Lojërat popullore në Zadrimë e Mirditë

 

IMG_0095Tom Gjokhilaj

 

AAAAAAA IMG_0846

Kalivaç 1975 me ekipin sportiv

 

 

   Aty nga fillimi i viteve ’80, si shumë kolegë të mi, edhe unë u përfshiva në vorbullën e gjurmimit të fjalës së rrallë shqipe. Për vite me radhë mblodha dhe sistemova mjaft fjalë dhe shprehje të rralla nga zonat e Zadrimës si dhe të Kashnjetit ku dhe punoja në ato vite. Numri i tyre i kalonte mijërat dhe shpresoj që gjithë ajo punë titanike, jo vetëm e imja, por edhe e qindëra të tjerëve anembanë Shqipërisë të mos ketë shkuar dëm, por të jenë përpunuar e sistemuar në fjalorin e gjuhës sonë kombëtare. Ky ishte synimi dhe qëllimi kryesor i detyrës që na ishte ngarkuar, detyrë që u përpoqem ta kryenim sa më me saktësi dhe përkushtim, detyrë që unë aso kohe kurrë nuk e mora si angari dhe detyrim, por edhe si obligim dhe kënaqësi. Ndihesha mjaft i motivuar dhe i gëzohesha çdo fjale të rrallë që gjeja nga goja e njerëzve të thjeshtë të banorëve të këtyre dy zonave që përmenda më sipër. Kjo punë, gjithashtu, më bëri të ndihesha mjaft krenar për kontributin tim modest në pasurimin e fjalorit të gjuhës sonë kombëtare.

    Pasi kisha grumbulluar dhe sistemuar disa qindra fjalë e shprehje të rralla, fillova t’i gjurmoja ato duke i orientuar sipas fushave të ndryshme të jetës ekonomike dhe shoqërore të këtyre dy zonave. Duke qenë se të dyja këto zona drejtimin kryesor ekonomik kishin bujqësinë dhe blegtorinë, ndaj u përqëndrova edhe në këtë drejtim për të gjurmuar dhe hulumtuar në fjalën dhe shprehjen e rrallë popullore. Kështu me mjaft efikasitet mblodha mjaft fjalë e shprehje të tipit pasthirrma dhe tingullimitime në lidhje me komunikimin me kafshët dhe shpendët shtëpiake; fjalë e shprehje që lidhen me mbarështimin dhe kultivimin e krimbit të mëndafshit; kultivimin dhe mbarështimin e bletës, por edhe nga jeta shoqërore e popullatës dhe sidomos në organizimin e kohës së lirë në organizimin e lojërave popullore.

   Shpeshherë u organizuan simpoziume të ndryshme lidhur me këtë çështje dhe mua më takoi rasti të referoj përmes disa kumtesave lidhur me këto çështje në secilin simpozium të mbajtur. Duke lënë mënjëanë modestinë time, gjej rastin të shpreh këtu se kumtesat e mia ishin mjaft të pëlqyera, pasi kisha kapur mjaft çështje pikante nga tradita popullore e këtyre dy zonave dhe kjo përbënte mjaft interes. Kështu, nga përzgjedhja e tyre u bë e mundur edhe botimi i pjesëshëm i ndonjërës prej tyre dhe kryesisht fjalët dhe shprehjet që lidheshin me lojërat popullore të zonës së Kashnjetit. Materiali i shkurtuar u botua në librin “Kultura fizike dhe sporti” në vitin 1985 i shkurtuar dhe me një titull të modifikuar. Titulli i origjinalit ishte: “Fjalë dhe shprehje që lidhen me lojërat popullore në zonën e Kashnjetit”. Në këtë përmbëledhje u botua me titullin”Metodat e disa lojërave popullore në zonën e Kashnjetit”.

   AAAA-IMG_1223

    Këtu unë po përpiqem ta riparaqes edhe një herë tjetër këtë material të zgjeruar, por jo më në aspektin e fjalës dhe shprehjes së rrallë popullore, por si traditë kulturore e të dy zonave ku unë kam gjurmuar e hulumtuar vite e vite më parë. Por, para se t’i shtjelloj si metoda dhe forma të zhvillimit të këtyre aktiviteteve, dëshiroj së pari të flas shkurt për traditën e pasur të popullatës së zonës në drejtimin e aplikimit të këtyre aktiviteteve popullore.

   Deri aty nga fillimet e viteve ’70, kur ende në jetën sociale të popullsisë së këtyre dy zonave nuk ishte futur televizori dhe fare pak radioja si mjete argëtimi, banorët si mjet argëtimi në kohën e lirë kishin lojën popullore kryesisht, si për fëmijët dhe të rinjtë ashtu edhe për të rriturit. Jo vetëm ato që unë kam gjurmuar, por edhe ato që unë kam luajtur dhe kam parë e përjetuar në fëmijërinë dhe rininë time të hershme e që kanë lënë gjurmë mjaft të thella në kujtesën time, ndaj sot do të përpiqem t’i paraqes sa me më ekzaktësi këtu mënyrën se si luheshin ato lojëra, ashtu si dhe kushtet që na çonin drejt tyre.

   Duhet theksuar këtu se lojërat popullore argëtuese janë zhvilluar në ambiente të ndryshme; në kushte shtëpie si dhe në kushte fushe(jashtë shtëpie); një pjesë e konsiderueshme e tyre në të dy ambientet. Në kushtet e fushës, fëmijë dhe të rinj, ose kur kullotnin tufat e bagëtive, ose kur mblidheshin në kohë të lirë, i organizonin lojërat e ndryshme dhe argëtoheshin me to. Në kushte shtëpie luheshin ato lojëra si në raste festash, ashtu edhe në kohë të lirë në mbrëmje pas punëve të ditës sidomos në netët e gjata të dimrit. Ashtu siç do t’i sqaroj edhe më poshtë, mbaj mend që kur isha një fëmijë i vogël, në qoshkun e shtëpisë sime, mblidheshin burrat dhe të rinjtë e fshatit e sidomos të fisit tonë dhe organizonin lloj-lloj lojërash popullore në kushte dhome. Unë më poshtë do të përpiqem ta shtjelloj këtë lloj tradite në mënyren e të luajturit të këtyre lojërave argëtuese popullore.

     Në ambientet jashtë shtëpisë lojërat popullore argëtuese janë luajtur kryesisht nga barinjtë e tufave të bagëtive në kullotë. Është me vend këtu të theksoj se në kohërat e parakolektivizimit të bujqësisë dhe blegtorisë zadrimorët zotëronin tufa të mëdha me bagëti të imta dhe gjedhe e gjithashtu ekzistonin sipërfaqe të mëdha tokash të lira për kullota që ishin mera e përbashkët e jo vetëm për një fshat por në Zadrimën e Lezhës ekzistonte një fushë e madhe mes fushës së Zadrimës që ishte mera për fshatrat e gjithë zonës çka merr prej Hajmelit e deri në Rraboshtë e Mërqi dhe çka merr nga Gjadri e deri në Nënshat e Krajën. Kjo mera gjigande ishte Arrnjeti që ishte mes fshatrave Piraj, Blinisht, Kodhel, Dajç dhe Gjadër dhe ku kullotnin tufa të mëdha me bagëti nga e gjithë zona, kush mundte t’i sillte tufat aty. Kjo gjë krijonte mundësi të mblidheshin bashkë mjaft të rinj e të reja dhe atëherë shkëmbeheshin mjaft eksperienca edhe në fushën e argëtimit me lojëra të ndryshme popullore. Loja me top nuk ishte krijuar si traditë, ndaj edhe nuk njihej në ato kohëra, kështu që mbeteshin primare lojërat e tjera të krijuara që në hershmëri, apo edhe të huajtura nga barinj nomadë që sillnin tufat e tyre në kohë të  ndryshme. Shpesh vinin nga Luma dhe nga Kuksi barinj me tufa të mëdha dhensh për t’i dimëruar në fushën e Zadrimës e cila u jepte kushte dhe mundësi mjaft më të favorshme se në zonat e tyre të ftohta gjatë stinës së dimrit. Nuk e di saktë dhe nuk mund të jem i sigurt se cilat nga lojërat u sollën nga nomadët dhe cilat ishin të traditës, por mendoj se loja Kala dibrançe duhet të jetë sjellë nga ata, pasi kjo lojë luhet pothuajse në të gjitha trevat e vendit tonë, por ka edhe mjaft lojëra që janë autoktone të zonës, pasi mendoj se është luajtur veç në Zadrimë. Kështu mendoj për lojën Dojkë. Kjo lojë nuk njihej nga malësorët e Malit të Rencit edhe pse ky vend nuk është edhe aq larg nga Zadrima. Vetë ata e kanë pohuar se nuk e njihnin këtë lojë kur kishin ardhur në Kodhel për të dimëruar bagëtitë dhe ishin të strehuar e mikpritur në familjen time kur unë isha një fëmijë fare i vogël.

    Tashti, pasi bëra një hyrje të shkurtër të kësaj tradite, po përpiqem të paraqes llojet e lojërave që janë luajtur në hershmërinë dhe në traditën e zonës së Zadrimës, por edhe atë të Kashnjetit. Ato kanë qenë të shumta dhe, ashtu siç edhe e cilësova më sipër, kanë mbushur kohën e lirë të popullatës duke i argëtuar si ata që merrnin pjesë në këto lojëra, ashtu edhe ata që i shihnin lojtarët gjatë lojës. Së pari këtu dua të cilësoj se lojërat mund t’i grupojmë edhe në një formë tjetër: a) lojëra të emërtuara sipas mënyrës së organizimit të tyre; b) lojëra që emërtohen sipas mjeteve konkrete që përdoren në zhvillimin dhe në përmbajtjen e tyre; c) që emertohen sipas mjeteve a sendeve të cilët i imitojnë lojtarët gjatë zhvillimit të lojës. Le t’i shohim më konkretisht cilat janë dhe si kanë qenë luajtur ato:

     Çengel-çengel: ka qenë organizuar nga një grup lojtarësh prej shtatë, nëntë, njëmbëdhjetë a pak më shumë, por gjithmonë në numër tek, pasi kjo lejonte që loja t’i përmbushte kushtet e zhvillimit të saj. Është luajtur kryesisht nga lojtarë meshkuj. Ky grup lojtarësh formonte një rreth dhe uleshin galiç duke mbajtur gishtin tregues të njërës dorë në formën e çengelit në drejtim të dyshemesë së dhomës(në kushtet e shtëpisë) apo të tokës(në kushte të mjedisit jashtë shtëpisë). Drejtuesi i lojës, njëri prej lojtarëve, përsërit në mënyrë monotone fjalën “çengel” disa herë radhazi. Në një moment të caktuar prej vetë drejtuesit sipas dëshirës së tij e shqipton këtë fjalë në mënyrë të prerë dhe me forcë. Në këtë moment të gjithë lojtarët duhet të lidhin duartë(gishtat tregues në formë çengelit) me njërin nga shokët që ka përbri. Por njëri nga lojtarët mbetet i pa lidhur, pasi numri gjithnjë është tek. Lojtari që mbetet i palidhur ndëshkohet nga drejtuesi i lojës në forma të ndryshme sipas fantazisë së tij si: duke imituar kafshë të ndryshme, duke mbartur mbi kurriz shokët e tij, duke kënduar ndonjë këngë apo recituar ndonjë poezi, ose duke e goditur me ndonjë shami, duke e bërë të kërcejë me një këmbë disa herë, a lloj-lloj ndëshkimesh të tjera.

    Qorrazi luhej me dy lojtarë dhe të tjerë të pranishëm që bëjnë sehir, ose mundohen të ndikojnë në lojën e lojtarëve pjesëmarrës. Lojtarëve ua mbyllin sytë më ndonjë shami. Secilit prej tyre i jepet nga një shami e lidhur nyje në fundin e saj dhe secili prej tyre, ashtu siç është me sy të mbyllur përpiqet të godasë tjetrin me anë të shamisë. Njerëzit që bëjnë sehir mundohen t’i mashtrojnë duke i orientuar gabim dhe ata lojtarët me sy të mbyllur godasin majtas e djathas në ajër dhe kështu të tjerët qeshin dhe argëtohen me ta.

    Rasash luhej në fushë apo kodra nga dy apo më shumë lojtarë të ndarë në grupe. Kështu formohen dy grupe me nga një ose më shumë lojtarë, por gjithnjë në numër të barabartë secili grup. Në distancë 30-40m larg nga njëri-tjetri, grupet vendosin nga tri rrasa guri në këmbë drejt njëra pas tjetrës me një distancë 20-30cm larg njëra-tjetrës. Secili lojtar i secilit grup gjuan në rrasat e palës kundërshtare me nga tre gurë të madhësive të ndryshme zgjedhur sipas dëshirës së secilit lojtar dhe synon rrëzimin e rrasave të palës kundërshtare. Fiton ai grup që rrëzon më parë rrasat e palës kundërshtare, ose rrëzon më shumë prej tyre. Kjo ishte një lloj bowlingu zhvilluar në kushte terreni jashtë shtëpie. Në zonën e Kashnjetit dhe të Mirditës kjo lojë është quajtur ndryshe “Kufithi” duke i konceptuar rrasat e ngritur nga pala kundërshtare kufinjtë e asaj pale që i kishte ngritur dhe synimi ishte rrëzimi i atyre kufinjve.

   Rrsabuç ishte loja që organizohej nga dy ose pak më shumë se aq lojtarë. Zakonisht meshkuj. Edhe kjo lojë zhvillohej në kushte terreni jashtë shtëpie. Merrej një rrasë e madhe guri dhe vendosej në një plan të rrafshtë toke. Rrasa zgjidhej sa më e madhe të ishte e mundur dhe sa më e rrafshtë. Në qendër të kësaj rrase vihej një gur gati në formë të rrumbullakët dhe nga lojtarët synohej që të goditej  dhe të hiqej nga vendi me anën e ca rrasukave duke i gjuajtur nga një distancë e caktuar prej vetë lojtarëve, zakonisht rreth 5-6m distancë. Fiton ai që i pari e heq buçin(gurin) nga rrasa. Gjithashtu loja zhvillohet disa herë dhe fituesi është lojtari që ka më shumë rezultate në largimin(heqjen) nga rrasa. Ka një rregull në radhën e gjuajtjes. Më parë caktohet një shenjë dhe secili nga lojtarët hedh rrasën e tij të dorës drej cakut(shenjës) dhe kush i afrohet më shumë cakut gjuan i pari dhe pastaj ai që vjen pas tij e me radhë. Kur rrëzohet buçi nga rrasa loja quhet e përfunduar dhe loja tjetër fillon nga e para duke gjuajtur serish drejt cakut për të përcaktuar radhën e gjuajtjes së lojtarëve.

    Dojkë ishte lojë që luhej nga djem. Secili lojtar kishte shkopin e tij që zakonisht secili e kishte përgatitur me purteka drurësh të fortë. Zakonisht dru thane, por shpesh edhe frashër, lis, shkozë apo edhe ferrë. Këta shkopinj djemtë i mbanin pothuajse gjithmonë me vete si mjet për të reshtur bagëtitë në kullotë dhe i punonin me kujdes të veçantë që të ishin sa më të drejtë dhe sa më të fortë. Për t’u luajtur kjo lojë, zakonisht kërkohej të ishte një terren i rrafshtë, zakonisht livadh, ose patalok i sheshtë dhe mjaftueshëm i gjërë. Luhej nga tre apo më shumë lojtarë. Nganjëherë edhe nga dy lojtarë, por nuk e kishte tamam bukurinë e saj në këto raste, ashtu siç nuk e kishte bukurinë kur e kalonte numrin pesë apo gjashtë lojtarë. Në shesh secili lojtar hapte një gropë të vogël aq sa të zinte majën e shkopit dhe të merrte brenda dojkën. Dojka ishte një copë druri e rrumbullakuar në formën e një topi të vogël, zakonisht e bërë me rrënja ferrëkuqesh që ishin mjaft të forta dhe nuk dëmtoheshin aq lehtë nga goditjet me shkopinj. Në se nuri i lojtarëve ishte tre apo më shumë njëri prej tyre duhej të qëndronte rreke. Të tjerët duhej të mbronin gropëzat e tyre që rrekexhiu të mos ua zinte me dojkën të cilën e voziste me anën e shkopit të tij përgjatë sheshit dhe synonte ose të mbushte me anën e saj gropëzën e ndonjërit prej lojtarëve që në këtë rast i kishte kundërshtarë të gjithë sa ishin në lojë, ose synonte ta godiste këmbën e ndonjërit, gjithnjë me anën e dojkës e jo me anën e shkopit. Gjithashtu edhe kur ndonjëri merrte hov ta godiste dojkën për ta larguar, rrekexhiu synonte t’i zinte gropën me majën e shkopit të tij. Po të ishte se distanca e goditjes që kundërshtari kishte goditur dojkën më e largët se madhësia e shkopit dhe rrekexhiu ia kishte zënë ndërroheshin rolet, nëse jo, ose edhe s’ia kishte arritur, dojka ishte në kase. Në se ndodhte një gjë e tillë lojtari quhej i djegur dhe futej në rreke duke ndërruar vendet. Loja fillonte duke përcaktuar rrekexhiun. Kjo gjë përcaktohej duke gjuajtur pik drejt një caku të vendosur nga vetë lojtarë në një distancë të caktuar. Lojtarët gjuanin me radhë drejt cakut dhe kujt i binte piku i shkopit të tij më larg cakut se të tjerët rrinte rreke, të tjerët zinin nga një gropë dhe i ruanin ato që rrekexhiu të mos ua zinte me shkop, ose me dojkë. Në se dojka afrohej më afër se distanca e gjatësisë së shkopit të tij drejt gropës që ruant, kishte të drejtë ta godiste dojkën me shkop me sa fuqi që kishte dhe rrekexhiu nuk mund t’ia zinte gropën me shkopin e tij, pasi atëherë dojka do të ishte kase, d.m.th. mund ta godisnin lojtarë duke e largua sa më larg derisa rrekexhiu do të arrinte ta ndeshte dojkën me shkopin e tij. Në momentin që e ndeshte, ai mësynte të kapte i pari gropën e ndonjërit prej kundërshtarëve të tij. Në se e arrinte një gjë të tillë, rolet ndërroheshin. Në rastet kur dojka ishte larguar shumë(gjithnjë lojtarët synonin ta largonin sa më larg gropave të tyre), rrekexhiu kishte të drejtë ta hidhte atë me dorë drejt grupit të lojtarëve në besë. Kështu quhej momenti kur hidhej dojka dhe në se asnjëri prej lojtarëve nuk arrinte ta cikte me shkop, askush nuk mund ta prekte edhe në se ishte buzë gropës së tij. Pra ishte në besë. Në se ndonjëri e prekte gabimisht dojkën, futej në rreke. Kishte edhe një rregull tjetër. Në se rrekexhiu shihte që ndonjëri prej lojtarëve e kishte gropëzën e tij disi të pambrojtur mësynte që ta zinte i pari dhe në se e arrinte lojtari tjetër futej në rreke, në të kundërt lojtarët e tjerë e godisnin dojkë pa patur frikë se mund t’ua zinte gropëzat, pasi dikush thërriste:”Kase se ka mësy!” dhe kështu vazhdonin ta largonin dojkën sa më larg derisa rrekexhiu arrinte ta cikte atë me shkopin e tij. Kështu kjo lojë vazhdonte pafund aq kohë sa lojtarët kishin kohë të lirë për ta luajtur. Dojkë quhet kjo lojë në Zadrimë, por në Mirditë e quajnë dojkëz.

    Shkop e cingël quhej loja që luhej zakonisht nga dy lojtarë djem. Edhe kjo lojë luhej në terren të hapur. Në një vend të veçantë lojtarët vendosnin një cak, zakonisht një copë druri të ngulur në tokë dhe që mund të dallohej qartë prej një distance të konsiderueshme. Për ta luajtur duhej një shkop jo shumë i gjatë rreth 70-80cm i gjatë ose më pak dhe quhej kut. Gjithashtu përdorej edhe cingla që ishte e bërë nga një copë shkopi rreth 15-20cm e gjatë. Zakonisht cingla punohej enkas për këtë gjë dhe nga njëra anë gdhendej për të krijuar një faqe të rrafshtë që të zinte vend mirë mbi truall. Në njërën anë krijohej një llapë duke e prerë bilbil. Loja fillonte nga lojtari që e hidhte cinglen nga një distancë e caktuar drejt cakut më afër tij. Lojtari që nuk ishte i pari përfshihej në lojë, por duke u përpjekur që ta kapte cinglen në ajër pa rënë në tokë. Kur arrinte ta kapte, kishte të drejtë ta vazhdonte ai lojën, në të kundërt duhej ta gjuante drejt cakut me qëllim që ta godiste atë me cingël. Po ta arrinte këtë gjë fitonte të drejtën ta merrte ai vallen (lojën). Lojtari tjetër synonte ta godiste cinglën dhe ta hidhte sa më larg duke krijuar një distancë të largët. Kur e arrinte një gjë të tillë fillonte e maste distancën me kut(shkopin e lojës) dhe i numëronte duke ua shtuar numrit të kutëve që kishte bërë më përpara. Kur e arrinte numrin njëqind kut fitonte një lojë ose e quante “një gomar” për kundërshtarin. Lojtari i rrekës e kapte cinglën nga toka dhe e gjuante drejt cakut e, kur lojtari që e ruante cakun nuk arrinte ta largonte cinglën e në rast se cingla nuk e ndeshte cakun, por binte në distancën më pak se një kut larg cakut, atëherë lojtari në lojë(valle) kishte të drejtë ta godiste cinglën për ta ngritur në ajër dhe atëherë ta godiste me kut për ta larguar sa më larg që të mundte për të bërë sa më shumë kutë. Në se nuk arrinte ta kryente një gjë të tillë, pra në se nuk arrinte ta ngrente në ajër e tagodiste pastaj me kut për ta largonte cinglën më larg se kuti prej cakut(të paktën një kut distancë minimalisht) humbiste të drejtën për ta vazhduar lojën dhe dilte në rreke e në valle hynte lojtari tjetër i cili merrte cinglën në dorë dhe e godiste me sa fuqi kishte për ta hedhur sa më larg të ishte e mundur në drejtimin e caktuar më parë dhe nga ishte lojtari i rrekes në përpjekje për ta kapur që në ajër. Loja nuk përfundonte në se e arrinte ta bënte numrin njëqind të kutëve, se atëherë, siç e cilësuam më sipër, bënte një lojë, ose siç e quanin, një gomar për kundërshtarin dhe fillonte të bënte të dytin deri sa të arrinte pa e dorëzuar lojën. Kur lojtarin i dytë e fitonte të drejtën e lojës dhe kur fillonte të bënte kutët e tij, i numëronte ata fillimisht duke ia zbritur kundërshtarit ata kutë që kishte fituar deri sa ia zeronte dhe pas kësaj fillonte të numëronte deri sa arrinte numrin njëqind, në se e arrinte pa ia zbritur kundërshtari, gjithnjë me lojë. Kur bëhej një gomar lojë dhe fillohej i dyti lojtari tjetër nuk mundej t’ia zbriste atë, veç në se me lojë edhe ai e plotësonte një gomar lojë dhe barazoheshin apo e tejkalonte atë.

    Topthi ishte loja që luhej nga dy grupe lojtarësh me një topth të vogël bërë zakonisht prej leckash, ose prej leshi lopësh. Kur barinjtë kashaisnin lopët e tyre me fijet e leshit që mblidhte krëhëri i kashaisë krijonin një topth të vogël, por më së shumti e krijonin prej leckash. Kjo në mungesë të topit real prej lastiku, ndoshta. Edhe në këtë lojë duhej një terren i konsiderueshëm në përmasa. Njëra skuadër ishte në valle dhe skuadra tjetër kishte radhën ta gjuante topthin(ta hidhte topthin) në drejtim të dorës së lojtarit kundërshtar. Ky e gjuante duke e goditur me shuplakën e dorës dhe lojtarët kundërshtarë synonin ta kapnin atë në ajër pa rënë në tokë. Në se arrinin ta kapnin ndërroheshin pozicionet në lojë. Kur lojtari i vallës e hidhte topthin sa më larg të ishte e mundur, shkonte me vrap drejt një caku të shënuar më parë me marrëveshje dhe duhej të shkonte përsëri në vend pa arritur që lojtarët kundërshtarë ta kapnin topthin dhe të godisnin me të deri në momentin kur ishte ende pa shkuar në destinacionin përkatës. Nuk quhej në se goditja i vinte kur kishte arritur në cak, por në se goditej pa shkuar atje, digjej dhe futej në rreke duke ua lënë vendin palës kundërshtare. Siç shihet sipas rregullave të lojës kjo lojë ka ngjashmëri me kriketin në disa rregulla loje.

    Topxhixhi lojë që luhet me një topth të vogël(zakonisht prej leckash në mungesë të topit real prej gome) dhe organizohet në dy skuadra me nga tre apo katër lojtarë. Më parë caktohet një kuadrat fushe pak a shumë me madhësinë një fushe volejbolli të kufizuar me katër pika si caqe fushe. Lojtarët që me short kanë fituar të drejtën ta fillojnë lojën bëhen grup dhe fshehin topin të cilin e merr njëri prej tyre dhe shkojnë në fushën e lojës brenda së cilës ndodhen lojtarët e palës kundërshtare. Kanë të drejtë të shkojnë nga njëri cak tek tjetri jo duke i rënë fushës kryq e tërthuer, por duke ndjekur vijat e drejtkëndëshit të fushës duke thënë shprehjen “Një cak e ciqe, dy cak e ciqe, tre cak e ciqe, katër cak e ciqe!”. Secili prej tyre e mban dorën fshehur nën rrobat e trupit sikur fshehin topthin dhe bëjnë sikur gjuajnë në drejtim të lojtarëve kundërshtarë të cilët rrinë me beh për të mos u goditur dhe për ta kapur topin e palës kundërshtare. Në se arrijnë ta kapin ndërrojnë rolet e lojës. Në rastin tjetër kur nga pala kundërshtare goditet ndonjëri me top, ai digjet dhe kështu fitohet loja duke filluar përsëri nga fillimi deri sa të digjen të gjithë lajtarët, ose në të kundërt, kapet topi nga lojtarët kundërshtarë dhe ndërrohen rolet.

     Topagropthi ishte lojë që gjithashtu luhej në terren të hapur. Lojtarët, aq sa janë në tërësi hapin ca gropëza të vogla njëra pas tjetrës në distancë afro 10cm larg njëra-tjetrës. Me short caktohet njëri prej lojtarëve të hedhë topthin drejt gropave me rrokullisje. Kur topthi zë vend në gropën e ndonjërit prej lojtarëve që gjithnjë rrinë në gatishmëri për ta marrë topthin nga gropa e tij, ose për t’ia mbathur. Lojtari të cilit i bie topthi në gropë e merr atë me shpejtësi dhe godet ndonjërin prej shokëve me të. Në se arrin ta godasë ndonjërin, lojtari që goditet, digjet dhe është i detyruar ta hedhë topthin në gropa siç kishte bërë lojtari paraardhës, në të kundërt duhet ta hedhë topthin drejt gropave lojtari që i bie topthi në gropën e tij dhe nuk arrin të gadasin ndonjërin prej shokëve. Por edhe në se topi nuk arrin të zërë vend në ndonjërën prej gropave, përsëri duhet ta hedhë atë atje derisa të zërë vend në ndonjërën prej gropave.

     Shkapërcejsh luhej jashtë shtëpie dhe kryesisht në rrugë ose vende të hapura. Ishte thjeshtë një lojë që e luanin të rinjtë, ose fëmijët djem duke kaluar mbi kurrizin e njëri-tjetrit sikur kapërcehej kaluçi. E fillonte njëri prej djemvse duke përkulur kurrizin dhe kështu e shkapërcenin me radhë gjithë sa ishin aty. I pari që e shkapërcente shkonte dhe vendosej disa hapa më tej po me kurrizë të përkulur dhe kështu i jepte mundësi lojtarit të radhës ta shkapërcente edhe atë pasi kishte shkapërcyer të parin. Kështu krijohej një varg i gjatë shkapërcimesh që shkonte duke u zhvendosur përgjatë rrugës. Më kujtohet fare mirë koha e fëmijërisë sime kur ende në fshatin tonë e kishim kishën në të cilën shkonim e luteshim në çdo ditë diele. Rruga që nga shtëpia ime deri tek kisha ishte afro 1km, ndoshta më pak, por ne fëmijët kur mblidheshim për të shkuar atje e bënim duke luajtur shkapërcejsh deri sa arrinim në oborrin e kishës dhe atje e përfundonim lojën tonë. Kështu edhe kur ktheheshim. Ishte, si të thuash, një lloj argëtimi, por edhe stërvitje për të fituar shkathtësi në kapërcim pengesash. Ne në atë kohë nuk e dinim se ç’ishte kaluçi ku bëheshin ushtrime gjimnastikore dhe nuk e kishim idenë në se ekzistonte një mjet i tillë, por ne e kryenim këtë stërvitje argëtuese natyrshëm dhe pa asnjë instruktor. Fillimi i lojës përcaktohej me short shpeshherë dhe përfundonte kur kishin përfunduar të gjithë sa ishin duke kaluar me radhë mbi kurrizin e secilit pjesmarrës. Mund të luhej edhe vetë i dytë(edhe dy persona të vetëm) por më e mira ishte të ishte një grup prej disa personash. Edhe kur ishin dy e njëjtë ishte procedura. Kur shkapërcente i pari shokun e tij, shkonte më tej disa hapa dhe vendosej në pozicion të përkulur duke i lënë radhën shokut ta kapërcente. Kjo lojë nuk zhvillohej vetëm në rrugë, por edhe në terrene të hapura edhe që mund të ishin të kufizuara, por që mund ta jepte mundësinë për t’u vendosur si dhe për të marr hovin e nevojshëm për t’u hedhur lehtësisht.

     Kaladibrançe ishte loja mbarëpopullore që luhej gjithandej, por me qenë se edhe kjo lojë ishte pjesë e traditës së zonës po e shpjegoj shkurt. Luhej nga të rinj dhe fëmijë kryesisht meshkuj të cilet ndaheshin në dy grupe me përzgjedhje. Dy djem nga grupi zgjidhnin me radhë shokët e tyre duke marrë të parët në grup ata që ishin më të zotët e më të shkathtët deri sa përzgjidhej edhe lojtari i fundit. Përsëri me short vendosej se cili grup do të formonte kalanë dhe cili do të hidhej mbi kala për ta pushtuar atë. Grupi që me short ishte caktuar të formonte kalanë mblidhej duke formuar një rreth dhe duke u lidhur sup më sup me njëri-tjetrin, krijonin një bazë solide me supe të bashkuara e me trupa të përkulur. Njëri nga grupi ruante kalanë e formuar që pala tjetër mos ta pushtonin duke tundur një shami dhe duke goditur kë mundte që guxonte e hidhej mbi kala. Në se e godiste ende pa u hedhur në kala ndonjërin nga lojtarët kundërshtarë atëherë digjej i gjithë grupi dhe ishte i detyruar të formonte kalanë, por në se nuk arrinte të digjte ndonjërin e të gjithë lojtarët e palës kundërshtare ishin hedhur mbi kala dhe në se kalaja shembej, ishin të detyruar ta riformonin përsëri kalanë dhe kështu vazhdonte loja. Ndërroheshin rolet edhe në se ndonjëri prej lojtarëve që ishte mbi kala binte përdhe apo i ndeshnin këmbët në tokë. Kjo lojë zokonisht zhvillohej në terrene të hapura, por ka pasur raste që është zhvilluar edhe në kushte shtëpie kur dhomat kanë qenë të mëdha dhe në netët e dimrit kur mblidheshin djemuria dhe burrat e lagjës në shtëpinë e ndonjërit, siç do ta trajtoj më poshtë edhe për lojërat e tjera.

     Ardi bilardi është lojë që ngjason me lojën Kaladibrançe veçse këtu vendosja e skuadrave nuk bëhet në formën rrethore por në formën e një kaluçi. Gjithashtu këtu nuk ruhet kalaja që të mos e pushtojë pala kundërshtare. Këtu hidhen me radhë të gjithë lojtarët e skuadrës kundërshtare dhe pastaj lojtari organizator ngre lart disa gishta të njërës dorë apo nga të dyja duart dhe thotë: “Ardi bilardi, sa gishta kam lart?”. Ata që kanë formuar kaluçin dhe që qëndrojnë me koka të përkulura e me shikim nga trualli, duhet të gjejnë numrin e saktë. Në se e gjejnë me herën e parë, skuadrot ndërrojnë rolet dhe pozicionet, në të kundërt loja fillon edhe një herë tjetër nga e para. Po kështu ndodh edhe nëse kaluçi i formuar nuk arrin t’i mbaj lojtarët kundërshtar mbi kurriz dhe shembet, por në rast se lojtarët që kërcejnë mbi kaluç bien nga kaluçi dhe ndeshin tokën me këmbët e tyre, humbin lojën dhe ndërrojnë vendet me skuadrën kundërshtare.

    Bejlegash ishte lojë force dhe ishte një lloj mundjeje popullore me rregulla fikse. Të rinjtë, kryesisht djem, kapeshin bel më bel me njëri-tjetrin dhe provonin ta hidhnin në shesh kundërshtarin. Fitonte ai që kishte më shumë forcë e shkathtësi duke e rrëzuar me shpatulla përtokë kundërshtarin. Forma e mundjes ishte e dyllojshme. Duke u kapur krahëqafë me njëri-tjetrin ose duke u kapur për beli të njëri-tjetrit. Nuk ishte e lejuar stërkëmbësi dhe quhej hile apo faul. Kur kapeshin krahëqafë, duart shtrëngoheshin e mbërtheheshin fort dhe atëherë fillonte mundja. Edhe kur zgjidhej forma e kapjes bel më bel secili mundës duhej të kishte në bel një rrip apo një brez solid ku duhej ta kapte kundërshtari. Pra ishte një lloj xhudeje e kohës së sotme, por edhe këtu nuk lejohej stërkëmbësi siç lejohet në xhudo. Në se të dy lojtarët rrëzohen në shesh duke mos arritur ta hedhin me shpatulla përtokë kundërshtarin, apo për të arritur ta mbanin përfundi për një kohë të konsiderueshme, të paktën disa sekonda, quhej “gjelash” që do të thotë barazim. Pra “kanë rënë gjelash”.

     Thikëza luhet nga dy lojtarë djem ose burra. Është njëfarë mundjeje dhe bëhet në këtë mënyrë. Dy personat e lojës ulen përballë njëri-tjetrit me gjunj të ngritur në formë ure dhe me duartë e lidhura nën gjunj. Lojtarët të cilet lëvizjet i kanë shumë të kufizuara nga se janë të lidhur, përpiqen që me majën e këmbëve të tyre ta rrokullisin kundërshtarin. Fiton lojën ai lojtar që arrin ta rrëzojë shokun duke përdorur këmbët, apo më saktë, majat e këmbëve. E ka marrë emrin “thikëza” nga që mënyra e veprimit për ta hedhur kundërshtarin është kryesisht duke përdorur majat e këmbëve si thikë në drejtim të këmbëve apo trupit të kundërshtarit. Lojtarët përpiqen të fusin majat e këmbëve të tyre nën këmbët e kundërshtarit dhe ta rrokullis për ta rrëzuar në kurriz.

     Bizë zakonisht luhej në kohë dimri kur mblidheshin një grup djemsh dhe me short caktonin njërin që duhej të mbyllte sytë me njërën dorë dhe tjetrën e kalonte për nën sqetullën e krahut të dorës me të cilën mbyllte sytë me shuplakë hapur, d.m.th. me dorën e majtë mbyllte sytë dhe dorën e djathtë e kalonte nën sqetullën e majtë me shuplakë të hapur për të pritur shuplakat e lojtarëve të tjerë pjesmarrës. Lojtarët e tjerë e godisnin me shuplakat e tyre(njëri) dhe pastaj i dilnin përpara duke ngritur dorën para syve të tij dhe duke shqiptuar një “bizzzz” të stërgjatur derisa lojtari i goditur duhej të përcaktonte se cili prej shokëve e kishte goditur. Në se e gjente, ndërroheshin pozicionet, në të kundërt duhej të vazhdonte të mbyllte sytë dhe të priste goditjen e radhës nga shokët e tij e kjo vazhdonte derisa të arrinte ta gjente atë që e kishte goditur. Për këtë lojë duheshin tre ose më shumë lojtarë, por edhe dy vetë mund ta luanin e kjo varej nga besueshmëria që kishin tek njëri-tjetri. Kur e organizonin dy persona të vetëm, lojtari i rrekes duhej të gjente se me cilën dorë e kishte goditur lpjtari tjetër, me të majtët apo me të djathtën dorë. Ashtu siç thashë, kjo përcaktohej edhe nga ndershmëria e shokut me të cilin luaje, se ndodhte që gënjente dhe nuk e tregonte saktë se me cilën dorë të kishte goditur, pasi edhe ndonjë arbitër nuk kishte aty, veç ndërgjegjës se lojtarit. Edhe kjo lojë mund të luhej në kushte terreni, por mjaft mirë luhej edhe në kushte dhome.

    Kukafshetazi ose ndryshe është quajtur edhe Symbylltazi dhe është luajtur si në kushte shtëpie, ashtu edhe në kushte terreni ku ka pasur mjaftueshëm objekte ku mund të fshiheshie si trungje pemësh, shkurre, gëmusha, apo ndonjë objekt tjetër të rastit. Edhe kjo lojë është mbarëpopullore, por po e shtjelloj edhe këtë siç kam bërë e do të bëj edhe me të tjerat lojëra. Me short zgjidhej lojtari i rrekës(lojtari që duhej të mbyllte sytë) dhe në një vend të caktuar ashtu me sy të mbyllur fillonte e numëronte deri në njëqind, kohë e mjaftueshme që lojtarët e tjerë pjesëmarrës kishin mundësi të shpërndaheshin dhe të fshiheshin. Pasi e arrinte numrin njëqind duke shqiptur: “Kuk një, kuk dy, kuk tre…..kuk njëqind!” thoshte: “Hapa dollapa, kush asht fshehë përmbrapa asht i djegur nga vapa!”, hapte sytë dhe shkonte për të gjetur lojtarët e fshehur nga i pari deri tek i fundit. Kur e gjente ndonjërin prej tyre, duhej të vraponte drejt cakut dhe të pështynte duke shqiptuar “Ptu të mujsha(mundsha)” dhe në se kishte arritur atje i pari dhe kishte pështyrë në cak, e kishte djegur lojtarin e gjetur, në të kundërt duhej përsëri të mbyllte sytë për ta ripërsëritur lojën. Loja e tij përfundonte, ose më mirë të themi, fitohej kur i gjente të gjithë të fshehurit dhe i mundte të gjithë, por në qoftë se ndonjëri prej tyre ende nuk ishte gjetur, duhej medoemos ta gjente, se ndryshe loja nuk merrte fund dhe nuk quhej e fituar pa e mundur edhe atë, aq më tepër kur ky i fundit arrinte i pari tek caku dhe pështynte aty para tij. Pra në qoftë se njëri prej lojtarëve që ishte fshehur e kishte mundur lojtarin e rrekës(lojtarin që kishte pasur radhën për të mbyllur sytë), ky i fundit duhej të mbyllte sytë përsëri. Në se i kishte mundur të gjithë, atëherë lojtari që ishte gjetur i pari, do të merrte rreken. Pra duhej të mbyllte dhe të tjerët të fshiheshin.

    Ban usta si ban baba ishte një lojë dhome. Më kujtohet që kur isha fëmijë i vogël në qoshkun e shtëpisë sime në netët e gjata të dimrit mblidheshin të rinjtë dhe burrat e fisit dhe ia krisnin kuvendit rreth zjarrit. Kjo ishte një mënyrë për ta kaluar kohën e lirë në kuvende e biseda duke treguar historira e ndodhi. Aty shpeshherë flitej për hershmërinë e fshatit, për prejardhjen e fisit, për bëmat e njerëzve të dëgjuar të fisit, të fshatit apo edhe nga zona e krejt vendi. Kur u mbushej mendja, të pranishmit ia fillonin lojërave të ndryshme të cilat ishin të shumta dhe të larmishme. Ishte koha kur ende radioja dhe televizori nuk e kishin okupuar kohën e lirë të njerëzve, ndaj dhe njerëzit ishin më të lidhur me njëri-tjetrin, ishin më socialë. Në këto kushte edhe lojërat mbushnin boshllëkun e kohës dhe ktheheshin në një mjet argëtimi. Ndër to ishte edhe loja “Ban usta si ban baba!”. Në këtë lojë merrnin pjesë të rinjtë dhe burrat e pranishëm, kush dëshironte dhe njëri prej tyre e drejtonte lojën. Drejtuesi i lojës mbante një shami në dorë ku fundi i saj ishte mbledhur në formën e nyjës dhe dhe thërriste: “Ban usta si ban baba!” e pastaj bënte një gjest të caktuar si t’ia merrte mendja. Të tjerët pjesmarrës duhej ta kryenin gjestin që ai kishte bërë. Ai që gabonte goditej me shami në shpinë, ose dënohej me ndonjë ndëshkim sipas dëshirës së drejtuesit të lojës. Zakonisht lojtarët formonin një rreth ose edhe jo, por që lejohej të ndiqej nga drejtuesi i lojës e anasjelltas.

     Kube, gjik, maskarallik ishte edhe kjo një lojë pak a shumë e afërt me lojën që shpjegova më sipër. Këtu përsëri mblidheshin burrat dhe të rinjtë pjesëmarrës në lojë në formën e një rrethi ose rreshti dhe secili e mblidhte dorën grusht me gishtin e madh të ngritur lart. Drejtuasi i lojës thosht: “Kube!” dhe nëse kjo fjalë nuk ndryshonte por përsëritej vazhdimisht kështu për një kohë të caktuar, të gjithë lojtarët duhej t’i mbanin krahët e tyre të shtrirë para me grushtin e mbledhur dhe gishtin e madh ngritur lart. Zakonisht grushti mbështetej ashtu në dysheme. Drejtuesi, për t’i ngatërruar, shpesh e ndryshonte zërin dhe thërriste më me forcë: “Kube!” e në qoftë se ndonjëri e ndryshonte pozicionin dënohej, ose dilte nga loja në formë seleksionimi deri tek lojtari i fundit më i vëmendshmi që ishte edhe fituesi. Këtu duhet sqaruar se pozicioni i grushtit në thirrjen “kube” ishte me gishtin e madh ngritu lart. Pozicioni me thirrjen “gjik” duhej të ishte me gishtin tregues drejt dyshemesë dhe me thirrjen “maskarallik” grushti duhej të ishte drejtuar paralel me dyshemenë përmbys dhe gjithnjë gidhti i madh i ngritur paralel me dyshemenë. Kur drejtues thoshte “Gjik!”, bie fjala, të gjithë duhej ta drejton grushtin me gishtin e madh pingul drejt dyshemesë, në të kundërt, ai që gabonte pozicion dilte nga loja, ose ndëshkohej nga drejtuesi sipas rregullave të vendosur para fillimit të lojës: me seleksionim apo me dënime. Kjo ndodhte njësoj edhe nëse gabimi vinte edhe pas komandave apo thirrjeve të tjera si “Kube!” apo “Maskarallik!” dhe kryhej një veprim i ndryshëm nga komanda e dhënë.

     Dobidobrak luhej edhe kjo lojë në kushte shtëpie, por edhe jashtë në oborre apo sheshe. Edhe këtu si në dy lojërat që shpjegova më sipër mblidheshin lojtarët burra apo djem të rinj dhe si tek loja “Kube, gjik, maskarallik” përsëri secili lojtar nxirrte njërin krah para me dorën të mbledhur grusht dhe drejtuesi i lojës thë rriste  shprehjen: “Dobidobrak!” disa herë në mënyrë monotone. Në këtë rast lojtarët duhej të ishin të vëmendshëm dhe krahun ta mbanin shtrirë përpara, pasi po ta ndryshonin pozicionin, drejtuesi i lojës e ndëshkonte atë që gabonte duke e goditur me ndonjëshami të lidhur nyje. Në rast tjetër drejtuesi thërriste: “Onja e madhe” dhe atëherë lojtarët duhej ta ngrenin krahun lart duke e përthyer tek bërryli. Ata që nuk e tregonin vëmendjen e duhur dhe nuk i ndiqnin me kujdes thirrjet e drejtuesit, ndëshkoheshin.

     Bati-bat ishte edhe kjo lojë të rinjsh e burrash që luhej në kushte shtëpie, por pse jo, edhe në terrene të hapura. Edhe këtu pjesmarrësit formonin një rreth duke u ulur në shesh me këmbët përpara drejt qendrës së rrethit ku qëndronte njëri prej lojtarëve që me short ishte zgjedhur të qëndronte në rreke. Lojtari i rrekes qëndronte galiç në mesin e rrethit dhe me duartë e tij synonte të kapte shaminë e fshehur nën gjunjët e ndonjërit prej lojtarëve pjesmarrës. Po të arrinte ta gjente, atij që i kapej shamia futej në rreke. Në kohën kur lojtari i rrekes kërkonte se mos e gjente shaminë, lojtarët e tjerë shqiptonin shprehjen”Bati-bat” dhe ndonjër që e kishte shaminë, ose ia pasonte fshehur prej në gjunjë fqinjit të tij, ose kur rasti ishte i valitshëm, d.m.th. kur lojtari i rrekes ishte me shpinë nga ai që kishte për momentin shaminë e godiste me shami dhe të tjerët thërrisnin njëherësh: “Bati-bat! Të ra kush të ra, turrën drejt kush e ka?”. Në se e gjente se kush e kishte goditur, ndërronin vendet, në të kundërt qëndronte përsëri në rreke dhe loja vazhdonte deri sa arrinte ta kapte shaminë, ose të gjente atë që e godiste.

      Gavixh është lojë që ngjason shumë me lojën Bati-bat dhe ka të njëjtat rregulla, por ndryshon disi në mënyrën e vendosjes së lojtarëve. Në lojën “Bati-bat” lojtarët ulën rrafsh në dysheme dhe shaminë e fshehin nën gjunjtë e tyre të ngritur në formë ure, ndërsa në lojën Gavixh lojtarët qëndrojnë në këmbë në formën e rrethit me duar pas shpine duke qarkulluar shaminë që lojtari i rrekës përpiqet ta gjejë dhe t’ua marrë nga duartë për t’u zëvendësuar me atë lojtar që i kapej shamia. Edhe këtu lojtarët përpiqen ta hutojnë lojtarin e rrekes për ta goditur nga ai që nuk e pret njësoj si tek loja “Bati-bat”.

     Kapuçash  ishte një lojë që luhej shpesh kur kishte raste festash, por edhe kur mblidheshin tek shtëpia e ndonjërit për qejf. Edhe në këtë lojë kishte dy skuadro dhe njëra kishte të drejtën të fshihte unazën ndër kapuça, të drejt që e fitonte me short. Skuadra tjetër i ngrente kapuçat me radhë duke kërkuar të gjente aty unazën nën ndonjërin prej tyre. Në çdo kapuç që ngrihet ai që ngre një kapuç thotë shprehjen: “Ky kapuç për mua!” ose “Ky kapuç për ty!” dhe kështu me radhë deri sa të gjendet unaza. Në se unaza gjendet në kapuçin që kërkuesi thotë “Ky kapuç për mua” grumbullon pikët e radhës sipas vlerës që i përcakton kapuçit, por në se e gjen gabimisht në rastin kur thotë “Ky kapuç për ty” pikët i shkojnë palës kundërshtare. Kur fitohet limiti i pikëve të caktuara nga njëra skuadër më parë se skuadra tjetër, fitohet loja dhe në këtë rast skuadra fituese ngrihet në këmbë dhe u këndojnë këngë me karakter humoristik duke u thënë fjalë ofenduese, por jo me karakter keqdashës. Në këtë rast nuk pranohen hatermbetje, pasi lojtarët i pranojnë shakatë, ose nuk futen në lojë. Këto këngë janë kënduar edhe duke u shoqëruar me valle. Këtu po sjell një shembull të një lloji kënge:

       “Ky Filani rrin tërthuer (përmendej emri i ndonjërit nga skuadra apo kryesisht drejtuesit të skuadres kundërshtar)

        sillni djepin se na puell(polli)

        Qaj fisteku i rrin përbri (përmendet emri i ndonjë tjetri nga skuadra humbëse)

        asht i mir me e çu me thi.

E kështu vazhdonte kënga duke gjetur fjalë të tilla shpotitëse sipas fantazisë së drejtuesit të skuadrës fituese.

       Kjo lojë shpesh është luajtur edhe me filxhana të vendosur në një tabake filxhanash në vend të kapuçave dhe ka pasur pothuajse të njëjtat rregulla, me përjashtim që unaza në rastin e kapuçave fshihet aty në sy të të tjerëve duke futur dorën të mbledhur grusht në secilin kapuç dhe pastaj duke e fshehur sa me më finesë për të mos u diktuar se në cilin kapuç ishte fshehur ajo. Në rastin e filxhanave skuadra që ka radhën për të fshehur e merr tabakën me filxhana dhe në një vend të fshehtë larg syve të skuadrës kundërshtare e fsheh atë nën ndonjërin prej tyre. Në rastin e kapuçave shpesh përdoreshin qeleshet që burrat zadrimorë e kishin traditë t’i mbanin mbi kokë. Por shpesh edhe improvizoheshin duke përdorur ndonjë rrobë të lehtë apo shami të mbledhur shuk duke krijuar mundësinë e të fshehurit të unazës.

     Parë lojë që luhej me disa lojtarë dhe kryesisht me numër tek plus një drejtues loje. Drejtuesi i lojës thërret: “Parë!” dhe lojtarët që janë vendosur më parë në rresht për një medoemos duhet të bëhen çift d.m.th. parë me njëri-tjetrin. Mirëpo njëri mbetet i pashoqëruar, pasi grupi i lojtarëve gjithnjë është tek dhe në këtë rast drejtuesi e merr mbrapa për ta goditur me shaminë e lidhur nyje në njërin cep të saj. Lojtari i mbetur jashtë parës(çiftit) përpiqet me çdo kusht të bëhet parë me ndonjërin duke nxjerrë jashtë loje ndonjërin nga shokët.

     Bletëz ishte një lojë që luhej me tre lojtarë të cilët vendosen në rresht duke u kapur tek njëri-tjetri. Lojtari që vendoset në mes dhe simbolizon trupin e bletës vendos një kapuç në kokë dhe përpiqet ta mbrojë atë që dy të tjerët anash tij që simbolizojnë krahët e bletës përpiqen t’ia heqin nga koka. Ky duke u përpjekur ta ruajë kapuçin përpiqet t’i thumbojë ata duke imituar veprimet dhe gumëzhitjen e bletës.

      Bajrak është lojë që vë në provë zgjuarsinë dhe shkathtësinë e pjesmarrësve në të. Luhet me dy grupe lojtarësh që vendosen në distancë rreth30-40m larg njëri-tjetrit  secili grup formon një rresht e vendosen përballë grupi me grup. Në mes në një distancë të baraslarguar nga secili grup qëndron një person duke mbajtur një shami në dorën e shtrirë paralel me grupet. Ky mund të jetë edhe drejtuesi i lojës, ose mundet edhe dikush tjetër ta drejtojë lojën, por shamia që mban në dorë lojtari i vendosur në mes dy grupeve simbolizon një bajrak(flamur), prandaj edhe loja e ka marrë emrin ashtu. Drejtuesi i lojës jep shenjën e nisjes dhe lojtarët nga secili grup duke zbatuar radhën e vendosjes në rresht vrapojnë drejt bajrakut një nga një nga secili grup njëherësh dhe synojnë ta rrëmbejnë i pari bajrakun dhe ta çojë atë në grupin e tij pa u djegur. Në se digjet, merret rob së bashku me bajrakun nga lojtari i palës kundërshtare. Qëllojnë që tek bajraku shpesh shkojnë të dy lojtarët njëherësh nga secila skuadër dhe atëherë qëndrojnë në gadishmëri për ta rrëmbyer bajrakun në kohën kur e shohin se mund ta rrëmbejnë pa u goditur me shuplakë në trup a krahë nga lojtari kundërshtarë dhe kështu të arrijë tek skuadra e tyre pa u cikur. Ashtu siç e thamë, në se ia del, fiton një bajrak dhe një rob. Por edhe kur nuk arrijnë ta gjejnë momentin për ta rrëmbyer flamurin lirisht, përpiqen ta mashtrojnë kundërshtarin duke bërë sikur e kanë rrëmbyer, por pa e prekur bajrakun. Në këtë rast, lojtari kundërshtar qëllon që e godet me shuplaku dhe atëherë kundërshtari që godet pa u prekur bajraku(flamuri) humbet lojen dhe rrëmbehet si rob lufte e çohet tek skuadra tjetër kundërshtare .Fiton skuadra që ka rrëmbyer më shumë bajrakë apo robër.

    Takash Luhej nga një grup djemsh, por edhe vajzash, pra mund të jetë grup miks. Njëri prej lojtarëve me short caktohet për të qenë rreke. Ky ndjek me vrap lojtarët e tjerë për t’ua lënë takën duke i goditur me shuplakë në trup apo në krahë. Në se arrin ta godasë ndonjërin, lojtari i goditur merr rreken dhe duhet të rreket që t’ia lërë takon një lojtari tjetër dhe kështu vazhdon loja.

     Macja dhe miu në gjuhën e zonës quhej: Kapi macja minin. Edhe kjo lojë luhej nga fëmijët të moshave dhe sekseve të dryshme. Zakonisht duhej një grup me një numër të konsiderueshme lojtarësh. Lojtarët formojnë një rreth dhe kapen dorëpërdore duke krijuar në mes tyre një hapësirë të mjaftueshme që lojtarët e lirë(macja dhe miu) të kalojnë lirisht, por normalisht duke u përkulur. Në mesin e rrethit të formuar nga lojtarët e tjerë pjesmarrës rri i ulur galiç një nga lojtarët që simbolizon miun. Nga jashtë rrethit qëndron një lojtar tjetër që simbolizon macen. Lojtari që luan rolin e macës i drejtohet lojtarit që simbolizon miun me këto fjalë: “-Mini, min! Çka po ban aty?

           -Po ha ni copë buk e djathë.

           -Ma je ni copë mua!

           -Jo, nuk ta jap.

           -Unë ta marr vetë.

           -Provoje në mundesh!” dhe me këto fjalë fillon ndjekja e miut nga macja. Ishte një rregull që aty nga kalonte miu, duhej të kalonte edhe macja. Në se gabonte vendin, humbte lojën dhe në vend të tij duhej të shkonte dikush tjetër e po ashtu edhe të miut i cili kishte fituar. Në qoftë se arrinte ta kapte miun duke e ndjekur në mënyrë korrekte, fitonte ai dhe përsëri loja fillonte nga e para me dy lojtarë të tjerë. Duhet të sqaroj edhe një detaj tjetër. Gjatë kohës kur macja i sulet miut për ta kapur, lojtarët e tjerë përsërisin në kor: “Kapi macja minin! Kapi macja minin…..!” dhe kur gabonte macja, d.m.th. macja kalonte në hapësirën e gabuar, ata përsëri në kor përsëritnin: “Ka gabu macja! Ka gabu macja….!”. Siç shihet kjo ka qenë një lojë kolektive, por me rezultate individuale. Pra nuk luhej në skuadro të ndara, por individ kundër individit dhe të dalë në mënyrë individuale e vullnetare. Miu gjithnjë përpiqej ta hutonte macen duke hyrë e dalë nga rrethi i formuar prej pjesmarrësve të tjerë. Macja, ashtu siç e cilësuam edhe më sipër, nuk kishte të drejtë ta kapte miun duke i zënë pritë diku, por duhej të ndiqte rrugën që përshkonte miu dhe duhej ta kapte veç duke ndjekur këtë rrugë.

    Me pre rrugën luhej nga një grup fëmijësh dhe të rinjsh ku edhe këtu caktohej me short njëri prej tyre të merrte rrekën. Ai duhej të merrte prapa për t’i lënë rreken njërin nga lojtarët e tjerë i cili vraponte për t’iu shmangur. Ndonjëri prej shokëve i kalonte në mes distancës së krijuar dhe lojtari i rrekës duhej të ndiqte nga pas lojtarin që i kishte prerë rrugën duke e lënë të lirë të parin deri sa ky të vendoste t’ia priste rrugën përsëri. Në se rrekexhiu arrinte ta cikte ndonjërin nga lojtarët që ndiqte, ndërroheshin rolet. Edhe kjo lojë ishte njësoj si loja e takave, por kishte ndryshimin se rrekja nuk i lihej kë mundej ta godiste me shuplakë, por vetëm lojtarit që për momentin i kishte prerë rrugën. Pra në rastin e lojës “Takash” takën mund t’ia lije kë mundje të godisje më parë e jo të përcaktuar. Në lojem “Me pre rrugën” nuk mund t’i ndiqje të gjithë nga pas, por vetëm atë që ta kishte prerë rrugën. Të tjerët bënin sehir dhe kur u mbushej mendja futeshin në lojë, sidomos për të zëvendësuer lojtarin që ndiqej nga rrekexhiu.

    Marrja e mëhyrit(unazës) ishte lojë individuale dhe vinte në lojë shkathtësinë e secili lojtar që merrte pjesë në këtë provë shkathtësie. Në një tepsi apo tas të madh futej një sasi e konsideruashme mielli. Shpesh bëhej me hi zjarri, në mungesë të miellit. Në mes të grumbullit me miell, ose hi vendosej një mëhyr apo një unazë që lojtarët pjesmarrës duhej ta merrnin dhe hiqnin prej aty me anën e gojës. Lojtarit që merrte radhën për ta provuar, i lidheshin duart pas shpine. Pastaj ulej në gjunj para tepsisë me miell e me unazën vendosur aty në mes mbi miell apo hi. Duhej të përkulej me kokë drejt unazës për ta kapur dhe hequr që aty mundësisht pa ndeshur në miell, por kjo rrallherë ndodhte, pasi ishte e vështirë ta merrje prej aty pa e zhytur fytyrën në miell dhe pa u zbardhur prej tij. Fitonte lojën ai që lyehej më pak nga mielli gjatë marrjes së unazës dhe që arrinte ta nxirrte atë nga mielli. Me qenë se ishte mjaft e vështirë të merrej unaza apo mëhyri nga një pozicion i tillë dhe vetëm me gojë, shpesh lojtarët përfundonin me fytyrë të zhytur në miell pa e kapur fare unazën.

     Vezët e klerit Kjo ishte një lojë e improvizuar në raste dasmash apo festash. Ka qenë një lojë që nuk është luajtur shpesh, por në ndonjë rast të veçantë në kushte të veçanta e në mënyrë të veçantë kur shtëpitë ishin të patavanuara. Dikujt që i shkrepej ta organizonte këtë lojë që më përpara, pa u diktuar nga të tjerët kishte vendosur ca kashtë në një gojë trau ku bashkohej çatia me murin e shtëpisë. Kur miqtë e ftuar ishin grumbulluar në dhomën ku ai që kishte menduar ta bënte këtë lojë rreng, ngrente sytë si gjoja rastësisht në drejtim të vendit ku më parë kishte vendosur kashtën edhe ca kokrra vezë dhe thoshte: “More, po shiko se ku e paska ba furrikun kleri!”. Të pranishmit, që nuk e nuhatnin hilenë, pyesnin të habitur. Atëherë ky u thoshte: “Hajde e hip mbi kurrizin tim dhe numëroji sa janë por mos u trego të tjerëve se duhet ta gjejnë e ti shohin vetë!”. Kureshtari i hipte mbi kurriz dhe përpiqej ta arrinte vendin me dorën e shtrirë për të numëruar vezët. Por në këtë moment pësonte një thumbim me një gjilpërë në mollaqe nga ai që e mbarte në kurriz, i cili e kishte mbajtur fshehur në pëllëmbën e tij pa u diktuar nga të tjerët. Pastaj i thoshte në moment: “Mos trego se çfarë ke parë!”. Ky edhe nga turpi, por edhe nga që donte që të mos ishte i vetmi i rënë në atë kurth, nuk tregonte. Në këtë rast organizatori ftonte të tjerët “me pa vezët e klerit” dhe kështu e hanin(pësonin) ata që ishin shumë kureshtarë.

      Me tri fishkëllima bëhej si një lojë nga ndonjëri që donte të bënte shaka me ndonjë përson të ndonjë grupi njerëzizh. Përsoni që donte ta organizonte shakanë hiqej sikur kishte aftësinë të bënte magji me anën e fishkëllimave. Thoshte papritur: “A e dini se unë me tri fishkëllima mundem me e ulë ndonjërin prej jush prej një peme që mund të ketë hipur!”. Në se aty mund të kishte ndonjë që nuk e dinte hilenë e “magjisë” dhe që ishte gjithashtu mosbesues se personi në fjalë nuk mundej të bënte magji, kërkonte ta vinte në provë dhe kështu duke debatuar: “E bëj! S’e bën!”, i caktonte një objekt ku mund të hipte dhe duhej ta zbriste me tri fishkëllima që andej. Përsoni mosbesues shkonte atje dhe hipte mbi objektin e caktuar. Mund të ishte një pemë, një mur, një çati, një shkëmb, apo diçka tjetër. Atë moment që kishte hipur në objektin e caktuar dhe qëndronte aty i thoshte mashtruesit të fishkëllente dhe ky i fundit jepte fishkëllimen e parë e pastaj ia fillonte bisedës me të tjerët. Personi që rrinte hipur mbi objekt priste fishkëllimat e tjera triumfator se do ta fitonte bastin(kishte raste që edhe vinin një bast simbolik). Kur niste ta humbte durimin e pyeste: “Hë a po fishkëllon prap?” dhe ky tjetri sikur të ishte kujtuar ia jepte edhe një fishkëllimë të dytë dhe pastaj thoshte: “Fishkëllimen tjetër vij nesër në këtë kohë dhe ta jap në se hala nuk je ulë prej aty ti vetë!” e kështu personi i hipur në objekt duke e kuptuar rrengun, por me mjaft vonesë dhe duke humbur bastin, ulej vetë që andej. Të tjerët gajaseshin dhe përsoni në fjalë e pranonte humbjen, pasi nuk ishin përcaktuar më parë kushtet se kur dhe si do të kryeheshin fishkëllimat.

     Fluturoi zogu..   ishte lojë me karakter individual, por që luhej në grup dhe pak a shumë e përafërt me lojën Kungulleshka.  Ishte lojë shkathtësie në të folur dhe në vëmendje. Në grupin pjesmarrës secili lojtar duhej të zgjidhte një objekt si: grurë, misër, fasule, bostan, lakra, etj. dhe pastaj njëri prej tyre që merrte përsipër organizimin e lojës thoshte: “Fluturoi, fluturoi zogu dhe ra në misër(bie fjala, ose bostan apo grurë a diçka tjetër. Për ilustrim po marrim misrin).”. Lojtari që kishte zgjedhur objektin e përmendur duhej të rrinte gati dhe të thoshte: “Në misër(apo objekt tjetër që ai kishte zgjedhur, por për ilustrim po marrim misrin) s’e lë unë!”. “Po ku e çon ti?” –pyeste drejtuesi. –Unë e çoj në grurë(ose zgjidhte diçka tjetër, por për ilustrim po marrim grurin)! –Në grurë s’e lë unë! –duhej të përgjigjej ai që kishte zgjedhur grurin. –Ku e çon ti? –thoshte ai që kishte zgjedhur misrin. –Unë e çoj në bostan. –  -Në bostan s’e lë unë. –duhej të thoshte ai i bostanit e pastaj kështu vazhdonte loja. Ai që gabonte dilte nga loja deri sa mbetnin dy vetë në garë me njëri-tjetrin dhe deri sa njëri përsëri gabonte dhe tjetri dilte fitues. Kështu mund të riniste përsëri loja ose duke i mbajtur objektet përsëri, ose duke i ndërruar me të tjera objekte.Ose së fundi duke filluar një lojë tjetër,gjithnjë në varësi të kohës.

     Fluturon fluturonishte lojë që kërkonte vëmendje nga lojtarët pjesmarrës. Zgjidhej një drejtues loje i cili thoshte “Fluturon fluturon zogu!” dhe pjesmarrësit në lojë duhej ta konfirmonin me pohim duke ngritur njërën dorë lart. Humbiste lojen dhe skualifikohej i pari ai që gabonte. Në këtë rast në qoftë se nuk e ngrinte dorën lart për ta pohuar. Mirëpo ai që e drejtonte lojën i ndërronte objektet me qëllim për t’i hutuar lojtarët pjesmarrës. Bie fjala fill pas fjalës “fluturon zogu” mund të thoshte: “Fluturon, fluturon shtogu!” dhe lojtarët duhej ta mohonin duke mos e ngritur dorën. Ai që e ngrente dorën skualifikohej. Objektet zgjidheshin jo domosdoshmërisht sipas ndonjë radhe, bie fjala një që vërtetë fluturon e një që nuk fluturon, ose ndonjë radhitje tjetër. Mund të përmenden radhazi disa objekte fluturuese, shpend, sende, insekte a diçka tjetër, ose disa objekte jofluturuese radhazi dhe të miksuara. Nganjëherë mund të ishte edhe preferencë të përdorej rima si: zogu-shtogu; pata-tata; rosa-dosa; rika-Mrika; etj. por kjo nuk ishte kusht dhe ishte në varësi të dëshirës dhe fantazisë së drejtuesit të lojës.

     Cicmic është një lojë që luhet edhe sot dhe është mjaft e përhapur ndaj nuk mendoj se duhet ta shtjelloj imtësisht, por dua të shtoj se në këto zona është luajtur me dy variante. Njëri variant luhej zakonisht me 9 gurë që mund të ishin objekte të ndryshëm të një lloji si: kokrra misri, kokrra fasuleje, gurë të vegjël a diçka tjetër. Varianti tjetër me tre gurë. Në lojë marrin pjesë dy persona dhe secili zgjedh objektet(gurët) e tij të ndryshëm nga kundërshtari. Në një plan të rrafshtë, dërrasë, karton, letër a diçka tjetër vizatohet fusha e lojës që është në rastin e parë tre katrorë brenda njëri-tjetrit dhe të përshkuar nga një vizë diagonal dhe horizontal. Secili lojtar rreshton gurët sipas radhës duke vendosur nga një secili radhazi(herë njëri e herë tjatri) deri tek guri i fundit i secilit. Kur njëri prej tyre bën tre gurë rresht në një vijë vertikale ose horizontale, pra bën tresh i merr një gur kundërshtarit, ku ai dëshiron, por kurrë në pozicionin e formuar tresh në se është formuar. Kështu vazhdon loja duke synuar të formohen tresha dhe për t’i ngrënë(marrë) gurët kundërshtarit. Fiton ai që ka aftësi të formojë sa më shumë dhe sa më parë tresha dhe që i merr kundërshtarit të gjithë gurët. Në rastin e dytë vizatohet një katror dhe përshkohet nga katër vija(horizontal, vertikal, dhe dy diagonale). Lojtarët sipas radhës vendosin gurët herë njëri e herë tjetri duke synuar t’i rreshtojnë tre rresht. Fiton ai që i pari e formon treshin e tij. Dua të shtoj këtu se kjo lojë ka sjellë në gjuhën shqipe dy shprehje të përafërt për jetesën. Të tilla janë: “E ka ba jetën cicmic!” që do të thotë e ka organizuar mirë ekonominë. Shprehja tjetër është: “E ka ba jetën çel e mbyll” që do të thotë se ka siguruar jetesë të kënaqshme dhe bollek.

     Rasavizë ishte një lojë që ndryshe në Zadrimë është quajtur edhe Kamkizë, pasi kur luhej kjo lojë duhej të hidheshe me njërën këmbë mbi fushën e lojës. Ishte lojë për vajza si zakonisht, por jo rrallë luanin edhe djemtë e vegjël(fëmijë të moshave deri në13-14 vjeçarë). Në një vend të rrafshtë vizatohej fusha e lojës. Ajo mund të luhej me katër dupa(kuadrate), ose me dhjetë dupa. Sigurisht, mënyra e të luajturit ishte e njëjtë, por pak e shumë ndryshonin në disa rregulla dhe rezultate. Quheshin edhe Rrasavizë edhe pse për ta luajtur përdorej një rrasukë e vogël guri që lojtarja(lojtari) e zgjidhte sipas dëshirës së saj(tij). Kur ishte loja me dhjetë dupa; pesë djathtas dhe pesë majtas, lojtarja duhej të hidhej nga njëri dup(kuadrat) tek tjetri me njërën këmbë dhe kishte të drejtë të pushonte në dupin e pestë dhe të gjashtë. Lojën e fillonin me short dhe duhej nisur duke e hedhur rrasukën nga jashtë brenda dupit të parë. Dupi kishte pak a shumë madhësinë 50cm me 50cm ose edhe më pak. Rrasuka nuk duhej të binte në vizat kufizuese të dupit dhe as jashtë tij, pasi atë kohë radha do t’i kalohej lojtarës tjetër. Kur rrasa binte korrekt, ashtu siç thamë lojtarja hidhej kamkizë nga njëri dup tek tjetri deri tek dupi pestë dhe aty pushonte, d.m.th. e ulte këmbën e ngritur dhe kalonte tek dupi i gjashtë. Pastaj që aty duhej të kalonte përsëri tek secili dup radhazi me një këmbë deri tek dupi i dhjetë e përsëri pa pushuar fare duhej të hidhej tek dupi i parë dhe të përpiqej ta nxirrte rrasukën jasht dupit në drejtimin e hedhjes së saj. Edhe rrasuka, por edhe lojtarja nuk duhej të pushonin apo i ndeshnin vizat kufizuese të ndonjë dupi. Në se e kalonte me sukses dupin e parë, vazhdonte lojën duke e hedhur rrasukën në dupin e dytë dhe përsëri i përshkon dupat me një këmbë. Kështu vazhdon loja deri tek dupi i pestë dhe përsëri rrasuka me ndihmen e këmbës me të cilën kërcehet duhej vozitur nga dupi i pestë tek i katërti, pastaj tek i treti, tek i dyti e pastaj tek i pari dhe në fund të nxirrej jashtë, por pa gabuar e me shkelë vizat, ose me e lënë rrasen të bie mbi vizë, apo gabimisht me e ul këmbën e ngritur në tokë. Kur kalohen pesë dupat e parë, rrasa hidhet në dupin e gjashtë dhe pastaj kalohet nga dupi i pestë e në të katërtin e kështu me radhë. Kështu ndodh edhe kur shkon në dupin e dhjetë që do të thotë se duhej kthyr përsëri në të kundërt. Kur mbyllej një cikël, lojtarja(lojtari) kishte të drejtë të mbyllte njërin prej dupave sipas dëshirës. Në dupin e mbyllur kishte të drejtë të pushonte, por jo ta hidhte rrasukën, as gabimisht ta kalonte aty, pasi automatikisht dupi hapej e nuk mund të ishte më i bllokuar. Lojtarja tjetër, kur kishte dupa të mbyllur nga lojtarja tjetër kundërshtare, nuk duhej të kalonte mbi atë dup dhe as ta hidhte rrasën aty, por ta kapërcente pa e ndeshur, ndryshe humbte radhën e lojës. Në se lojtarja e dytë arrinte ta kryente ciklin e plotë të lojës dhe kishte dupa të mbyllur i zhbllokonte ata dupa që dëshironte dhe vazhdonte lojën e në të kundërt, kur nuk kishte dupa të mbyllur, mbyllte dupat e lojës sipas dëshirës së saj duke ia lehtësuar mundësitë vetës dhe vështirësuar veprimet lojtarës kundërshtare. Loja përfundonte nga mungesa e kohës dhe mund të vazhdonte një herë tjetër, ose në se njëra prej lojtareve arrinte t’i mbyllte aq dupa që lojtarja tjetër të mos kishte mundësi ta kryente lojen. Fitonte ajo, ose ai që kishte bërë më shumë veprime apo kishte arritur të mbyllte dupa më shumë se tjetra(tjetri).

     Loja me katër dupa organizohej disi më thjeshtë. Edhe këtu lojtarja duhet ta vozisë rrasukën nga njëri dup tek tjetri duke filluar në krahun e djathtë para dhe pastaj majtas pa gabuar. Këtu fitohet loja kush bën më shumë seanca. Ndryshon nga loja me dhjetë dupa se këtu nuk mbyllen dupat; nuk ecet nëpër dupa pa vozitur rrasukën; nuk pushohet në asnjërin prej dupave dhe vozitja e e rrasukës duhet të bëhet në krah të kundërt nga dupi i parë tek i katërt dhe jo e kundërta nga i katërti tek i treti, i dyti dhe i pari e për ta nxjerrë jashtë.

      Guriç ishte lojë që luhej kryesisht nga vajzat duke xhongluar me guriçka të vogla që lojtarja i zgjidhte sipas dëshirës së vet. Zakonisht madhësia e guriçit ishte pak a shumë sa një kokërr ulliri ose pak më i madh. Zakonisht luhej me pesë guriç. Lojtarja i fuste ato në grusht dhe zgjidhe njërin prej tyre të cilin e mbante me dy gishtat e dorës ku kishte edhe katër guriçët e tjerë. Zakonisht e mbante me mollëzat e gishtit tregues dhe gishtet të madh e duhej ta hidhte në ajër, të hidhte në tokë guriçët e tjerë dhe pastaj ta priste përsëri pa rënë në tokë guriçin e hedhur lart. Në të kundërt loja i kalonte lojtarës tjetër. Pasi e kryente këtë veprim duhej ta hidhte përsëri guriçin lart dhe pastaj të merrte njërin nga guriçët e ta vendoste pranë një tjetri e kështu deri tek guriçi i fundit duke i bëtë të gjithë bashkë, pastaj duke e hedhur përsëri guriçin lart në ajër e pastaj duke i marrë të gjithë në grusht e duke pritur gjithashtu edhe guriçin e hedhur pa rënë në tokë. Në se binte në tokë digjej loja dhe i kalonte radha tjetrës. Por digjej loja edhe në se nuk arrihej të merreshin në grusht të gjithë guriçët. Gjithnjë loja bëhej veç me njërën dorë, d.m.th. me të njëjtën dorë hidhe guriçi e po me atë dorë mblidhen guriçët dhe po me atë pritet guriçi i hedhur lart. Pasi kryhet kjo seancë, fillon një seancë tjetër duke i marrë guriçët e hedhur nga një, pastaj nga dy, pastaj nga tre dhe pastaj të gjithë njëheri. Kur kryhet edhe kjo seancë përsëri lojtarja i hedh guriçët në tokë dhe pastaj me gishtin tregues të dorës tjetër hedhur mbi gishtin e mesit dhe gishtin e madh kaluar mbi dysheme duke formuar një urë. Pas kësaj lojtarja hedh guriçin e zgjedhur dhe me radhë mundohet të kalojë një nga një guriçët nën urën e krijuar prej dorës tjetër. Pasi i kalon me sukses, përsëri i hedh në shesh dhe pastaj duke e shtrirë dorën e lirë me gishta hapur dhe pastaj duhej ta hidhte përsëri guriçin e zgjedhur dhe me radhë të merrte një nga një guriçët e hedhur dhe t’i vendosë në shpinën e dorës tjetër rresht përballë secilit gisht. Këtu loja mbaron duke shënuar një lojë të fituar nga lojtarja dhe fillon lojën tjetër. Si zakonisht, në këto lloj lojërash kur përfundonte një lojë me fitorën e njërit apo njërës lojtar(e) dhe tjetri nuk arrinte të çonte deri në fund lojen e vet, lojtari që fitonte i thoshte: “Ta lashë një ngardhe”. Pra bënte një ngardhe për lojtarin tjetër, ashtu siç e kemi përmendur edhe tek loja “Shkop e cingël” ku quhej “një gomar” për kundërshtarin. Nganjëherë edhe këtu quhej ngardhe. Këtu dua të shtoj se kur njëra lojtare gabon dhe humb radhën e lojës, kur e rifiton përsëri radhën, e rifillon aty ku e kishte lënë më parë dhe jo nga fillimi.

Guriç(lojë popullore)   Loja Guriç nganjëherë luhej edhe me dy, ose tre guriç. Nuk kishte një rregull të caktuar si me pesë guriç. Kjo lojë luhej duke i hedhur e pritur guriçët herë njërin dhe pa pritur të parin hedhej i dyti e pastaj të tretin. Pra ishte një lloj xhonglimi.

     Hanësh ishte lojë që luhej me gurë të vegjël, me kokrra kumbullash të vogla, me kokrra thanash, me fasule a diçka tjetër. Sasia e këtyre objekteve që duhej të ishte një numër i caktuar prej njëzet a diçka më shumë, shpërndahej në disa grumbuj që quheshin hanë. Mënyra e shpërndarjes dhe e rishpërndarjes kishte ca rregulla të caktuara dhe sipas tyre diku mund të krijoheshin boshlleqe deri në përfundim të të gjithë lojës.

     Penadhokë ishte lojë që luhej kryesisht nga djem. Secili prej tyre kishte nga njëzet gurë të vegjël dhe i kishte futur në xhepin e pantallonave (brekeshave kur nuk përdornin pantallona). Njëri prej tyre merrte një sasi të caktuar prej aty dhe i fshihte në grushtin e dorës. Lojtari tjetër duhej të gjente numrin e saktë të gurëve që kishte fshehur në grusht dhe duhej t’i gjente me herën e parë. Në rastin kur i gjente saktë sasinë e gurëve të fshehur, ia merrte ato dhe pastaj e fillonte ai lojën. Në rastin e kundërt duhej t’ia jepte atij aq gurë sa kishte pasur të fshehur në grusht shoku i tij. Në se lojtari që ka fshehur gurët në grusht i fiton edhe aq gurë nga shoku i tij, e vazhdon lojën duke fshehur sasi gurësh përsëri në grusht dhe loja përfundon kur njëri nga ata ia ka marrë të gjithë gurët shokut(kundërshtarit) të tij.

      Kopsash(Komçash) luhej kryesisht nga djemtë dhe ishte e përhapur gjithandej, por me që ishte edhe kjo lojë pjesë e traditës, po e shpjegoj shkurt. Djemtë, dy ose më shumë prej tyre vinin një cak duke ngulur pingul në tokë një shkop të vogël dhe aty formonin një gropëz të vogël. Gjuanin me radhë secili me komçat e tyre në drejtim të cakut. Kush arrinte ta hidhte komçën në gropëz e kishte të fituar dhe kështu kishte radhën për t’i shtyrë komçat e të tjerëve drejt gropës me anën e gishtit tregues duke i hedhur nga pozicioni që ato ishin vendosur nga hedhja. Në se arrinte t’i hidhte në gropë e fitonte atë komçë. Në të kundërt kishte radhën për ta provuar lojtari tjetër që pas tij i ishte afruar më afër cakut. Rregulli ishte që kur fillonte t’i shtynte komçat drejt gropëzës duhej të niste nga komça më e largët dhe jo më e afërta. Shpeshherë në mungesën e komçave, në fëmijërinë time luanim edhe me copa filxhanash të thyer që i gjenim nëpër rrënojat e shtëpive të vjetra të fshatit. Por nganjëherë përdorshin edhe njëlekësha, megjithëse edhe ato na mungonin tmerrësisht shumë.

     Këtu më sipër paraqita disa nga lojërat popullore që janë luajtur në zonën e Zadrimës dhe të Mirditës ashtu siç unë i kam ditur dhe kujtuar ato. Në një pjesë të madhe prej tyre unë kam marrë pjesë dhe kam luajtur edhe vetë. Ka edhe mjaft të tjera lojëra që unë nuk i kam paraqitur këtu, ose nuk më janë kujtuar, ose i kam kujtuar si tituj, por që nuk më kujtoheshin saktë rregullat. Të tillë janë lojërat: “Hu-hu picigu!”;  “Ku më vate?-Prite se e pate!”, “Shitja e kripës”, “Me ba gajtana”, “Fshehja e lekut”, “Me pre dërrasa”, etj. Gjithsesi mendoj se ia vlen një ekspoze sado e shkurtër të kësaj tradite, pasi ato mbushnin jetën shoqërore të zonave nga ato janë aplikuar dhe zhvilluar. Sigurisht, me kalimin e kohës ato e humbën vlerën e tyre dhe nuk u interesuan aq shumë për to njerëzit, pasi boshllëkun e kohës nuk kishin më nevojë ta mbushnin më pasi në vend të tyre u fut televizori, u futën lojërat të tjera të kohës siç ishte futbolli për djem, apo volejbolli e basketbolli si dhe loja luftash, po me top për të dyja gjinitë, djem e vajza.

                                                                                                                                  1 tetor 2017

 

 

 

Një mendim mbi “Lojërat popullore në Zadrimë e Mirditë

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s