Emrat vit/vjet dhe përdorimi në fjali

Emrat vit; vjet dhe përdorimet e tyre në të shprehur

      A-IMG_1252Në gjuhën shqipe për të emërtuar njësitë kohore përdoren disa emra të caktuar. Duke nisur nga njësia kohore më e vogël mund t’i paraqesim kështu: sekond; minut; orë; ditë; javë; muaj; vit/vjet; dekadë; shekull; epokë. Por kjo nuk do të thotë se nuk mund të përdoren edhe emra të tjerë që kanë të bëjnë me emërtimet e nocionit kohë. Kështu mund të kemi edhe disa emra të formuar për të treguar edhe periudha kohore të veçanta që janë të ndërmjetme. Bie fjala kur përmendim një periudhë kohore që përcaktohet me një numër më të madh se njësitë e paraqitura mësipër mund t’u shtojmë numrin para njësisë dhe formohet një emër kohor i veçantë. Kështu mund të japim këto shembuj të rastësishëm:

tremujorin e parë të vitit u arritën rezultate të kënaqshme.

Pesëvjeçari i shkuar solli mjaft ndryshime në ekonominë e vendit.

Gjatë dyvjetorit të parë të martesës së tyre ata u ndien mjaft të dashuruar, por më pas filluan grindjet në çift dhe së fundi erdhi divorci.

tresekondshin e parë pas inxheksionit pati dridhje trupi, pastaj u qetësua.

të dyzetat u mblodhen shumë njerëz(të dyzetat përdoret për të emërtuar ditën e dyzetë pas vdekjes së një përsoni dhe që të afërmit e tij e kremtojnë me miq).

Sapo kaluan të shtatat dhe njerëzit u shpërndanë nëpër punë të ndryshme.

njëzetekatërorëshin e parë pas operimit duhet të tregosh shumë kujdes sidomos me ushqimin.

Mijëvjeçari i parë pas Krishtit ishte një përiudhë e errët për njerzimin.

Shembujt e mësipërm i solla për të treguar se ka edhe emra të tjerë që formohen nga emrat e dhënë që emërtojnë njësitë kohore. Por në të vërtetë nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi. Qëllimi është tjetër dhe kryesisht dallimi në përdorimin e emrave vit dhe vjet që në fakt emërtojnë të njëjtën njësi kohore.

Shumë shpesh haset dilema: a duhet përdorur vit apo vjet për të përcaktuar një periudhë prej dymbëdhjetëmujore të veçantë? Në të vërtetë përdoren të dy emrat e dhënë, por në dallim për njëri-tjetrin. Dua të them se në një fjali mund të përdoret emri vit dhe nuk mund të përdoret emri vjet, pasi nuk kanë të njëjtën vlerë kuptimore në të shprehur. Le të sjellim këta shembuj:

Vitin e kaluar patëm mjaft arritje.

Vjet patëm mjaft arritje.

Në qoftë se provojmë t’i zëvendësojmë njërën fjalë me tjetrën në secilën fjali do të ishte gati e pamundur, pasi nuk ka një shije të bukur gjuhësore dhe mendoj se kjo vjen nga nocioni që përcjell secila fjalë në fjalinë e ndërtuar në formën e dhënë. Pra po të themi: “Vjetin e kaluar patëm mjaft arritje” duket sikur diçka nuk shkon kështu e shprehur në këtë fjali dhe po kështu nuk shkon, madje duket krejt e pamundur sikur të shpreheshim: “vit patëm mjaft arritje”. Pra, siç shihet në secilën fjali kanë pesha të ndryshme kuptimore këta fjalë. Atëherë lind pyetja: Ku qëndron problemi që nuk mund të përdorim njërën fjalë në vend të tjetrës? Përgjigjja e saktë duhet të jetë kjo: emri vit nënkupton njësinë kohore që ka plotësisht 12 muaj, kurse fjala vjet nënkupton një periudhë kohore dhe jo njësi kohore. Në fakt, fjala vjet nuk është emër në këtë rast, por është ndajfolje dhe është njësoj sikur të themi: Dje patëm mjaft arritje. Dihet se fjala dje është ndajfolje kohore, por fjala vjet përdoret edhe si emër sidomos kur përdoret me një numëror dhe këtu duhet ta shohim qartë kuptimin dhe pozicionin e përdorimit. Kjo punë zgjati pesë vjet. Këtu kemi emër dhe jo ndajfolje.

Emrat vit dhe vjet dallohen qartas kur i përdorim në fjali me nocionet e tyre kuptimore përkatëse. Kështu ne mund të marrim disa shembuj me fjali dhe sqarojmë kuptimet: Në këtë kompani unë kam 5 vite e 4 muaj punë. Unë kam 5 vjet e 4 muaj që punoj tek kjo kompani.

Po të vihet re me kujdes në fjalinë e parë unë kam saktësuar kohën numërike; pra sa vite dhe sa muaj kam të numëruara në punë në atë kompani dhe ndonjë ditë mund të më duheshin këta vite e muaj të përcaktoj pensionin tim. Në fjalinë e dytë përcaktohet periudha kohore që unë punoj dhe jepet nuanca e kuptimit që puna vazhdon aty, ndërsa në rastin e parë mundet që puna mund të ketë përfunduar dhe nuk përcaktohet se kur ka përfunduar, por edhe mund të mos ketë përfunduar, veçse jepet si e tillë, d.m.th. e përfunduar. Në rastin e dytë jepet qartë vazhdimësia e punës: “që punoj”.

Nga ana tjetër dua të shtoj se emri vit lakohet lehtas, pra përdoret në fjali në rasa të ndryshme. Këtu më poshtë po jap tabelën e lakimit të këtij emri në numra dhe trajta të ndryshme:

numri njëjës numri shumës

trajta e shquar trajta e pashquar trajta e shquar trajta q pashquar

Emërore viti një vit vitet ca vite

Gjinore i/e vitit i/e një viti i/e viteve i/e ca viteve

Dhanore vitit një viti viteve ca viteve

Kallëzore vitin një vit vitet ca vite

Rrjedhore prej vitit prej një viti prej viteve prej ca vitesh

por po të provojmë të lakojmë emrin vjet duke e marrë të shkëputur nga një numëror, duket krejt i pamundur lakimi. Arsyeja është se në këtë formë ka nocion ndajfoljor dhe jo emëror e kjo është edhe një arsye se ndajfolja është pjesë e pandryshueshme e ligjeratës. Nga kjo logjikë mund të themi se ndryshe duhet përcaktuar se çfarë është fjala vit dhe çfarë është fjala vjet. Pra fjala vit është emër dhe fjala vjet përdoret me nocionin e ndajfoljes dhe nuk duhet të merret si emër, sidomos kur përdoret pa numëror para.

Me fjalën vjet formohen edhe ndajfoljet: sivjet, sotnjëvjet(vitin e ardhshëm), parvjet dhe tjetërparvjet, por nuk formohen me emrin vit, pasi nuk thuhet sivit, parvit dhe as tjetërparvit. Pra në rastin vit kemi të bëjmë me nocionin emëror, ndërsa me rastin vjet kemi të bëjmë me nocionin ndajfoljor. Ndryshon problemi kur themi: pesë vjet; njëqind vjet; njëmijë vjet, dhjetë vjet; etj. Në këtë rast konceptohet si emër. Si ndjfolje kemi këto shembuj: sot; nesër; pasnesër; tjetërpasnesër; dje; pardje; tjetërpardje; vjet; sivjet; parvjet; tjetërparvjet. Pra fjala vjet është e barasvlershme me fjalën sot në nocionin gramatikor dhe janë ndajfolje, por kur vjen problemi dhe vendosim numëror para këtyre fjalëve ndryshon çështja, pasi fjala vjet i pranon, ndërsa fjala sot nuk i pranon numërorët. Mund të themi katër vjet, por kurrë nuk mund të thuhet katër sot, ashtu siç edhe nuk mund të thuhet, gjithashtu, katër parvjet e as katër tjetërparvjet e gjithashtu as katërsivjet. Pra si konkluzion mund të nxjerrim se kur përdoret me një numëror del në rolin e emrit fjala vjet, por jo kur nuk ka një numëror para, pasi në atë rast del thjeshtë si ndajfolje dhe jo emër. Si zakonisht, shumica e emrave në trajtën e pashquar marrin numëror dhe jo vetëm ata emra që tregojnë nocione kohore, por edhe të llojeve të ndryshme: gjashtëdhjetë minuta; njëzetë e katër orë; shtatë ditë; katër javë; dymbëdhjetë muaj dhjetë vjet; njëqind vjet; pesë gishta; njëzet burra; tridhjetë nxënës; nëntë kuaj; tri shtëpi; gjashtë lumenj; dy detëra; njëmijë pemë; etj. Siç shihet këtu më sipër unë kam sjellë disa shembuj me emra të shoqëruar me numërorë dhe në mes tyre kam përdorur edhe emra që kanë nocione kohore si: minuta; orë; ditë; javë; muaj; vjet. Pra të gjithë janë emra dhe të tjerat emra e fjala vjet të jetë ndajfolje e jo emër.

Më sipër tregova se emri vit tregon njësi kohore dhe përdoret si emër, ndërsa emri vjet kur përdoret me një numëror tregon jo njësi kohore, por përiudhë kohore, ndërsa kur përdoret pa numëror del me nocion ndajfoljor ashtu siç thuhet sot; dje; pardje; nesër; pasnesër; etj. Për ta konceptuar më qartë po sjellim këtë shembull me fjali: Kjo gjë nuk ka ndodhur as sot, as dje, por vjet.

Siç shihet këtu kemi tri fjalë të barasvlershme për nga nocioni gramatikor dhe janë: sot; dje; vjet që janë ndajfolje dhe asgjë tjetër. Ndryshon problemi në se sjellim këtë fjali: Pushtimi i Shqipërisë nga Turqia nuk qe pesë ditë, as pesë vjet, por pesë shekuj e ky pushtim solli mjaft ndryshime në kulturë gjuhë e zakone tek populli shqiptar.

Shihet qartë se këtu fjalët ditë; vjet; shekuj janë emra që përkufizojnë nocione kohore dhe nuk janë ndajfolje, por tregojnë periudha kohore(pesëditore, pesëvjetore, pesëshekullore).

Këta dy raste i solla këtu për të treguar se fjala vjet përdoret edhe si ndajfolje, por edhe si emër. Kur përdoret si emër duhet ditur dhe pasur të qartë se ka si qëllim të japë nocionin e një mase kohore(periudhë kohore e ndryshueshme) dhe jo thjeshtë njësinë kohore prej 12 muajsh që sigurisht edhe këtë e nënkupton, por jo ashtu siç e përfaqëson emri vit. Në këtë rast duhet pasur parasysh se kur duhet përdoret emri vit dhe kur duhet përdorur emri vjet, apo ndajfolja vjet.

2 mendime mbi “Emrat vit/vjet dhe përdorimi në fjali

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s