KONCEPTI ZADRIMA

TOM GJOKHILAJ

Tom Gjokhilaj

Në ditët e sotme gjithnjë e më shumë po ngrihen pikpyetje për përsaktësimin e kufinjve të Zadrimës dhe hidhen shumë versione dhe gjykime të ndryshme. Së pari duhet të themi se Zadrima është një nga fushat më pjellore që ka Shqipëria dhe që në të gjitha kohërat ka qenë një nga hambarët kryesorë të prodhimit të drithërave të bukës sidomos, krahas Myzeqesë dhe Dumresë. Po cila quhet tamam Zadrimë, pasi në konceptin gjeografik shpesh ka pasur emertime të ndryshme dhe po kështu edhe përcaktime që çojnë në dilema të cilat krijojnë mjaft konfuzione në konceptime se cila pjesë mund të quhet Zadrimë dhe cila jo. Shpesh kjo ka qenë përcaktuar nga vetë prejardhje e emrit Zadrimë, që, për mendimin tim, mund të mos jetë aspak e saktë, madje mund të jetë krejt e gabuar që të mendohet se emri Zadrima vjen nga emri i sllavizuar i fjalës Përtej Drinë. Pra kjo ka bërë që njëra nga fushat më të mëdha të vendit tonë të coptohet apo kantanizohet në dy-tre emërtime, mendoj të panevojshme.

Sipas emrit të konceptuar si të sllavizuar Zadrimë është quajtur e gjithë fusha që shtrihet në krahun e majtë të lumit Drin, por përsëri edhe kjo nuk e zgjidh tërësisht problemin se Zadrimë me të gjitha të drejtat janë dhe quhen edhe disa pjesë që faktikisht i takojnë edhe një pjese të krahut të djathtë të Drinit dhe pikërisht pjesa që shtrihet që nga Ura e Spatharit dhe deri tek Kodrat e Tepës e Kalaja e Rozafatit. Them me të gjitha të drejtat, pasi, përveç pozicionit gjeografik, të gjithë treguesit e tjerë etnokulturor banorët e asaj treve i përcaktojnë si zadrimorë të mirëfilltë. Po kështu edhe ata vetë e quajnë vetën zadrimorë dhe aspak ndryshe nga ky term. E kjo zonë nga ana tjetër, jo vetëm si sipërfaqe, por edhe si popullsi dhe fshatra është gati gjysma e asaj që ne e quajmë Zadrimë dhe përfshin fshatrat Rrenc, Vukatanë, Guri i Zi, Gajtan, Mazrrek, Shurdhah, Rragam, Juban, Ganjollë, Spathar dhe Sheldi. Pra e gjithë kjo pjesë, si dhe disa pjesë të tjera që sot nuk ekzistojnë më si fshatra që kanë ekzistuar para se hidrocentrali i Vaut të Dejës të fillonte të ndërtohej, pra para se liqeni i krijuar aty t’i përmbyste dhe sot janë fshirë nga faqja e dheut së bashku me Shurdhahun Mazrrekun e një pjesë tjetër dhe këto fshatra kanë qenë Drishti, Deja(Danja e vjetër), Vjerdha, Karma dhe Lisna. Siç shihet, jo pak, por pothuajse sa e gjithë pjesa që shtrihet nga Laçi e Mjeda e deri në Grykëzezë të Lezhës.

Për një moment le ta menjanojmë këtë ngatërresë të vogël që sjell emri Zadrima. Le të shtrojmë pyetjen: Si quhet pjesa tjetër që shtrihet në krahun e djathtë të Drnit, ose më saktë, në perëndim të Drinit? Ta quajmë Velipojë? Nuk besoj se do të ishte e drejtë, pasi ky term e ky emër nuk e përfshin gjithë atë hapësirë. Ta quajmë Bushat apo Rranxa? Përsëri nuk e plotëson termin. Ta quajmë Bregu i Bunës? Edhe kjo nuk e jep të saktë nocionin gjeografik. Ta quajmë Nënshkodra? Do të ishte më e saktë, por Nënshkodra përfshin edhe atë zonë që ne e quajtëm pjesë të Zadrimës prej Rrencit deri në Spathar. Ta quajmë Ultësira Shkodrane siç shumëherë gjeografikisht përcaktohet fusha veriperendimore e Shqipërisë dhe mendoj se aty duhej të përfshihet edhe emri Zadrima? Mendoj se përsëri nuk e përmbush të saktë nocionin e duhur. Pra, secili nga këto emërtime nuk e plotëson dhe nuk e përcakton saktë emërtimin e fushës që shtrihet në mes dy qyteteve Shkodër dhe Lezhë, ashtu siç përcaktohet dhe thirret me një emër njëra nga fushat më të mëdha shqiptare siç është Fusha e Myzeqesë që edhe si hapësirë është shumë më e madhe se fusha në fjalë, aq më tepër që Fusha e Myzeqesë ndahet në Myzeqeja e madhe që shtrihet mes Lumit Shkumbin dhe Seman si dhe Myzeqeja e Vogël poshtë lumit Seman deri në lumin Vjosa. Pra gjithë ajo fushë nuk quhet ndryshe veçse Myzeqe(e madhe dhe e vogël). Po fusha për të cilën po flasim pse u dashka të kantonizohet me disa zona kur mund të quhet e tëra Zadrimë, pavarësisht nga një keqkuptim emëror që fundja mund të mos jetë aspak i saktë.

Në fund të fundit, popullsia etnike, dua të konceptoj këtu, ajo autoktone dhe në shumicë në të gjitha pjesët e saj, në lindje dhe perëndim të Drinit çfarë tiparesh ka? Jam i mendimit se në të trija anët e Drinit tiparet e popullsisë janë pothuajse të njëjta ose shumë të përafërta me dallueshmëri pothuajse fare të padukshme. Kam parasysh kryesisht zakonet, veshjen dhe gjuhën që përcaktojnë tiparet kryesore krahinore të një grupi njerëzish. Përsa u përket tipareve gjuhësore janë kudo të njëjta dhe këtu mundem ta analizoj hollësisht tiparin e përbashkët në të trija zonat e ndara nga Drini.

Këto tipare të përbashkëta gjuhësore qëndrojnë në disa drejtime kryesore dhe jo vetëm tek leksiku i përdorur, por edhe tek artikulimet gjuhësore të njëjta dhe plotësisht të dallueshme me zonat e tjera dhe kryesisht me ato zona që e rrethojnë: Malësia e Madhe, Dukagjini, Puka dhe Mirdita. Gjuha e kësaj treve ka dallueshmëri të theksuara nga gjuha e zonave që përmenda më sipër duke e parë në këndvështrim të artikulimit të disa zanoreve dhe bashkëtingëlloreve, por edhe në nuanca gramatikore të veçanata. Më poshtë dëshiroj t’i evidentoj disa nga këto tipare dalluese.

Lehtësia e shqiptimit të të gjithë tingujve të gjuhës shqipe:

Të gjithë banorët e kësaj treve(në të trija zonat e ndara nga Drini) nuk kanë probleme shqiptimi të zanoreve apo bashkëtingëlloreve të veçanta ashtu siç vihet re sidomos në zonën e Mirditës apo të Pukës. Të tilla janë:

-zanorja y; nganjëherë edhe i. Fjalët si: sy; dy; dry; aty; ylber; yll; fyell; kapërcyell; lyej; fryej; shkyej(shqyej); ndersyej; mësyej; etj. shqiptohen të plota, madje disa prej tyre shqiptohen krejt në mënyrë origjinale dhe jo ashtu siç janë paraqitur në gjuhën normative letrare e kryesisht: fyll; kapërcyll; lyj; fryj; shkyj; ndersyj; msyj; etj. duke i dhënë gjatësi zanorës y. Zona e Mirditës dhe e Pukës këto fjalë i shqiptojnë: si; di; dri; ati; ilber; ill; fill; kapercill; lij; frij; shkij; ndersij; msij, etj. Në këto zona edhe fjalët si: shpi(shtëpi); liri; demokraci; Shqipëri; barazi; gjatësi, etj. që janë me i fundore të theksuar dhe që në Zadrimë në të gjitha zonat shqiptohen të plota dhe pa devijime, atje i shqiptojn në formën -ej: shpej; lirej; demokracej; Shqepnej; barazej; gjatsej; etj.

-bashkëtingëlloret ç dhe xh shqiptohen saktë në vendet e duhura dhe pa asnjë devijim; çelës; reçel; çengel; çorapë; çarçaf; çapaçul; çamçakez; çapraz; çibuk; çark; çift; çoban; çast; çizme; çakall; çel; çliroj; çaj(dru); çaloj; çarmatos; çfarë; çudit, etj. Në zonën e Mirditës shqiptohen kështu: qelës; reqel; qengel; qorapë; qarqaf; qapaqul; qamqakez; qapraz; qibuk; qark; qift; qoban; qast; qizme; qakall; qel; qliroj; qaj(dru); qaloj; qarmatos; qfarë; qudit; etj. Po kështu edhe fjalët me bashkëtingëllorë xh shqiptohen pa vështirësi dhe të plota e të sakta në të trija pjesët e pellgut të Drinit e kryesisht: xham; xhade; xhami; xhelat; xhevahir; xhubletë; xhungë; xhurdi; xhuxh; xhybe; xhuxhmaxhuxh; xhiroj; xhindos; etj. në Mirditë shqiptohen: gjam; gjade; gjami; gjevahir; gjubletë; gjungë; gjurdi; gjugj; gjibe; gjugjmagjugj; gjiroj; gjinos, etj.

-bashkëtingëlloret g shqiptohet saktë dhe jo gj si në disa zona të tjera. Fjalët: gur; gurgac; gaz; gozhdë; gostë; gabel; gërgasë; gavixh; gaboj; gatuaj; gardh; gardhishte; garravaç, etj. Në zona të tjera shqiptohen: gjur; gjurgjac; gjaz; gjozhdë; gjostë; gjabel; gjergjasë; gjavejgj; gjaboj; gjatuej; gjardh; gjardhejshte; gjarravaq, etj. Në zonën e Zadrimës këto fjalë shqiptohen saktë dhe pa devijime tingullore me përjashtim të atyre familjeve që kanë rënë dhe janë instaluar relativisht vonë aty dhe i kanë ruajtur traditat dhe karakteristikat gjuhësore të zonave nga kanë ardhur si Mirditë, Pukë, Dukagjin e Malësi e Madhe.

-grupi i bashkëtingëlloreve nd shqiptohet i plotë dhe pa devijime në të gjithë zonën e Nënshkodrës që nënkupton të trija pjesët e ndara nga Drini. Në Mirditë zakonisht ky grup bashkëtingëlloresh nuk shqiptohet i plotë duke e reduktuar bashkëtingëlloren d, ndërsa në Malësinë e madhe në shumë raste reduktohet bashkëtingëllorja n. Le të shikojmë dallimet me zonën e Mirditës me disa shembuj me fjalë të ndryshme dhe pastaj me atë të Malësisë së Madhe. E gjithë Zadrima apo e gjithë Nënshkodra këto fjalë i shqipton saktë kështu: vend; mend; kuvend; vendim; landë; gdhend; end; rend; send; shkund; tund; ndërtim; etj. Në Mirditë e Pukë shqiptohen kështu: ven; men; kuven; venim; lanë; gdhen; en; ren; sen; shkun; tun; nërtim, etj. Në Malësinë e Madhe fjalë të tilla si: renda-renda; rendit; kuvend; vende; livadhe, etj shqiptohen kështu: reda-reda; redit; kuved; vese; livade, etj.

-zakonisht nuk shqiptohet zanorja ë në të gjithë trevën, por kjo nuk do të thotë se nuk arrijnë ta shqiptojnë si zanore, pasi në shumë raste e shqiptojnë sidomos kur zanorja y e humbet nuancën e saj në disa fjalë. Fjala zbythet shqiptohet zbëthet dhe po kështu edhe rrënja e kësaj fjale dhe ato të prejardhura prej saj shqiptohen ashtu, apo fjala “bëk” për byk, “pëll” për pyll, “mhër” për mhyr, “gjipnër” për gjipnyr, “shtëllë” për shtyllë, “undërë” për yndyrë, ftërë për fytyrë, etj. Siç shihet, zanorja “ë” zakonisht ka zëvendësuar një zanore “y” të theksuar në disa fjalë dhe jo të tjerat, pasi zanorja “y” shqiptohet dukshëm në fjalët që e përmbajnë zakonisht atë ku zonat e tjera e zëvendësojnë me “i” apo “e”, ose “aj” si tek fjalët “dy”, “hy”, “lyej”, “shkyej”(shqyej), “ngjyej” “dyer”, “detyrë”, “ngjyrë”, etj. dhe kjo është një dukuri e përgjithshme e të gjithë kësaj treve dhe jo veç e asaj që në pak sipërfaqe quhet Zadrimë.

-në të gjithë zonën fjalët që në toskërisht janë ndikuar nga dukuria e rhotacizmit, shqiptohen me n si në të gjithë gegnishten e folur.

-grupi i bashkëtingëlloreve nd dhe ng shumëherë formojnë në këtë zonë bashkëtingëllore krejt të veçanta që besoj se nuk i kanë zonat e tjera dhe kryesisht nd krijon një n të ngjeshur qiellzore të ndikuar nga d, por pa u shqiptuar dallueshëm kjo e fundit, ndërsa tek grupi ng krijohet një g e regjuar nën ndikim të n, por pa e shqiptuar këtë të fundit. Zona tjetër, ajo e Malësisë së Madhe grupin ng ka tendencë të mos e shqiptojë fare bashkëtingëllorën “n” dhe bashkëtingëllorën “g” ka tendencë ta rëgjojë në “k” si në fjlët: hangër(ngranë,ngrënë) – haker; shmang – shmak; ngacmoj – kacmoj; ngas – kas; trung – truk; cung – cuk; peng – pek; deng – dek; rreng – rrek; mos u ngut – mos u kut; etj. si këto. Mund të sjell disa shembuj me fjalë ku e gjithë fjala të shkruhet në normalitet dhe shkronja e ndikuar të shkruhet dukshëm: vend; mend; nduk; mendoj; gdhend; vendim, etj. Tek grupi ng fjalët: ngas; pranga; ngastër; ngacmoj; deng; brengë; etj. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se në çdo takim të tyre këto grupe që solla si shembuj më sipër si grupi nd, ashtu edhe grupi ng, shqiptohen të rëgjuara si tinguj të veçantë krejt të ndryshëm nga tingujt e zakonshëm, apo grupet e lartpërmendura.

-foljet që dalin me temë në zanoren o, kur dalin në pjesore, e gjithë zona e përdor pa r dhe pa a, që toskërishtja i ka, apo zonat e tjera të gegnishtes por përdorur pa r. Foljet:punoj; lexoj, mësoj, shikoj, ndërtoj, vizatoj, vizitoj, etj. dalin: punu, lexu; mësu; shiku; ndërtu; vizatu; vizitu, etj. Në disa zona të tjera dalin: punue(a); lexue(a); mësue(a); shikue(a); ndërtue(a); vizatue(a); vizitue(a). Në Malësinë e Madhe e bëjnë me ua dhe jo me ue, por e gjithë zona pa asnjë dallim e sqipton veç me u.

nuk ka komplekse në shqiptimet e tingujve: dh; ll; etj. që në zonat përreth e më larg shqiptohen me komplekse të dallueshme, kurse malësorët ngatërrojnë ll me dh si në fjalët: molla – modha; Lleshi – Dheshi; balli – badhi; kumbulla – kumbudha; llampa – dhampa; apo dhëmbi – llami; dhia – llia; i madh – i mall; dhimbja – llimja; dhoma – lloma; etj.

megjithëse shkodranishtja është një gjuhë e pastër tradicionalisht, përsëri aty duket një kompleksitet në shqiptimin e bashkëtingëllorës q të cilën e shqiptojnë ç dhe shpesh për ta saktësuar se si duhet shkruar një fjalë me ç apo me q bëjnë krahasimet me fjalët: me ç – çelësi apo me ç(q) – çeni(qeni). Zadrimorët nuk e kanë këtë kompleks edhe pse gjuha e Zadrimës ka një ngjashmëri, për të mos thënë një përputhje të plotë me shkodranishten. Më sipër treguam se në disa zona të tjera në vend të ç përdorin q.

Tipari tjetër dallues që i bashkon banorët e një krahine janë traditat dhe zakonet e tyre. E gjithë zona e fushës së pellgut të Drinit ka pasur dhe ka tradita e zakone të njëjta në të trija pjesët e saj të krijuara nga rrjedha fushore e këtij lumi. Në qoftë se dikush nga lexuesit nuk e ka të qartë se për cilat pjesë nënkuptohet po e sqaroj për të gjithë edhe një herë tjetër. Zona e parë është ajo e ashtuquajtura Zadrima që shtrihet që nga Mjeda e deri në Grykëzezë të Lezhës e konceptuar si zona e Përtej Drinit, d.m.th. në krahun e majtë të rrjedhjes së lumit Drin që merr rrugën drejt qytetit të Lezhës për të vazhduar drejt detit Adriatik. Zona e dytë e ashtuquajtura Zadrima e Nënshkodres dhe që i takon në krahun e djathtë të lumit Drin, të asaj pjese që merr rrugën për drejt Kalasë së Rozafës e për t’u bashkuar me lumin Kir dhe më pas me lumin Buna, d.m.th. e gjithë pjesa që nga Spathari deri tek Kodrat e Tepes. Zona tjetër është ajo zonë që mbetet enigmë të quhet ose jo Zadrimë apo pjesë e saj dhe që shtrihet në perëndim të të dy degëzimeve të lumit Drin. Pra, këtu besoj se secili lexues e ka të qartë se për cilat pjesë të kësaj fushe, apo ndryshe, të kësaj treve bëhet fjalë.

Siç e thamë edhe më sipër, tipari dallues është edhe demonstrimi i traditave dhe zakoneve të të gjithë banorëve të kësaj zone që për mendimin tim, ashtu siç janë tiparet gjuhësore të njëjta kudo në këto tri ndarje, ashtu edhe zakonet dhe traditat janë të njëjta. Kryesisht si tradita dhe zakone mund të trajtojmë sidomos organizimin e riteve të ndryshme e sidomos ato që lidhen me familjen e krijimin e saj, me fejesat e martesat, me dasmat dhe organizimin e tyre, me lindjet e fëmijëve dhe me organizimin e ceremonive për këtë event familjar, me veçoritë e trashëgimive familjare, me rastet e vdekjeve dhe organizimin e ceremonive mortore e shumë zakone e tradita të tjera. Këtu nuk e kam ndërmend t’i analizoj të gjitha një për një, pasi do të duheshin shumë shpjegime për secilin rast, por do të mjaftohem të tregoj dy elemente të përbashkëta që demonstrohen në të gjithë zonën.

-Së pari dua të them se në të gjithë zonën e fushës, kur dikush bën dasmën e djalit, dërgon krushq të pacaktuar nga ana e mikut siç ndodh në trevat e tjera.

-Gjithashtu, dikur janë thirrur miqësia me thirrësa që për dasmën e djalit janë shpërndarë ditën e enjte e për dasmën e vajzës janë shpërndarë ditën e premte.

-Dasmat zakonisht janë bërë ditën e hënë e këtu e kam fjalën në hershmëri dhe jo në kohën e diktaturës komuniste dhe në ditët e sotme.

-Po kështu, kur në një familje lindte një fëmijë, caktohej dita e pasave nga nëna e nuses dhe mblidheshin në diten e caktuar gratë me lidhje gjaku të prindërve të fëmijës së lindur, motrat, hallat, tezet apo kushërirat e afërta dhe dërgonin peshqeshet e tyre së bashku edhe me petulla, kuleçë, raki e gjëra të tjera ushqimore. Në dijeninë time kjo nuk ka ndodhur në treva të tjera, ose të paktën kështu e organizuar në një ditë të caktuar.

Tipari tjetër dallues që demonstrohet nga një trevë e veçantë për ta përcaktuar ndryshimin me një trevë tjetër ka qenë edhe veshja karakteristike popullore dhe kryesisht ajo e grave dhe e vajzave. Këtu më duhet të ndalohem pak më shumë dhe më gjatë, pasi pikërisht këtu edhe krijohet konfuzion në përcaktimin të një unisoni, ose jo. Çdo krahinë ka tiparet kryesore dalluese me krahinat e tjera kryesisht përsa i përket veshjeve popullore dhe kjo sidomos në Veri të vendit. Tri janë zonat në Veri që dallojnë shumë dukshëm nga njëra-tjetra përsa u perket kostumeve popullore e krysisht të grave e vajzave, pasi kostumet e burrave pothuajse kanë pasur ndryshime jo edhe aq të dukshme. Këto tri zona me dallueshmëri të theksuar kanë qenë: Zadrima, Mirdita dhe Malësia e Madhe. Shikoni më poshtë veshjet tradicionale në këto tri zona:

nusërim.jpgA- Nuse zadrimore Guri i Zi Shkodërnuse zadrimore

  nuse mirditoreDas- nuse mirditore 1nuse mirditore

  nuse malësore nuse malesore nuse malësore

27750338_1747069655314832_6799385762708129637_n27858727_1747067911981673_8949178700931693512_n veshje kallmetore

nuse shkodrane

nuse shkodrane

 foto e marubit- grua e vjetër zadrimore me dollamë e kostum të vjetër zadrimor

Secili prej jush e dallon qartë ndryshimin mes këtyre nuseve nga veshja dhe elementet e saj dallue

sdas- nuse malësore dhe zadrimore bashkë.nuse nga tri krahina

Edhe në dy fotot e mësipërme vihet re e njëjta gjë dhe dallimet janë të dukshme. Thjeshtë solla disa shembuj se si ndryshon veshja zadrimore nga veshjet e dy krahinave të tjera, por duhet të themi se edhe brendapërbrenda të gjithë zonës së Fushës së Nënshkodrës që përfshin të gjitha pjesët e saj të ndara nga lumi Drin ka ndryshime të vogla në elementet e veshjes që nuk përbëjnë ndonjë diferencë esenciale dalluese, por janë të dukshme dhe nuk mund të mos i marrim parasysh. Megjithatë, ato ndryshime, mendoj, janë më tepër të karakterit të stilizimit që ka ndodhur në kohë të ndryshme në zonën ku bëhet diferenca. Duke parë foto të ndryshme të marra në kohë të ndryshme në të dy zonat vihen re dallime në pamje të veshjes.

Mes dy zonave ndryshimi kryesor qëndron tek stilizimi i bohçeve që gratë e të gjithë kësaj treve vënë nga pjesa e përparme e trupit. Zona e Bushatit dhe e Rranxave bohçet i mbajnë më të shkurtëra që lejojnë të duket mjaft qartë fundi i këmishës së bardhë, ndërsa në pjesët e tjera të fushës bohçeja e mbulon pothuajse tërësisht pjesën e këmishës. Por edhe aty jo gjithmonë ka ndodhur të jetë mbuluar plotësisht fundi i këmishës nga bohçeja. Shpesh më ka takuar rasti të shoh foto të ndryshme vajzash e grashë të publikuara në rrjetet sociale e sidomos në facebook nga përdorues të ndryshëm të këtij rrjeti dhe më kanë tërhequr vëmendjen për finesën e përgatitjes së atyre kostumeve të bukura të zonës sonë, por edhe të zonave të tjera përreth. Këtu më poshtë po i paraqes disa prej tyre duke i marrë si shembuj për ilustrim dhe duke i analizuar disa nga elementet e tyre.

bushatnjane dhe zadrimore

Siç shihet në foton e mësipërme në pamjen ballore janë paraqitur dy gra me veshje tradicionale të zonës dhe tek njëra(majtas) nga përdorimi i bohçes duket qartë që i takon zonës së Bushatit, ndërsa tjetra(djathtas) i takon zonës tradicionale zadrimore. Po të shihet me kujdes bohçeja që gruaja në të majtë ka vendosur, duket qartë që, jo vetëm është e shkurtër, por edhe e rrudhosur. Pra stilizimi nuk është ndalur vetëm në gjatësinë e bohçes, por edhe në krijimin e disa palave të lehta, gati të padukshme. Nuk mund të them me saktësi se e gjithë zona që shtrihet në perëndim të lumit Drin e përdor veshjen bushatnjane apo është një zonë e ngushtë, por duke iu referuar disa fotove të vjetra të Studios Marubi më rezulton se jo e gjithë ajo zonë i ka përdorur bohçet e shkurtëra dhe të rrudhosura, por edhe të gjata, ashtu siç i ka përdorur zona tjetër tradicionale zadrimore. Shikoni këto foto të vjetra dhe ju vetë mund t’i vëreni ngjashmëritë me zonën tradicionale zadrimore.

1907806_813045552050585_7640672809526940283_nËshtë një foto e vjetër e grave nga Barbullushi dhe siç shihet ato kanë përdorur bohçe të gjata dhe që afërsisht janë në nivelin e këmishës apo pak më lart nga ndonjëra, por jo edhe aq shumë. Shikoni këtë foton tjetër të një kohe të mëvonshme.

Veshje e vjetër bushatnjane

Mendoj nga i njëjti fshat, por këtu fotoja e paramëshumë se një gjysëm shekulli, veçse mjaft më e re se e para, ka dukshëm ndryshime në stilizimin e bohçes tek gratë, por edhe tek vajza e vogël që e mban atë bohçe. Po kështu edhe kjo foto tjetër më poshtë.

Nuse me veshje bushatnjane

Këtu paraqitet dukshem edhe koreti, karakteristikë dalluese për nuset zadrimore. Edhe vendosja e peshqirit që mbulon kokën dhe nxjerrja e zylyfëve janë pa as më të voglin ndryshim me pjesën e të ashtuquajturës Zadrima tradicionale e kjo vihet re në të dyja fotot e paraqitura.

1620890_704436289578179_817789219_n

Këtu jo shumë herët, por këtu e 80 vjet më parë kjo nuse bushatnjane ka përdorur një bohçe që nuk është edhe aq e shkurtër dhe pothuajse njësoj si pjesa tjetër e zonës tradicionale zadrimore, por është përdorur rrudhosja. Jo vetëm kaq, po aty shohim dhe mund të analizojmë mjaft elemente të tjera autoktone zadrimore e këto elemente janë:

-nusja mban strajcë zadrimore

-nusja pas saj ka veshur koret e shamija

-djali i vogël aty ka veshur brakesha të bardha dhe në kokë qeleshe të bardhë tradicionale

-burrat nga pas janë të veshur me xhurdinj të zinj, brakesha të bardha dhe qeleshe të bardha e këta i përkasin zonës së Bushatit dhe jo të ashtuquajturës Zadrimë tradicionale.

Të gjithë këta elementë që cilësova më sipër janë tipar kryesor autentik zadrimor.

dalë duke kryer aktin e krezmimit

Edhe kjo foto e vjetër e Marubit paraqet gra dhe vajza nga Dajçi i Bregut të Bunës që është shumë më larg prej zonës tradicionale zadrimore se sa Bushati është, por veshjet aty janë autentike zadrimore pa as më të voglin ndryshim, as në bohçe dhe as në ndonjë element tjetër. Besoj se fotoja është autentike ashtu siç shkruhet poshtë saj dhe kjo flet për shumëçka.

berdiciane të vjetraDas- nuse zadrimore bardh e zi 

Edhe kjo foto paraqet një nuse dhe një vajzë nga Berdica. Fotoja është mjaft e vjetër dhe pa ngjyra, por elementet e veshjes dallohen qartë: nusja me koret, shamija dhe futa në vend të bohçes; vajza me bohçe të bardhë dhe jo të shkurtër si tek bushatnjanet e kohës së sotme. Po ashtu edhe fotoja djathtas e nuses ka elemente identike me nusen nga Berdica dhe është një nuse zadrimore e kohës së vjetër.

Siç e cilësova edhe më sipër, kriteri i gjatësisë së bohçeve të përdorura nga gratë e zonave të ndryshme të Pellgut të Drinit, mendoj se nuk duhet të merret si kriter dallues edhe për faktet që solla më sipër dhe i analizova. Mendoj se nuk duhej të ishte kriter kjo, ashtu siç nuk e bën më pak qytetare një vajzë apo grua që vesh një fustan të gjatë nga një vajzë apo grua që vesh një fustan të shkurtër. Pra maksifundi nuk është më pak qytetar se minifundi. Duhet ta kemi parasysh se jo shumë kohë më parë edhe veshja qytetare ishte jo kjo që është sot. Dikur ishte tabu fustani i shkurtër e aq më tepër minifundi. Gjithashtu, duhet të mos harrojmë se në vitet e komunizmit gati me forcë u ndryshua veshja kombëtare tradicionale duke u zëvendësuar me veshje më të lehtë; me fustane e pantalluna, por kjo më shumë tek moshat e reja, po ama, u ruajt me fanatizëm tradita dhe asnjëherë nuk humbi a shterroi. Gratë zadrimore i përdornin dhe ajo pjesë e brezit të vjetër nuk hoqi dorë kurrë nga tradita. Më vonë, në demokraci, u ringjall tradita, por tashmë veç në evenimente të ndryshme u përdor dhe përdoret, pothuajse ashtu siç ka qenë edhe më parë pa ndryshime e stilizime. Më parë, por edhe sot në vetë zonën tradicionale të Zadrimës në shumë raste gratë e vajzat nuk i mbajnë bohçet njësoj në gjatësi e kjo vihet re në të njëjtën foto ku paraqiten grupe grash e vajzash. Dhe kjo jo vetëm në këtë element vihet re dallimi apo ndryshimi nga njëra femër tek tjetra, por edhe tek ngjyrat etj.

A- tek kisha e Beltojës viti 1940

Grup burrash, grashë dhe fëmijësh zadrimorë1017412_704438539577954_2100233568_n1661999_704436796244795_1458646649_n1613944_724542510900890_201467146_n535301_1107623845926086_7334873472820822640_nfamilje zadrimore e hershme nga stajkady nuse zadrimore  gra dhe fëmijë zadrimrë të vjetër51195320_2200164536672006_8040263736860082176_n46143386_2035350586511912_2507644431323103232_n

Shikojini fotot e mësipërme dhe ju vetë mund ta vertetoni konstatimin tim, por në fotot e mëposhtme mund të shihen edhe ndryshimet në kohë të ndryshme tek vetë veshjet bushatnjane.bushatnjane të vitit 1900bushatnjane në moshë

Pra duket qartë se dikur në hershmëri gratë bushatnjane përdornin boçe të gjata dhe më vonë i stilizuan duke i shkurtuar dhe nuk e di se nën çfarë ndikimi e bënë këtë gjë. Në qoftë se ato foto janë autentike ashtu siç paraqiten, besoj se nuk ka nevojë për tjetër argument.

grua e re zadrimore e vjetër

Kjo foto që shikoni këtu paraqet një grua zadrimore(të paktën sipas shënimit poshtë saj) dhe siç e shikoni nga stilizimi i bohçes që kjo grua ka veshur është e stilizuar bushatnjançe për nga gjatësia, por jo e rrudhosur siç janë në kohët e sotme. Këtu mund të nxjerrim dy përfundime:

-po qe se kjo foto i takon një gruaje bushatnjane shënimi poshtë saj e konsideron zonën e Bushatit si pjesë të Zadrimës.

-po qe se fotoja i takon asaj që tradicionalisht është quajtur Zadrimë, bohçeja e shkurtër e gruas tregon se ka pasur mjaft ngjashmëri midis dy zonave e më vonë kanë marrë ngjyrime të ndryshme që ka bërë njëfarë dallimi mes tyre.

Që të dy këto përfundime na çojnë në konkluzionin se edhe pjesa tjetër e fushës, d.m.th. ajo pjesë që shtrihet në perëndim të lumit Drin, është dhe duhet të quhet Zadrimë. Pra një dallim fare i vogël në stilizimin e një elementi në veshje nuk besoj se përbën arsye që kjo trevë të kantonizohet në disa zona jashtë konceptit Zadrima. Jo vetëm kaq, por mund të shkojmë edhe më tej se tradita e kultura zadrimore ka shkuar e është shtrirë jo vetëm në zonën perëndimore të Drinit, por i kalon edhe kufinjtë e Bunes duke u shtrirë edhe në Mal të Zi në zonën e Shestanit. Për këtë shikoni këto foto që u përkasin banorëve me zakone e tradita zadrimore të asaj zone.

Grupi folklorik Buzuku nga Shestani Mali i Zigrupe nga Mali i Zi

Pamjet këtu janë mjaft domethënëse dhe pa pasur nevojë komentare.

Është krejt normale që në të gjithë këtë trevë të ketë ishuj apo shkëmbinj të vegjël etnokulturorë që përbëjnë diversitete të ndryshme në veshje, zakone dhe nuanca gjuhësore, por tërësia territoriale e kësaj treve quhet Zadrimë. Nuk mund ta quajmë Mirditë një fshat të vogël si Dragusha ku populli atje ka ruajtur zakonet dhe traditat etnokulturore mirditore e aq më tepër as disa familje të tilla në fshatra të tjerë të ndryshëm të Zadrimës si në Dajç, Mabë, Zojz, Gjadër, Hjamel, Nënshat, Krajen, Fishtë, Troshan, Dheu i Lehtë, Paçram, Ndaraç, Laç etj., ashtu siç nuk mund të quhen Malësi e Madhe disa banorë të Velipojës, Kuklit, Kakarriqit, Balldrenit e mjaft të tjera familje në fshatra të ndryshëm të të gjithë zonës. Megjithatë, këta banorë, po t’i pyesësh sot a janë apo jo zadrimorë, menjëherë të përgjigjen se jo, edhe pse në Zadrimë kanë lindur dhe jetuar deri më sot.

Por, gjithashtu, më lind pyetja se si duhet ta quajnë veten disa familje me besim mysliman që kanë veshje jozadrimore, por që kanë jetuar në Zadrimë prej nuk e di se kur, apo denbabaden thënë ndryshe? Në dijeninë time, ato familje dikur kanë qenë të besimit katolik dhe me të gjitha traditat e zakonet zadrimore, por në kohën e pushtimit turk e kanë kthyer besimin e tyre në mysliman për arsye të ndryshme. Këto familje apo fise, edhe pse në një minorancë mjaft të madhe në krahasim me popullsinë e zonës, përsëri përbëjnë një grup të konsiderueshëm dhe sidomos në Mabë, siç janë Shahinët, në Kotërr, siç janë Zyberët, në Trush, në Barbullush, Bushat, Shkjez, Paçram, Mjedë e në mjaft vende të tjera. Jam i bindur se myslimanët e Kotrrit dhe të Mabës e konsiderojnë vetën zadrimorë dhe jo ndryshe edhe pse me fe e veshje janë krejt ndryshe.

E gjithë Fusha e Nënshkodrës ka përthithur popullsi të ardhura nga krahina të ndryshme në kohë të ndryshme dhe ato të kohërave më të vjetra ka arritur t’i asimilojë në traditat dhe kulturën e vet e për këtë mund të sjellim mjaft shembuj në fshatra të ndryshëm si në Blinisht, Dajç, Kodhel, Krajen, Fishtë, Troshan, Nënshat, Hajmel, Gramsh, Bushat, Barbullush, Trush e gjetk, pa i përmrndur të gjithë. Mjafton të kujtojmë këtu Baqlin që para disa kohësh ka qenë banuar tërësisht me popullsi myslimane dhe sot ka veç banorë të besimit katolik dhe të gjithë të zakoneve e traditave zadrimore të mirëfillta. Nga disa fshatra që përmenda më sipër, unë mund të sjell mjaft shembuj familjesh e fisesh që kanë origjinë mirditore, por që prej kohësh kanë përqafuar e praktikuar tradita, gjuhë e zakone zadrimore. Në Kodhel që është një fshat i vogël, fisi Marku dhe Gjokhilaj janë me origjinë mirditore, por zakonet, gjuhën dhe traditat i kemi mirëfilli zadrimore, saqë pakkush aty e di origjinën e saktë të të parëve tanë. Po kështu edhe Gazullorët dhe Milotasit në Dajç, Sollakët, Vokajt e Zhubët në Blinisht, të tjera fise në Fishtë, Krajën, Troshan, Hajmel, Nënshat, Mabë, Gjader, Gramsh, Kaç e në të gjithë fshatrat e tjerë besoj se kanë origjina nga krahina të ndryshme të vendit.

Kam njohur mjaft raste, madje edhe shumë afër meje, kur në Zadrimë janë bërë lidhje martesore mes etnive kulturore të ndryshme dhe kur ato(nuset) kanë ardhur në familje zadrimore kanë ndjekur zakonet dhe traditat e familjeve ku janë martuar. Veç në Kodhel kam njohur katër raste e ndër këta nëna ime që ishte nga Kallmeti dhe nusja e xhaxhait tim nga Rraboshta, por edhe dy të tjera që nuk dua t’i saktësoj këtu për etikë. Në të gjitha këto raste janë ndjekur zakonet e traditat zadrimore si dhe veshja e tyre ka qenë tërësisht zadrimore. Po t’i pyesish kallmetorët e rraboshnjakët(aty kam disa nga kushërinjtë e mi nga nëna), a janë zadrimorë, nuk e pranojnë një fakt të tillë, pse deri më sot ata kanë ruajtur dhe ndjekur zakone, gjuhë e tradita disi ndryshe nga zadrimorët, edhe pse janë pjesë e Zadrimës. Megjithatë, njoh mjaft raste kur në familje kallmetore janë marrë nuse nga familje me origjinë mirditore, zakonisht nuk e kanë ndryshuar veshjen nuset, por kanë ruajtur traditën mirditore të familjeve të origjinës së tyre.

Një pamje krejt ndryshe ka ndodhur me lidhjet martesore të zonave Këndej dhe Andej Drinit. Ka pasur shumë pak ose pothuajse aspak raste në të kaluarën lidhje të tilla dhe kjo nuk besoj se ka qenë si pasojë e mospërputhjes së zakoneve dhe traditave, por besoj për shkaqe krejt natyrore. Është krejt e thjeshtë të nënkuptohet se Drini ka qenë një nga pengesat kryesore. Duke mos pasur mundësi komunikimi të drejtpërdrejta mes banorëve të këtyre dy zonave, pak kanë qenë mundësitë e lidhjeve martesore, pasi zadrimorët kanë synuar të marrin e të japin jo larg, por aty ku kanë njohur mirë dhe i kanë pasur mundësitë të shkojnë e vijnë lirisht dhe shpejt. Drini ka qenë një pengesë e realizimit të kësaj gjëje dhe besoj se kjo ka ndodhur edhe mes fshatrave të bregut si të Gramshit me Kuklin, apo të Mabës me Barbullushin që në vijë ajrore kanë qenë mjaft afër. Gramshin me Kuklin i ka ndarë vetëm lumi Drin, pasi distanca mes tyre nuk e besoj se e kap dhe jo më ta kalojë kilometrin. Kjo dukuri që ka ekzistuar në të kaluarën nuk besoj se mund të quhet arsye për të menduar se zona tjetër në perëndim të lumit Drin nuk është Zadrimë dhe se është një etni tjetër kulturore e ndryshme nga ajo zadrimore. Çdo studjues etnograf mund ta vërtetojë se traditat dhe zakonet janë të njëjta dhe aspak të ndryshme në të dy këto zona të ndara nga lumi Drin.

Si përfundim, mendoj se e gjithë zona është një dhe aspak e ndarë qoftë edhe nga kufinj natyrorë siç është Drini. A mund të quhet ndryshe zona e Kashnjetit veçse Mirditë? Besoj se jo, edhe pse mjaft zona të Mirditës dhe Pukës janë të kufizuara me kufinj natyrorë; me male, përrenj e lumenj, por përsëri ato janë Pukë e Mirditë në tradita, zakone e gjuhë. Banorët e Mnelës, Vigut, të Dibrrit e të mjaft zonave të tjera, të ndara ose jo nga lumi Gjadër, të ndara ose jo nga Dibrri, të ndara ose jo nga Fani, të ndara ose jo nga bjeshkët e larta të maleve, e quajnë vetën dhe janë të gjithë mirditorë. Po banorët e fushës së pellgut të Drinit pse të mos quhen zadrimorë të gjithë, apo mos duhet një bohçe e stilizuar disi ndryshe nga një pjesë e banorëve të këtij pellgu të krijojë konfuzionin e panevojshëm? A mos një emër, ndoshta krejt i pasaktë i atribuar njërit prej pushtuesve në lashtësi se ai ia paska vendosur gjoja një pjese të kësaj zone duhet të përcaktojë edhe kantonizime emrash? Jo. Besoj se edhe kjo nuk është aspak arsye të krijojë konfuzion të panevojshëm. Në fund të fundit është e drejta e çdokujt ta quaj veten si të dojë: zadrimor, malësor, mirditor, pukjan, shaljan, apo edhe bushatnjan, bregabunas, nënshkodrak a si t’i vijë për mbarë dhe askush nuk ka të drejtë t’ia imponojë këtë askujt.

Përsa i përket emrit Zadrima shumë shpesh janë hedhur versione të ndryshme dhe këtu nuk dua t’i marr e t’i analizoj ato versione me radhë, por dua të shpreh mendimin tim modest sipas logjikës dhe arsyetimit tim personal pa iu imponuar askujt. Kushdo ka të drejtë të shprehë mendimin e tij e, gjithashtu, kushdo ka të drejtë të pranojë atë që i duket më i saktë dhe më i drejtë si argument e si ide e kujtdo qoftë pa asnjë lloj presioni a shtyse të imponuar.

Siç e thamë edhe më sipër, për prejardhjen e emrit Zadrima studjues të ndryshëm kanë hedhur versione të ndryshme duke aluduar emërtime të ndryshme në kohë të ndryshme. Dikush hedh versionin se dikurë, në kohë të lashta, ka qenë quajtur Sapjana, por dikush tjetër aludon se mund të ketë qenë quajtur edhe Driada ose Fushëdrina e ndonjë tjetër Përtej Drinë, por të gjitha këto janë pohime të pambështetura me dokumenta e fakte, veç aludime. Për njërin prej këtyre emrave aludohet se në kohë të mëvona, gjatë vërshimeve të sllavëve në Ballkan, pushtuesit sllavë ia kthyen në Zadrima si një përkthim të sllavizuar. Mund të jetë e vërtetë, por unë e dyshoj shumë këtë fakt dhe dyshimin tim e mbështes në disa fakte logjike të cilat do të përpiqem t’i shtjelloj më poshtë. Por para së gjithash, mendoj se konceptimit të emrit si të sllavizuar, ose mund të jetë thjesht një keqkuptim rastësor, ose një keqdashje e dikujt që e ka hedhur atë ide për qëllime të tjera e për ta quajtur si tokë apo provincë sllave, pasi gjithmonë shovinistët serbë e malazesë kanë synuar ta pushtojnë edhe atë pjesë të truallit si shumë troje të tjera shqiptare që ende i kanë të pushtuara e nën sundimin e tyre edhe sot e kësaj dite, ashtu siç kanë bërë në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni që emrat shqiptarë të vendeve i kanë sllavizuar në format nga më të ndryshmet, po tashti le të bëjmë një analizë logjike të emrit Zadrima mbështetur në fakte konkrete logjike e gjuhësore.

Para së gjithash, mendoj se emri Zadrima vjen që nga pellazgjishtja pak a shumë në këtë formë që ne e kemi sot dhe nuk e besoj se nënkupton veç një pjesë të fushës që u formua pak nga pak nga lumenjtë Gjadër, Drin e Kir duke sjellë kohëpaskohe prurje sedimentesh zallore e lymore nga malet prej nga vërshonin. Qindra e mijëra vite më parë e gjithë fusha ishte një det me disa ishuj të vegjël që ishin kodrat e sukat që sot ngrihen përgjatë fushës duke filluar nga kodrat e Berdicës, Beltojës, të Bushatit e Barbullushit, të Pleshës, Mabës, Dragushës Kotrrit, Dajçit, Kodhelit, Baqlit e së fundmi të Blinishtit. Që nga mali i Kreshtës dhe Velës rrëketë e përrenjtë që zbrisnin nga faqet malore pak e nga pak filluan të shkarkonin edhe gur e dhè, ndaj edhe zonat e anës së këtyre maleve janë toka më të ngritura dhe kryesisht mjaft zallishte e fare pak prodhuese. Kështu është sidomos Fangu i Krajnit e i Nënshatit, por pak më poshtë tyre toka vjen e bëhet më e butë dhe më shumë prodhuese, pasi aty janë depozituar shtresa argjile e lymi. Pjesa e fushës që vjen poshtë kodrave të Kodhelit dhe deri në brigjet e Gjadrit dhe të Drinit janë toka me prurje aluvionale lymore e kështu ato janë më prodhuese e më shumë të shkrifëta sa më shumë u afrohesh brigjeve të këtyre lumenjve. Po t’i shikosh tokat e Bregut të Drinit si në Mabë, Gramsh, Zojz, Gjadër, Kakarriq e Balldre kanë struktura ranore, madje shpeshherë banorët e këtyre zonave, për të plotësuar nevojat e tyre për ndërtim, hapnin gropa dhe në një thellësi jo shumë të madhe, jo më shumë se një gjysëm metri, nxirrnin rërë të pastër të një cilësie mjaft të lartë. Edhe në pjesë të tjera të fushës, por gjithnjë në thellësi më të mëdha ka mjaft shtresa rëre dhe zhavori gjë që tregon se fusha është formuar nga prurje lumore. Pra, fusha duke u formuar, filloi të popullohej dhe padyshim filloi edhe të merrte emër konkret. Po cili qe emri që ia vunë së pari ata që të parët e populluan fushën e sapokrijuar, apo në formim e sipër? Ndoshta Fushëdrinë, apo Driadë, siç dikush e hedh edhe si version, por ndoshta edhe Zalldrinë.

Duhet të kemi parasysh se emërtimet e objekteve, aq më tepër emrat e vendeve janë ngulitur në bazë të një rrjedhoje logjike. Këtë gjë secili mund ta vërtetojë duke analizuar toponiminë e zonës ku jeton dhe njeh më mirë. Si shembuj mund të marrim emra të tillë fshatrash si Guri i Zi, Shelqet, Mjedë, Drisht, Dejë(Danjë), Ndaraç, Dheu i Lehtë, Dajç, Hajmel, Baqel, Nënshat, Fishtë, Blinisht, Gjadër, Kallmet, Rraboshtë, Grykëzezë, Balldre, etj. Secilit prej këtyre fshatrave që përmenda më lart si dhe shumë të tjerëve u gjenden lehtësisht prejardhjet etimiologjike të formimit si emra. Kështu mendoj se edhe emri Zadrima e ka një rrjedhë logjike, ashtu siç edhe vetë emri Drin e ka pasur dikur rrjedhën e vet logjike.

Padyshim se fushës që shtrihet në pellgun fushor të lumit Drin emrin ia ka dhënë pikërisht lumi që më së shumti ndikoi përgjatë epokash në formimin e saj. Nga kjo mund të nxjerrim përfundimin se emri Zadrimë nuk mund të nënkuptojë veç atë pjesë fushe që shtrihet në krahun e majtë të Drinit dhe veç duke filluar që nga Vau i Dejës e Laçi e duke përfunduar rrëzë Kalasë së Lezhës. Emri Zadrimë përdoret edhe nga pjesa që nga Spathari e deri në rrëzë të Kalasë së Shkodrës(Rozafës). Po ajo pjesë që mbetet dhe që shtrihet në perëndim të dy rrjedhjeve të Drinit, si do të quhet, apo si është quajtur në hershmëri? Si është quajtur para se sllavët të vinin deri aty e ta “pagëzonin” me emrin Zadrima? Po të ishte se fusha që më vonë “e pagëzuar” prej tyre Zadrima më parë quhej Përtej Drinë, siç dikush e aludon dhe ajo e famshmja parafjalë sllave “Za” zëvendësoi parafjalën shqipe “Përtej”së pari duhet të mendojmë se dikush i emërtoi Këtej Drinë dhe Përtej Drinë këto pjesë të fushës të ndarë nga ky lumë në tri pjesë. Atëherë lind pyetja, pse nuk e lidhen me emrin Drin edhe pjesën që mund të quhej Këtej Drinë, por e lanë pa emër a së paku një pjesë të saj e quajtën Velipojë që besoj se jo shumëkush e mendon se si emër e përfaqëson gjithë atë zonë çka merr prej Kuklit në Baçallek e deri në Detin Adriatik? Nuk e besoj se kukljanet e quajnë veten e tyre Velipojë. As barbullushasit, as bushatnjanët, as berdicianët, as baçallekasit e shirgjjanet. Ndoshta edhe mundet, por unë nuk e kam këtë ide dhe mund të jem krejtësisht i gabuar e duhet pyetur banorër e atyre zonave për t’u ftilluar. Ata e dinë më mirë se unë e se kushdo tjetër që nuk është banor i atyre zonave se si e quajnë vetën. Por duhet ta pranojmë edhe një fakt që na vë në dyshim dhe ky është emri i ngjajshëm që sllavët ia vunë edhe një tjetri vend dhe pikërisht Zagora. Megjithatë, në ngjashmëri me këtë emër kemi edhe emrin e një krahine në Jug, në Gjirokastër që quhet Zagori. Nuk besoj se sllavët shkuan gjer atje dhe ia vunë atë emër asaj krahine dhe historia nuk e njeh, gjithashtu për shtrirje aq të madhe të pushtimit sllav. Edhe emri Zapod normalisht që është një emër sllav, por duke u kthyer përsëri tek emri Zadrima, më lind përsëri një pyetje disi e çuditshme: Po qe se zona fillimisht u nda në Këndej dhe në Andej, si mund ta quanin veten banorët e secilës zonë? Dihet se secila palë palën tjetër e quan “andej” dhe jo veten, kështu, banorët e asaj pjese që pretendohet se e morën emrin Zadrima nuk mund ta quanin veten “Të Përtej Drinë”, po palën tjetër po, ndoshta. Së pari ne duhet të biem në ujdi me veten tonë se si ta quajmë veten: “Këndej”, apo “Përtej” Drinë. Imagjinojeni, o njerëz të dashur, se çfarë mund të ndodhte, po të shkonim e t’i thoshim një banori të fshatrave Mabë, Gramsh, Zojz, Gjader, apo Rraboshtë e Merqi “Ju jeni Përtejdrinas!”. Ju këshilloj të mos e bëni, por në qofshi aq të guximshëm sa ta merrni një hap të tillë, ju këshilloj të zgjidhni njeriun e duhur për t’ia thënë, se nuk do të ndaheshit mirë me të. Minimumi do të merrnit epitetin “budalla” e duhej të ishit të kënaqur me të, se nuk i dihej se ç’pasoja të tjera të dhimbshme mund të kishit. Po kështë do të ndodhte po t’u thoshim edhe banorëve të Berdicës, Beltojës, Melgushit, Bushatit, Barbullushit, Kuklit, Kakarriqit, Gocajve e të Balldrenit. Sigurisht, asnjë prej tyre nuk do ta pranonte se jeton përtej Drinit.

Si përfundim, unë për veten time nuk jam aspak i prirur ta pranoj se pikërisht sllavët ia vunë emrin Zadrima pikërisht një pjese të fushës së pellgut të Drinit, siç ndikuan në disa emërtime të tjera në të tjera vende. Sikur për një moment ta pranonim, mund të bëjmë një pyetje: Pse ç’merr prej Gjakove e Prizrenit e deri në Adriatik ku derdhet Drini nuk quhet Zadrimë? Po pyetja tjetër: Si shpjegohet që sllavët erdhën dhe pagëzuan emrin e fushës sonë ashtu, por nuk pagëzuan me “Za” ato pjesë që deri më sot i patën nën sundimin e tyre? Jo shumë kohë më parë serbët sundonin në Kosovë dhe, kur ikën, lanë mjaft ngatërresa nga pas e ne mos të shkojmë larg, por të shikojmë se si qëndron problemi i Mitrovicës që është e ndarë në Mitrovica e Veriut dhe Mitrovica e Jugut. Dhe ju e dini mirë, ndoshta, se ato pjesë të asaj zone dhe atij qyteti ndahen pikërisht nga një lumë që quhet Ibër. Pse pra Mitrovicën e Jugut ata(serbët) nuk e quajtën e as e quajnë thjeshtë Zaibro a diçka të tillë? Jo, pra, se ajo zonë është një tërësi unike dhe ska nevojë për ndarje. E, pra, kështu duhet të jetë e gjithë zona fushore e lumit Drin, një tërësi unike pa nevojë ndarjeje e kantonizimi, por të quhet e gjitha Zadrimë. Iu kërkoj ndjesë atyre që jetojnë në perëndim të të dy rrjedhjeve të lumit Drin e që nuk dëshirojnë ta quajnë vetën zadrimorë, në qoftë se kjo ekziston, por i siguroj se nuk kam qëllime shoviniste për ta bërë Zadrimën e madhe, veç aq sa i takon, gjithnjë sipas mendimit tim.

Me që them se emrin fushës ia dha lumi Drin, pse aty ka pothuajse të tërë pellgun fushor të tij, mendoj se emri i lashtë duhet të ketë qenë Zalldrinë. Them kështu për faktin se së pari lumi duke e formuar gradualisht fushën dhe pellgun e tij, fillimisht hodhi shtresa zalli dhe më vonë rërë dhe lym e kështu mori formë pak e nga pak fusha. Kjo besoj se është lehtësisht e vërtetueshme po të gërmohet në thellësi të fushës në çdo cep të saj dhe padiskutim mund të ndeshim në shtresa të tilla rëre dhe zalli. Por fare lehtë mund ta vërtetojmë edhe po t’i hedhim një sy pamjes që na jep shtrati i lumit që nga Spathari e Ashta e deri në bshkimin me lumin Kir e më pas me Bunën ku dukshëm spikasin zallishtet e shtresuara aty. Për ilustrim shikoni pamjën madhështore që shpaloset para syve tanë po të jemi në muret e Rozafës.

Drini marrë nga kalaja e Rozafës se pamja flet vetë këtu pa pasur nevojë për një koment të veçantë.

Vetë lumi Drin në lashtësi nuk duhet të ketë pasur këtë emër që ka sot. Ndoshta ka qenë quajtur fillimisht me emrin Dridhmë, apo Dredhë dhe në ditët e sotme ka arritur në formën që ne e quajmë, apo ndoshta edhe ashtu siç e quajnë zadrimorët apo bregadrinasit Dri, se kështu është njohur dhe jo Drin siç quhet nga norma letrare. Në gegnisht disa emra të gjinisë mashkullore që mbarojnë me i të theksuar, kur i shquajmë marrin një n që vendoset para nyjes shquese i. Dri- Drini; li- lini; kufi- kufini; kushri- kushrini; flori- florini; kalli- kallini; çapi(zhapik)- çapini; mi- mini; ulli- ullini; mulli- mullini; purri(pras)- purrini; turi- turini; zingji- zingjini; xhurdi- xhurdini; fulqi- fulqini; gji- gjini; ti- tini; etj.                                                                                                                                    Sa për ilustrim po marrim disa shprehje apo vargje këngësh që janë kënduar në Zadrimë nëpër dasma apo ziafete të ndryshme. Në një këngë dasme që mendoj se është autoktone zadrimore thuhet kështu:

                “Shkon nilbardha nëpër Dri, nëpër Dri                                                                                              Baba vjehërr çon dhanti, çon dhanti…..”

Siç shihet këtu emri i lumit shqiptohet pa “n” në fund dhe jo për të krijuar rimë, po se ashtu e shqiptojnë zadrimorët. Në një bejte të hershme në fshatin Kodhel thuhej:

                 “Tata Gjini, mjekërr thimi                                                                                                                      Çka po çon te mullini?                                                                                                                          -Melekuq e farë lini.”

Edhe këtu shihet qartë dukuria gjuhësxore zadrimore që emrave mashkullor që dalin në “i” të gjatë apo të thënë ndryshe, të theksuar kur shquhen, para nyjes shquese –i marrin një n si antihiatus. Kështu mund ta ilustrojmë dhe me shprehjen popullore kur thuhet për një person të sëmurë “Asht ba verdh si çapini.” Zadrimorët besoj se e dinë mirë se çfarë ësht e kujt i thonë çapi, por për ata që nuk ia kanë idenë e kësaj fjale po e sqaroj edhe një herë tjetër: çapi quhet një tip hardhuce e veçantë që kombinohet me ngjyrat verdh-jeshil-blu, ndryshe e quajnë në jug zhapik. Gjithashtu, ka ekzistuar në Zadrimë një lojë fëmijësh ku një grup prej disa pjesëmarrësve formonin një rreth duke u kapur dora-doras. Dy pjesëtarë të tjerë caktoheshin që njëri të luante rolin e macës dhe tjetri të miut. Ai që luante rolin e miut qëndronte në mes të rrethit i ulur galiç, ndërsa tjetri jashtë rrethit e fillonte lojën me këto fjalë: “Mini-min ça po ban aty?” dhe tjetri i përgjigjej: “Po ha një copë bukë e djathë.” “-Ma jep një grimë mu!” “Jo, nuk ta jap” etj. etj. Loja e kishte titullin “Kapi mica minin” dhe kështu përsëritnin këto fjalë grupi që formonte rrethin deri sa lojtari mace kapte lojtarin mi, ose ndryshonin shprehje kur lojtari mace ngatërronte hyrjet e daljet e lojtarit mi në rreth e jashtë rrethit.

Pra bashkëtingëllorja n është vendosur aty nga nevoja shquese epër të luajtur rolin e një antihiatusite jo si një pjesë përbërëse e fjalës. Edhe emri Drisht që vjen nga emri Drin nuk e ka bashkëtingëlloren n në trup të fjalës, se ndryshe duhej të quhej Drinsht. Kështu mendoj se edhe fjala Zalli i Drinit (Zall Drinë) gjatë kohërave e ka humbur formën e saj të fillimit deri sa ka arritur në Zadrimë. Pra ka rënë bashkëtingëllorja ll dhe ka mbetur veç forma që ne e përdorim sot e kësaj dite. Në emërtime të shqipes ky emër(Drin) na del edhe në jug dhe bëhet fjalë për lumin Drino që sigurisht duhet të jetë krijuar si fjalë si pasojë e ndonjë kuptimi të caktuar. Gjithashtu edhe emri Drinasa duhet të ketë rrjedhur nga i njëjti burim kuptimor.

Zadrimorët, por jo vetëm zonat e ulëta e sidomos ato të brigjeve të përrenjve e lumenjve i kanë quajtur shpesh edhe me emrin zalle(zaje). Zalli i Gjadrit; Zalli i Ndaraçit; Zalli i Rraboshtës; etj., por ka mjaft vende të tjera në Veri të Shqipërisë që quhen në këtë formë si: Zalldardha; Zallherri; Zallbastari; etj. Kemi fakte të pakundërshtueshme që zadrimorët vendet e ulëta i kanë quajtur ndryshe edhe zasll(zaje). Nuk duhet të shkojmë shumë larg për t’i gjetur faktet, por të shfletojmë veprat e Fishtës së madh e sidomos “Lahuta e Malcisë” shumë rrallë përmendet emri “fushë”, por emri “zall” del në shumë raste dhe Gjergj Fishta ka qenë një zadrimor i madh që ishte e është nderi, jo vetëm i Zadrimës që e lindi, po nderi i gjithë kombit shqiptar. Këtu më poshtë po jap disa fragmente ku përmendet emri “zall” për “fushë” apo “rrafshinë”.

                 Dy herë turku u kap në maje

                 Dy herë Shkjau e lshoi -nder zaje,

                 Tue shtrue shpatin me Harapë.”

                “…Por medet e treqind halle!

                  Per kto male e per kto zalle,

                  Per kto male e zalle t’ona’

                  Ku si heret, si n’e vona’

                  Pat ken majt kanuja e malit….,”

               “ …N’flakë e n’shkndija lkuqë rri shpati

                   Mnderet m’kamë me t’u ngri shtati!

                    Tremë baktija marrin malin,

                    Hikin gjindja marrin zallin…,”

                  “…Mori dardha dimënore,

                     Si t’shkoi moti kangë e valle

                     Kangë e valle e zanamare

                     Tash mas flutrash neper zalle…..”

                “….Njekshtu Shkjau—he atij i hupët fara!

                    U rras n’luftë nper mal e zall.

                    Porsi zjarm kur t’marre shpija….,”

                “….Leni sod, moj Shtozovallet,

                    Leni flutrat t’marrin zallet

                    Leni sutat t’ marrin malet….,”

                 “….Prap tash njethen gjeth e lule,

                    E me u de ka bora malit,

                    Me rrëmye kan prrojet zallit:….”

                 “….Po nuk lujte ti per s’gjalli.

                     Ushtue ka po bjeshka e zalli,

                    Kan shunglluem rrgallë e lerë…”

                 “….Kur ka behë n’at Kapë të Brojës

                     Se ç’piskatë ka ajo të madhe

                     Kan ushtue bjeshkë edhe male,

                      Kan shungllu fushë edhe zalle….”

Siç shihet në shembujt e sjellë më sipër Gjergj Fishta pak më shumë se një shekull më parë fjalën “zall” e përdor për të nënkuptuar vende të ulëta dhe kjo vihet re fare qartë kur pranëven afër fjalës “zall” fjalën “mal”, “bjeshkë”, apo “maje”. Shikoni foton e fundit ku bën paralelizmat: “bjeshkë edhe male” me “fushë edhe zalle”. Pra bjeshkët e malet(vende të larta); fushat e zallet(zajet)(vende të rrafshta dhe të ulëta). Kështu mund të shohim dhe analizojmë edhe shembujt e tjerë nga i njëjti libër “Lahuta e Malcisë” ku shprehet fare qartë nocioni fushë përmes fjalës “zall”.

Në një shkrim tjetër për Zadrimën, duke folur enkas për këtë gjë, kam bër një analizë më të hollësishme, ndaj për ata që nuk kanë pasur ta lexojnë atë shkrim po e rikujtoj këtu duke e sjellë ashtu siç e kam thënë atje: “Me që jemi tek emri dhe shtrirja gjeografike dua të shtoj këtu se janë hedhur versione të ndryshme në lidhje me emrin Zadrimë dhe varianti më i ngulitur ka qenë ai që dikush e quan edhe sllavizim të emrit të lashtë Përtej DrinëZa Drinë, por unë mendoj se emri Zadrimë duhet të ketë ekzistuar qysh në Iliri dhe nuk është pritur t’i vihet emri nga sllavët e pastaj ta gëzojnë shqiptarët deri në ditët e sotme emrin që ia vendosën pushtuesit. Kështu mund të kishte ndryshime emrash për të gjithë territorin me fshatra dhe qytete që e popullojnë apo e qarkojnë këtë zonë, por shumica e emrave janë nga fjalë autoktone shqiptare, megjithse aty-këtu ka edhe sllavizime siç është emri Velipojë, Dragushë a ndonjë tjetër. Emrat Shkodër dhe Lezhë, dy qytete kufizuese të Zadrimës, njëri nga veriu e tjetri nga jugu kanë prejardhje nga fjalë shqipe autoktone. Shkodra e njohur nga lashtësia me emrin Skutari vjen nga fjala shqipe skutë dhe kjo vërtetohet më së miri nga pozicioni gjeografik i këtij qyteti që është ngulitur në një skutë kodrash e malesh duke filluar që nga Kodrat e Tepës e duke vazhduar me kodrat e malet që e qarkojnë nga lindja dhe nga perëndimi me malin e Taraboshit. Kjo është mjaft domethënëse e mendoj se nuk do shumë komente, pavarsisht se më vonë emrin Shkodër njerëzit e quajnë se ka prejardhje nga fjala Shenjtja Kodër ose ndryshe Shënkodër (Shkodër). Megjithëse ky emër përputhet plotësisht me fjalëformimin shqip, përsëri për mua bindës qëndron emri i lashtë Skutari. Po kështu edhe qyteti tjetër kufizues Lezha si emër i tij i vjetër ka qenë Lisus (Lis) dhe nuk besoj se do ndonjë koment apo shpjegim tjetër të veçantë të dy këta emra me kalimin e kohës janë ndryshuar e kanë marrë atë formë përfundimtare që sot kanë. Kujto këtu se edhe Lezha jo shumë herët ka qenë quajtur me emrin Lesh.

Përsa i përket emrit Zadrimë unë mendoj se nuk e kemi të trashëguar atë nga sllavët, por nga ilirët, paraardhësit tanë dhe vjen totalisht nga fjalët shqipo-ilire zall dhe Drin apo Drimë, ku i dihet, në lashtësi kështu është quajtur Drimë dhe jo Drin. Dihet, ose më mirë të themi mendohet se e gjithë fusha e Zadrimës ka qenë një gji deti në lashtësi, por me kalimin e kohës, prurjet aluvionale të lumenjve Kir, Drin dhe Gjadër kanë bërë që kjo pjesë e detit të dikurshëm të mbushet dhe deti të tërhiqet. Po të gërmohet në thellësi të tokës sidomos duke filluar nga rrëza e maleve, por edhe në disa vende në thellësi të fushës, pas disa shtresave dheu ndeshet në zallishta gurësh e kjo flet qartë se çfarë ka qenë dikur kjo fushë dhe si është transformuar dhjetra shekuj më parë. Me prurjet e lumenjve përgjatë shekujve dhe epokave deti u mbush, u tkurr dhe u formua dalëngadalë fusha duke mbetur veç shtretërit e lumenjve, fillimisht mjaft të gjërë e pastaj erdhën duke u tkurrur së tepërmi për të mbetur vetëm kaq sa janë sot. Madje, mund të them pafrikë se po të mos ishte vënë dorë e po të mos vihet dorë herëpashere për t’i thelluar e zgjeruar ato shtretër ekzistues, mund të kishin përfunduar sot në përroska fare të vogla dhe të parëndësishme. Kjo gjë është lehtësisht e dukshme në ato pjesë të shtretërve ku nuk është vënë dorë në thellim e zgjerim, si për lumin Drin(shtrati i vjetër), ashtu edhe për lumin Gjadër si edhe për kanalet e mëdha kulluese që përshkojnë Zadrimën në disa zona të saj. Për ta mbështetur tezën e parashtruar më sipër se Zadrima ka qenë një gji deti, po sjell si shembull një toponim tipik që flet pikërisht për këtë gjë. Emri i njërit prej fshatrave më të mëdhenj të Zadrimës quhet Kallmet që vjen nga bashkimi i një emri dhe i një foljeje të gjuhës shqipe, por edhe një parafjale para tyre dhe pikërisht grupi i fjalëve: Në kallm mbet e që sot ka marrë formën përfundimtare Kallmet. Kjo ka ndodhur në hershmëri kur ajo zonë dikur ishte një kallamishtë kënete që zadrimorët e quajnë thjeshtë kallm. Kur migratorët e parë vinin aty për të hapur toka të reja duke djegur apo shkulur kallmin, krijuan kushte të reja më të favorshme jetese, qëndruan aty dhe njerëzit e familjes që ende jetonin në zonat e tyre të mëparshme u thoshin shokëve e miqve për ta: “Në kallm met“, prandaj mbeti emri ashtu. Po kështu, pak më tej, më në afërsi të Lezhës është edhe fshati Rraboshtë që vjen nga fjalia Ra poshtë e më vonë mori formën Rraboshtë. Fusha pranë lumit Drin në afërsi të fshatit quhet Zalli i Rraboshtës. Tokat aty janë zallishta, prandaj edhe quhen kështu. Janë zallishta, se fusha aty është mbushur nga përrenjtë malorë që zbresin nga mali i Velës dhe nga ai i Kreshtës e njër prej tyre quhet edhe Luzhia e Kallmetit, një nga më të mëdhenjtë dhe më të rrëmbyeshmit në kohë shirash. Pra edhe përrenjtë malorë kanë ndikuar shumë në formimin e fushës së Za(ll)drimës.

Po t’i hedhim një sy toponimisë së Zadrimës sidomos tek emrat e disa fshatrave që përbëjnë Zadrimën, emrat janë të formuar nga brumi i mirëfilltë i shqipës së hershme duke u mbështetur mbi objekte dhe dukuri konkrete, ashtu siç analizuam emrin Kallmet, apo Rraboshtë. Le të sjellim në kujtesën e zadrimorëve emrat e disa fshatrave dhe pastaj ndonjërin prej atyre le ta analizojmë si fjalëformim. Ka plot emra fshatrash që vijnë nga emra objektesh apo bimësh karakteristike për zonën ku ato fshatra janë ngulur dhe banojnë popullata e tyre. Bie fjala Fishtë vjen nga fjala fik apo fikishtë. Blinisht vjen nga pema e blirit ose nga pylli me këtë dru dhe që mund të quhej blinishtë. Kodhel vjen nga emri i një objekti zejtarie kudhër që zadrimorët e në veçanti kodhelasit e quajnë ndryshe kullël, tamam ashtu si dikur ka qenë shqiptuar deri vonë emri i këtij fshati nga banorët e tij, por edhe të zonës përreth. Më vonë u ndryshua dhe doli Kodhel. Barbullush vjen nga fjalia: “Bar boll asht” dhe që me kalimin e kohës është rëgjuar e ka formuar emrin Barbullush.

Le të analizojmë duke sjellë në mendje emrin Gramsh që ka derivuar në ditët e sotme në këtë format, i shqiptuar dhe i shkruar, por jo shumë më herët ka qenë shqiptuar Grash. Ky fshat është i ngulur dhe i populluar në një tokë të begatë dhe shumë pjellore. Mendoj se para se banorët e parë të nguleshin aty për të banuar e jetuar, toka duhej të ishte e mbuluar nga bima e gramit që kudo është e njohur si një bimë parazite që gjendet kudo ku më shumë e ku më pak. Duke qenë se vendi ishte i mbuluar me këtë bimë gjithandej dhe bujqërit aty luftonin me të për ta kthyer tokën në prodhuese të drithrave e të perimeve të ndryshme, e quajtën atë vend Gramishtë. Duke rënë tingulli i me kalimin e kohës u bë Gramshtë e më vonë Gramsh për të përfunduar deri shumë vonë në Grash duke rënë edhe tingulli m. Sot kemi përsëri formën e ndërmjetme. Ka edhe një version tjetër dhe mendohet se vjen nga fjala groshë edhe kjo një bimë e kultivuar me mjaft sukses e që prodhohet me bollek aty. Po të dalim jasht kufijve të Zadrimës, gjejmë edhe vende të tjera që ka emërtuar kjo bimë. Kështu në rrethin e Kurbinit është një fshat që quhet Gramëz e po ashtu në rrethinat e Elbasanit gjendet një qytet i vogël me emrin Gramsh.

Si fjala Gramishtë që mendohet se ka rrjedhë edhe emri i fshatit Gramsh ka edhe toponimi të tjera tokash e fushash të përmendura në Zadrimë, por këtu po sjellim vetëm dy nga më të mëdhatë që kanë qenë edhe pranë njëra-tjetrës: Arrnjet dhe Zhavar. E para ishte një hapësirë e madhe kullotash e livadhesh që shtrihej mes fshatrave Piraj, Blinisht, Gjadër, Dajç e Kodhel dhe ishte një fushë e madhe mera për kullota bagëtish të zonës së gjithë Zadrimës që nga Kallmeti e deri në Hajmel. Mendoj se emri ka ardhur nga fjala arrë, ose fushë apo pyllnajë arrash. Zhavari ka qenë një pjesë e fushës nën kodrat e Dajçit dhe aty pothuajse nuk prodhohej asgjë, pasi ishin kënetishta të mbuluar nga bima me emrin Zhavor e cila edhe i ka dhënë emrin asaj pjese të fushës.

Në disa zona malore rrafshinave të ulëta u thonë ndryshe edhe Zaje. “Kam ra në zall” ose “Po bie në zall”, “Këto janë zajet e mia”, “Ka qenë tuj punu në zajet e…” “Si i ke zajet këtë vit, a po kanë bereqet?” etj. emërtime si këto për ara e bashtina fushash të punueshme. Duke iu nënshtruar rrjedhës logjike që na çon në fillimet e hershme të popullimit gradual të Zadrimës, ashtu siç e analizuam tek prejardhja e emrit Kallmet, banorët e parë të shpërngulur nga malet, sa binin në rrafshin e fushës së sapokrijuar nga lumi Drin, thoshin: “Kemi zënë vend në Zall Drinë“. Nuk është pa domethënie kjo, pasi pak më thellë se fusha e Zadrimës shtrihet pellgu i lumit Gjadër që përmbledh aty edhe disa përrenj, apo lumenj malorë siç janë Zimajt dhe Voma. Banorët e atyre zonave përkatëse i quajnë vendet e tyre edhe me emrat: Zallzimaj e Zallvomë e për këtë jam plotësisht i sigurtë, pasi kam jetuar atje për një kohë relativisht të gjatë dhe pak a shumë e kam njohur mirë një pjesë të toponimisë së asaj zone. Po kështu edhe më poshtë se këto zona gradualisht përgjatë bashkimit të dy këtyre përrenjve si dhe lumit Gjadër kemi këto toponime: Zallkastër, Zallvig, Zallmnelë dhe së fundmi Zalli i Ndaraçit që është mu në dalje të lumit Gjadër në fushën e Zadrimës.

Pra, mendoj se padrejtësisht ia atribuojmë sllavishtes emrin e Zadrimës kur duhet ta kërkojmë së pari nga gjuha jonë burimore, nga pellazgjishtja, pa thirrur aspak në ndihmë sllavishten për koinçidencën e afërsisë me parafjalën e saj “Za që shqip do të thotë “Përtej“. A mos, vallë zadrimorët autokton që nga lashtësia pritën pushtuesit sllavë të vinin e t’ia vinin emrin krahinës së tyre, pasi vetë kishin rënë në hall të madh se nuk po vendosnin vetë të binin në një mendje si ta quanin vendin e tyre? Në këtë përfundim unë nuk arrij nisur nga ndjenjat e mia nacionaliste, por nga një analizë e mirëfilltë shkencore gjuhësore, nga dukuria mbarkombëtare fjalëformuese e gjuhës sonë dhe kjo është mjaft e dukshme.


Po ta pranojmë se emri Zadrimë vjen nga sllavishtja Za Drin, duhet të pranojmë se edhe gjuha e zadrimorëve është serbo-kroatisht, por kjo dihet që nuk është e tillë. Po të ishte se sllavët arritën në aq kohë sa qëndruan aty si pushtues e ia ndërruan emrin, do të kërkojmë të dimë se si e quajtën romakët që Shkodrën e quajtën
Skutari dhe Lezhën Lissus. Po turqit me afro 500 vitet e pushtimit e sundimit të tyre aty pse nuk e ndryshuan, apo kishin frikë se hynin në konflikt me sllavët?! Por gjithashtu, duhet të ngrejmë pikëpyetjen: Pse emrat e fshatrave të Zadrimës nuk ndryshuan dhe të sllavizoheshin. Ato ndoshta në kohën e sundimit pansllav mund të jenë quajtur ndryshe, por vendasit, ama, nuk i ndryshuan. Për këtë le të shohim shumë emërtime vendesh në Kosovë që janë vendosur në gjuhën sllave edhe forcërisht e kjo mund të ndodhte edhe në Zadrimë e gjetk ku ata e shtrinë sundimin e tyre në mesjetën e hershme. Popullsia, nga ana tjetër, duhej të detyrohej të fliste sllavisht, por kjo nuk ndodhi dhe ndikimi i sllavishtes tek popullsia vendase nuk ishte aq i dukshëm siç duket aq shumë ndikimi i turqishtes tek shqipja e sotme.

Një tjetër pyetje ma ngacmon trurin tim. Si ka mundësi që zadrimorët dhe krejt shqiptarët për vetën e tyre e pranuan emrin e sllavizuar Zadrimë, ndërsa vazhduan ta quanin vendin e banuar prej sllavëve me emrin shqiptar Mali i Zi, kur vetë banorët malazez të vendosur aty që në vërshimet sllave në Ballkan e pagëzuan me emrin e tyre sllav Cërnaja Gore? Si ka mundësi, gjithashtu, emrat më pranë vendbanimeve të tyre sllavët nuk i pagëzuan me emra sllavë, ashtu siç bënë me emrin e lartpërmendur e bie fjala Malësinë e Madhe, një pjesë të së cilës e kanë ende edhe sot nën qeverisjen e tyre shtetrore, ta pagëzonin me emrin bie fjala Velikaja Gore, ashtu siç pagëzuan në të vërtetë Velipojën e ndonjë tjetër vend që ende gëzon emërtim sllav? Zadrimorët e thërrasin Malin e Zi Mali i Zi dhe jo Cërnaja Gore siç i thërrasin malazezët dhe as Karadak siç e quante turku gjatë pushtimit të tij të Ballkanit e që shqiptarët e sidomos zadrimorët në atë kohë ashtu e quanin, Karadak, veçse në këngët e vjetra zadrimore të dasmave emërtohej Mali i zi “Prej Masasit t’Malit t’Zi/ vjen dylberi jeremi” dhe nuk thuhet as prej Karadakut e as Cernagores. Pse, pra, pikërisht zadrimorët u detyruan ta ndërronin emrin e tyre dhe të tjerët nuk pranuan t’i ndryshonin emërtimet e vendeve të tyre? Mos ndoshta se zadrimorët ishin popull i urtë dhe u imponohej lehtë, po pse pikërisht për emrin e vendit të tyre dhe jo të tjera emërtime që i përmenda më lart?
Duhet të kemi parasysh edhe një fakt tjetër; faktin që sllavët gjatë pushtimit të tyre në Zadrimë e gjetk lanë gjurmë në mjaft vende dhe në ato vende që lanë gjurmë, u krijuan emërtime të ndryshme, por me gjuhën vendase dhe jo sllave. Në Blinisht u ndërtua një urë mbi lumë me kontributin e një princeshe sllave dhe ajo u quajt nga vendasit “Ura e Shkinës”, apo ura tjetër mbi një përrua që për hir të vërtetës duhet ta pranojmë se është quajtur vazhdimisht me fjalën sllave “lumë” “Reka” u quajt “Ura e Rekës”. Gjithashtu, gjithandej ka emërtime si Kroni i shkjaut, Vorri i Shkjaut, Prroni i Shkjaut, etj. emërtime të tilla, por gjithnjë me fjalë burimore shqipe e jo me fjalë sllave. Serbin apo malazezin, zadrimorët e kanë quajtur “shkja”(shkyes), njësoj si kosovarët dhe mjaft zona të tjera shqiptare, sidomos në Veri të Shqipërisë. Pra si përfundim fjala
Zadrimë është emërtim autokton iliro-shqiptr Zall Drinë. Në Dibër, por besoj se edhe në zona të tjera ka emërtime të tilla që kanë në themel emrin “zall” si Zalldardhë, por edhe nga Tirana Zallherr, Zallbastar(dh), etj. Kështu, besoj, është krijuar edhe emërtimi tjetër Zadejë(Zall Danje) diku në periferi të Zadrimës. Le të kujtojmë se aty afër qëndron një nga njësitë vendore më të përmendura të Zadrimës dhe pikërisht Vau i Dejës apo Vadeja dhe besoj se edhe kjo fjalë ka një prejardhje plotësisht burimore shqipe. Në gjuhën shqipe fjala va nënkupton një vend në brigjet e një lumi ku si zakonisht gjërësia e shtratit është pak më e madhe se në vende të tjera të shtratit të lumit e uji është më i cekët, por edhe ku të jepet mundësia ta kalosh me ndonjë trap apo mjet tjetër lundrimi. Nuk besoj se ndokush fjalën va e identifikon me ndonjë fjalë sllave siç bëjnë me fjalën Za(ll) duke e marrë si parafjalë e gjuhëve sllave. Ndokush që e mendon ashtu apriori se fjala va i takon ndonjë gjuhe tjetër(sigurisht, italishtja e ka si fjalë: va bene), unë i them me siguri se kjo është fjalë burimore e shqipes, ashtu siç është fjalë e shqipes edhe fjala vezë(vo, va, vë, ve) që në gegnisht shqiptohet fjala vezë. Kështu, në pjesën e shtrait të një lumi që merr një zgjerim dhe qetësi rrjedhje, në ngjashmërinë e një veze e kemi quajtur va ashtu sikurse një pjese të detit të futur në brendësi të tokës e quajmë gji deti e jo ndryshe.
Po ta pranojmë faktin se erdhën sllavët dhe ia vunë emrin Za Drimë(Zadrimë) na duhet të kërkojmë edhe një pse tjetër: Pse nuk u quajt prej tyre Zadrimë edhe Puka, Kukësi apo pjesë të Gjakovës e Dibrës me që edhe andej kalon Drini e duhej të kishte edhe pjesë “në këtë anë të Drinit” dhe “në atë anë të Drinit” apo “këtej Drinë” e “përtej Drinë”? Por edhe shumë pyetje të tjera si: Pse nuk e quajtën “Zareka” siç quajtën Velipojë(Velikaja Polje), por përdorën parafjalën sllave dhe emrin shqip? Mos ndoshta së pari ata pyetën se si quhej ai lumë që kalonte përmes atij vendi dhe si u bindën se quhej Drin ia vunë emrin edhe fushës Zadrimë? Po fushës matanë Bunës, mos vallë e pagëzuan me emrin Zabuna e ne nuk arritem ta mësojmë se na u duk shumë i zorshëm për ta mbajtur mend si emër? Jo, nuk e quajtën dhe nuk u quajt ashtu, se Buna nuk kishte krijuar zall për të vetmen arsye se është një lumë tërësisht fushor dhe me burim nga Liqeni i Shkodrës e s’kishte si të sillte zaje e gurë, madje ka qenë një lumë i qetë dhe i lundrueshëm që në hershmëri. Zona përgjatë brigjeve të saj, d.m.th. fusha në të dy anët e saj që nga Bahçalleku e deri në det është quajtur Zona e Bregut të Bunës, ashtu siç quhet edhe zona tjetër e grygëderdhjes së lumit Mat, Bregu i Mates. Pra, si përfundim i qëndroj idesë e mendimit tim me bindje të plotë se emri Zadrimë vjenë vetëm nga pellazgjishtja e lashtë nga bashkimi i emrave Zall dhe Drin që në përngjitje si shumë fjalë të tjera iliro-pellazgjishte ka arritur në formën e sotme ZADRIMË e nuk duhet të kërkojmë një tjetër burim qoftë edhe për koinçidenca gjuhësore për parafjalë, parashtesa apo prapshtesa që kanë. Gjithashtu mendoj se i gjithë pellgu i lumit Drin duhet të quhet Zadrimë, jo vetëm për faktin se banorët në të dy anët e Drinit kanë të njëjtat gjuhë, zakone dhe tradita si dhe veshje që ka një përputhje të plotë, përjashto këtu dallimin në gjatësinë e përparsave (boçeve) që përdorin gratë në të dy zonat e ndara nga lumi, megjithëse, duke iu referuar një fotoje të vjetër të Marubit gratë e Bregut të Bunës i kanë veshjet identike dhe pa asnjë ndryshim me gratë zadrimore.”

harta e zadrimës

Si konkluzion, mendoj se konceptimi Zadrima nuk i përket vetëm një pjese të veçantë të fushës që shtrihet në të gjithë rrjedhjen e poshtme të lumit Drin, ose më mirë të themi të të gjithë fushës që shtrihet mes dy qyteteve kryesore të Veriut: Shkodrës dhe Lezhës, por të të gjithë fushës e nuk duhet të influencohemi nga një emër i supozuar, pasi siç u përpoqëm ta faktojmë ajo është një unison i vlerave, kulturës dhe traditave e zakoneve të ngulitura dhe të trashëguara brezpasbrezi. Nuk mendoj që një element i stilizuar disi ndrysh në veshjen e grave të njërës prej ndarjeve nga lumi Drin, madje të një pjese të vogël të na bëjë që të mos pranojmë tërësinë unike të përbashkët. E përsëris: secili është i lirë ta mendojë sipas mënyrës së vet dhe unë, gjithashtu nuk kam aspak të drejtën të them që mendimi im është më i sakti dhe përfundimtari.

6 mendime mbi “KONCEPTI ZADRIMA

  1. Të lumtë mendja e dora. Ky punim shkencor ka vlera të shumfishta që vetëm një studiues si ju e bën. Mendoj se eshtë një punim i plotë dhe shumë i thellë.
    Të falenderoi për kënaqesinë që më dhe miku im!
    Ndue Gaspri

    Pëlqyer nga 1 person

    1. Shumë të falemnderit, Ndue, shok e miku im i shtrenjtë! Kur urimi të vjen nga një njeri i letrave me një përvojë dhe bagazh të shkelqyer siç je ti, nuk ke si të mos ndihesh mirë dhe jashtzakonisht i vlerësuar!

      Pëlqejeni

  2. Jam kenaqe tuj e lexu per bese. Shume figura dhelpnake po shkruajne marrina per personalitete e troje qe kurre nuk i kan perkite atyre. Shume bujtes ne keto troje ose jane largu, ose asimilu por gjithcka ne te dy anet e Drinit ka mete unike . Zadrima eshte pertej ketij emri ne hapsine e ne kohe. Ju lumte miku im.

    Pëlqyer nga 1 person

    1. I dashun Ndoc, miku im i shtrenjtë me vlera jashtzakonshme e të pazëndsueshme! Më lumturon shumë t’i lexoj këto fjalët e tua shumë inkurajuese, por sinqerisht unë me ty jam në një borxh jashtzakonisht të madh, pasi ti ma shumë se kushdo tjetër më ushqen me materiale dhe frymëzim me postimet e tua briliante e të rralla. Unë i marr dhe veç kuvendoj me ta se ato flasin vetë pa pasur nevojë as të dëgjohen e as të shkruhen por vetë më thonë se çfarë duhet shkruar e unë u bindem me një kënaqësi të veçantë. Unë nuk di ta shpreh mirënjohjen time ndaj teje dhe atyre që postojnë relike kaq të bukura e të veçanta, veçse t’ua kthej me analiza e komente modeste. Pra falenderimet dhe mirënjohja ime e thellë të takon ty dhe të gjithë atyre që na ushqeni me materiale të tilla me vlera të jashzakonshme. Mirënjohje dhe respekt pa kufi edhe për faktin që shkrimet e mia i ndan edhe me rrethin tand më të gjanë. Shumë të falemnderit për bashkëpunimin dhe kontributin tand të paçmuar e të pazëvendësueshëm!

      Pëlqejeni

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s