Përemrat vetorë “unë”, “ti” dhe keqpërdorimet e tyre rasore

A-IMG_1252     Në ditët e sotme gjithnjë e më shumë vihen re përçudnime gjuhësore dhe kryesisht në gjuhën e folur dhe mjerisht kjo gjë vihet re më shumë në medjat elektronike kryesisht nga gazetarët televizivë, por edhe nga të ftuarit e tyre VIP që, në konceptin tim, duhet të jenë model i të shprehurit shqip. Nuk them se të gjithë ata që dalin në ekranët televizive shprehen me mjaft mangësi dhe probleme gjuhësore, por shumë prej tyre e bëjnë, ama, dhe këtë gjë e bëjnë në drejtime të ndryshme që mua herëpashere më kanë ngacmuar shijet e mia gjuhësore dhe më kanë shtyrë të paraqes vërejtjet e mia. Kësaj radhe më tërhoqi vëmendjen time shprehja e një të ftuari VIP në televizionin news 24 të datës 4 nëntor 2017. Përsonit në fjalë për arsye etike nuk dua t’ia them emrin këtu, por dua të them  që ishte deputet i kuvendit të Shqipërisë dhe dikurë me poste ministrore në qeveritë e së kaluarës. Duke folur për jetën e tij personale dhe familjare, ai shprehet kështu: Ajo(gruaja) është më e vogël se mua.

    Po ta vëmë re shprehjen e tij kemi dy gabime gjuhësore në të shprehur. Njëri është kuptimor dhe tjetri gramatikor. Këtu nga kjo bisedë unë shkëputa veç këtë shprehje që ma vrau veshin dhe më la shije jo të bukur, por po analizoj këto dy dukuri të gabuara që mund t’i paraqes më poshtë:

  • Gabimi kuptimor: Kur thuhet: “është më e vogël se unë (mua në rastin konkret)” duhet të kemi parasysh se më e vogël, më e madhe përmbushin kuptimin e madhësisë dimensionale dhe peshore, por aty është përdorur jo në këtë kontekst, por në sensin e moshës. Pra është e gabuar të thuhet: Gruaja është më e vogël se unë. Sigurisht, gruaja në trup mund të jetë edhe më e vogël se burri i saj. Them mund të jetë, pasi ka raste që mund të jetë edhe më e madhe në trup dhe kjo nuk ka të bëjë, ama, me moshën e saj, pasi mund të jetë më e madhe në trup, por më e re në moshë. Kështu që dikush që e ka gruan më të madhe në trup se vetën e tij nuk mundet të thotë se e ka gruan më të vogël se ai për të treguar moshën e saj. Por, gjithashtu, askush nuk duhet ta thotë kështu për moshën. Duhet të thotë: më të re, apo më të moshuar, për më saktë.
  • Gabimi gramatikor: Kur përsoni në fjalë thotë: Gruaja ime është më e vogël se mua, vëmë re se përemri vetor unë është përdorur në rasën dhanore dhe jo në emërore e cila në këtë rast merr pyetjen: Më e madhe se Kush? Përgjigjja nuk mund të ishte se mua, por se unë. Pra siç shihet ka mospërputhje rasore dhe kjo bie në sy mjaft dukshëm. Shih në fund tabelën e lakimit të përemrave unë; ti.

     Për ta analizuar më tej këtë dukuri gjuhësore mund të them se kjo gjë nuk përfshin vetëm vetën e parë njëjës unë, por edhe atë të vetës së dytë njëjës ti. Këtu mund të sjell një shembull ku mund të ketë shprehje të gabuar:

A ka ndonjë që doli më mirë se ty në mësime?

Siç shihet edhe këtu është përdorur në mënyrë të gabuar forma rasore dhanore për rasën emërore, pasi pyetja që duhej të ishte drejtuar: A ka ndonjë që doli më mirë(se kush?), sigurisht që përemri duhej të përgjigjet për rasën emërore dhe jo dhanore. Pra ti dhe jo ty.

     Dukuri e gabuar vihet re edhe në rastin e drejtimit(vendit) të përdorur edhe me parafjalët nga; te; tek.

Agimi mbrëmë ishte për darkë tek unë.

Siç shihet këtu nuk ka asnjë gabim, por në se dikush mund të shprehej:

Agimi mbrëmë ishte për darkë tek mua, sigurisht që do të ishte e gabuar, pasi pyetja do të ishte: Tek kush ishte për darkë mbrëmë Agimi? Përgjigjja: tek unë dhe jo tek mua. Po kështu e gabuar do të ishte shprehja:

Nga ty nuk e prisja këtë përgjigje.

Duhet pasur parasysh se parafjalët e lartpërmendura nga; te; tek, janë parafjalë që shoqërojnë rasën emërore.

     Gjithashtu, shpesh gjenden edhe rastet e përdorimit të gabuar të rasës dhanore në vend të rasës rrjedhore:

Prej mua nuk do të marrësh përgjigje tjetër.

Edhe këtu shprehja është e gabuar pasi duhej:

Prej meje nuk do të……

Por edhe po të thoshim:

Nga mua nuk do të marrësh përgjigje tjetër.

Gjithnjë është e gabuar, pasi duhej:

Nga unë(ose prej meje) nuk do të marrësh përgjigje tjetër.

Pra gjithnjë rasa dhanore përdoret vend e pa vend, ose në vend të rasës emërore, ose në vend të rasës rrjedhore. Për secilin rast të sjellë në vetën e parë njëjës fare lehtë mund të japim shembuj edhe për vetën e dytë njëjës dhe lexuesi mund t’i nënkuptojë shembujt analitikë.

     Për ta konceptuar më saktë thelbin e këtij shkrimi këtu më poshtë po paraqes tabelën e lakimit të këtyre përemrave:

Emërore:       unë; veta e parë                   ti veta e dytë   | pyetja      kush?

Gjinore:          (s’ka) -//-                            (s’ka) -//-         |  -//-   nuk ekziston

Dhanore:       mua (më)-//-                        ty(të) -//-         |  -//-          kujt?

Kallzore:       mua(më) -//-                        ty(të) -//-         | -//-           kë?       

Rrjedhore:    meje        -//-                        teje -//-            | -//-   prej kujt?                                         

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s