Përdorimi i gabuar i disa foljeve në shqip

 

Rreth përdorimit të gabuar të disa foljeve në të folurit e përditshëm

A-IMG_1602Në përgjithësi norma letrare është vendosur dhe pranuar nga të gjitha trevat shqipfolëse aty nga viti 1973 në Kongresin Drejtshkrimor të Gjuhës Shqipe edhe pse duhet thënënë se me qenë se u vu mbi bazat e toskërishtes dhe pati mjaft rezerva nga individë dhe gjuhtarë që i përkisnin trevave të tjera të gegërishtes. Edhe unë për vetën  time kam pasur gjithmonë rezervat e mia për këtë çështje për disa arsye, por, gjithësesi, jemi të detyruar ta pranojmë normën letrare të ngulitur tashmë në të gjitha strukturat e gjuhës së shkruar dhe të folur në të gjitha trevat shqipfolëse.

Rezervat e mia në drejtimin e vendosjes së normës letrare mbi bazën e toskërishtes qëndrojnë në disa arsye: e para është se pothuajse më shumë se gjysma e popullsisë i përket dialektit të gegërishtës përfshirë këtu shqipfolësit e trevave të tjera jashtë kufinjve të Shqipërisë: në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi. E dyta është se që nga viti 1916 u bë Komisia Letrare e Shkodrës dhe vendosi me të drejtë si normë letrare shkodranishten e bukur letrare duke u bazuar mbi veprat e shkruara nga shumë shkrimtarë të trevës së ciles edhe vetë i përkas dhe e kam për nder dhe krenari të veçantë që i përkas. E treta është se themelet e para të gjuhës së shkruar dhe në mënyrë voluminoze u vunë kryesisht në veri duke filluar me “Mesharin” e Gjon Buzukut, me veprat e Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Frang Bardhit si dhe të një plejade të tërë klerikësh katolikë të kohërave të ndryshme si dhe shkrimtarëve të tjerë jo klerik si Pashko Vasa, Filip Shiroka, Ernest Koliqi, Migjeni, Qemal Stafa e ndonjë tjetër. Gjuha e zhdërvjelltë e Ndre Mjedës, Gjergj Fishtës, Vinçens Prendushit e mjaft të tjerëve i dhanë një temp të veçantë të gegnishtes së shkruar dhe s’kishte se si të njdodhte ndryshe që jo vetëm çuan në vendosjen e normës letrare mbi bazën e shkodranishtes, por edhe dokumentat më të rëndësishme për kombin tonë të hartohen e të shkruhen në këtë gjuhë të bukur, gjuhë të ëmbël, gjuhë bilbilash. Edhe dokumenti I shpalljes së Pavarësisë Kombëtare u hartua dhe u shkrua në gegnisht nga Luigj Gurakuqi. Në mos gaboj, edhe Enver Hoxha, në veprën e parë dhe të dytë të tij që u perket më shumë dokumentave të luftës, gjuha e përdorur është gegnishtja e shkodranishtes së bukur letrare. Dhe kjoi thotë shumëçka duke marrë parasysh se Enveri, diktatori i ardhshëm i shqiptarëve ishte nga Gjirokastra, zemra e toskërishtes. Në mos gaboj, gjithashtu edhe në fillimet e shtetit të ri shqiptar, dalë nga Lufta Antifashiste, përdorej në të shkruar po shkodranishtja letrare. E katërta është se në shumë raste, sidomos në përkthimin e gjuhëve të huaja apo nëpër fjalor(kjo mbase për traditë të ngulitur) thirret në ndihmë ndonbjë dukuri e gegnishtes siç është paskajorja “me punue”, “me mësue”, “me shkue” e tj. Në tekstet shkollore të gjuhës shqipe si dhe në të gjitha tekstet e tjera shkollore kjo formë e paskajorës nuk përdoret as nuk shtjellohet dhe gjithashtu nuk pranohet edhe pse përdoret gati nga dy të tretat e popullsisë shqipfolëse e të gjitha trevave shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë, madje, aty-këtu në kohët e fundit po bëhet modë të përdoret edhe në Toskëri.

Me gjithë vërejtjet e mia të paraqitura më lart, përsëri unë nga ana ime jam për një gjuhë të njësuar për të gjitha trevat shqipfolëse dhe e pranoj pa asnjë kundërshtim të qenësishëm normën gjuhëssore tërësore të vendosur në vitin 1973. Por, megjithatë, nuk jam edhe aq puritan sa të mos pranoj ngjyrime të këndshme dialektore në të folurit e përditshëm të shqipes. Nga ana tjetër nuk mund të mos jem kritik ndaj të metave mjaft minore në përdorimin e fjalëve në të folurit e përditshëm, sidomos tek njerëzit e medjave dhe të ekranit, të përsonave publikë, të cilët presepuzohet të jenë shembull i të shprehurit shqip. Ka nga ata që duhet të merren si shembull në të shprehur, por edhe në këmbënguljen e tyre për të ndikuar tek të tjerët që të shperehen saktë, megjithëse, të themi të drejten nuk jan edhe aq të shumtë kjo raca e fundit që përmendëm pak më sipër.

Tashti le t’u referohemi vërejtjeve të mia rreth dukurive negative të përdorimit të gabuar të të disa ffoljeve apo ndonjë forme gramatikore të tyre në përgjithësi.

Në gjuhën letrare dhe në normën e saj të ngulitur është përcaktuar një rregull që foljet që mbarojnë me bashkëinglloret “rr”, “l”, “ll” dhe që në të kryerën e thjeshtë të mënyrës dëftore e ndryshojnë zanorën e rrokjes së fundit në “o” pjesorja e tyre del me “ë” në fund dhe jo me “ur” si shumica e foljeve të tjera. Le t’i shohim shembujt: folja “marr” në të kryerën e thjeshtë del “mora”. Pra e ndryshon zanoren “a” në “o”. Pjesorja e kësaj folje del në “marrë” dhe jo “marrur”. Pra përdorimi “kam marrur” është tërësisht i gabuar si dhe format e tjera të pashtjelluara “për të marrur”(paskajore) dhe “duke marrur” (përcjellore). Kështu edhe për foljet “nxjerr”, “bjerr”, “vjel”, “dal”, “mbjell”, “ndjell”, “sjell”, “mbështjell”, “përcjell”, “ndërsjell”,”vjell”, “përcolla”, “ndërsolla”,  “volla” etj. të cilat në të kryerën e thjeshtë dalin: nxora, bora, vola, dola, mbolla, ndolla, solla, mbështolla, etj. e për pasojë edhe pjesorja e tyre duhet të dalë dhe të përdoret (kam) nxjerrë,(për të nxjerrë, duke nxjerrë), (kam) bjerrë, (për të bjerrë, duke bjerrë), (kam) vjelë, (për të vjelë, duke vjelë), (kam) dalë, (për të dalë, duke dalë), (kam) mbjellë, (për të mbjellë, duke mdjellë), (kam) ndjellë, (per të ndjellë, duke ndjellë), (kam) sjellë, (për të sjellë, duke sjellë), (kam) mbështjellë, (për të mbështjellë, duke mbështjellë) etj., por jo folje si “mbledh”, “hedh”, “derdh” etj. të cilat dalin: mbledh – mblodha – (kam) mbledhur, hedh – hodha – (kam) hedhur, vjedh-vodha-(kam)vjedhur, zgjedh-zgjodha-(kam)zgjedhur, derdh – derdha – (kam) derdhur, etj. Edhe folja “shpërvjel” ka një përdorim gati të dyzuar, pasi në të kryerën e thjeshtë del më pëlqyeshëm “shpërvjela”, se sa “shpërvola”. Megjithatë edhe kjo formë është e pranueshme dhe përdoret dendur. Pjesorja e saj duhet të jetë gjithashtu, “shpërvjelë” dhe jo “shpërvjelur”. Jo të gjitha foljet që mbarojnë në “rr”, “l”, “ll” e ndryshojnë formën në të kryerën e thjeshtë në zanorën “o” zanorën e fundit; p.sh. “ndal” bën “ndala” dhe jo “ndola”, apo folja “ngjall(a)”, por jo “ngjolla”, ose “zvarr(a)” dhe jo “zvorra”. Siç shihet, për pasojë pjesorja del: “ndalur”, “ngjallur”, “zvarrur”, por kjo e fundit kur është në trajtën e ndajfoljes “zvarrë” nuk del “zvarrur”, po “zvarrë”. foljet “ndal” dhe “zvarr”, gjithashtu kanë edhe forma më të shtjelluara po me të njëjtin kuptim: ndal-ndaloj, si dhe zvarr-zvarri(s)t. Këtu nuk ka vend për të dyushuar për pjesorët e tyre: “ndaluar” dhe “zvarritur”.

Në fjali mund t’i përdorim folje te mësipërme kështu: “Kam marrë me qera një dyqan.” Dhe jo “Kam marrur me qera një dyqan.” ose “Shkova për të marrë me qera një dyqan” dhe jo “Shkova për të marrur me qera një dyqan”. Gjithashtu edhe forma tjetër “Duke marrë parasysh faktet, del se ne jemi populli më i lashtë në Ballkan” dhe jo “Duke marrur parasysh faktet, del se ne jemi populli më i lashtë në Ballkan”. Po kështu mund të përdorim edhe foljet e tjera që i trajtuam më lart. Si dhe të tjerave të formuara prej tyre si: “Kam ndëmarrë një nismë të veçantë në ndihmë të komunitetit tonë.” Dhe jo “kam ndërmarrur.. etj. apo “Kam dal me sukses në provime” dhe jo “Kam dalur me sukses në provime”, “Kam mbjellë ca lule të bukura në oborrin e shtëpisë sime”, “Kam mbështjellë librat me letra të bardha”, “Kam sjellë tek ju mendimet e mia të pavarura” e të tjera forma si këto. Kështu mund t’i shtjellojmë edhe rastet e tjera të paskajores apo të përcjellores për secilin rast.

Duhet theksuar se për këto raste është thirrur në ndihmë forma gramatikore e gegnishtës e cila në mënyrë të përgjithshme për të gjitha foljet në pjesore, në përcjellore si dhe në paskajore përdor formën pa mbaresën –ur apo –uar si në rastet: punoj – punuar, mësoj – mësuar, mund – mundur, hap – hapur, dredh – dredhur, shqep – shqepur apo vetëm me –r kur mbaron me –yej si: thyej –thyer,      lyej –lyer, vyej –vyer, gërryej –gërryer, përlyej –përlyer, apo laj –larë, thaj –tharë, ndaj –ndarë, fshij –fshirë etj. Në gegnishte këto folje si dhe të tjerat dalin në këta forma: punue, mësue, mundë, hapë, derdhë, shqepë ku si dukuri nuk shqiptohet pothuajse asnjëherë zanorja “ë”, por dalin zanoret e gjata dhe unë e kam vendosur këtë zanore në fund si efekt të zgjatjes së zanores paraardhëse. Por edhe format e tjera të paraqitura aty dalin në gegnishte si: lye, thye, vye, grrye, shqye, përlye,  si dhe: la, tha, nda, fshi etj. si: kam mësue, kam punue, kam mundë(por më shumë “kam mujtë apo kam mujtun”), kam hapë, kam derdhë, kam mbledhë, kam shqepë, kam thye, kam lye, kam vye, kam gërrye, kam përlye, kam la, kam tha, kam nda, kam fshi, e tj.

Foljet e tipit marr, nxjerr, bjerr, tjerr, dal, vjel, mjel, mbjell, përcjell, sjell, vjell, ashtu siç e cilësova më sipër, pjesoret i kanë: marrë, nxjerrë, bjerrë, tjerrë, dalë, vjelë, mjelë, mbjellë, përcjellë, sjellë, vjellë dhe për pasojë edhe mbiemrat që dalin prej tyre dalin po kështu: i(e) marrë, i(e) nxjerrë, i(e) bjerrë, i(e) tjerrë, i(e) dalë, i(e) vjelë, i(e) mjelë, i(e) mbjellë, i(e) përcjellë, i(e) sjellë, i(e) vjellë, por edhe të vjelltët apo të vjellat.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s