Mbiemrat prejfoljorë

 

 

      IMG_E1297Mbiemrat janë pjesë e ndryshueshme e ligjëratës që shoqërojnë emrat dhe tregojnë një cilësi a gjendje të tyre. Si të tillë, mbiemrat u përshtaten emrave në gjini, numër dhe rasë. Pra një emër i rasës emërore merr nga pas një mbiemër të rasës emërore në se shoqërohet nga një mbiemër. Shoku i mirë të gjendet në ditë të vështirë. Tek fjalia e dhënë kemi dy emra dhe dy mbiemra: emrat: shoku; ditë; mbiemrat: i mrë; të vështirë.

      Le t’i analizojmë emrat dhe mbiemrat shoqërues:

Shoku: gjinia mashkullore; numri njëjës; rasa emërore.

I mirë: gjinia mashkullore; numri njëjës; rasa emërore.

Ditë: gjinia femërore; numri njëjës; rasa kallëzore.

Të vështirë: gjinia femërore; numri njëjës; rasa kallëzore.

Le t’i shikojmë si ndryshojnë në gjini; numër dhe rasa:

Shoku i mirë(mashkullore)– shoqja e mirë(femërore); Shoku i mirë (njëjës)– shokët e mirë(shumës);

Shoku i mirë(emërore) i(e) shokut të mirë(gjinore)– shokut të mirë(dhanore)– shokun e mirë(kallëzore)– prej shokut të mirë (rrjedhore)

Ditë të vështirë(njëjës)– ditë të vështira(shumës). Përsa i takon gjinisë mund të themi kështu: ditë e vështirë(gjinia femërore) muaj i vështirë(gjinia mashkullore)

Ditë të vështirë(kallëzore)– ditë e vështirë(emërore)– i(e) një dite të vështirë(gjinore)– një dite të vështirë(dhanore)– prej një dite të vështirë(rrjedhore)

      Por qëllimi i këtij shkrimi nuk është paraqitja e karakteristikave të mbiemrave dhe format e tyre gramatikore që i marrin në numër gjini dhe rasë. Qëllimi është të trajtoj prejardhjen e një grupi mbiemrash dhe dallimet e tyre kuptimore kryesisht të atyre që vijnë nga baza foljore. Duhet të sqarojmë faktin se foljet në gjuhën shqipe gjenerojnë mbiemra në dy forma:

              – mbiemra të formuar nga pjesoret e foljeve duke u vënë para nyjet e përparme i, e, të, së. Punoj-punuar- i(e) punuar; mësoj-mësuar- i(e) mësuar; lexoj-lexuar- i(e) lexuar; kap-kapur- i(e) kapur etj.

              – mbiemra të formuar nga folja me prapashtesën –shëm. Punoj-i punueshëm; mësoj-i mësueshëm; lexoj-i lexueshëm; kap-i kapshëm; gdhend – i gdhendshëm; lodh – i lodhshëm; etj.

      Pra sipas shembujve të dhënë më sipër kemi dy variante mbiemrash që vijnë nga e njëjta folje. Të dyja këto variante mbartin kuptimin e foljes nga vijnë, p.sh. ndërtoj- i ndërtuar- i ndërtueshëm.

  • I ndërtuar- diçka që ndërtohet apo është ndërtuar.
  • I ndërtueshëm- diçka që është i mundur të ndërtohet
  • I diskutuar- diçka që i është nënshtruar veprimit të diskutimit
  • I diskutueshëm- diçka që është i mundur të diskutohet
  • I padiskutuar- diçka që ende nuk është diskutuar
  • I padiskutueshëm- diçka që nuk mund të diskutohet apo nuk lejohet të diskutohet
  • I kapur- diçka që është kapur nga dikush
  • I kapshëm- diçka që është i mundshëm të kapet
  • I pakapur- diçka që ende nuk është kapur
  • I pakapshëm- diçka që nuk mund të kapet.

    Siç shihet edhe nga shembujt e mësipërm secila folje formon katër mbiemra prejfoljorë:

 dal(folje)- i dalë; i dalshëm; i padalë; i padalshëm. Duke marrë parasyshë dy rastet e formimit të mbiemrave që në variantin e parë mund t’i quajmë pohorë, pasi pohon cilësinë e të kryerit të një veprimi, në variantin e dytë mund t’i quajmë mohorë, nga që parashtesa pa- para mbiemrit prejfoljor i jep nuancë mohuese fjalës së krijuar. I padalë do të thotë që nuk ka dalë ende një diçka që pritet të dalë. I padalshëm do të thotë se nuk ka aftësi për të dalë një diçka për të cilën bëhet fjalë. Ullinj të mbledhur: kokrrat e ullinjve janë mbledhur nga toka dhe janë vendosur në arka apo në depo a në ndonjë vend tjetër. Ullinj të pambledhur: kokrrat e ullinjve ende janë në degë apo të shpërndara në shesh. Ullinj të mbledhshëm: kokrrat e ullinjve apo bimët e ullirit janë të mundshme për t’u mbledhur pa pasur pengesa ekstreme. Ullinj të pambledhshëm: kokrrat e ullinjve janë nëpër degë të larta dhe është e pamundur të mblidhen, ose pema e ullirit mund të jetë në ndonjë vend që nuk ia vlen të sakrifikosh për t’i mbledhur apo është e pamundur për t’i marrë prej andej. Pra nga folja mbledh dalin katër mbiemra: i mbledhur; i pambledhur; i mbledhshëm; i pambledhshëm. Kjo ngjet për çdo folje në gjuhën shqipe dhe nuk besoj se mund të gjendet një folje e veçantë nga e cila të mos mundet të formohet një mbiemër për të vetmën arsye se të gjitha foljet janë të zgjedhueshme: folje të rregullta apo të parregullta qofshin. Pra, kanë pjesoret e tyre dhe nga secila pjesore duke i vënë para nyjet: i, e, të, së, formohen mbiemra.

    Në një emision televiziv ku flitej për vlerat e ushqimeve, e ftuara e ditës në mes të tjerave shprehet: Në qoftë se nuk do ta konsumoje sasinë e nevojshme të ushqimit, nuk do të arrije të bëje aktivvitet fizik e kjo është e padiskutuar.  

Siç shihet mbiemri prejfoljor e padiskutuar jep një kuptim tjetër nga konteksti i fjalisë në të cilën përdoret. Kuptimi i këtij mbiemri është që çështja që sasia e pakët e ushqimeve të konsumuara nuk është diskutuar ende në se do ta lejonte një person të arrinte të kryente një aktivitet fizik, ose jo dhe se mundet që të diskutohet në një kohë tjetër e jo se sasia e vogël e ushqimeve të konsumuara nuk e lejon kryerjen e aktivitetit fizik. Unë mendoj se folësja mund edhe ta ketë bërë lapsus përdorimin e mbiemrit e padiskutuar në atë fjali, pasi konteksti ishte tjetër dhe mbiemri nuk përshtatej me atë kontekst. Fjalia e ndërtuar saktë duhej të ishte: Në qoftë se nuk do ta konsumoje sasinë e nevojshme të ushqimit, nuk do të arrije të bëje aktivitet fizik, kjo është e padiskutueshme. Pra, ky fakt nuk ka nevojë për diskutim dhe argumenti duhet marrë i saktë e i padyshueshëm. Kuptimet: i padiskutuar dhe i padiskutueshëm janë mjaft larg njëri-tjetrit edhe pse të dy këta mbiemra kanë të njëjtin trung që është folja: diskutoj duke formuar mbiemrat: i diskutuar dhe i diskutueshëm dhe duke i dhënë secilit prej tyre kuptim mohor, u shtohet parashtesa pa-. Secili lexues i këtij shkrimi fare lehtë mund të gjejë folje të ndryshme dhe të provojë që, së pari duke i vendosur foljet e gjetura në pjesore të formojë mbiemra prejfoljorë me nyjet e përparme të dhëna më sipër në disa raste dhe së dyti duke provuar që foljen ta lidhë me prapashtesën –shëm. Pas këtij veprimi secilit mbiemër t’i vendosë para parashtesën pa:

 Shikoj: i shikuar; i pashikuar; i shikueshëm; i pashikueshëm; Jetoj: i jetuar; i pajetuar; i jetueshëm; i pajetueshëm;

Jap –dhënë(pjesorja) – i dhënë; i padhënë; i dhënshëm; i padhënshëm.

Bie –rënë(pjesorja): i rënë; i parënë; i rënshëm; i parënshëm.

Bie –prurë(pjesorja) i prurë; i paprurë; i prurshëm; i paprurshëm

Ha –ngrënë(pjesorja) i ngrënë; i pangrënë; i ngrënshëm; i pangrënshëm.

     Këta ishin disa shembuj të sjellë këtu dhe lexuesi në bazë të këtyre shembujve mund të gjejë plot të tjerë duke u ushtruar për ta fiksuar më saktë këtë tezë që sapo solla këtu dhe gjithashtu duhet të nxjerrë kuptimin e secilit shembull duke krahasuar kuptimin e njërit mbiemër me mbiemrin tjetër përkrah tij. I ngrënë – i ngrënshëm shikoni dallimet në kuptim, ose: i pangrënë – pangrënshëm.

     Mbi të gjitha duhet të bëjmë kujdes që të mos përdorim njërin mbiemër prejfoljor për tjetrin të dalë nga e njëjta folje, pasi nuk mbartin të njëjtat ngjyrime kuptimore, por të ndryshme. Ky, në fakt, ishte edhe thelbi i këtij shkrimi që duhet ngulitur mirë në mendje, pasi kurrë nuk mund ta zëvendësojnë njëri-tjetrin dhe nuk janë sinonime edhe pse vijnë nga e njëjta folje.

4 mendime mbi “Mbiemrat prejfoljorë

  1. I’m really inspired along with your writing abilities as neatly as with the
    format in your weblog. Is this a paid topic or did you modify it
    your self? Either way keep up the nice high quality writing, it’s uncommon to peer
    a nice weblog like this one today..

    Pëlqejeni

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s