Përemri i(e) vet

A-IMG_1252     Në gjuhën shqipe krahas përemrave pronorë im, ime, yt, jote, i(e) atij, i(e) asaj, ynë, jonë, juaj, i(e) tyre, ekziston edhe përemri i(e) vet. Ky përemër i takon vetës së tretë dhe nuk mund të përdoret për vetën e parë apo të dytë. Ky përemër përdoret në vend të përemrit i(e) tij, i(e) saj, apo i(të) tyre që janë pronorë të vetës së tretë.

    Përemri i(e të) vet(a) shpesh përdoret si saktësues përkatësie. Le të marrim këtë shembull:

    Dritani i dha Agimit librin e tij.

Këtu nuk mund ta dimë me saktësi në se libri ishte i Dritanit, apo i Agimit, por kur themi:

    Dritani i dha Agimit librin e vet.

Këtu për këdo është e qartë se libri i takon pikërisht Dritanit dhe në se libri do të ishte i Agimit dhe të përdorej aty përemri e vet, askush nuk do ta dinte se libri ishte i tij, por do ta mendonte se libri i përkiste Dritanit. Pra duhej pasur kujdes në përdorimin e këtij përemri. Siç shihet, përemri i(e) vet si pronësi lidhet me kryefjalën e fjalisë dhe jo me gjymtyrët e tjera të saj. Në rastin konkret kryefjala është Dritani, pasi i përgjigjet pyetjes Kush? Apo Cili?(cila?) etj. Pra: Kush ia dha Agimit librin? Përgjigjja: Dritani.

     Akoma më e qartë do të ishte sikur të thoshim:

     Dritani i dha Teutës librin e vet. Pra libri është i Dritanit e po të ishte libri i Teutës do të thoshim edhe kështu: Dritani i dha Teutës librin e saj. Këtu pra do të ishte më e saktë përcaktimi i pronësisë, pasi e saj bëhet fjalë pikërisht për Teutën(gjinia femërore) dhe kurrësesi për Dritanin(gjinia mashkullore). Ndryshe ishte kur edhe Dritani edhe Agimi janë emra të së njëjtës gjini, ashtu siç do të ishte jo e qartë tek shembulli i fundit që në vend të emrit Dritani të vinim një emër të gjinisë femërore si bie fjala Dea ose një tjetër. Le ta shohim si rast.

    Dea i dha Teutës librin e saj. Fare mirë mund të mendojmë se libri ishte i Teutës, po aq sa mund të mendojmë se ishte edhe i Deas, por kur themi:

    Dea i dha Teutës librin e vet. Këtu jemi të qartë se libri duhet t’i përkasë vetë Deas dhe jo Teutës. Pra nuk jemi më dyshues, ose së paku nuk duhet të jemi.

    Më sipër thamë se përemri i(e të) vet(a) lidhet kryesisht me kryefjalën e fjalisë. Nga ana tjetër duhet të saktësojmë se përemrat: i(e) tij, i(e) saj, i(e, të) tyre mund të lidhen edhe me gjymtyrë të tjera të fjalisë, përveç se edhe me kryefjalën. Por ka eddhe raste të veçanta kur përemri i(e) vet lidhet edhe me kundrinorin dhe këtu mund të sjellim një shembull:

     “Guvernatorin e bankës e akuzuan për shpërdorim detyre dhe e shkarkuan nga posti. Më vonë ai fitoi pafajësinë dhe kështu atij i dhanë disa paga mujore shumë të majme si shpërblim, por atë nuk e sollën më në postin e vet”. Gjithashtu mund ta thoshim më shkurt:

     Guvernatorin e shkarkuar nuk e sollën më në postin e vet.

Ose mund të thoshim edhe kështu:

     Mbretin e shkurorëzuar s’e sollën më në fronin e vet.

     Në të dy rastet dimë saktë se posti i takonte veç guvernatotit të shkarkuar, si dhe froni i takonte mbretit të shkurorëzuar, se përpara shkarkimit apo shkurorëzimit postet a fronet u takonin përkatësisë së secilit dhe jo të tjerëve. Këtu ne i përdorëm shembujt për t’i përcaktuar më saktë se për postin apo fronin e kujt po bëhej fjalë. Bie fjala, në rastin e guvernatorit të shkarkuar është vendosur një tjetër përson dhe po të thoshim e tij mund ta nënkuptonim edhe postin e atij tjetrit dhe jo të mëparshmit. Po ashtu edhe në rastin e mbretit të shkurorëzuar, prap nenkuptohet se froni ishte i atij dhe jo i dikujt tjetër. Mundet që s’kishte më mbret aty dhe po ashtu as fron mbreti, por edhe po të kishte një mbret tjetër, aty bëhet fjalë për fronin e parashkurorëzimit dhe jo mbretin e mëmastajshëm. Aq më tepër po të thoshim:

    Ata e shkurorëzuan mbretin e tyre dhe në vend të tij kurorëzuan favoritin e tyre, por atë nuk e sollën më në fronin e vet.

Prap këtu e vet lidhet me kundrinorin. Por le ta shohim këtë fjali duke përdorur e tij në vend të e vet.

     Ata e shkurorëzuan mbretin e tyre dhe në vend të tij kurorëzuan favoritin e tyre, por atë nuk e sollën më në fronin e tij.

Do të kishim një koncept jo shumë të qartë se për fronin e kujt bëhet fjalë, të favoritit të kurorëzuar, apo të mbretit të shkurorëzuar.

     Pra, edhe pse rregulli është që përemri lidhet drejtpërdrejt me kryefjalën, dy shembujt e sjellë më sipër tregojnë se ky rregull nuk mund të merret krejt strikt. Ndryshon problemi në se ne themi:

     Atë e larguan nga ai post dhe në vendin e tij(e saj) emëruan një tjetër.

Siç shihet, këtu nuk mund të përdoret përemri e vet. Pra nuk mund të themi:

     Atë e larguan nga ai post dhe në vendin e vet emëruan një tjetër.

Pra është e dukshme se nuk mund ta përdorim përemrin e vet lidhur me kundrinorin e fjalisë, por duhet doemos përemri e tij(e saj).

    Duhet pasur parasysh se edhe përemrat i(e) tij, i(e) saj përdoren lehtë dhe në të gjitha rastet në vend të përemrit i(e, të) vet, por jo gjithmonë e kundërta. Rasti i mësipërm e sqaron më së miri këtë konkluzion dhe nuk ka nevojë për shembuj të tjerë.

    Para mjaft kohësh ka qenë përdorur dendur togfjalëshi “Me forcat e veta”, “Me mundësitë e veta” dhe sot këta togfjalësha gjithnjë e më rrallë përdoren, ndaj edhe rastet e keqpërdorimeve të tyre janë mënjanuar tashmë, pse këta togfjalësha ishin tipikë të periudhës së diktaturës duke saktësuar një nga parimet e asaj periudhe si parimi i “mbështetjes në forcat e veta”, por unë këtu mund të sjell disa raste keqpërdorimesh që mund të ekzistojnë edhe në ditët e sotme. Për këtë mund të sjellim një shembull konkret ku “Me forcat e veta”, ose “Me mundësitë e veta” përdoret saktë dhe kur jo saktë.

    Sot fshatarët e përballojnë jetesën me forcat e veta, pasi shteti as që kujdeset për t’i ndihmuar ata.

Këtu nuk ka asnjë keqkuptim dhe është përdorur saktë, megjithëse mund të thoshim fare mirë edhe me forcat e tyre, apo me mundësitë e tyre. Por po të themi kështu:

     Sot në fshat buka(jetesa) sigurohet me forcat e veta(mundësitë e veta), sigurisht duhej të ishte gabim, pasi bukën dhe produktet e tjera jetësore i prodhojnë apo sigurojnë njerëzit (në këtë rast fshatarët) dhe kurrësesi sigurohen nga vetja e tyre ato produkte jetësore(buka, mishi, bylmeti, perimet, zarzavatet, etj). Po kështu është gabim po të themi edhe:

     Blerja e shtëpisë u sigurua me mundësitë e veta pa marrë asnjë kredi bankare dhe asnjë hua nga ndokush tjetër.

Kushdo e kupton se kjo fjali është përdorur në mënyrë të gabuar kryesisht nga togfjalëshi me mundësitë e veta. Blerja e shtëpisë nuk mund të siguronte mundësitë e veta, por blerësi. Pra duhej thënë për më saktë:

      Blerja e shtëpisë u sigurua me mundësitë e tij vetiake pa marrë asnjë kredi bankare dhe asnjë hua nga ndokush tjetër. (nga konteksti mendohet një person i caktuar i ka pasur mundësitë e tij për ta blerë shtëpinë).

Pra mundësitë janë të blerësit dhe jo të veprimit të blerjes së shtëpisë, prandaj togfjalëshi mundësitë e veta krijon një keqkuptim nga keqpërdorimi i përemrit pronor e veta në vend të e tij.

     Konkluzioni: Duhet pasur mirë parasysh kur mund të përdoret përemri i(e,të) vet(a) dhe kur nuk duhet përdorur ky përemër dhe në vend të tij të përdoren përemrat pronorë: i(e) tij; i(e) saj; i(e) tyre.

 

 

Një mendim mbi “Përemri i(e) vet

Lini një Përgjigje te 分子設計 Anuloje përgjigjen

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s