Tendenca e sotme e të shprehurit dhe të shkruarit në gegnisht dhe problematika e saj

A-IMG_1252Gjithnjë e më shpesh këto kohët e fundit po vihet re tendenca e të shprehurit në gegnisht të personave apo grupeve të veçantë të shoqërisë shqipfolëse. Nuk kam ndonjë kundërshtim apo vërejtje të veçantë, pasi është e drejta e gjithsecilit të shprehë atë që mendon e që dëshiron, ashtu siç dëshiron ta shprehë edhe nga ana gjuhësore, por problemi qëndron tek çështja në se arrin ta shprehë aq qartë dhe aq kuptueshëm për të gjithë ata që ai dëshiron t’u drejtohet. Unë për vetën time, kur paraqes një shkrim publik, nuk kam parasysh t’u drejtohem vetëm njerëzve të familjes sime dhe as të farefisit e gjinisë, por mbarë lexuesve shqipfolës, ndaj më duhet të zgjedh gjuhën standarde normative të pranuar dhe të përdorur nga të gjithë gjer më sot.

I mirëkuptoj të gjithë gegnishtfolësit që me fanatizëm kanë ruajtur gjuhën e folur nga nënat, baballarët e gjysh e stërgjyshërit e tyre. I mirëkuptoj, gjithashtu, edhe kritikët e regjimit komunist diktatorial që gati me një dhunë e diktat ndikoi në krijimin e gjuhës së sotme letrare duke anashkaluar gegnishten tradicionale letrare të ngulitur dhe sjellë në standard për shekuj me radhë nga shkrimtarët veriorë duke filluar që me Buzukun, Bogdanin, Budin, Bardhin e duke vazhduar me Pashko Vasën, Filip Shirokën, Me Fishtën, Mjedën, Prendushin, Mosin, Ndocajn, Koliqin e Migjenin e me radhë duke mos arritur t’i përmend këtu të gjithë, por që me shkodranishten e bukur letrare duke filluar që nga Pavarsia dhe deri në ditët e para të Çlirimit dokumentet kryesore që nga ai i shpalljes së Pavarësisë u shkruan me atë gjuhë mjaft të bukur dhe të rrjedhshme. Besoj se, po t’i futemi arkivës shtetërore, edhe dokumentet e para të shtetit komunist janë shkruar në shkodranishten letrare dhe kjo flet më shumë se çdo gjë tjetër. Pra, shkodranishtja letrare, prej kohësh ishte vendosur në themel të gjuhës shqipe, ndaj dhe “kritikët” e sotëm të gjuhës standarde letrare mbi bazën e toskërishtës së pastër kanë shumë të drejtë ta ngrejnë zërin qoftë edhe duke e përdorur në shkrimet e tyre dialektin gegë si një protestë ndaj asaj që ata e quajnë si padrejtësi që i është bërë dialektit të gegnishtes i cili është anashkaluar pothuajse tërësisht kur u vendosën normat standarde të gjuhës letrare shqipe.

Unë për veten time kam qenë dhe jam për një standard gjuhësor kombëtar për të gjithë shqipfolësit e çdo treve apo vendi, pavarësisht se ku jetojnë, sidomos në të shkruar dhe, meqenëse sot është e ngulitur gjuha letrare që nga viti 1973 me anë të Kongresit Drejtshkrimor të atij viti të diskutuar dhe miratuar nga akademikë të të gjitha trevave shqipfolëse, mendoj se duhet t’i besojmë këtij standardi e kësaj norme letrare. Jam për këtë standard për shumë arsye, por këtu po përpiqem të shtroj disa nga më kryesorët. Më e para gjë është se në çdo gjuhë të botës ka një standard dhe një normë gjuhësore që zbatohet me rigorizitet, pavarësisht se edhe ato gjuhë kanë dialektet e nëndialektet e tyre, madje ndër disa me dallime mes tyre shumë më të mëdha se dialektet e shqipes. Besoj se këtë mund ta vërtetojnë më së miri njohësit përkatës të gjuhëve të fqinjve tanë më të afërt siç janë Italia dhe Greqia, pa shkuar më tej tek popuj të tjerë. Këtu nuk dua të bëj ekspertin duke krahasuar të folurit e një lombardasi me një siçilian, apo sard. Ata që i njohin me themel dialektet mund ta vërtetojnë një dallueshmeri të theksuar, por besoj se italishtja e sotme standarde është e pranueshme dhe e zbatueshme për të gjithë italianët, kudo qofshin ata.

E dyta është se sot e prej shumë kohësh nëpër shkollat shqipe është mësuar të flitet dhe të shkruhet gjuha letrare shqipe dhe jo ajo dialektore. Shprehitë e të shkruarit tashmë janë mjaft të ngulitura, madje edhe e të shprehurit me gjuhën letrare janë mjaft të dukshme edhe në zonat veriore. Ka ndryshuar mjaft gjuha tradicionale në shumë zona të gegnishtes dhe nuk vihet re ajo dukuria e dikurshme e të shprehurit, pavarësish se përsëri, të folurit në gjuhën standarde është shumë larg unisonit. Këtu ndikon mjaft edhe tradita familjare si dhe shoqërore e zonës ku njerëzit jetojnë.

E treta gjë është se sot paraqiten mjaft vështirësi në të lexuarit e veprave dhe shkrimeve të shkruara në dialektin gegë. Shumë shpesh dëgjoj nga njerëz të veçantë të ankohen se nuk i kuptojnë veprat e Fishtës kur i lexojnë, pasi ato janë shkruar me gjuhën gegnishte që u duket tepër e vjetër, gati si gjuha e “Mesharit” të Buzukut. Pra kjo flet për atë çka unë parashtrova tek e dyta arsye që sot njerëzit janë mësuar me një gjuhë standarde normative në të lexuar e shkruar.

E katërta është se ka mjaft vështirësi në të shkruar dhe këto janë më të shumta se në të lexuar. Për këtë do të ndalem dhe t’i shtjelloj më poshtë më hollësisht.

E pesta është se edhe gegnishtja ka mjaft dallueshmëri nga krahina në krahinë dhe po të merren parasysh dallueshmëritë dhe të paraqiten në të shkruar sipas krahinave, vetë gegnishtja nuk do të ishte gegnishte por një katrahurë gjuhësh të zonave dhe krahinave të ndryshme, ashtu si edhe vetë toskërishtja, mbi bazën e së cilës është vendosur norma e sotme letrare, ka mjaft dallueshmëri nga krahina në krahinë. Mund të sjellim si shembull një korçar me një lab, apo çam për ta kuptuar më mirë. Për ta ilustruar më mirë idenë po sjell në mendje një dukuri gramatikore të shprehur në një zonë jo shumë të madhe ku ka komunitete të ndryshme. Po marr si shembull zonën e Lezhës ku ka pasur tre komunitete folësish: zadrimorë, malësorë dhe mirditorë. Sot ka më shumë se tre, pasi aty kanë ardhur popullsi nga krahina të tjera të ndryshme: Tropojë, Mat, Pukë e Dibër si dhe Kosovë.Po i lë mënjëanë dallueshmëritë në të shqiptuar të fjalëve, pasi këtu janë të shumta dhe nga më të ndryshmet, por po marr vetëm përdorimin e një forme gramatikore. Dihet se një nga dallimet kryesore të gegnishtes me toskërishtën është edhe tek përdorimi i pjesores dhe formave të tjera të pashtjelluara që formohen prej saj. Marrim si shembull foljen “punoj”. Pjesorja e saj bën: punuar (unë kam punuar) dhe paskajorja është për të punuar, përcjellorja duke punuar. Në gegnisht bën: punue pjesorja, paskajorja: me punue e përcjellorja: tuj punue. Por siç e thashë në zonën e Lezhës tek zadrimorët del: punu pjesorja, me punu paskajorja dhe tuj punu përcjellorja; tek mirditorët: punue; me punue; tuj punue; kurse tek malësorët: punua; me punua; tuj punua. Atëherë lind pyetja: cili nga këta tre standarde duhet marrë e pranuar. Nga ana tjetër, si do t’i vente halli sikur dibranët ta shkruanin gegnishten me karakteristikat e tyre të shqiptimit? A do të pajtoheshin në një standard mirditorët, malësorët, gjakovarët e tetovarët, llapjanët, tropojanët, kuksianët, apo luginasit me shkodranët e zadrimorët? Po vetë Tirana (Tirona) me traditat e saj të hershme gjuhësore dhe që sot është një konglomerat gjuhësh krahinore të importuar nga krahina të ndryshme të mbarë kombit shqiptar, cilin variant do të pranonte në të shkruar? Pra, sikur secili të tentonte të shkruante në gegnisht sipas të folmes së krahinës nga ai vjen, edhe vetë gegnishtja do të dilte me shumë dialekte aspak të njëjta.

Mora shkas dhe po e paraqes këtë problematikë gjuhësore të kohës nga një sprovë e kohëve të fundit nga ana ime. Një shoku im i fëmijërisë, shkrimtar i tetë romaneve të deritanishëm të botuara, më kërkon korrektimin e romanit të nëntë. Një korrektim të pazakontë. Them të pazakontë, se më duhej ta korrektoja në gegnisht dhe kryesisht të zonës nga ne vinim me origjinë dhe sidomos të kohës së fëmijërisë sonë. E mora si një sfidë me vetveten time, jo thjeshtë si nostalgji për kohën e hershme të fëmijërisë sonë, por edhe një sprovë gjuhësore. Ishte e pazakontë, se nuk isha mësuar të pranoja standard tjetër në të shkruar veç asaj letrare shqipe dhe tashti më duhej ta pranoja në një vepër që mund t’i kapte rreth 450-500 faqe libër. E pazakontë, gjithashtu, se më duhej të korrigjoja edhe shkarjet e shumta në standard duke e menjanuar tepër normën e gegnishtes. Shoku im nuk vinte nga fusha e mësuesisë, aq më tepër ajo e gjuhësisë dhe e letërsisë, por që kishte krijuar një përvojë të mirë në të shkruar në prozë dhe sidomos në prozën e gjatë që i përket gjinisë së romanit. Në tetë romanet e para kishte përdorur normën letrare, kurse në të nëntin kishte eksperimentuar në gegnisht duke iu futur një rruge e një aventure mjaft të vështirë gjuhësore.

Duke pasur parasysh se lexuesi i sotëm kudo qoftë është mësuar me gjuhën letrare standarde, i propozova ta ktheja në normën letrare, por ai këmbënguli, se donte të shprehte idenë e tij edhe nëpërmjet gjuhës, por edhe pse sot po bëhej trend të shprehurit dhe të shkruarit në gegnisht. E pranova sfidën dhe ia fillova punës. Një punë titanike. Në çdo rresht më duhej të ndreqja pothuajse dy, tri apo katër fjalë që ishin përdorur në gjuhën letrare. Madje do të duket e çuditshme, por shpesh në një fjalë të vetme më duhej të bëja edhe dy apo tre korrigjime. Si shembull po sjell fjalët “mbrendëshme” që në gegnisht duhej të shkruhej “mrendshme”, pra duhej hequr një “b” dhe një “ë” që gegnishtja nuk i shqipton në këtë rast si dhe: këmbëzbathur që në gegnisht duhej shkruar: kamzdathun. Siç shihet, kjo fjalë duhej fshirë e tëra dhe shkruar nga fillimi në variantin që autori e kërkonte, meqenëse e kërkonte gegnishten korrekte dhe jo një pjesë në gegnisht e një pjesë sipas normës letrare.

Tek e katërta arsye që duhet zbatuar gjuha standarde solla vështirësitë në të paraqiturit e normës standarde të gegnishtes dhe mendoj se duhen paraqitur disa nga ato më kryesoret që unë po i përshkruaj më poshtë:

e para është se gegnishtja përgjithësisht nuk e përdor zanorën “ë” në të shqiptuar e për pasojë shumë fjalë duhen shkruar në format nga më të ndryshmet, siç do t’i shohim më poshtë. Kjo dukuri ndodh në fjalë të veçanta edhe në toskërisht sidomos tek disa fjalë me “ë” fundore si: fushë, arë, dorë, verë, etj që përgjithësisht nuk shqiptohet, por paraqitet në të shkruar. Por ka fjalë që nuk mund të qëndrojnë pa praninë e shkrnjës “ë” në të shkruar, pasi në gegnisht zanorja “ë” zëvendësohet në fjalë të ndryshme me zanore të ndryshme dhe kryesisht me:

-”a” në fjalë të tilla si: këmbë – kamë; gjë – gja; rrënjë – rrajë; zëri – zani; zëmë – zamë; më – ma; zëmbak – zamak; etj.

-”e” për – per; përdor – perdor; nyjë – nyje; qërshi – qershi; qëllim – qellim; ndërtim -ndertim; zëvendësoj – zevendsoj; emërtesë – emertes; emër – emen; femër – femen; drapër – drapen; gjarpër – gjarpen; zagën – zagen; frashër – frashen; etj.

-”i” një – ni; menjëherë – meniher;

-”u” mëndafsh – mundash.

-bie “ë” dhe zëvendësohet me apostrof sidomos në:

a) tek nyjet: të; së. Djem të mbarë – djelm t’marë; së largu – s’largu;

b) tek trajtat e shkurtëra: më; të. Më dha – m’dha; të solla – t’solla;

c) tek parafjala : në pranverë – n’pranverë; në mësim – n’msim.

d) tek pjesëza të: do të shkoj – do t’shkoj; të punoj – t’punoj; Pra në shumë raste duhet përdorur apostrofi për të zëvendësuar rënien e zanores “ë” dhe kjo duhet të vendoset kudo ku kjo zanore bie në rastet e mësipërme qoftë edhe në rastet kur ka geminacion e gjysëmgeminacion ku duket që nuk shqiptohet fare njëra nga bashkëtingëlloret geminante si në rastet: të tjerët – t’tjerët; të tregoj – t’tregoj; së sotme – s’sotme; më merr – m’merr; në natë – n’natë; të drejtë – t’drejtë; më buzëqesh – m’buzëqesh; më përshëndeti – m’pershndeti; së zëni – s’zani; etj.

e dyta kur fjala del me “ë” fundore dhe nuk shqiptohet si tek fjalët: arë; orë; urë; fushë; derë; gjanë(gjërë); unë(urë zjarri); enë dhe që zakonisht zanoret paraprirëse janë zanore të gjata. Meqenëse “ë” zakonisht në gegnisht nuk ekziston, duhet që zanoret e gjata të shkruhen ndryshe nga zanoret e tjera të shkurtëra dhe zakonisht shkruhen me nga një vijëz nga sipër, ose një “v”(^) të përmbysur mbi zanoren përkatëse. Kjo gjë do të ishte një telash mjaft i madh për atë që e ndërmerr një punë të tillë të shkruarit në gegnisht, por edhe për lexuesin e pamësuar me shenja të tilla konvencionale, po ashtu do të ishte mjaft robëruese si: â; ê; î; ô; û; etj të paraqiten grafikisht në çdo fjalë përkatëse. Pra fjalët arë; garë; palë; anë; sanë; gjatë; derë; verë; venë; erë; enë; pelë; orë; dorë; zogë; dhomë; pritë; sitë; ditë; dritë; urë; pulë; zhurmë; shkumë etj. duhet të shkruhen pa “ë”, por në këtë rast shqiptimi duhej me zanore të shkurtër dhe jo të gjatë dhe kështu nuk do të ishte shqiptimi i plotë dhe i saktë. Për t’i shkruar saktë në gegnisht duhej të shkruheshin kështu: âr; gâr; pâl; ân; sân; gjât; dêr; vêr; vên; êr; ên; pêl; ôr; dôr; zôg; dhôm; prît; sît; dît; drît; ûr; pûl; zhûrm; shkûm; etj.

e treta është se ekziston edhe një dukuri tjetër në dallueshmëri mes dy dialektëve dhe kryesisht dukuria e rhotacizmit(përdorimi i “r” në vend të “n” që përfshin toskërishtën nën ndikimin e greqishtes. Dikurë edhe toskërishtja nuk e ka pasur këtë dukuri dhe këtë mund ta japin toponimet e ngulitura aty prej shumë kohësh. Në të vërtetë Vlorë shkruhet me “r” dhe jo me “n” siç shqiptohet nga gegnishtja dhe vjen nga emri i lashtë Aulona(Vlona më vonë për të arritur tek Vlora), por një banor i vlorës nuk e quan vetën vlorjat, por vlonjat. Po kështu edhe jo larg nga qyteti i Vlorës gjendet një fshat që quhet Trevllazën dhe jo Trevëllezër që duhej të ishte shqiptimi i rregullt i dialektit toskë. Po të kërkohet mund të gjnden mjaft shembuj të tillë si Vranisht që natyrshëm duhej shqiptuar Vrërisht. Mendoj se emri Vranisht vjen nga fjala vranët e gegnishtës që në toskërishte duhej shqiptuar vrërët(vrënjtur), pra është konservuar që nga koha e pararhotacizmit, si dhe para ndërrimit të â në ë.

Problemi i rhotacizmit nuk ka prekur vetëm disa fjalë që e ndërrojnë “n” me “r” si: venë – verë; gjanë – gjerë; emen – emër; drapen – drapër; gjarpen – gjarpër; femen – femër; zemen – zemër; zani – zëri; etj., por ka prekur edhe formimin e pjesoreve të foljeve si: punuar; mësuar; lexuar; ditur; kapur; ngjitur; mbledhur etj. që në gegnisht këto fjalë mun të dilnin: punuemun; msuemun; lexuemun; ditun; kapun; ngjitun; mledhun; etj. Gjithashtu duhet thënë se rhotacizmi nuk i ka përfshirë të gjitha fjalët e gjuhës shqipe. Si shembull mund të sjell para jush fjalët zanë(mali); sanë; thanë; anë; këmbanë; etj. ndaj duhet pasur kujdes edhe në shkrimin e tyre në standardin e gjuhës së sotme letrare.

Nga shembujt e mësipërm ka mjaft fjalë që janë ngulitur në normë letrare të sotme dhe është mjaft e vështirë të përdoren në formën e gegnishtës. Këtu po jap si shembull fjalën “zemër” dhe fjalët e prejardhura prej saj. Do të ishte pak e vështirë, tashmë, të shqiptohet varianti i gegnishtes “zemen” dhe as prejardhjet e saj si: zemërak; zemëroj; zemërbutë; etj, pasi do të dilnin: zemnak; zemnoj, zemenbût; etj.

e katërta është se përgjithësisht në gegnisht grupi i bashkëtingëlloreve “mb” nuk shqiptohet duke përdorur veç bashkëtingëlloren “m” si në fjalët: këmbë; këmbanë; kumbull; mbrenda; mbasdreke; mbi; mbush; mbuloj; mbret; etj. Këta fjalë në gegnisht shqiptohen: kâm; kumôn; kumull; mrenda; masdite; mi; mush; muloj; mret; etj.

Gjithashtu duhet pasur parasysh se edhe leksiku i gegnishtes ka disa dallime që duhen zbatuar. Fjalë si: pas; tani; qilim; etj në gegnisht dalin: mas; tashti; qylym; etj. Në fjalinë: Ai erdhi pas të tjerëve. në gegnisht duhej shkruar: Ai erdhi mas t’tjerve. Tek fjalia: Tani u bë vonë dhe më duhet të shkoj. duhej shkruar: Tashti u ba vôn e m’duhet me shkû. Fjala qilim në zona të ndryshme del qylym, por edhe në disa të tjera del qilim, sidomos në ato zona ku ka probleme në shqiptimin e zanores “y”.  Shqip- shqyp; Shqipëri – Shqypni, bilbil – bylbyl; etj. dalin shpesh në variantin me y. Kujto këtu poemthin e P. Vasos “O moj Shqypni”

Në vetë dialektin e gegnishtes, ashtu siç e cilësova më sipër, në krahina të veçanta vërehen probleme në artikullimin e tingujve të gjuhës shqipe qoftë në zanore, qoftë në bashkëtingëllore. Në mjaft zona grupi “nd” nuk shqiptohet i plotë. Kështu, fjalët: vend; send; gdhend; mend; përmend; vendbanim; Prend; mendim; vendim; etj. dalin: ven; gdhen; men; permend; venbanim; Pren; mendim; venim; etj. Krahas kësaj dukurie dalin edhe të tjera si mosshqiptimi i bashkëtingëlloreve “ç”; “xh” dhe përdorimin në vend të tyre “q”; “gj”,ose edhe në rastin e kundërt kur nuk shqiptohet “q” dhe “gj”, siç ndodh në Shkodër e rrethina. Shpesh, në këto raste, kur shkruajnë, qoftë edhe në gjuhën letrare standarde, duke pasur dyshueshmëri në përdorim, bëjnë pyetjen: Si duhet shkruar me “ç” çelësi apo “ç” çeni(“q” qeni)? ose pyetja: me “xh” xhami, apo “xh” xheli(“gj” gjeli)? Atje ku nuk shqiptohet ç apo xh, fjalët përkatëse dalin: gjam; qelsi; gjamia; gjevahire; filgjan; gjaketë; gjep; ilaq; qapaqul; qezmë; qel; qakmak; qibuk; qamqakez; qikrik; etj. kur duheshin shqiptuar: xham; çelësi; xhamia; xhevahire; filxhan; xhaketë; xhep; ilaç; çapaçul; çezmë; çel; çakmak; çibuk; çikrik; çamçakez; etj. Ndryshe në Shkodër e rrethina do të shkruheshin këto fjalë: çershia; çielli; çumështi; çeni; çofte; çepariz; çiçer; çyçe; çyçar; çykapik; çytet; xhak; xhej; xhi; xhimnaz; xhobë; xhoks; xhu; xhuh; xhysh; etj. kur duheshin shkruar: qershia; qielli; qumështi; qeni; qofte; qeparis; qiqër;qyqe; qyqar; qukapik; qytet; gjak; gjej; gji; gjimnaz; gjobë; gjoks; gju; gjuhë; gjysh; etj.

Gjithashtu, një dilemë tjetër në ndonjë zonë të veçantë del edhe dyshimi në “ll” – “dh” për përdorimin e tyre. Kështu shqiptohen dhe shkruhen në ato zona fjalët: Dhesh për Llesh; modhë për mollë; dhampë për llampë; llam për dhëmb; shkodhë për shkollë; badh për ball; dhapë për llapë; dhaç për llaç; dhafe për llafe; dhogari për llogari; dhoj për lloj; dhudhë për llullë; llelpën për dhelpër; llen për dhen; lli për dhi; llomë për dhomë; llunë për dhunë; etj.

Konkluzioni tashmë është i qartë. Norma letrare duhet konsideruar e shenjtë. Ajo na bashkon të gjithëve si komb duke sheshuar gjuhësisht çdo hendek të krijuar në mes dialekteve apo të folmeve krahinore. Në se ka vend për përmirësime të mëtejshme, le të bashkëpunojnë të gjithë për të arritur një përsosmëri sa më të madhe në standardin e saj. Ajo që është vendosur, tashmë është vendosur, pavarësisht se si, prandaj, deri sa nuk mund të kemi një standard mbarëkombëtar tjetër, duhet të pranojmë këtë që kemi që të mos ketë dualizma të panevojshme. Gjuha është ajo që e dallon një komb nga një tjetër dhe ne duhet të krenohemi për gjuhën tonë mjaft të ëmbël dhe shumë shprehëse. Përmirësimet e mëtejshme le t’ia lëmë të ardhmës dhe vullnetit të mirë të gjuhëtarëve dhe akademikëve shqipfolës.

2 mendime mbi “Tendenca e sotme e të shprehurit dhe të shkruarit në gegnisht dhe problematika e saj

  1. Dua t’ju falënderoj me gjithë zemër për vullnetin që keni për të bashkëndarë diturinë tuaj eprore me këto shkrime aq të dëlira, të plota dhe me plot informacione. Shtrirja e tekstit është aq tërheqëse sa që të mban ngjitur në ekran dhe të nguliten të dhënat aq lehtë në mendje.

    Për sa i përket shkrimit tuaj, mendoj se edhe BACA TOSKË ka (ka pasur) dialekte mjaft të rënda e s’ma merr mendja të ketë shqiptar që nuk e konsideron përzgjedhjen e gjuhës toskë si një përzgjedhje të njëanshme.

    Unë nuk jam gjuhëtar por BACA GEGË (jodialektor) mendoj që nuk ka (ka pasur) ndonjë të metë në të folur dhe në të shkruar, natyrshëm që tani si gjuhë ka humbur kapacitetin e saj sepse nuk lakohet më nga popullsia. Gjuhëtari KODON gjuhën por populli e përtërin dhe e gjallëron.

    Jemi një popull i lodhur dhe i shpërndare. Në dekadat e fundit po vihet re një blasfemi marramendëse kundrejt gjuhës shqipe, duke përdorur emërtime të huaja (edhe gabimisht) për të zëvendësuar ato shqiptare, më e keqja kur përdoren nga ca pseudogazetarë e/o pseudopersonalitete. Duhet një rilindje e dytë për Shqipërinë duke shpresuar në angazhimet e institucioneve arsimore.

    Përzemërsisht
    Miri

    Pëlqyer nga 1 person

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s