Përemrat vetorë në gjuhën shqipe krahas trajtës së plotë të përdorimit të tyre kanë edhe disa forma të shkurtuara në dy rasa të përdorimit të tyre. Për ta parë më qartë dhe më saktë këtë dukuri gjuhësore, po sjellim në kujtesën e lexuesit edhe një herë tjetër lakimin e përemrit vetor në pesë rasat e lakimit si dhe format e shkurtuara të cilat janë quajtur trajta të shkurtëra. Le t’i shohim më poshtë:
Rasa Emërore: Unë Kush?
Rasa Gjinore (këtu nuk ka formë pasi atë e zëvendëson përemri pronor)
Rasa Dhanore Mua, më Kujt?
Rasa Kallëzore Mua, më Kë?
Rasa Rrjedhore Meje prej Kujt?
Kjo përsa i përket vetës së parë njëjës ku vihet re mjaft dukshëm që në rasën dhanore dhe kallëzore krahas trajtave të plota Mua dalin edhe trajtat e shkurtëra Më. Për t’i pasur sa më të qarta po sjellim disa shembuj me fjali dhe po përpiqemi t’i analizojmë dhe qartësojmë para lexuesit:
Mua më dhanë medaljen “Naim Frashëri” për arritje të larta në punën me nxënësit.
Thjeshtë bëhet pyetja: Kujt i dhanë medaljen..? përgjigjja: Mua. Por mund ta formulonim këtë fjali edhe kështu: Në vitin 1988 më dhanë medaljen “Naim Frashëri” për arritje të larta në punën me nxënësit. Pyetja këtu është e njëllojtë: Kujt i dhanë medaljen….? përgjigjja Mua(më) që në këtë formulimin e dytë nuk paraqitet fare forma e plotë Mua, por vetëm forma e shkurtuar, pra trajta e shkurtër më. Pra është zëvendësuar dhe nënkuptuar trajta e plotë Mua me dhe nëpërmjet trajtës së shkurtuar(tajtës së shkurtër) më. Kjo gjë përsa i përket rasës dhanore, por këtu po sjellim edhe shembuj në rasën kallëzore:
Mua më kishin caktuar të shoqëroja të rinjtë në rrugën e Heronjve të Vigut.
Edhe këtu bëhet pyetja: Kë kishin caktuar të shoqëronte të rinjtë…? përgjigjja: Mua. Por mund ta formulonim fjalinë edhe kështu: Në atë kohë më kishin ngarkuar të shoqëroja të rinjtë e rrethit në rrugën e Heronjve të Vigut. Përsëri edhe këtu bëhet pyetja: Kë kishin caktuar….? përgjigjja Mua më, por që këtu është përdorur vetëm forma e shkurtuar (trajta e shkurtër) më që e nënkupton përsonin tim, pra Mua.
Tashti le të shohim edhe lakimin e vetës së parë shumës dhe vetës së dytë dhe të tretë njëjës dhe shumës:
Rasa Emërore Ne Kush?
Rasa Gjinore(s’ka)
Rasa Dhanore Neve na Kujt?
Rasa Kallëzore Ne na Kë?
Rasa Rrjedore Nesh. prej Kujt?
Edhe këtu shihet qartë se në rasën dhanore dhe në rasën kallëzore, krahas formave të plota dalin dhe forma të shkurtuara(trajta të shkurtëra na)
Shembuj:
Na i dhanë neve këto dhurata të bukura. Pyetja: Kujt ia dhanë këto dhurata? Përgjigjja: Neve (na). Por fjalinë mund ta formulonim edhe kështu:
Sapo na i sollën dhuratat e Krishtlindjeve. Pyetja: Kujt ia sollën dhuratat e Krishtlindjeve? Përgjigjja: Neve na. Por këtu në këtë fjali forma e plotë e përemrit Neve nuk është paraqitur por është zëvendësuar me formën e shkurtuar(trajtën e shkurtër) na. Shembujt e mësipërm i përkasin rasës dhanore.
Në rasën kallëzore po sjell këto shembuj:
Ne na morën në pyetje për aksidentin e ndodhur në rrugë. Pyetja Kë morën në pyetje? Përgjigjja: Ne. Por fjalia mund të formulohej edhe kështu:
Na morën në pyetje të gjithë sa u ndodhëm aty për aksidentin e ndodhur në rrugë. Pyetja: Kë morën në pyetje? Përgjigjja: Ne. Por këtu në këtë fjali fjala Ne është zëvendësuar me fjalën Na që është trajta e shkurtër e këtij përemri në rasën kallëzore.
Siç shihet edhe nga shembujt e mësipërm në numrin shumës rasa dhanore dhe rasa kallëzore kanë dallueshmëri në paraqitjen e trajtave të plota, ndaj kurrë nuk duhet ngatërruar njëra formë me tjetrën, por që shpesh e hasim përdorimin e njërës për tjetrën gjë që është tërësisht e gabuar. Shumë herë përdoret forma Neve edhe për rastin kallëzor, apo e anasjellta forma Ne edhe për rastin dhanor. Pra janë të gabuara rastet:
Na i sollën ne këto dhurata (Kujt?), ose
Na zgjodhën neve të kryesonim delegacionin.(Kë?)
Siç shihet trajtat e shkurtëra këtu janë njësoj, por trajtat e plota janë alternuar dhe përdorur gabim dhe kryesisht për raste të anasjellta.
Tashti le të shohim edhe përdorimin e vetës së dytë dhe të tretë njëjës dhe shumës në rasat e lakimit dhe paraqitjen e trajtave të shkurtëra:
Njëjës pyetja shumës pyetja
Rasa emërore Ti Kush? Ju Kush?
Rasa Gjinore – –
Rasa Dhanore Ty të Kujt? Juve ju Kujt?
Rasa Kallëzore Ty të Kë? Ju ju Kë
Rasa Rrjedhore Teje (prej) Kujt? Jush (prej) Kujt?
Trajtat e shkurtëra në numrin njëjës siç shihen janë:
Dhanore Të, kallëzore Të. Pra janë njësoj. Për numrin shumës janë: Dhanore Ju, Kallëzore Ju dhe prap këtu nuk bëjn dallim veç kur pyesim: Kujt? për dhanore dhe Kë? Për kallëzore.
Veta e tretë
Rasa Emërore Ai(ajo) Kush? Ata(ato) Kush?
Rasa Gjinore i(e) Atij(asaj) i(e) Kujt? i(e) Atyre i(e) Kujt?
Rasa Dhanore Atij(asaj) i Kujt? Atyre u Kujt?
Rasa Kallëzore Atë e Kë? Ata(ato) i Kë?
Rasa Rrjedhore Atij(asaj) prej Kujt? Atyre prej Kujt?
Trajtat e shkurtëra këtu janë: njëjës: dhanore I, kallëzore E. Shumës: dhanore U, kallëzore I.
Le të sjellim nga një shembull për secilin rast:
Ty të kam sjellë një dhuratë të veçantë. Kujt? Ty.(të)
Të kishin zgjedhur ty të na përfaqësosh në simpozium. Kë? Ty(të). Por si njërin rast ashtu edhe në tjetrin mund të zëvendësoheshin veç me trajtat e shkurtëra, pasi trajtat e shkurtëra përdoren kryesisht për këtë qëllim(zëvendësim dhe nënkuptim i trajtës së plotë, ose shoqërim të saj).
Atij(asaj) i akorduan çmimin e parë. Kujt? Atij(asaj) i.
Atë e shpallën të pafajshëm. Kë? Atë e.
Ju kam bërë ca dhurata të veçanta juve. Kujt? Juve ju.
Ju kishin caktuar veç ju të dy të na përfaqësoni. Kë? Ju ju. Këtu e para në fjali është trajtë e shkurtër, ndërsa në përgjigje e dyta, pra e anasjellta. Siç shihet këtu trajta e shkurtër me të plotën nuk ndryshojnë në formë, por veç në nuanca kuptimore. Fjalia mund të shprehej edhe kështu: Ty Agim dhe ty Suzana ju kishin caktuar të na përfaqësoni ne të tjerëve. Kë? Ju ju.
Pra për ta përcaktuar saktë trajtën e shkurtër gjithnjë bëjmë pyetjen: Kujt? Kë? dhe pastaj japim përgjigjen me trajtën e plotë shoqëruar me të shkurtërën.
Atyre u solla ca libra. Kujt? Atyre u.
Ata(ato) i kishin caktuar të krijonin koleksionin e biologjisë. Kë? Ata(ato) i.
Nga shembujt e mësipërm si dhe nga tabelat e lakimit të përemrave shohim se trajtat e shkurtëra janë: veta e parë: më njëjës; na shumës; veta e dytë: të njëjës; ju shumës; veta e tretë: i dhanore; e kallëzore njëjës; u dhanore; i kallëzore shumës. Pra: më, na, të, ju, i, e, u, i. Këto trajta të shkurtëra, siç e theksuam dukshëm edhe më lart, zëvendësojnë, ose edhe shoqërojnë trajtat e plota dhe paraqiten veç për rasat dhanore dhe kallëzore, por jo për rasat e tjera si emërore, gjinore apo rrjedhore. Këtu duhet pasur kujdes që të mos ngatërrohet rasti i përdorimit të njërës në vend të tjetrës. Këtu më poshtë do të paraqes disa raste të gabuara të paraqitjes së trajtave të shkurtëra sidomos të vetës së tretë shumës të rasës dhanore për vetën e dytë shumës të rasave dhanore dhe kallëzore. Ashtu siç e cilësuam edhe më lart, fare lehtë me anën e pyetjeve marrë edhe nga tabelat e lakimit mund ta gjejmë se cila duhej të ishte forma e saktë në rastet e nënvizuara në shembujt e sjellë.
Duhet të cilësoj këtu se trajtat e shkurtëra të përemrit vetor bashkohen dhe shkrihen me njëra-tjetrën e që quhen trajta të bashkuara dhe atëherë përsëri kërkojnë vëmendje të veçantë në përdorimin në të folur dhe në të shkruar, por këtu nuk po ndalohem t’i sqaroj një nga një me qëllim që lexuesit të mos i bëhet i mërzitshëm ky shkrim që po paraqes këtu.