LIDHËZAT BASHKËRENDITËSE SHTUESE e, dhe, edhe. dhe rastet e keqpërdorimit të tyre

 

thumbnail_IMG_2720thumbnail_IMG_2718

Shikoni fotot e mësipërme dhe vërejeni me vëmendje diçiturën e emisionit në një nga televizionet kombëtare shqiptare: KRIZA POLITIKE FUT DHE PRESIDENTIN NË LOJË. Aty është përdorur një lidhëz shtuese që duket qartas që është përdorur në mënyrë të gabuar. Lidhëza shtuese dhe, ose nuk duhej pëdorur fare dhe kuptimi nuk do të ndryshonte, ose duhej përdorur lidhëza edhe në vend të dhe. Në shumicën e rasteve të përdorimit të saktë të lidhëzës dhe fare lehtë mund ta zëvendësojmë me lidhëzën e, por edhe me lidhëzën edhe. Gjithsesi, lidhëza edhe, kur përdoret saktë dhe në vendin e saj të domosdoshëm, nuk zëvendësohet lehtë me lidhëzën e. Le ta provojmë ta zëvendësojmë lidhëzën dhe të përdorur në titullin e emisionit paraqitur në ekranin e televizorit: KRIZA POLITIKE FUT E PRESIDENTIN NË LOJË. Besoj se secili prej jush e kupton se në këtë mënyrë diçka nuk shkon tek kjo fjali dhe kryesisht në përdorimin e lidhëzës. Pra lidhëza dhe e përdorur aty nuk mund të zëvendësohet me lidhëzën e. Tashti le ta shohim në dy variante të tjera; me dhe pa edhe: KRIZA POLITIKE FUT EDHE PRESIDENTIN NË LOJË; KRIZA POLITIKE FUT PRESIDENTIN NË LOJË. Në të dy rastet fjalia është shprehëse dhe pa konfuzion.

Mendoj se është me vend që së pari të flas dy fjalë se ç’janë lidhëzat bashkërenditëse shtuese e për çfarë shërbejnë. Fillimisht duhet të dimë se janë pjesë të pandryshueshme të ligjëratës që shërbejnë për të lidhur dy apo më shumë gjymtyrë të një fjalie, ose dy apo më shumë pjesë të një fjalie bashkërenditëse.

Janë bashkërenditëse, se lidhin apo bashkojnë gjymtyrë ose pjesë të barazvlershme të fjalisë.

Janë shtuese, se kanë karakter renditës shtues.

Lidhëzat bashkërenditëse shtuese janë: e; dhe; edhe; si (e)dhe; jo vetëm që….., por edhe; si…., si; si…. ashtu edhe; as…, as; jo vetëm që…, por as.

Disa shembuj përdorimi:

Ne jetuam e punuam me të gjitha forcat për të përballuar vështirësitë e kohës.

Ata shkuan në vendngjarje dhe hetuan rrethanat e aksidentit të ndodhur.

Unë edhe punova fort, por edhe mësova me këmbëngulje për të arritur rezultatet që dëshiroja.

Me Agimin do të shkosh edhe ti.

Si Agroni, si Petriti, ashtu edhe Albani u dalluan në garat që organizoi shkolla e tyre.

Ju jo vetëm që nuk u erdhët aty, por edhe fjalë nuk na dërguat ta dinim.

As ju, as Luani dhe as Mimoza nuk u paraqitët në leksionet e radhës.

Jo vetëm që nuk erdhe ti, por as vëllain nuk e le të vinte me ne.

Pra në secilin rast të sjellë më sipër si shembull, lidhëzat e nënvizuara dallueshëm lidhin, ose gjymtyrë fjalie të barazvlershme, ose lidhin pjesë të barazvlershme të fjalisë së përbërë me bashkërenditje në mënyrë shtuese. Them në mënyrë shtuese, pasi bashkërenditja bëhet edhe në formë kundërshtuese, por edhe në mënyrë veçuese si dhe përmbyllëse. Pra lidhëzat bashkërenditëse i kemi katër llojesh:

-Shtues,

-Veçuese,

-Kundërshtuese,

-Përmbyllëse.

Këtu nuk do të ndalohem t’i sqaroj me radhë të gjitha, pasi nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi, por i paraqitjes së gabuar në të shkruar i lidhëzës dhe në vend të lidhëzës edhe, ose së paku, fare pa nevojë herë-herë si në rastin e mësipërm.

Kjo dukuri vërehet aty-këtu edhe në tekste të shkruara e sidomos në prozën e ndonjë shkrimtari që nuk ka një kulturë të mirëfilltë gjuhësore, por që është një narrator i zakonshëm.

Këtu më poshtë po paraqes dy foto nga fragmente të shkëputura nga një roman i një shkrimtari bashkëkohës ku janë përdorur lidhëzat dhe vend e pa vend dhe vetë ju mund ta provoni duke provuar t’i zëvendësoni me lidhëzën e.

thumbnail_IMG_2836thumbnail_IMG_2834Le të provojmë ta shkruajmë tekstin e fotos së dytë duke e zëvendësuar lidhëzën dhe m lidhëzën e.

“Duam të tregojmë se jemi këtu e përbërës të jetës, por e të qejfit. Nuk jemi të tepërt, të harruar, por dimë të përballojmë e heshtjen që na imponohet ndonjëherë.

Të nesërmen rreth orës 10-të krushqit, burra e gra, djem e vajza të prirë nga më i miri i tyre u gjenden tek shtëpia e mikut. Me krushqit ishte e kali i zbukuruar si s’ka më bukur.”

Tashti le ta provojmë që ta rishkruajmë edhe një herë tjetër tekstin e mësipërm, por tashmë duke i zëvendësuar lidhëzat dhe me lidhëzat edhe.

“Duam të tregojmë se jemi këtu edhe përbërës të jetës, por edhe të qejfit. Nuk jemi të tepërt, të harruar, por dimë të përballojmë edhe heshtjen që na imponohet ndonjëherë.

Të nesërmen rreth orës 10-të krushqit, burra e gra, djem e vajza të prirë nga më i miri i tyre u gjenden tek shtëpia e mikut. Me krushqit ishte edhe kali i zbukuruar si s’ka më bukur.”

Secili prej jush mund ta vërejë ndryshimin nga teksti i parë me përdorimin e lidhëzës e dhe pastaj tekstin me lidhëzën edhe, por edhe nga teksti në foto me lidhëzën dhe.

Shikoni edhe këto dy foto të shkëputura nga një libër i një shkrimtari tjetër bashkohës, por që ka një kulturë të mirëfilltë gjuhësore dhe të një niveli mjaft të lartë:

thumbnail_IMG_2837thumbnail_IMG_2840

Këtu shihet qartë se janë përdorur me vend si lidhëzat dhe si dhe edhe, pasi lidhëza dhe në secilin vend të përdorur zëvendësohet lehtësisht me lidhëzën e. Pra shihet qartë diferenca mes atyre teksteve të fotokopjuara nga dy libra të dy autorëve të ndryshëm.

Më poshtë po paraqes disa fragmente të shkëputura nga shkrime të ndryshme nga autorë të ndryshëm dhe në rastet kur lidhëza është përdorur drejt është paraqitur me shkrim të theksuar, ndërsa ku janë paraqitur jo saktë janë paraqitur me shkrim italik të theksuar për të parë ndryshimet.

Duhet të shtojmë se kur kemi lokucionin si dhe lidhëza dhe nuk është lehtësisht e zëvendësueshme me lidhëzën e dhe kjo nuk duhet të na krijojë ndonjë konfuzion, por lidhëza si dhe mund të shkruhet edhe si edhe. Provojini tekstet e mëposhtme t’i përdorni duke i zëvendësuar, atje ku ndodhen, lidhëzat dhe me lidhëzat e. Vëreni ndryshimet në kulturat gjuhësore të autorëve të këtyre teksteve.

“Tashmë veshjet e nuses si dhe aksesorët e përdorur nga ajo, jo vetëm që ndryshuan, por filluan të pasurojnë edhe fjalorin e këngëve. Në këngë, në vend të koretit u fut fjala vel dhe u shtua ora e ndonjë aksesor tjetër. Vendin e kalit me shalë(kalit të bardhë) e zuri makina me lule. Por ama edhe këngën gojore të grave e vajzave dhe të të gjithë dasmorëve e zunë orkestra dhe këngëtarë të pajtuar dhe që në repertorin e tyre sillnin lloj-lloj këngësh që shërbenin për të argëtuar të rinjtë e pasionuar për të hedhur valle, por edhe për të shurdhuar nga veshët pjesën tjetër të dasmorëve. Sigurisht, këngës tradicionale iu bë një atentat vdekjeprurës që e çoi gradualisht drejt varrit dhe harresës. Në mungesën e orkestrave dhe këngëtarëve, si dhe më së shumti edhe të parave të mjaftueshme, ato u zëvendësuan me DJ që edhe këta kishin repertore nga më të ndryshmet, por jo ato tradicionalet. Që edhe këta(DJ) kishin e kanë për detyrë shurdhimin e të pranishmëve dhe argëtimin e të rinjve pasionantë. Gjithashtu, edhe ditët e dasmave filluan të ndryshonin në varësi të, kuzhinierit; orkestrës apo DJ; të lokalit e shumë arsye të ndryshme. Edhe në rastet kur njëra palë e siguronte ditën tradicionale ideale, mundej që pala tjetër nuk mund ta siguronte, kështu që duhej gjetur dita e mundshme e përbashkët, ku mund të siguroheshin, mundësisht, të gjitha. Në fakt, këto dukuri që sapo përmenda i kam cilësuar edhe në pjesën hyrëse, por i ripërsërita në mbështetje të idesë së ndikimit të rrethanave dhe kushteve në këngën e dasmës.”

“E kam përmendur edhe më sipër se kushtet dhe mundësitë ndryshuan në drejtimin e kryerjes së ritit të dasmës edhe në Zadrimë si kudo. Diku ndryshuan për mirë e diku ndryshuan edhe për më keq si pasojë e varfërisë së përgjithshme në të gjitha kuptimet dhe nocionet e kësaj fjale. Emra si “kali i shalës” u zëvendësua me “makinë”, “koreti” me “veli” e mjaft të tjera, por u duken edhe fjalë të tjera si “ora”, “lule” e shumë të tjera që filluan të futen si elemente të reja që filluan të përdoreshin dhe që më përpara s’kishin qenë të traditës.”

“Këto gjëra ia jepnin mjaftueshëm hijeshinë nuses zadrimore, ndaj nuk përdorte mjete të tjera kimike për zbukurim, edhe pse nuk i kishte traditë, por ndoshta edhe pse nuk njiheshin.”

“Festivali i dytë i Gastronomisë, Lezha Gatuan

Bashkia Lezhës organizon në datat 5 dhe 6 maj 2019 “Festivalin e Gastronomisë – Lezha Gatuan” edicioni i dytë. Ky aktivitet vjen si pjesë e angazhimit për të krijuar, nxitur dhe promovuar festat lokale në territorin e Bashkisë Lezhë. Ato janë pjesë e rëndësishme në zhvillimin e turizmit dhe identifikimin e Lezhës si një destinacion turistik gjithëvjetor. Për të promovuar turizmin gastronomik dhe agroturizmin në Lezhë, në aktivitetin që do të organizohet në sheshin “Gjergj Kastrioti” të qytetit Lezhës, ftojmë të gjithë kuzhinierët, restorantet dhe prodhuesit që të marrin pjesë me gatimet dhe prodhimet e tyre lokale. Së bashku mund ta kthejmë këtë ngjarje në një festë të madhe që të tërheqë vëmendje dhe interesin e vizitorëve të ndryshëm. Nuk do të mungojnë të ftuarit nga agjensi turistike, shoqata të turizmit dhe ushqimit, përfaqësues nga Ministria e Turizmit, AKT si dhe përfaqësues të huaj dhe medias.

Ftojmë të gjithë të interesuarit që për më shumë informacion si dhe për të qënë pjesë e këtij eventi të kontaktojnë me Specialistët e Turizmit në Drejtorinë e Arsimit, Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Bashkinë Lezhë

Adrsa: Pallati i Kulturës “Dedë Ndue Lazri”,kt.i 2, sheshi “Gjergj Kastrioti” Lezhë.

 Mirë se vini në Lezhën turistike.”

Shikoni edhe tekstin e mëposhtëm si është përdorur lidhëza dhe për mendimin tim, ose duhej edhe, ose nuk duhej vendosur fare për më saktë.

Nje dite ndryshe kjo e sotmja, tashme e bere tradite si dita e fundit te muajit te jete nje dite ndryshe ku pas mesimit zhvillohet dhe nje veprimtari. Muajin qe kaloj spikatem te gatuarit, kete muaj ja kushtuam kercimit. Muaji I rradhes do kete surprizen merituar si qershia mbi torte. 
Kjo eshte shkolla qe duam: edukim, mesim, bashkepunim, argetim , lumturi.

Këtij teksti nuk po futem t’i analizoj të metat e tjera këtu, pasi duhen analizuar shumë elemente që nuk kanë lidhje me temën që po trajtoj.

“Ne zakonisht rrinim në pjesën bujtëse që dhe ajo komunikonte me qoshkun me derën ma të vogël se ajo e odës së madhe. Në katin e parë, poshtë pjesës bujtëse të shpisë ishin depoja e grunit, tinarin e miellit dhe dhomën e punës ku ishin dhe vekët, furkat e boshtet, leshi e lini, gërhanët e paisjet e endjes së fijeve që përdoreshin nga nana, gjyshja e hallat.”

“Në fund kishim dhe një vend të ngritun ku gjatë dimnit vinim zgjojt e bletëve që ishin herë pesë e herë shtatë zgjoi si dhe carraniku i bylmetit që lidhej me derën që të çonte në stallën e blegtorisë.”

“Në qoshk gjatë verës rrinim së bashku se ishte fresk, por më pak dhe gjatë vjeshtës e pranverës, por kjo pjesë e randësishme i shërbente përditshmëninë e jetës e punës familjare, aty thaheshin teshat e lame apo kryheshin shërbime të tjera familjare.”

“Po kështu në pjesën bujtëse banë dhe ndarje e ndërtim shtretënish për fjetje, kjo për mua e vëllanë, pra për dhomën e fëmijëve. Këtë vit rregulluan dhe shkallët që të çonin në qoshk e parmakët e tij dhe kur filloi dimni dëgjova tim atë që në bisedë me gjyshen foli:

        -I kena ba një riparim shumë të mirë shpisë.
-I ka ba parja. Shite bagëti e bulmet, shpend e lesh, fruta e mjaltë, ndaj kishe dhe pare për ustallarët e për të ble materialet, – iu përgjigj ajo.
-Punuam shumë dhe i ruajtëm prodhimet e nga shitja e tyne siguruam pare, – iu kundërpërgjigj ai.”

“Këto fjalë të fundit më vunë në mendime disi vlerësuese në mendjen teme. Jo se në këte shpi nuk e kam ndie veten mirë, por nuhas se ka dhe shumë ma mirë, po si duhet kjo jetesë?”

“Ndërtesa jonë kishte nga perëndimi atë të Matisë e nga lindja të Tomës që ishin dhe kushërinjtë tanë si dhe ma në shmang, në verilindje, ishte dhe shpia e gjyshit Col. Ai ishte ba pjesë e fisit tonë megjithse kishte ardhë nga fshati Kallmet, jo nga kulla e vjetër. Gjithsesi kuptova e mësova se të tria së bashku kishin dhe anën e tyne historike që gradualisht fillova ta zbuloj.”

“Plaku i martoi varzat me gjithë të mirat e kur i erdhi vakti të shkonte vetë te të shumtët shiti dhe shpinë e kopështijet e parapagoi varrimin e tij e pjesën që mbeti ua shpërndau varzave.”

“U detyrua të bante dhe një kotec të ri për kallamoqin e prodhuem, por gjetën më shumë se çdo dimër tjetë groshë e mel. Me melin e korrun banë aq shumë fshesa gjatë dimnit sa i shitën dhe në pazarin e Shkodrës. Në pranverë mbollën rreth e qark arës dhe arra, dardha, fiq e qershi sa punëtorët në vitet në vazhdim kur vinin këtu për punë gjenin mjaft fruta për të njomë gojën në pushimet e punës. U doli nami e të gjithë burrat thonin se Tuku u pasurue se bleu ‘Arat e Vashave’ që të tregova. Gjithsesi që nga ajo kohë e largët kjo quhet ‘Ara e Vashave’ dhe të parët e tu e punojnë si pronë të tyne. Se e thërrasim kështu na vjen mirë dhe sot e kësaj dite, ishin varza flori që vetëm në trojet tona lindin kaq të mira, të veçanta.”

“Po kështu janë zhdukë prej tyne dhe paisje të shtrenjta shpiake si qylyma, hali e shtrojca të mëdha ble nga dritë pastë gjyshi juaj, ullinj të regjur e bidona me voj, deri lugë, sahana, tepsi e kazana, gaviça të mëdhenj për bërsi rakie.”

” -Jo unë vuna në vend nderin e shpisë e shpresoj që këtë vit të rris vlerën e saj në nivelin që kishte para zisë, kur dhe unë isha ushtar e në luftë.”

“Po afrohej 3 gushti, dita e Shën Shtjefnit, datë kur do të bahej dhe krezmimi. Prifti na foli një ditë veçmas dhe për vuajtjet e Jezusit, për dënimin e tij me vdekje në kryq në kodrën e Golgotës.”

“Çudia ma e madhe ishte se sipas meje, fëmijët ma të mbrapësht, që kishin mësue ma pak uratët e bile dhe atyne që kishin vjedhë dardhat në kopështin e huaj si e rriheshin me shokë, Jezusi u dha lojnat ma të mira. Po kështu në sjelljen rreth kishës tuj këndue sakramentet Jezusi mori me vete me radhë kryesisht këto fëmijë, nuk bisedoi as me priftin e as me rrogtarët e kishës as dhe një fjalë.”

“Pas ceremonisë e meshës shenjte nuni më mori përdore e shkuam në shpi të tij në fund të fshatit ku kishte dhe miq të tjerë e kaluam drekën e festës së Shën Shtjefnit. Pasdreke vonë nuni, përdore me mua, më çoj te shpia jeme shoqërue dhe me disa dhurata të vogla.”

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s