Përemrat pronorë dhe rastet e keqpërdorimit të tyre

                             A-IMG_1252     Në gjuhën shqipe përemrat janë pjesë të ndryshueshme të ligjëraës që zënë vendin e emrit. Ata janë:

  • Vetorë: unë, ti, ai, ajo; ne ju; ata; ato.
  • Vetvetorë: vetë, vetvete
  • Dëftorë: ky, kjo, këta, këto, i (e) tillë, i(e) këtillë, ai, ajo, ata, ato, etj.
  • Pronorë: im, ime, yt, jote, i(e) tij, i(e) saj, ynë, jonë, juaj, i(e) tyre, i(e,të) vet.
  • Pyetës: kush? Cili? Cila? Ç’? Çfarë?
  • Lidhorë: që, i cili, por edhe: kush, kushdo, cilido, etj.
  • Të pacaktuar: kush, kushdo, cilido, të gjithë, tjetri, tjetra, askush, kurrkush, gjithkush, çdokush, tjetërkush, gjithsecili, cilido, cilado, një, asnjë, ca, disa, shumëkush, etj.

    Por këtu unë nuk kam ndërmend të flas gjërë e gjatë për përemrat, për llojet e tyre, përdorimet në fjali, lakimet nëpër rasa të ndryshme, etj. etj. Këtu unë dua të flas për përemrat pronorë dhe disa nga rastet e keqpërdorimit të tyre në të folurin e përditshëm. Marr shkas për këtë gjë nga një nga rastet vulgare që më takoi të dëgjoj nga goja e një personaliteti të instancave të larta shtetërore(këtu nuk do t’ia përmend emrin dhe as pozitën e tij për arsye etike) që duke folur para medjave shprehet dukshëm në mënyrë të gabuar në drejtim të përdorimit të përemrit pronor “ynë”. Nuk po e paraqes kontekstin e fjalisë ku ai krejt në mënyrë të gabuar më se disa herë e shqipton “jonë” në vend të “ynë”. Dëgjuesit e fjalës së tij mund ta marrin edhe si model të të shprehurit bukur, por duhet të ishte e kundërta dhe pikërisht këtë gjë unë e kam vënë në dukje edhe në shkrimet e tjera të mëparshme. Tashmë dihet nga të gjithë se deputetët e kuvendit të Shqipërisë, në një pjesë të mirë të tyre janë analfabet me diploma të ndryshme, të blera në kushedi se çfarë tregu shkollnajash fallco që lulëzuan në Shqipëri në periudhën e tranzicionit të stërzgjatur, të shumtët juristë, por nuk besoj se personi në fjalë hyn në këtë kategori deputetësh, por në kategorinë e atyre me diplomë të fituar e jo të blerë. Megjithatë, ku i dihet, por nuk dua të bëj biografi të askujt, veç të vë në dukje dukurinë negative gjuhëçoroditëse të tij dhe të shumë të tjerëve si ai.

     Në një takim me popullin një qeveritar i lartë(këtu nuk po e përmend as emrin dhe as rangun e tij) shprehet kështu në mes të tjerave: “Problemi jonë kush ka qenë…..”. Siç shihet aty janë përdorur dy përemra në një fjali të thjeshtë me katër fjalë që janë: një emër, dy përemra dhe një folje. Në rastin e përemrave të cilët janë: njëri pronor jonë, tjetri pyetës kush, që të dy këta përemra janë përdorur në mënyrë krejt të gabuar. Përsa i takon përemrit pronor duhej të ishte ynë dhe jo jonë dhe këtë do ta analizojmë më tej, ndërsa përemri pyetës kush është përdorur në vendin e gabuar, pasi në vend të tij duhej të përdorej përemri pyetës cili. Arsyeja është se përemri kush përdoret veç për frymorë njerëz dhe për asnjë lloj emri tjetër që mund të zëvendësojë a nënkuptojë. Përsa i përket këtij rastit të dytë e kam shtjelluar në materiale të tjera, ndaj nuk po ndalem këtu për ta shtjelluar edhe një herë tjetër, megjithëse dita-ditës dëgjoj në kanale të ndryshme televizive shqiptare gazetarë e personazhe të tjerë të jetës publike e politike ta shprehin në mënyrë krejt të gabuar këtë përemër.

     Po kështu edhe në emisionin “Në shtëpinë tonë” në kanalin televiziv Top Channel i datës …..gazetari drejtues i emisionit thotë: “Trupi jonë ka nevojë….” dhe pas tij të njëjtin togfjalësh përsërit edhe e ftuara: “Po trupi jonë….” dhe më tej përsërit edhe togfjalëshin “….organizmi jonë….”. Në fakt gazetari ka kryer shkollën e lartë të dramaturgjisë dhe në bindjen time njohuritë gjuhësore aty nuk duhet të jenë të mangëta. E ftuara nuk e di se çfarë shkolle duhej të ketë kryer, por padiskutim të lartën po, mendoj. Atëherë unë këtu mund të nxjerr dy konkluzione:

     E para mendoj se në shkollë nuk këmbëngulet që njohuritë gjuhësore të jenë sa më të thella, sa më të sakta dhe më të qëndrueshme.

     E dyta mund të jetë një traditë e krijuar në mënyrë të gabuar dhe që mendoj se duhet luftuar fort që të çrrënjoset, pasi është jashtnormative e përdorimit të saktë të gjuhës letrare shqipe.

     Sigurisht, lexuesi i këtij shkrimi fare lehtë mund ta gjejë se cilat janë format e rregullta, por unë po i paraqes këtu duke paraqitur togfjalëshat përkatës: Trupi ynë dhe organizmi ynë e jo ashtu si gazetari si edhe e ftuara i shqiptuan. Padiskutim këto nuk janë raste tepër të veçanta dhe të shkëputura, pasi mendoj se janë të shumta rastet, por unë solla vetëm këto dy raste nga të cilat mora shkas ta trajtoj këtë temë si më poshtë duke paraqitur edhe raste dhe mundësi të tjera në keqpërdorimin e përemrave pronorë.

     Para se të analizoj rastet e keqpërdorimeve të përemrave pronorë, së pari dua të paraqes disa përemra pronorë duke e dhënë si pasqyrë përdorur sipas vetave. Ashtu si përemrat vetorë pronorët kanë vetat dhe numrat e tyre dhe shumë prej tyre dallohen edhe në gjini në të gjitha vetat dhe jo vetëm ato të vetës së tretë. Më poshtë po i paraqes sipas vetave, gjinisë dhe numrave:

  • Veta e parë: im, ime (njëjës); ynë, jonë (shumës)
  • Veta e dytë: yt, jote (njëjës); juaj (shumës)
  • Veta e tretë: i(e) tij, i(e) saj (njëjës); i(e) tyre (shumës); i(e) vet(njëjës).

Por këtu nuk janë paraqitur të gjitha pasqyrat e përemrave pronorë, pasi duhet t’i analizojmë ata edhe nga një pozitë tjetër e tyre. Kjo pozitë duhet marrë edhe në raportet pronë-pronar. Marrë në këtë aspekt ne dallojmë rastet kur prona është në numrin njëjës dhe pronari po ashtu në numrin njëjës:

   Libri im –prona është libri njëjës; pronari është im numri njëjës.

   Librat e mi –prona është librat shumës; pronari është e mi numri njëjës.

   Libri ynë –prona është libri njëjës; pronari është ynë numri shumës.

   Librat tanë  -prona është librat shumës; pronari tanë  numri shumës. Në të katër shembujt(rastet) që solla prona i takon një emër i gjinisë mashkullore që herë vendoset në numrin njëjës dhe herë në numrin shumës. Pronari që i takon një përemri pronor vetës së parë është: im, e mi, ynë, tanë. Pra ndryshon sipas numrit që është vendosur prona, por edhe sipas numrit të përsonave që kanë pronësinë. Në rastin kur pronësinë e kam vetëm unë bie fjala, përemrat pronorë janë: im, e mi, por në rastin kur unë së bashku me grupin që i përkas(pra më shumë se një përson) kemi pronësinë, përemrat pronorë janë: ynë, tanë. Tani le të marrim rastet kur prona i takon një emri të gjinisë femërore:

    Shoqja ime –prona është shoqja(njëjës); pronari ime (njëjës)

    Shoqet e mia –prona është shoqet(shumës); pronari e mia (njëjës)

    Shoqja jonë –prona është shoqja (njëjës); pronari jonë (shumës)

    Shoqet tona –prona është shoqet (shumës); pronari tona (shumës). Edhe këtu si në rastet e tjera ka të njëjtën gjë përsa i përket vetës së përemrit pronor, por prona i takon një emër i gjinisë femërore, ndaj përemrat janë: ime, e mia, jonë, tona. Le t’i pranëvëmë për të kuptuar dallimet në gjini, aty ku edhe gabimet në të shprehur janë më të dendura:

    Im – ime;

    E mi – e mia;

    Ynë – jonë;

    Tanë – tona.

Por aty unë kam paraqitur veç rastet për vetën e parë të përemrit pronor dhe nuk kam paraqitur rastet e tjera për vetën e dytë dhe të tretë njejës e shumës. Më poshtë, sa për ta krijuar më qartë konceptin po i paraqes pa veçuar pronë e pronar:

    Nxënësi yt; nxënësit e tu; nxënësi juaj; nxënësit tuaj veta e dytë.

    Nxënësja jote; nxënëset e tua; nxënësja juaj; nxënëset tuaja veta e dytë

    Nxënësi i tij(i saj) (i vet); nxënësit e tij(e saj) (e vet); nxënësit e tyre veta e tretë

    Nxënësja e tij(e saj) (e vet); nxënëset e tij(e saj) (e vet); nxënëset e tyre gjithnjë veta e tretë. Le t’i pranvëmë edhe këto raste:

     Yt – jote

    E tu – e tua

    Juaj – juaj

    Tuaj – tuaja për vetën e dytë

    I tij (i saj) (i vet) – e tij (e saj) (e vet);

    E tij (e saj) (e vet) – e tij (e saj) (e vet) s’ka ndryshime;

    E tyre – e tyre s’ka ndryshim.

      Gjithashtu  duhet thënë se përemrat pronorë përdoren edhe në dy pozicione: të pashoqëruar me emër si dhe të shoqëruar me një emër. Nga ana tjetër, këta përemra pronorë që paraqita, përdoren gjithashtu edhe në rasa të ndryshme. Mirëpo këtu nuk po ndalem t’i paraqes tabelat imtësisht, të paktën për momentin që shkrimi të mos dalë i mërzitshëm, por po paraqes ato raste kur përemrat pronorë përdoren në mënyrë të gabuar dhe që ato raste dalin në dy kategori:

  1. Mospërshtatje në gjini
  2. Mospërshtatje në rasë

   Për kategorinë e parë unë që në fillim solla një shembull vulgar të përdorimit të gabuar të përemrit pronor jonë në vend të ynë. Nuk e kam dhënë në vendin e saktë(në togfjalësh) por le të shohim rastin e mësipërm: libri jonë i gabuar për libri ynë që duhet të ishte i saktë; ashtu siç nuk duhej të ishte aspak e saktë edhe po të thuhej: shoqja ynë, krejt e gabuar përballë shoqja jonë. Pra nuk mund të themi: libri jonë, shoku jonë, por shoku ynë, libri ynë.

     Një rast tjetër mospërputhje në gjini është edhe tonë, tona me tanë. Pra nuk mund të themi librat tonë; shokët tonë, por librat tanë; shokët tanë dhe as librat tona; e aq më keq shokët tona.

    Një tjetër rast është edhe përdorimi i gabuar jot në vend të yt. Nuk mund të themi: Ky është libri jot, por duhet thënë: Ky është libri yt.

    Gjithashtu, edhe kur përemri pronor përdoret i pashoqëruar nga emri ka po ato raste të gabuara si rastet kur pronori shoqërohet me emër. Është e gabuar të themi kështu: Lojtarët e skuadrës kundërshtare shënuan dy gola, kurse tonët nuk arritën të shënonin asnjë gol. E saktë duhej të ishte: Lajtarët e skuadrës kundërshtare shënuan dy gola, kurse tanët nuk arritën të shënunin asnjë gol. Apo rasti: Portjeri i tyre priti një penallti, ndërsa joni priti dy. E saktë duhej të ishte: Portjeri i tyre priti një penallti, ndërsa yni priti dy.

     Ka një përjashtim të përdorimit të gjinisë femërore në vend të gjinisë mashkullore dhe kjo ndodh vetëm atëherë kur emri i gjinisë mashkullore i numrit njëjës kur kalon në numrin shumës e ndryshon gjininë si: mal – male; fshat – fshatra; mendim – mendime; drejtim – drejtime; gjykim – gjykime; vendim – vendime; det – detra; ujë – ujëra. Ne themi: mali ynë por themi: malet tona dhe jo: malet tanë; fshati ynë – fshatrat tona dhe jo fshatrat tanë; mendimi ynë – mendimet tona dhe jo mendimet tanë; drejtimi ynë – drejtimet tona dhe jo drejtimet tanë; gjykimi ynë – gjykimet tona dhe jo gjykimet tanë; vendimi ynë – vendimet tona dhe jo vendimet tanë; deti ynë – detrat tona dhe jo detrat tanë; ujërat tona dhe jo ujërat tanë. Po kështu edhe format: Mendimi im – mendimet e mia dhe jo mendimet e mi; drejtimi im – drejtimet e mia dhe jo drejtimet e mi, etj.

   Një rast tjetër i takon përemrit pronor të vetës së tretë njëjës i tij; i saj. Ne duhet të themi shoku i tij, shoqja e tij; shoku i saj, shoqja e saj dhe jo shoqja e tija, shoqja e saja, apo: shokët e tij, shoqet e tij; shokët e saj, shoqet e saj dhe jo shoqet e tija, shoqet e saja.

    Edhe mospërshtatja në rasë është po aq e gabuar sa mospërshtatja në gjini, por për arsye se do të dilte një shkrim mjaft i gjatë dhe i mërzitshëm për lexuesin, po mjaftohem të paraqes rastet pa paraqitur tabelat e lakimit të përemrave pronorë. Rastet e mospërshtatjes janë këta:

  1. Veta e parë njëjës rasa kallzore në vend të rasave gjinore, dhanore, rrjedhore si: time në vend të Kështu ne nuk duhet të themi: Shoqes time i akorduan një medalje mirënjohjeje. E saktë duhej të ishte: Shoqes sime i akorduan një medalje mirënjohjeje. Duke shikuar fjalinë e mësipërme ne mund të bëjmë një analizë rasore: Kujt i akorduan medalje mirënjohjeje? Shoqes sime pra është rasa dhanore. Rasa kallëzore është: shoqen time. Por edhe rastet e tjera si: Detyrat i mora prej shoqes time. dhe Ky eshtë libri i shoqes time. përsëri janë përdorur në mënyrë të gabuar përemrat pronorë time. në rastin e parë togfjalëshi shoqja ime është në rasën rrjedhore dhe në rastin tjetër në rasën gjinore, prandaj duhej të ishte: shoqes sime dhe jo shoqes time.
  2. Veta e parë shumës gjithnjë rasa kallëzore përdoret gabimisht në vend të gjinores, dhanores dhe rrjedhores: tonë në vend të sonë. Përsëri ne mund të përdorim fjalitë e mësipërme me togfjalëshin e ndryshuar nga shoqja imeshoqja jonë. Pra ne themi: shoqes sonë dhe jo shoqes tonë.
  3. Veta e dytë njëjës gjithnjë rasa kallëzore e përdorur gabimisht në vend të rasave gjinore, dhanore dhe rrjedhore: tënde në vend të sate. Edhe këtu mund të merren si shembull fjalitë e mësipërme ose fjali të tjera sipas dëshirës së lexuesit, por unë këtu veç po zëvendësoj përemron pronor të vetës së parë njëjës me atë të vetës së dytë njëjës dhe pastaj shumës. Pra themi: shoqes sate dhe jo shoqes tënde. Ka një rast keqpërdorimi edne më të deformuar kur mund të thuhet: Shoqes tate i akorduan një medalje mirënjohjeje. Pra siç shihet në vend të thuhet: shoqes sate, thuhet shoqes tate që është tërësisht formë e gabuar.
  4. Veta e dytë shumës gjithnjë rasa kallëzore në vend të rasave dhanore, gjinore dhe rrjedhore: tuaj në vend të suaj. Ne duhet të themi: shoqes suaj dhe jo shoqes tuaj. Gjithnjë lexuesi mund të përdorë fjalitë e mësipërme, por duke ndryshuar përemrin pronor nga imejuaj.

Por duhet thënë gjithashtu se të njëjtat gabime hasen edhe kur përemri pronor i këtyre rasteve nuk shoqërohet me emrin përkatës. Pra nuk thuhet times, tonës, tëndës, tuajës, por duhet thënë: simes, sonës, sates, suajës.

      Një dukuri tjetër e gabuar është edhe përdorimi i rasës kallëzore në vend të rasës emërore; le të sjellim shembujt e saktë për secilën rasë dhe pastaj rastet e gabuara:

    Rasa emërore: shoku im, shoqja ime, shoku ynë, shoqja jonë, shoku yt, shoqja jote, shoku(shoqja) juaj.

    Rasa kallëzore: shokun tim, shoqen time, shokun(shoqen) tonë, shokun tënd, shoqen tënde, shokun(shoqen) tuaj. Por rastet e gabuara janë: shoku tim, shoqja time, shoku(shoqja) tonë, shoku tënd, shoqja tënde, shoku, shoqja tuaj.

     Po kështu janë të gabuara edhe atëherë kur pronori nuk pranëvihet pranë emrit, por përdoret në vend të tij si rastet: imi, imja, yni, jona, yti, jotja, juaji, juaja që janë forma tërregullta dhe normative, por gabimisht thuhet: timi, timja, toni, tona, tëndi, tëndja, tuaji, tuaja që janë jashtë normës letrare dhe krejt krahinore e dialektore.

       Gjithashtu e gabuar është edhe kur përemrat pronorë të vetës së parë dhe të dytë njëjës dhe shumës i përdorim me nyjat i dhe e. Kështu nuk përdoren me nyje përemrat: im, ime, ynë, jonë, yt, jote, juaj, si kur janë të shoqëruar me emra, ashtu edhe kur përdoren të pashoqëruar. Nuk mund të themi: Ky është lapsi i im, por duhet të themi: Ky është lapsi im. Po kështu nuk mund të themi: Kjo është klasa e jote, por duhet të themi: Kjo është klasa jote. Shkurt e saktë duhet të themi: im dhe jo i imimi dhe jo i imiime dhe jo e ime; imja dhe jo e imja; yt dhe jo i yt; yti dhe jo i yti; jote dhe jo e jote; jotja dhe jo e jotja; ynë dhe jo i ynë; yni dhe jo i yni; jonë dhe jo e jonë; jona dhe jo e jona; juaj dhe jo i(e) juaj; juaji dhe jo i juaji; juaja dhe jo e juaja. Shembujt mund t’i  zgjedhë vetë lexuesi ashtu siç unë solla në krye të herës: lapsi imklasa jote. Pra mund të themi: motra ime,por kurrësesi motra e ime pasi është forma e gabuar. Motra jote, por kurrësesi  motra e joteFshati juaj por kurrësesi fshati i juaj dhe as i juaji, por vetëm juaji, etj.

    Gjithashtu, vihet re edhe një dukuri tjetër e përdorimit të gabuar të përemrave pronorë sidomos në vetën e dytë njëjës. Po marrim një shembull: Dje erdhi tek unë shoku yt dhe më foli për ty. Këtu nuk ka asnjë lloj përdorimi të gabuar të përemrit pronor të vetës së dytë njëjës në përshtatje gjinore. Pra fjala shoku është emër i gjinisë mashkullore, ndaj edhe përemri pronor yt është përdorur drejt dhe tamam në përshtatje me gjininë e emrit shoku. Por ngandonjëherë dikush mund ta paraqesë edhe në këtë variant që është edhe i gabuar, njëkohësisht: Dje erdhi tek unë shoku jot dhe më foli për ty. Siç shihet, forma e gjinisë femërore e përemrit pronor të vetës së dytë njëjës është huajtur dhe përshtatur me formën e gjinisë mashkullore.

      Po kështu del edhe forma e anasjelltë, d.m.th., përemri pronor i vetës së dytë njëjës që shoqëron një emër të gjinisë femërore përdoret si forma e përdorur për gjininë mashkullore. por duke i dhënë nuanca femërore. Fjalinë e mësipërme pë e përdorim përsëri por duke ndërruar emrin e gjinisë mashkullore shoku me emrin e gjinisë femërore shoqja. Dje erdhi tek unë shoqja jote dhe më foli për ty. Këtu nuk ka përdorim të gabuar, por ndonjëherë një kategori njerëzish e përdorin edhe kështu: Dje erdhi tek unë shoqja yte dhe më foli për ty. Kjo është forma e gabuar e ndikuar nga forma gjinisë mashkullore shoku yt.

     Këto ishin disa nga rastet e gjetura për t’i analizuar, por këtu unë kam mënjanuar edhe rastet kuptimore të përemrit pronor i(e, të) vet që është një temë në vete, jo në formën e paraqitjes, por në pranëvënie të gabuar, d.m.th. kur në vend të tij(saj) përdoret vet mund të ndryshojë gabimisht konteksti. Kjo i takon një teme tjetër dhe unë nuk po e paraqes këtu, veç në ndonjë kohë dhe rast tjetër për të mos e rënduar më tej shkrimin dhe duke e lënë mundësinë të hapur për një të ardhme mundet edhe të shpejtë.

                                                                                  .

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s