellin, vështro yjet,

Lutju yllit t’më japë besë

 

Që të kthehem sa më parë

Të shuaj mallin që m’ka marrë

Atëherë qiellin,detin,diellin

Do t’i thërras për dëshmitarë

     

Mos u druaj se prap aty

Shpirt e zemër jam me ty.

Sa të jetë jeta nuk harrohemi

Edhe pse s’shihemi me sy!

 

 

        Mos lejo

 

Mos noto në lotin e mërgimtarit,

Se det i tërbuar pikëllimi bëhet

Me dallgë të stërmëdha malli

Ku mbytet Titanik i ëndrrave!

 

Mos kërko përtej syrit të përlotur

Qoftë dhe një dritë shprese të gjesh

Kur fatin tënd në dorë e kanë

Ato që kurrë s’njoën piskamat e shpirtit!

 

Mos lejo shkulmat e pikëllimit

Të të përmbysin djepin e shpresës

Të të thyejn krahët e brishtë të ëndrrës

Me lotët e hidhur të brengës!

 

Mos shkel kurrë në rrugën e pafund

Njomur nga lotët, djegur nga malli,

Se shkel mbi lotë nënash zemërplasura

Dhe mbi brenga vashash në pritje të stërzgjatura!

 

 

      Shpirti im

 

Njëqind, një mijë,                                  

apo  një milion herë

shpirtin tim në e vrafshin

e në dhè të huaj ta groposin

një miliard herë ai do të ngrihej

drejt vendit tim uragan do të sulej,

si shkëmb granit prap atje do ngulej

e çetinë shekullore bjeshkësh rritet.

Këtu gjeth i kalbur vjeshte bëhet

ku erërat alegorike mbi të losin.

Atje llastar i njomë pranvere

veson e freskinë shpërndan

në mëngjese të arta vere          

e në mbrëmje vjeshte.

                          

       Në se shkon

 

Në se vjen e në se shkon

Rrugash jetën në se e çon

Si uji i lumit qarkullon

Nga burimi gjer në det

Që nga deti gjer tek retë

Shpirtin kurrë s’e ke të qetë.

Ankthi zemrën ta mbërthen

Dhe kurrë prehje ti nuk gjen

Shkulma e mallit të rrëmben.

 

 

 

       ZADRIMA IME

 

E këputur,

                 si një lypësare e mjerë

endeshe dikurë,

                         Zadrima ime.

E kërrusur qëndroje ti

nën peshën e rëndë të ditëve

                                                plot halle,

                                                                plot mjerime.

Oh!

       ditët e tua plot halle

                                        kur mbi ty sundonte errësira,

kur lotë e skamje

                          të kultivoheshin ndër ara

                                                                  e ndër bashtina.

Toka jote e butë

                          e rimun me lot

                                                 e mbrujtur me brengë

nga gjiri i saj lëshonte

                                    afshe dhimbjeje,

                                                             afshe dëshpërimi

dhe fare pak këngë

                               oh! sa pak,

                                               gaz e  këngë!

Se kënga që njeh veç lindje

pa lindur vdiste

                         nga buzë të mavijosura

ndër fytyra të trishta

                                  të hijeve të rreckosura.

Dhe hijet e rreckosura

                                    me fytyra të përzhitura

udhët e botës mbushnin

                                       me gjymtyrë të mpita,

                                                                           me zemra të zhuritura.

 

Shekujt mbi trupin tënd                             

pa reshtur derdhnin

                                 rrëketë e viteve.

Vitet mbi gjoksin tënd

furishëm breshëronin

                                   përrenjtë e e ditëve.

Ditët në llumë mashtrimesh

shkarkonin e shkarkonin

                                         lumenj brengash

në detin e ëndrrave,

në oqeanin e shpresave

                                     ngarkuar me re lotësh.

                                                                  

Valët e Drinit,

                      valë zie,

                                  valë zemërimi,

mbi ty derdhnin

                          me egërsi,

                                         me tërbim,

valë lotësh,     

                 valë gjaku,

                                 valë brengash pambarim.

 

Në çdo pikë të gjakut tim

lumë i lotëve të tu

                             rrjedh e rrjedh me furi.

Në çdo qelizë të trupit tim

çdo pëllëmbë e tokës tënde

                                           është skalitur me madhështi.

Unë,një copë plis

                           i shkulur nga gjoksi yt,

                                                                një plis i gjallë,

gjithë vuajtjet,

                      gjithë brengat e tua

                                                     në zemër i kam marrë.

Në shpirtin tim të brishtë

e kaluara jote

                     si mal më rëndon,

në dritën e syve të mi

e ardhmja jote

                       shpresën ma ngjall,

                                                      besimin ma shton.

Në damarët e trupit tim

gjak nga gjaku yt

                            i pastër kristal gurgullon,

                                                                     gurgullon!

 

                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                     

 

     SHQIPJA ZEMERHEKUR

 

Shqipëri ylli me rreze

nëpër udhë të histories

lulekuqe gjaku ndeze,

lulekuqet e lirisë.

 

Gjerdan trimash shekujt pate,

gjerdan trimash në ballë lufte.

Rrugët çave me teh shpate,

udhët ndeze me grykë pushke.

 

Mu në ballë të historisë,

Shqipëri,lule bajraku,

ndeze zjarrin e lirisë,

ndeze zjarrin e këtij gjaku.

 

Ti Shqipëri, je krenaria!

Ti je nëna jonë e madhe!

Ti për mua je gjithësia,

je stuhia që kurrë s’u ndale!

 

Ti je drita, ti je hëna,

ti je dielli që s’perëndon!

Ti je vallja,ti je kënga,

ti je gurra që nuk shterron!

 

Ti je zemra,ti je gjaku,

ti je lumi me vale shumë!

Ti je vëllai,ti je shoku,

ti je syri që s’fle gjumë!

 

Shekujt trupin ta drobitën,

shekujt t’mbyllën mbrenda burgjeve;

nder e lavd t’i grabitën

dhe të lanë mes katër rrugëve.

 

Ti Shqipëri, shqipe mbi male,

shqiponjë ishe,shqiponjë mbete.

Fluturimin kurrë s’e ndale,

çave male,çave dete.

 

Vinte shqipja çante shekujt,

griste natën me gjysëmhënë.

Sillte diellin,ndiste yjet,

ulej puthte tokën nënë.

 

Bashkë me Gjergjin shqipja vinte

si shkreptimë mbi kalë të bardhë.

Treqind trimave do t’u printe,

do t’ua ndizte zemrat zjarr.                                                                              

 

Oso Kukës në kullë t’barotit

krahë e zemër do t’i falte!

Ky stërnip i Kastriotit

n’flakë Vraninën do ta kallte!

 

Përsëri në ballë t’vatanit

Mic Sokolë kjo tokë do nxirrte

që ndër pala t’xhamadanit      

shqipen tonë prap do sillte!

 

Nëpër bjeshkë ku zbardh dëbora

do të sulej shqipja trime,

Shota, Tringa edhe Nora

me furi e zjarr shkreptime.

 

Përsëri me pushkë në dorë

thyente prangat e robërisë,

çante qiellin nëpër Vlorë,

një pasha shtrinte n’Paris.

 

Zëri i shqipes përmes Naimit

do shpërthente si jehonë.

N’Lahutët’Fishtës,zë kushtrimi

do ta ndizte gjakun tonë.

 

Dilte shqipja majë kreshtave,

përmbi kërma dridheshin korbat.

Ujqërit natën fshehur shpellave

mprihnin dhëmbët,hapnin kthetrrat.

 

Matanë detit zemërathët

Musolini sëpatën mprihte,

që t’i priste shqipes krahët,

shqipes varrin t’ia rrëmihte!

 

Shqipja s’ishte kanarinë

që ta mbyllnin ndër kafaze.

Mësuar ishte në suferinë,

ndaj nuk pyeste për tallaze.

 

Bijtë e shqipes do të suleshin

mbi Viktorë Emanuelë!

Mbi gjoks fric-ësh do të nguleshin

helm urrejtjeje e bajonetë!

 

Por prap shqipen e plagosur

dimër i ashpër do ta priste.

Dimri i gjatë që s’kish të sosur

shqipes gazin do t’ia vriste.

 

Katër shkurti do të ngjallej

në ballë të shqipes vetëtimë.

Në Dy Prillin do të ndeshej

foshnj’ e njomë me lubinë.

 

Dhe lubia duke vdekur

do kafshonte me tërbim,

veçse shqipja zemërhekur

s’do të njohë më pengim!

 

                    Nëndor 1994

 

      Ëndërr E SHPRESË

            

                    Ëndrrat e mia

 

Mbi kapuçin e bardhë të maleve

                                       rendja dikur në rini

e vozisja në detin e ëndrrave,

                                       i zhytur në vetmi.

Mbi bardhësinë e virgjër

                                       unë,një pike laragane

ëndrrat i thurja,

                         ëndrrat e mia rrjetë merimange.

Por ëndrrat një ditë u grisën,

                                       poshtë një honi ranë,

ortek dëbore u bënë

                                e mua në vetmi më lanë.

I thirra e i thirra unë

                                ëndrrat e mia pa mbarim,

por më s’mu qasën në vapë,

                                           në shi, as në thëllim!

 

       Një ëndërr e papërfillur                                                                

                            

Bashkë me ditën që shkoi

vdiq dhe një ëndërr e papërfillur.

Bashkë me vitin e mbyllur

një lumë ëndrrash në lumë i kallur.

Dhe nisa prap një ëndërr të re

mes valësh të shkumëzuara

me vela gjigante

në varkën ’’ODISE’’.

 

                                                                                              

   Mos ma vrisni ëndrrën

 

Mos m’i shtoni retë mbi kry!

O njerëz, largomani mjergullën

të shoh dhe unë me sy!

Sytë tejet m’u verbuan

e tash që dielli doli

retë prap mbi krye m’i shtuan!

Shpërndamini retë!

Mërgojeni mjergullën!

Lëreni shpirtin tim të qetë,

të qetë në vetminë e tij të trishtë!

Mos ma vrisni ëndrrën!

Mos ma shuani shpresën!

Ëndrrën e kam të butë,

ëndrrën time shpresëvrarë me krahë të brishtë!

 

 

 

Zbriti në shpirtin tim

                                                  

Në dimrin e akullt me re e furtunë

një rreze dielli çau qiellin e murrmë.

Një rreze e vagëlluar grisi perdën e zezë

dhe zbriti në shpirtin tim

një dritë,

               një ëndërr,

                                një shpresë!

 

 

          Një tis dëbore

 

Një tis i hollë dëbore

kokën time zbardhi.

Dhe rëndon ky tis tinëzar

me peshën e purpurt të agimeve.

Rëndojnë mbi kokën time,

mbi jetën time

vargan i gjatë i ditëve

rreshtuar në togat e muajve,

skuadruar në batalion të viteve.

Dhe unë kapiten i moçëm

dhe fare i ri

apelin tim çdo çast e bëj.

Në njësitë e mia

ditë rreshtohen e rreshtohen

ndërsa mbi kokën time

gjithnjë e më shumë                                                 

flokët e dëborës shtohen.

 

      Mos m’i trazoni ëndrrat

 

Mos m’i trazoni,onjerëz,ëndrrat që kam!

Lërmëni të qetë në ekstazën e shpirtit tim!

Thellë,thellë në brendësi të saj unë tretur jam

e s’e di në se një ditëdo të gjej shpëtim.

 

Në çdo pikë të gjakut e nderit tim

heshtat majëmprehta të diellit kam vënë

ëndrrat t’m’i zgjojnë. Ndër krahë fluturim

t’më marrin,por ndër ëndrra t’më lënë!

 

Çdo tik i endrrave të mia një oqean i tërë

me dallgë të shkumëzuara gjithë tërbim.

Kjo jeta ime kështjellë vigane e bërë me rërë

në rrjedhën e qetë të lumit të fatit tim.

 

Atje,pra,dua të jem, i qetë të prehem

i zhytur thellë,thellë në vetmi.

Si kandili pa vaj të shuhem, të tretem,

por kurrë mos thoni se ua kam zili!

 

 

           Bini këmbana

 

Bini, këmbana!

Ushtoni,ju male!

Përhapeni jehonën e ditës së madhe!

Ditë të bardha po vinë!

Po vinë

në qiellin e kaltër pa mjergull,

pa re,

ku i pranverës diell,

në të kaltërtin qiell     

një rreze shprese lëshon,

tokën e ngroh,

tokën e ndrin.

Qeshuni, ju fusha

dhe hapni krahërorin tuaj të blertë!

Në gjirin tuaj bulëzoi hareja

në gjirin tuaj folenë bëri

fllad i ditëve të reja!                             

Lulëzoni, ju lëndina,

gjokset tuaja të ylberta

me ngjyra të reja

pranvera po i qëndisë me madhështi

plot stoli!

Bini, pra, këmbana!

Ushtoni, ju o male!

Përhapeni jehonën e ditës së madhe!

Jehona juaj të përshëndesë

tokë, det dhe qiell!

Pranverë,

gjithnjë pranverë,

dritë dhe diell

ditësh të reja të sjellë!

                         pranverë 1991

 

                                                                                                                                                                               

                                                                                                                                                                       

                                                                      

Jeto jetën

                                 

                      Në mes jetës edhe vdekjes       

                      Qëndron pezull dashuria.

                      Në mes njerëzve që dashurohen

                      Rri  pamëshirshem xhelozia.

 

                           Jeta të jepet si dhuratë

                           Dashuria në jetë fitohet

                           Dhe kalitet në shtrëngatë

                           E kurrë më nuk shterrohet

 

                  Mos qaj kohën që kalon.

                  Ajo ikën e s`kthehet më

                  Shanse të reja të afron

                  Një e nesërme, një shpresë e re.

 

                           Në det lotësh mos noto.

Shkulma dallgësh të rrëmbejnë

                           Aventura mos kërko

                           Se ato rrugën vetë ta zënë

 

.

                                      Shijo jetën

 

                                 Lulja çel vetëm një herë

                                 Dhe jeta veç një herë lind.

                                 Shijoje lulen në çeljen e parë

                                 Dhe jetën shijoje siç të vjen!

 

                      Mos thuaj se jeta s`është e bukur!

                      Mos thuaj se bota u shthur!

                      Kujto rininë e lumtur

                      Dhe ëndrrat e bukura që thur!

 

                                              Shpreso                       

 

                      Mos e mendo vdekjën pa  lindur mirë

                      Edhe atëherë kur jetën ta kanë nxirë.

                      Me mirë zhytu në ëndrra dhe shpreso

                      Në krahë ëndrrash të nesërmën ëndërro!

 

 

                      Se pas shiut do dalë një diell

                      Rreze të ngrohta mbi ty do sjellë

                      Harron stuhinë që mbeti pas

                     Ta mbush jetën prap me gaz..

 

 

                            Endërrgrisur në se je

                            Merr e thur një ëndërr të re

                            Vëri krahë e fluturo

                            Kurrë nga pas mos shiko.

 

                            Në  se bie ne greminë

                            Mblidhi forcat çikë e grimë

                            Gjeje shtegun mos u ndal

                            Se prap ëndrra krahë të fal.

              

Shalo ëndrrën

                Shaloje ëndrrën në versën e parë

               Dhe mos e lejo galopin të ndalë

               Ortek dëbore le t`bëhet e prap

                Shtrëngoje nga frerët e bëje zap.

 

               Endrra dhe shpresa dy siamezë

               Që zjarrin e shpirtit na e mbajnë ndezë.

               Ushqejnë njëra-tjetrën edhe zgjojnë

               Dëshira të fjetura që shpesh i harrojmë.

 

                Në se shpresa vdes, edhe ëndërr s`ka më

                Siamezi siamezin kurrë vetëm s`e lë.

               Ushqeje pra ëndrrën që shpresa t`mos vdesë

                Së bashku me ëndrrën si vëllezërit siamezë.

 

                Vadite ëndrrën në daç ajo të lulëzojë!

                Në ëndrra mbarse shpresën që të jetojë!

                Kur pikëllimi të mbulon e shpirti nxin,

               Vullkan ndize shpresën se rrugën ta ndrin

 

.

Në se ndodhesh

 

Buzë greminës në se ndodhesh

Mësoje syrin të shikojë nga qielli.

Atje është jeta,drita,dielli.

Shpresën mësohu të mos e lodhësh

Se krahëhapur të pret terri

Në fund të greminës zjarri,ferri.                                                        

 

Kur hakmarrja të rrëmben

Mësoje syrin të të mos erret

Se arsyeja do të t’shterret.

Ankthi zemrën ta mbërthen

Në grykë helmi do të t’mblidhet

Në ferr shpirti do të t’dirret.

 

Në krahë lavdie në se ndodhesh

Mësoje syrin të mos verbohet

Nga shkëlqimi,se shterrohet.

Krenarinë në mundsh ta mposhtësh   

Në daç vlera të të shtohet

Në daç shpirti të t’ndriçohet.    

 

 

                        Në apelin tim

 

Kalojnë në rrugën time,

në jetën time,                                                 

miliona e miliona fytyra,

miliona e miliona shikime

të mekta,të zbehta,

të ndritura plot rrezëllime.

Kalojnë ata që ishin e s’janë më

me fytyra të zbehta si vdekja!

Kalojnë ata që janë e s’do të jenë më

si drita e një komete në eterin qiellor!

Dhe unë në apelin tim

me shpejtësinë e zërit rreshtoj

emrat, fytyrat, shikimet,

buzëqeshjet, dridhjet, pikëllimet.

Rreshtoj fjalët e mira,

fjalët e liga,

vezullimet e syve,

shigjetimet e tinëzta.

Rreshtoj këngët,vallet,vajet,

ylberët e tualeteve,rudhat e balleve

si dallgë deti në furtunë.

Rreshtoj trëndafilët e buzëve,

dimrin e faqeve

të ngrirë si hija,si vdekja…!

Dhe prap rreshtoj…,

                             rreshtoj…,

                                           rreshtoj…!                                                                                                                                                                                                  

                                                         

               

                                                Fati im

 

Pyes orakullin në se sheh

                         Permes yjesh diçka të re.

 

                            Çfarë pra yjet për mua thonë,

                            Të ardhmen time si e shikojnë?

 

                                   Rri e pres me padurim,

                                   Si do të jetë ky fati im?

 

                                          Pres e pres, por më kot,

                                          Se orakulli asgjë s’thotë.

 

                                               Sepse yjet siç dje qenë

                                                Sot e nesër prap do jenë.

                        

                      Njerëzve të mi

 

            Ju jeni lumturia e jetës sime

            Ju jeni drita e syve të mi

            Çdo gjë në botë që unë kam

            Ju jeni më e madhja pasuri.

 

            Tek ju kam shtrirë ëndrrat e mia,

            Tek ju kam hapur zemrën time,

            Në çdo rudhë të lëkurës sime

            Kam gdhendur të zjarrtën dashuri.

 

            Në damarët tuaj rrjedh gjaku im

            Në sytë tuaj unë shoh fisin tim.

            Me ju gjithënjë ndjehem krenar,

            Dashurinë ndaj me ju,njerëzit e mi.!

 

Testament

 

Mos prisni të hedh në testament milionat!

Në jetën time vend e vatër kurrë s’bënë,

në derën time,jo kurrë nuk trokitën,

mendjen time jo kurrë s’e ndezën

dhe ditën, dhe natën pa prehje t’më lënë.

 

Mos prisni të rreshtoj tufat, tokat,vilat

që s’i pata në jetë as në ëndërr,

që shpirtin tim s’e prekën, s’e trazuan,

që jetën time kurrë s’e skllavëruan

me shkëlqimin e tyre marramendës,të verbër.

 

Djalit trashëgim i lë besë e burrëri,

ballin e pastër, nder ndër shokë,

shpirtin e bardhë, zemrën flori,

shtatin llastar, syrin shkëndi,

rrënjët e fisit ngulur thellë në këtë tokë!

 

Shtatin e Afërditës trashëgim vajzës ia lë,

në damarë të trupit gjakun ilir të Teutës,

në dritën e syrit guximin e Norës,

në shtegun e ballit krenarinë e Shotës,

në timbrin e zërit nektarin dehës të muzës!

 

 

        Ninull

              (djalit tim)

 

Buzëqeshja jote e dashur

                                        gonxhe trëndafilash,

zëri yt i ëmbël

                     si një kor bilbilash!

Doçkat kur m’i zgjat,

                                 botën ma dhuron,

gëzim e lumturi

                        mbush tërë jetën tonë.

Rritu, vogëlushi im,

                              dritë e ëndrrave të mia,

zbrittë në jetën tënde

                                gëzimi e lumturia!

Yll i shpresave të mia,

                                   lule ndër lëndina,

rritu, vogëlushi im,

                             zgalem ndër suferina!                               

                     

 

   

                  Si të vetmin çast

 

            Jeta është më e bukura dhuratë,

            Jetoje!

Çdo çast të sajin, si të vetmin

            Shijoje!

            Se ajo s’të jepet më se një herë,

            Kujtoje!

            Kur vala e gëzimit të të rrëmbejë

            Gëzoje!

            Në se je në kufinjtë e dëshpërimit

            Shpresoje! 

            Dhe në krahë të çmendur  ëndrrash

Ëndërroje!

E ngrita zërin

 

E ngrita zërin në qiell,

retë u zymtuan,

dielli u ndal,

bubullim’ e shkreptimë

me fushqeta të zjarrta

mbi mua ranë.                                          

    -Ej! Hesht ti fodull!

Hesht, ti mendjemadh!

Ç’është tërë kjo zhurmë?

Ç’është gjithë ky alarm?

Përse thërret e çirresh,

vesh dot s’të marr?!

 

E ula zërin në tokë,

në heshtje…,

në varr…!

Shtrëngatat s’u ndalën,

bubullimat s’pushuan.

Dielli prap s’u duk,

rrufetë trupin ma përvëluan.

E unë tash, vallë,ç’duhet të zgjedh:

thirrjen alarm,

apo heshtjen varr?

Sytë nga toka,

apo nga qielli t’i hedh?

                          Janar 1993                                                                    

 

Motive erotike

           Dashuritë shkojnë e vijnë       

                

           Një dashuri shkon

           Një tjetër vjen

           Dhe prap pas saj

           Një tjetër dashuri lind.

           Në buzëmbrëmje o në agim

           Herë me një buzëqeshje

           E herë me një shikim

           Vuloset imazhi që lind!

           E ne hamenj zemrash të zhuritura

           Djep i tyre bëhemi e ndoshta dhe varri

           Që përcjell jehona shpirtërash të dehura

           Në afshe ndjenjash të shkumëzuara!  

           Me krahë të praruar ëndrrash!

 

 

           Dashuria është e verbër

 

Dashuria, kur lind është e verbër;

ajo s’ka sy,por ka vetëm zemër!                                                                                                                                       

 

Para saj e rëndomta bëhet hyjnore,

çdo vogëlimë merr përmasa madhore.

 

Ajo lind permes dy syve të qeshur.

Është mahnitëse,plot ngjyra mveshur.

 

Herë lotë ka,por më shumë gaz

me mallin zhuritës që e ndjek nga pas.

 

Dy zemra bashkojnë katër sy të verbuar

në oqeanin njerëzor dy njerëz të dashuruar!

 

 

  Zemrat s’njohin moshë

 

Mes dy zemrave do të zgjidhja

më të freskëtën, më të dashurën!

Zemër t’plakur s’do përfillja,

sepse zemra s’e njeh moshën.

 

Zemra e re: zemër e plakur

nga mungesa e dashurisë,

pa pike vlere tej e flakur

prej boshllekut,prej vetmisë.

 

Zemra e vjetër në blerim

me zjarr t’ndezur të dashurisë,

porsi pema në lulëzim

vozit varkën e lumturisë!

                          Janar 1995             

 

 

  Ti ishe e tjetërkujt fat

 

Në imazhin tënd,i tretur venitem

dhe eci e eci në ëndrra pambarim.

Si diell ti rrezaton e unë mahnitem,

kjo zemra ime seç po rreh me tërbim.

Buzët e mia të kyçura,jo, nuk flasin,

por sytë qindra shigjeta lëshojnë.

Me lutje të zjarrta pranë po të thërrasin

dhe zjarrin dhe afshin e zemrës tregojnë.

Dora ime drejt teje zgjatet e zgjatet,

por, jo,ajo ty s’të arrin,dot s’të kap,

ti jet tepër larg e unë vuaj, se fatet

jo,s’na bashkuan. Ti ishe e tjetërkujt fat!

 

 

      I propozova një vajze

 

I propozova një vajze

                          buzë një lëndine,

lotët i shkisnin faqeve

                          gonxhe trëndeline.

Priste ajo, priste

                          fjalë dashuria

dhe mori përgjigje

                          puthje besnikërie.

Atëherë krahë mori,

                          zemra i gufoi,

si thëllënzë mali

                          iku, fluturoi!

Iku dhe u kthye,

                          solli një buqetë.

Zemra m’u ngazëllye,

                          mori krahë e jetë.                                                                                                                                                              

                           

          Notonim në ekstazë

 

Me hap të lehtë pranë meje erdhi e dashura ime

e unë nga gëzimi fluturoja e fluturoja

në qiellin e dashurisë, mbushur plot ëndërrime!

 

Një puthje të ëmbël prej buzëve të saj e doja,

një puthje të ngrohtë e plot dashuri,

veç unë  i pari t’ia jepja ngurroja e dot s’guxoja!

 

Ajo krahët drejt meje zgjati gjithë ëmbëlsi,

bota rreth nesh u mbush me trëndafila

e ne notonim në ekstazë, notonim në lumturi!    

 

          Dashuria bëri emër

 

Kurrë më i bukur s’m’u duk qielli

se atë ditë kur thellë në zemër

një buzëqeshje gonxhe çeli,

dashuria bëri emër!

 

Kurrë më të ngrohë s’e ndjeva tokën

kur në sytë e tu pashë një shkëndi,

buzët tona kur u tokën,

diell e qiell patëm dëshmi.

 

Kurrë më ëmbël s’këndoi bilbili

Në atë çast që u përqafuam.

Kurrë më bukur s’bleroi prilli

n’qilim lulesh kur u shtruam.   

 

Më shumë krahë kurrë s’morën ëndrrat

në krahë të mi kur të shtrëngova.

Kurrë më shumë nuk rrahën zemrat

kur mallë e brengë me ty i largova.                                         

                              

        

         E ndjeva lumturinë

 

Me afshin e zemrës

                               në thellësinë e shpirtit

ta shijova dashurinë.

 

Me dashurinë e dlirët

                                mbi të gjitha bukuritë

ta njoha bukurinë.    

 

Me bukurinë e shpirtit

                                 me sytë që të shkëlqejnë

më dhe ngrohtësinë.

 

Me ngrohtësinë e shpirtit

                                 mbi të gjitha ngrohtësitë

e ndjeva lumturinë.

 

       Me dashurinë tënde jetoj

 

Nuk i kërkoj larg minierat e arit që ka Bota,

i gjej ato thellë në damarët e zemrës tënde!

Nuk e kërkoj me afsh shkëlqimin e diellit pranveror

se rubin i syve të tu zbret hareshëm në zemrën time.

Ngrohtësinë e freskinë e ujërave të detrave e oqeanëve

m’i sjell golfstrim i lotëve dhe buzëqeshjeve të tua

e unë thellë, thellë zhytem mes dallgëve të tyre

e me tërë fuqitë e shpirtit thërras e thërras:

   -Me dashurinë tënde përjetësisht të jetoj dua!

 

      Vashës sime

 

Me yllin e mëngjesit,moj vashë të krahasoj,

me hënëzën e ndritur në qiellin e larë!

Për ty vargjet më të bukura dua të këndoj,

për ty kjo zemra ime po digjet si zjarr!

 

Buzëqeshjet e ëmbla nga buzët e tua

rrëshqasin ngadalë e shpirtin peshë ma çojnë.

Buzët e etura rrokëzojnë:’’Të dua,

moj va-shë e bu-kur’’,por mua më tradhëtojnë.

 

Ndër kodra e lëndina,ndër fusha të blerta,

ndër male e lugina,ndër kroje të freskëta

ku lulet kanë çelur e këndojnë bilbilat

vrapojmë si të çmendur me zemra të ndezura.

 

Një buqetë së bashku mblodhëm përsëri

me lule të freskëta, me lule erëshumë.

Me të vulosëm të madhërishmën dashuri

në puthjet e ëmbla që u derdhën si lumë!                                    

 

       Dashuri e heshtur

 

Ballëpërballë ne qëndronim,

veç gjuhën ngërçi na e zinte.

Zemrat nga gazi gufonin

e prap gjuha fjalë nuk zinte.

 

Ç’duheshin fjalët kur fliste dashuria,

plot ngrohtësi, e ëmbla dashuri?!

Për ne e jona ishte e tërë gjithësia,

për ne lumturia ishte lumturi!

                

                  FLUTURA

 

Në të këndshmin fllad pranvere,

      nëpër lule kur gjezdiste,

          shpirtin tim e ndizte

               krahqëndisura

                     flutura.

Në zemren time folenë bënte,

në zemrën time prehje gjente

                     flutura.

               Krahqëndisura

          shpirtin tim e ndizte

      nëpër lule kur gjezdiste,

në të këndshmin fllad pranvere!                     

 

                    BILBILI

 

Ia thoshte bilbili,

                            ia thoshte me ëmbëlsi

në pyllin e gjelbër,

                            në pyllin përkarshi.

Dhe unë e dëgjoja,

                            e dëgjoja me ngazëllim

atë këngë të hareshme,

                            atë këngë plot gëzim.

Mënjanë lija gjumin,

                            gjumin e trazoja,

mënjanë lija ëndrrat,

                            ëndrrat i mërgoja.

Dhe pyllin vështroja,

                            pyllin zili kisha,

pyllin gjithë lisa,

                            pyllin gjithë pisha.

E renda pas bilbilit,

                            si i marri renda.

Në kafaz e doja,

                            në kafaz brenda!

Një ditë bilbilin e zura,

                            një ditë u bë i imi,

atij iu shua kënga,

                            atij iu sos gëzimi.

Në kafaz brenda

                            derdhte lotë e brengë,

në kafaz brenda

                            kënga s’ishte këngë!

Zemra m’u lëndua,

                            zemra më qortoi,

ndaj i hapa portën,

                            iku…,fluturoi!

 

 

                        *    *    *

 

Iu luta diellit t’më falte pakëz ngrohtësi,

bujarisht rrezen lëshoi,natën bëri ditë.

Çdo gjë rreth meje gjalloi, agimin përshëndeta,

shpirti m’u gazmua, çdo gjë tani po shëndrit.

 

I kërkova tokës të më jepte ngrohtësi,

nga zemra më blatoi bukë e begati.

Në gjirin e saj të gjitha mirësitë gjeta

e unë gjoksin ia mbusha me stoli.

 

Iu luta detit për pak, fare pak freski

e ai flladin e lehtë ma dhuroi me bujari.

I mahnitur prej madhështisë së tij mbeta

me sytë të tretur thellë, thellë në kaltërsi!

 

 

                     *     *     *

 

Ah! Sikur të isha rreze dielli

të gjitha lulet që ka bota t’i përkëdhel!

Atë më të bukurën, më të hijëshmën

me dritën time ta mvesh,ta ndrit,

me ngrohtësinë time zemrën t’ia ngroh

e unë në gjirin e saj të shkrihem, të tretem,

në prehërin e saj përgjithmonë të prehem!     

 

  

 

 

      Botë e plagosur

 

Bota vuan,

Bota kullon gjak.

Dje në New York,

                            Madrid,

                                       Oseti…

                                                  Irak,

E tash në London

Terrori gjeti prag.

 

Klithma viktimash,

Lotë të hidhur nënash,

Zgërdheshje sadistësh

Mpleksje bastardhe kohërash.

 

Në botën që lëngon

Në dhimbjen e madhe

Dikush qan,

Dikush vajton;

Sadizmi feston,

Sadizmi hedh valle.

 

E ju shërbëtorë të djallit

Në emër të Allahut

Në orgji dehëse gjakrash

Shuani jetë të pafajshme.

 

Ju metastaza kanceri

Ju përbindësha me fytyrë njeriu

Ju stërnipër të Kainit

Ju e njollosni emrin e Zotit

Duke vrarë në emër të Zotit!

 

Rrufe nga qielli në se kërkoni

Me rrufe nga qielli do të mbuloni

Veç kokat tuaja përbindëshe

Dhe me to do të përvëloheni!

 

Mallkim e urrejtje ju mbillni,

Mallkim e urrejtje ju korrni,

Mallkim e urrejtje të përbotshme

Ngado shoqërues do t’i keni.

Mallkim!

                Mallkim!

                                Mallkim!

Dhe toka,

                dhe deti,

                               dhe qielli

Mbi ju mallkim!

Dhe gjaku,

                  dhe loti,

                               dhe dhimbja

Mbi ju mallkim!

Buka që hani,

                      uji që pini,

                                        ajri që thithni

Mbi ju mallkim!

Nëna që u lindi,

                        toka që u rriti,

                                             ferri që u pret    

Mbi ju mallkim!                                                                                                                  

Çdo gjë në këtë botë

Mbi ju mallkim!          

                              

                      7 korrik 2005

 

 

         Botë e përzieshme

 

Sot dhe qengji bëhet ujk

dhe ujku me lëkurë qengji mveshur

dhëmbët mpreh e mpreh.

Luani kthetrrat më shumë zgjat

e tigri më tigër bëhet.

Krokodili qan e qan

për të gjorin qengj

kur në bark përlan.

Shqiponja si e zezë re

nga qielli vrulltas turret

drejt e mbi të mjerën pre.

Pëllumbi me të çelikta pendë

i gatshëm për luftë rrebtas sulet                                           

si të ishte pinjoll e sua Minerve.

Qentë si gjithnjë po lehin

dhe karvani më së fundi në vend u ndal,

në heshtje rri e kujton dertet

që mbarti mbi supe si hamall!

 

 

      Po lehin çakejtë

 

Po lehin çakejtë!

I dëgjoni?

Çakejtë po lehin!

Lehin të ngratët,

lehin…!

Një lehje e gjatë  -përvojë çakallore.

Ej, ju njerëz,

kafshë, a ç’jeni

mos u shqetësoni,

por kurrë mos u besoni!

Çakejtë kështu e kanë,

duan të hanë.

Ngordhësirë e kërmë

pre e kënaqësi e madhe për ta janë!

Edhe krokodilët një zakon kanë.

Qan krokodil ’’i ngratë’’,

me rrëke lotësh qan

kur qengjin e mjerë në bark e përlan.

Lotë pikëllimi?

Lotë keqardhjeje?

Lot i shpirtit që dhemb?

Jo!

Kënaqësi e sadizëm që ndien!

 

 

       Ndoshta është më mirë

 

Gëzohu, o i verbër, që sy nuk ke,

botën katran ti sot s’e sheh.

I kredhur në errësirë

ti jetën shijon më mirë

se unë që veç zymtësi shoh

e asgjë zemrën s’ma ngroh.

 

Dhe ty, o shurdhmemec, zili të kemi.

Ç’na duhen fjalët kur dot s’i themi?

Dhe veshët që për të dëgjuar janë bërë

më mirë duhen mbyllur! Fare duhen prerë,

palovinat e kësaj bote të mos dëgjojmë,

palovinat që shpirtin na e helmojnë!                                   

                      

 

    K A M E L E O N

 

Sot diell e nesër shi,

herë bardh e herë zi,

herë kuq e herë jeshil

nëpër zyra hyr e dil!

Rrofsh e qofsh, kameleon,

ngjyrat një nga një i ndërron!

 

Nga një degë në tjetrën hidhesh

sogjetarëve u përvidhesh.

Zvarrë-zvarrë e pa lënë gjurmë

çan shtigjet nëpër turmë.

Lavdi paç, o kameleon,

njerëz të ndershëm seç mashtron!

 

Çdo lloj maske fort të shkon

përballë turmës kur qëndron.

Jo, askush s’mund t’i vërë emër

gjak a helm ti ke në zemër.

Rrofsh, or, rrofsh, kameleon,

kjo lloj ngjyre të nderon!

 

Nëpër kohëra himne thur,

më të fortit i bëhesh urë.

Kokë e këmbë i mban përdhe,

se kurrizit eshtra s’ke.

Lavdimadh, o kameleon,

përmbys botën e shikon!

 

Drita t’vret e terri t’fsheh.

Pjellë e territ ti vetë je!

Nëpër mjergull çan më mirë,

tym e mjergull ke dëshirë.                     

Ec, or, ec, ec o kameleon,

asgjë rrugën s’ta pengon!

 

Dhe kur kohërat davoriten,

ngjyra të ndritshme të përtërihen.

Shpejt i ndërron dhjetë lëkurë

e i kthen në njëqind flamurë!

Aferim, o kameleon,

ngjyrat bukur seç i ndërron!

 

Kush s’të njeh sa jet i lig,

të bën vëlla e të bën mik,

por pas shpine dimer, verë

u shpraz helm e u shpraz vrer.

Me pallavra, kameleon,

gjak e helm seç i bashkon!

 

Herë qesh e herë qan,

gaz e lot asgjë s’t’i than!

Çdo i ndershëm të urren,

për njerëzimin asgjë s’vlen!

Plaç,or,plaç! Plaç,or kameleon,

asnjë ngjyrë më s’të shkon! 

                                                                                                                               

                                                                                                                                 

 

 

      Frymëzim

 

      Vullkani im

 

Një molekul uranium

në shpirtin tim kam vënë

dhe rritet e rritet ky uranium

e brenda një çasti bëhet Himalajë.

Brenda një çasti nga ky uranium

qindra lumenj llave derdhen rrungajë.

Uraniumi në shpirtin tim rrënjë lëshon,

e prap bëhet Himalajë mbi Himalajë.

Nga grykët e kratereve shpërthen llavë,

llavë përvëluese e vullkanit tim Himalajë!

 

         Dy fjalë

 

Dy fjalë i shkapeta njërën mbi tjetrën,

shkëndia zemërimi syve m’i përflakën…!

Dy fjalë i gdhenda me daltën zemër,

me shkëlqim e dritë shpirtin tim spërkatën!

 

 

      Motiv i ndezur

 

Thellë në zemrën time

hesht një motiv i ndezur.

Thellë në zemrën time

qindra vargje janë derdhur.

Zemrën time kam gatuar

plot me shpresë e gas.

Në zemrën time, trazuar

rri deti me tallaz.

Në çdo pikë të gjakut tim

barut të thatë kam vënë.

Në zemrën time, në përgjim

gati rri eshk’e ndezur,

zjarrin për t’i vënë!

 

         

          Pena ime

 

Eh, kjo pena ime ka huqe shumë.

Herë ngecën në vend,

herë fluturon e fjalët derdh si lumë

e mua më lë pamend.

 

Kur fjalët të ngrohta janë,

                                       të ëmbla,

                                                     të dlira,

gdhend e gdhend gjithë madhështi.

Kur fjalët të ftohta janë,

                                        të tharta,

                                                     të ngrira,

ngërçi e zë dhe në vend rri.

 

Gjak’ i saj nag zemra gulçon e shket në fjalën e mirë,

e shkrihet në letër e bëhet flori.

Në fjalën e vrazhdë, në damarët ngrirë

gjak’ i saj nguroset e bëhet i zi.                                                                           

                                                        

 

 

 

        Poezia ime

 

E bukur,

               e thjeshtë,

                                 e qartë,

dua të jesh ti poezia ime.

Të ngjitesh në malin e lartë

të përshëndesësh të bardhat agime.

Nga majat e oxhaqeve

të shpalosësh horizontet,

mbi shpinën e detrave

zgalem të sulesh mes dallgëve.

Në gurrën e muzës popullore

buzët e etura të njomësh.

Mbi syrin e pafjetur të ushtarit

vështrim shqiponje të derdhësh.

Në qepallat e njoma të foshnjës

bashkë me diellin të ulesh,

e pastër,

              e çiltër,

                          e brishtë,

mes njerëzve të futesh.

Në krahët e tu të brishtë

vrulltas të më marrësh

e unë me ty

portë më portë të trokas

njerëz të mirë kudo duke përshëndetur!

 

 

           Frymëzimi im

 

Mes malesh, mes pyjesh

frymëzimin kërkova.

Brodha perms detrash,

oqeane përshkova.

Dhe renda nëpër qiell

nga ylli në yll,

nga hëna në diell.

Mes resh fluturova,

zgalemin bëra shok,

krahë shqiponjash vura,

por s’u frymëzova dot.

U desh një kokërr gruri,

ndoshta një milingonë,

çamaroku i vogël,

rubin i jetës sonë.

Më zgjoi nga ëndrrat

cicërima e një zogu,

një curril i vogël uji

nga një degëzim përroi.

Çdo gjë përreth meje

për frymëzim më ftoi

e unë nga thellësi e shpirtit

vargje u dhuroj!

 

 

    Zgjohuni, o njerëz

 

Zgjohuni, o njerëz,mjergulla u shpërnda!

Zbriti në jetën tonë DRITA  HYJNORE!

Dallëndyshet e JEZUSIT çikën tokën tonë.

Në shpirtin tonë lajmërojnë behar.

 

Gëzohuni, o njerëz, errësira u ça!

Një dritë shpresë, një dritë gazmore

po ngre fole në jetën tonë.

Iku dimrri! S’ka më acar!

 

Harroni, o njerëz, mërinë që kurrë s’iu nda

kësaj toke! Erdhi DRITA HYJNORE!

Hapjani derën e shpirtit tonë!

Thirreni! Thirreni të vijë sa më parë!

                                                    Pranverë 1991

 

 

     Vend e vatër bëjmë për ju

 

Nga larg ju erdhët me shpirt e zemër të pastër

si fllad i DRITES HYJNORE!

Në jetën tonë ju zbritët me dorën në zemër

si balsam i dashurisë njerëzore!

 

Shkëlqimin verbues të një bote të qytetëruar

mënjanë e late, mënjanë,

në hallet tona, në brengat, në shpirtin e gjymtuar

për të na ndenjur pranë.

 

Në varfërinë tonë të shtëpisë e të sofrës sonë

bukën e kripën ndajmë me ju.

Në çdo skaj të shpirtit e të zemrës sonë

vend e vatër bëjmë për ju!

 

Në apelin tonë emrat tuaj kemi gdhendur

me dashuria si emrat tanë!

Në shpirtin tonë, në zemrat tona dritën keni hedhur

e ne në zemrat ju kemi pranë!

 

Si engjujt për ne STEFANIA, ROZANGJELA,

shembëlltyra të të gjithë mirësisë!

Si engjuj për fëmijët tanë LUÇIANA, ERNESTA,

zemër e shpirt të dlirësisë!

                      

                                                              Janar 1995                                                           

 

 

        Mos ma shuani këngën

 

Dua të këndoj,o njerëz,

mos ma shuani këngën!

Lërmëni të qetë

t’ia marr edhe unë këngës,

t’ia them

ashtu siç e di vetë!

Mos ma shuani këngën,

mos ma ndalni zërin,

mos ma vrisni fjalën

në këtë ditë me diell!

Fjalën e kam të hidhët,

zërin e kam të trashë;

koha me acar

ma bëri të vrazhdë.

Mbi qenien time,

mbi fjalën time

një mal i tërë akulli rëndoi

gjuhën time ngriu,

gjerë në rrëzë ma shkurtoi,

fjalët në thellësi të mushkërive

m’i ngurtësoi

në qindra këngë të pakëndueme!

                                      Dimër, 1991                               

                                                                                                                               

 

 

     Shpresoj se mund t’i ketë përmasat e duhura. Gjithashtu dëshiroj që në kopertinën e parë dhe të fundit të vendosen vetëm pamjet që janë zgjedhur përkatësisht për sëcilën në se është e mundur. Detajet e tjera i kemi diskutuar bashkë kur isha atje. Në se i ke harruar më dërgo me mesazh në telefon dhe do të t’i nis përsëri se çfarë mund të duhet edhe në se çmimi ndryshon(emrat Esmeralda Preçaj,Enkeled Gjokhilaj(konsulent letrar), Ndue Dragusha,në se e kam nderin ta shkruaj emrin e tij aty, e ndonjë tjetër që mund të duhet e mund të jetë zgjedhja jote e në se e shikon të arsyeshme e s’ka ndonjë problem,Nikollë Ndreca). Gjithashtu nuk dëshiroj të shkruhet asgjë biografike në të. Mesazhet tuaja i kam marrë dhe dua të të shpreh edhe një herë se ato që janë shkruar aty kanë qenë intimitetet e një periudhe mjaft kritike për mua due për familjen time se për Ndue Dragushën dhe familjen e tij asnjëherë nuk mund të përmblidhen konsideratat që unë kam për të në aq pak vend sa unë kam paraqitur aty. Ato, po të duhet një material i veçantë për t’i paraqitur mund të them se duhet shumë kohë e aq shumë faqe sa nuk mund t’i përmbëledhë një roman i përmasave voluminoze, gjithashtu dhe mallin që kam pasur e kam për Ndue Dragushën dhe ato kohë(që vështirë se mund të kthehen më) që new kemi kaluar në shoqëri të paharruar me njëri- tjetrin. Gjithmonë respekt e mirënjohje njerëzve të mrekullueshëm si Ndue Dragusha e familja e tij! Shpresoj ta kem edhe unë atë respekt tek ata që kurrë nuk mund të harrohen në jetën time! Edhe një herë gjithë respektin e mirënjohjen time për ju e për tëgjithë ata që i dua me gjithë fuqitë e zemrës dhe shpirtit tim!                                             

 

 

                            

 

           

      

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s