Shpeshherë ndeshemi me raste përdorimi të gabuar të emrave të gjinisë femërore sidomos në rasat: Gjinore; Dhanore dhe Rrjedhore, ndaj këtu do të shtjelloj lakimin e emrave sidomos në trajtën e pashquar njëjës. Gjithmonë, në numrin njëjës, kur i lakojmë emrat në trajtën e pashquar, përdorim nyjën joshquese “një” dhe për shumësin “ca” si:
Një vajzë; një grua; një shoqe; një mike; një plakë; një nënë; një nxënëse; një shqiponjë; një thikë; një shtëpi; një fletore; një gomë; një dele një depo; një disko; një kala, etj. në numrin njëjës ndërsa në shumës:
Ca vajza; ca gra; ca shoqe; ca mike; ca plaka; ca nëna; ca nxënëse; ca shqiponja; ca thika; ca shtëpi; ca fletore; ca goma; ca dele; ca depo; ca disko; ca kala, etj.
Siç i pamë, në të dy rastet e përdorura në numrin njëjës dhe në shumës disa nga emrat e përdorur aty nuk e ndryshojnë temën e tyre nga njëjësi tek shumësi dhe dallimi është vetëm tek nyjat joshquese një – ca, si:
Një shoqe-ca shoqe; një mike- ca mike;(këtu nuk duhet ta ngatërrojmë emrin mike me mikeshë që kanë të njëjtin kuptim, por jo se kur emri mike në numrin shumës duhet medoemos të dalë mikesha), një nxënëse- ca nxënëse; një shtëpi- ca shtëpi; një fletore- ca fletore; një dele- ca dele; një depo- ca depo; një disko- ca disko; një kala- ca kala, si dhe një lopë- ca lopë që është një rast jo i shpeshtë i emrave që mbarojnë me ë fundore si:
Një gropë- ca gropa; një fushë; ca fusha; një detyrë ca detyra, por ka nga ato që ka edhe Raste të dyzuara sidomos kur përdoren në kontekste të ndryshme si:
Kokë që në ndonjë rast përdoret në shumës: ca kokë, por edhe ca koka. Për ilustrim po marrim këto dy raste fjalishë:
Bariu kishte vënë para pesë(mundej të shkruhej edhe ca në vend të pesë) kokë dele dhe po i ngjitej shpatit të një kodre.
Matanë ledhit u dukën pesë(ca) koka ushtarësh që kishin zënë pozicion luftimi.
Kasapi kishte vënë në kërrabë pesë(ca) koka delesh dhe i kishte vendosur para dyqanit të tij.
Siç shihet në rastin e parë fjala kokë del njësoj si në numrin njëjës, por në numrin shumës përdorur me numërorin(pesë në këtë rast) në dy fjalitë pasuese del: koka. Në rastin e parë nuk jep kuptimin kryesor të fjalës, por vihet në shërbim të emrit që e ndjek, ndërsa në dy rastet e tjera nga konteksti jepet kuptimi kryesor i fjalës(emërtimi i pjesës së trupit të: njeriut, apo kafshës).
Por ka edhe emra të gjinisë femërore që mbarojnë me bashkëtingëllore si:
Zemër, kodër, femër, ëndërr, vegël, cokël, cikël(e ujit), ashkël, etj. edhe këta emra kur dalin në shumës ndryshojnë si:
Një zemër- ca zemra; një kodër- ca kodra; një ëndërr-ca ëndrra; një vegël- ca vegla; një cokël- ca cokla; një cikël- ca cikla; një ashkël ca ashkla, etj. siç vihet re edhe nga lexuesi bie zanorja “ë” para bashkëtingëllorës fundore dhe në fund merr “a”.
Këtu më poshtë po jap nga një shembull lakimi të këtyre lloj emrash:
Emërore: një vajzë ca vajza
Gjinore: i(e) një vajze i(e) ca vajzave
Dhanore: një vaze ca vajzave
Kallëzore: një vajzë ca vajza
Thirrore: o vajzë o vajza(dikurë trajtohej si rasë emri)
Rrjedhore: prej një vajze prej ca vajzash.
Këtu dallohen qartë mbaresat si për numrin njëjës ashtu edhe për numrin shumës për secilën rasë. Këtu trajtova edhe rasën Thirrore që dikurë ka qenë trajtuar si rasë më vete nëpër tekstet shkollore. Në rastet që vijojnë, meqenëse nuk ndryshon nga rasa emërore dhe kallëzore, nuk do ta paraqes në tabela.
Emërore: një grua ca gra
Gjinore: i(e) një gruaje i(e) ca grave
Dhanore: një gruaje ca grave
Kallëzore: një grua ca gra
Rrjedhore: prej një gruaje prej ca grashë
Emërore: një dele ca dele
Gjinore: i(e) një deleje i(e) ca deleve
Dhanore: një deleje ca deleve
Kallëzore: një dele ca dele
Rrjedhore: prej një deleje prej ca delesh
Emërore: një depo ca depo
Gjinore: i(e) një depoje i(e) ca depove
Dhanore: një depoje ca depove
Kallëzore: një depo ca depo
Rrjedhore: prej një depoje prej ca deposh
Siç shihet nga të tri tabelat e mësipërme në rasat: gjinore, dhanore, rrjedhore në numrin njëjës këta emra që dalin me temë në zanore apo diftong fundor, marrin një “je” si mbaresë, por jo në rastin kur kjo zanore fundore është “ë”. Më poshtë po paraqes edhe tabelën e lakimit të një ose dy emrave që mbarojnë me bashkëtingëllore.
Emërore: një zemër; një ashkël | ca zemra; ca ashkla
Gjinore: i(e) një zemre; i(e) një ashkle | i(e)ca zemrave; i(e) ca ashklave
Dhanore: një zemre; një ashkle | ca zemrave; ca ashklave
Kallëzore: një zemër; një ashkël | ca zemra; ca ashkla
Rrjedhore: prej një zemre; (ashkle) | prej ca zemrash; (ashklash)
Në tabelë pasqyrova lakimin e dy emrave tipikë të gjinisë femërore që mbarojnë me bashkëtingëllore. Nga tabela vërehet se në të dy rastet në rasat: gjinore, dhanore dhe rrjedhore emri i këtyre tipeve e humbet zanorën “ë” para bashkëtingëllorës në numrin njëjës si dhe në të gjitha rasat në numrin shumës.
Në këtë shkrim unë nuk kam si qëllim të paraqes se si lakohen emrat e gjinisë femërore, por mora shkas ta paraqes edhe një herë tjetër tabelën e lakimit të këtyre emrave, pasi shpesh dëgjoj raste të përdorimit të gabuar të disa emrave sidomos në rasat: gjinore, dhanore dhe rrjedhore, sidomos në dy raste.
- Siç e cilësova edhe më lart, emrat që dalin me temë në zanore: e, a, i, o, ose diftongje, në rasat që paraqita më sipër pas zanorës apo diftongut marrin një “je”. Nën shembullin e kësaj dukurie shumëherë vërehet të shqiptohen edhe emra si: tokë; fjalë; kokë; pendë; nënë; thikë; zemër; vegël; rregull; ëndërr e shumë të tjerë si këto. Në fakt duhen shqiptuar dhe shkruar, gjithashtu: një toke; një fjale; një koke; një pende; një nëne; një thike; një zemre; një një vegle; një rregulle; një ëndrre dhe jo: një tokeje; një fjaleje; një kokeje; një pendeje; një nëneje; një thikeje; një zemreje; një vegleje; një rregulleje; një ëndrreje.
- Gjithashtu e theksova se emrat që dalin me temë në bashkëtingëllore dhe para bashkëtingëllores kanë një “ë” e humbin atë si për tri rasat e cilësuara më sipër, ashtu edhe në numrin shumës, si dhe kur shquhen. Të tilla janë: Zemër; femër; kodër; lodër; qendër; gogël; vegël; xhungël; ashkël; ëndërr Këta emra dalin:
- kur shquhen: zemra; femra; kodra; lodra; qendra; gogla; vegla; xhungla; ashkla; ënddrra, etj., por asnjëherë zemëra; femëra; kodëra; lodëra; qendëra;gogëla; vegëla; xhungëla; ashkëla; ëndërra,
- kur vihen në rasat gjinore, dhanore dhe rrjedhore në trajtën e pashquar: zemre; femre; kodre; lodre; qendre; gogle; vegle; xhungle; ashkle; ëndrre, etj. dhe asnjëherë zemëre; femëre; kodëre; lodëre; qendëre; gogële; vegële; xhungële; ashkële; ëndërre,
- në numrin shumës në të gjitha rasat si dhe në të dyja trajtat të shquar dhe të pashquar: ca zemra, ca zemrave, zemrat, zemrave; ca femra, ca femrave, femrat, femrave; ca kodra, ca kodrave, kodrat, kodrave; ca vegla, ca veglave, veglat, veglave; ca ëndrra, ca ëndrrave, ëndrrat, ëndrrave, etj. Rastet e tjera nënkuptohen, ndaj nuk po i shtjelloj të gjithë emrat e paraqitur aty. Por kurrë nuk mund të dalin: ca zemëra, ca zemërave, zemërat, zemërave; ca vegëla, ca vegëlave, vegëlat, vegëlave; ca ëndërra, ca ëndërrave, ëndërrat, ëndërrave, apo kokërra; dokërra, por duhet pasur parasysh se emrat e tipit: gjepur; rregull nuk e humbasin zanorën para bashkëtingullores dhe e ruajnë atë në të gjitha rastet e lakimit në njëjës e shumës në të dyja trajtat: të shquar dhe të pashquar: një gjepur, një gjepure, gjepura, gjepurës, ca gjepura, ca gjepurave(gjepurash), gjepurat, gjepurave.