HESHTJA E HISTORISË PËR ZADRIMËN

thumbnail_IMG_1297 (1)

Një mik i imi, mjeshtër fotografie, pak para disa ditësh më postoi një fotografi mjaft nostalgjike për mua, por që nga ana tjetër mbart mjaft histori mbi veten e saj. Mjeshtri i magjishëm Llesh Prendi me një shkrepje intuitë ka skalitur në celuloid një foto-histori me vlera të jashtzakonshme. Ajo godinë që paraqitet në atë foto të thjeshtë, por me vlera të magjishme dokumentare ka qenë shkolla e vjetër e Dajçit ku me qindëra djem e vajza, të rinj e të reja, burra e gra të moshave të ndryshme u ulën në bangot e saj dhe u brumosën me edukim e dije shkencore që nga parashkollorët e deri në nivelet e arsimit të mesëm e shumë prej tyre drejt arsimit të lartë në universitetet e vendit e të huaja duke u specializuar në fusha të ndryshme të dijes e të jetës duke spikatur dukshëm si intelektualë të dobishëm për shoqërinë. Aty, me shumë përkushtim, punuan dhe dhanë kontributin e tyre në fushën e dijes dhe të edukimit edhe një plejadë prej dhjetëra e qindëra mësuesish nga Dajçi, por edhe nga i gjithë rrethi i Lezhës dhe i Shkodrës si dhe nga rrethe të tjera deri edhe nga Vlora e largët.

Fotografia është marrë aty nga fundi i viteve ’80 të shekullit të kaluar dhe tregon ndërtesën e shkollës së vjetër të Dajçit të Zadrimës disa ditë, ndoshta edhe orë para se të fillonte procesi i shembjes së saj. Nuk e di se çfarë mund të ketë zënë vend në hapësirën që dikur zinte ajo ndërtesë, ndoshta në një pjesë të asj hapësire mund të ketë zënë vend ndonjë ndërtesë tjetër, ose ndoshta është ndonjë vreshtë apo ndonjë pemtore a diçka tjetër, por di të them se kur ishte në këmbë, zinte një sipërfaqe mjaft të madhe dhe kishte përveç një korridori të gjatë e mjaft të gjerë mu në mesin e saj fund e krye, kishte dhjetë klasa të mëdha dhe dy dhoma më të vogla që ishin dhoma e mësuesve dhe drejtoria e shkollës. Kishte dy hyrje, njëra në perëndim në pjesën ballore dhe e dyta në drejtim të jugut në mesin e ndërtesës. Edhe kjo hyrje lidhej me pjesët e tjera të brendshme dhe me korridorin gjatësor me një korridor mjaft të gjerë që dilte përballë drejtorisë dhe dhomës së mësuesve.

I bëra një përshkrim disi të hollësishëm kësaj ndërtese, pasi jo gjithmonë dhe jo kryesisht ajo ka qenë ndërtuar për të qenë godinë e një shkolle të caktuar. Sipas gojëdhënave, ajo ndërtesë ka qenë godina e garnizonit turk në epokën e Perandorisë Osmane dhe populli i zonës e ka quajtur atë godinë “Sarajet e turkut”, pasi atë e patën ndërtuar turqit si kazermë të ushtrisë së tyre të dislokuar aty, për vite e vite me radhë, ndoshta edhe shekuj, kjo lë vend për t’u gjurmuar dhe saktësuar mbi bazë dokumentash që mund të ekzistojnë në arkivat e shtetit turk.

E cilësova edhe më sipër se ajo foto mbart shumë nostalgji për mua, pasi aty e nisa pothuajse karrierën time si mësues dhe punova me mjaft përkushtim në dy periudha mjaft të rëndësishme të jetës sime. E para qe periudha kur sapo kisha dalë nga bangot e shkollës dhe po hidhja hapat e para në jetën time si mësues, hapat me të cilat do ta formoja fuqishëm bazën time profesionale dhe kryesisht nga shtatori 1969 deri në tetor 1972 kur do të transferohesha për në Blinisht e prej aty në shërbimin ushtarak. Periudha e dytë i përket kohës kur tashmë unë i kisha kompletuar edhe bazat shkollore e studimore, pasi i kisha përfunduar edhe studimet universitare. Gjithashtu edhe nga ana profesionale isha edhe më i konsiliduar e me mjaft produktivitet. Kjo përiudhë i përket: shtator i vitit 1985 deri në shtator 1999 kur u shkëputa për fare nga arsimi.

Në periudhen e parë pata mjaft kolegë e kolege, shokë e shoqe pune me shumë përvojë dhe mora mjaft eksperiencë pune duke i pasur si modele të shkelqyera në procesin e mësimit dhe të edukimit. Aty kishte mësues që spikatnin mbi të gjithë mësuesit e rrethit të Lezhës dhe këtu nuk mund të rri pa përmendur mësuesen e talentuar Fatbardha Mileti, një mësuese e shkelqyer që arriti të bënte epokë aty, por që pati fatin e saj të keq, jo vetëm të mos e konsideronin për vlerat që kishte e transmetonte edhe në punën e saj, por edhe ta përçmonin dhe së fundi ta përjashtonin për më absurdin faj të saj, se ishte mbesa e ish-prefektit të dikurshëm të Tiranës. Ajo kishte arritur të bënte një kabinet biologjie jashtzakonisht të pasur që do t’ia kishte zili edhe një universitet i asaj kohe, lë pastaj shkollat e të gjithë rrethit të Lezhës. Në vitin 1972 arriti ta fitojë olimpidën e biologjisë me nxënësit e klasës së tetë në shkallë republike duke zënë vendin e parë për zonën e Veriut dhe kjo nuk ishte pak për një shkollë fshati siç ishte ajo e Dajçit duke triumfuar mbi shkolla me mjaft emër edhe të qyteteve të mëdha të vendit. Tri vjet më vonë do ta largonin nga puna me një përçmim e përbuzje të neveritshme nga elitat drejtuese të partisë komuniste të asaj kohe e ashtuquajtura parti e punës, si të ishte një leckë e një person që kishte tradhtuar keqas atdheun, apo si një kriminele e dorës së parë kur ishte veç një mësuese që gëzonte dashurinë maksimale dhe respektin e veçantë të të gjithë nxënësve të saj dhe mirënjohjen e thellë të popullatës së zonës së Dajçit dhe fshatrave përreth.

Por nuk ishte veç kjo mësuese e atyre viteve që spikati në atë shkollë. Aty pati mjaft djem e vajza vendas dhe të ardhur nga të gjitha anët e vendit, por sidomos nga Lezha e Shkodra që spikatën me punën e tyre shembullore. Do të ishte e pamundur t’i përmend të gjithë sa ishin dhe punuan aty në atë kohë, më parë e më pas, madje do të ishte e padrejtë të përmendja ata që i kam njohur më nga afër e të lë pa përmendur shumë të tjerë që kanë punuar aty me përkushtim më parë, ose edhe sot në shkollën e re, pasi historia e asaj shkolle është sot 118-vjeçare që nga momentet e hapjes së saj nga patrioti i shquar Dom Ndre Mjeda në vitin 1902. Pra, a mund të përmendet ajo plejadë e tërë mësuesish prej qindra vetësh që punuan aty. Besoj kushdo e merr me mend se është gati e pamundur kjo gjë.

Shkolla, sigurisht, që kur u hap për herë të parë nga i madhi Ndre Mjeda dhe që në nder të tij ajo sot e gëzon plot madhështi emrin e themeluesit të saj të lavdishëm, nuk u hap në atë ndërtesë, pasi do të kalonin të paktën edhe nja dhjetë apo dymbëdhjetë vite të tjera që do të funksiononte si “saraje të turkut”. Ajo do të fillonte në shtëpinë e një fshatari aty afër qelës së Dajçit. Unë pata fatin ta lexoja historikun e shkollës së Dajçit, historik të krijuar aty nga vitet ’80. Aty nga vitet e para ’80 punoja si mësues në shkollën e mesme të bashkuar të Kalivaçit dhe ma ngarkojnë si detyrë që të shkruaja historikun e asaj shkolle. Meqenëse nuk kisha ndonjë eksperiencë të posaçme për hartimin dhe shkrimin e një historiku shkolle, ma rekomandojnë historikun e shkollës së Dajçit dhe mora “leje krijimtarie” e shkova dhe e vizitova shkollën time të dikurshme. Drejtori i asaj shkolle të asaj periudhe, Latif Muhja, me shumë respekt e bujari ma lejoi mundësinë që ta lexoja dhe ta shikoja me vëmendje e të mbaja shënime të posaçme për kapitujt dhe të dhënat. Ishte një historik i detajuar me shumë kujdes e përkushtim, megjithëse jo i plotë me të dhëna konkrete për plejadën e mësuesve që kishte punuar aty. Aty thuhej sesi ishte hapur dhe si Ndre Mjeda vinte na Kukli çdo ditë dhe mësonte fëmijët e Dajçit e nga ata nxënës dolën mjaft figura të shquara ku mund të veçojmë vëllezërit Gjon e Nikollë Gazulli, martirët e fesë të ekzekutuar përkatësisht me varje nga regjimi mbretëror i Ahmet Zogut dhe me pushkatim nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës. Pas Ndre Mjedës, si mësues pasues ishte Kolë Zezaj dhe historia vazhdonte më tej. Mjerisht sot ai historik i mirëdetajuar nuk gjendet gjëkundi dhe shkolla e Dajçit mbetet sot pa historinë e saj të shkruar.

Fotoja që shikoni aty më poshtë, është fotoja në fjalë, një foto që mbart mbi vete dy histori mjaft të spikatura për Dajçin e Zadrimës. Histori e dy periudhave. Atë të periudhës së dytë, të funksionimit të saj si vatër e dijes dhe të edukimit, sapo e paraqita shkurtazi pak më sipër. Historia e periudhës së parë, ajo e ndërtimit dhe e funksionimit të asaj ndërtese që fotoja paraqet, është historia ndërtimi nga qeveria turke e Periudhës së Pushtimit Osman të Shqipërisë dhe funksionimit të saj si kazermë e garnizonit turk. Por ka edhe një histori edhe më të trishtë, atë të një lufte të përgjakshme mes forcave turke të dislokuara aty dhe të ardhura nga Bushati e nga Shkodra dhe të ushtrive serbe të zbritura nga malet e Mirditës e kryesisht nga malet që rrethonin Zadrimën; Vela dhe Kreshta. Këtë histori pakkush e di, madje, as historia sot nuk e pëshkruan

Lleshi-Shkolla e vjetër e Dajçit në vitet '80Foto dokument. Shkolla e vjetër e Dajçit në fund të viteve ’80 para se të shembej. Aty, siç e cilësova edhe më sipër, pata nderin dhe fatin që në dy epoka të ndryshme të jetës time, të isha pjesë e asja plejade të madhe mësuesish.

Ajo ishte një luftë mjaft e përgjakshme, ndër më të përgjakshmet që sytë e shqiptarëve kishin parë gjer atë kohë, por, për çudi, historia nuk e përfshin pothuajse fare. Ajo ishte një luftë mes dy forcash pushtuese dhe deri këtu e mirëkuptoj historinë që nuk e ka marrë edhe aq në konsideratë, por ishte një luftë që ndikoi së tepërmi, jo vetëm në jetën e popullatës së zonës, por edhe në ndërgjegjen e memorien e saj. Ndikoi në jetën e popullatës, se pas asaj lufte të përmasave të jashtzakonshme, në Dajç dhe në krejt zonën e Zadrimës nuk pati më këmbë turku e kjo nuk ishte pak për popullatën që po merrte frymë më lirshëm se më parë. Nuk pati as këmbë serbi aty pas asaj kasaphane të paparë ndonjëherë. Pra edhe kjo ishte mjaft për popullatën.

Ndikoi në ndërgjegjen dhe memorien e popullatës, se përmasat e saj u përcollën përmes tmerrit e llahtarit dhe do të linte gjurmë të pashlyeshme për një kohë të gjatë, sidomos tek ajo pjesë e popullatës që e jetoi atë kohë. Unë kam pasur fatin ta kisha dëshmitarin okular të asaj lufte, gjyshin tim i cili shpeshherë më ka përcjellë të gjalla panoramën e asaj lufte. Ai ka qenë rreth moshës 14 vjeç kur ajo luftë u zhvillua dhe aq sa ai kishte parë e dëgjuar, ishin mjaft reale dhe me vërtetësi përfekte. Gjithnjë tregonte data, ditë dhe orë të caktuara, por unë asokohe, i pavëmendshëm dhe i pamotivuar sa duhet për të mbajtur shënime, nuk i fiksova ashtu si duhet dhe sot përpiqem ta shtrydh kujtesën time për të riprodhuar ato që ai m’i tregonte me aq realizëm dhe plot kolorit.

Unë nuk jam një historian i mirëfilltë që ta paraqes historinë e Luftës Serbo-Turke të Dajçit mbështetur në fakte e të dhëna nga historia e kronikat e kohës, në qoftë se ato ekzistojnë, por po e paraqes atë ngjarje nëpërmjet kujtimeve mjaft të freskëta të gjyshit tim, Zek Shtjefni(Gjokhilaj), por mjerisht nuk mund të pretendoj t’i mbaj mend me ekzaktësi datat e ditët kur ato ngjarje ndodhën, edhe pse ai m’i kishte thënë me ekzaktësi dhe përpikmëri të admirueshme. Mendoj se ishte prenverë, ndoshta e vitit 1912, kur një ditë ushtritë serbe u varën poshtë malit të Velës dhe Kreshtës dhe në një buzëmbrëmje u dislokuan në Kodhel. Në shtëpinë e kushëririt të gjyshit tim, Zog Bardhit, që ishte ngjitur me kullën tonë, ishte vendosur shtatmadhëria e ushtrisë serbe e kryesuar nga Feldmarshalli i cili nxori urdhërin që menjëherë popullsia ta braktiste fshatin duke paralajmëruar luftë të madhe dhe gjakderdhje të paparë që mund të vinte edhe deri aty në Kodhel që të paktën ishte nja 5km larg nga garnizoni turk i dislokuar tek sarajet e turkut në Dajç, d.m.th. tek ajo ndërtesë që më vonë do të kthehej në shkollë fshati. Forcat serbe numëronin rreth 6 mijë ushtarë dhe oficerë, ndërsa ushtria turke, sipas të dhënave, apo hamendësimeve të popullatës i kapte të 10 mijë vetët sa ishin aty dhe të ardhura me të shpejtë nga Bushati e Shkodra. Pra, ajo mizëri ushtarësh nga të dyja palët, ishte e nënkuptueshme se do të kishte një fushbetejë me një shtrirje mjaft të madhe e mund të vinin edhe deri në Kodhel, prandaj masat duheshin marrë nga ana e popullsisë vendase. Po kështu, edhe popullsia e Dajçit, duke e nuhatur atë luftë të përgjakshme me përmasa katastrofike, ishte shpërngulur dhe kishte kapur malin e Nënshatit dhe Shitën e Hajmelit. Banorët e Kodhelit u strehuan në Rregën e Kishës dhe qëndruan aty për afro tri ditë deri sa u shua çdo gjurmë e asaj lufte.

Sulmi i ushtrisë serbe që ishte afruar që gjatë natës pa u ndjerë mu tek brigjet e lumit Gjadër që asokohe nuk ishte i kalueshëm lehtësisht dhe pa zbardhur drita nisi me një batare të madhe armësh të shkrepura në drejtim të sarajeve dhe llogoreve turke. Lufta u bë e përgjakshme dhe e menjëhershme, por siç thamë, lumi Gjadër ishte një pengesë e madhe për përparimin e ushtrisë serbe. Pas lufte u përhap legjenda se oficerët serbë kishin vrarë ushtarët e tyre e i hidhnin në lumë për ta bërë si urë kalimi me trupat e atyre ushtarëve, por ky ishte thjesht një hamendësim i pavërtetuar e s’kishte si të vërtetohej, se askush nuk kishte qenë aty për ta parë një gjë të tillë me sytë e vet. Po një fakt ekzisronte ama, se, pasi lufta kishte përfunduar, lumi Gjadër në një segment gjatësie mjaft të konsiderueshëm ishte mbushur plot me kufoma dhe jo vetëm nga uniformat serbe, por mjaft edhe me uniforma turke. Megjithatë, një thënie të tillë e gjejmë edhe në ndonjë kronikë dhe në shkrimin: “Kasaphana e ushtrisë serbe në Bërdicë, më 9 shkurt 1913”, Perparim Rexhepaj, pasi përshkruan me imtësi rrethanat e sulmit të ushtrisë serbe për të ndihmuar ushtritë malazeze në marrjen e qytetit të Shkodrës, konstaton:

“ Toka pranë telave me gjemba, në shumë raste, ishte me gropa të thella të mbushuar me ujë dhe llucë. Disa gropa ishin aq të thella, sa luftëtarët duhet ti mbushnin me trupat e tyre që të kalonin të tjerët.”

Pra edhe mundet të ketë ngjarë ashtu edhe në Dajç, ku i dihet, por gjithsesi, thënia përsëri mbetet në kufijtë e legjendës dhe të gojëdhënës përderisa nuk kemi ndonjë të dhënë konkrete me kronika të shkruara që nuk e dimë në ekzistojnë realisht ose jo e kjo mbetet për t’u vertetuar.

Ashtu siç e cilësuam edhe më sipër, ajo luftë gjigande mes dy ushtrive me numër mjaft të madh forcash, sigurisht që fushbetejën do ta shtrinin në një territor mjaft të gjerë që do ta përfshinte të gjithë Dajçin, së paku. Lufta u bë nëpër sheshe e kodra, u bë nëpër rrugë e rrugica dhe në çdo lagje të fshatit, madje edhe brenda shtëpive. E ruaj mjaft mirë në kujtesën time që gjyshi im më kishte treguar se brenda shtëpisë së Gegë Llesh Milotit, në çordakun e asaj shtëpie, kishin gjetur dy kufoma të kapërthyera me njëra-tjetrën, ashtu siç ishin vrarë bajonetë më bajonetë, e sa e sa të tjerë nga të dyja palët e ushtrive të vrarë në rrugë, në cep të ndonjë oborri, në ahure bagëtish e kudo, puthuajse në çdo pëllëmbë të territorit të Dajçit. Lagjja e Milotëve ku ishin gjetur ata dy ushtar të dy ushtrive kundërshtare të kapërthyer, ishte gati dy kilometra larg nga sarajet e turkut dhe nga brigjet e Gjadrit, prandaj ishte e kuptueshme se kishte pasur mjaft mësymje dhe kundërmësymje gjatë atyre dy ditëve lufte të përgjakshme.

Pas tri ditësh, kur të gjitha krismat dhe poterat e luftës kishin pushuar, ishte dhënë thirrja që kush ishte banor i zonës prej 14 deri më 70 vjeç të shkonin në fushën e betejave dhe të mblidhnin kufomat e t’i varrosnin ku dhe si të mundnin. Edhe kjo punë zgjati në mjaft kohë dhe rrezikonte të përhapej ndonjë epidemi mortaje e kolere me pasoja të pakthyeshme. Pamjet ishin mjaft të llahtarshme, por nuk kishte më kohë për panik e analiza e bilanca lufte, por me sa mundën, të gjithë sa ishin burra nga e gjithë Zadrima shkuan aty dhe hapën varre të mëdha sa mund të zinte grupe ushtarësh, ashtu siç i gjenin, pa marrë parasysh se ishin turq, apo ishin serbë, i varrosnin në varre të përbashkëta. Nuk pati kush mundësi të përcaktonte numër të vdekurish, por nuk u gjenden, gjithashtu, as të mbijetuar.

Thuhej se nuk kishte mbetur këmbë turku dhe as serbi pa u vrarë, por mendoj se mund të kishin mbetur edhe pa u vrarë dhe kishin marrë ikën nga kishin mundur të mbeturit gjallë, megjithëse askush nuk i pa të mbijetuarit e asaj lufte kasaphanë. Ndoshta edhe pse askujt nuk ia mbante të dilte e të bënte sehir në atë gjurulldi, por mendohet se edhe në kishin shpëtuar pa u vrarë, mjaft pak kishin shpëtuar nga të dyja ushtritë. Fushbeteja fliste për një shfarosje masive.

Një gjë dihet saktë. Pas asaj kasaphane, në Dajç nuk mbeti më asnjë këmbë turku e as serbi e as u kthyen më aty. Godina e sarajeve të turkut mbeti për një kohë bosh dhe ato gjëra që kishin mbetur aty e armatimet e gjetura aty e në fushëbeteja u morën nga popullata vendase dhe e zonës që kishin shkuar atje të varrosnin të vrarët dhe të parandalonin një katastrofë humane të pashmangshme.

Besoj se, aq sa paraqita më sipër, kishte përmasa aq të mëdha sa nuk mund të kalonte ashtu në heshtje, të paktën nga kronikat e të dyja kancelarive përkatëse dhe duhet të gjendet material i bollshëm dhe i mirëdetajuar, por mjerisht historia e vendit tim nuk e përmend pothuajse fare. Nga kjo, mendoj se pakkush në Dajç, por edhe në zonë di për këtë betejë të përmasave kolosale, veç në mos qofshin pak individë si unë që patën fatin ta dëgjonin me veshët e tyre direkt nga gojët e atyre që e përjetuan ankthshëm atë kohë të përgjakshme. Historia ka heshtur dhe hesht ende për ta vënë në qendër të kujtesës sonë kombëtare. E mirëkuptoj historinë, pasi kjo betej, pavarësisht përmasave të saj, nuk ishte mes shqiptarëve dhe pushtuesve, por mes vetë palëve pushtuese dhe për qëllimet e tyre e në kurriz të interesave tona kombëtare, por ama, duhet përmendur si fakt që u zhvillua në territorin shqiptar, por edhe për vetë ngarkesën e rëndë psikologjike që rëndoi tek popullata e zonës sonë.

Meqenëse nuk i përkas fushës së historisë, kam pyetur shpesh historianë të epokave të ndryshme se mos kanë ndonjë informacion të detajuar, por jo vetëm të detajuar që nuk kishin, por nuk e kishin as edhe informacionin më të vogël. Por dikur, kur unë lexoja veprat e Ali Abdihoxhës “Një vjeshtë me stuhi” si dhe “Tri ngjyrat e kohës” në njërin prej tyre dhe ka mundësi tek ky i fundit, nuk jam plotësisht i saktë, pasi ka mbi 40 vjet që e kam lexuar, njëri nga personazhet e romanit, një djal beu i shkolluar jasht vendit, po merrej me studimin e Luftës Serbo-Turke të Dajçit dhe kjo përmblidhej veç me një frazë të shkurtër. Nuk është gjë për t’u çuditur, pasi kjo mund të kishte qenë si pronë e bagazhit të njohurive të autorit që kishte studjuar në Universitetin “Maksim Gorki” të Rusisë dhe atje mund ta kishte mësuar si histori të asaj ngjarjeje.

Po historia shqiptare, të paktën në nivelet e shkollave të larta pse hesht totalisht? A nuk do të ishte mjaft me rëndësi të transmetohet historia e vendlindjes tek nxënësit e shkollave të zonës së Zadrimës dhe të ruhet në kujtesën e popullatës sa më gjatë që të ishte e mundur, jo për simpati e antipati për njërën palë, apo tjetrën, jo për lavdi të njërës apo të tjetrës palë, se kjo nuk na intereson fare, pasi të dyja palët ishin pushtues të vendit tonë dhe si pasojë kishin dhe meritonin urrejtjen dhe përbuzjen e thellë të popullatës, por për atë pjesë që i takon kujtesës së popullit tonë e sidomos të Zadrimës në përgjithësi e Dajçit në veçanti.

Po, e mirëkuptojmë historinë, po qe se bëhet fjalë se aty u ndeshën dy ushtri të huaja që kishin ardhur për ta pushtuar Shqipërinë dhe u ndeshën mes vetës së tyre veç për të grabitur tokat tona dhe nuk ia dolën, ose fundja e bënë betejën diku jasht atdheut tonë. Por si ta harrojmë faktin se në ushtrinë turke kishte shumë djem nënash shqiptare dhe se turku nuk kishte si t’i kishte thjesht robot të krijuar prej tij, a, fundja, të gjithë të ishin turq, apo ushtarë të rekrutuar nga vende dhe popuj të tjerë. Por ne mund të sjellim një fakt tjetër mjaft domethënës, sidomos nga kronika: “Kasaphana” e ushtrisë serbe në Bërdicë nga autori i lartpërmendur Përparim Rexhepaj i cili konstaton se:

“Sipas gazetarit serb Jasha Tomiq, i cili ka qenë dëshmitar okular, ushtarët serbë, të tmerruar dhe të zënë në befasi, ja filluan në kor një ulurime kobzezë “Lele, kuku majko za mene”°.Redifët shqiptarë (rezervistët dibranë, devolli dhe elbasanli,) si dhe nizamët u hodhën në kundërsulm, duke i goditur nga krahët dhe nga prapa ushtarë serbë, të mbërthyer nga paniku…..Një numër ushtarësh serbë të plagosur u vranë nga redifët në vend, për shkak të urrjejtjes, që kishin krijuar luftëtarët shqiptarë për serbët nga masakrat e tyre në Kosovë e Shqipëri. Për hakmarrje, forcat serbe vranë dhe shkuan në bajonetë të gjithë banorët shqiptarë që gjetën në Barbullush.” Pra kjo është një dëshmi tjetër se bilancët tragjike kishin rënë edhe mbi popullin shqiptar, se mund të jenë vrarë me qindra djem e burra shqiptarë, pavarësisht se për llogari të kujt luftonin e ndoshta kishin shkuar edhe si rezervistë duke u bërë palë me ushtrinë turke për të mos e lënë atdheun në duart e një pushtuesi të ri e ndoshta nuk kishin shkuar aty për të mbrojtur Turqinë dhe as islamin, pasi më poshtë do të shohim se edhe klerikët katolikë shqiptarë do të bashkëpunonin me qeverinë dhe forcat turke për të mos e lënë Serbinë dhe Malin e Zi ta pushtonin e ta copëtonin Shqipërinë. Por edhe masakrat e serbëve ndaj popullatës vendase duhet të merren në konsideratë.

Po, e mirëkuptojmë historinë, edhe veç për aq sa mund ta mirëkuptojmë për këtë ngjarje, por historia ka heshtur edhe për shumë luftëra dhe përpjekje të përgjakshme që Zadrima ka pasur e zhvilluar kundër pushtuesve në të gjitha kohërat, madje edhe aty tek ato saraje, siç do ta trajtojmë pak më poshtë. Po, fundja, pse ka heshtur edhe për këto dhe që në diapazonin tim të dijeve nuk janë të pakta?

Po, e mirëkuptojmë historinë, po qe se nuk ka pasur ku t’i vjelë faktet, të paktën për ta përmendur qoftë edhe shkarazi. E unë e di fort mirë se historia nuk bazohet në folklor e gojëdhëna për t’u shkruar, megjithëse shpeshherë edhe aty është mbështetur, kur nuk ka pasur kronika e kronikanë e këtu mund t’ju sjell veç një shembull të thjeshtë. Mbi 12 shekuj para Lindjes së Krishtit u bë Lufta dhjetëvjeçare e Trojës e atëherë askush nuk i pati shkruar, veçse historia u bazua mbi kënget epike të Homerit. Po në fakt, ngjarjet e Luftës serbo-turke të Dajçit nuk i përkasin një epoke shumë të largët, nuk i përkasin antikitetit kur ende askush nuk dinte të shkruante e të lexonte dhe që t’i evidentonte, por nuk mund ta pranoj kur ato ngjarje ndodhnin, Dajçi kishte një shkollë të tijën që po nxirrte figura mjaft të spikatura të dijes e kryesisht të fesë që edhe mund t’i kishin shënuar, veç mos ndoshta për kohërat që do të vinin, feja do të bëhej shkas që që të përbuzej popullsia aty nga regjimet që do të vinin më pas në këto 100 e ca vitet e mëpastajme e kjo u demonstrua me ekzekutimet me varje e me pushkatim të dy figurave të shquara të Dajçit nga regjimi mbretëror dhe më pas tij ai diktatorial i Enver Hoxhës.

Por ne nëpër shkollat shqiptare mësuam edhe historitë e vendeve dhe popujve të tjetër të botës, për betejat që u zhvilluan atje në kohë e epoka të ndryshme e nuk e kuptoj pse nuk mund të dinim pak më shumë se çfarë konkretisht kishte ndodhur në vendin tonë. Po kështu, edhe kronikat e kronikanët ekzistonin, ishin të gjallë, ishin dëshmitarët më të përpiktë të atyre ngjarjeve mjaft të bujshme dhe mjaft tronditëse për popullin e Zadrimës e më gjerë. Po për faj të kujt po mohoheshin? Mendoj se ishte vetëm një faj që ekzistonte dhe ky ishte veç fakti se e gjithë Zadrima, por edhe Mirdita i kishin qëndruar të pamposhtur pushtimit turk e nuk kishin pranuar ta këmbenin krishtërimin me islamin. Nuk dua të bëj aludime të gabuara, por logjika aty të çon, pasi në Zadrimë e në Mirditë u bënë mjaft kryengritje me armë në kohën e pushtimit turk dhe mjaft të kujtojmë se kurrë pushtuesi turk nuk arriti të futej në Mirditë, as me ushtarë e as me fe. Po kështu edhe në Zadrimë, edhe pse kishte arritur të hynte me ushtri, por jo pa gjakderdhje, kurrë nuk arriti të depërtonte me fe dhe Zadrima mbeti gjithnjë katolike e me moton “Për fe e atdhe!”. Regjimet që pasuan e sunduan në shekullin e kaluar nuk e donin fenë e krishtërë e në veçanti fenë katolike, se ndryshe nuk shpjegohet që vetëm nga një fshat i Zadrimës u ekzekutuan ata dy priftërinj të dalë nga dera e përmendur e Gazullorëve, por edhe nga fshatrat e tjerë të Zadrimës e që këtu mund të përmend mjaft prejt tyre.

Veç të mos harrojmë se ishin pikërisht figurat më të shquara të fesë katolike në Veri të Shqipërisë që u vunë në krye të lëvizjeve patriotike në luftën për liri e pavarësi dhe organizuan mjaft kryengritje popullore me armë kundër çdo pushtuesi të të gjitha ngjyrave që qenë: turq, malazezë, serbë, austriakë, bullgarë, apo italianë e kjo ka qenë e mirëparaqitur dhe e shkruar nëpër materialet kishtare, apo të shoqatave të tyre fetare siç ishte ajo e françeskanëve me organet dhe shkrimet e tyre, jo vetëm fetare, por edhe shoqërore e politiko-patriotike për kohën kur vepruan e ushtruan ndikimin e tyre të gjithanshëm. Regjimi diktatorial komunist që u instalua në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, jo vetëm nuk i mori në konsideratë ato shkrime e kronika, por bëri çmos që me inkuizicionin e tërbuar që ushtroi që në fillimet e sundimit të tij, i shkatërroi, i dogji dhe shkruesit e tyre i ekzekutoi me pushkatim a më e lehta, me burgime të gjata ku një pjesë e mirë e tyrja nuk doli gjallë nga ai ferr komunist ku i kishin dërguar. Megjithatë, atyre flakëve të inkuizicionit komunist diçka shpëtoi dhe që nga hiri i atij zjarri arrijnë të flasin sadopak për historinë.

Sot ka mjaft dëshmi të ruajtura në mënyrë klandestine për kronikat e kohës nga autorë të ndryshëm dhe mund të paraqes këtu para jush mjaft syresh, po sa për një ilustrim të thjeshtë nga shkrimi i At Vitor Demaj ofm, me një analizë disi të hollsishme për kronikat e At Justin Rrotës, po shkëpus e paraqes këtë fragment:

“Ndërmarrja për me shkrue këto kujtime për Át Justinin nuk qe e lehtë, tue e pá rrethanat në të cilat shkroi Ati Françeskan, e sidomos tue pasë parasysh edhe se çështja e rrethimit të Shkodres âsht trajtue shumë herë në mënyra të njëanëshme e subjektive që nuk pasqyronin aspak ngjarjen reale e historike të atyne muejve. Qe, pse, bash në parathanjen e librit Át Justini shkruen tue largue prej sish çdo hije dyshimi për njianëshmëni: “Ndërkaq, na prej anet sanë, tue krye këtu detyrën e kronistit të ndërgjegjshëm, do të mundohemi ndër shprehje gjithkun të diftohemi sa ma objektiv, të drejtë e të paanshëm, sidomos në theksimin e ngadhnjëmevet të të dyja palëvet.” (Po aty, fq. 19).”

Siç shihet, vetë analisti i shkrimeve dhe kronikave të të ndriturit At Justin Rrota e vë theksin se historia “âsht trajtue shumë herë në mënyra të njëanëshme e subjektive që nuk pasqyronin aspak ngjarjen reale e historike të atyne muejve.” . Të gjithë këtu mund të konstatojmë se historia është shkruar jo sipas kronikave reale, por sipas dëshirave e porosive të atyre që kanë dashur të paraqitet pikërisht ashtu siç është paraqitur. Dhe unë, do ta sjell këtu para jush atë histori reale qoftë duke u mbështetur tek ato kronika të shkruara në kohë reale, megjithëse nuk pretendoj se mund ta bëj në mënyrën më shteruese.

At Justin Rrota na jep edhe një dëshmi të atyre ngjarjeve që unë i kam dëgjuar disa herë nga goja e gjyshit tim, po nuk pretendoj se ai i kishte shkruar me aq imtësi dhe të ishte ndalur ta trajtonte me themel. Megjithatë, në një kronikë të tij në formën e ditarit ai shkruan:

“E prende, 22 nanduer 1912.

Serbët në Dajç të Zadrimës

Ndërsa veshët e të rrethuemvet ránë diçka në fashë, prejse përnjëherë u duk se prani gjithkahë bombardimi, sod prap filloi me u ndie pushkë e top andej kahë Bardhanjorët.
Njëkohësisht, turku edhe prej kodravet të Bërdicës i drejtoi të gjuemet e topavet ushtrís s’anmikut, që synonte me i bá rrethin qytetit të Shkodrës kahë jugu. Artileria ngjati veprimet strategjike të vetat gati gjithë ditën e lume.
Moti i mirë, si pisha. Malazezët kambë-kambë njëmend, por shtýhen tue zanë pozicjone luftarake maje kodrinash, ku nemose s’janë në rrezik me u mbytë prej ujnash e kënetash e baltash.
Mbramë serbët kanë mbërrijtë deri në Dajç të Zadrimës. Lajmin ma i pari e pruni në qytet telegrafisti, i cili kishte pasë ikë si tinëz prej atij katundi. Njëherit ai bani me dijtë edhe, se telegrafa me Shkodrën kishte punue deri në ma të mbramin ças që e kishte lanë zyren.” .

Nuk mund të them me ekzaktësi se aty bëhet fjalë për të njëjtën ngjarje që kam shtjelluar më sipër apo për një moment tjetër, pasi nuk mund të pretendoj se i kam mbajtur mend me ekzaktësi në ka qenë pranverë, apo vjeshtë kur në Dajç u zhvillua ajo betejë e përgjakshme, po asokohe edhe sot po ashtu, i besoja dhe i besoj plotësisht tregimeve realiste të gjyshit tim, por jo edhe aq kujtesës sime për ta riprodhuar atë tregim të tij pas një gjysëm shekulli pa pasur shënuar qoftë edhe një germë të vetme për atë ngjarje të bujshme të fillimshekullit të kaluar. Gjithësesi, duke u mbështetur në shkrimet e Atit në fjalë, por edhe të të tjerëve, ka mjaft fakte të asaj lufte në Zadrimë, si edhe të qëndresës heroike të zadrimorëve. Në një vend tjetër At Justin Rrota thekson:

“Ma fort se kurrkun por, kazani âshtë tue vlue në fushën e Zadrimës. Aty flasin, se janë ngrehë shumë shoqní a komitete, pjesëtarët e të cilavet kanë bâ bénë e madhe, se duen me e pá Shkodrën të librueme prej malazezësh, e të bame kryeqytetin e Shqipnís së ré.”

Po kështu edhe në kohët e sotme janë shkruar e po dalin në dritë mjaft shkrime e studime për ato kohëra mjaft të trazuara për krejt shqiptarët. Kështu edhe Ilir Bytyçi- Historian, Përgjegjës për Trashëgimi dhe Muze në Ferizaj në një shkrim të tij të kohërave të fundit të titulluar: “Kriza e Perandorisë Osmane dhe rrethanat politike në Shqipëri deri në vjeshtën e vitit 1912” konstaton:

“Ndërkohë, në maj 1912 kryengritja kundër xhonturqve u shtri në zonën e Pejës, të Lumës, të Mirditës e të Zadrimës.”

Sigurisht, unë solla në kujtesën e lexuesit një ngjarje mjaft të bujshme që pakkush në kohët e sotme ka dëgjuar për të dhe desha ta atakoj historinë e njëanshme të shkruar me porosira dhe interesa të ngushta dhe mjaft intriguese e shumë dashakeqe. Por Zadrima ka pasur mjaft ngjarje të spikatura të qëndresës heroike, mjaft kryengritje dhe bëma të ndryshme nga individë e nga grupe kryengritësish në kohë dhe epoka të ndryshme e historia nuk ka dënjuar t’i paraqesë në kujtesën e brezave as në rang kombi e as në rang krahine. Më poshtë do të mundohem t’i paraqes në bazë gojëdhënash, faktesh e kronikash të shkruara sidomos ato më të spikaturat. Por së pari dua të theksoj këtu se në shumicën e tyre, sidomos të atyre të lëvizjeve kolektive popullore një rol të rëndësishëm luajti kleri katolik i zonës. Klerikët katolikë të të gjitha drejtimeve, u vunë në krye të këtyre lëvizjeve duke i frymëzuar dhe nxitur kryengritësit me parrullën: “Për fe e Atdhe!”. Kështu, duke u mbështetur në mjaft kronika të kohës, e shohim në shumë raste këtë rol të rëndësishëm që ata luajtën. Ja si shprhet At Justini në kronikat e tij:

“Ndërkohë po baheshin perpjekje të Arqipeshkvit të Shkodres Imz. Jak Serreqi me Hasan Rizan për të mirën e Shqipnisë si dhe për ngritjen e flamurit ne Kala të Shkodrës. Át Gjergj Fishta caktohet si ndërmejtës. “Ndër kondita tjera që i vente Hasan Rizás Arqipeshkvi, ishte kjo: të piqeshin një herë bashkë edhe të studjoheshin planet e mënyrën e veprimevet të kryengritjes. Në këte rasë do t’i jepej një sigurim popullit, se qeveria otomane ishte tue punue kështu për të mirën e dobín e Shqipnís; edhe si shenj dokumentár, Kryekomandanti do të ngrehte flamurin e Shqipnís në kështjellin e vjetër të Rozafatit, nën flamurin e Turkís. Hasan Riza Beu i pranonte këto propozime t’Argjipeshkvit, me të vetmin kusht, që malsorët katolikë shqiptarë të rrokshin armët kundra serbo-malazezësh. Detajet e veprimevet u lánë me u bisedue për një ditë tjetër në mjedis së kryekomandantit e të delegatit t’Argjipeshkvit. Ky përfaqesues i Argjipeshkvit ishte një ndër kryetarë Françeskaj (Gjergj Fishta). Takimi do të bâhej në një barakë të veçantë ndër kodrat e Dervish Tepes, mbasi ishte vendi ma i përshtatshëm për këso bisedimesh. Me 30 kallënduer pra, 1913, ditën e ejte, n’orën 15.30 do të vinte i naltpërmenduni përfaqesuesi i Françeskanëvet, P. Gjergj Fishta, në shtëpínë e Esat Pashës. Mendimi i Hasan Riza beut ishte, që kryengritja kundra serbvet të fillonte në jugun e Zadrimës, në katundin e Nenshatit, simbas instrukcjonevet të dërgueme prej si nga Shkodra.”

Edhe at Vitor Demaj në analizën që i bën veprës së At Justin Rrotës konstaton:

“Pushtimi i Malit të Zi në Shkodër nuk zgjati shumë. Pakënaqësia e parisë së Shkodrës dukej tashma për gjithë vend. Kleri katolik nga ana e tjeter organizonte takime, mbledhje për me e nxjerr Malin e Zi prej Shkodres, dhe për me e shpall Shkodrën kryeqytetin e Shqipnisë. Át Gjergj Fishta shkruen nji shkrim të posaçem në Hyllin e Dritës për me bâ Shkodres kryeqytet të Shqipnisë.

Prandej për me krijue nji idé të qartë për mbi rrethimin e Shkodrës gjatë viteve 1912-1913, libri i Át Justinit âsht mâ i miri sot për sot për shtjellimin me imtësi, në mënyrë origjinale e me besnikëri të atyne ngjarjeve që ende sot kanë peshën e tyne historike në jetën e Shkodrës.
Në keto pjesë të zgjedhuna të librit që po paraqesim për lexuesin del në pah pakënaqësia e populli dhe klerit katolik ndaj pushtuesve të rij. Në Troshan ku ishte edhe qendra ma kryesore e françeskajve në atë kohë u organizue nji mbledhje për dëbimin e malazezve, e kështu me e shpall Shkodren kryeqytet të Shqipnisë si dikur motit në kohën e mbretenve ilir.” dhe diku më poshtë:

“Ana e krishtenimit lëvizin e punojnë si nën dhé, tue u vû në përpjekje të padáme me fshatarët për rreth, ku thonë se kanë fillue kryengritje plot. Prap mandej, ka ardhë fjala këtu, se malsorët e Mbishkodrës kanë vrá nja 3 malazez. Këta, por sidomos Hoti e Kastrati, kanë çue fjalë, se janë gati me u ulë e me i rá Shkodrës, ditën që të marrin vesht, se qyteti i âshtë shenjue definitivisht me i mbetë Malit të Zí.
Ma fort se kurrkun por, kazani âshtë tue vlue në fushën e Zadrimës. Aty flasin, se janë ngrehë shumë shoqní a komitete, pjesëtarët e të cilavet kanë bâ bénë e madhe, se duen me e pá Shkodrën të librueme prej malazezësh, e të bame kryeqytetin e Shqipnís së ré. Ndërkaq por, qeveria provizore ban çmos, për me e shutitë këtê propagandë. Ka vû roje të madhe sidomos mbi gjithata që hýjnë e dalin prej urës së Bahçallekut.”….”Në Troshan prap âshtë tue u bâ këso ditësh një mbledhje e jashtëzakonshme, ku marrin pjesë qinda e qinda krenësh së popullit, disa Ipeshkëvîjsh, ndër të cilët i përmenduni e fort i njohtuni prej popullit, Imzot Prend Doçi, Abati i Mirditës. Ndër ta edhe shumë krenësh myslimanë nga Mati e Dibra; Të tanë një mendimi, me e shpallë Shkodrën si kryeqytetin e Shqipnís në veti.” (Át Justin Rrota, Ditët e mbrame të Turqisë në Shkoder ase rrethim i qytetit 1912-1913, Botime Françeskane, Shkodër 2010, fq. 182-183.)” Por këto levizje patriotike të klerit e sidomos të klerit katolik në asnjë kohë nuk u panë me syrin e mirë dhe aprovues në kohërat e mëvonshme dhe sigurisht as edhe në ato kohëra kur ngjarjet u zhvilluan, ndaj At Justin Rrota shkruan:

“Mbi tjerë, Kleri posaçe âshtë marrë më sý prej qeveriet. Disa prej fretënsh e priftënsh, tue e dijtë se janë vû si në shenj për ndiesí atdhetare që kanë diftue kurdoherë, mendojnë me u largue sa për një herë prej qytetit tinëz, natën, ditën a kurdo, ndërrue petkash, për mos me u njoftë.”

E megjithatë, në ato kohëra nuk u dëgjuan persekutime e përndjekje masive të tyre ashtu siç ndodhi në diktaturën komuniste. Ishte inkuizicioni komunist ai që i ndoqi e i përsekutoi ata e një pjesë të tyre, i përndoqi edhe për së vdekuri siç ishte rasti me At Gjergj Fishtën që ia zhvarrosën eshtrat dhe ia hodhën në lumin Buna, aq e madhe ishte ajo urrejtje që ushqente regjimi komunist i Enver Hoxhës për klerikët katolikë e në mënyrë të veçantë për fenë e krishtërë.

Historia nuk ka përfshirë dhe evidentuar edhe mjaft beteja të përgjakshme që janë zhvilluar në Zadrimë edhe mes kryengritësve zadrimorë e forcave turke në kohëra të ndryshme e një nga ato ishte edhe lufta tek Trapat e Rraboshtës e udhëhequr nga Llesh Pjetër Bajraktari mes kallmetorëve, rraboshtnjakëve, blinishtasve dhe shumë e shumë zadrimorëve të tjerë kundër ushtrisë turke që vinte nga Lezha për të shkuar drejt Dajçit, Bushatit e Shkodrës.

Bajraktari i Kallmetit me një kushtrim që lëshoi, u mblodhën rreth treqind burra nga ato fshatra që përmendëm më sipër e së bashku edhe me blinishtas e të tjerë zadrimorë, i zunë pritë ushtrisë turke për të mos e lënë të depërtonte në Zadrimë edhe me qëllime reprezaljesh e grabitjesh dhe i shkaktuan mjaft humbje asaj ushtrie. Dëshmitë për këtë betejë të përgjakshme kanë qenë të shumta, sidomos nga kujtesa popullore, por edhe nga këngët epike kushtuar kësaj ngjarjeje. Besoj se edhe kronikat e ndryshme duke përfshirë këtu edhe ato të klerikëve katolikë duhet të kenë pasqyruar mjaft material të pasur, veçse nuk janë evidentuar nga historia e sotme e njëanshme. Nga revista “Leka” e vitit 1937 në numrat VIII-XII kemi shkëputur këtë dëshmi:

“Luftim kah Lezhja v Me 21-V-12 i mrrijti urdhni nji kompanie kambësore e nj i grupit të gjendarve me u nisë prej Lezhjet e me xanë rrugen qi bashkon Lezhen me Kallmet e me ngulë mjes Zallit te Rroboshtes. Si u ngrehne çadrat, ushtarët turq u ulne me pushue. Pa pritë, prej Malit të Velës, qi i ban lmnorë zonës së pushtueme, nisne me u ulë në heshtim qinda e qinda kryengritës, qi në pak kohë kapne fushen, e kshtu, në sa ushtarët e shkretë, të shkyem e të lodhun, nde; çadra, pushoshin, kryengritsit i rrethuene, e nisne zjarmin. Kot oficirat, me revolver në dorë, u munduene me mbaj të rend mjes ushtarve e me u dhanë zemrë, Gjuejt prej gjithkah, ushtarët e Mehmetit të V. nuk kishin fuqi me u çne, të mekun, ndëjne shtri per tokë, gadi me mbarue të gjith pa i dalë zot vedit. Nder të parët qi mbeten prej pushkve të kryengritaeve, kje kapidani qi e urdhnote të mjeren kompani. Shpejt kje mbytë tenenti. Rane dekun 20 ushtarë e shum mbetne të varruem randë a lët, Teprica e kompania mbasi la armë e municjon, u vu në t’ ikun. Shi n’ at ditë, qi u bit luftimi para Veles, erdhne prej Tirane në Lesh tre taborre (bataljona) ushtarë e shkuene në Kallmet, ku msyene shpin e Prengë Pashës të Mirditës; e perkuizituen e gjeten njizet arkë municjon, qi ia kishte pasë dergue qeverija Prengës. Kjo ndodhje bani kaq pershtypje, sa Valija i Shkodrës shkoj në shpi të Prengë Pashës me i lypë të falun.”

Dom Gaspër Gurakuqi, një prift katolik që shërbeu gjatë në Zadrimë, e sidomos në famullinë e Blinishtit e të Dajçit, tek libri i tij “Blinishti” na paraqet një nga ato këngë kushtuar asaj lufte të përrgjakshme dhe të lavdishme që përfundoi me fitoren e kryengritësve. Ai mendon se ajo këngë i përket vitit 1859 dhe e kishte gjetur dhe evidentuar në vitin 1923, kur po gjurmonte dhe grumbullonte material për librin e tij të lartpërmendur, po nuk është gjë çudi se ajo këngë i përket një beteje tjetër të mëparshme dhe jo asaj që paraqita si shkurtazi, se zadrimorët dhe mirditorët jo një herë u ngritën në luftë kundër pushtuesit turk.

Po kështu, revista në fjalë na paraqet mjaft dëshmi të tjera të luftërave dhe të përpjekjeve të përgjakshme të zadrimorëve dhe të mirditorëve të lidhur me besë e në bashkëpunim luftojnë me heroizëm cep më cep të Zadrimës:

“Në Maj lidhin besë me kryengritas të Zadrimës. Si fryt i kësaj bese, të bashkuem mirditas e zadrimorë u bin asqerit turk në Naraç. Caf Isufi e Ndrec Gjoni qi janë zapti vendas e me ushtri turke vriten. Dita 7 Majë 1912 u kalon në luftim. Hutat e novicat bajnë teper tym e mauzerre po kan teper pak. Topi në tym të këtyne pushkve i gjuen pada, nuk i len me xanë vend. Prei mbramje kryengritsat kan xanë 13 zapti të rij qi i kan ra në dorë Dodanit. Ky ka ndermjetsue tu parija e u ka nxjerrë faljen. Ne nesre i percjellë deri në Vadajë e i a dorzon Kajmekamin, i cili per shperblim e burgosi.” Po kështu për t’i paraqitur në origjinalitetin më të mundshëm këto fakte po paraqs foto të atyre faksimileve:

Doc 4 Kryngritjet zadrimore

Doc. 7 Kryengritjet zadrimore

dhe të tjera që dëshmojnë:

Doc. 6 Kryengritjet zadrimore   Gjithashtu, mjaft e përgjakshme u zhvillua beteja e nënshatasve dhe zadrimorëve të tjerë kundër forcave turke të udhëhequra nga Hasan Beg Bushati, fill pas kuvendit të burrave të Zadrimës mbledhur në Nënshat tek Suka Zenahe nën drejtimin e Shtjefen Preç Sallakut. Në atë luftë mbeti i vrarë Gjush Gjin Topalli, por Hasan Beg Bushatit iu vranë shumë asqerë dhe u detyrua të tërhiqej.

Historia nuk i përmend, gjithashtu, as betejat e përgjakshme të komitave zadrimore të udhëhequra nga Shtjefen Preç Sallaku kundër turqve e shumë e shumë raste të tjera.

Historia ka përmendur dhe evidentuar dukshëm bëmat dhe kryengritjet e Rrapo Hekalit, Tafil Buzit, Zenel Gjolekës, të Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos, të Themistokli Gërmenjit e shumë e shumë të tjerëve në Jug të Shqipërisë, por aspak të luftërave në Zadrimë e Mirditë e kjo gjithnjë në formën më selektive që regjimi komunisto-jugor i bëri historisë, pse Zadrima dhe Mirdita ishin me popullsi të krishtërë dhe krishtërimi nuk e donte regjimin komunisto-diktatorial.

44583352_2109370352408628_935133041695653888_oHistorianët selektivë të diktaturës komuniste as nuk e morën mundimin të gjurmonin e të evidentonin historinë e lavdishme të Zadrimës e as të Mirditës, edhe pse ishin të gjalla dhe të freskëta ngjarjet e bujshme të luftërave dhe të qëndresës heroike të zadrimorëve e mirditorëve kundër pushtimit turk të skalitura në këngët epike të zonës, por edhe nëpër arkivat kishtare. Ato arkiva mjaft të pasura me dokumente e dëshmi nga historia, jo vetëm nuk u morën në konsideratë, jo vetëm nuk u shfletuan, por u bë e mundur që me forcën e inkuizicionit të egër komunist të dëmtoheshin e të shkatërroheshin totalisht, duke i djegur apo groposur thellë në tokë.

Meqenëse historia e ka anashkaluar Zadrimën dhe luftërat e përpjekjet e saj heroike të vazhdueshme në kohë dhe epoka të ndryshme për gjatë epokës së komunizmit, më duket pak absurde që sot pas afro tridhjet vjet demokraci të heshtet. Sot më shumë se kurrë janë të gjitha mundësitë që të evidentohen e të dalin në pah ato vlera që, jo vetëm nuk qenë më të pakta se tek krahinat e tjera, por ishin edhe më aktive se kudo, pse ishin mjaft të nxitura dhe të organizuara nga kleri katolik që ishte në luftë të papajtueshme me pushtimin turko-islam të Shqipërisë dhe Zadrima ishte epiqendra e katolicizmit në Shqipëri e sidomos në Veri të Shqipërisë. Edhe dokumentacioni i shumtë ishte dhe ndodhet aq sa mundi të shpëtonte mes dokumentave kishtare në vende të ndryshme dhe kjo është mjaft domethënëse.

Me kënaqësi vërej se sot po dalin në pah mjaft artikuj e studime nga studjues të ndryshëm, por ende historia nuk po i merr në konsideratë t’i evidentojë në fashikujt e saj si një dëshmi e historisë sonë kombëtare duke e çarë terrin dhe mjegullën e krijuar me ose pa dashje. Nuk flas këtu që historia të mbështetet në hamendësime e gojëdhëna, por, ama, hamendësimet e gojëdhënat të jenë orientues të studjuesve dhe historianëve drejt gjurmimit të arkivave kudo që ndodhen e tek kushdo që i disponon. Gojëdhënat përmbajnë një përqindje mjaft të madhe të vërtetës, por u mbetet studiuesve dhe historianëve ta sjellin të vërtetën nëpërmjet dokumentave të vjela nga arkivat dhe kronikat përkatëse për kohën kur ngjarjet tregohen. Kjo veç i bën nder historisë dhe kombit tonë dhe asgjë më shumë, përveç asaj që brezat njihen me ato përpjekje heroike që bënë të parët tanë për të qenë të lirë e të pavarur nga armiq të huaj.

Më sipër përmenda evidentimet që historia u ka bërë të gjitha përpjekjeve dhe luftërave që janë zhvilluar në Jug të Shqipërisë dhe mendoj se ka bërë shumë mirë, megjithëse nuk jam plotësisht i sigurtë se ku është mbështetur, në kronika, në arkiva, apo veç në gojëdhëna e në folklor. Gjithësesi, kudo që të jetë mbështetur, e rëndësishme është se janë evidentur drejt dhe me vend, por edhe në Veri ndodhi Tanzimati po aq e ndoshta më i egër se në Jug. Kryengritjet? Edhe ato aq edhe më të ashpëra, ndoshta. Kronikat? Të shumta dhe më të mundshme se në Jug, pasi aty, krahas atyre shtetërore sipas vendeve që u interesonte t’i mbanin, kleri katolik ishte ende më i vëmendshëm dhe më efikas për t’i evidentuar për vetë resurset intelektuale që spikatnin, por edhe që vetë ata u bënë në të shumtën e rasteve promotorë të atyre kryengritjeve e lëvizjeve të gjithanshme e të vazhdueshme popullore. Gojëdhënat, folklori? Të shumta, të freskëta dhe mjaft të sakta, por nuk i mori askush në konsideratë as ato.

Këtu nuk mund ta mirëkuptoj historinë e fjalën këtu e kam veç për atë pjesë të shkruar dhe evidentuar në mënyrë të njëanshme dhe mjaft selektive e veç për faj të fesë, veç për faj të asaj parrulle popullore “Për fe e atme!” e që seleksionuesit e historisë nënkuptonin: “Për Krishtërim e kishë!” dhe jo për komb e atdhe që ishte, veç të tjerave edhe lejtmotivi i atyre kryengritjeve të armatosura dhe qëndresës heroike të popullatës së Veriut në përgjithësi e të Zadrimës në veçanti. Duke heshtur historia, e nxjerr zbuluar një popull që luftoi jo më pak se ato të krahinave të tjera e nuk po them më shumë se nuk e kam të drejtën të vë në bilanc historitë e krahinave të tjera.

Duke heshtur historia dhe duke mos evidentuar të gjitha ato përpjekje heroike, krijohet përshtypja sikur Zadrima qe një dele e urtë manare që i shkonte pas çobanit të saj, apo si një pulë e butë që rrehet me kokrra që dikush ia hidhte për ta ndjellë e pastaj për t’ia këputur kokën e drejt e në kusi. Jo! Zadrima nuk ishte as një kanarinë e mbyllur në kafaz dhe as një papagall që çirrte zërin për dëshirat e të zot, por ishte një shqiponjë si të gjitha shqiponjat e tjera që luftonte ta mbronte folenë e saj deri në skrificën sublime. Të gjithë e dimë historinë e shqiponjës që u dogj së bashku me pyllin dhe kur dikush, i mërzitur që po e shihte atë trup të djegur e pyet pse nuk i kishte përdorur krahët e t’i shpetonte atij zjarri që e shkrumboi e pastaj nga ai trup i shkrumbuar doli një zë: “Nuk doja ta lija folenë time, prandaj qëndrova këtu!” dhe si kjo shqiponjë e legjendës ishte edhe Zadrima jonë. Ajo qëndroi e pamposhtur dhe e ruajti folenë e saj të paprekur e foleja e saj ishte atdheu dhe feja që nuk e ndryshoi për asnjë arsye, as për joshjet, as për kërcënimet e as për reprezaljet e ndryshme që pushtuesit ushtruan aty e ky gjest mjaft sublim na mbush dhe duhet të na mbush me krenari ne pasardhësve të atyre brezave që sakrifikuan gjithçka për ta mbrojtur identitetin tonë kombëtar të pacënuar.

Zadrimorët nuk u joshën as nga pasuria që i ofronte pushtuesi dhe as nga ofiqet e shumta dhe i përbuzi me neveri të gjitha këto. Ata ishin të vendosur ose për të qëndruar deri në fund ashtu siç ishin, ose të vdisnin për ta mbrojtur identitetin e tyre edhe me gjakun e tyre. Kjo ka ndodhur gjatë gjithë atyre katër shekujve e gjysëm që pushtuesi turk qëndroi në vendin tonë dhe jo në një moment të veçantë, se trysnia dhe përpjekjet e pushtuesve nuk qenë veç të një momenti të shkëputur dhe me aq përfundoi. Ajo trysni vazhdoi gjatë dhe jo veç me një ditë e me një person të vetëm. Për ta ilustruar atë që solla në mendje aty më sipër po paraqes një fragment të shkurtër nga libri “Blinishti” i Dom Gaspër Gurakuqit si një faksimile origjinale:

Blinishti-varri i Tetë Cetës
Sipas kësaj dëshmie mjaft domethëse që na e përcjell Dom Gaspër Gurakuqi, zadrimorët nuk e ndryshuan fenë për asnjë arsye, as për jetën e tyre, pasi ata, me konceptin fe, pa diskutim nënkuptonin Atdhe, nënkuptonin identitetin e tyre kombëtar dhe po ta ndryshonin fenë, do t’u dukej se do ta ndryshonin edhe identitetin e tyre për të cilin ishin e ndjeheshin shumë krenarë. Nuk është aspak pa një kuptim që zadrimorët në përgjithësi myslimanët shqiptarë i quanin turq dhe jo thjesht myslimanë, apo mhamedanë. Sigurisht, kjo ka ngjarë tek brezat e vjetër të së kaluarës dhe nuk ekziston më në kohët e sotme.Jo. Sot nuk ekziston racizmi fetar tek zadrimorët dhe tashmë kjo i takon së kaluarës së largët. Sot ka një harmoni të shkelqyer ndërfetare dhe pa asnjë dallim esencial. Megjithatë, nuk mund të them se aty-këtu nuk pati edhe ndryshim feje, por mjaft rrallë dhe për arsye tepër sublime dhe zadrimorët e tjerë i shihnin me një sy krejt tjetër dhe i identifikonin atë indived a familje njësoj siç e shihnin edhe pushtuesin, pasi edhe ata, për grada e ofiqe e kishin ndërruar fenë dhe i shërbenin pushtuesit me mënyra e forma të ndryshme. Për ta mbështetur këtë konceptim e konstatim timin këtu më poshtë po ju paraqes një thënie të Luigj Gurakuqit në letrën drejtuar mikut të tij Sotir Gjikës me 20 nëntor 1919, drejtor i gazetës “KUVENDI”:

“Paris, 20 nânduer 1919

I dashur mik, Z. Sotir Gjika,

Drejtuer i gazetës “KUVÊNDI”, në Romë Sikur fjalën qi Ju kisha dhânë me letrën t’ime të fundit, ja ku po Ju dërgoj, këtu mbyllun, artikullin qi kam shkruem për numrin e veçantë të “Kuvêndit” të cilin do t’a nxirni në kujtim të ditës 28 Nânduer 1912. I zânun si jam me punë të tepërme, nuk mund të bâj aqë sa kisha dëshir: e dini vetë se për të shkruem për Shqiptarët në nji rasë të tillë duhet qi njeriu të mendohet mirë qi të mos thotë as mâ shum as mâ pak se lyspet; duhet qi t’u apë dëfrim ndiesivet kombtare pa lënduem edhe ndiesiët fetare të shumicës. Anmiku mâ i math i fisit shqiptar ka qenë edhe âsht Turqia deri sa të jetë gjallë, por duhet të mos harrojmë edhe se nji shumicë e madhe e vllazënvet t’anë ka pasë lidhun për qinda vjetësh fatin e vet me tê. Gjuha e orthografia, qi kam përdorun në ketë artikull, ndryshojnë pakëz nga ato qi përdorni Ju në gazetët; me gjithë këtê Ju lutem qi t’i lini ashtu si janë edhe në qoftë se keni arsye për t’i ndryshuem. Shumë shëndete e ngjatjetime Zonjës, Juve Ju përshëndosh me mall.”

Kjo letër origjinale e Luigj Gurakuqit, një nga eksponentët kryesorë të Shpalljes së Pavarësië së Shqipërisë paraqet këtë konstatim të tijin jo më vonë se shtatë vjet pas Pavarësisë, kur ende ishin të freskëta gjurmët e pashlyeshme të atij pushtimi të gjatë. Letra në fjalë është shkëputur nga MEKULIPRESS.COM dhe e paraqita në mënyrën origjinale krejt shënimin që të ketë më shumë frymën e origjinalitetit si një dokument i mirëfilltë.

Shumica e fshatrave të Zadrimës kanë qenë të pastra me fe të krishtërë dhe fare pak fshatra kanë pasur familje apo grupe familjesh që e kishin ndërruar fenë e pjesa tjetër, ajo më e madhja i shikonte njësoj sikur shihte pushtuesin dhe i identifikonte njësoj me të, gati me përbuzje, ndaj edhe ajo rezistencë për të mos e ndryshuar fenë qëndronte e fortë edhe për këtë arsye e jo krejt tek propaganda fetare e njerëzve të fesë së krishtërë. Kështu besoj se ishte edhe popullsia katolike e Mirditës, pasi edhe ajo i qëndroi me rezistencë të madhe trysnisë së pushtuesit turk. Zadrimorët dhe mirditorët nuk dëshironin as ta kthenin fenë në ortodoksi, pasi edhe aty shikonin identitet tjetër; shikonin identitetin sllav e grek dhe i luftonin edhe këta njësoj si turqit, pa asnjë kompromis. Pra zadrimorët fenë e kishin atdhe dhe atdhenë e kishin fe. Normalisht, kjo nuk i pengoi ata që në kohët e mëvonshme, këtu e kam fjalën pas pushtimit turk, të mos i shikonin myslimanët shqiptarë si vëllezër të një gjaku e të një kombi dhe së bashku të mos bashkëpunonin për çështjen kombëtare duke vënë në themel thënien e Pashko Vasë Shkodranit: “Feja e shqiptarit është shqiptaria” e me këtë jo vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe prelatet e fesë të të gjitha rangjeve.

Ll. Prendi-kisha e Shën Ndoit Troshan

Shikojeni këtë foto të mjeshtrit zadrimor të fotografisë, Llesh Prendi. Është mjaft mbresëlënëse kjo pamje e mahnitshme, por nuk po e sjell këtu para jush për sugjestionin që të ngjall pamja mahnitëse. Po e paraqes se kjo foto tregon një kishë të vjetër të ndërtuar rishtas pas asaj masakres së tmerrshme që bëri ushtria turke ndaj besimtarëve të krishtërë zadrimorë e mirditorë që ishin mbledhur aty të kremtonin një ditë të shënuar dhe pikërisht ditën e Shën Ndoit zambak siç e quanin vendasit. Kur po celebrohej mesha kushtuar kësaj dite, turqit në fshehtësi të plotë dhe krejt në befasi, e rrethojnë kishën, i mbyllin dyer e dritare nga jashtë dhe, pasi e rrethojnë të gjithë ndërtesën me drurë të thata dhe shkurre, i vënë zjarrin duke i djegur të gjallë të gjithë sa ishin aty brenda me burra, gra e fëmijë si dhe priftërinjtë që po celebronin atë meshë. Askush nuk arriti të dilte i gjallë nga ajo kishë, por të gjithë u dogjën e u shkrumbuan brenda saj. Aty nuk ishin veç zadrimorë nga Troshani, por edhe nga fshatrat e tjerë të Zadrimës si dhe nga fshatrat e Mirditës të afërta me Troshanin, se ai vend ishte dhe është edhe sot e kësaj dite një vend pelegrinazhi.

Sigurisht që kjo ngjarje bëri bujë të madhe për kohën, sigurisht që kjo ngjarje shkaktoi zemëratën e popullatës në të dy krahinat dhe kryengritjet për hakmarrje dhe për liri u zhvilluan mjaft të përgjakshme. Hakmarrja u bë nga komita zadrimore edhe duke i rrethuar sarajet e turkut në Dajç dhe duke masakruar të gjithë ata ushtarë e oficerë që ndodheshin brenda atyre sarajeve. Për këtë ngjarje flet edhe kënga: “Kjo Zadrima ç’na ka thanë”

Kjo Zadrima ç’na ka thanë

Isuf Doçin zabit s’e lamë…..

….Sarajt e Dajçit i vunë zjarr

Dogjën Isufin me gjithë zagarë”

Ngjarja e kishës së Shën Ndoit të Troshanit u përhap dhe u bë legjendë në të gjithë zonën e Veriut, por askush në histori nuk i shkroi dy fjalë të vetme, as për atë masakër të turqve dhe as për hakmarrjen e popullatës ndaj asaj masakre të përgjakshme. Ajo ngjarje reale u kthye në një legjendë të frikshme, në një kujtim mjaft i hidhur që kalon gojë më gojë nga njëri brez tek tjetri, por thjesht si një gojëdhënë për një legjendë, për një ngjarje të kobshme të pashkruar, veç në analet kishtare të kohës.

Më sipër solla në mendje dy a tri ngjarje të shkëputura nga historia plot luftërash e përpjekjesh për t’i qëndruar të papërkulur atij pushtimi të gjatë, por qëndresa nuk u bë as në një vit apo ditë të vetme, po për gjatë gjithë historisë së atij pushtimi të gjatë prej afro katër shekujsh e gjysëm. Ajo qëndresë e madhe dhe e përgjakshme nisi që para se pushtimi të instalohej aty dhe vazhdoi deri sa nga vendi të iknin e të mos kishte më asnjë këmbë pushtuesi të të gjitha llojeve e feve të ndryshme.

Le të kujtojmë këtu se edhe në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939, rinia zadrimore, dhjetëra djem nga Dajçi, Blinishti, Kotrri, Kodheli dhe mjaft fshatra të tjerë, veç me një kushtrim dhe krejt të paorganizuar dhe as të udhëhequr nga ndokush, zunë malin mbi Shëngjin dhe e pritën pushtuesin me pushkë. Sigurisht, përballë asaj ushtrie të armatosur me mjetet më moderne të kohës dhe me një numër të madh trupash, disa dhjetëra djem me ca pushkë të ndryshkura, as që bëhej fjalë, jo vetëm ta ndalonin zbarkimin, por as të mateshin me të e megjithatë, djaloshi nga Kotrri, Tomë Zekë Toma, e dha sinjalin e parë të asaj lufte duke gjuajtur me pushkën e tij drejt ushtarëve të parë që po zbarkonin aty. Ushtria italiane, duke menduar se po haste në një rezistencë të mirorganizuar, zuri pozicionet e mundshme dhe drejtoi grykat e topave e të mortajave drejt pozicioneve nga ku u erdhën ato krisma pushke dhe bombardoi me sa fuqi e municion kishte. Por për këtë ngjarje askush nuk shkroi asnjë rresht dhe nuk e përmendi askush, veç atyre që morën pjesë në atë qëndresë. Duhet thënë se aty nuk pati viktima si Mujo Ulqinaku në Durrës dhe nga kjo mundet edhe të mos jetë përmendur asnjëherë. E solla si shembull për të treguar se zadrimorët nuk e kanë mirëpritur asnjëherë pushtuesin, cilido ka qenë ai, por i kanë treguar atij qëndresën e tyre me se kanë mundur ta shfaqin atë qëndresë.

Gjithashtu këtu duhet marrë në konsideratë edhe masakra e Barbullushit në ditët e fundit të nëntorit 1944 kur gjermanët morën dhe masakruan me dhjetëra djem e burra nga ai fshat e sigurisht, kjo nuk ndodhi për qejfin e gjermanit, por se dikush aty e kishte shprehur urrejtjen për atë pushtues dhe i kishte drejtuar pushkën duke shkaktur pastaj gjithë atë terror e reprazalje në popullatën e pambrojtur. Po aty, të paktën, ka ekzistuar një lapidar përkujtimor me emrat e atyre martiëve të vrarë e të masakruar nga pushtuesi duke e sjellë gjithnjë të freskët në kujtesën e njerëzisë.

Ashtu siç thashë, qëndresa dhe kryengritjet filluan dhe vazhduan pa ndërprerje që në fillime e këto i shohim herë-herë edhe të evidentuara edhe në kronika të ndryshme të kohës. Gjithnjë u organizuan dhe u zhvilluan kuvende të ndryshme ku u morën vendime të rëndësishme për organizimin e qëndresës dhe të kryengritjeve të armatosura të popullatës. Mund të sjellim si shembull mjaft prej tyre. Këtu po marr veç si shembull kuvendt e Zadrimës 1559 e të Mirditës 1570 e ai më i rëndësishmi, ai i Shën Liezhdrit i vitit 1594 e që tashmë pa dijeninë e venecianëve që gjithnjë e më shumë, duke dashur të mbronin interesat e tyre dhe për të mos ia prishnin qejfin pushtuesit turk, shumë herë po i minonin këto kryengritje, u vendos të zhvillohej një kryengritje e madhe gjithpopullore. Për organizimin e saj iu ngarkuan detyra të veçanta peshkopit Nikollë Mejkashi, si dhe dy kalorësve me emër nga Zadrima e asaj kohe, Tomë Plezha dhe Mark Gjini. Tomë Plezha u ngarkua që të shkonte në Venedik për të siguruar armë për luftëtarët, por me sa dukej, atje nuk e pritën mirë dhe gati po i rrezikohej jeta dhe dështimi i misionit për të cilin ishte ngarkuar nga ai kuvend i lartpërmendur, prandaj vendosi të largohej prej aty dhe të shkonte në Romë e në Vatikan tek Papa për ta kërkuar ndihmën që i duhej dhënë popullit të Zadrimës për kryengritjen që po përgatitej dhe ishte vendosur të bëhej. Për këtë ka mjaft dëshmi dhe dokumenta të shkruara në atë kohë dhe arkivat e Vatikanit i përmbajnë të plota dhe sipas atyre që i kanë shkruar ato kronika. Këtu mund të sjell disa si shembull të vjela nga paraqitjet që revista “Leka” e vitit 1937 i ka publikuar që në numrat e parë të saj të atij viti. Ato shembuj mund t’ju sjell veç si foto nga faqet e asaj reviste të lartpërmendur dhe janë paraqitur në dy gjuhë: në latinisht, sipas origjinalit, dhe në shqip, sipas përkthyesit të revistës në fjalë: Doc. Tom Plezha

Siç shihet, ky është një dokument i shkruar në latinisht dhe në sfond të ngjyrosur është vendosur emri i kalorsit Tomë Plezha që lexuesi ta kuptojë qartë dhe të theksuar se bëhet fjalë aty pikërisht për atë person të mirënjohur. Këtu po sjell edhe ndonjë shembull tjetër po në këtë format, në formë faksimilesh të fotografuara që vetë lexuesi, duke i parë në sistemin dygjuhësh mund të bindet për vërtetësinë e këtyre dokumentave autoktone.Doc 1 Tom PlezhaPra edhe këtu në këtë foto shihet qartë dokumenti autokton i riprodhuar nga revista “Leka” dhe të vendosur në dy kollona ku njëra i përket dokumentit origjinal në latinisht dhe tjetra i përkthimit në shqip.

 

Sipas kronikave dhe dëshmive të asaj kohe, kryengritja nisi më 4 maj 1596 duke goditur forcat turke në dy qetet kryesore të Veriut, Shkodrës dhe të Lezhës. Megjithëse kjo kryengritje ishte gjithpërfshirëse të popullsisë së zonës së Zadrimës, Pukës dhe të Mirditës, përsëri epiqendra dhe streha kryesore u bë Zadrima. Megjithatë, sipas kronikave, qeveria e Venedikut e dekonspiroi, ashtu siç thamë më sipër për interesat e saj të ngushta, me anën e ambasadorit të saj në Stamboll.

“Taverna lajmon se puna e Shqipnis priret keqas pse nuk ujdisen Kurcola me Plezhen e pse Ipeshkvi i Lezhes me do shqiptarë tjerë e kan zblue perpjekjen (12 gusht 1595). j. 132 Tl negotio d’ .Albania non passa, come uorrei, non essendo d’ accordo il Ve,c. o di Oorsola, etil Oau. ro Pelesea. Intendo anco, obe u Vescouo d’ .Alessia 4), et altri. Albanesi hanno scoperto a diversi tutio quello, si trattaua particolarm.t• alli RaguBei, li quali lo diBBero al Donato” dhe diku më tej jepet: “Puna e Shqipnis nuk ecë si kishe me dashtë un, tue mos u ujdisë Ipeshkvi i Kurcoles me Ka.v. Plezhen. Mora vesht edhe se Ipeshkvi i Lezhes e do Shqiptarë tjerë i kan diftue shumkuj gjith ehka gatohej, sidomos Raguzhjanvet, të çillët i kallxuene Donatit kur ky kaloj andej tue shkue në Stambollë, e ky pa dyshim do t’a kët shkrue këtu, sikurse ndoshta z. e J. e Perndr. do t’ a ket dijtë prej Ipeshkvit të Kurcoles … … Venedik, 30 ehtatuer 1595 … Ludoviku, ipeshk. i Lodit. 4) Ky ishte atëherë Marhi Brojani O. F. M. prej Ragozhet, qysh prej vj. 1578. 5) Ambashator i Venediknt në Stambollë.”

Gjithësesi, kryengritjet vazhduan herëpashere në forma të ndryshme në vazhdimësi përgjatë shekujsh deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë prej tyre. Për këtë ka dëshmi të shumta në formë kronikash, gojëdhënash e të regjistruara edhe në këngët epike folklorike që këndoheshin dhe janë kënduar deri shumë vonë nga rapsodët vendas. Njëri nga ata ka qenë edhe gjyshi im, që në netët e dimrit, aty pranë oxhakut të kullës së madhe të familjes sonë, merrte në duartë e tij çiftelinë dhe ia niste të këndonte gjithë ato këngë të mrekullueshme e ne i dëgjonim me kënaqësi dhe mjaft kureshtje. Pas çdo kënge ai vinte çiftelinë në prehrin e tij e na e tregonte ngjarjen fill e për pe, aq bukur siç dinte ai të tregonte. Unë u rrita dhe u ushqeva me ato këngë që në fëmijërinë dhe rininë time të hershme dhe i kujtoj me mjaft nostalgji ato çaste të mrekullueshme që na ngjalleshin asokohe.

Titujt e këngëve dhe tematikat ishin të shumta, por mbi të gjiitha spikatnin ato që kishin tematikë luftën kundër turkut. Nuk më kujtohen sot të gjithë titujt e atyre këngëve që kisha dëgjuar të këndoheshin nga gjyshi im dhe as përmbajtjet e tyre, se nuk u tregova aq i vëmendshëm t’i mblidhja dhe t’i sistemoja që në ato kohëra, por besoj se ndokush edhe mundet t’i ketë ruajtur një pjesë të asaj trashëgimie të pasur të folklorit tonë. Këtu po paraqes disa tituj që më kanë ngelur në kujtesë si “Kënga e Zek Jakinit”; “Djali i Pistullores”, “Këndon qyqja bregut Drinit”, “Ku këndon njaj zogu i zi”, “Shtatë shalianët” e ndonjë tjetër. Ndonjërën prej tyre mund ta paraqes këtu edhe si tekst, jo të ruajtur që në atë kohë, por të vjelë nga burime të ndryshme të kohës së sotme. Për kureshtjen e lexuesit po paraqes këtu ndonjërën prej tyre, origjinale, ashtu siç është vjelë dhe pa ndonjë korrektim letrar nga ana ime. Origjina e këtij materiali është marrë dhe është paraqitur nga Besnik Kopshti, grumbullues i vlerave historike dhe folklorike të zonës së Zadrimës dhe Bushatit dhe unë po e paraqes ashtu të pa redaktuar:

ZEKĘ JAKINI I BELTOJËS – SHKODĘR 

Zekë Jakini i Beltojës

▪Tash gadi 125 vjet, Zekę Jakini i Beltojas, ishte tuj shkue me
Kolę Gjo Vaten e Shkrelit
tu qela e Trûmshti (Trush) me pà Meshę ; kúr qe hasin nę
Prênk Micin
me tę cillin Kol Gjo Vata ishte kênę ngatrrue per shkajk tę nji mushkut .

• U xûne, e Zeka vret Prênken .

—- Si i shkoj lajmi Shkoders, çohet Kurt Begu e Harap Sokoli me ushtàr me xânę e me burgosun si Zeken si Kolen ;
por nuk u duel kulaqi me birę !

• Krisi pushka, gjimoj deti ,
Ne njat Trûmsh u bâ gazepi ,
Zef Jakini fort gajreti :
Fort gajreti, e sá mir qiti !
Njâ mâ tę mirin dekę e qiti ,
Probatinin s` e koriti ,
S` e koriti, se s` ish msue .

• Tre malcorę, qi janę mêndue ,
Per haber kan nisę nji grue ,
Vali Pashes ja kan çue .

• Vali Pasha thrret javerin ,
Me burí e mledhę asqerin .
Kurd beg qênin çoj e thirri ,
Gjallę o dekę t` a due ket niri .
Hiqu, Pashę, atí maraku ,
Tę dy vetę lidhę t` i bí per laku
Tuj i ngrehę zharg atí sakaku .
Kurd beg qêni, kuer ja mrrîni ,
Gjeshi shpaten prej florini
Tę tanę at vênd, tha, e perpini .

• Nuk po tutet Zekę Jakini .
Zekę Jakini ish kênę idhnaku
Nę Gjokę Mark Staken djalę oxhaku ,
Faqe e zezę e gjith bajraku ,
Qi preu mikun nę derę tę konaku .
Lerg ja njofti Zeka çehren ;
Sá nji grue s` e paska nderen .
E qet jashtę, i mshilka deren :
Pushken qet, largon poteren .

• Çę po rrî Zeka nę divanhane ,
Aman, Beg pashę jeten t` ânde ,
Bé kam bâ qi sę shkoj nę hapsane
Pá na ngrehun zharg per kame .

• Ktí Kurt beut ju qesh mustaku :
Hiqu, Zekę, atí maraku ,
Tę dyve lidhę u bí per laku
T` u ngrehę zharg atí sakaku .

• Zekę Jakini ish kênę idhnaku ,
P` r i dekikę i luejti gjaku ,
Rrokę martinen per konaku ,
E çoftę Zoti kû koftę haku .

• Çę po kuvêndin Kola e Zeka :
Me gajret po na vjen deka ,
Me kâ luftę si Turqt e Leka ,
M` u kndue nę kângę si â kndue Gjin Leka !

• Kúr u nis pushka batare ,
Pushkę e giatę e kapsulare ,
Karajfile lętinę magiare ,
Qet martinę e alltí patllare .

• Çka po i thotę Zeka Kurd begut :
Sot mę ké dalę n` at fushę t` bejlegut
Falę me shndet – o Pashuk Bregut ,
Falę me shndet Ndoc Kolę Mazrekut !

• Ky Kurd begu djalę i rí ,
Tę i ká zgiedhę do suarì ,
Te tanę trima tę tanę dajì ,
Harap Sokolin djalę zotnì . . . .

• T` êjten mrama me jacì
U thirr salla nę trì xhamì ,
Ká vrá Zeka dy zotnì !

○ pub. B.Kopshti / o19

Nuk po e marr mundimin për ndonjë shpjegim, ose ndonjë koment timin, se e ka bërë shkurt e bukur vetë i nderuari Besnik Kopshti që në publikimin e këtij materiali me mjaft vlera e që unë këtu shpreh respektin dhe mirënjohjen time për vlerat që ka dhe që i shpalos pa hezitim në rrjetet sociale. Më poshtë po paraqes edhe këngën “Djali i Pistullores” të kënduar nga shumë këngëtarë popullor edhe në kohët e sotme. Kështu edhe kjo këngë, e kënduar kudo në Zadrimë flet për trimërinë e djemnisë zadrimore në luftë të papajtueshme kundër sundimit turk. Këtu më poshtë po jap një variant të kësaj kënge.

Djali i Pistullores

Krisi topi gjimoi deti,
Thon’ se doli Molla Begu.
Kah vjen djalë-o prej Balldreni,
Në Zadrimë na u ngreh seferi.
Morè i biri i Pistullores,
I keq na u duke, trim na dole,
Me Brahimin ç’ u rrethove,
Kullë e bahçe pa gjak s’ i lshove.
Del Brahim në daç me dalë,
Se të çoj kál e te çoj shalë.
S’te due kál as te due shalë,
Por due djelm te Gazullorë
Që digjen me çark në dorë.
Del Brahim se u dogje, u dogje,
Porsi peshku në furrë u poqe,
Si bylbyli neper shtogje.
Hysen Begu kishte thanë ;
Nimò, Zot, per rrethin t’ anë.
Hysen Beg ç’ e ké bâ Brahimin ?
Del në Kreshtë e shifja tymin.

Siç shihet edhe nga kjo këngë përmenden mjaft detaje nga Zadrima e zadrimorët për qëndresën heroike kundër shtypjes e persekutimit nga pushtuesi e veglat e tij.

Mjaft domethënëse është edhe kënga kushtuar djalit trim nga Hajmeli, Dakut të Zef Prekës që u vra në luftë me turqit e udhëhequr nga Hasan Beg Bushati në kryengritjen e zadrimorëve në korrikun e vitit 1912

Në Hajmel ra pre ushtria
Tue ba gjak nëpër shtëpia
Hasan Begu një tradhtar
Po ban luftë me katundar.
Tan’ Hajmeli n’kamb asht çue
Kundër turqve me luftue.
Daku i Zefit me shok’ t’vet
Po ban luftë me Hyqamet
-Bini,burra, bani gajret
Sot ka ardh’ dita me vdek’
Se anmiku na ka msy
Me na djeg’ e me na gri.

Me që jemi tek folklori dhe paraqitjeve të tij për qëndresën heroike të popullit tonë në përgjithësi dhe të Zadrimës në veçanti, po paraqes edhe disa të tjera këtu më poshtë e kështu po paraqes edhe tekstin e një kënge tjetër e cila flet më shumë se çdo koment tjetër.

Kanga e Gjon Gjinit

Ky Gjon Gjini djali i ri

S’e ban nana shoq’n e tij.

Shokve t’vet u kishte pri.

Kasem Kotrri me zapti

Në katund po vjen me hi.

Në katund nderi dhetoshi

Ardh na ka pidatë i zi

Me shku malli për miri

Riza Begun e ka msy

Ruaj se t’vrau qaj djal i ri.

I dha martinës bri në bri

Bri në bri i dha martinës.

Tash të dalë t’dhetojë Zadrimën.

Ushton fusha, gjëmon mali,

Adem Maja u fut mas mandi,

Se trim djali qendres bani,

Vendi i huej po shpejt e hangri.

Çon xhenazen kajmekami.

Na vrau Krajni, u ba nami.

Kur na shkoi fjala n’at Shkodër

Mbet i shkreti Kasem Kotërr.

E vrau Gjon Gjini, nji burr i vogël.

Ky Gjon Gjini i krajnur

Fort po lut Zotin, Të lumin

Me i fal krahët si të pllumit.

Si pëllumi me fluturu

Shum asqeri m’ka rrethu,

N’kull t’Rrok Shtrjefnit m’kan nguju.

Shokt’e mi ju laça mallku!

Nji bidad ju kam largu

Si për vedi ashtu për ju.

Ma n’kotec mos me dhetu.

Gjok Llesh Gega fjalë ka çu

Lidhu Gjon, se t’kam rrethu

Mylazim si kam qëllu!

I sillet kulles tuj mendu

A me u zan, a me u damtu

Ma mirë dekë se n’haps me shku.

Kur duel Gjoni n’divanhane,

Dil Gjok Llesh, mor kopilhane!

Kam ba be se s’hy n’hapsane,

Për pa m’hjekun zharg për kame.

Ky Gjon Gjini e flet ka i’fjalë

Dil Gjok Llesh në daç me dalë!

Kur i dha martinës zjarr,

Kur i dha zjarrin martins,

E hodhi Dod Bibën n’kokërr t’shpins

Nji Gjon Gjin si ylli i dritës

Gjithmon tokën e shëndrit

Me asqer e me Mirditë.

Hije e keqe i mbet Mirditës

I mbet Mirditës, i mbet Oroshit

Shitet Gjon Gjinin për pare t’groshit

Me i marr gjakun Kasem Kotrrit

U dogj Gjon Gjini n’deng t’barotit

Me asqer t’Anadollit.

Pra kjo këngë epike flet për qëndresën e zadrimorëve në përpjekje për të mos iu bindur turkut për të paguar taksën e të dhjetave nga masa e fshatarëve zadrimorë. Siç e thamë edhe më parë se të paraqitnim vargjet e kësaj kënge, kjo nuk ka nevojë për koment, pasi flet qartë dhe mjaft kuptueshëm për trimërinë dhe guximin e zadrimorëve të thjeshtë: “E vrau Gjon Gjini nji burr i vogël” e ky varg flet vetë për masivitetin e luftës së zadrimorëve.

Një tjetër këngë flet për një tjetër ngjarje të ndodhur në Dajç të Zadrimës për protestën kundër taksave të rënda që turku u kishte ngarkuar zadrimorëve:

Kjo Zadrimë ç’na ka thanë

Kjo Zadrimë ç’na ka thanë

Isuf Doçin zabit s’e lamë.

Nuk e lamë Isuf Efandinë

Na shton pagë, na shton mirinë.

Trim na doli ky Martini

Hark e pushkë në dorë i ngrini

Mirinë mos me e pagu.

Pse t’ia japim pagen e mirisë

Për me ngi klysht e Turqisë?

Sarajt t’Dajçit i vunë zjarr.

Dogjën Isufin me gjithë zagarë.

Si kjo këngë, por me një shtrirje më të gjërë të luftës kundër turkut është edhe kënga e Shtjefen Preç Sallakut të cilën po e paraqes këtu më poshtë:

Shtjefën Sollaku – atdhetar

Shtjefen Sollaku atdhetar

Ndër komita del i parë

Kundër turq e pashallarë.

Me trimni ky zadrimur

Bashkë me Tomën e Hil Ndokën

Ushtrisë turke i vu pushkën.

N’Barbullush e Kakarriq

Disa herë luftuen me turq.

Nga Zadrima deri n’Shnin

Sulltanit asqerin ia grinë.

Turgut pasha kur ka ndigju

Shtjefnin me dekë e ka dënu.

Para dekës në at zerdanë

Amanet kto fjalë ka lanë:

“Të luftojmë na në çdo anë

Për liri të vendit tonë!”

Shtjefen Sollaku n’at zaman

Ka dhanë jetën për vatan!

Shtjefën Preç Sollaku - Copy (2)

Po kush qe Shtjefën Preç Sallaku në të vërtetë? Ishte nga Blinishti dhe ishte prijës i çetave komite të Zadrimës. Nga ana tjetër, ishte edhe kryeplaku i fshatit si dhe koordinator i disa kuvendeve mbarëpopullore të Zadrimës në organizimin e kryengritjeve të armatosura kundër pushtimit turk. Më 18 Maj 1911 ai organizoi kuvendin e Zadrimës në Nënshat në vendin e quajtur Suka Zenahe ku sipas gojëdhënave, morën pjesë 53 burra krerë të fshatrave të Zadrimës dhe me influencë tek popullata vendase. Aty u vendos që të fillonte një kryengritje e përgjithshme mbarëpopullore duke filluar së pari me ngritjen e çetave të komitave. Në krye të atyre çetave u vu vetë Shtjefen Preç Sallaku. Komita e drejtuar prej tij organizoi disa sulme dhe më i përmenduri ishte ai i djegies së sarajeve të turkut në Dajç. Në garnizonin turk që strehohej aty në sarajet turke të Dajçit shërbenin edhe zadrimorë të besimit islam e këta bashkëpunuan me komitat duke u treguar se ku ishin pikat më të dobëta që duheshin sulmuar. Komitët, në fshehtësi të plotë hapën një vrimë në pjesën e pasme të sarajit, aty ku ishte depoja e barutit dhe hodhën zjarr brenda objektit. Ushtarët turq dolën jashtë godinës ashtu të alarmuar dhe të zënë në befasi, por komitët që u kishin zënë pritë, i grinë me batare pushkësh dhe pati një gjakderdhje mjaft të madhe.

Nga kjo betejë e përgjakshme, turqit krijuan një ekspeditë ndëshkimore për Zadrimën duke dërguar fshat më fshat forca të shumta me ushtarë dhe duke bërë reprezalje e sidomos në Nënshat ku mendohej se ishte çerdhja kryesore e komitave e sidomos vendstrehimi i tyre në malin e Nënshatit. Aty dogjën shtëpi, morën pengje dhe i torturuan, por komitët kryengritës nuk qëndruan duarkryq. Ata u hodhën në sulm duke çliruar pengjet dhe duke u krijuar humbje të tjera forcave turke të shpartalluara nga ky sulm. Dëshmitarë okularë të atyre kohërave kanë dëshmuar në momente të ndryshme dhe në kohë të ndryshme. Kështu, shkrimtari shkodran, biografi i Ndre Mjedës, Mentor Quku, tek vëllimi “Mjeda 7”, në faqet 110-111 na sjell rrëfimet vetiake të një banori nga Kakarriqi, Gjokë Mark Staka, i cili, pasi flet për disa rrethana të tij familjare, flet edhe për përpjekjet dhe luftën e përgjakshme që në ato kohëra, rreth gjysmës së vitit 1912 Çeta e Bregut kishte zhvilluar me forcat turke. Këtu më poshtë po paraqes disa foto marrë nga ky libër për ilustrim para lexuesit:

This image has an empty alt attribute; its file name is thumbnail_thumbnail_img_4279.jpgThis image has an empty alt attribute; its file name is thumbnail_thumbnail_img_4279-2.jpgThis image has an empty alt attribute; its file name is thumbnail_img_4279-3.jpgThis image has an empty alt attribute; its file name is thumbnail_img_4283.jpg

Aty nga fundi i gushtit 1912 komita organizoi prerjen e linjave telefonike që lidhte Lezhën me Dajçin e më tej dhe kështu u paralizua ndërlidhja e ushtrisë turke e për pasojë edhe mundësia e koordinimit të veprimeve luftarake kundër komitave në Zadrimë, por edhe në zonat e tjera të Veriut. Për këtë shkak forcat turke me shumë ushtarë ndërmorën një ekspeditë tjetër ndëshkuese dhe kësaj radhe në zonën e Blinishtit ku bënë mjaft reprezalje e duke marrë pastaj mjaft burra si pengje. Mes tyre, me pabesi dhe me tradhti, morën edhe kryeplakun e Blinishtit, Shtjefen Sallaku, që ishte edhe kryetar i komitëve. Gjatë rrugës për në kala të Shkodrës e rrahën dhe e torturuan për vdekje e pastaj vdiq pak kohë pasi e kishin dërguar atje. Pra, në njëfarë mënyre, edhe ky ishte një Çerçiz Topull i Zadrimës, po historia e njëanshme nuk dënjoi të shkruante as edhe dy fjalë për të e as për bëmat e tij e të komitave zadrimore, madje as edhe për koinçidencën gati të habitshme se që të dy vdiqën pikërisht në Shkodër dhe jo në vendet e tyre të lindjes.

Të njëjtat fjalë mund të thosha edhe për Llesh pjetër Bajraktarin e Kallmetit që në mjaft raste lëshoi kushtrimin dhe u priu kryengritësve në sulme të herëpashershme kundër turqve. Por historia nuk i ka përfshirë në analet e saj dhe për të vetmen arsye se që prej Ilirisë dhe deri në ditët e sotme mbajten emrin katolik e të pandryshuar në Çerçiz, Rrapo, Hodo, Zenel, Zigur, Selam, Ali, Muhamet, Bajram a diçka tjetër, por Llesh, Shtjefën, Dodë, Mark, Pal, Ndue, Mati, Gjokë, Gjon, Fran apo Gjergj…duke mos e këmbyer për asnjë arsye krishtërimin me islamin, duke mos iu përkulur pushtuesit, por duke iu kundërvënë atij me të gjitha mjetet e mënyrat e mundshme.

Diktatura hoxhiste, jo vetëm që nuk i vlerësoi përpjekjet e tyre për liri e pavarësi, por bëri çmos t’ua mohonte vlerat e larta patriotike të tyre edhe për një arsye tjetër, pse ata ishin njëri kryeplaku i njërit prej fshatrave më të mëdhenj të Zadrimës e krytari i komitës zadrimore dhe tjetri bajraktar i disa fshatrave dhe që ishte prijës i tyre në luftë e përpjekje, gjithnjë kur ua kërkonin nevojat dhe interesat e Atdheut.

Le të hedhim edhe një objeksion tjetër. Me shumë të drejtë vëllezërve frashërllinjë u janë ngitur bustet e përmendore, jo vetëm në Frashër të Dangëllisë, por edhe në shumë vende të tjera që përfshijnë hapësirat tona kombëtare, pse ata kontribuanë për kombin me mënyrat e tyre, kush me poezi, kush me shkrime e kush me diplomaci. Më i vogli prej tyre, Samiu, dha një kontribut të çmuar edhe për kombin turk duke hartuar e shkruar enciklopedinë e Turqisë, por kjo nuk ia zbehu vlerat dhe meritat dhe është vlerësuar e nderuar mjaftueshëm edhe nga kombi të cilit i përkiste si origjinë.

Po si ka ndodhur me patriotë të tjerë katoliko-veriorë? Po. Krejt ndryshe nga ç’e meritonin ata të vlerësoheshin, sidomos pjesa më e madhe e tyre. Kështu ka ngjarë me Poetin tonë Kombëtar, Gjergj Fishta, të cilin e dhunuan dhe e përsekutuan edhe pas vdekjes së tij duke ia nxjerrë eshtrat nga varri dhe duke ia hedhur në ujët e lumenjve vetë për faktin se ngriti zërin e tij të revoltës kundër serbëve, malazezve e rusëve të moskovit kur kishin shtrirë kthettrat e tyre drejt trojeve shqiptare për t’i copëtuar në njëqind grima. Nuk bëhej fjalë për t’i ngritur buste e përmendore, përkundrazi, ia dhunuan edhe ato që ia kishin ngritur idhtarët e tij, ia errësuan sa mundën kontributin dhe vlerat e tij patriotike. Asnjëherë nuk iu përmend pesha e tij kombëtare në të gjitha veprimtaritë politike e patriotike. Arritën deri aty sa edhe fotot e tij me personalitete të tjera patriotike të kohës t’ia fshinin dhe ta zhduknin si figurë kudo që ishte. Busti i Gj. Fishtës i dhunuar në sistemin komunistSiç e shikoni, kjo foto paraqet bustin e dhunuar të Gjergj Fishtës dhe të hedhur në lumin Drin ku për rastësi e gjen aty Ndoc Hilë Ndoi nga Troshani, i cili në fshehtësi të plotë e merr dhe e ruan me shumë dashuri, por me kujdes të jashtzakonshëm që të mos diktohej nga regjimi diktatorial hoxhist, se ndryshe do të persekutohej barbarisht.

Por nuk duhet “t’ia hamë hakun” regjimit hoxhist për disa nga figurat e shquara patriotike të epokës së Rilindjes dhe të Pavarësisë e këtu mund të përmendim Ndre Mjedën që u nderua deri-diku mirë nga ai regjim edhe për faktin se nuk pati shkruar keq për sllavët e Jugut e as për bolshevikët e Stalinit. Po kështu u nderua edhe patrioti i shquar Luigj Gurakuqi që për fatin e tij të keq, apo të mirë(këtë nuk mund ta them megjithse shpirtërisht e ndjej, por etikisht s’mund ta shpreh) u vra pabesisht në vitin 1925. Po ta kishte pasur fatin e të jetonte të paktën edhe njëzet vite të tjera, sot do të kishim jo emrin e tij për një nga universitetet kryesore të vendit atë të Shkodrës si dhe për shkollën normale të Elbasanit, por emrin e ndonjë dërvishi apo myftiu; Akti i shpalljes së Pavarësisë si autor të hartimit të tij sot do të kishte si autor ndonjë hoxhë të Gjirokastrës, edhe pse origjinali do të ishte në një shkodranishte të pastër e të bukur letrare të asaj kohe. Kjo nuk është thjesht një hipotezë e imja, por një aksiomë katercipërisht e vërtetë, se është vërtetuar me mjaft figurat të tjera që patën fatin ta kapnin vitin 1945 si Padër Anton Harapi, Ernest Koliqi, At Zef Pëllumbi e shumë e shumë të tjerë si ata.

Pakkush ka lexuar poezitë e rralla dhe të papërsëritshme të Vinçens Prendushit, pse për kohën e diktaturës ishin tabu dhe heretike t’i lexoje e as t’i kishe në biblioteka haptas, ashti siç ishin poezitë Lasgush Poradecit, Nonda Bulkës e ndonjë tjetri. Gjithashtu, po të mos kishte vdekur në moshë fare të re e të jetonte edhe pak më shumë kohë poeti i revoltës Migjeni, “Vargjet e lira” të tij nuk do të ishin të lira më për t’u lexuar lirisht dhe as “Novelat qytetase”, pasi do të pësonte fatin e Havzi Nelës, pse Lulët e Vocër do të ishin po ata e në mos më shumë e më të rreckosur se heroi i tij e poeti do ta shprehte medoemos revoltën e tij edhe ndaj regjimit të Hoxhës siç e kishte shprehur ndaj regjimit të Zogut. Edhe kjo nuk është hipotezë e hedhur ashtu rastësish nga unë, por aksiomë e provuar me rastin Nela.

Kështu, pra, përpjekjet patriotike dhe luftërat e vazhdueshme që u organizuan nga kleri katolik, kryesisht në Veri e në veçanti në Zadrimë e Mirditë, jo vetëm që nuk u vlerësuan, por u bënë përpjekje të vazhdueshme të errësohen. Nuk mbeti komit, cub a partizan që të mos që të mos i ngrihet bust a lapidar në Jug. U xhiruan filma mbas filmash me komandant Rrapo e me Lilo Labo, me Mato Gruda e me Ibrahim Kovaçë, e me partizanë që shkonin për të përhapu këngët partizane, por për Veriun, “të mos u hyjmë në hak” u xhirua “Komisari i dritës” e “Besa e kuqe” që mirditorët i nxirrte reaksionarë e tradhëtarë së bashku me kapedanët dhe bajraktarët; priftërinjtë si Dom Pali e ndonjë tjetër si injorantë e imoralë të paskrupull. U xhirua edhe “Toka jonë” pse duheshin fshikulluar pasanikët veriorë e, nga ana tjetër, duheshin justifikuar reformat hoxhiste agrare.

Me gjithë këto përpjekje titanike për t’i errësuar luftërat e përpjekjet e zadrimorëve e mirditorëve për liri e pavarësi, populli nuk i harroi kurrë, por i përjetësoi në memorien e tij si dhe në folklorin e tij të pasur, por edhe aty u bënë mjaft përpjekje që të mbetnin në errësirë të thellë e të mos e shihnin dritën e diellit. Këngët bëmave të trimave dhe të heronjve, cilësoheshin si këngë kushtuar reaksionarëve dhe nuk lejoheshin të këndohen, pse kishin qëlluar që ata trima luftëtarë të kishin pasur ndoshta edhe titullin “bajraktar” apo “kapidan” thua se titulli “bajraktar” apo “kapidan” në Veri nuk ishte i barabartë me titullin “kapadan” në Jug. Pinjollët e mëvonshëm të këtyre heronjve, jo vetëm që nuk do të ndjeheshin krenarë për origjinën e tyre, por do të ndëshkoheshin në Diktaturë me burgime e me internime e kur t’u përmendej origjina e tyre apo titulli i dikurshëm, paradoksalisht duhej ta ulnin kokën si “të turpëruar”. Megjithë përpjekjet për t’i errësuar ato luftëra e përpjekje të zadrimorëve, përsëri ato ishin evidente, pasi “Vela nuk mund të futej në shishe”, siç zadrimorët e përdorin si shprehje. Ato luftëra e përpjekje ishin të shumta dhe të lavdishme.

Mund të flisnim gjatë për përpjekjet e zadrimorëve e këtu mund të sjellim edhe mjaft shembuj të tjerë të atyre luftërave të përgjakshme që bëri populli i Zadrimës, po këtu nuk po bëj historianin. Këtë le ta bëjë dikush tjetër. Unë veç po bëj konstatimet e mia analitike dhe vetëm kaq.

Për luftën e qëndresën e fortë të zadrimorëve kundër turkut ka shkruar edhe i madhi Gjergj Fishta tek libri i mirënjohur “Lahuta e Malsisë” që me shumë të drejtë është cilësuar edhe si Iliada Shqiptare. Aty ai e paraqet me pak vargje tablonë heroike zadrimore duke përmendur disa nga luftëtarët e shquar zadrimorë. Ja si shkruan ai aty:

Moti shkon, por që n’ditë t’sodit
Që po lypet me ngrefë krye
Kundër turqve me luftue.
Me armë n’dorë, Kren’ e t’Par’
T’Zadrimës,sa kjenë mbarë
Kan’ lanë shpijat me hambar
Edhe n’mal “komitë” kan’ dalë
Kush me djalë, kush më mahallë.
Ka ra n’mal, po Mati Gjoka,
Prek Matia i shpis ‘s’Milotit ,
Qaj Zef Preçi e qaj Lekë Ndoka,
Gjon Ndue Vokrri burrë si motit,
Marka Tuku, uk shkorretit,
Mark Pashuku e Shtjef Haberi,
Qaj Kin Ndoci e Gjokë Dodë Goshi,
Gjoka i Tukut e Ndrecë Leci.
Që n’Hajmel, Rraboshtë, Kallmet
Shumë asqer banë me dekë.

Blinishtas

Pra, siç shihet edhe nga mjaft fakte të të gjitha llojeve që solla ndërmend aty më sipër, bazat për ta paraqitur me mjaft realizëm historinë, janë të forta dhe të mirëmbështetura, por, siç duket, ende pas 30 vjet çlirim nga diktatura komuniste heshtet dhe nuk e di sa gjatë do të vazhdojë kjo heshtje e pakuptimtë dhe e njëanshme. Le të shpresojmë se e ardhmja do ta thotë fjalën e saj drejt e saktë e jo vetëm për Zadrimën, po për të gjithë popullin shqiptar në çdo vend e krahinë, le të shpresojmë se do të lindë vullneti i mirë dhe do të rishikohet historia e do të vihet në baza reale dhe jo më me njëanshmëri.

E kam theksuar disa herë dhe përsëri po e ritheksoj se unë nuk jam një historian e për pasojë nuk pretendoj ta di mirë historinë, as atë reale dhe as atë të shkruarën në libra, ndaj dhe nuk mund të nxjerr saktësime se çfarë është shkruar e çfarë nuk është shkruar edhe për zonat e tjera që e rrethojnë Zadrimën, apo diçka më përtej saj në Veri, por mendoj se kudo ka mjaft mangësi dhe paraqitje të njëanshme. Kjo bazuar edhe mbi bazën e folklorit mjaft të spikatur që kanë edhe krahinat e tjera. Le të kujtojmë këtu dy nga emblemat e folklorit tonë dhe kryesisht të këngës “Hajredin Pasha po i bien Radikës” e njohur në të gjithë kombin si dhe “Treqind duvakët e Lurës” që nuk e besoj se duan ndonjë koment e shpjegim të veçantë, po nuk e di se çfarë historia ka shkruar e paraqitur për ato ngjarje sa të bujshme, aq edhe heroike që populli i Dibrës pati në qëndresën e tij kundër pushtimit turk.

Për qëndresën zadrimore kundër pushtusit dhe sidomos atij turk, flet qart e pastër edhe kjo foto që shihnikëtu poshtë:

Ll. Prendi-Arkiv Nga kisha e Dajçit shumë vite para ÇlirimitEdhe kjo foto e arkivuar dhe e ruajtur nga mjeshtri Llesh Prendi flet shumë dhe jo vetëm për pasionin që ai kishte dhe ka për fotografinë dhe artin e saj, por na tregon edhe rrugën e saj në vite. Është një foto që e kalon shekullin që nga koha kur ajo është shkrepur dhe aty shfaqen mjaft dukuri të asaj kohe. Siç shihet, aty paraqitet dera hyrëse e Kishës së Rruzars në Dajç dhe pamjet në mënyrë mjaft të pastër flasin shumë për shumë detaje të kohës që mund të shpjegohen fare lehtas. Një grup burrash zadrimorë vendosur në të dyja anët e derës me pushkë në dorë, por edhe të mbështetura për mbas murit të kishës, vigjëlojnë që njerëzit brenda kishës të mos zihen në befasi. Atje nuk kishin shkuar për të bërë roje, por për t’u lutur, veçse radha për atë ditë u ishte për të vigjëluar, se ishte koha e pushtimit turk dhe turqit e kishin prej shumë kohësh të dislokuar në Dajç një garnizon turk që ishte i paparashikueshëm në sulme bafasuese ndaj popullatës, prandaj edhe duhej ruajtur. Gjithashtu, armët kurrë nuk lejoheshin të futeshin brenda kishës, prandaj ishin aty të mbështetura pas murit të kishës dhe me njerëz që ruanin me mjaft kujdes. Nuk është gjë çudi që aty mund të kishte edhe kmitë që luftonin kundra turkut dhe poluteshin brenda kishës e jashtë kishin lënë disa roje që të mos ziheshin në befasi.

Le të shohim këtu më poshtë edhe një objeksion tjetër. Të gjithë shqiptarët sot kanë një festë kombëtare për shkollën dhe arsimin shqip. Shumë bukur! Edhe arsimi dhe shkolla shqipe duhet ta kenë ditën e tyre të shënuar. Por a është e saktë se shkolla e parë shqipe u hap pikërisht më 7 Mars 1887? A kishte më parë shkolla shqipe? Në qoftë se po dhe historia i ka evidentuar edhe më parë mbi bazën e fakteve dhe të dokumentave kokëforta e të pakundërshtueshme, pse pra pikërisht njihet mësonjtorja e Korçës si shkolla e parë shqipe?

Kur kemi studiuar letërsinë shqipe, kemi studiuar edhe për krijimtarinë e Frang Bardhit, por nuk na është thënë dhe as evidentuar se në bazë të relacioneve të tij në vitin 1639, gati 250 vjet më parë se të hapej mësonjtorja e parë shqipe në Korçë, ishte hapur në Blinisht të Zadrimës një shkollë e mesme në gjuhën shqipe. Unë i mora mësimet e para në shkollën e Blinishtit aty nga fillimvitet ’60 në shekullin e kaluar, por kurrë nuk e mësova se më shumë se treqind vjet më parë Blinishti kishte pasur një shkollë të mesme. Nuk e dita as kur aty nga viti 1985 deri më 1988 isha edhe si mësues i gjuhës dhe letërsisë i asaj shkolle dhe mendoj se më mirë që nuk e dija, pasi nuk do të rezistoja pa ua thënë këtë fakt edhe nxënësve të mi e ndoshta do ta kisha pasur një transferim të shpejtë në Spaç të Mirditës e jo për të mësuar fëmijë, po për të rrokullisur gurë kromi a bakri në galeritë e minierave të atij vendi që u bë ferri tokësor i mjaft shqiptarëve që guxuan të mendojnë pak më ndryshe se sistemi komunist.

Nuk e di nëse sot u thuhet nxënësve të të gjitha niveleve se aty ka pasur gati katërqind vjet ma parë edhe Blinishti shkollën e tij në gjuhën shqipe. Nëse jo, kjo, mendoj unë, është mjaft e pafalshme, por besoj shumë se tashmë bëhet e ditur, se nuk ka asnjë arsye për ndryshe, se nuk ka më asnjë pengesë dhe s’do të kishte asnjë persekutim nga askush, po t’u flitet edhe për atë histori nderi e lavdie.

Pak më sipër solla një fakt për simbolin e arsimit shqip dhe si ditë përkujtimore. Shumë bukur! Le ta gëzojmë atë ditë të shënuar si datë historike! Kemi parë, gjithashtu edhe mjaft filma të “realizmit socialist” që i janë kushtuar arsimit në shqip në Jug të vendit dhe këtu po ju sjell në mendje disa nga ato si: “Mësonjtorja”; “Udha e shkronjave”; “Buka dhe helmi” a diçka tjetër që në qendër ka vrasjen e mësuesit patriot Petro Nini Luarasi, etj. Po për shkollat në Veri. Po. Është edhe filmi me titull “Komisari i dritës” për Ndrecë Ndue Gjokën, “Mësuesin e Popullit” nga Mirdita që u përpoq të hapte pesëdhjetë shkolla në Mirditë pas Çlirimit nga nazi-fashistët. Edhe këtu feja dhe kleri në rol negativ.

Si qëndron e vërteta?

Gjimnazin e Blinishtit në vitin 1639 e hapën fretnit françeskanë të Troshanit, por kjo nuk mund të evidentohej nga regjimi komunist. Po a ishte gjimnazi i Blinishtit i vetmi gjimnaz, apo shkollë shqipe dhe vetëm kaq? Jo! Shumë kohë para dhe më pas kishte pasur dhe pati shkolla shqipe në mjaft vende, sidomos në Veri, anipse aty, krahas gjuhës shqipe, mësohej edhe latinishtje, gjuha e kulturës, e dijes dhe e shkencës së asaj kohe. Edhe sot në shkollat shqipe mësohen gjuhë të huaja. Mos vallë duhet ta paragjykojmë shkollën e sotme si shkollë jo shqipe pikërisht për këtë arsye? Nuk besoj se duhet të arrihet në atë absurditet.

Le të marrim edhe një fakt tjetër: Më 5 Mars 1555 Gjon Buzuku shkroi një libër voluminoz krejt në gjuhën shqipe të titulluar “Meshari”. Pse në shqip? Pse fundja një vepër aq voluminoze edhe pse fetare? Për kë e shkroi? Kush do ta lexonte, po të mos kishte kush që të dinte ta lexonte shqipen tonë të bukur? Janë pikëpyetje që mund të na çojnë në një përfundim, në atë që shkollat shqipe duhet të kenë ekzistuar dhe duhet të kenë nxjerrë kontigjent të mundshëm për të lexuar shqip. Le të kujtojmë kumtin e autorit të atij libri për ta parashtruar qëllimin pse ai e shkroi atë libër: “U Doni Ghoni, hi biri hi Bdek Buzukut, tue kutuom se gluha on a e bdarrun…” Shihet qartë se ai e shkruan këtë libër jo thjeshtë për klerikët që ta thoshin meshën e shenjtë në shqip, por për të gjithë ata që dinin ta lexonin shqip librin e tij.

Na jepet edhe një fakt tjetër. Sipas shkrimtarit dhe studiusit të mirënjohur zadrimor Daniel Gazulli në shkrimin e tij me titull: “Dhunimi i gjuhës shqipe”, krahas shkollave shqipe të hershme të organizuara nga kleri katolik në shumë vende, në Shqipërinë e Veriut dhe kryesisht në Obot kishte që në vitin 1493 një shtypshkronjë e kjo nuk kishte se si të ishte rastësisht aty. Aty më poshtë po paraqes një foto të atij kumti dhe nuk po i bëj ndonjë koment të veçantë, pasi vetë autori i atij shkrimi e thekson bukur dhe dukshëm.Danieli- gjuha shqipe

“ ….. Veriu u identifikue me Kishën Katolike (që i bante e i ban nder pse si asnji simotër e saj ka dhanë ndihmesë të paçmueshme e të paçmueme si në ruejtjen e gjuhës e të kulturës amtare, ashtu edhe në përhapjen e kulturës europiane, jo që ka qenë nxitësja kryesore e lëvizjeve për liri), e si kundërshtare e kolerës së kuqe u masakrue ma barbarisht se askund tjetër në botë. Shkruan ai e më tej shton:Veriu u identifikue me Kishën Katolike (që i bante e i ban nder pse si asnji simotër e saj ka dhanë ndihmesë të paçmueshme e të paçmueme si në ruejtjen e gjuhës e të kulturës amtare, ashtu edhe në përhapjen e kulturës europiane, jo që ka qenë nxitësja kryesore e lëvizjeve për liri), e si kundërshtare e kolerës së kuqe u masakrue ma barbarisht se askund tjetër në botë. E u mohuen shkollat. Na del se e para shkollë na paskish qenë themelue aty kah fundi i shekullit XIX në Korçë, kur të dhana të drejtpërdrejta e sidomos të tërthorta na mësojnë se shkollat në këto anë duhet të kenë mbi dymijë vite. “Na shkronjat i morëm prej Ilirëve”, thotë Plini. Janë të dokumentueme shkolla të mesme të pakten në shekullin XVII në mbarë Veriperëndimin. Në Obot kishte shtypshkronjë qysh më 1493. Çka kishte me ju dashtë shtypshkronja nji populli që nuk di me shkrue e me lexue? Por jo, zotnijë, jo, na nuk duhej të kishim rrajë, a t’i kishim ato sa ma të pakta, sa ma të cekta, që të shpallnim ardhjen e Zeusit të Kuq si shpëtim e përparim për këtë Vend.” (D. Gazulli “Dhunimi i gjuhës shqipe”)

Sot ekzistojnë mjaft fakte dhe dokumenta që e mbështesin thënien e mësipërme e studiues të ndryshëm po gjurmojnë dhe hulumtojnë me të dhëna autentike të nxjerra nga arkivat kishtare që Vatikani disponon. Një ndër ta është edhe studiuesi Mark Palnikaj i cili, në një intervistë të gjatë tek “Shqiptarja.com” na jep mjaft fakte për arsimin shqip në kohë dhe epoka të ndryshme. Pa ndonjë zbukurim apo koment të veçantë po paraqes një fragment të shkëputur nga intervista e tij duke ruajtur me përpikmëri autenticitetin e këtij dokumenti:

“… Ka një hendek këtu nëse kujtojmë se shkolla ka pasur edhe më herët si shkolla nё Ulqin (1258) dhe nё vazhdim nё Durrёs (1278), dy shkolla nё Shkodёr (1345 dhe 1395), në Tivar (1349), në Pult (1367), në Drisht (1396), duke vazhduar nё shekujt XV-XVIII me shkolla tё tjera nё Shkodёr, Lezhё, në Stubёll (1584), Trafandinё, Kunavi, Dibёr, Prizren, Shkup, Elbasan, Ohёr etj. Kёto tё dhёna dёshmojnё se nё ato shekuj tё shkuar, kisha katolike albaneze me françeskanёt nё vijёn e parё, i zhvillonin tё gjitha ritet fetare nё gjuhёn albaneze, andaj populli i frekuentonte kishat e kuvendet me dёshirё, duke marrё pjesё aktive nё meshat, pagёzimet, katekizmat, kresmat, nё celebrimin e martesave etj. Jo vetёm kaq, por françeskanёt kontribuan dhe nё hapjen e shkollave nё gjuhёn albaneze.“ si më 1416 shkolla në Shkodër. Dokumentet e zbuluara shkruajën për këto shkolla, ja nëjri prej tyre: “La scuola overo frataglia de Santa Barbara; la scuola overo frataglia de San Mercurio; la scuola overo frataglia de Santa Croce”. Në vitin 1584 u themelue Shkolla shqiptare nga klerikë katolikë në Stubllë(afër Gjilanit- fshat i Malësisë së Karadakut) i njohun si Kolegji i Shën Lukës në Kosovë. Në vitin 1632, hapja e shkollës shqipe të Kurbinit nga Imzot Gjon Kolesi. Në vitin 1638, Etërit Françeskanë hapën një shkollë në Shkodër dhe në Pllanë. Në vitin 1639, Fretërit e Troshanit hapën shkolla në Blinisht dhe në Zadrimë. Krijimi i këtyre shkollave në gjysmën e parë të 600-ës rrjedh nga një interes i ndjeshëm për zhvillimin e arsimit.”

Më poshtë na jepet një faksimile e shkëputur nga parathënia e një abetareje shqip të hartuar nga Andrea Bogdani gati katër shekuj më parë.

Arbëror - CopyArbënor i dashur, këtë gramatikën e shkrova për zotninë tënde”…..

     Si konkluzion nxjerrim se në të dyja përpjekjet e mëdha dhe të vazhdueshme të shqiptarëve në përgjithësi dhe të Zadrimës në veçanti, për liri e pavarësi si dhe për shkollim për gjatë gjithë pushtimit turk protagonisti kryesor e udhëheqës ka qenë gjithnjë kleri katolik. Ai organizoi herëpashere kryengritje të armatosura e, gjithashtu u përpoq të hapte shkolla në gjuhën shqipe kudo që mundej ta krijonte një hapësirë të mundshme.luftëtar zadrimorPrekë Miloti37978483_1990750360937295_7391284033721729024_n - Copy-800-0-329967fab339eb853fd0b17d348fda62

 

 

4 mendime mbi “HESHTJA E HISTORISË PËR ZADRIMËN

  1. Nje shkrim shume i bukur, me detaje per luften qe eshte bere ne Zadrim, per harresen e rregjimit per luften dhe perpjekjet e zadrimorve per liri e per atedhe , mbi te gjitha hapja e shkolles se mesme ketu e 250 vjete me pare ne Blinishte . I NDERUAR PROFESOR Toma NUK ESHTE HERA E PARE QE JU BENI ANALIZA SHUME TE SAKTA per historin e zadrimes te lumte. Por me cudit fakti se zadrima ka shume historiajn po si nuk e shkruajn nje fjale dhe nuk bejne qofte dhe nje komente per shkrimin tuaj shume te saket. Mu si zadrimor nuk me ngelet vec te falnderoj nga zemra per kete se cfare na keni shkruar. FALEMINDERIT me shume respèkt Llesh Prendi

    Pëlqyer nga 1 person

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s