Tradita e Zadrimës në prodhimin e mëndafshit dhe të punimit të kostumeve popullore zadrimore me produkte mëndafshi

 

    A-IMG_1252Gjithnjë, në kuadrin e gjurmimit të fjalës së rrallë popullore gjatë viteve ’70-’80, një nga drejtimet kryesore ku unë isha përqëndruar, ishte edhe tradita e prodhimit të mëndafshit në zonën e Zadrimës. Zadrima ka qenë një nga trevat që jo vetëm ka krijuar një traditë të pasur në prodhimin e mëndafshit por edhe në përdorimin e gjërë të tij në veshjet tradicionale popullore. Kjo traditë është mjaf e hershme dhe është trashëguar brez pas brezi deri në ditët e sotme. Për hershmërinë e kësaj tradite të shkelqyer na flasin qartë qoftë përdorimi i gjërë i produkteve të mëndafshit në punimin dhe stolisjeve të kostumeve popullore zadrimore, qoftë leksiku i ngulitur dhe i përhapur në të gjithë zonën, leksik që lidhet drejtpërdrejt me prodhimin dhe përdorimin e mëndafshit.

      Prodhimi i mëndafshit nuk ishte një gjë krejt e thjeshtë dhe e pamund. Për prodhimin e mëndafshit duhej krijuar një eksperiencë dhe traditë e veçantë dhe jo çdokush mund t’ia dilte me sukses,vetëm e vetëm se kishte dëshirën për të prodhuar mëndafsh. Së pari duheshin plotësuar disa kushte elementare që ky proces të kryhej me sukses. Së dyti duhej një përkujdesje e veçantë dhe një përkushtim e vëmendje e veçantë nga ata që duhej të merreshin me këtë proces. Së treti duheshin gjetur mjetët që ndihmonin në prodhimin e mëndafshit. Dhe së fundi duhej që ta kishe eksperiencën apo dijet e domosdoshme në këtë drejtim.

      Këtu më poshtë unë po përpiqem ta shtjelloj qoftë mënyrën dhe mjetët e nevojshme për prodhimin e mëndafshit, qoftë terminologjinë që lidhet me këtë traditë në Zadrimë. Së pari dua ta sqaroj se mëndafshin e prodhon një lloj insekti që në gjuhën e popullit quhet krimbi i mëndafshit. Pra nuk do të ishte e drejtë, ose më mirë të themi, e saktë, të thuhet për njerëzit që e prodhojnë mëndafshin po ashtu siç nuk mund të thuhet se bletrritësi prodhon mjaltin kur dihet se mjaltin e prodhon veç bleta për të cilen bletërritësit kujdesen dhe e mbarshtojnë. Më saktë duhej thënë se njerëzit kultivojnë dhe mbarshtojnë krimbin e mëndafshit i cili prodhon mëndafsh. Zakonisht në Zadrimë me kultivimin e krimbit të mëndafshit janë marrë gratë dhe kjo ka qenë një traditë, jo si nevojë për ta tregtuar, por si nevojë për të siguruar produktet e nevojshme që duheshin për prodhimin e veshjeve që kryesisht i kryenin gratë zadrimore. Kur kishte prodhim më shumë se nevojat, atëherë mëndafshi dhe produktet e tij ktheheshin në objekt tregtie. Këtu po bëj me vetën time si dhe me lexuesin një pakt që gruan zadrimore që merrej me mbarështimin e krimbit të mëndafshit dhe prodhimin e mëndafshit ta quaj thjeshtë kultivuesja e mëndafshit. Në vijim do të përdor këtë term dhe lexuesi duhet të nënkuptojë gruan që merret me kultivimin e mbarshtimin e krimbit të mëndafshit.

      Kur një grua zadrimore vendoste të merrej me kultivimin e mëndafshit, së pari ajo interesohej të siguronte farat(vezët) e krimbit të mëndafshit. Farat siguroheshin, ose duke i blerë në treg nga ato gra që i kishin ruajtur veç për t’i shitur, ose i kishte pasur që më parë dhe i kishte ruajtur enkas për këtë gjë, ose i merrte nga të njohura të saj apo i lypte hua. Gjithsesi, këtu dua të saktësoj se kultivimi i mëndafshit nuk kryehej në çdo kohë të vitit, por vetëm në pranverë kur gjethet kishi shpërthyer dhe rritur mjaftueshëm si dhe koha ishte nxehur mjaftueshëm. Pra kultivuesja, kur i siguronte farat(vezët e larvave të ardhshme), ajo duhej t’i nënshtrohej një përkujdesi të veçantë për t’i bërë që ato të çelnin dhe të rriteshin me suksesin e duhur. Përkujdesi i veçantë fillonte që me ngrohjen e farave dhe bërjen e mundur që ato të çelnin me sukses pa dështuar dhe kjo donte një kujdes tepër të veçantë. Këtu duhet ta them se përkushtimi i veçantë e detyronte që kultivuesja e mëndafshit farat(vezët) duhej t’i ngrohte me ngrohtësinë e trupit të saj. Këtu po citoj shpjegimin e një kultivueseje nga fshati im të cilës nuk po ia përmend emrin edhe për etikë. Ajo, duke më shpjeguar proçedurat e kultivimit dhe të rritjes së krimbit të mëndafshit më thoshte: “Vashat(farat e krimbit të mëndafshit) i futnim në gji pasi t’i kishim mbështjellë me një gjethe lëpushke apo një pece(leckë) e pastër dhe kështu i kuanim për tri ditë rresht duke mos i nxjerrë nga trupi veç në mbramje kur donim të flinim. Në mbramje i vendosnim afër oxhakut të zjarmit që të mos ftoheshin gjatë natës.”. Siç shihet këtu që në fillim na dalin dy fjalë që mendoj se duhen analizuar si terma të rralla në fjalën shqipe. Këta fjalë janë: vasha dhe kuaj si dhe fjala farë që lidhet edhe me fjalën vasha. Me fjalën vasha nënkuptohen vezët e krimbit të mëndafshit dhe mendoj se meqenë se nga këta lindnin larvat e krimbit të mëndafshit, jan quajtur vasha(vajza) si në përkëdheli.

     Fjala tjetër që del këtu është kuanim(kuaj). Edhe kjo fjalë ka një kuptim tjetër zakonisht. Si zakonisht kjo fjalë në gjuhën e zonës ka kryesisht kuptimin e të mëkuarit me ushqim një fëmijë apo një përson të sëmurë dhe të pamundur për t’u ushqyer vetë me duartë e veta. Këtu ka një kuptim krejt tjetër dhe kryesisht ka kuptimin e të ngrohurit natyral për ta sjellë ne kushte të favorshme për t’u ngjallur larvat nga vezët. Po kështu del edhe fjala farat që do të kuptojë vezët e larvave. Kjo fjalë pothuajse ka kuptim më të përafërt me kuptimin parësor të saj. Fara e misrit, fara e krimbit të mëndafshit. Nga e para del bima, nga e dyta del larva.

     Duke e vazhduar më tej shpjegimin e saj kultivuesja e mëndafshit më thoshte: “Mbas tri ditësh që i kuanim në gji vashat(farat apo vezët) krymat e vegjël të mundashit i hapnim në një ballashtuer qerri tuj iu shtru gjethe të njoma mandash të butë. Këtë punë e bajshim për gjashtë javë rresht. Javën e shtatë krymi hypte në shikë. Nuk përdornim gjethe mandi të egër dhe as nga mandat e surfulluem dhe as të spërkatun me shllinë sheke, se atëherë krymi i mundashit vdiste.”.

     Siç shihet edhe këtu në fjalën e kultivuesës së mëndafshit dalin në pah disa terminologji të veçanta si: ballashtuer qerri, surfulluem, vdiste, si dhe shprehja: hypte në shikë. Duke i analizuar këto terma, shohim se fjala ballashtuer qerri tregohet mjeti ku zakonisht shtrohej e ushqehej krimbi i mëndafshit. Qerri ishte mjet transporti që përdornin fshatarët për transport të materialeve të ndryshme bujqësore. Me sa duket fjala duhet të jetë për një shtrat qerri dhe kjo duhet të ishte vendosur në ndonj ahur, pasi ishte e pamundur të futej në dhomat e gjumit të një shtëpie. Megjithatë, siç do ta shohim edhe më poshtë, mbarështimi i krimbit të mëndafshit donte kushte të veçanta.

     Fjala surfulluem ka kuptimin të spërkatur me herbicide të ndryshme; me kimikate. Gjithashtu këtu kemi edhe termat e tjera si vdiste, vërejmë se ajo grua nuk e përdor fjalën ngordh apo cof si për gjallesat e tjera, por vdes siç thuhet për njerëzit dhe për bletët. Pra është përdorur një eufemizëm. Edhe shprehja: hypte në shikë ka kuptimin kur krimbi fillon e transformohet duke u kthyer në krisalid nga i cili më vonë dilte flutura që pillte vezët. Para se krimbi të kthehej në krisalid fillonte dhe endte fijet e mëndafshit duke u mbështjellur me të dhe me një formë të përsosur formonte fshikëzën e tij ku do të flinte për gjatë gjithë dimrit. Në të vërtetë, krimbi nuk hipte në fshikë, por krijonte fshikëzën rreth trupit të tij ku pastaj kthehej në krisalid.

     Më tej ajo shpjegonte: “Gjethet e mandit i mblidhshim të pastra dhe i futshim në thasë të pastër. Në shpi i lejshim të grumbullueme grufull në një qoshe të pastër të odës.”e ajo vetë i jepte shpjegim fjalës grufull. “I linim ashtu grufull që të mos ngjesheshin dhe të kalbeshin, por edhe të ajroseshin e të mos vyshkeshin shpejt e t’i humbnin cilësitë ushqimore. Kur krymi donte të hypte në shikë, -tregonte ajo, -jepte disa shenja karakteristike duke luajtur ktyetin majtas e djathtas. Atëherë ne e kuptojshim se kishte ardhë koha me i shtru landën. Landa që ne zgjidhnim përbahej prej gaxhekë shege ose dushku.”. Edhe këtu dalin në pah tri terma të veçantë siç janë: grufull, landë dhe gaxhekë. Fjala grufull nënkupton vendosjen e degëzave dhe gjetheve grumbull dhe të pa ngjeshura, por me lirshmëri për të depërtuar ajri në brendësi. Edhe fjala landë nënkupton një material krijuar prej degëza pemësh a shkurresh. Edhe fjala gaxhekë nënkupton degëzat e pemëve apo të shkurreve pa gjethe, d.m.th më gjethe të hequra.

      Duke u shprehur më tej ajo shtonte: “Gjatë kohës që krymi hypte në shikë e rujshim me kandil në dorë tan njerëzit e shpisë me radhë e nuk lejshim kand me ba zhurmë, se krymi në këtë kohë nuk donte zhurmë, po qetsi. As micën nuk e lejshim me hy mrenda odës se këputej fija e mundashit e bahej xum. Pra në këtë rast, kur fija këputej thojshim: asht ba xum.”. Siç shihet edhe shprehje asht ba xum është një shprehje që nuk haset shpesh dhe pothuajse për asgjë tjetër veçse për fijet e mendafshit kur ato endeshin dhe, siç thoshte kultivuesja e mëndafshit, këputeshin. Po kështu vetë fjala xum si fjalë më vete nuk ka ndonjë kuptim të qensishëm.

 

       Pasi sqaruam mënyrën e prodhimit të mëndafshit, kushtet dhe mjetët dhe, pasi analizuam disa nga termat më interesante lidhur me këtë çështje, e kam parë me shumë vend të shkruaj edhe për traditën e mrekullueshme të përpunimit dhe përdorimit të këtij materiali të çmuar në përgatitjen dhe stolisjen e veshjeve tradicionale të Zadrimës. Dhe këtu ka shumë për të folur, por unë do të mundohem të paraqes gjërat më kryesore dhe më pikante duke u përpjekur të analizoj kryesisht terminologjinë që lidhet me këtë proces. Sigurisht, edhe këtu do të mbështetëm kryesisht tek biseda me kultivuesen e mëndafshit nga fshati im  shumë vite më parë, këtu e tridhjetë e pak më shumë vite kur unë gjurmoja fjalën e rrallë popullore. Kështu, ajo duke treguar përvojën e saj, shprehej:

     “Për me nxjerrë fijën e mundashit, zakonisht shikat e mundashit janë çuar në Shkodër. Atje ka pasë njerëz të veçantë që janë marrë me këtë punë, por ka pasë edhe këtu njerëz që i kanë nxjerrë fijet e mundashit vetë pa i çu në Shkodër. Për t’i nxjerrë fijet e mundashit, i merrshim shikat dhe i hidhnim në ujë të vluem dhe i linim aty për nja dy orë të mira, masandej merrnim një degë ferre dhe me të i përzinim shikat e vlueme në ujë. Nga kjo përziemje dilte një fije e hollë mundashi që ne i thojshim lez. Kjo ishte maja e mundashit. Me këtë lloj fije mundashi ne banim boçe, peshqirë, këmisha etj. Këto ne nshpesh i quanim: peshqir melez, kmishë meleze, boçe meleze.”

     Siç shihet këtu del termi lez që emërtohet fija e hollë që përftohet nga shprishja e fshikëzave të mëndafshit dhe me të cilin endeshin pëlhurëra të mëndafshta të cilat quheshin edhe meleze. Një produkt tjetër që dilte nga këto fshikëza ishte edhe harkati që ishte një fije më e trashë se lezi. Pëlhurat që i endnim me ta i quanim harkate si këmishë harkate, peshqir harkat, boçe  harkate, etj

     Më tej vazhdonte: “ Pjesën tjetër që mbeste pa ia marrë fijen e shprishnim me gërhanë ashtu siç shprishim edhe leshin. Ne i kemi dallu mirë lezin me harkatin. Lezin edhe e kemi kombinu me pamuk kur i kena endë, por harkati ka qenë mundash i pastër e i papërziem.”.nga fshikëza e mëndafshi deri tek ornamenti popullor zadrimorfshikëza mëndafshi dhe punime popullore zadrimore

     Për përgatitjen(endjen) e pëlhurave që shërbenin në përgatitjen e rrobave dhe kostumeve popullore përdoreshin fije të ndryshme prej mëndafshi të ngjyrave dhe trashësive të ndryshme që jepnin nuanca të veçanta dhe të ndryshme, sipas dëshirës së endëses(me endjen e pëlhurërave merreshin kryesisht gratë dhe vajzat zadrimore), por pak a shumë motivet ishin krahinore e tradicionale. Bie fjala,këmisha ishte e bardhë dhe kishte një formë unike, pavarësisht se përdorej një fije më e trashë apo më e hollë, ose pavarësisht se qaforet(jakat) qendiseshin me ornamente të ndryshme mëndafshi, apo në se i futej pak më shumë harkat apo pak më shumë lez e pak më pak pambuk, ose e kundërta. Ose bie fjala nuk do të ishte tradicionale e Zadrimës në se në vend të koretit të përdorej xhubleta apo dollama. Në këtë rast dilte nga tradita dhe nuk quhej më veshje zadrimore, por diçka tjetër. Këtu po e sqarojmë me raste më konkrete duke përcaktuar pëlhura dhe objekte të veçanta krijuar prej pëlhurërave të caktuara si dhe terminalogjinë e përdorur në këtë rast. Endësja që kur shtronte fijet për të krijuar pëlhurat në vegjë i kombinonte ato duke shtruar disa fije të holla dhe më tej disa fije të trasha, pavarësisht ngjyrave, pëlhura e dalë prej kësaj endjeje ka nuanca të dukshme si një fushë me kuadrate harmonike. Kjo lloj pëlhure është quajtur odalihe që do të thotë pëlhurë e endur me oda. Por ka pasur edhe një emërtim tjetër si topalie, pëlhurë me topa si bohçe topalie.

      Pëlhura që endej në vegjë(vekë) në Zadrimë është quajtur edhe me emrin anë.  Kështu edhe këmishat e qepura nga kjo lloj pelhure janë quajtur edhe këmishë me anë. Për këmishat e qepura me pëlhurë ku është përdorur harkati janë quajtur me emrin këmishë harkate dhe kur pëlhura është endur me lez, d.m.th. me fije të hollë mëndafshi zakonisht janë endur enkas veç për peshqirët që gruja zadrimore mbulonte kokën me të. Këta peshqirë janë quajtur peshqir me lez . Kjo lloj pëlhure zakonisht nuk përdorej për qepje këmishash, pasi ishte mjaft e hollë dhe e tejdukshme. Mund të kombinohej harkati, ana dhe lezi në qepjen e krahëve të këmishave, por jo trupi i këmishës.

     Kur pëlhura është endur e tëra me mëndafsh është quajtur anë mëndafshi, ndërsa kur në vend të mëndafshit është përdorur fill pambuku të një cilësie të lartë dhe të ndritshme është quajtur anë qerfoze. Një tjetër lloj pëlhure e endur me lesh të bardhë rud(merinos) dhe të ndritshëm  është quajtur dumash. Dumashi ishte një lloj shajaku që përdorej për xhamadana, anteri dhe herë herë edhe për të qepur çakçirë.

      Një traditë tjetër e bukur dhe e pasur për popullin e Zadrimës ka qenë edhe qendisja dhe punimi artistik ornamental i veshjeve dhe kostumeve popullore me kombinime të përsosur ngjyrash, formash e motivesh. Në lidhje me punimin e veshjeve e sidomos me zbukurimin e tyre ornamental ka një leksik të pasur ashtu siç është e pasur llojshmëria e tyre. Për ta studjuar këtë leksik më konkretisht po bëj këto grupime fjalësh dhe shprehjesh popullore.

   a)Leksiku që lidhet me formën dhe përmbajtjen e qendisjeve popullore.

   b)Leksiku që lidhet me lëndën e parë dhe mjetet e punës që përdoren në qëndistarinë dhe përgatitjen e kostumeve popullore.

     Po t’i analizojmë hollësisht që të dy grupimet, do të ishte një temë shumë e gjërë, por unë po ndalem tek e para, pasi edhe këtu ka një leksik mjaft të pasur. Duke e analizuar këtë po paraqes këto grupime emërtiesh të ornamenteve popullore:

  1. Emërtimi sipas ngjashmërisë dhe objektit të natyrës të imituar në qëndisma.
  2. Emërtimi sipas mënyrës së paraqitjes së ornamentit në formë dhe përmbajtje.

    Kostumet popullore dhe orenditë e pajisjet e tjera shtëpiake që i kanë përmbajtur këto ornamente, kanë qenë më tepër çorapet, këmishat e burrave e më shumë ato të grave në dorëza e qafëza që më shumë quheshin kolira, këmbëzat e brekeshave të burrave dhe të brendshmeve të grave, të xhepave të brekeshave, peshqirët e kokës të grave, bohçet dhe paftat që përdornin gratë zadrimore, trastat (strajcat siç i quanin ndryshe ato), jastekët, mësallat, shtrojsat e bukës, si dhe lloj-lloj qëndismash të tjera me grep e gjergjef. Tek këto objekte populli ka imituar më së shumti objektet e natyrës dhe për këtë arsye edhe zbukurimet(ornamentet) edhe i ka emërtuar shpesh sipas objektit që ka pasqyruar apo të cilit i ngjajnë. Të tilla emërtime ornamentesh janë: gota-gota, gjethe, dhamç(dhëmbç), gjarpnushë, odë, urë, pare, burma, dërrasë, sheqere, zogj, etj. Nga fjala zogj që vjen nga fjala zog dhe jo kryesisht që imitohet apo paraqitet me përpikmëri një shpend, dalin disa togfjalësha që kanë lidhje me qëndismat dhe zbukurimet popullore si dhe ndonjë shprehje e veçantë. Të tilla togfjalësha janë: zogj lulesh, zogj kuleç, zogj sixhade, zogj mblidheshtrij, zogj birali, zogj ciklor, zogj gota, zogj dërrasë(që bëhen në peshqirë duke përdorur dërrasën si mjet endjeje), etj. Nga fjala zog(zogj) kanë dalë edhe shprehjet: Tash jam ndër zogj që do të thoshte se e kishte endur pjesën tjetër të pëlhurës dhe ishte në momentin e zbukurimeve me ornamente të ndryshme, ose shprehje si: ka mbathë çorapë me zogj, zogjtë e peshqirit i paskan dalë të bukur, endja ka mbërri ndër zogj, përfundova zogjtë e parë të peshqirit, etj. Këtu mund të sqaroj secilën shprehje dhe kryesisht: “ka mbathë çorape me zogj” do të thotë që çorapet që ka mbathur i ka të thurura me ornamente të ndryshme sidomos në kallmat e tyre, por sidomos pjesët e sipërme. Das- Çorape nusesh zadrimore ; “zogjtë e peshqirit i paskan dalë të bukur” do të japë një vlerësim për ornamentet që janë qendisur gjatë endjes së peshqirit që përdornin për të mbuluar kokën gratë zadrimore. Në foton e mëposhtme paraqiten dy nuse zadrimore ku dallohen qartë peshqirët me të cilët ata mbulonin kokat dhe po kështu dallohen qartë edhe ornamentet e zbukurimit me to. Por gjithashtu, aty shihen qartë edhe zbukurime të tjera me qendisje në jakat e këmishave(kolirat), dhe grykat e këmishave si dhe në dollama e xhamadana. Po te shihet me kujdes në peshqirë dallojmë se si mjet punimi(endjeje) është përdorur melezi(lezi) ose më saktë, fija e hollë e mëndafshit për të cilën kemi folur edhe më sipër. Gjithashtu, po të shihet me kujdes, tek peshqirët dallohen të dy skajet të ornamentuara dhe jo vetëm njëra anë, prandaj tek peshqiri janë endur “zogjtë” e parë dhe “zogjtë” e mbramë(të fundit).

Das- nuset e Zadrimës - Copy

    Këtu e shoh me vend të sqaroj se fjala zog(zogj) vjen si rezultat i imitimit të shpendëve dhe kryesisht shpendve të vegjël që në përgjithësi në gjuhën zadrimore quhen thjeshtë zogj të egjër duke nënkuptuar harabelat, gardelinat, gushëkuqat, bilbilat, trishtilat, etj. që edhe kanë një bukuri të veçantë nga puplat disangjyrëshe. Nuk janë nënkuptuar me emertimin “zogj të egjër” shqiponjat, skifterët, rosat, patat e egra etj. ashtu siç me emrin zogj janë nënkuptuar edhe të vegjlit e shpendve të ndryshëm si të pulave, patave, bibave, rikave, shqiponjave, qyqeve, mëllinjave, sorrave, laraskave, grizhave, etj.

     Një emërtim tjetër i ornamenteve dhe zbukurimeve popullore ka qenë edhe sipas mënyrës së paraqitjes së ornamentit në formë dhe në përmbajtje, ose sipas mjetit të përdorur në përgatitjen e ornamentit. Të tilla janë: dredhizë, përdredhëza, gojëmëgojë, shkop, gajtana, spik, imca, odanik, mjedis, anëz, si dhe ngazë që quhej kthimi i palës së fundit të një këmishe. Sidomos në qëndisma dalin edhe termat:”punë kryq” dhe “punë shkop” si dhe “moline” që ishte filli i ngjyrave të ndryshme dhe që qëndistaret e përdornin për të bërë ornamente të ndryshme. Moline ishte prej mëndafshi, ose një material i zgjedhur dhe i ndritshëm. Gjithashtu aty dalin edhe termat “saten” dhe “sakez” që, në dijeninë time ishin  pëlhura të një cilësie të veçantë, ashtu siç ishte edhe poplinikambriku, katërliqja, fanellata, faqelli etj. Po kështu darrasë ishte ornamenti që punohej duke përdorur dërrasën në endjen e pëlhurës dhe zbukurimin e saj ornamental. Gjithashtu, edhe një lloj tjetër ornamental apo zbukurimi ka qenë edhe pupla. Kjo sidomos në jastekë apo edhe në sixhade. Duhet thënë se jo mbushja e jastekut shpesh i ka dhënë kuptim termit jastek me pupla, por edhe mënyra e punimit dhe e dekorimit të tij i ka dhënë këtë emërtim. Puplat ishin disa fije që dilnin në faqet e jastekut në një gjatësi të caktuar afro 1cm apo pak më shumë. Një tjetër ornament ka qenë edhe tufa. Tufat zakonisht viheshin në trasta dhe jastekë, por edhe në bohçe në anët e saj a në dy anët e midisave

Das- Qëndisje zadrimore - CopyA-punime me vekë

Das- Çarçafë të qendisur

Çorapedekoracion zadrimor

Das- Nuse zadrimore nga N. Shaben

Das- strajcë zadrimore

Das-kater brezni veshjesh             dekoracione populloredhe punime në vegj                                                                                                                                                                 Po të shihen me kujdes fotot e paraqitura këtu gjejmë ilustime të bollshme për materialin e paraqitur  më sipër. Po të shihet fotoja e fundit aty dallohen gra të moshave të ndryshme si dhe një vajzë e vogël me kostume popullore zadrimore. Ornamentet në veshje janë të larmishme dhe të dallueshme sidomos tek bohçet që secila prej tyre mban. Mjedisat e bohçeve janë qendisur në forma të ndryshme dhe dallojnë nga njëra bohçe tek tjetra, po kështu edhe ngjyrat janë kombinuar e gershetuar nga e kuqja tek e bardha. E kuqja mbizotëron tek gratë më të reja në moshë dhe kjo dallohet qartazi. Tek fotoja tjetër më sipër paraqitet një trastë tradicionale zadrimore dhe aty dallohen qartazi  ornamentet e zbukurimit si dhe tufat nga anash saj. Në fotot e tjera janë paraqitur edhe rroba të tjera të zbukuruara në mënyrë tradicionale si dhe objekte të përdorura në endje siç janë vegjët dhe procesi i përdorimit të tyre. Tek fotoja e nuses e dalë solo dallohen qartë zbukurimet në veshjet e ndryshme që ajo ka veshur, por këtu dua të nenvizoj se karakteristikë dalluese është edhe kombinimi i lezit me harkatin si dhe pambukun tek krahët e këmishës.

                                                                                                                                   4 tetor 2017

.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s