Si ta flasim saktë gjuhën shqipe(përmbëledhje)

 

 

           Si ta flasim saktë gjuhën shqipe
        IMG_E1297 Gjuha shqipe është pasuria më e vyer që na lanë trashëgim brez pas brezi të parët tanë, ndaj ne na bie për detyrë, jo vetëm ta ruajmë atë si gjënë më të shenjtë që na identifikon si komb, por edhe të kujdesemi qe ta trashëgojmë atë tek brezat e rinj sa më të pastër e sa më të saktë. Në pamjen e parë dikush mund të thotë: “Epo ne ashtu po veprojmë dhe po e lëmë trashëgim ashtu siç na e lanë të parët tanë e këtu s’ka vend për vërejtje e ankesa.” Sigurisht, këtë mund ta thonë me plot besim, por jo me plot të drejtë, të gjithë ata që nuk kanë emigruar dhe që jetojnë familjarisht brenda trojeve shqipfolese, pasi ata që jetojnë në emigracion nuk mund ta thonë me bindje të plotë, me gjithë përpjekjet e tyre titanike për ta trashëguar atë sa më të kthjellët tek fëmijët e tyre.

Shembull i qartë është edhe përpjekja e madhe e shumicës së prindërve shqiptarë që jetojnë në Britaninë e Madhe të cilët kanë bërë e bëjnë përpjekje t’i çojnë fëmijet e tyre në kurse të ndryshme për mësimin e gjuhës shqipe. Kështu mendoj se mund të veprojnë edhe komunitetet e tjera shqiptare nëpër vendet e tjera të botës kudo ata jetojnë. Është jo vetëm kënaqësi, por edhe nder për ne kur shohim që fëmijët tanë, në kushtet e emigracionit e flasin bukur dhe rrjedhshëm gjuhën tonë të ëmbël. Por a mund të themi se ne vetë e flasim saktë e rrjedhshëm gjuhën tonë? Sigurisht që s’mundemi dhe s’duhet të jemi të sigurtë. Dikujt do t’i duket si paradoks kjo që sapo citova, por po ta mendojë disi më me kujdes, do ta vërejë edhe ai dikushi se unë kam pak a shumë të drejtë. Atëherë, si mund të shpjegohet se vetë ne të rriturit të ushqyer që në djep me gjuhën shqipe nuk dim ta flasim saktë gjuhën tonë?!

          Në shumë raste ndeshemi me përdorime të gabuara të fjalëve në fjali, jo vetëm në të shkruar, por edhe në të shqiptuar. Më duhet ta theksoj këtu se një nga parimet themelore të drejtshkrimit të gjuhës shqipe është se fjalët në gjuhën shqipe shkruhen ashtu siç shqiptohen dhe pas këtij parimi vjen ai gramatikor. Jo pa qëllim ata që hartuan dhe formuan alfabetin e gjuhës shqipe na lanë trashëgim 36 shkronja që përfaqësojnë pothuajse të gjitha ngjyrimet tingullore që gjuha jonë ka në përbërje të saj të ndarë në zanore dhe në bashkëtingëllore. Pra çdo tingull është përfaqësuar nga një shenjë e veçantë apo kombinim shenjash që ne të mos kemi konfuzione e dyshime në të shkruar saktë. Megjithatë, unë këtu nuk dua të paraqes ndonjë rregull drejtshkrimor të cunguar apo të keqpërdorur nëpër shkrime, se ato janë të shumta dhe mjaft të rëndomta në shtypin e përditshëm, por dua t’i referohem ndonjë dukurie negative në shqiptimin e saktë ose më mirë të themi, në përdorimin e saktë të ndonjë fjale në të folurin e përditshëm.
      Përdorime të gabuara të fjalëve në gjuhen shqipe hasen mjaft, por këtu në këtë shkrim unë do të trajtoj vetëm një rast dhe pikërisht fjalën “kush” si dhe derivatet e saj(fjalët që formohen prej saj). Shumëkush mund të mendojë se nuk ka pikë rendësie dhe kuptimi të merremi me analizën e përdorimit të kësaj fjale, pasi dimë ta përdorim dhe shqiptojmë saktë, se dimë mirë edhe kuptimet e nënkuptimet e saj. Po, ndoshta duke e marrë nga format gramatikore që unë nuk e kam ndërmend t’i analizoj e shtjelloj këtu, por dua të analizoj këtu perdorimin apo keqpërdorimin e kësaj fjale në fjali, vendin e saktë që kjo fjalë duhet të zërë në të folurin tonë të përditshëm. Dhe mendoj se është me vend për ne që pretendojmë se e flasim gjuhën shqipe pa komplekse, ta dimë se ku mund të qëndrojnë keqpërdorimet që t’i menjanojmë duke dhënë shembull të pastër tek brezat e rinjë se si duhet ta flasin bukur e saktë gjuhën tonë. Marr shkas nga faktet se edhe tek njerëzit e medjave, apo ata që dalin e flasin nëpër medjat vizive e kanë si tendencë për ta përdorur vend e pa vend këtë fjalë duke lënë, jo vetëm shije të keqe tek ata që e dëgjojnë, por edhe shembull të gabuar tek brezat që po rriten dhe që po përpiqen ta mësojnë ta flasin bukur gjuhën shqipe. Jo vetëm tek një përson, jo vetëm në një rast të vetmuar, por tek shumë vetë dhe në shumë raste më ka rastisur ta shoh këtë dukuri e për këtë arsye, duke më lënë shije jo të këndshme, më ka nxitur t’i hyj kësaj pune dhe të paraqes vërejtjet dhe pikëpamjet e mia në këtë fushë.
        Së pari dua të theksoj se fjala “kush” në gjuhën shqipe përdoret si përemër të llojeve të ndryshme e kryesisht përemër pyetës, përemër të pacaktuar, e në disa raste edhe si përemër lidhor. Në të gjitha rastet që përdoret(si pyetës, si i pacaktuar, si lidhor) duhen pasur parasysh disa rregulla strikte të përdorimit të tij si përemër e si fjalë në fjali. Po kështu edhe fjalët e tjera me prejardhje nga kjo fjalë siç janë: dikush, shumëkush, gjithkush, çdokush, ndokush, askush, kurrkush, kushdo, etj. Edhe këto fjalë përdoren si përemra në gjuhën shqipe dhe kryesisht si përemra të pacaktuar. Edhe format gramatikore i marrin nën ndikimin e fjalës amë, fjalës “kush”. Dikush, dikujt dikënd; shumëkush, shumëkujt, shumëkënd;…kushdo, kujtdo, këdo. Siç shihet kur fjala përfundon me –kush, në rasën kallëzore pëson një ndryshim të vogël duke shtuar dy bashkëtingëllore përmbyllëse –nd si: dikënd e jo dikë; shumëkënd e jo shumëkë; gjithëkënd e jo gjithëkë; çdokënd e jo çdokë; ndokënd e jo ndokë; askënd e jo askë; kurrkënd e jo kurrkë.
       Një dukuri tjetër e gabuar e përdorimit të fjalës “kush” është edhe përdorimi para një emri. Asnjë herë nuk përdoret: kush djalë erdhi, apo kush vajzë erdhi. Siç shihet përemri kush nuk ka gjini të përcaktuar, pra përdoret si në gjininë femërore ashtu edhe për gjininë mashkullore, ndaj kur pyetet se kush erdhi, nënkuptohet njësoj për burrë, grua, djalë apo vajzë në mënyrë të pacaktuar. Kështu ngjet edhe me derivatet e tij që paraqitëm më sipër. Ndryshe qëndron me sinonimin e tij “cili”, “cila”. Këtu përcaktohet gjinia, por këta fjalë kanë gjërësi më të madhe përdorimi se fjala “kush”, pasi përdoret për të përcaktuar jo vetëm gjininë e përsonit që pritet të vijë apo të kryejë ndonjë veprim tjetër, por përdoret edhe për sasi e lloje të tjera gjërash e jo vetëm për njerëz. Pra le ta nënvizojmë: asnjëherë fjala “kush” dhe derivatet e saj nuk përdoret shoqëruar drejtpërdrejt me një emër nga pas. Le ta shtjellojmë më tej përdorimet e sakta dhe keqpërdorimet në raste të tjera.
       Përemri kush përdoret për të pyetur vetëm për njerëz dhe është e palejushme të përdoret për të pyetur a përcaktuar kafshë, sende, gjëra, dukuri, apo ide. Nuk mund të pyetët: kush ishte kali që fitoi garën? E aq më keq akoma: kush kal fitoi garën, por cili kal e fitoi garën? Apo edhe rasti tjetër: “kush është ajo gjë që na bën të dallueshëm si komb nga kombet e tjera”, që sigurisht është e gabuar, por “cila është ajo gjë që na dallon si komb nga kombet e tjera?” që është forma e saktë. Në pamje të parë duket diçka e parëndësishme kjo që sapo thashë e analizova, por ja që trashëgimia jonë popullore na e la këtë dukuri kështu dhe është pranuar dhe fiksuar si e tillë nga studjuesit dhe kultivuesit e gjuhës sonë në kohë të ndryshme dhe veçanërisht në kongresin mbarëkombëtar të drejtshqiptimit e drejtshkrimit të gjuhës shqipe të vitit 1973. Ne padyshim na bie barra ta zbatojmë si normë gjuhësore të patjetërsueshme.
      Fjala “kush” dhe fjalët që rrjedhin prej saj përdoren veç për numrin njëjës dhe asnjëherë për shumë përsona. Thuhet: “Kush erdhi?” dhe jo “Kush erdhen?”. Nuk mund të themi “Dikush e kanë bërë gabim punën”, por “Dikush e ka bërë gabim këtë punë”. Thuhet: “Kushdo mund të vijë!” dhe asnjëherë “Kushdo mund të vijnë!” qofshin këta me mijëra dhe s’ka të bëjë fare numri një apo më shumë se aq. Kjo vlen edhe për ata përemra të pacaktuar që nënkuptojnë një numër të pacaktuar njerëzish që fillon me dy vetë e deri në infinit(pafundësi) si gjithkush, shumëkush etj. që kurdoherë përdoret në njëjës. Ja disa shembuj: Shumëkush e di se ne jemi pasardhësit e ilirëve. Nuk mund të thuhet: Shumëkush e dinë se ne jemi pasardhësit e ilirëve. Po ashtu edhe përemri “gjithkush” përdoret vetëm me trajtën e njëjësit si përemri “kushdo” apo “ çdokush”. Gjithkush ndihet krenar për atdheun e vet. dhe asnjëherë: Gjithkush ndihen krenarë për atdheun e tyre. Fare lehtë mund të zëvendësohen këta përemra me të tjerët që kanë në përbërje fjalën “kush” veço këtu rastet kur ndryshojnë kuptimin e frazës sidomos nëse përdoren fjalët me kuptim mohues në vend të atyre me kuptim pohues. Pra mund të ndryshojë kuptimi i frazës, por jo forma e saj gramatikore dhe gjithashtu duhet shoqëruar me ndajfoljen mohuese “nuk”. Askush nuk mund të mos e dojë atdheun e vet.
         Për të paraqitur ato raste të palejueshme të përdorimit të fjalës”kush” dhe fjalëve që rrjedhin prej saj gjuha jonë ia ka lënë si atribut fjalës “cili” apo “cila”  si dhe derivatëve të tyre “cilido”, “cilado”, “gjithësecili(a)” e këtë për:
përdorim para emrit: “cili ushtar u dallua në stërvitje sot?” dhe jo “kush ushtar u dallua në stërvitje sot?”.
-përdorimin në numër shumës: “cilat vajza morën pjesë në sfilatë mbrëmë?” dhe kurrë: “kush vajza morën pjesë mbrëmë në sfilatë?” që është dy herë e gabuar; pëdorim para emrit; përdorim në shumës.
-përdorimi për të pyetur a përcaktuar kafshë sende, gjëra, dukuri, apo ide:  “cila gjuhë flitet në Shqipëri?” dhe jo: “kush gjuhë flitet në Shqipëri?” që gjithashtu është dy herë e gabuar(shoqëruar me emër dhe për të pyetur jo për njerëz).
Siç shihet me pak kujdes ne së pari mund t’i menjanojmë dukuritë e gabuara të përdorimit të këtyre fjalëve që cilësova më sipër dhe nën shembullin tonë mund të ndikohen edhe brezat e rinj në edukimin gjuhësor të tyre. Është detyra jonë si prindër të udhëheqim me shembullin tonë personal në ruajtjen dhe përmirësimin e kulturës gjuhësore. Të jemi të sigurtë se ashtu si na duket ne si diçka e pazakontë e gati qesharake përdorimi i gabuar i gjuhës sonë nga të huajtë, ashtu do të dukemi edhe ne gati qesharakë dhe, madje, me të drejtë, kur e përdorim jo drejt gjuhën tonë, tek vetja jonë si dhe tek bashkëbiseduesit tanë që pak a shumë kanë një kulturë gjuhësore më të pasur se ne.
         Është detyrë parësore e punonjësve të medjave e sidomos e gazetarëve ta përdorin saktë gjuhën tonë duke ndikuar pozitivisht në shijet tona gjuhësore, të paktën të mos ndikojnë negativisht me përdorime të gabuara sidomos tek fëmijët dhe të rinjtë. Është detyrë parësore edhe tek përsonat publikë ta përdorin saktë gjuhën tonë, pasi, jo vetëm ndikojnë pozitivisht tek dëgjuesit e tyre, por tregojnë nga ana tjetër edhe shkallën e tyre të formimit kulturor. Padiskutim, është detyrë parësore e mësuesve të çdo kategorie që ta flasin saktë gjuhën shqipe se me të formojnë dhe brumosin gjuhësisht fëmijët tanë, e ata do t’u jenë mirënjohës përjetë për trashëgiminë e pasur gjuhësore që ata do t’u lënë atyre, në mos jo, në se ndikojnë negativisht nga formimi i tyre i cunguar.
      Për hir të vërtetës dua të shtoj këtu se me kënaqësi kam vërejtur aty-këtu ndonjë gazetar që, jo vetëm e flet saktë gjuhen shqipe për vete, por edhe insiston që edhe të tjerët ta flasin saktë dhe kjo në medjat vizive, aty ku shikueshmeria është mjaft masive, ndikon jashtzakonisht në mënyrë pozitive tek shikuesi apo dëgjuesi i drejtëpërdrejtë. Unë këtu nuk dua t’i përcaktoj konkretisht me emra se ka mjaft nga ata dhe kjo gjë më ngroh po aq sa më shqetëson mjaft fakti kur shumë prej tyre nuk e kanë atë kulturë gjuhësore që duhet të ketë një gazetar i medjave vizive, sidomos.
Rreth përdorimit të gabuar të disa emrave
        Shumëherë na ndodh të dëgjojmë raste të ndryshme të përdorimit të gabuar të fjalëve të ndryshme në gjuhën shqipe nga përsona të ndryshëm qoftë këta të zakonshëm, qoftë edhe të sferave të larta të shoqërisë shqiptare. Në të vërtetë, askujt nga shqipfolësit që së paku e ka mbaruar një shkollë tetëvjeçare apo tashti atë nëntëvjeçare, nuk i lejohet të bëjë gabime thuajse fëminore në përdorimin e gabuar të ca fjalëve të shqipes. Këtu nuk e kam fjalën për përdorime dialektore, megjithëse edhe ato janë jo të pranueshme për normën gjuhësore letrare të pranuar në mbarë hapësirat kombëtare, atje ku flitet dhe ushtrohet gjuha shqipe, por e kam fjalën për ato fjalë që në të gjitha ngjyrimet dialektore përdorën po njësoj, ose pothuajse njësoj, por që fatkeqësisht për një kulturë të mangët gjuhësore, përdoren mjaft gabueshëm.
        Në shkrimin tjetër kemi përmendur rastet e gabuara të përdorimit të përemrit “kush” dhe derivatëve të tij, ndërsa këtu dua të përmend përdorimin e gabuar të emrave dhe kryesisht të emrit “prind” si dhe “fëmijë”. Çuditërisht, të dy këta emra janë emra të fondit të shqipës që janë të lidhur mes tyre nga ana semantike (kuptimore) mjaft ngushtësisht dhe objektet, në këtë rast frymorë njerëz, kryesisht, lidhen me dashurinë më të madhe njerëzore. Çuditërisht, të dy këta emra i gjejmë në gojën e njerëzve të përdorur në mënyrë mjaft të gabuar. Çuditërisht, në mënyrë të gabuar i dëgjon të përdoren edhe nga ata përsona që së pari duhet të jenë shembull në përdorimin e saktë të shqipes. Dhe këta mund të jenë personazhe publikë që në gjuhën elitare quhen VIP-a, që edhe kanë reputacion publik mjaft të madh. Të përdorurit e gabuar nga këta të ashtuquajtur “VIP”-a, është, jo vetëm e pafalshme, por edhe mjaft e dëmshme.
      “VIP”-at shumëherë duke dalë në publik dhe duke manifestuar të meta në të folurin e tyre të shqipes, bëjnë më dëm tek dëgjuesit se një njeri i zakonshëm. Dëgjuesi e di për një njeri të kulturuar dhe të formuar në mënyrë të gjithanshme, prandaj edhe gabimet që mund të paraqesë në të shprehurit e tij të cunguar mund të bëjnë dëme akoma më të mëdha tek auditori dëgjues, pasi i marrin si model të të shprehuri të gjitha sa thotë e si shprehet. Kush më shumë se një deputet apo një ministër është më i besueshem tek elektorati që i ka zgjedhur se sa një njeri i thjeshtë? Po kështu edhe njerëzit e ekranit dhe të medjave janë mjaft të besueshëm tek masat, ndaj dhe ata ndikojnë mjaft atje me pastërtinë apo papastërtinë e të shprehurit saktë të shqipes.
       Tani le t’i drejtohemi problemit kryesor, objektit kryesor të këtij shkrimi. Emrat që përmenda më sipër, përdoren shpeshherë në mënyrë të gabuar duke filluar që nga fëmijët, të rriturit e shtresave të ndryshme dhe të moshave të ndryshme, formimeve dhe kulturave të ndryshme, nga mësuesit tek-tuk, e nga ata që edhe u rrinë në krye atyre. Shpeshherë dëgjohet kur fjala “prind” përdoret në numrin shumës për numrin njejës. Nganjëherë edhe i shquar si njëjësi. Nëse mund ta vendosim në një fjali të thjeshtë këtë fjalë në mënyrën më të drejtë do të thosha: “Nga një prind i mirë, duhet të dalë edhe një fëmijë i edukuar mirë”. Normalisht, fjala “prind” është përdorur në numrin njëjës dhe korrekt. Le ta shohim në numrin shumës tani: “Ky fëmijë i dalluar është edukuar nga dy prindër shembullor”. Pra emri “prind” në numrin njejës është në formën që paraqitet në fjalinë e parë dhe në numrin shumës del “prindër”. Pra: një prind, dy(ca, shumë) prindër. Kjo është forma korrekte e përdorimit duke i përdorur edhe në pozicione të ndryshme rasore, si dhe në të dy trajtat: të shquar e të pa shquar. Njëjës: prindi; i(e) prindit; prindit; prindin; prej prindit. Një prind; i(e) një prindi; një prindi; një prind, prej një prindi. Siç shihet këto forma janë format korrekte të përdorimit të njëjësit. Format korrekte të shumësit janë: prindërit; i(e) prindërve; prindërve; prindërit; prej prindërve; si dhe trajta e pashquar: (ca) prindër; i(e) (ca) prindërve, (ca) përindërve; ca prindër, prej (ca) prindërish. Megjithatë, përdorim të gabuar janë rastet kur shumësi i këtij emri përdoret për njëjësin: “Prindëri i këtij nxënësi nuk është mjaft i përgjegjshëm për fëmijën e tij.” Siç shihet është përdorur forma e shumësit për formën e njëjësit dhe madje edhe në trajtën e shquar. Ata individë që e përdorin shumësin e këtij emri për njëjësin e përdorin në të gjitha format e rasat kështu në mënyrë kaq të gabuar. Fatkeqësisht, kjo formë e gabuar përdorimi haset shpesh, ashtu siç e thash edhe më sipër, jo vetëm tek njerëzit e thjeshtë, por edhe tek ata që vetë për vetën e tyre, jo vetëm që nuk duhet ta gabojnë përdorimin, por edhe t’ua mësojnë të tjerëve se si duhet përdorur
         Më rrallë dhe jo aq dukshëm shfaqen edhe tek emri “fëmijë” përdorimet e gabuara, por në sensin e kundërt: përdoret njëjësi për shumësin. “Çfarë po bëjnë fëmija(nënkupto këtu fëmijët)?” “Fëmija sot kanë shumë hapësirë për dije.”  “fëmija” është përdorur numri njëjës për fjalën (emrin) “fëmijë”, por është aluduar jo për një, por për dy e më shumë fëmijë. Për më saktë shih përdorimin e foljes kallzues që lidhet me emrin “fëmijë” dhe folja është “bëjnë” përdorim në numrin shumës. Nuk po ndalohem këtu ta shtjelloj se si duhet të përdoret në shumës apo në njëjës emri “fëmijë”, por po them se në të dy rastet që solla më sipër duheshin përdorur në këtë mënyrë për të qenë forma korrekte: “Çfarë po bëjnë fëmijët?”, “Fëmijët sot kanë mjaft hapësirë për dije”.
      Duhet patur parasysh edhe një tjetër përqasje e gabuar e përdorimit të emrit “fëmijë”. Kur përdoret në numrin njëjës ky emër, në disa raste, nga disa njerëz, kur e shquajnë në rasën emërore, gabimisht e thonë:”fëmiu”. Duhet ditur se ky emër përdoret bashkërisht si për gjininë femërore(pra kur fëmija është i seksit femër), ashtu edhe për gjininë mashkullore, kur flitet për një djalë, por kurrë nuk është e pranueshme të thuhet “fëmiu”. Në të vërtetë, emri “fëmija”, kur përdoret në fjali, merr një përcaktor apo mbiemër të gjinësë mashkullore. Kështu thuhet: “Fëmija i tij(por asnjëherë: “e tij” edhe sikur të flitet për një vajzë) është i dalluar në shkollë. Po kështu përdoret më pëlqyeshëm edhe në formën: “Ajo vajzë është një fëmijë i bukur”, ose “Ajo vajzë është fëmija më i bukur që më kanë zënë sytë ndonjëherë” e jo “Ajo vajzë është një fëmijë e bukur”, apo “fëmija më e bukur…”. Ndryshon problemi kur mbiemri “i bukuer” vihet fill pas emrit vajzë. Atëherë thuhet “vajzë e bukur”, p.sh. “Ai fëmijë është një vajzë jashtzakonisht e bukur”.
         Siç shihet më sipër solla vetëm dy shembuj të përdorimeve të gabuara të emrave, por kjo s’do të thotë se nuk ka edhe raste të tjera, sidomos në përdorimin e numrit shumës të shumicës së emrave, por këtu nuk po ndalohem për t’i shtjelluar të gjitha një e nga një. Besoj se është me vend që të nguliten konceptet një e nga një duke mos i paraqitur shumë prej tyre njëherësh. Në vazhdimësi, mendoj se duhen paraqitur edhe mjaft raste të tjera përdorimesh të gabuara edhe në folje dhe të tjera pjesë të ndryshme të ligjeratës. Këtë do t’ia lëmë të ardhmes.
           Rreth përdorimit të gabuar të disa foljeve në të folurit e përditshëm
     Në përgjithësi norma letrare është vendosur dhe pranuar nga të gjitha trevat shqipfolëse aty nga viti 1973 në Kongresin Drejtshkrimor të Gjuhës Shqipe edhe pse duhet thënë se, me qenë se u vu mbi bazat e toskërishtes, pati mjaft rezerva nga individë dhe gjuhtarë që i përkisnin trevave të tjera të gegërishtes. Edhe unë për vetën  time kam pasur gjithmonë rezervat e mia për këtë çështje për disa arsye, por, gjithësesi, jemi të detyruar ta pranojmë normën letrare të ngulitur tashmë në të gjitha strukturat e gjuhës së shkruar dhe të folur në të gjitha trevat shqipfolëse.
     Rezervat e mia në drejtimin e vendosjes së normës letrare mbi bazën e toskërishtes qëndrojnë në disa arsye:
     E para është se më shumë se gjysma e popullsisë i përket dialektit të gegërishtës përfshirë këtu shqipfolësit e trevave të tjera jashtë kufinjve të Shqipërisë: në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi.
       E dyta është se që nga viti 1916 u bë Komisia Letrare e Shkodrës dhe vendosi me të drejtë si normë letrare shkodranishten e bukur letrare duke u bazuar mbi veprat e shkruara nga shumë shkrimtarë të trevës së ciles edhe vetë i përkas dhe e kam për nder dhe krenari të veçantë që i përkas.
      E treta është se themelet e para të gjuhës së shkruar dhe në mënyrë voluminoze u vunë kryesisht në veri duke filluar me “Mesharin” e Gjon Buzukut, me veprat e Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Frang Bardhit si dhe të një plejade të tërë klerikësh katolikë të kohërave të ndryshme si dhe shkrimtarëve të tjerë jo klerik si Pashko Vasa, Filip Shiroka, Ernest Koliqi, Migjeni, Qemal Stafa e ndonjë tjetër. Gjuha e zhdërvjelltë e Ndre Mjedës, Gjergj Fishtës, Vinçens Prendushit e mjaft të tjerëve i dhanë një temp të veçantë të gegnishtes së shkruar dhe s’kishte se si të ndodhte ndryshe që jo vetëm çuan në vendosjen e normës letrare mbi bazën e shkodranishtes, por edhe dokumentat më të rëndësishme për kombin tonë të hartohen e të shkruhen në këtë gjuhë të bukur, gjuhë të ëmbël, gjuhë bilbilash. Edhe dokumenti I shpalljes së Pavarësisë Kombëtare u hartua dhe u shkrua në gegnisht nga Luigj Gurakuqi. Në mos gaboj, edhe Enver Hoxha, në veprën e parë dhe të dytë të tij që u përket më shumë dokumentave të luftës, gjuha e përdorur është gegnishtja e shkodranishtes së bukur letrare. Dhe kjo thotë shumëçka duke marrë parasysh se Enveri, diktatori i ardhshëm i shqiptarëve, ishte nga Gjirokastra, zemra e toskërishtes. Në mos gaboj, gjithashtu edhe në fillimet e shtetit të ri shqiptar, dalë nga Lufta Antifashiste, përdorej në të shkruar po shkodranishtja letrare.
     E katërta është se në shumë raste, sidomos në përkthimin e gjuhëve të huaja apo nëpër fjalor(kjo mbase për traditë të ngulitur) thirret në ndihmë ndonjë dukuri e gegnishtes siç është paskajorja “me punue”, “me mësue”, “me shkue” e tj. Në tekstet shkollore të gjuhës shqipe si dhe në të gjitha tekstet e tjera shkollore, kjo formë e paskajorës nuk përdoret as nuk shtjellohet dhe gjithashtu nuk pranohet edhe pse përdoret gati nga dy të tretat e popullsisë shqipfolëse e të gjitha trevave shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë, madje, aty-këtu në kohët e fundit po bëhet modë të përdoret edhe në Toskëri.
      Me gjithë vërejtjet e mia të paraqitura më lart, përsëri unë nga ana ime jam për një gjuhë të njësuar për të gjitha trevat shqipfolëse dhe e pranoj pa asnjë kundërshtim të qenësishëm normën gjuhëssore tërësore të vendosur në vitin 1973. Por, megjithatë, nuk jam edhe aq puritan sa të mos pranoj ngjyrime të këndshme dialektore në të folurit e përditshëm të shqipes. Nga ana tjetër nuk mund të mos jem kritik ndaj të metave mjaft minore në përdorimin e fjalëve në të folurit e përditshëm, sidomos tek njerëzit e medjave dhe të ekranit, të përsonave publikë, të cilët presepuzohet të jenë shembull i të shprehurit shqip. Ka nga ata që duhet të merren si shembull në të shprehur, por edhe në këmbënguljen e tyre për të ndikuar tek të tjerët që të shperehen saktë, megjithëse, të themi të drejten nuk janë edhe aq të shumtë kjo raca e fundit që përmendëm pak më sipër.
     Tashti le t’u referohemi vërejtjeve të mia rreth dukurive negative të përdorimit të gabuar të të disa ffoljeve apo ndonjë forme gramatikore të tyre në përgjithësi.
     Në gjuhën letrare dhe në normën e saj të ngulitur është përcaktuar një rregull që foljet që mbarojnë me bashkëinglloret “rr”,”l”, “ll” dhe që në të kryerën e thjeshtë të mënyrës dëftore e ndryshojnë zanorën e rrokjes së fundit në “o” pjesorja e tyre del me “ë” në fund dhe jo me “ur” si shumica e foljeve të tjera. Le t’i shohim shembujt:
folja “marr” në të kryerën e thjeshtë del “mora”. Pra e ndryshon zanoren “a” në “o”. Pjesorja e kësaj folje del në “marrë” dhe jo “marrur”. Pra përdorimi “kam marrur” është tërësisht i gabuar si dhe format e tjera të pashtjelluara “për të marrur”(paskajore) dhe “duke marrur” (përcjellore).
     Kështu edhe për foljet “nxjerr”, “bjerr”, “vjel”, “dal”, “mbjell”, “ndjell”, “sjell”, “mbështjell”, “përcjell”, “ndërsjell”,”vjell”, etj. të cilat në të kryerën e thjeshtë dalin:
nxora, bora, vola, dola, mbolla, ndolla, solla, mbështolla,”përcolla”, “ndërsolla”, “volla” etj. e për pasojë edhe pjesorja e tyre duhet të dalë dhe të përdoret (kam) nxjerrë,(për të nxjerrë, duke nxjerrë), (kam) bjerrë, (për të bjerrë, duke bjerrë), (kam) vjelë, (për të vjelë, duke vjelë), (kam) dalë, (për të dalë, duke dalë), (kam) mbjellë, (për të mbjellë, duke mdjellë), (kam) ndjellë, (per të ndjellë, duke ndjellë), (kam) sjellë, (për të sjellë, duke sjellë), (kam) mbështjellë, (për të mbështjellë, duke mbështjellë) etj..
Por jo folje si “mbledh”, “hedh”, “derdh” etj. të cilat dalin:
mbledh – mblodha – (kam) mbledhur, hedh – hodha – (kam) hedhur, vjedh-vodha-(kam)vjedhur, zgjedh-zgjodha-(kam)zgjedhur, derdh – derdha – (kam) derdhur, etj. Edhe folja “shpërvjel” ka një përdorim gati të dyzuar, pasi në të kryerën e thjeshtë del më pëlqyeshëm “shpërvjela”, se sa “shpërvola”. Megjithatë edhe kjo formë është e pranueshme dhe përdoret dendur. Pjesorja e saj duhet të jetë gjithashtu, “shpërvjelë” dhe jo “shpërvjelur”.
Jo të gjitha foljet që mbarojnë në “rr”, “l”, “ll” e ndryshojnë formën në të kryerën e thjeshtë në zanorën “o” zanorën e fundit; p.sh. “ndal” bën “ndala” dhe jo “ndola”, apo folja “ngjall(a)”, por jo “ngjolla”, ose “zvarr(a)” dhe jo “zvorra”. Siç shihet, për pasojë pjesorja del:
“ndalur”, “ngjallur”, “zvarrur”, por kjo e fundit kur është në trajtën e ndajfoljes “zvarrë” nuk del “zvarrur“, po “zvarrë”. foljet “ndal” dhe “zvarr“, gjithashtu kanë edhe forma më të shtjelluara po me të njëjtin kuptim: ndal-ndaloj, si dhe zvarr-zvarri(s)t. Këtu nuk ka vend për të dyushuar për pjesorët e tyre:
ndaluar” dhe “zvarritur“.
     Në fjali mund t’i përdorim folje te mësipërme kështu:
“Kam marrë me qera një dyqan.” Dhe jo
“Kam marrur me qera një dyqan.” ose
“Shkova për të marrë me qera një dyqan” dhe jo
“Shkova për të marrur me qera një dyqan”.
Gjithashtu edhe forma tjetër “Duke marrë parasysh faktet, del se ne jemi populli më i lashtë në Ballkan” dhe jo
Duke marrur parasysh faktet, del se ne jemi populli më i lashtë në Ballkan”.
Po kështu mund të përdorim edhe foljet e tjera që i trajtuam më lart. Si dhe të tjerave të formuara prej tyre si:
Kam ndëmarrë një nismë të veçantë në ndihmë të komunitetit tonë.” Dhe jo
kam ndërmarrur.. etj. apo
Kam dal me sukses në provime” dhe jo
Kam dalur me sukses në provime”,
Kam mbjellë ca lule të bukura në oborrin e shtëpisë sime”,
Kam mbështjellë librat me letra të bardha”,
Kam sjellë tek ju mendimet e mia të pavarura” e të tjera forma si këto. Kështu mund t’i shtjellojmë edhe rastet e tjera të paskajores apo të përcjellores për secilin rast.
     Duhet theksuar se për këto raste është thirrur në ndihmë forma gramatikore e gegnishtës e cila në mënyrë të përgjithshme për të gjitha foljet në pjesore, në përcjellore si dhe në paskajore përdor formën pa mbaresën –ur apo –uar si në rastet: punoj – punuar, mësoj – mësuar, mund – mundur, hap – hapur, dredh – dredhur, shqep – shqepur apo vetëm me –r kur mbaron me –yej si:
thyej –thyer,      lyej –lyer, vyej –vyer, gërryej –gërryer, përlyej –përlyer, apo laj –larë, thaj –tharë, ndaj –ndarë, fshij –fshirë etj.
      Në gegnishte këto folje si dhe të tjerat dalin në këta forma: punue, mësue, mundë, hapë, derdhë, shqepë ku si dukuri nuk shqiptohet pothuajse asnjëherë zanorja “ë”, por dalin zanoret e gjata dhe unë e kam vendosur këtë zanore në fund si efekt të zgjatjes së zanores paraardhëse. Por edhe format e tjera të paraqitura aty dalin në gegnishte si:
lye, thye, vye, grrye, shqye, përlye,  si dhe: la, tha, nda, fshi etj. si:
Kam mësue, kam punue, kam mundë(por më shumë “kam mujtë apo kam mujtun”), kam hapë, kam derdhë, kam mbledhë, kam shqepë, kam thye, kam lye, kam vye, kam gërrye, kam përlye, kam la, kam tha, kam nda, kam fshi, e tj.
    Foljet e tipit marr, nxjerr, bjerr, tjerr, dal, vjel, mjel, mbjell, përcjell, sjell, vjell, ashtu siç e cilësova më sipër, pjesoret i kanë:
marrë, nxjerrë, bjerrë, tjerrë, dalë, vjelë, mjelë, mbjellë, përcjellë, sjellë, vjellë dhe për pasojë edhe mbiemrat që dalin prej tyre dalin po kështu:
i(e) marrë, i(e) nxjerrë, i(e) bjerrë, i(e) tjerrë, i(e) dalë, i(e) vjelë, i(e) mjelë, i(e) mbjellë, i(e) përcjellë, i(e) sjellë, i(e) vjellë, por edhe të vjelltët apo të vjellat.
      Dua të shtoj këtu se pjesa më e madhe e atyre që i gabojnë këto raste, i gabojnë për dy arsye:
        E para nga mosnjohja e kësaj norme.
    E dyta nga zelli për të folëur me gjuhën letrare që është vijim i së parës dhe konkretizim i tejkaluar i saj. Po të mbahet parasysh rasti:
1-që mbarojnë me “rr”, “l”, “ll” dhe
2-që e ndërrojnë zanoren e temës në të kryerën e thjeshtë në “o” del fare thjeshtë mundësia e vetkorrigjimit në të folurit tonë të përditshëm pa pasur frikë se shkelem normën në se i përdorim pa prapashtesën trajtformuese “-ur“.
           Rreth përdorimit të gabuar të foljeve në lidhore e koushtore
         Megjithëse nuk duhen përdorur dy standarde në përdorimin e gjuhës shqipe: një në të shkruar dhe një në të folur, përsëri them se sidomos në të shkruar duhet zbatuar me rigorozitet norma letrare edhe pse në të folur mund të lejohet përdorimi dialektor apo krahinor i të shprehurit sidomos tek moshat e vjetra të cilët e kanë të trashëguar dhe të ngulitur të folurit e krahinës nga vijnë. Por përsëri, disa forma janë krejt të patolerueshme. Me keqardhje paraqes këtu se kam vënë re, madje edhe tek personazhet e sferave të larta të shoqërisë si të politikës apo të medjave dhe të kulturës që manifestojnë dukuri të përdorimit të gabuar të foljeve si në vetën te tretë të kohës së ardhshme në mënyrën dëftore, ashtu edhe në vetën e tretë njëjës të mënyrës lidhore e kushtore, thënë ndryshe: përdorimin e foljeve në vetën e tretë njëjës kur shoqërohen nga pjesëza “të” apo “do të”.
 Forma “do të shkon”,
do të punon”,
do të mëson” nuk është aspak e pranueshme si formë gramatikore, por
do të shkojë”,
do të punojë”,
do të mësojë” etj. janë format, jo vetëm të lejueshme, por të pranueshme dhe të patjetërsueshme. Po kështu edhe format e mënyrës lidhore
“të shkon”,
“të punon”,
“të mëson” janë të patolerueshme, prandaj detyrimisht duhet përdorur:
“të shkojë,
“të punojë”,
“të mësojë” etj. që shprehin normën letrare të pranuar për të dy dialektet dhe që besoj se përdoret nga shumica e shqipfolësve e të dy dialekteve, veç një pjese të vogël që e përdorin formën e gabuar që përmenda më sipër. Ndoshta kjo është ngulitur tradicionalisht në ato treva që e mjanifestojnë këtë dukuri, por në shkollat e atyre trevave duhet ngulur këmbë fort dhe besoj se bëhet, që të mësohet dhe ngulitet forma gramatikore letrare mbarëkombëtare.
     Kjo dukuri vërehet më shumë tek banorët e Kosovës dhe nuk mund ta them se mund të jetë ddukuri e përgjithshme e tyre apo e disave prej tyre, ose të një zone të caktuar nga Kosova. Siç e cilësova edhe më sipër, e kam vërejtur të përdorur tek ato përsonalitete të sferave të larta apo ndryshe të ashtuquajtur persona VIP të shoqërisë kosovare. Ndoshta është edhe dukuri e përgjithshme, por nuk dua ta besoj një gjë të tillë dhe as faktin, e theksoj: sidomos as faktin që nëpër shkolla nuk i mëshohet me forcë ngulitjes së normës letrare mbarkombëtare të formës së rregullt gramatikore të folur tradicionalisht e të pranuar ligjërisht në mënyrë akademike nga gjuhëtarë dhe personalitete të shkences e kulturës mbarkombëtare.
     E pranoj se përdorimi dialektor i shqipes sot është bërë tendencë, dhe e mirëkuptoj, pasi më shumë se gjysma e kombit, për të mos thënë dy të tretat e kombit jeton në trevat e gegnishtës së folur, por kjo nuk do të thotë se format e gabuara të paraqitura më lart i përkasin mbar dialektit të gegnishtes. Këto dukuri nuk ndodhin as në Tiranë, as në Durrës dhe as në kryeqendren e gegnishtes së bukur në Shkodren e artit, të kulturës dhe të letrave të shkruara që në hershmëri.
     Me shumë dashamirësi u bëj thirrje mësuesve të atyre trevave që e manifestojnë këtë dukuri në devijim nga normativa e gjuhës sonë, të ngulin këmbë me forcë dhe t’ua ngulisin me dashuri brezave që ata mësojnë dhe edukojnë se ata do t’u jenë përjetësisht mirënjohës për dijet me të cilat ju i ushqeni.
      Rreth përdorimit të gabuar të disa foljeve të parregullta
    Në gjuhën shqipe, ashtu si edhe në mjaft gjuhë të botës ka disa folje(verb) që gjatë përdorimit në fjali, në pozicione të ndryshme, e ndryshojnë formën (rrënjën) e tyre. Këto folje(verbs) janë quajtur folje të parregullta(iregular verbs). Le t’i shohim disa:
jap, bie, ha, kam, jam, rri, shoh, vij, dua, them etj. që në kohën e tashme dalin në formën që i paraqita dhe e ndryshojnë formën në kohët e tjera të foljes. Le të shohim ndryshimet:
jap(koha e tashme) – dhashë (koha e kryer e thjeshtë) –dhënë (pjesorja),
bie(koha e tashme) –rashë(koha e kryer e thjeshtë) –rënë(pjesorja),
bie (koha e tashme) –prura (koha e kryer e thjeshtë) –prurë (pjesorja),
ha (koha e tashme) –hëngra(e kryera e thjeshtë) –ngrënë (pjesorja),
jam –isha(e pakryer) –qeshë(e kryera e thjeshtë) –qenë (pjesorja),
kam(e tashmja) –kisha(e pakryera) –pata(e kr. e thjeshtë) –pasur (pjesorja),
rri (e tashmja) –ndenja (e kr. e thjeshtë) –ndenjur(pjesorja),
shoh (e tashmja) –pashë (e kr. e thjeshtë) –parë(pjesorja),
vij(e tashmja) –erdha (e kr. e thjeshtë) –ardhur(pjesorja),
them (e tashmja) –thashë (e kr. e thjeshtë) –thënë (pjesorja).
Tashti le të shohim disa dukuri të përdorimit të gabuar të disa prej tyre.
      Folja e parregullt “jap” në përdorimin normativ të saj prdoret natyrshëm në format e paraqitura më sipër, por ka raste të shtrembërimit të atyre formave deri në foshnjerizim të tyre. Është e natyrshme që të thuhet:
“Unë dhashë ndihmesën time modeste në përmirësimin e mjedisit ku jetojmë.”,por është mjaft e gabuar foshnjore të thuhet:
“Unë japa ndihmesën time modeste në përmirësimin e mjedisit ku jetojmë.”.
Gjithashtu, e gabuar është edhe përdorimi i pjesores “japur”
“Kam japur ndihmë…”. apo edhe në formë:
jepa, jepur
Padyshim, të gabuara janë edhe format “nap”, apo “ap” për jap.
Në kohën e tashme në vetën e dytë njejës e shumës si dhe në vetën e tretë njëjës zanorja “a” ndryshohet në “e”, por kurrë në “i” siç ndokush e përdor në mënyrë të gabuar. Pra:
unë jap,
ti jep,
ai(ajo) jep’
ne japim,
ju jepni,
ata(ato) japin.
Pra, ju jepni e jo ju jipni. Po kështu edhe e pakryera që bën:
unë jepja(jo jipja),
ti jepje(jo jipje),
ai jepte(jo jipte),
ne jepnim(jo jipnim),
ju jepnit(jo jipnit)
ata jepnin(jo jipnin) apo edhe format e pësores (jipem, jipesh, jipet) që, gjithashtu janë të gabuara.
     Folja e parregullt “them” bën në të pakryerën
“unë thosha”,
“ti thoshe”, por jo
“unë thoja” dhe as “unë thoshja”, jo “ti thoje” e as “ti thoshje”. Aq më tepër në kohën e kryer të thjeshtë
“unë thana”, “ti thane” dhe as “unë kam thanur”, por
“unë kam thënë” që është norma e ngulitur e gjuhës letrare shqipe.
    Folja “kam” që është njëkohësisht edhe folje ndihmëse në formimin e kohëve të përbëra të foljes(e kryera, e kryera e tejshkuar, e kryera e plotë si dhe e ardhshmja e përparme) ashtu si edhe folja “jam”, në pjesoren, në paskajore dhe në përcjellore del në formën “pasur” dhe jo në “patur” që shpeshherë gabohet duke u përdorur. Krijohet konfuzion nganjëherë nën ndikimin e përdorimit të kësaj foljeje në kohën e kryer të thjeshtë që del në format:
“unë pata”,
“ti pate”,
“ai pati” dhe kurrë :
“unë pasa”,
“ti pase”,
“ai pasi” gjë që s’e besoj se ndodh gjëkundi në të folur në asnjë vend ku flitet gjuha shqipe. Megjithatë, në pjesore, paskajore dhe përcjellore, bashkëtingëllorja “t” e kohës së kryer të thjeshtë këmbehet e shndërrohet në “s”.
       Një dukuri e gabuar vihet re aty-këtu edhe tek folja ha sidomos në vetën e parë njëjës të kohës së tashme të mënyrës dëftore. Duket si paradoks përdorimi i gabuar në gojën e një përsoni publik me një shkollë dhe kulturë gjuhësore të admirueshme, por ja që, në një intervistë televizive në një nga televizionet më prestigjoze shqiptare, një personalitet i artit dhe i kulturës, mjaft i njohur, deklaron se ka mbaruar universitetin në fakultetin gjuhë-letërsi, por kur gazetarja e pyet së cilat janë ushqimet që parapëlqen thotë:
“Unë haj çdo ushqim me prejardhje bimore….” dhe foljen ha e përsërit shpesh në vetën e parë në formën haj. Siç shihet kjo formë është thënë në formën e foljeve kalimtare që mbarojnë me bashkëtingëllorën “j” si:
mësoj, këndoj, lexoj, shkruaj, lyej, thyej, shaj, thaj, laj, etj.
Po, këto folje në vetën e parë të kohës së tashme dalin me “j”, por jo folja “ha” që mbaron me temë në zanore si foljet e rregullta pi, di. Kjo folje, kur zgjedhohet(përdoret) në të tri vetat e njëjsit bën:
unë ha;
ti ha;
ai ha dhe jo:
unë haj;
ti han;
ai(ajo) han ashtu siç nuk përdoren foljet pi, di në formën:
pij, dij;
pin, din;. Po kështu edhe në tri vetat e shumësit:
ne hamë dhe jo hajmë;
ju hani,
ata hanë dhe jo hajnë.
       Një drejtim i gabuar i kësaj foljeje vjen edhe në të kryerën e thjeshtë. Kjo folje si të gjitha foljet e tjera të parregullta në gjuhën shqipe nga e tashmja në të kryerën e thjeshtë si dhe në pjesore e ndryshojnë rrënjën e fjalës, edhe kjo bën:
ha-hëngra-ngrënë.
Por ka mjaft raste kur dikush thotë:
Unë sot ngrëna një drekë të shijshme në një restaurant të qytetit.
Folja ha është përdorur në kohën e kryer të thjeshtë, por gabimisht është përdorur pjesorja e formësuar si e kryera e thjeshtë. Forma e rregullt duhej të ishte:
Hengra dhe jo ngrëna, ashtu siç nuk duhet përdorur forma:
Kam hëngër(hangër) një drekë të shijshme në restaurant, por duhet thënë:
kam ngrënë.
      Krejt foshnjore dhe mjaft e papranueshme, aq edhe bajate është edhe përdorimi i gabuar i foljes shoh që në kohën e tashme bën:
unë shoh;
ti sheh;
ai(ajo) sheh;
ne shohim;
ju shihni;
ata(ato) shohin,
por në kohën e kryerë të thjeshtë bën:
unë pashë dhe jo pava;
ti pe dhe jo pave;
ai pa dhe jo pau.
Por unë këtu nuk e kam fjalën tek këto raste të gabuara, megjithëse edhe këto raste janë të papranueshme, por tek një gabim mjaft foshnjor në përdorimin e kësaj folje në të kryerën e thjeshtë si:
unë shoha;
ti shohe.
Është mjaft bajate të thuash:
Mbrëmë unë shoha një film të bukur. Forma e rregullt është:
Mrëmë pashë një film të bukur.
Gjithashtu e gabuar është edhe po të thuhet:
Mbrëmë pava një film të bukur.
             Dukuri përdorimi të foljes “pres”
     Folja “pres” ka dy kuptime semantike të dallueshme nga njëri-tjetri. Pra këtu kemi dy homonime, një fjalë me dy kuptime:
Kuptimi i parë është veprimi i ndarjes së diçkaje me një mjet prerës si thikë, sëpatë, hanxhar a diçka tjetër të këtij lloji. Pres një mollë me thikë. Pres mish me hanxhar. Pres dru me sëpatë. Pres një dërrasë me sharrë. etj. Pra ka kuptimin: prerje
Kuptimi i dytë ka diçka krejt ndryshe nga i pari. Kryesisht ka kuptimin e takimit me një apo disa personave të tjerë. Nesër mbrëma pres mysafirë. Po pres një shok tek stacioni i trenit. Po pres të vijë treni dhe të udhëtoj drejt Jugut. Kam dhjetë minuta që pres të lidhem me vëllain nëpërmjet skype-it. Pra ka kuptimin: pritje
Sipas kuptimit të secilës nga këto fjalë, edhe format gramatikore të tyre ndryshojnë, sidomos në të kryerën e thjeshtë. Në rastin e parë “pres”(prerje) diçka me një mjet prerës del: preva. Unë preva dru në pyll.
Pa u shmangur nga subjekti i shkrimit, po bëj këtu një sugjerim të vogël: fjala “dru” mund të përdorej edhe në formën “drurë”. Megjithatë, ne përdorimin e mëssipërm nuk është aspak gabim, ashtu siç nuk do të ishte gabim edhe varianti i dytë, por do të ndryshonte kuptimi i fjalisë. Në rastin e parë fjala “dru” ka konceptin e materialit, ndërsa fjala “drurë” ka konceptin e bimës. Tashti le t’i kthehemi përsëri thelbit.
Pra: pres –preva –prerë janë format gramatikore të tashmës, të kryerës së thjeshtë dhe pjesores për kuptimin e parë të foljes “pres” si dhe varianteve kuptimore të dyta metaforike që dalin nga ky kuptim si:
“Unë prej kohësh i kam prerë lidhjet me ca shokë të mi, nga që jetoj larg në emigrim.” “Atij ia kam prerë shkurt se nuk dua ta takoj”.
Ka edhe ca raste ku nga folja “pres” formohen fjalë të tjera si “ndërpres” apo “rrethpret”. Edhe në këto raste format gramatikore nuk ndryshojnë qoftë formën veprore, qoftë në pësore e vetvetore. Le t’i shikojmë konkretisht:
ndërpres –ndërpreva –ndërprerë(veprore); ndërpritet –u ndërpre –(është, ishte, qe) ndërprerë,
por asnjëherë “ndërprehet”.
Kjo formë i takon më shumë gjuhës mistike dhe kryesisht fjala “prehet”. Ja një shembull:
“Trupi i tij prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit”. “U prehtë në paqe!”.
Por gjithsesi nuk ka kuptimin e fjalës “pres” të asnjërit rast. Megjithatë, në mjaft herë më ka rastisur në njerëz të ndryshëm ta dëgjoj përdorimin e gabuar të fjalës “pres” si dhe fjalëve që vijnë prej saj. Është e gabuar të thuhet:
“Ky dru është lehtë të prehet.”,  por duhet thënë:
“Ky dru është lehtë të pritet.”
Ky rast që sapo përmenda nuk duhet ngatërruar me kuptimin “mpreh”.
Mpreh lapsin me një thikë të mprehtë.
Mprehim shpatat dhe shkojmë në luftë pa na u dridhur qerpiku.
Domosdo, edhe këtu kemi konceptin e të prerit diçkaje apo aty afër. P.sh. lapsi mprihet duke hequr me thikë pjesë nga druri mbështjellës të grafitit për ta bërë atë sa më fin për të shkruar. Pra me thikë presim drurin e lapsit duke hequr ashkla të vockla. Kur mprihet shpata, thika, sëpata, kosorja, hanxhari, apo diçka tjetër konceptohet këtu veprimi i hollimit të tehut të mjetit prerës me një mjet tjetër abraziv si me limë, grihë, gur fresibël, apo duke shkuar tek kovaçi dhe kryer atje prej tij veprimet e nevojshme. Kjo nënkupton edhe dhënien e aftësisë prerëse sa më shumë. Pra lidhet deri diku me konceptin e prerjes, por jo drejtpërdrejt si në vetore (mpreh) ashtu edhe në kuptimin pësor e vetëvetor (mprihet)
Po kështu nuk mund të përdoret shprehja:
“Më ndërprehet fjala në mes nga zhurmat e papritura.”, por
“Më ndërpritet fjala në mes nga zhurmat e papritura.”.
Në këtë rast fjala “ndërpritet” është përdorur korrekt, ashtu siç mund të përdorej me një kontekst tjetër edhe fjala “rrethpritet” fjalë e përbërë që ka për bazë foljen “pres” dhe që është përdorur në këtë rast në formën pësore. Ka shumë raste që kam dëgjuar të përdoret forma e gabuar:
prehet; ndërprehet; etj, ndaj paraqita këtu këto sugjerime që lexuesi të zgjedh formën e rregullt të përdorimit të kësaj fjale dhe varianteve të tjera të formuara prej saj.
      Përdorimi i gabuar i foljes gjej
      Edhe folja gjej shpeshherë gjendet tek njerëz të ndryshëm në përdorim të gabuar.
Së pari duhet të shohim se si bën forma e saj e rregullt në kohën e tashme, të pakryer dhe të kryer të thjeshtë të mënyrës dëftore, pastaj të shohim përdorimin e saj të gabuar.
Në kohën e tashme folja gjej bën:
unë gjej;
ti gjen;
ai(ajo) gjen për njëjësin,
ndërsa për shumësin:
ne gjejmë;
ju gjeni;
ata(ato) gjejnë.
E pakryera:
gjeja; gjeje ; gjente…etj,
ndërsa në të kryerën e thjeshtë bën:
gjeta; gjete; gjeti….etj.
Por problemi nuk qëndron këtu. Problemi qëndron tek forma pësore dhe vetvetore “gjendem” dhe kryesisht kjo formë ka një përdorim të gabuar dhe del në formën:
gjehem; gjehesh; gjehet…etj.
       Edhe kur kemi shqyrtuar foljen “pres” në të dyja kuptimet, por sidomos për kuptimin pres-preva, kemi rastin “prehet” që është rast i gabuar dhe forma e saktë është pritet p.sh:
“Lisi nuk pritet me një të rënë të sëpatës” dhe jo “nuk prehet”.
Kështu edhe rasti gjehet është i gabuar.
Unë nuk mund të them;
“Unë gjehem ngusht para njerëzve kur jam i pasaktë në punën time”.
Forma e saktë është “gjendem”.
Po kështu edhe format e vetave të tjera si dhe në numrin shumës përdoren në formën:
gjendesh; gjendet; gjendemi; gjendeni; gjenden.
Edhe në të pakryerën:
gjendesha; gjendeshe; gjendej; gjendeshim; gjendeshit; gjendeshin,
kurse e kryera e thjeshtë duke marrë pjesëzën “u” përpara:
u gjenda;
u gjende;
u gjend;
u gjendëm;
u gjendët;
u gjenden.
Por ka edhe rast të veçantë kur përdoret:
U gjet edhe zgjidhja dhe jo “u gjend edhe zgjidhja”. Por “U gjend ngusht para njerëzve”.
Siç shihet folja “gjej” ka dy konceptime të ndryshme.
Njëri rast tregon një gjendje  jo vepror dhe
rasti tjetër gjetje(kryerje veprim, por në rastin pësor dhe jo vetvetor). Në të dy rastet kurrë nuk përdoret forma:
gjehem; gjehet, por forma:
gjendem; gjendet; u gjenda; u gjend(u gjet)
.
Përdorimi i foljes përgatit
        Shumë fjalë në gjuhën shqipe janë formuar me parashtesën “për-“ si:
përdor, (parashtesa për +dor(ë)(parashtesë+emër)
përlesh,     -//-   për+lesh                    -//-      -//-       -//-
përgënjeshtroj,-//-për+gënjesht(ë)r+o(j)(parashtesë+emër+prapashtesë
përfundoj,    -//- për+fund+o(j)    -//-      -//-       -//-      -//-      -//-
përcaktoj,    -//- për+cak+o(j)         -//-     -//-      -//-      -//-       -//-
përqafoj    -//-    për+qaf(ë) +o(j)     -//-       -//-     -//-     -//-    -//-
përhap,(    -//-        për +hap)(  -//-           +folje)
përplas,     -//-         -//- +plas(       -//-         -//-)
përpunoj,     -//-      -//- +punoj      -//-        -//-)
përsërit,    -//-     -//- +sërit       -//-         -//-)
përmirësoj,   -//-    -//-+mirë +so  -//- +ndajfolje+prapashtesë)
përparoj,   -//-      -//- +par(a)+o(j) -//-   -//-        -//-         -//-)
përqëndroj, -//-    -//- +qëndroj   -//-     -//-       -//-      -//-
përlyej,     -//-    -//-  +lyej        -//-        -//-           -//-       -//-
përlaj,    -//-     -//- +laj       -//-          -//-            -//-          -//-
përthaj,   -//-     -//-+thaj    -//-       -//-        -//-             -//-
përndjek,     -//-     -//-  +ndjek -//-        -//-         -//-         -//-
përqesh,     -//-       -//- +qesh   -//-      -//-      -//-          -//-
përçaj,      -//-     -//-   +çaj        -//-       -//-        -//-         -//-
(sh)përndaj, parashtesa sh+parashtesa për+ndaj(parashtesë+parashtesë+folje)
(sh)përlaj,   -//-            -//-      -//-       për +laj -//-     -//-             -//-        -//-
e shumë të tjera që vetë lexuesi mund t’i kërkjojë e mund t’i gjejë vetë në mënyrë të pavarur, në se bëhet kureshtar dhe kërkues, por asnjëra prej tyre nuk ka krijuar konfuzion në përdorim sa ka krijuar folja përgatit që shumë herë është përdorur nga shumë njerëz në formën “pregatit” që është formë e gabuar.
Është e gabuar për vetë faktin se kjo fjalë vjen në gjuhën shqipe e prejardhur nga fjala “gatit” me parashtesën “për” dhe jo “pre” pasi në gjuhen shqipe nuk ekziston një parashtesë e tillë. Pra, nuk mund të thuhet:
“Unë i kam pregatitur mirë detyrat e shtëpisë.” apo
“Po pregatitem për pushimet e verës.”
Sigurisht, duhet thënë:
“Unë i kam përgatitur mirë detyrat e shtëpisë.” si dhe
“Po përgatitem për pushimet e verës.”
Mendo sikur foljet e tjera të përmendura më lart sikur ta ndryshonim parashtesën “për-“ në “pre-“ si do të dukeshin në përdorimin e tyre në të folur. P.sh.
predor në vend të përdor,
apo prehap,
preplas,
prepunoj,
presërit,
premirësoj,
preparoj(mos të krijohet konfuzion me fjalën “preparat”),
pregënjeshtroj,
prefundoj,
preqëndroj,
precaktoj,
prelyej,
prelaj,
prethaj,
(sh)prelaj,
(sh)prendaj,
prendjek,
prelesh,
preqesh,
preçaj,
preqafoj,
prevesh etj. që nuk kanë asnjë kuptim të përdorura në këtë mënyrë dhe aq më tepër na vijnë aq shumë bajate në veshët tanë sa nuk thuhet. Kështu duhat të ishte edhe me derivatin e foljes gatit që është “përgatit” e do të ishte e pakuptimtë sa edhe format e tjera që sapo paraqita më sipër forma “pregatit”. Në fakt, është përdorur aq dendur dhe aq gjërë nga shtresat e ndryshme të popullsisë sa që duket më bukur kur thuhet “pregatit” se sa “përgatit” që është forma më e rregullt dhe më logjike e njëkohësisht edhe më normative.
      Kur e dëgjojmë formën “pregatit” në vend të formës “përgatit” nuk na duket ndonjë gabim i madh, madje, gati gati na duket më e drejtë forma “pregatit” se sa forma normative. Megjithatë, kjo nuk përbën aspak arsye të përdoret pa ndonjë kompleksim tek dëgjuesit. Në të vërtetë nuk përbën ndonjë kompleksitet aq të madh sa bëjnë format e tjera të paraqitur më sipër me foljet e tjera me parashtesën”pre-“, ashtu siç e pamë edhe më sipër, pasi, siç thamë, është përdorur dendur dhe mjaft gjatë ashtu dhe nuk duket jashtë norme. Le të krahasojmë dy shembuj nga dy folje të prejardhura me “për” dhe të deformuara këtë parashtesë në “pre”:
“Unë i prevesha mëngët në punë dhe ia dola ta prefundoj punën në një kohë rekord.”
“E pregatita mirë e mirë vendin e punës dhe iu futa me forca të pretërira.”
Siç shihet në të gjitha rastet e tjera, përveçse në rastin”pregatit” shprehjet:
“prevesha”, “prefundoj”, “të pretërira” na e vrasin mjaft keqas veshin. Këtu ndokush mund të thotë: Mirë “prevesh”, “prefundoj”, po ç’hyn këtu përdorimi i fjalës “të pretërira”? Sigurisht, “të përtërira” është mbiemër, por ama, mbiemër që vjen nga folja “përtërij”.
Në fakt kështu duhej të na e vriste veshin edhe folja “pregatit” sikur gabimisht të mos ishte përdorur aq dendur e ngulitur gati në normë. Mua dhe kujtdo që është mësuar ta përdorë drejt fjalën “përgatit” në formën normative na duket mjaft bajate kur e dëgjojmë në formën”pregatit”, por jo shumicës dhe kjo duhet pranuar.
        Përdorimi i mbiemrit i(e)madh(e)
       Po ta shikojmë shkarazi në përdorimin e përditshëm nga përdoruesit e zakonshëm të gjuhës shqipe në pamje të parë nuk bie shumë në sy ndonjë keqpërdorim i dukshëm. Në fakt, ashtu është kur përdoret në numrin njëjës, por kam mjaft vërejtje kur poërdoret në numrin shumës, sidomos për gjininë femërore.
     Shpesh herë më ka ndodhur rasti të dëgjoj në televizor gazetar, por edhe njerëz të ndryshëm që kanë një formim mjaft të admirueshëm arsimor dhe kulturor që mbiemrin i(e) madh(e) në numrin shumës, sidomos në gjininë femërore ta shprehin në mënyrë të gabuar dhe këtë dukuri po e trajtoj më poshtë si vijon:
      Në numrin njëjës bën: mal i madh, fushë e madhe, apo qytet i madh, lagje e madhe. Këtu s’ka asnjë përdorim të gabuar.
       Në numrin shumës këta raste dalin: male të mëdha, fusha të mëdha, qytete të mëdha, lagje të mëdha.
       Pra pa asnjë ndryshim. Natyrshëm vjen pyetja:
Pse njësoj kur mal, qytet janë në gjininë mashkullore dhe fushë, lagje janë në gjininë femërore?
Po, e drejtë pyetja, por duhet ditur se disa emra të gjinisë mashkullore në numrin shumës e ndryshojnë gjininë nga mashkullore në femërore dhe janë pikërisht rasti i emrave të mësipërm.
Le të shohim rastin e emrave që nuk e ndryshojnë gjininë:
gur i madh- gurë të mëdhenj,
njeri i madh, njerëz të mëdhenj,
dhe jo gurë të mëdha,
njerëz të mëdha.
Po të përdoreshin në rastin e fundit, do të dukeshin mjaft qesharake.
Mirë, deri këtu jemi në rregull. Askush nuk i përdor në atë formë besoj dhe shpresoj. Të paktën nuk i kam dëgjuar ndonjëherë të shqiptuar në atë formë bajate dhe aspak standarde e shqipes në secilin dialekt. Atëherë ku qëndron thelbi i sugjerimeve të mia? Në jo pak raste kam dëgjuar të shprehen në formën:
male të mëdhaja,
fusha të mëdhaja,
qytete të mëdhaja,
lagje të mëdhaja
që janë forma të gabuara dhe të papranueshme. Prapashtesa –ja është e tepërt. Krahaso:
“vajzë e mirë”, “vajzë e bukur”,
“vajza të mira” me “vajza të miraja”,
“vajza të bukura” me “vajza të bukuraja”.
A do të ishte e pranueshme forma e dytë “miraja” apo “bukuraja” duke shtuar pas mira apo bukura një -ja të panevojshme. Ose po të themi:
“mollë e ëmbël” e në shumës të themi:
“mollë të ëmblaja”, në vend të “mollë të ëmbla”.
Në se “ëmblaja” është e gabuar edhe “mëdhaja”, padyshim është e gabuar dhe këtu nuk kemi asnjë lloj përjashtimi apo rasti të veçantë e nuk mund të trajtohet si i tillë.
Megjithatë, unë e kam dëgjuar aq dendur, sa më vjen të mendoj se tashmë po bëhet normë, apo më mirë të them se po bëhet dalëngadalë një perjashtim i normës pkërisht për mbiemrin i(e) madh(e)  -të mëdha(ja)
      Disa vërejtje rreth përdorimit të “u”
      Tingulli “u” në gjuhën shqipe ka disa përdorime:
është një nga shtatë zanoret që ka gjuha jonë dhe shërben për të formuar rrokje vetëm apo në diftongje;
shërben si mbaresë tek trajta e shquar e disa emrave që mbarojnë në “k”,”h”,”g” si:
shok-shoku, flok-floku, dok-doku, park-parku, qark-qarku,hark-harku,Mark-Marku, Sadik-Sadiku,
trung-trungu, shtog-shtogu,shelg-shelgu, log-logu, lug-lugu, zog-zogu, breg-bregu,burg-burgu,
ah-ahu, rrah-rrahu,shah-shahu,krah-krahu e tj., si dhe tek disa emra të gjinisë mashkullore kur përfundojnë me zanore të theksuar si:
gjeni-gjeniu, komshi-komshiu, shakaxhi-shakaxhiu, batakçi-batakçiu, kumarxhi-kumarxhiu,dai-daiu, dyqanxhi-dyqanxhiu, bari-bariu, Ndre-Ndreu, ka-kau, muze-muzeu, por
kufi-kufiri,dre-dreri, zotëri-zotëria e jo:
kufiu, dreu, zotëriu, e tj.
Nganjëherë dëgjohet përdorimi i gabuar tek fjala “zotëri-zotëriu” e dikujt i duket si normative përdorimi i tillë, por nuk është e tillë, në fakt. Këtu duhet pasur kujdes, pasi shpesh dëgjohet përdorim i gabuar tek fjala “fëmijë-fëmija”, por forma e gabuar e përdorur shpesh është:
“fëmijë-fëmiu”.
Siç vërehet, emri “fëmijë”, ndonse të jep përshtypjen dhe shpesh shqiptohet gabimisht “fëmi”, përsëri nuk përfundon me një zanore të theksuar “i”, por me “jë” e nuk mund të dalë me formën “fëmiu” që është formë e gabuar;
është trajtë e shkurtër e përemrit vetor në rasën dhanore si:
“atyre u” p.sh.
Pasi i futën nxënësit në klasë u dhanë temën e hartimit dhe ata iu futën punës.
Kujt (u) dhanë temën e hartimit? Atyre “u”.;
përdoret si pjesës e formës psore e foljeve në të kryerën e thjeshtë të dëftores si:
mësoj -mësova -u mësova, apo mëson-mësove(mësoi) –u mësove(mësua), u mësuam(mësuat, mësuan”.
Kështu mund të japim mjaft shembuj përdorimi foljesh të ndryshme si dhe përdorimet e tyre në fjali, por qëllimi i këtij shkrimi nuk është kjo. Qëllimi i këtij shkrimi është rasti i përdorimit pa kriter i rastit të fundit në ndonjë rast jo të saktë morfologjikisht.
      Shumë herë kam vërejtur që pjesëza “u” përdoret pavend për të formuar formën pësore të foljeve edhe për kohën e pakryer të mënyrës dëftore, por edhe të mënyrave të tjera si lidhore e kushtore. Le të shikojmë këto raste përdorimi:
“Në atë kohë ne u argëtoheshim vetëm me ndonjë lojë futbolli, volejbolli, basketbolli apo bilardoje, se s’kishte asgjë tjetër me se t’u argëtoheshim.”
“Unë,. po t’u ndalësha aty, do ta pësoja si të tjerët”.
Në të gjitha këto raste përdorimi është i gabuar. Format e sakta janë:
“Në atë kohë ne argëtoheshim vetëm me ndonjë lojë futbolli, basketbolli apo bilardoje, se s’kishte asgjë tjetër me se të argëtoheshim”.
“Unë, po të ndalesha aty, do ta pësoja si të tjerët”.
Pra format: “u argëtoheshim”(e pakryera e dëftorës) si dhe “t’u argëtohesha”, “t’u ndalesha”(të pakryerat e lidhores) janë forma të gabuara.
Po kështu edhe po të marrim këtë rast:
“Do t’u gëzohesha shumë, po të na vinit për darkë sonte”. Forma e saktë është:
“Do të gëzohesha shumë, po të na vinit për darkë sonte”.
Forma “do t’u gëzohesha” është forma e gabuar e kohës së tashme e mënyrës kushtore në zgjedhimin e foljeve.
      Pjesëza “u” përdoret edhe për të formuar format e pashtjelluara të foljes si paskajorja dhe përcjellorja
“për t’u bërë”, “duke u bërë”.
“Në përbërjen e ekipeve zbuluese janë duke u bërë ndryshime rrënjësore.”
“Erdhi koha për t’u larguar”.
Në këto raste janë prdorime të sakta dhe nuk ka asnjë rast keqpërdorimi. Gjithashtu, nuk mund të them se kam vërejtur ndonjë rast keqpërdorimi të këtyre formave, ndaj nuk e shtjelloj si të tillë rastin, por si rast përdorimi të pjesëzës “u”.
         Shumësi i emrave që mbarojnë me shkronjat “k”, “g”.
     Më ndodhi rasti që, një ditë kur po ndiqja lajmet në njërin prej televizioneve më prestigjoze shqiptare, një gazetar i terrenit ta shqiptonte shumësin e emrit tank në variantin tanqe. Për momentin mendova se ishte një lapsus, pasi të gjithë ne në një moment të caktuar edhe mund të gabojmë dhe mund të bëjmë nga ato të ashtuquajtura lapsuse të momentit, por kjo herë nuk ishte lapsus i rastit, pasi në më shumë se dy herë të tjera e përsëriti shumësin e këtij emri po ashtu tanqe dhe ajo gjë mua m’u duk pak si bajate në këtë formë përdorimi.
        Në bindjen time arsyetoj se televizionet në përgjithësi dhe ato shqiptare në veçanti, nuk i marrin gazetarët drejt e nga rruga duke i zgjedhur veç për fytyrën e tyre të bukur, se kështu mund të jenë fare mirë edhe gagaçët e memecët, por mbi të gjitha, mbi kriteret konkuruese që ata kanë vendosur e më kryesori duhet të jetë shkalla e kualifikimit që gazëtarët konkurues duhet të kenë. Kjo shkallë kualifikimi, në radhë të parë duhet të jetë që gazetari ta ketë përfunduar degën e gazetarisë të ndonjë universiteti privat apo shtetror e mbi të gjitha të dijë të shprehet bukur. Po kështu e çoj më tej rrugën e arsyetimit tim se në kurrikulat e këtyre degëve një vend mjaft të rëndësishëm duhet të zërë edhe dega e gjuhësisë. Nuk jam shumë i sigurtë, por kështu mendoj. Një gazetar i mirë duhet ta zotërojë mirë gjuhën në të cilën shprehet dhe normat e saj e, nga ana tjetër, një gazetar i mirë duhet të ishte edhe një mësues gjuhe i mirë. Por, gjithashtu, kam shumë dyshime se kjo gjë, ose nuk ndodh ashtu si mendoj unë, ose studentët e këtyre degëve dalin në disa raste me mjaft mangësi dhe kur vjen rasti i shfaqin në punën e tyre gazetareske.
        E mendoj ashtu atë që nënvizova më sipër, pasi jo rastësisht kam dëgjuar nga goja e një figure mjaft të shquar mediatike, që ka krijuar dhe drejton një media mjaft prestigjoze dhe mjaft i njohur vetë nga shumë njerëz, sidomos të fushës së mediave shqiptare të shfaqë gabime foshnjore gjuhësore. Ndoshta për hir të traditës së zonës nga vjen që unë vetë s’dua ta besoj edhe pse mund të jetë ashtu, por ama, unë nuk mund të besoj shumë në saktësinë gjuhësore të asaj medieje të shkruar që ai ka krijuar dhe drejton. Unë në shkrimet e mia nuk kam asgjë të veçantë ndaj njerëzëve apo përsonave të veçantë dhe nuk dua të kritikoj ata, por dukuritë e gabuara gjuhësore që dalin aty-këtu dhe që s’duhet të ndodhin, megjithse fatkeqësisht ndodhin nga formimi gjuhësorjo i mirë i tyre.
      Po. Ndodh që fëmijët parashkollor, por po e shtyj edhe më tej, fëmijët e një moshe të mitur deri në dhjetë vjeç foljen jap e bëjnë japa apo edhe në një variant tjetër dhana, por kjo se ende nuk e kanë mjaftueshëm eksperiencën gjuhësore, se më pas e përdorin saktë dhashë. Këtë e kam trajtuar në një shkrim tjetër e nuk dua ta shtjelloj më tej këtu, por këtu dua të shtjelloj dukurinë gjuhësore të tipit tank-tanqe si më posht:
        Në gjuhën shqipe si rregull disa emra të gjinisë mashkullore që mbarojnë me bashkëtingulloren “k” në numrin njëjës në numrin shumës e ndërrojnë bashkëtingulloren “k” në “q”. Si shembull mund të merren emrat:
Bark-barqe,
Thark-tharqe,
Hark-harqe,
Park-parqe,
Hendek- hendiq,
Difek-difeqe,
Bujk-bujq,
Ujk-ujq,
Turk-turq,
Ulluk-ulluqe
       Po kështu edhe disa nga emrat që tema u mbaron në bashkëtingulloren “g” në numrin njëjës, në numrin shumës dalin me “gj”. Të tillë janë emrat:
Breg-brigje,
 Shteg- shtigje,
Shelg-shelgj,
Treg-tregje,
Trung-trungj,
Cung-cungj,
Lug-lugj(e), etj. E them edhe lugj, por edhe lugje mbi bazën e kontekstit kur përdoren këtë rast. Psh:
    “Dëbora kishte mbuluar shpate e lugje. Trashësia e saj ishte aq e madhe sa nuk e mbanin dot as lugjtë e tjegullave të shtëpive.”
     Por kjo dukuri e ndërrimit të “k” në “q” dhe “g” në “gj” nuk do të thotë se mund të përdoret në të gjitha rastet. Megjithatë ka mjaft njerëz që bëjnë shqiptime të gabuara duke u ndikuar nga dukuria gjuhësore që cilësova më lart që fjalën tank e shqipton në shumës “tanqe” që padiskutim është përdorim i gabuar.
         Po kështu emri “vekë”(krahinore) në këtë rast i përdorur në numrin shumës siç përdoren edhe emra të tjerë të gjuhës shqipe që tregojnë parë apo çift materialesh si:
Syze, gërshërë, pantallona, etj e si përfundim emri “vekë”, i përdorur tashmë në numrin shumës nuk mund të thuhet “veq”. Në fakt, fjala “vekë” është krahinore dhe jo mbarkombëtare, pasi fjala e normës letrare si zakonisht shkruhet dhe shqiptohet “vegjë”, por askush nuk mund t’i ndalojë zadrimorët, bie fjala ta shqiptojnë “vekë” se ashtu janë mësuar ta quajnë mjetin me të cilin amvisat endin e punojnë veshje etakëme shtëpiake. Ata kurrë nuk i kanë quajtur “vegjë”.
      Më sipër sollëm shembullin:
Turk-turq por jo:
Grek-greq, ulqinak-ulqinaq, durrsak-durrsaq, fierak-fieraq, etj. Shumësi i tyre del:
Grek-grekë,
Ulqinak-ulqinakë,
Durrsak-durrsakë,
Fierak-fierakë.
     Po kështu edhe emri zambak nuk mund të thuhet zambaqe, por zambakë, ose:
Vandak-vandakë e jo vandaqe, apo mbiemrat e emërzuar:
Zemërak-zemërakë e jo zemëraqe,
Frikacak-frikacakë e jo frikacaqe, ashtu siç solla si shembull emrat që emërtojnë banorët e qyteteve apo shteteve si Durrës, Ulqin, Fier, apo Greqi, etj.  Askush nuk mund të thotë:
“Greqët e vjetër vunë bazat e kulturës letrare europiane.” Ose
“Në shesh ishin mbledhur shumë fieraqë(durrsaqë, ulqinaqë, ferizaqë)
       Kështu mendoj se jo të gjithë rastet e emrave, gjithashtu, që mbarojnë me “g” e ndryshojnë shumësin në “gj”. A mund të thuhet se:
“U mblodhën disa pedagogj dhe diskutuan rreth disa rregullave gjuhësore” apo:
“Arkeologjët shqiptarë kanë zbuluar gjurmë iliro-pellazge në zona të banuara.” ashtu siç përdoret pիr rastet: zog-zogj, log-logje, blog-blogje etj.
    Probleme  drejtshkrimore në shtypin e shkruar
    Rreth problemeve të ndarjeve të fjalës në fund të rreshtit.
    Në dy fotë të më poshtme të gazetës “Kushtrim Brezash”, po të shihet me kujdes nga forma e paraqitjes ka një mori gabimesh drejtshkrimore, sidomos në drejtim të ndarjes së fjalës në fund të rreshtit. Kongresi drejtshkrimor ka përcaktuar dhe ngulitur rregulla të sakta dhe strikte edhe në drejtim të ndarjës në fund të rreshtit dhe parimi kryesor ka qenë dhe mbetet kryesisht parimi i ndarjes së fjalës në rrokje. Pra, kur na duhet të ndajmë një fjalë në fundin e rreshtit, së pari ne duhet ta ndajmë fjalën në rrokje dhe pastaj ta ndajmë fjalën në bazë të rrokjeve që ne shqiptojmë. Përveç këtij parimi janë paraqitur edhe rastet e palejueshme ndër të cilat janë:
 a) –nuk ndahet fjala njërrokëshe;
b) –nuk ndahet në fund të rreshtit një shkronjë e vetme;
 c)- nuk ndahen më dysh shkronjat e shqipes që formohen nga dy shenja si: dh, gj, ll, nj, rr, sh, th xh, zh.;
d)-në rreshtin pasardhës zakonisht fjala e ndarë nuk fillon me zanore.
       Në dy editore të gazetës së lartpërmendur, pa u futur në brendësi të shkrimeve të tjera të kësaj gazete dhe pa u shtrirë në gazeta dhe revista të tjera që padiskutim nuk besoj se kanë ndonjë ndryshim të madh njëra me tjetrën janë vërejtur mjaft përdorime të gabuara sidomos në ndarjen e fjalës në fund të rreshtit që unë nuk e besoj se mund të jetë mangësi e teknologjisë, por thjeshtë mangësi e njohurive drejtshkrimore e atyre që drejtojnë teknologjinë e të shtypurit të atyre gazetave dhe revistave me mangësi të tilla. Në gazetën e parë “Kushtrim Brezash” në editorin e saj prej 12 rreshtash ka 4 raste të ndarjes në fund të rreshtit dhe të gjitha janë ndarje të gabuara. Aty janë paraqitur këto fjalë të ndara në fund të rreshtit: 1) mrekul-lueshëm. Është ndarë më dysh një bashkëtingëllore e vetme siç është bashkëtingëllorja “ll”. Ky rast është përsëritur dy herë. 2) anem-banë. Ndarja këtu duhej: anë-mbanë, pasi kjo është një fjalë e përbërë dhe ndahet sipas pjesëve përbërëse të saj. 3) patri-otizmin. Në rreshtin e ri është filluar me zanore. Duhej ndarë kështu: patrio-tizmin, ose patrioti-zmin.
      Gjithashtu, që në fillim ky editor fillon kështu: Ja  kujtojmë mbar popullit patriot e luftëtar…..etj. Duhet të shtojmë këtu edhe pse jasht objektit kryesor të këtij shkrimi, se në gjuhën shqipe nuk ka trajtë të shkurtër as teke dhe as të bashkuar ja, por i  (atij i) dhe e (atë e) që të bashkuara këto dy trajta të shkurtëra bëjnë: ia.
       Në foton e dytë në editorin e kësaj gazete në një numër tjetër të saj vërehen 33 raste të ndarjes së fjalëve në fund të rreshtit. Nga këto raste 13 janë të gabuara. Përmirësim I dukshëm. Nga 100% ndarje të gabuara në 39.3%. por duhet pasur parasysh se ky përmirësim nuk vjen nga njohja, por nga rastësia dhe po paraqes më poshtë fjalët e ndara në mënyrë të gabuar.
1)Sh-qiptar; 2) urtës-inë; 3) vet-eranëve në dy raste; 4)kontrib-ute; 5) sh-trohen; 6) mor-ale; 7) sh-trat; 8)kryes-itë; 9)sh-tëpinë; 10)përjas-htohen; 11) ndë-rhyjnë; por nuk janë edhe aq të pëlqyeshme edhe rastet: funk-sionim dhe prob-leme
   Siç shihet, duke I analizuar ratet e mësipërme shohim këto dukuri të gabuara:
1)-ndarje vetëm e një shkronje në fund të rreshtit (sh) në katër raste;
2) –në rreshtin e ri fjala e ndar fillon me zanore në 6 raste;
3)-ndarje e një shkronje të vetme në dy pjesë;
4)-mosrespektim I ndarjes së fjaljes së përbërë një rast(ndë-rhyrje)
Përdorimi i trajtave të shkurtëra
      Përemrat vetorë në gjuhën shqipe krahas trajtës së plotë të përdorimit të tyre kanë edhe disa forma të shkurtuara të përdorimit të tyre në dy rasa të përdorimit të tyre. Për ta parë më qartë dhe më saktë këtë dukuri gjuhësore, po sjellim në kujtesën e lexuesit edhe një herë tjetër lakimin e përemrit vetor në pesë rasat e lakimit si dhe format e shkurtuara të cilat janë quajtur trajta të shkurtëra. Le t’i shohim më poshtë:
      Rasa Emërore: Unë                                                                                 Kush?
      Rasa Gjinore   (këtu nuk ka formë pasi atë e zëvendëson përemri pronor)
      Rasa Dhanore  Mua, më                                                                           Kujt?
      Rasa Kallëzore  Mua, më                                                                          Kë?
      Rasa Rrjedhore Meje                                                                          prej Kujt?
Kjo përsa i përket vetës së parë njëjës ku vihet re mjaft dukshëm që në rasën dhanore dhe kallzore krahas trajtave të plota Mua dalin edhe trajtat e shkurtëra Më. Për t’i pasur sa më të qarta po sjellim disa shembuj me fjali dhe po përpiqemi t’i analizojmë dhe qartësojmë para lexuesit:
    Mua më dhanë titullin “Naim Frashëri” për arritje të larta në punën me nxënësit.
Thjeshtë bëhet pyetja: Kujt i dhanë titullin….? përgjigjja: Mua. Por mund ta formulonim këtë fjali edhe kështu: Në vitin 1988 më dhanë titullin “Naim Frashëri për arritje të larta në punën me nxënësit. Pyetja këtu është e një llojtë: Kujt i dhanë titullin….? përgjigjja Mua(më) që në këtë formulimin e dytë nuk paraqitet fare forma e plotë Mua, por vetëm forma e shkurtuar, pra trajta e shkurtër më. Pra është zëvendësuar dhe nënkuptuar trajta e plotë Mua me dhe nëpërmjet trajtës së shkurtuar(tajtës së shkurtër) më. Kjo gjë përsa i përket rasës dhanore, por këtu po sjellim edhe shembuj në rasën kallëzore:
      Mua më kishin caktuar të shoqëroja të rinjtë në rrugën e Heronjve të Vigut.
Edhe këtu bëhet pyetja: Kë kishin caktuar të shoqëronte të rinjtë…? përgjigjja: Mua. Por mund ta formulonim fjalinë edhe kështu: Në atë kohë më kishin ngarkuar të shoqëroja të rinjtë e rrethit në rrugën e Heronjve të Vigut. Përsëri edhe këtu bëhet pyetja: Kë kishin caktuar….? përgjigjja Mua më, por që këtu është përdorur vetëm forma e shkurtuar(trajta e shkurtër) më që e nënkupton personin tim, pra Mua.
     Tashti le të shohim edhe lakimin e vetës së parë shumës dhe vetës së dytë dhe të tretë njëjës dhe shumës:
      Rasa Emërore  Ne                                                                                        Kush?
      Rasa Gjinore(s’ka)
      Rasa Dhanore  Neve na                                                                                 Kujt?
      Rasa Kallëzore  Ne na                                                                                   Kë?
      Rasa Rrjedore Nesh.                                                                               prej Kujt?
Edhe këtu shihet qartë se në rasën dhanore dhe në rasën kallëzore, krahas formave të plota dalin dhe forma të shkurtuara(trajta të shkurtëra na)
Shembuj:
    Na i dhanë neve këto dhurata të bukura. Pyetja: Kujt ia dhanë këto dhurata? Përgjigjja: Neve (na). Por fjalinë mund ta formulonim edhe kështu:
      Sapo na i sollën dhuratat e Krishtlindjeve.  Pyetja: Kujt ia sollën dhuratat e Krishtlindjeve? Përgjigjja:  Neve na. Por këtu në këtë fjali forma e plotë e përemrit Neve nuk është paraqitur por është zëvendësuar me formën e shkurtuar(trajtën e shkurtër) na. Shembujt e mësipërm i përkasin rasës dhanore.
   Në rasën kallëzore po sjell këto shembuj:
    Ne na morën në pyetje për aksidentin e ndodhur në rrugë. Pyetja Kë morën në pyetje? Përgjigjja: Ne. Por fjalia mund të formulohej edhe kështu:
   Na morën në pyetje të gjithë sa u ndodhëm aty për aksidentin e ndodhur në rrugë. Pyetja: kë morën në pyetje? Përgjigjja: Ne. Por këtu në këtë fjali fjala Ne është zëvendësuar me fjalën Na që është trajta e shkurtër e këtij përemri në rasën kallëzore.
     Siç shihet edhe nga shembujt e mësipërm në numrin shumës rasa dhanore dhe rasa kallëzore kanë dallueshmëri në paraqitjen e trajtave të plota, ndaj kurrë nuk duhet ngatërruar njëra formë me tjetrë, por që shpesh e hasim përdorimin e njërës për tjetrën gjë që është tërësisht e gabuar. Shumë herë përdoret forma Neve edhe për rastin kallëzor, apo e anasjellta forma Ne edhe për rastin dhanor. Pra janë të gabuara rastet:
Na i sollën ne këto dhurata (Kujt?), ose
Na zgjodhën neve të kryesonim delegacionin.(Kë?)
     Siç shihet trajtat e shkurtëra këtu janë njësoj, por trajtat e plota janë alternuar dhe përdorur gabim dhe kryesisht për raste të anasjellta.
    Tashti le të shohim edhe përdorimin e vetës së dytë dhe të tretë njëjës dhe shumës në rasat e lakimit dhe paraqitjen e trajtave të shkurtëra:
                            Njëjës                     pyetja                  shumës                   pyetja
  Rasa emërore     Ti                               Kush?                 Ju                         Kush?
  Rasa Gjinore      –                                                           –
  Rasa Dhanore    Ty të                           Kujt?                  Juve ju                   Kujt?
  Rasa Kallëzore   Ty të                           Kë?                    Ju ju                      Kë
  Rasa Rrjedhore  Teje                    (prej) Kujt?                 Jush              (prej) Kujt?
Trajtat e shkurtëra në numrin njëjës siç shihen janë:
Dhanore Të, kallëzore Të. Pra janë njësoj. Për numrin shumës janë: Dhanore Ju, Kallëzore Ju dhe prap këtu nuk bëjn dallim veç kur puesim: Kujt? për dhanore dhe Kë? Për kallëzore.
Veta e tretë
   Rasa Emërore  Ai(ajo)                          Kush?                Ata(ato)                  Kush?
   Rasa Gjinore i(e) Atij(asaj)              i(e) Kujt?           i(e) Atyre                i(e) Kujt?
   Rasa Dhanore  Atij(asaj) i                     Kujt?                 Atyre u                    Kujt?
   Rasa Kallëzore Atë e                             Kë?                 Ata(ato) i                   Kë?
   Rasa Rrjedhore Atij(asaj)                prej Kujt?               Atyre                  prej Kujt?
Trajtat e shkurtëra këtu janë: njëjës: dhanore I, kallëzore E. Shumës: dhanore U, kallëzore I.
Le të sjellim nga një shembull për secilin rast:
Ty të kam sjellë një dhuratë të veçantë. Kujt? Ty.(të)
Të kishin zgjedhur ty të na përfaqësosh në simpozium. Kë? Ty(të). Por si njëra ashtu edhe tjetra mund të zëvendësoheshin veç me trajtat e shkurtëra, pasi trajtat e shkurtër përdoren kryesisht për këtë qëllim(zëvendësim dhe nënkuptim i trajtës së plotë, ose shoqërim të saj).
Atij(asaj) i akorduan çmimin e parë. Kujt? Atij(asaj) i.
Atë e shpallën të pafajshëm. Kë? Atë e.
Ju kam bërë ca dhurata të veçanta juve. Kujt? Juve ju.
Ju kishin caktuar veç ju të dy të na përfaqësoni. Kë? Ju ju. Këtu e para në fjali është trajtë e shkurtër, ndërsa në përgjigje e dyta, pra e anasjellta. Siç shihet këtu trajta e shkurtër me të plotën nuk ndryshojnë në formë, por veç në nuanca kuptimore. Fjalia mund të shprehej edhe kështu: Ty Agim dhe ty Suzana ju kishin caktuar të na përfaqësoni ne të tjerëve. Kë? Ju ju.
Pra për ta përcaktuar saktë trajtën e shkurtër gjithnjë bëjmë pyetjen: Kujt? Kë? dhe pastaj japim përgjigjen me trajtën e plotë shoqëruar me të shkurtërën.
Atyre u solla ca libra. Kujt? Atyre u.
Ata(ato) i kishin caktuar të krijonin koleksionin e biologjisë. Kë? Ata(ato) i.
     Nga shembujt e mësipërm si dhe nga tabelat e lakimit të përemrave shuhim se trajtat e shkurtëra janë: veta e parë: më njëjës; na shumës; veta e dytë të njëjës; ju shumës; veta e tretë i dhanore; e kallëzore njëjës; u dhanore; i kallëzore shumës. Pra: më, na, të, ju, i, e, u, i. Këto trajta të shkurtëra, siç e theksuam dukshëm edhe më lart, zëvendësojnë, ose edhe shoqërojnë trajtat e plota dhe paraqiten veç për rasat dhanore dhe kallëzore, por jo për rasat e tjera si emërore, gjinore apo rrjedhore. Këtu duhet pasur kujdes që të mos ngatërrohet rasti i përdorimit të njërës në vend të tjetrës. Këtu më poshtë do të paraqes disa raste të gabuara të paraqitjes së trajtave të shkurtëra sidomos të vetës së tretë shumës të rasës dhanore për vetën e dytë shumës të rasave dhanore dhe kallëzore. Ashtu siç e cilësuam edhe më lart, fare lehtë me anën e pyetjeve marrë edhe nga tabelat e lakimit mund ta gjejmë se cila duhej të ishte forma e saktë në rastet e nënvizuara në shembujt e sjellë.
.A tarjta e shkurtër IMG_0936
 
Kë kam pare vazhdimisht? Ju ju
Kë dua të pyes?   Ju ju.
A tr e shk IMG_0945
Kë kërkon kryetari? Ju ju.
A tr e shk IMG_0948
Kujt i foli? Juve ju. Këtu ka dy raste gabimi: e para trajta e shkurtër duhej të ishte ju dhe jo u
E dyta: përemri ju është në rasën dhanore ndaj duhej të shkruhe juve.
 A tr e shk IMG_0949 -
 
Kë dua të ngacmoj? Ju ju. Pra duhej: t’ju dhe jo t’u. Gjithashtu folja pasuese ngacmoj i takon kohës së tashme të vetës së parë të kohës së tashme të mënyrës lidhore dhe jo koha e kryer e thjeshtë e mënyrës dëftore veta e tretë njëjës siç është paraqitur e shkruar.
Rasti i dytë i nënvizuar është një trajtë e bashkuar (ju + e) (juve ju + atë e) dhe duhej të ishte jua: Kujt? Juve ju: Kë? Atë e.
 
 
Kë nuk kuptoj? Ju ju. Pra duhej: Nuk ju kuptoj….
 
Kujt po i tregojmë rrugën tonë…? Juve ju.
Kë do ta ndihmojë….? Ju ju
 
Kë kam parë? Ju ju.
 
Kë nuk po kuptoj? Ju ju.
Kë sqarojmë? Ju ju.
 
Këtu, megjithëse nuk del krejt qartë dialoguesi i drejtohet bashkëbiseduesit drejtpërdrejt dhe do që atij t’i japë variantet. Pyetja duhej të ishte: Kujt i jap unë disa variante? Juve ju.
S
 
Kujt i flas? Juve ju.
Kë po dëgjoj? Ju ju.
 
Kë nuk po kuptoj? Ju ju.
Kujt po i tregojmë rrugën…? Juve ju.
Kë do të ndohmojë? Ju ju. Duhej paraqitur: do t’ju ndihmojë.
    Këta ishin rastet e gjetura në të njëjtin libër prej rreth 200 faqesh, por jo duke e marrë të plotë veç në disa faqe nga gjysma e deri në fund. Raste të tilla janë të shumta, por mendoj se këta raste janë më se të mjaftueshme për ta paraqitur idenë dhe konceptimin e lexuesit.
    Duhet të cilësoj këtu se trajtat e shkurtëra të përemrit vetor bashkohen dhe shkrihen me njëra-tjetrën dhe atëherë përsëri kërkojnë vëmendje të veçantë në përdorimin në të folur dhe në të shkruar, por këtu nuk po ndalohem t’i sqaroj një nga një me qëllim që lexuesit të mos i bëhet i mërzitshëm ky shkrim që po paraqes këtu.

       Përemrat vetor “Ne”, “Ju” dhe përdorimi i gabuar  i tyre

      Dihet tashmë nga të gjithë ata që i kanë marrë së paku njohuritë themelore gjuhësore se përemrat janë pjesë e ligjëratës që zënë vendin e emrit në ligjërimin tonë. Quhen vetorë se ata përdoren sipas vetave, d.m.th. në tre pozicione vetore:

1)Personi që flet dhe tregon për vetën e tij apo në emër të grupit që përfaqëson. Veta e parë

2)Personi ose grupi me të cilin komunikojmë drejtpërdrejt. Veta e dytë

3)Personi, ose grupi që nuk është i pranishëm në bashkëbisedim, por që flasim për të(to). Veta e tretë.

      Duke qenë se emrat janë të numrit njejës dhe shumës, edhe përemrat janë të numrit njejës dhe të numrit shumës, pra zënë vendin e emrit që nënkupton një person, një objekt, një kafshë ose një diçka tjetër, por edhe një shumësie personash, sendesh, ideshë apo kafshësh. Edhe kur treguam për ndarjen në veta, thamë personi ose grupi….për secilën vetë. Pra një person, ose një grup personash etj. Këtu më poshtë po i paraqesim përemrat vetor sipas vetave në dy numrat e përdorur dhe më tej do të paraqesim rastet e përdorimit në fjali sipas rasave të ndryshme për ta kuptuar më qartë vlershmërinë e tyre dhe si duhen përdorur sa më saktë. Kur kam folur në një material tjetër për përdorimin e trajtave të shkurtëra, e kam paraqitur një gjë të tillë, por nuk kam folur për rastet e përdorimit të gabuar të përemrave të plotë, ndaj këtu po e paraqes një gjë të tillë duke paraqitur edhe një herë tjetër rastet e lakimit të përemrave vetorë dhe ku duhet pasur kujdes që të mos gabohet gjat përdorimit në të shprehur gojor e atij me shkrim.

  1. Veta e parë –Unë (njëjës) personi që flet a tregon; –Ne (shumës) grupi ku bën pjesë folësi. (Vetja jonë,[njëjës] ose grupi ku bëjmë pjesë[shumës])
  2. Veta e dytë –Ti (njëjës) personi që i drejtohemi (njëjës) –Ju (shumës) grupi që i drejtohemi dhe bisedojmë. (bashkëbiseduesi(t) e pranishëm)
  3. Veta e tretë –Ai(ajo) njëjës(të papranishëm ose jo bashkëbisedues; –Ata(ato) shumës.

   Gjithashtu duhet thënë se këta përemra nuk janë të ngurtësuar, pasi ata ndryshojnë sipas rasave të ndryshme gjatë përdorimit të tyre në fjali(në të folurin tonë). Këtu duhet të kujtojmë se rasat e lakimit janë kryesisht pesë në gjuhën shqipe dhe kryesisht: emërore; gjinore; dhanore; kallzore dhe rrjedhore. Ekziston në shqip edhe një rasë tjetër siç është rasa thirrore që rrallëherë përdoret, prandaj edhe nuk merret në konsideratë në lakimin e emrave, mbiemrave, përemrave, nyjeve dhe numërorëve.

       Emërore unë; ti; ai(ajo)(njëjës)       ne; ju; ata(ato) (shumës)

       Gjinore  –;   –;  i(e) atij(asaj)        –; –; i(e) atyre

       Dhanore mua; ty; atij(asaj)          neve; juve; atyre

       Kallzore mua; ju; atë                     ne; ju; ata(ato)

       Rrjedhore(prej) meje; teje; atij(asaj)    nesh; jush; atyre

      Këtu unë nuk kam paraqitur trajtat e shkurtëra që dalin në secilën vetë e numër në rasat dhanore dhe kallzore, pasi këtë gjë, siç e cilësova edhe më sipër e kam paraqitur në një rast tjetër, ndaj nuk po i riparaqes këtu, pasi nuk ishte ky objekti i këtij shkrimi. Si objekt kam që të saktësoj rastet e përdorimit të përemrave të vetës së parë dhe të dytë në numrin shumës të cilët janë: Ne dhe Ju.

     Siç shihet nga tabela e lakimit të këtyre përemrave përemrat vetorë të vetës së parë dhe të dytë shumës në rasat emërore dhe kallzore dalin:

      Veta e parë –Ne.

      Veta e dytë –Ju.

Ndersa në rasën dhanore dalin:

       Veta e parë –Neve

       Veta e dytë –Juve

Këtu dallohet qartë ndryshimi mes rasave emërore e kallzore me rasën dhanore dhe më poshtë po i pranëvë që të shihen e nguliten saktë e qartë:

      Emërore dhe Kallzore   –Ne     Dhanore   –Neve

      Emërore dhe Kallzore   –Ju      Dhanore   –Juve

      Tashti këtu më poshtë po jap disa shembuj përdorimi në fjali sipas rasave që analizova më sipër.

      Ne jemi në ballë të punës dhe do t’i përballojmë të gjitha vështirësitë që na dalin. (Kush?)

      Ju duhet t’i zgjidhni vetë problemet tuaja! (Kush?)    Të dy këto raste janë në emërore.

      Juria na ka zgjedhur ne fitues të garës. (Kë?)

      Në konkurs do të përballemi me ju.  (me Kë?)  Edhe këta raste janë në rasën kallzore.

      Çmimin e parë na e dhanë neve.  (Kujt?)

      Këta libra jua dhurojmë juve në shenj mirënjohje. (Kujt?) të dy rastet në rasën dhanore.

Por shumë herë këta raste ngatërrohen dhe përdoret dhanorja për emërorën dhe kallzoren, apo forma e emërores dhe kallzores për dhanoren. Bie fjala rasti:

Neve nuk e pranojmë t’i plotësojmë kërkesat tuaja se na duken të padrejta e të papranueshme. (Kush nuk i pranon? –Ne dhe jo Neve) (rasa emërore e përdorur si rasa dhanore)

Në takim duhej të ishit edhe juve. (Kush duhej të ishte? –Ju dhe jo juve) sërish rasa emërore e përdorur si rasa dhanore.

Ose e anasjellta:

Këto materiale na i sollën ne për t’i transportuar deri në destinacion. (Kujt? –Neve dhe jo ne)

Ju po ju japim këto dhurata si mirënjohje nga ana jonë. (Kujt? –Juve dhe jo ju).

     Këtu nuk po sjell shembuj të keqpërdorimit të rasës kallzore, por nënkuptohet keqpërdorimi ashtu siç ndodh edhe për rasën emërore.  

Përdorimi i gabuar i disa foljeve në kohën e kryer të thjeshtë
Edhe më parë kam paraqitur mjaft vërejtje dhe sugjerime rreth përdorimit të saktë të gjuhës shqipe nga shqipfolësit, por shpesh na bie në vesh aty-këtu forma dhe modele të ndryshme të gabuara të përdorimit të fjalëve të ndryshme në fjali. Kryesisht këtu dua të trajtoj dukuri të përdorimit jo të saktë të foljeve që mbarojnë me temë në zanore ose ma saktë folje që në vetën e parë njëjës të kohës së tashme të mënyrës dëftore mbarojnë me: -oj, -aj, -yej, -uaj, etj. si punoj, lexoj, këndoj, zëvendësoj, zgjatoj, laj, thaj, shaj,pëlqej, gënjej,  ziej, lyej, thyej, shqyej, ngjyej, ruaj, shkruaj, gatuaj, etj. Këto folje në kohën e tashme në tri vetat e njëjësit të kohës së tashme të mënyrës dëftore bëjnë:
Punoj, punon, punon;(unë punoj, ti punon, ai punon; kështu nënkupto edhe shembujt e tjerë)
Lexoj, lexon, lexon;
Këndoj, këndon, këndon;
Zëvendësoj, zëvendëson, zëvendëson;
Zgjatoj, zgjaton, zgjaton;
Laj, lan, lan;
Thaj, than, than;
Shaj,shan,shan;
Pëlqej, pëlqen, pëlqen;
Gënjej, gënjen, gënjen;
Ziej, zien, zien;
Lyej, lyen, lyen;
Thyej, thyen, thyen;
Shqyej, shqyen, shqyen;
Ruaj, ruan, ruan
Ngjyej, ngjyen, ngjyen;
Shkruaj, shkruan, shkruan;
Gatuaj, gatuan, gatuan, etj.
     Deri këtu nuk ka ndonjë keqkuptim apo keqpërdorim. Probleme në përdorimin e tyre i hasim shpesh tek koha e kryer e thjeshtë e mënyrës dëftore dhe kryesisht përdorimi në vetën e tretë dhe kryesisht në dy dukuri kryesore:
E para: -përdorimi i shkronjës “v” si antihiatus si: punovi, lexovi, këndovi, zgjatova, zëvendësovi, lavi, thavi, shavi, pëlqevi, gënjevi, zievi, lyvi, apo lyevi, thyvi apo thyevi, shqyvi apo shyevi, ngjyvi apo ngjyevi, ruvi, shkruvi apo shkrovi, gatuvi apo gatovi, etj.
Këto forma në kohën e kryer të thjeshtë veta e tretë njëjës dalin kështu: punoi, lexoi,zëvendësoi, zgjatoi, lau,thau, shau, pëlqeu, gënjeu, zieu, lyu, thyu, shqyu, ngjyu, ruajti dhe jo roi(përjashtim) shkroi, gatoi, etj.
E dyta: -përdorimi i vetës së parë njëjës të kohës së tashme, apo ngatërresa me formën e vetës së parë njëjës të kohës së tashme të mënyrës dëftore sidomos për foljet që mbarojnë me -oj si:
Punoj për punoi;
Ndërtoj për ndërtoi;
Vizatoj për vizatoi;
Zgjeroj për zgjeroi,
Shkatërroj për shkatërroi;
Plotësoj për plotësoi etj. Këto forma të gabuara zakonisht hasën në të shkruar dhe nuk vërehën dallueshëm në të shqiptuar.
E treta: -përdorimi i gabuar ifoljeve shkruaj, gatuaj etj sipas rastit ruaj- ruajti apo luaj-luajti. Pra si formë e gabuar:
Shkruajti për shkroi;
Gatuajti për gatoi. Etj
     Jam i bindur se format e gabuara të prdorimit të tyre janë si pasojë e një kulture gjuhësore të mangët të trashëguar sidomos në treva të ndryshme, por që rrezikon të shtrijë metastazat edhe në ato masa të shqipfolësve që nuk e kanë si traditë duke dëgjuar aty-këtu këto forma të gabuara dhe duke i marrë si forma normative. Gjithsesi, në radhë të parë mësuesve të gjuhës shqipe nëpër shkolla u bie detyrë të ngulmojnë për ta çrrënjosur këtë dukuri gjuhësore të gabuar, aty ku është dhe shfaqet dhe për ta devijuar aty ku mund të krijohet në mënyrë të panevojshme. Por sidomos tek rasti i dytë në të çështjeve të drejtshkrimit, duhet ngulitur që të fiksohet mirë dallimi në mes kohës së tashme në vetën e parë me kohën e kryer të thjeshtë veta e tretë njëjës:
Lexoj -veta e parë njëjës e kohës së tashme;(Unë lexoj)

Lexoi -veta e tretë njëjës e kohës së kryer të thjeshtë.(Ai lexoi) pra dallimi i qartë i-j kur përdoret njëra shkronjë dhe kur përdoret tjetra. Shih këtu më poshtë si është shkruar kjo thënie dhe kryesisht folja shkruaj në dy variante: I pari variant që del si mbiemër formuar nga pjesorja e foljes(shkruajtur) që duhet të ishte shkruar si dhe variant i dytë ka shkruar që është forma e rregullt. Forma I shkruajtur vjen si pasoj e përdorimit të gabuar të foljes shkruaj në kohën e kryer të thjeshtë shkruajta(shkruajte, shkruajti, shkrajtëm shkruajtët, shkruajtën) kur forma e saktë duhej të ishte: shkrova, shkrove, shkroi, shkruam, shkruatë, shkruanë. Përsa u përket gabimeve të tjera nuk poi analizoj, pasi nuk është objekti ishkrimit itillë.

FATI I NJERIUT ËSHTË I SHKRUAJTUR DITËN KURË LIND, ME DIT KUSH E KA SHKRUAR FATIN TIM E VRAS FARE😂😂😂      

Në fotot e më poshtme marrë nga një roman i ditëve të sotme paraqiten dy variante të keqpërdorimit në të shkruar të foljeve të tilla. Në dy fotot e para është përdorur veta e tretë njëjs e kohës së kryer të thjeshtë për vetën e parë njëjës të kohës së tashme respektivisht të mënyrës lidhore dhe dëftore. në foton e tretë është paraqitur forma e vetës së parë njëjës të kohës së tashme për vetën e tretë njëjës të kohës së kryer të thjeshtë të mënyrës dëftore, d.m.th. e anasjellta e përdorimeve. Shih për këtë në të tri fotot foljet e nënvizuara.

A folja IMG_0930A folja IMG_0955A folja IMG_0942

 

Një mendim mbi “Si ta flasim saktë gjuhën shqipe(përmbëledhje)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s