Kthehem
U kthyen dallëndyshet
Dhe unë bashkë me ta.
Ndërtoj çatinë e vjetër
Ndërtojnë dhe ata
Zemërdridhur
Zemërdridhur e shpirtgremisur,
Në rrugë të botës i braktisur,
Fshehur territ nëpër natë,
Iu rrëfeva rrugës së gjatë.
Rruga shpresën ma sfiliti,
Ëndërrbrishten copë ma grisi
Retë tek balli m’i përflaku
Dritën e syrit ma përgjaku.
Mbi supet e nuses
Mbi supet e nuses
Në velin e bardhë
Një flok i brishtë dëbore
Zbriti dalëngadalë.
Kaltërsinë e qiellit
Në sytë e saj derdhi
Dhe shpirtin në dashuri
Ia mbushi, ia ndezi.
Qysh atë ditë
Ti që ëndrrën ma plagose,
Ti që gjumin ma dëbove,
Ti që shpirtin ma prangose,
Vend e vatër kund s’më le.
Të gjitha shtigjet m’i bllokove,
Të gjitha rrugët zënë m’i ke
Të gjitha shpresat m’i sakatove
Qysh atë ditë kur bashkë u njohëm.
Shpirtin peng shpresës ia lamë
Buzët ëndrrës seç ia njomëm,
Syrit lotin në qerpik ia thamë,
Por zemra zemrën prap s’e gjeti.
Zhabat në grevë
Zhabat në kënetë
Kishin shpallur grevë
Se buajt zhytur në llaçë
Kishin vendosur paqë.
Dhe formuan komision
Mbi buaj të bëjnë presion:
“Jepini fund paqes
Se duam orët e shfaqjes!”
Harruan të gjorat zhaba
Që dardha e ka bishtin prapa
Se kur buajt zënë e luftojnë,
Veç të gjorat zhaba e pësojnë.
Mos dashuro
Mos dashuro nëse për dashurinë
Zemren flakë s’e ndez!
Mos dashuro nëse ti xhelozinë
Në pranga dot s’e hedh!
Mos dashuro se nuk ia vlen
Nëse atje ku ti mendon
Shpirtin binjak jo dot s’e gjen
E plagët e zemres rëndon!
Mos dashuro nëse për dashurinë
Natën zgjuar s’e zbardh
E vetëm pret veç Shën Valentin
Që puthjen e squlltë ta fal.
Shkunde dhimbjen
Ti lexues i zemrës sime
Shpirtin shkunde gjer në dhimbje
Dhe vështro në rrugën tënde
Atë pjesë jetë plot ëndërrime.
Shkunde dhimbjen e vështro
Përtej lotit që të shterr dritën,
Mos e vrit shpresën e mitur
Territ të shpirtit mos iu dro!
Harresa
Lindja mbjell gëzimet
Vdekja korr dhimbjet.
Nga lindja tek vdekja
Veç një hap na ndan
Dhe më së fundmi
Harresa na përlan.
Tek ti përsëri do vij
Do zbarkosh në ëndrrën time
Pulëbardhë mbi dallgë deti
Do të ngroh me dashuri.
Do trokas në ëndrrën tënde
Do t’ia ndez kurajon vetit
Do të shkrihem në nostalgji.
Do ta bëj zemren dhuratë
Mbyllur thellë në kuti sekreti
Nëse të duhet, hape ti,
Në s’të duhet digje flake;
Le të digjet në zjarr xhehneti,
Por tek ti përsëri do vij.
Refugjat
Në oqeanin e vetmisë
Vozis jetën velagrisur
Permes dallgëve të vetmisë
Hipur varkës shpresëgremisur.
Retë e lotit mallit brejtur
Në kopshte brengash shiun e derdhin
Në rrugë të gjata gjithmonë i etur
Refugjat ku valët më hedhin.
Lubi e vdekur
Që nga varri lubi e vdekur
Buzëpërgjakur e shpirtkatran
Vret pa mëshirë me zjarr e hekur
Gjer dhe engjujt që faj s’i kanë.
A thua mallkimi pas na ndjek
Qysh kur Zotin e mohuam?
A thua dhe toka ku rrimë djeg
Se brenda saj lubinë mbuluam?
Në kortezh korbash jetë e sosur
Nëpër gene bulëzime plagësh,
Foshnje të palindura në dhè varrosur
Liqene të krijuara me pellgje gjakrash.
Në toka shterpa mbijnë gjëmime,
Lule gjaku buzë rrugësh çelin,
Ditët mbarsen me mashtrime
Vijnë minutat dhe ofshama pjellin,
Se Dhemblanët dhe Gërdecët
Kullojnë qelbët e kancerit plak
Për ta kënaqur lubinë e etur
Me shushunjat që thithin gjak.
Në çdo pëllëmbë Gërdecë të heshtur
Gati janë të shfryejnë mallkimin,
Prej dekadash nën tokë i mbledhur
Po pret çastin të bëjë shpërthimin.
15 mars 2008
Ujku plak
Ujku plak lëkurën ndërroi
Dhe qëngjat syleshë e besuan,
Por tufa pak e nga pak shterroi,
Se qëngjat nga besimi e pësuan.
Ata çka mbetën nga tufa e vjetër
U mblodhën në kuvend dhe thanë:
Më s’do besojmë ndokënd tjetër
Ujku s’e ndërron të vjetrin zakon.
Kosova ime
Kosova ime lotpërgjakur
Tokë e situr nëpër flakë,
Gjysmë e shqipes matanë mbetur
Shpirti ynë mbuluar me plagë.
Nëpër fusha s’mbinte bari,
Hija e shkjaut ia ndalte diellin,
Kishte frikë të vinte behari,
Retë e zeza mbulonin qiellin.
Tash pranvera çeli lulet
Të mbytura në gjak për 100 vjet
Mbi shkëmbinj tash shqipja ulet
Me siguri të trullit të vet.
* * *
Pasqyra të shpirtit e ëndrra të brishta
Me shpresa të vakta mpleks.
Shatërvanët e syve shterroj
Nëpër rrëpira brengash e malli
Dhe buzët njom në prush nostalgjish pa kufi.
Merrni nga zemra ime, o njerëz
Se zemrën pa mëkat ua fal.
* * *
Atje s’ka dritë,
Këtu s’ka natë,
Se drita dhe nata
Nuk bëhen dhuratë.
Drita adhuron ditën
Që e lind pa shpërblim
E nata dashuron terrin
Që shpirtin ia nxin.
Mos i beso
Mos i beso syrit shigjetues
Nën vetullën e palosur,
Mos i beso buzëqeshjes
Nën ballin e rrudhosur.
Malli që më djeg
Ty, o mallë që edhe gurin djeg
Me acidin e nxehtë të lotëve
E sytë me mjergull m’i mvesh
Kërkoj vendin ku të të zbraz,
Përtej lotit të hidhur të të hedh
Por loti m’u bë det me tallaz
E diellin e venitur të syve
Ma mbyti në tërbimin e dallgëve.
Varka ime një lëvozhgë arre
Malin e plumbtë të mallit
Mbi bordin e saj të brishtë mbart
E zbarkon nga pak copëra nostalgjish
Në ishuj eteri e celuloidi,
Por limanin e madh prap kërkoj.
Unë vendin, jo s’e gjeta dot,
Se titaniku i shpresave
më dysh i çarë nga ajzberg i pikëllimit
Nuk e zbuloi dot limanin e ëndrrave,
të cilat varkës së shpirtit të trazuar
Për shpëtim më kot iu drejtuan.
Timonier i vjetër tejet i lodhur
Me kohë vdekur kishte
Në oqeanin e madh
Të vetmisë së gjatë.
Prehem
Syri im
Në rrezet e diellit tretet
Zëri im
Në fëshfërimat e gjetheve mbetet.
Frymëmarrja ime
Me flladin e prnverës shkrihet
E unë
Permendore e heshtur e shpirtit tim të brishtë
I harruar në përjetësi fashitem,
Prehem.
Peng i monopatit
Shpirtin përgjaka nëpër monopate ëndërrash,
Në pellgje dashurish me zemrën time notova,
Çastit fatlumë me përgjërim në gjunj i rashë,
Por jetës pa dashje dyshek drizash i shtrova.
U enda nëpër rrugët e mallit me lotin e paftuar
Si varka pa timonier mbi dallgëtërbuarat e fatit,
Në shtigje të panjohura gjithnjë kam kalëruar,
Por shpirtin së fundmi peng ia lashë monopatit.
Zog i lirë
Shtëllunga të bardha ruda-ruda,
Re e tym dashnorë të qiellit,
Atje poshtë qilim i tokës
Majë malesh zbardh plot nur.
Përmes qiellit çan airkrafti,
Hënë e diell i përshëndet,
Pushin e reve me afsh përkdhel
Me pasion të dashnorit të zjarrtë.
Drejt nga qielli vështrimin hedh
Zog i lirë në fluturim,
Përshëndes malet nga kaloj
Sipër tyre ngadhnjimtar.
Kapuçbardhët poshtë meje
Hijerëndë për kalimtarë,
Kokëulur tash qëndrojnë
Si të mundur e të sfiduar.
Miqësisht më ngjatjetojnë
Dhe më ftojnë për pak freski
Atje poshtë ku bora zbardh
Bijë e qiellit, nuse e tokës.
S’ka një penë aq të fuqishme
Këtu lart mbi dhjetë mijë metra
Ta përshkruajë këtë madhështi,
Re e det e borë e tokë
Këndshëm mpleksur gjithë mahni.
Edhe malet në m’paçin pa
Sipër tyre nga po kaloj
Shpirt e zemër shkrij ndër ta
Shpirt e zemër ua blatoj.
Se nuk jam sfidues bastard
Mendjelehtë e i patru,
Por jam thjesht një udhëtar
Përjetë në to i dashuruar.
Kurrë metamorfozë
Mbi ylbere të botës
Shumë herë kapërceva,
Por seksin kurrë nuk e ndryshova,
Se linda burrë
E burrë dua të vdes
E jo si ca
Që lindin meshkuj,
Por vdesin gra.
GJETHE VJESHTE
Gjethe vjeshte tundur ere
Hallakatur pa pikë vlere
Në eter të kohës tretur,
Në qelizë të mallit mbetur
Për atë flokun tënd të artë,
Për atë zemrën tënde të zjarrtë,
Për ata sy me rreze dielli
Faqe e shkëlqim mermeri.
Ma i bukri vend
Është një vend më i bukuri në botë
Gjithmonë thirrun me emrin Brokë
Rruzullimi që kur lindi
Ëmbëlsisht aty shëndrit dielli.
Aty prilli e mvesh n’blerim,
Aty maji e mblon n’lulëzim.
Rretherreth bleruar me hala
Mbushur n’dardha lulebardha.
Aty ka lis e dëllinja,
Ku kndojnë dhe gjeraqina,
Ku bilbilat në pranverë
Ia marrin këngës shend e verë.
Nëpër natë sapo del hana
Aty mblidhen orë e zana,
Hedhin valle dhe këndojnë,
Në zheg t’verës aty mrizojnë.
Edhe flladi lëshon freski
Aty ku kam fis e gjini.
Aty kam unë babë e nanë,
Aty kam fisin e vatanë,
Aty kam vllazën e shokë,
Të mbuluem n’atë të ambël tokë.
Në atë vend plo ëmbëlsi
Aty shpirti më gjen qetësi.
Facebook-u
Me thanë të drejtën or lum miku
Kush facebook-un na e shpiku
Të gjithë njerëzit ai i fiku.
Mendja e kokës pas tij na iku.
Njaj kopuk e bir kopuku
Me ca dhëmbë të mprehtë si ujku
Na e shqyu kohën ky facebooku
Knaqësitë e tjera krejt na i zhduku.
Kësisoj kurrë unë s’kam pa
Fëmijë, të rinj, burra e gra
E çojnë kohën badihava
Edhe unë, po një ndër ta.
Por ca të mira edhe i ka
I gjen shokët si ç’ke me ta,
Në sekond lidhesh me ta
U çon foto badihava.
Për urime dhe ngushëllime
Dhe për lajme e njoftime
Ua çon pa aspak mundime,
Madje falas e pa shpenzime.