Foljet në mënyrën urdhërore në gjuhën shqipe dhe rastet e keqpërdorimit

    AA-IMG_1242     Foljet në gjuhën shqipe zgjedhohen nëpërmjet gjashtë mënyrave të shtjelluara dhe tri të pashtjelluara si dhe në kohë dhe veta të ndryshme. Mënyrat e shtjelluara janë: Dëftore; Lidhore; Kushtore; Habitore; Dëshirore; Urdhërore. Mënyrat, apo siç i quajmë edhe ndryshe Format e pashtjelluara janë: Pjesore; Paskajore; Përcjellore. Quhen forma të pashtjelluara pasi përdorimi i foljes në këto mënyra dalin të ngurtèsuara pa dallim vete, kohe dhe numri. Pra nuk tregojnë pozicionin e përsonit që e kryen veprimin, d.m.th. e kryen veprimin përsoni që flet(veta e parë), personi të cilit i drejtohemi(veta e dytë) apo personi jashtë bashkëbisedimit(veta e tretë). Gjithashtu, nuk tregojnë kohën kur veprimi kryhet, është kryer apo do të kryhet(e tashme; e shkuar apo e ardhshme në përkatësitë e tyre); si dhe sa janë ata apo ato që e kryejnë veprimin; një apo disa përsona pjesmarrës në veprim. Gjithashtu nuk tregojnë në se folja shprehet në formë veprimi apo pësimi.  Këtu po jap nga një shembull për secilën nga format e pashtjelluara duke marrë foljen punoj:

     Pjesore: punuar(forma letrare) punue(gegnishte)   

     Paskajore: për të punuar(forma letrare) me punue(gegnishte)

     Përcjellore: duke punuar(forma letrare) tuj punue(gegnishte)

     Objektivi i këtij shkrimi nuk është të tregoj gjërë e gjatë përdorimin e foljeve në mënyra, kohë, veta dhe numra dhe as se si dalin në format e pashtjelluara, edhe pse tashmë i paraqita ato, por të tregoj se si paraqiten foljet në mënyrën urdhërore e cila gati gati ngjason me format e pashtjelluara. Megjithatë nuk është dhe nuk mund të quhet formë e pashtjelluar.

      Them se ngjason me format e pashtjelluara pasi ka vetëm një kohë dhe vetëm një vetë, por në të dy numrat: njëjës dhe shumës.

      Nuk mund të quhet formë e pashtjelluar për vetë faktin se del në dy numrat me mbaresa të ndryshme si dhe në dy forma që shprehin veprim apo pësim. Pra nuk është formë e ngurtësuar.

     Nga të dhënat e përgjithshme që cilësova më lart së pari dua të theksoj se folja e shprehur në këtë mënyrë paraqet ose shpreh një urdhër që folësi ia transmeton dëgjuesit, apo dëgjuesve. Kështu unë mund të sjell edhe shembuj ilustrues duke treguar se si mund të paraqiten foljet në këtë mënyrë:

    Alban, puno në bashkëpunim me shokët e tu, se kështu mund ta arrish më shumë suksesin e dëshiruar! Shokë, punoni në grup në kërkimin tuaj shkencor!

    Siç shihet nga shembujt e mësipërm, folja punoj është përdorur nga folësi në formën e një urdhëri këshillues duke iu drejtuar në rastin e parë një bashkëbiseduesi që në rastin konkret është Albani dhe del pa mbaresa puno e në rastin e dytë u drejtohet disa personave dhe del me mbaresën ni punoni.

     Mirëpo folja në mënyrën urdhërore paraqet edhe një urdhër mohues, apo ndryshe shpreh kërkesën e folësit drejtuar bashkëbiseduesi(t)(ve) për të mos e kryer një veprim në formë urdhëri apo këshille:

Mos i fol shoferit kur është duke i dhënë makinës! Mos thirr me zë të lartë! Mos e merrni punën me nxitim! Mos shkoni aty ku nuk u thërrasin!

     Siç shihet edhe nga shembujte e dhënë mësipër kur urdhëri u transmetohet dy apo më shumë përsonave, gjithnjë folja merr mbaresën ni, ndersa kur i jepet një përsoni të vetëm folja nuk ka mbaresë. Pra del veç në temën e vetë fjalës: puno, mëso, lexo, ndërto rri, kap, hap,merr, dil, sill, bluaj, shkruaj, lyej, prit, përsërit, gëlltit, rendit, sodit, shkoqit, gëdhend, ndiz, mbyll, hesht, mblidh, etj.

   Në shumës(kur kërkesa apo urdhëri i drejtohet grupit) këto folje si dhe të tjera si këto dalin: punoni, mësoni, lexoni, ndërtoni, rrini,kapni, merrni,dilni, sillni, bluani, shkruani, lyeni, pritni, përsëritni, gëlltitni, renditni, soditni, shkoqitni, gdhendni, ndizni, mbyllni, heshtni, mblidhni, etj.

    Nga shembujt e sjellë vihet re se dis nga foljet gjatë përdorimit në mënyrën urdhërore e ndryshojnë edhe temën. Të tilla janë: marr-merr-merrni; dal-dil-dilni; sjell-sill-sillni; pres (veprimi i prerjes së një gjëje ose i pritjes së dikujt)-prit-pritni; ndez-ndiz-ndizni; mbledh-mblidh-mblidhni.

    Të gjitha shembujt e mësipërm na paraqesin urdhërin apo kërkesën e folësit drejtuar një personi të vetëm apo dy ose më shumë përsonave për të kryer një veprim në trajtën veprore. Por ka edhe raste kur folësi i drejtohet një përsoni apo një grupi përsonash që të kryejnë një veprim pësor apo vetvetor. Në këtë rast bëhet dallimi i dukshëm me trajtën veprore. Më poshtë po japim disa shembuj analitikë për të parë më qartë dallimet:

Mëso të lexosh më rrjedhshëm! Mësohu t’i dallosh miqtë nga armiqtë! Mësoni gjuhën tuaj më parë se të tjerat! Mësohuni t’u bëni ballë vështirësive! Mendo për të ardhmen tënde! Mendohu mirë para se të flasësh! Mendoni rrugën nga keni ardhur! Mendohuni si t’i zgjidhni problemet tuaja! Mblidhni sa më shumë fakte dhe shembuj konkretë! Mblidhuni të gjithë bashkë dhe diskutoni për temën e ditës! Merr një letër dhe shkruaj emrat e shokëve të tu! Merru me punët e tua dhe mos shiko se ç’bëjnë të tjerët! Merrni detyrat e shtëpisë! Merruni me studime shkencore dhe punë kërkimore!

    Nga shembujt e mësipërm vërehet qartë se kur kërkesa apo urdhëri jepët të kryhet në trajtën pësore apo vetvetore marrin mbaresën u në të gjitha rastet, por kur folja del me temë në zanore si për njëjsin ashtu edhe për shumësin shtohet edhe bashkëtingëllorja h. Lyhu; mësohu; mendohu; shikohu; regjistrohu; zbukurohu; nderohu; rrëfehu; zotohu; zgjohu; shpërndahu, etj. në njëjës, por në shumës dalin: lyhuni;mësohuni; mendohuni; shikohuni; regjistrohuni; zbukurohuni; nderohuni; rrëfehuni; zotohuni; zgjohuni;shpërndahuni,etj. Bashkëtingëllorja h shtohet aty si antihiatus kur ka piktakime të dy zanoreve siç janë: y-u; o-u; e-u; a-u.

      Duke dashur që ta sqaroj sa më qartazi këtë dukuri të urdhërorës së dhënë në trajtën pësore dhe vetvetore po sjell shembullin e paraqitjes së foljes në këtë trajtë në kohën e tashme të mënyrës dëftore:

    Unë mësohem(dëftore)   ——– ( urdhërore)  s’ka

    Ti mësohesh  -//-          mësohu        -//-   dhe jo mësoju

    Ai(ajo) mësohet -//-      ———-  -//-  s’ka

    Ne mësohemi   -//-       ——=–  -//-   s’ka

    Ju mësoheni    -//-         mësohuni     -//-   dhe jo mësojuni

    Ata(ato) mësohen-//-    ———   -//-   s’ka

Dhe siç del nga tabela këtu në folje paraqitet h si antihiatus dhe jo j.

    Mbaresën e shtuar u në trajtën pësore dhe vetvetore mënyra urdhërore në rastet mohore, pra kur jepet urdhër apo këshillë që veprimi pësor apo vetvetor të mos kryhet dhe aty folja shoqërohet me pjesëzën mos, e shkëput nga trupi i foljes duke e vendosur para saj fill pas pjesëzës mos. Le të shohim dy shembuj analitik: Mos merr nëpër gojë të tjerët!(veprore) Merru me detyrat! Mos u merr me punët e huaja!(pësore)Mos merrni material më shumë se ju duhen!(veprore) Merruni me ato punë që ju takojnë juve! Mos u merrni me llafe pazari!(pësore)

     Për aq sa paraqita këtu, janë të gjitha rastet konkrete që mënyra urdhërore i paraqet në gjuhën shqipe duke shprehur një kërkesë të folësit drejtuar dëgjuesit (bashkëbisedues(it)(ve) të pranishëm) në formën e një lutjeje, këshille apo urdhëri të prerë për zbatimin apo moszbatimin e një veprimi dhe siç e pamë kjo paraqitet veç në vetën e dytë njejës dhe shumës e veç në kohën e tashme. Pra kërkesa(urdhëri, këshilla, lutja) nuk mund të bëhet në të shkuarën dhe as në formën e së ardhshmës, por veç në të tashmën. Sigurisht, veprimi kërkohet që të kryehet nga dëgjuesi(t) aty për aty, ose në të ardhmen, por shprehet veç në formë të së tashmës dhe jo ndryshe. Folësi nuk mund ta shpreh kërkesën në formë urdhëri vetvetës apo grupit që përfaqëson(d.m.th. vetës së parë njëjës dhe shumës) dhe as mund t’ua shprehë, gjithashtu, as personit apo personave që nuk janë të pranishëm në bashkëbisedim(d.m.th. në vetën e tretë njëjës e shumës). Të paktën jo në mënyrën urdhërore. Pra në mënyrën urdhërore, e theksoj edhe një herë tjetër, nuk ekzistojnë veta e parë dhe e tretë si dhe koha e shkuar dhe e ardhshme.

    Megjithatë, folësi shpesh transmeton urdhëra në formë kërkesash apo këshillash edhe tek vetja e tij apo grupi ku përfaqëson, si dhe tek personat e tretë të papranishëm në bashkëbisedim. Por forma e dhënies së urdhërit jepet në formën lejor në këtë rast. Këtu sa për ta kuptuar thelbin e asaj që unë dua ta shpreh po paraqes këta shembuj:

    Le t’i futemi edhe ne punës së bashku me të tjerët! Oburra ta sulmojmë armikun e të mos e lëmë të na marrë krahët! Le t’i përveshin mëngët edhe ata si ne e të mos rrinë duarkryq! Edhe Agimi të shkojë me shokët e të mos qëndrojë kot këtu!

    Siç shihet në shembujt e mësipërm, folësi transmeton urdhëra edhe tek grupi ku bën pjesë apo tek personat e tretë, por në formën lejore, pra duke përdorur foljet në mënyrën lidhore. Këtu gjej rastin të sjell në kujtesën e lexuesit se nganjëherë urdhëri shoqërohet edhe me pjesëzën le. Le t’i shkojmë punës deri në fund! Le të vijnë edhe ata me ne! Le të dal edhe unë tani me shokët e mi! Le ta bëjë Ermali këtë gjë!

      Siç duket nga shembujt që sapo solla, mund të them se kjo formë lejore e të shprehurit të urdhërit në gjuhën shqipe na kujton një ngjashmëri të shprehuri të urdhërit edhe në anglisht të tipit: Go! Go! Go!(Turru! Shko!) apo Do it!(Bëje atë) Be ware! Be careful(Ji iparalajmëruar, ji i kujdesshëm)  që sigurisht edhe këtu i drejtohet bashkëbiseduesit, pavarësisht se në anglisht verbi(folja) nuk shpreh vetë as numër. Por këto forma shprehen edhe në variantin lejor: let’s go! (le të shkoj në njëjës e shumës) dhe let’s do!(le të bëj në njëjës dhe shumës) Let it be!(le të jetojë njëjës) Që përfshin si vetën e parë, ashtu edhe vetën e tretë të nënkuptuara nga konteksti, pasi siç e thamë, vetat në anglisht nuk shprehen, por nënkuptohen. Them se nuk shprehen, jo se nuk ka dhe nuk shqiptohen a shkruhen, por se folja nuk shtjellohet(zgjedhohet) sipas vetave në anglisht.

     Tashti le t’i kthehemi edhe një herë tjetër mënyrës urdhërore dhe pikërisht paraqitjes së urdhërit për kryerjen ose moskryerjen e një veprimi në trajtën pësore e vetvetore. Ashtu siç e analizuam dhe e pamë në disa raste të paraqitura, thamë se rastit të trajtës veprore në trajtën pësore dhe vetvetore shtohet edhe mbaresa u, por shpesh edhe e shoqëruar nga një h antihiatus kur folja del me temë në zanore si të tipit: punoj, mësoj, lexoj, gatuaj, lyej, ngjyej, zhgërryej,laj, thaj, shaj, mbërthej, ndërsej, kapërcej, etj. mirëpo shpesh na takon rasti të ndeshe mi me dukuri të keqpërdorimit të mënyrës urdhërore të paraqitur në këtë formë, pasi shumëherë dëgjojmë që në vend të bashkëtingëllores h antihiatus përdorin bashkëtingëlloren j që është krejt e gabuar duke e ngatërruar me një dukuri tjetër të mënyrës urdhërore. Bie fjala forma: Mësoju të punosh më pastër! është një formë e gabuar. Mësohu të punosh më pastër! është forma e saktë. Mendojuni mirë para se ta ndërmerrni një veprim të gabuar! është forma e gabuar. Mendohuni mirë para se ta ndërmerrni një veprim të gabuar! është forma e saktë. Pra:

Mësohu(ni) dhe jo mësoju(ni)

Lyhu(ni) dhe jo lyju(ni)

Ngjyhu(ni) dhe jo ngjyju(ni)

Zhgërryhu(ni) dhe jo zhgërryju(ni)

Lahu(ni) dhe jo laju(ni)

Thahu(ni) dhe jo thaju(ni)

Shahu(ni) dhe jo shaju(ni)

Mbërthehu(ni) dhe jo mbërtheju(ni)

Ndërsehu(ni) dhe jo ndërseju(ni)

Kapërcehu(ni) dhe jo kapërceju(ni) etj. Jo të gjitha foljet mund të paraqiten në trajtën pësore lehtas.

    Këtu duhet sqaruar edhe një dukuri e veçantë e të shprehurit të kërkesës në mënyrën urdhërore nga folësi.

    Shpesh kur ne transmetojmë një kërkesë në formë urdhëri, këshille a lutjeje për kryerjen ose moskryerjen e një veprimi që bie nga zbatuesi i urdhërit mbi një objekt tjetër shpesh në trupin e foljes bashkangjitet edhe një trajtë e shkurtër e përemrit vetor. Le të shohim këta shembuj:

     Mësoju nxësve si të flasin bukur gjuhën tonë! Siç shihet folja mëso(ju) është përdorur në mënyrën urdhërore veta e dytë njëjës, pasi folësi i drejtohet një bashkëbiseduesi të vetëm duke i dhënë këshillën në formë kërkese që t’u mësojë nxënësve të flasin bukur gjuhën tonë. Le të bëjmë pyetjen: Kujt mësoju? Atyre u. Pra u në trup të foljes në këtë rast është trajtë e shkurtër e rasës dhanore veta e tretë shumës, ndersa j është përdorur si antihiatus në këtë rast dhe jo h. Po ta marrim shembullin e mësipërm në rastin mohor, trajta e shkurtër del para foljes fill pas pjesëzës së mohimit mos. Mos u mëso nxënësve forma të gabuara gjuhësore! Mësojuani qartë rregullat gjuhësore nxësve tuaj! Edhe këtu kemi një trajtë të bashkuar në truo të foljes dhe këtë e kuptojmë lehtë, mjafton të drejtojmë pyetjet përkatëse: Kujt mësojuni? Atyre u. Kë? Ato(rregullat) i. Dhe bashkimi u+i jep gjithnjë trajtën e bashkuar ua. Ndersa j është përdorur si antihiatus. Mendoj se janë pikërisht këto forma që bëjnë dallimin: mësohunimësojuni. Në rastin e parë u është asgjë tjetër veçse mbaresë për trajtën veprore dhe në rastin e dytë u është trajtë e shkurtër e përemrit vetor rasa dhanore veta e tretë shumës (Atyre u). Pra janë pikërisht këto raste që shpesh ngatërrohen dhe bëhen shqiptime të gabuara.

     Në këtë kontekst dua të shtoj se duhen dalluar qartë kur folja është e përdorur në trajtën veprore dhe në trupin e saj përfshin edhe trajta të shkurtëra dhe kur është përdorur në trajtën pësore e vetvetore. Në trupin e foljes së përdorur në mënyrën urdhërore, siç e pamë edhe nga shembujt e mësipërm, mund të përfshihen si trajtat e shkurtëra të veçuara si dhe trajta të bashkuara të të gjitha formave dhe jo vetëm të llojit u dhe ua, por edhe trajtat e tjera të shkurtëra si e, i, , na, si dhe trajtat e bashkuara m’i, ia, ua, gjithnjë të vetës së parë dhe të tretë njëjës dhe shumës, pasi ato të vetës së dytë zakonisht nuk përfshihen pasi urdhëri i transmetohet drejtpërdrejt bashkëfolësit që, siç dihet, përfaqëson vetën e dytë.(folësi vetën e parë, bashkëbiseduesi(t) vetën e dytë, të tretët e papërfshirë në bisedë vetën e tretë). Shembujt e mëposhtëm i tregojnë këto raste:

    Merri të gjitha librat që të duhen për mësim! Mos i merr të gjitha librat me vete, por vetëm ato që të duhen! Ndihmoje shokun të dalë nga situata! Mos e vra mendjen për gjëra të kota! Fal, të lutem, për gabimin e bërë! Mëso si të veproj më tej! Mos më mëso mua se ç’duhet të bëj! Dogjoma fjalën, se të del më mirë!(mua , atë e). Mos ma dridh muhabetin! Shko dhe sillna lajmin e fitorës! Shkoni dhe përfaqësonani sa më denjësisht në gara! Sillmi të gjitha gjërat e mia! Dërgoia me postë dokumentet e tija! Mblidhia rripat se nuk është në rregull ai djalë! Dërgojuani të falat e mia edhe njerëzëve të tjerë të familjes!

    Duke e analizuar këtë dukuri të vendosjes së trajtës së shkurtër në trupin e foljes që përdoret në mënyrën urdhërore, duhet të kemi parasysh mirë edhe një fakt tjetër. Kur trajta e shkurtër është i që i takon përemrit vetor të vetës së tretë përkatësisht:

  1. Njëjës rasa dhanore. Atij(asaj) i  Kujt? ati i, ose asaj i;
  2. Shumës rasa kallëzore. Ata(ato) i  Kë? Ata i, ose ato i;

duhet pasur parasysh dallimi me foljet në mënyrën dëftore të përdorur në vetën e tretë njëjës të kohës së kryer të thjeshtë. Le t’i shohim rastet me shembuj konkretë:

  • Veta e tretë koha e kryer e thjeshtë e mënyrës dëftore me trajtë të shkurtër i të rasës dhanore njëjës: Dritani i postoi një mesazh urimi Yllit. Kujt? atij i.
  • Veta e tretë koha e kryer e thjeshtë e mënyrës dëftore me trajtë të shkurtër i të rasës kallëzore shumës: Ai i mori të gjitha librat e fletoret që i duheshin. Kë mori? Ato i. Pra këtu trajta e shkurtër është i dhe është vendosur fill pas përemrit(mund të ishte edhe emër Ai-Agimi; Ai-Dritani; Ai- studenti; etj) dhe para foljes mori. Mund të sjellim edhe këtë shembull tjetër:

Djaloshi i lustroi këpucët dhe doli të takojë të dashurën e tij. Edhe këtu trajta e shkurtër është i dhe është vendosur fill pas emrit dhe para foljes që i takon mënyrës dëftore veta e tretë njëjës. Në të dy shembujt e mësipërm trajta e shkurtër i i takon vetës së tretë shumës rasa kallëzore.

    Le të shohim dhe të sjellim ndërmend rastet kur folja përdoret në mënyrën urdhërore dhe bashkë me të (në trup, ose jo) përdoret trajta e shkurtër i e të dy rasteve të lartpërmendura:

  • Veta e tretë njëjës rasa dhanore: Dritan, të lutem postoji një mesazh urimi Yllit! Kujt? atij i.
  • Veta e tretë shumës e rasës kallëzore: Djalosh, të lutem lustroji këpucët e mija se do të dal me shokët e mi! Kë(lustro)? Ato(këpucët) i. Por mund të thoshim edhe kështu për secilin rast:
  • Mos i posto kujt mesazh urimi! Dallimi: postoji(mos)i
  • Mos i lustro këpucët e mija! Dallimi: lustroji(mos)i

Siç vihet re në të dy shembujt e mësipërm trajta e shkurtër i e vendosur në trup të foljes e bën foljen me një ngjashmëri të përdorimit të saj në mënyrën dëftore veta e tretë njëjës, por ne nuk duhet ta bëjmë dallimin këtu veç me kontekstin, por e dhe me shqiptimin dhe drejtshkrimin e saktë të saj që është:

  • Në mënyrën urdhërore duhet përdorur bashkëtingëllorja j si antihiatus
  • Në mënyrën dëftore veta e tretë njëjës koha e kryer të thjeshtë pa j.

    I solla këta shembuj për ta bërë më shumë shteruese këtë temë që lexuesi i interesuar ta sjellë në mendje në mënyrën më të plotë përdorimin e foljes në mënyrën urdhërore në gjuhën shqipe. Më sipër dhashë shembuj se si folja e transmeton kërkesën urdhëruese edhe tek vetat e parë dhe të tretë, por duke thirrur në ndihmë mënyrën lidhore, pasi urdhërorja aq e ka diapazonin në gjuhën shqipe, veç për vetën e dytë njejës dhe shumës.

                                                   

 

 

 

 

 

 

 

4 mendime mbi “Foljet në mënyrën urdhërore në gjuhën shqipe dhe rastet e keqpërdorimit

  1. Une kam hasur ne nje shembull ne Gramatiken e gjuhes shqipe I, ku thote se fjala “shtojzovalle” vjen nga “shtoi zot vallet”. Aty ishte “shtoi” dhe jo “shtoji”. Jam i hutuar nga ky perdorim. Cili eshte i drejti: me -j- apo pa te?

    Pëlqejeni

Lini një Përgjigje te http://www.vbc006.com/nlink/coolwindaircooler843170 Anuloje përgjigjen

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s