ZGJEDHIMI I FOLJEVE NË TRAJTËN VEPRORE DHE JOVEPRORE

 

 

 

      A-IMG_1252Në gjuhën shqipe shumica e foljeve zgjedhohen në të dyja trajtat veprore dhe jo veprore. Them shumica, pasi mjaft folje në gjuhën shqipe përdoren vetëm në trajtën veprore, ose vetëm në trajtën joveprore. Mund të sjellim si shembull foljet “kam” dhe “jam” që në gjuhën shqipe shërbejnë, gjithashtu edhe si folje ndihmëse për të formuar kohët e përbëra të foljes(kam punuar; jam mësuar;etj.). Por ka edhe nga ato folje që në dukje është e pamundur të konceptohen në formën joveprore që në frazeologji apo stilistikisht edhe përdoren në formën joveprore. P.sh. shkoj zakonisht nuk mund të thuhet shkohem; shkohesh; shkohemi; shkoheni. Por mund të thuhet: Kështu nuk shkohet askund. Ose: Nuk i dilet në krye kësaj rruge. Nuk thuhet: dilem; dilesh; dilemi; dileni. Po kështu edhe folja kam me një kuptim tjetër nga ai parësori mund të përdoret: kamem; kamesh; kamet; etj. me kuptimin pasurohem.

     Së pari duhet të shikojmë se cili është kuptimi vepror i foljeve dhe cili është kuptimi jovepror:

     -kuptimi vepror është atëherë kur kryefjala e kryen veprimin dhe veprimi bie mbi një objekt tjetër(jo mbi kryefjalën). Si shembull po jap këtë rast:

Unë lexova një libër me poezi të Dritëro Agollit. Analizojmë kuptimin e veprimit në lidhje me kryefjalën: kryefjala(në këtë rast) –Unë; folja –lexova; veprimi kalon –një libër me poezi. Pra veprimi i kryer nga kryefjala bie mbi një objekt tjetër dhe jo mbi vetë kryefjalën.

     -kuptimi jovepror është kur veprimi i kryer nga kryefjala ose nga dikush tjetër bie mbi vetë kryefjalën e fjalisë. Le të shohim një shembull:

Unë lahem në dush çdo mëngjes. Analizojmë kuptimin e veprimit në lidhje me kryefjalën: për analogji edhe këtu kryefjala –Unë; folja –lahem; veprimi kalon tek kryefjala Unë edhe pse këtu nuk përmendet, por nënkuptohet. Pra kur them: Unë lahem nënkuptohet se unë laj vetën time dhe jo ndokënd tjetër. Ndryshon kuptimi në se them: Unë çdo mëngjes laj trupin në dush. Këtu veprimi kryhet nga unë dhe bie mbi mua, por kryefjala është Unë dhe veprimi është laj, por ky veprim kalon tek fjala trupin dhe jo unë, pavarësisht se trupi është imi, pra jam unë. Por ka raste që veprimi kryhet nga dikush tjetër dhe bie mbi kryefjalën: Shtëpia ndërtohet nga ustallarë me përvojë. Kryefjala –Shtëpia; veprimi –ndërtohet; kryhet nga –ustallarë dhe bie mbi kryefjalën: –Shtëpia.

     Këtu nuk po ndalem të sqaroj se cilat janë format e foljeve në të dy format që shpesh janë quajtur diateza apo forma joveprore është paraqitur edhe si  trajta: pësore dhe vetvetore. Gjithashtu, kur përmendim fjalën kryefjalë edhe për veprimin e kryer duhet thënë kallëzues dhe fjala mbi të cilin bie veprimi kundrinor, por unë nuk i përdora të gjitha këto terma për të qenë sa më i qartë për lexuesin, sidomos për atë lexues që nuk ka njohuri gjuhësore të thella e të ngulitura, pasi shkrimi im ka si objekt pikërisht këtë kategori lexuesish. Këtu më poshtë po paraqes një foto nga një shkrim i një proverbi popullor dhe aty foljet e përdorura po i paraqes të nënvizuara. Foljet e nënvizuara me një vijë janë të formës veprore. Foljat e nënvizuara me dy vija janë të formës joveprore, ndërsa foljet e nënvizuara me tri vija janë shkruar gabim dhe kryesisht: folja ulën duhet të shkruhej ulen, pasi është joveprore dhe është përdorur në formën veprore, ndërsa folja dëgjoi është e formës veprore dhe është përdorur në këtë formë, por gabimisht është paraqitur koha e kryer e thjeshtë veta e tretë njëjës për kohën e tashme veta e parë njëjës dhe duhej shkruar dëgjoj.

    Po kështu brenda dy rrathëve kam paraqitur edhe një trajtë të shkurtër të paraqitur si trajtë e shkurtër e bashkuar: iu e cila duhej të ishte u, pasi nuk mund të nënkuptohet edhe trajta e shkurtër i e cila nuk ekziston aty. Bëjmë një analizë të thjeshtë për ta konceptuar:

     Kujt u përgjigjet? Atyre u. Pra, siç shihet, këtu në këtë tekst ka plot gabime drejtshkrimore nga që kultura gjuhësore e shkrimit është mjaft e mangët nga shkruesi i këtij proverbi.

     Përsa i përket rastit të dytë të përdorimit të gabuar të foljes nuk po ndalem ta analizoj, pasi e kam paraqitur në një shkrim tjetër enkas për këtë rast dhe nuk është vendi ta trajtoj edhe një herë tjetër, por këtu në këtë shkrim po ndalem tek analiza e rastit të parë ulën përdorur në vend të ulen. Për ta sqaruar më qartë këtë problem, më poshtë do të paraqes tabelën e zgjedhimit përkatës të formës veprore dhe joveprore në kohët përkatëse të përdorimit ulem-ulëm. Së pari dua të sqaroj se këto raste përdoren në gjuhën shqipe, por në pozicione të veçanta të përdorimit të tyre dhe pikërisht:

Ulem –veta e parë numri njëjës, koha e tashme, forma joveprore(vetvetore), mënyra dëftore. Ulem në një stol në park.

Ulëm –veta e parë shumës, koha e kryer e thjeshtë, forma veprore, mënyra dëftore. Ulëm çmimet në masën 50%.

    Le të shikojmë tabelat e zgjedhimit të foljes ul, gdhend.

                                     Forma veprore     

   Koha e tashme                                        e kryera e thjeshtë

 

Unë       ul;       gdhend;      ndal;             ula;      gdhenda;    ndala;

Ti          ul;       gdhend;      ndal;             ule;       gdhende;    ndale;

Ai(ajo)  ul;       gdhend;      ndal;             uli;        gdhendi;     ndali;

Ne         ulim;   gdhendim;  ndalim;         ulëm;   gdhendëm;  ndalëm;

Ju         ulni;    gdhendni;   ndalni;          ulët;      gdhendët;   ndalët;

Ata(ato)ulin;    gdhendin;   ndalin;          ulën;     gdhendën;  ndalën

 

                                 Forma joveprore

      Koha e tashme                                    e kryera e thjeshtë

 

Unë       ulem;  gdhendem;  ndalem;      u ula(ndala);      u gdhenda

Ti          ulesh;  gdhendesh; ndalesh;      u ule(ndale);       u gdhende

Ai(ajo)  ulet;     gdhendet;   ndalet;         u ul(ndal);          u gdhend

Ne         ulemi;   gdhendemi;ndalemi;     u ulëm(ndalëm); u gdhendëm

Ju         uleni;    gdhendeni; ndaleni;       u ulët(ndalët);     u gdhendët

Ata(ato)ulen;     gdhenden; ndalen;         u ulën(ndalën);   u gdhendën

     Siç vihet re nga tabelat e paraqitura më sipër( këtu nuk janë paraqitur kohët e tjera të foljes në këtë mënyrë, pasi qëllimi është të vihen në dukje rastet e paraqitjes së gabuar në kohë e veta të foljeve të ndryshme dhe kryesisht tek disa prej atyre që mbarojnë me bashkëtingëllore) foljet ul; ndal dhe gdhend në veta të ndryshme dhe në kohë të ndryshme kanë ngjashmëri, por ndryshojnë në përdorimin e zanoreve e dhe ë. Le t’i shohim ngjashmëritë:

Koha e tashme: ulem(gdhendem) veta e parë njëjës; ulet(gdhendet) veta e tretë njëjës; ulen(gdhenden) veta e tretë shumës të gjitha të formës joveprore.

E kryera e thjeshtë: ulëm(gdhendëm) veta e parë shumës; ulët(gdhendët) veta e dytë shumës; ulën(gdhendën) veta e tretë shumës të gjitha të formës veprore. Pra shpesh ngatërrohet veta e parë njëjës e formës joveprore të kohës së tashme me vetën e parë shumës të formës veprore në të kryerën e thjeshtë. Gjithashtu, edhe veta e tretë njëjës të kohës së tashme forma joveprore me vetën e dytë shumës e kryera e thjeshtë forma veprore, si dhe veta e tretë shumës koha e tashme forma joveprore me vetën e tretë shumës në të kryerën e thjeshtë shumës të të dyja formave. Lexuesi vetë mund të formojë tabela zgjedhimi sipas shembullit të paraqitur më sipër edhe për folje të tilla si: kap; hap; rrit; pres; gëlltit; përpëlit; pëshpërit; rëndit; përsërit; end; etj.

     Po jap disa shembuj me fjali me disa nga foljet e dhëna:

Dje dolët e na pritët në aeroport. Pritet të ndërrojë moti. Hapëm krahët dhe u përqafuam. Unë veç me miqtë e ngushtë hapem për gjëra personale. Ata enden sa andej sa këndej pa bërë asgjë. Tradicionalisht gratë zadrimore i endën në tezgjah veshjet e tyre.

      Shënim:

     Ndryshon problemi për foljet që dalim me temë në zanore dhe foljet e parregullta, pasi për ato ka mbaresa të tjera sipas rastit.

 

 

14 mendime mbi “ZGJEDHIMI I FOLJEVE NË TRAJTËN VEPRORE DHE JOVEPRORE

  1. Tom Pershndetje.
    Quhem Alfred Hila (dikur ne shkollen e oficereve sot refugjat neper bote)
    Jam prej Zojzit
    Zadrimes (djali i madh i Ndrek Ndocit dhe i Domenikes Per ma qartsi jam nipi i Dode Pashukut ne Grash Falemnders shume qe me ke ekspozu me
    grupveshjen e Zadrimoreve.Jam une dhe gruaja ime me sfond te modifikum Akropoli i ATHINES ne diten e marteses (Kisha e Shen Nikollit ne Grash)
    E lexova me shum interres Pershrimin e zanafilles se Zadrimes mbijeteses shekullore zakoneve e traditave tona.Mendoj se duhet te sherbeje si orientim edhe per ministrine e Arsimit per ta bashkangjite ne nje pjese te edukimit shkollor ne ZADRIME.Ky shkrim eshte pjese e historise qe nuk mund te humbet megjithe perpjekjet e politikes per ta zbrazur Zadrimen nga banoret e saj.

    Te uroj shndet e mbarsi ne jete.

    Me Respekt Alfred Hila

    Como Italia 6 Shkurt 2019

    Pëlqejeni

    1. Alfred! Të përshëndes me gjithë zemër dhe uroj për ty gjithë mbarësitë e jetës! Më vjen mirë që më ndjek(Kusho) dhe shpresoj që shkrimet e mia të vlejnë sadopak për ta mbajtur gjallë frymën e origjinës sonë të mrekullueshme. Fjalët e tua janë mjaft inkurajuese për mua dhe të falenderoj nga zemra për mbështetjen tande!

      Pëlqejeni

  2. Very nice post. I jusdt stumbled upon your blog and wanted to say that I’ve truly
    enjoyed surfing around your blog posts. In any case I will be subscribing
    to your feed and I hope you write again very soon!

    Pëlqejeni

  3. Tungjatjeta Tom,
    së pari të falënderoj shumë për punën tënde për ta mirëmbajtur gjuhën tonë të dashur. Jam nga Kosova dhe për fat të keq kontaktin e vetëm me amën Shqipëri e kam përmes mediave. Sa jam i lumtur që këto media kanë tendenca pozitive në përdorimin e gjuhës shqipe të standardizuar, aq jam i pikëlluar mbi amullinë e përgjithëshme (mediat, institucionet arsimore e ato politike) në këtë drejtim.

    Unë, vetë, nuk jam gjuhëtar, jam vetëm gjuhëdashës. Me profesion jam programues. Për të kontribuar pak në mbrojtjen e gjuhës tonë e kam programuar një webfaqe, që ofron një listë të foljeve shqipe me zgjedhimin përkatës të tyre. Përdoruesit kanë mundësinë të shtojnë folje që nuk janë në atë listë, por edhe t’i plotësojnë apo përmirësojnë foljet tanimë të regjistruara. Shpresoj që kjo webfaqe të lërohet e zhvillohet nga njerëz që kanë dijen e duhur, sikur që je ti dhe të shërbejë si referencë për nxënës, studentë, mësues, gazetarë, politikanë e të interesuar të tjerë.

    Webfaqja me gjithë udhëzimet e përdorimit në formë të video-tutorialeve gjendet në adresën https://mensaco.org . Do të të lusja, që sipas mundësisë t’ia hedhësh një sy dhe të më japësh mendimin, vërejtjet, kritikat dhe sugjerimet për përmirësim/zgjerim të mëtutjeshëm të kësaj webfaqeje (atje e kam të publikuar adresën time të emailit ku mund të më shkruash).

    Të falënderohem edhe një herë dhe të uroj shëndet e çdo të mirë tjetër!

    Skënderi

    Pëlqejeni

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s