Foljet modale në gjuhën shqipe

    A-IMG_1252Në gjuhën shqipe foljet “kam” dhe “jam” krahas funksionit të tyre kuptimor vetiak kan edhe rolin e foljeve ndihmëse dhe shërbejnë për të formuar kohët e përbëra të foljes: e kryer; e kryer e plotë; e kryer e tejshkuar si dhe e ardhshmja e përparme: kam punuar; kisha punuar; pata punuar; do të kemë punuar; si dhe jam mësuar; isha mësuar; qeshë mësuar dhe do të jemë mësuar. Por krahas këtyre dy foljeve janë edhe një grup tjetër foljesh që marrin rolin modal në gjuhën shqipe. Këto folje ndryshe janë quajtur edhe folje gjysëmndihmëse. Të tilla janë foljet: duhet dhe mund të cilat vihen në rolin e foljeve gjysëmndihmëse duke e humbur përgjithësisht kuptimin parësor të tyre dhe duke plotësuar kuptimet dhe vlerat gramatikore të foljeve që shoqërojnë. Edhe foljet: dihet; mendohet; shihet; supozohet; parashikohet; flitet; duket; etj. vihen në rolin e foljeve modale.

    Folja duhet kur përdoret si folje gjysëmndihmëse ka më shumë karakter domosdoshmërie për një veprim a gjendje. Duhet mësuar me këmbëngulje për të arritur rezultate të larta dhe njohuri të qëndrueshme. Zakonisht kjo folje kur merr rolin e një folje modale përdoret në diatezën pësore e vetvetore dhe vjen nga folja dua. Folja duhet shoqëron një pjesore foljeje si foljet ndihmëse, por këtu nuk shërben për të formuar ndonjë nga kohët e foljes. Gjithashtu shoqëron edhe folje të mënyrës lidhore: Duhet të mësojmë shumë që të arrijmë rezultatet që dëshirojmë.

     Folja mund kur përdoret si folje modale apo ndryshe në rolin e një foljeje gjysëmndihmëse jep kuptim lejor apo të një mundësie për një veprim apo gjendje. Zakonisht kjo folje shoqëron një folje në mënyrën lidhore dhe jo një pjesore siç e shoqëron folja duhet. Mund të shkojmë edhe ne me shokët tanë. A mund të flas unë?

     Siç shihet, që të dyja këto folje gjysëmndihmëse janë të përdorura në vetën e tretë njëjës të kohës së tashme, por njëra në diatezën pësore duhet dhe tjetra në diatezën veprore mund, megjithatë nuk ndikojnë tek diateza e foljes që e shoqërojnë. Le të sjellim shembuj përkatës:

Duhet të lajmë duartë gjithnjë para se të ulemi në tryezë për të ngrënë. Këtu folja lajmë i takon diatezës veprore: Kush? –ne. Kë të lajmë? –duartë. Veprore.

Për të pasur një shëndet të qëndrueshëm duhet të lahemi çdo ditë. Pësore. Në të dy rastet folja duhet nuk ndryshon, por folja laj del në dy diateza: veprore në rastin e parë dhe pësore në rastin e dytë.

Mund të mësoni më shumë mësimet e dhëna. Veprore.

Mund të mësohen me vese që nuk duhen marrë. Pësore.

Në fjalinë e fundit, siç shihet është përdorur edhe folja modale duhet, por në numrin shumës, pasi këtu emri që ndikon në këtë folje është përcaktuar qartë dhe i takon numrit shumës, ndaj edhe folja duhen është përdorur në numrin shumës. Pra përdorimi në vetën e tretë njëjës nuk është tërësisht strikt dhe ndikohet nga konteksti i fjalisë. Duhen marrë masa që të mos gabojmë në dhënien e shembujve përkatës. Edhe këtu emri përcaktues është vendosur dukshëm dhe është në numrin shumës masa. Duhet të vish edhe ti me ne. Duhet të shkoj edhe unë me shokët e mi. Këtu, megjithëse përemrat janë të vetës së dytë dhe të parë, përsëri folja duhet është vendosur në vetën e tretë njëjës, pasi aty nënkuptohe veprimi që duhet kryer dhe jo kush e kryen veprimin e caktuar vij; shkoj. Pra nuk mund të themi: Duhesh të vish dhe as Duhem të shkoj.

       Siç vihet re nga shembujt e analizuar, por edhe nga paraqitja e të dhënave të këtyre foljeve dallohet qartë roli që luajnë ato. Pra janë gjysmëndihmëse, pasi shoqërojnë një folje tjetër dhe kryej rol modaliteti se japin nuanca kuptimore foljeve që shoqërojnë. Por ka edhe folje të tjera që mund t’i quajmë modale, pasi japin nuanca kuptimore në një frazë. Disa nga ato i përmenda edhe më sipër, por nuk mund t’i quajmë gjysëmndihmëse, pasi nuk shoqërojnë drejtpërsëdrejti folje të tjera, ose të paktën nuk kanë një lidhje logjike edhe me foljen që mund t’u pranëvihet në mënyrë rastësore. Dihet se toka rrotullohet rreth diellit. Parashikohet që të vijnë shumë njerëz në miting. Mendohet të plotësojmë edhe ne parashikimet tona. Supozohet se do të na vijnë shumë mysafirë, ndaj duhet përgatitur shumë ushqime. Flitet poshtë e lart se vendin tonë do ta vizitojë një delegacion amerikan. Shihet qartë se nuk ke ndërmend të ndryshosh rrugë. Me sa duket, nuk ke për të ardhur me ne.

    Nga shembujt e mësipërm dhe shumë të tjera si këta që po t’i kërkojmë, fare lehtë mund t’i gjejmë, foljet e paraqitura: dihet; parashikohet; mendohet; supozohet; flitet; shihet; duket; etj. në frazat e dhëna luajnë rolin e një pjese të fjalisë së përbërë dhe këtë gjë e studjon sintaksa e fjalisë, gjë të cilën nuk e shoh me vend të trajtoj këtu. Ndryshon problemi kur përdoren foljet modale: mund dhe duhet, pasi ato kan lidhje organike me foljen që e shoqërojnë dhe kryesisht përdorimi i tyre u jep kuptim lejor apo mundësor. Të tjerat nuk e kanë asnjërin nga këto role.

Një mendim mbi “Foljet modale në gjuhën shqipe

  1. Material me interes. Aty pashe te percaktuar se ne konstruksionet 1-‘duhet të shkoj’ dhe 2-‘mund të shkoj’ -folja shoqeruese (të shkoj) e f. modale është në m. lidhore. Në dialektin e veriut të Shqipërisë (ashtu si në shumë gjuhë të huaja) folja shoqëruese përdoret në paskajore: ‘duhet me shkue’. Do të doja një paraqitje te formave te mundëshme të konstruksioneve 1 dhe 2 në kohën e shkuar: në të pakryerën dhe në të kryerën e thjeshtë. JU FALEMNDERIT.

    Pëlqejeni

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s