Dimë që folja shpreh një veprim ose një gjendje që kryhet apo ndodh në tri forma kohore të cilat janë: e tashmja; e shkuara dhe e ardhshmja. Gjithashtu, folja shpreh edhe gjashtë mënyra të lidhjes së veprimit apo gjendjes me realitetin. Le t’i shohim së pari cilat janë këto gjashtë mënyra: dëftore; lidhore; kushtore; habitore; dëshirore; urdhërore. Secila nga këto mënyra shpreh një dukuri të veçantë, apo më mirë të themi ka një shprehësi të veçantë të vetën.
Mënyra dëftore është formë rrëfimtare: punoj, mësoj, shkruaj.
Mënyra lidhore shpreh veprim a gjendje lejor: të punoj, të mësoj, të shkruaj.
Mënyra kushtore shpreh varësi kryerje apo moskryerje veprimi sipas një kushti të paracaktuar: do të punoja, do të mësoja, do të shkruaja… po të…
Mënyra habitore është formë rrëfimtare si mënyra dëftore, por që shfaq një gjendje të veçantë emocionale në formë habije apo mosbesimi: punuakam, mësuakam, shkruakam.
Mënyra dëshirore shpreh një ndjenjë të folësit në formë urimi apo mallkimi: punofsha, mësofsha, shkrofsha.
Mënyra urdhërore shpreh një kërkesë në formë urdhëri: puno; mëso; shkruaj.
Pas kësaj ekspozeje të shkurtër do të thosha se në mënyrën e shprehjes së lidhjes së veprimit me realitetin dy nga mënyrat e mësipërme janë të ngjajshme, apo më mirë të themi kanë të njëjtën rrugë shprehjeje, formën rrëfimtare, por që dallojnë në formë paraqitje, siç edhe më lart i paraqita shkurtazi. Por ka një dallim tjetër mes tyre dhe kryesisht në konceptin kohor. Ky dallim qëndron në faktin se diapazoni kohor i mënyrës së rrëfimit të veprimit është disi më i ndryshëm, ose më mirë të themi; në disiplinat shkollore gjuhësore sidomos në ato të shkollave nëntëvjeçare dhe ato të mesme për mënyrën habitore nuk jepet rrëfimi për kohën e ardhshme që në konceptin tim është disi e gabuar, pasi ekziston edhe në këtë mënyrë rrëfimi kjo formë kohore. Këtë gjë e kam trajtuar në një material tjetër dhe nuk dua që këtu t’i kthehem edhe një herë tjetër me të njëjtin format. Këtu dua të paraqes format kohore që studjohen në formën krahasimore për të parë diapazonin e rrëfimit në këto dy mënyra.
Siç e cilësuam edhe më lart diapazoni kohor i kryerjes apo moskryerjes së një veprimi apo shprehjes së një gjendjeje ka tri hapësira: e tashmja, e shkuara dhe e ardhshmja. Në kohën e tashme veprimi apo gjendja kryehet apo shprehet në kohën e rrëfimit të folësit. Në kohën e shkuar veprimi apo gjendja i takon kohës para se folësi rrëfen dhe në kohën e ardhshme folësi rrëfen se veprimi apo gjendja i takon një kohe të ardhshme. Më konkretisht më poshtë po përpiqem të paraqes zgjedhimin krahasimor të foljeve në të dy mënyrat sipas kohëve përkatëse:
Dëftore Habitore
E tashme E tashme
Unë punoj, marr Unë punuakam, marrkam
Ti punon, merr Ti punuake, marrke
Ai(ajo)punon, merr Ai(ajo)punuaka, marrka
Ne punojmë, marrim Ne punuakemi, marrkemi
Ju punoni, merrni Ju punuakeni, marrkeni
Ata(ato)punojnë, marrin Ata(ato)punuakan, marrkan
E pakryera E pakryera
Unë punoja, merrja Unë punuakësha, marrkësha
Ti punoje, merrje Ti punuakëshe, marrkëshe
Ai(ajo) punonte, merrte Ai(ajo)punuakësh, marrkësh
Ne punonim, merrnim Ne punuakëshim, marrkëshim
Ju pononit, merrnit Ju punuakëshit, marrkëshit
Ata(ato)punonin, merrnin Ata(ato)punuakëshin, marrkëshin
E kryera e thjeshtë E kryera e thjeshtë
Unë punova, mora nuk ka formë rrëfimi
Ti punove, more -//- -//-
Ai(ajo) punoi, mori -//- -//-
Ne punuam, morëm -//- -//-
Ju punuat, morët -//- -//-
Ata(ato)punuan, morën -//- -//-
Kohët e përbëra
E kryer E kryera
Unë kam punuar, kam marrë paskam punuar, paskam marrë
Ti ke punuar, ke marrë paske punuar, paske marrë
Ai(ajo) ka punuar, ka marrë paska punuar, paska marrë
Ne kemi punuar, kemi marrë paskemi punuar, paskemi marrë
Ju keni punuar, keni marrë paskeni punuar, paskeni marrë
Ata(ato)kanë punuar, kanë marrë paskan punuar, paskan marrë.
E kryera e plotë E kryera e plotë
Unë kisha punuar, kisha marrë paskësha punuar, paskësha marrë
Ti kishe punuar, kishe marrë paskëshe punuar, paskëshe marrë
Ai(ajo) kishte punuar, kishte marrë paskësh punuar, paskësh marrë
Ne kishim punuar, kishim marrë paskëshim punuar, paskëshim marrë
Ju kishit punuar, kishit marrë paskëshit punuar, paskëshit marrë
Ata(ato) kishin punuar, kishin marrë paskëshin punuar, paskëshin marrë.
E kryera e tejshkuar E kryera e tejshkuar
Unë pata punuar, pata marrë nuk ka formë rrëfimi
Ti pate punuar, pate marrë -//- -//-
Ai(ajo) pati punuar, pati marrë -//- -//-
Ne patëm punuar, patëm marrë -//- -//-
Ju patët punuar, patët marrë -//- -//-
Ata(ato)patën punuar, patën marrë -//- -//-
Me që jemi tek kohët e përbëra të së shkuarës, po paraqes edhe disa forma dubluese të këtyre formave që në rastet e të folurit të përditshëm i hasim, ndoshta jo edhe aq shpesh, por ama ekzistojnë si klishè, veçse në shkollat e mesme dhe atë të ciklit nëntëvjeçar nuk studjohen. Mendoj se është disi e drejtë, pasi duke dashur të japim sa më shumë informacion, bëjmë një mbingarkesë gati krejt të panevojshme tek nxënësit, por, nga ana tjetër, një mësues i gjuhës shqipe, mendoj, duhet t’i dijë dhe të jetë i informuar për ekzistencën e tyre. Për ta ilustruar këtu po paraqes një fakt real nga një bisedë e mundshme dhe imagjinare që unë mund të kem me një apo më shumë bashkëbisedues lidhur me jetën time reale. “Më parë se të filloja studimet universitare pata pasë lexuar shumë vepra dhe kryevepra të letërsisë botërore dhe shqipe të cilat, jo vetëm ma ngjallën dëshirën të studjoja në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë, por edhe më ndihmuan shumë ta kisha më të lehtë në studime dhe, madje, të arrija rezultate të larta në provime. Por ndodhi që njëri nga pedagogët e komisionit të provimit të letërsisë botërore të periudhës së realizmit të më pyeste në se i kisha lexuar të gjitha veprat e rekomanduara për lexim plotësues. Në atë kohë, në kushtet e mia nuk kisha pasur mundësi t’i lexoja të gjitha dhe u tregova i sinqertë duke i thënë se jo të gjitha i kisha lexuar. Ai kërkoi të dijë se cilat dukë më pyetur për autorët e në mes tyre më pyeti për Emil Zola-në. Për momentin nuk m’u kujtua dhe thashë se nuk kisha lexuar, por kuar ai më tha se nuk ishte mirë që unë nuk kisha lexuar asgjë nga Zolai, mua m’u kujtua në çast se kisha pasë lexuar jo shumë kohë më parë “Karriera e Rugonit” nga seria e romanëve “Rugon-Makarët” dhe iu përgjigja se e kisha lexuar këtë roman dhe po të donte ia analizoja me hollësi dhe nisa ta sqaroj për ta bindur. Pedagogu u bind dhe nuk më la të vazhdoja veç më pyeti se pse e kisha mohuar herën e parë që më pyeti. –Epo, provim hesapi. Edhe mund të hutohemi për momentin, -iu përgjigja.”
E solla si shembull këtë bisedë imagjinare, që në të vërtetë edhe mund të jetë bërë realisht me ndonjë shok timin në kohë të ndryshme dhe në të folurit tim të shkujdesur mund të jem shprehur pikërisht ashtu duke përdorur format foljore tamam në formën e paraqitur me shkronja më të dukshme. Në të vërtetë, këtu unë nuk kisha si qëllim të paraqitja kujtimet e mia para lexuesit, por të tregoja se në të folurit tonë të zakonshëm edhe mund të ndodhin që të paraqiten klishè të tilla të cilat po i paraqes më poshtë në formë tabele zgjedhimi të foljeve:
Mënyra dëftore
E kryera E kryera
Forma e zakonshme forma klishè
Unë kam lexuar, marrë kam pasë lexuar, marrë
Ti ke lexuar, marrë ke pasë lexuar, marrë
Ai(ajo) ka lexua, marrë ka pasë lexuar, marrë
Ne kemi lexuar, marrë kemi pasë lexuar, marrë
Ju keni lexuar, marrë keni pasë lexuar, marrë
Ata(ato) kanë lexuar, marrë kanë pasë lexuar, marrë
E kryera e plotë E kryera e plotë
Forma e zakonshme forma klishè
Unë kisha lexuar, marrë kisha pasë lexuar, marrë
Ti kishe lexuar, marrë kishe pasë lexuar, marrë
Ai(ajo) kishte lexuar, marrë kishte pasë lexuar, marrë
Ne kishim lexuar, marrë kishim pasë lexuar, marrë
Ju kishit lexuar, marrë kishit pasë lexuar, marrë
Ata(ato) kishin lexuar, marrë kishin pasë lexuar, marrë
E kryera e tejshkuar E kryera e tejshkuar
Forma e zakonshme forma klishè
Unë pata lexuar, marrë pata pasë lexuar, marrë
Ti pate lexuar, marrë pate pasë lexuar, marrë
Ai(ajo)pati lexuar, marrë pati pasë lexuar, marrë
Ne patëm lexuar, marrë patëm pasë lexuar, marrë
Ju patët lexuar, marrë, patët pasë lexuar, marrë
Ata(ato) patën lexuar, marrë patën pasë lexuar, marrë
Siç shihet nga tabelat e mësipërme në format klishè kemi dy pjesore njëra pas tjetrës dhe që janë përkatësisht pjesorja e foljes bazë e paraprirë nga pjesorja e gegnishtës e foljes ndihmëse kam që nekupton formën veprore të foljes, por po të duam, ne vetë mund të ndërtojmë tabelat për formën pësore. Këtu po paraqes vetëm vetën e parë të foljes mësoj në të tri kohët e përbëra të së shkuarës. Lexuesi, duke u ushtruar vetë personalisht, mund ta kompletojë tabelën në të dy format përkatëse.
E kryera E kryera
Forma e zakonshme forma klishè
Unë jam mësuar kam qenë mësuar
E kryera e plotë E kryera e plotë
Forma e zakonshme forma klishè
Unë isha mësuar kisha qenë mësuar
E kryera e tejshkuar E kryera e tejshkuar
Forma e zakonshme forma klishè
Unë qeshë mësuar pata qenë mësuar
Sa për ilustrim mund të sjell këtë shembull: Në ushtri kam qenë stërvitur në kompaninë e ndërlidhjes. Para meje në atë kompani kishte qenë stërvitur edhe një nga shokët e mi. Unë pata qenë mësuar me një regjim ditor korrekt të cilin e ndoqa për shumë kohë edhe pas shërbimit ushtarak.
Nga shembujt e mësipërm kuptimi merret i plotë dhe i saktë pa asnjë deformim, ndaj nuk ka asnjë vend për një koment negativ apo mospranim të kësaj forme. Pra, janë forma të mirëpërdorura dhe jo rrallë të përdorura në të folurin e zakonshëm.
Pasi solla format e dubluara të mënyrës dëftore, më poshtë po sjell edhe format e dubluara të mënyrës habitore. Siç e tham edhe më sipër, folja në mënyrën habitore, ashtu si edhe në mënyrën dëftore kumton një lajm, një rrëfim dhe kështu nuk ka ndonjë dallim kuptimor veç formës së paraqitjes dhe kjo falë nuancës së habisë apo çudisë me të cilën rrëfen apo kumton. Pa humbur kohë po paraqes tabelat në formën e zakonshme dhe pastaj klishènë për vetën e parë të secilës kohë të përbërë.
Mënyra habitore
E kryera E kryera
Forma e zakonshme forma klishè
Unë paskam lexuar paskam pasë lexuar
Ti paske lexuar paske pasë lexuar
Ai …… …..
E kryera e plotë E kryera e plotë
Forma e zakonshme forma klishè
Unë paskësha lexuar paskësha pasë lexuar
Ti paskëshe lexuar paskëshe pasë lexuar
Ai ……….. ……….
Pra gjurmët janë të njëjta për secilën mënyrë përveçse mënyra habitore nuk e ka kohën e kryer të tejshkuar. Mënyra dëftore ka edhe kohën e ardhshme të shprehur qartë dhe të paraqitur po aq qartë edhe në kurrikulat e shkollave të ciklit nëntëvjeçar, e po ashtu në shkollat e mesme ku mësohet gjuha shqipe, por në këto kategori shkollash nuk shqyrtohe ekzistenca e kohës së ardhshme e mënyrës habitore që në konceptin tim, në të folurin e zakonshëm ekziston po aq qartë e dukshëm sa edhe format e tjera kohore të kësaj mënyre. Më poshtë po bëj tabelën krahasuese për të dy mënyrat.
Mënyra dëftore Mënyra habitore
Koha e ardhshme koha e ardhshme
Unë do të punoj do të punuakam
Ti do të punosh do të punuake
Ai(ajo) do të punojë do të punuaka
Ne do të punojmë do të punuakemi
Ju do të punoni do të punuakeni
Ata(ato) do të ponojnë do të punuakan
Koha e ardhshme e përparshme e ardhshmja e përparshme
Unë do të kemë punuar do të paskësha punuar
Ti do të keshë punuar do të paskëshe punuar
Ai(ajo) do të ketë punuar do të paskësh punuar
Ne do të kemi punuar do të paskeshim punuar
Ju do të keni punuar do të paskëshit punuar
Ata(ato) do të kenë punuar do të paskëshin punuar
Por mund të paraqes edhe format klishè të cilat janë:
Unë do të kemë pasë punuar do të paskësha pasë punuar etj.
Për hir të së vërtetës format klishè, po ashtu edhe e ardhshmja e përparme nuk është se është formë e zakonshme e përdorur dendur, por nuk janë edhe të pakuptimta ndaj edhe i paraqita këtu si forma të mundshme ekzistuese.
Si konkluzion përfundimtar mund të them se folja në mënyrën dëftore në gjuhën shqipe ka një diapazon të gjerë përdorimi në forma kohore. Po kështu edhe në mënyrën habitore, por jo aq sa në mënyrën dëftore, pasi aty mungon koha e kryer e thjeshtë si dhe e kryera e tejshkuar, ndërsa në kohët e tjera folja shprehet pothuajse po aq qartë sa edhe në kohët përkatëse të mënyrës dëftore, përfshirë këtu edhe kohën e ardhshme që deri më sot nuk është konsideruar e studjuar edhe në shkollat shqipe të të ciklit nëntëvjeçar e të mesëm.
Shënim: Jo rrallë hasen edhe përdorime vulgare të foljes në mënyrën habitore. Po të marrim si shembull disa folje që janë përdorur në mënyrën dëftore dhe habitore krahas njëra-tjetrës dhe pastaj mund të vendosim formën vulgare, shumë lehtë mund të vërehen dallimet. Më poshtë po krijojmë një tabelë të përdorimit të foljeve:
koha e tashme
dëftore habitore habitore vulgare
mësoj mësuakam mësuakërkam
kam paskam paskërkam
punoj punuakam punuakërkam
dal dalkam dalkërkam
marr marrkam marrkërkam
koha e pakryer
dëftore habitore habitore vulgare
mësoja mësuakësha mësuakërkësha
kisha paskësha paskërkësha
punoja punuakësha punuakërkësha
dilja dalkësha dalkërkësha
merrja marrkësha marrkërkësha
Siç vihet re në formën vulgare shtohet në mënyrë krejt të panevojshme një kër në trupin e foljes që, jo vetëm nuk e bën të folurin tonë më të bukur, por, përkundrazi, e bën atë më të shëmtuar e më të papranueshëm si shumë vulgarizma të tjera. Kujdes: foljet gjithnjë mënyrën habitore derivojnë nga pjesorja e foljes: mësoj-mësuar-mësuakam; kam-pasur-paskam; punoj-punuar-punuakam(bie bashkëtingëllorja “r” dhe shtohet mbaresa “kam” që s’është gjë tjetër veç folja ndihmëse kam e moderuar); dal-dalë-dalkam; marr-marrë-marrkam; mësuar-mësuakësha; pasur-paskësha; punuar-punuakësha; dilja-dalë-dalkësha dhe jo dilkësha; merrja-marrë-marrkësha dhe jo merrkësha.