Jo rrallë, po gjithnjë e më shpesh, sidomos këto kohët e fundit, ndeshim me dukuri gjuhësore të gabuara në përdorimin gramatikor të foljeve. Kjo gjë vërehet, jo vetëm në komunikim gojor, por edhe në të shkruar. Rastet janë të shumta, por këtu po paraqesim një dukuri sidomos në përdorimin e gabuar të foljeve në vetën e tretë njëjës në kohën e tashme të mënyrës dëftore, lidhore dhe kushtore.
Në foton e mësipërme foljet e nënvizuara janë përdorur në formën joveprore, por janë përdorur në formën e gabuar. Për ta konceptuar më saktë, le të bëjmë analizën morfologjike të tyre:
të bëhesh – folje; mënyra lidhore; koha e pakryer; veta e tretë; numri njëjës. Por kjo folje nuk është vendosur me mbaresat e vetës së tretë njëjës. Saktësisht ka marrë mbaresën e vetës së dytë njëjës në kohën e tashme. Shikojmë kontekstin e përdorimit: Cili filloi të bëhej? Përgjigjja është: ai(oazi) dhe jo ti.
jetohesh – folje; mënyra dëftore; koha e pakryer; veta e tretë; numri njëjës. Përsëri është përdorur si folje e vetës së dytë njëjës koha e tashme. Shikojmë kontekstin e përdorimit të kësaj foljeje: Cili/cila jetohej? Përgjigjja: mënyra e jetesës.(ajo) e jo ti.
mbyllesh – folje; mënyra dëftore; koha e pakryer; veta e tretë; numri njëjës. Edhe? kjo folje ka marrë mbaresa si folje e kohës së tashme të vetës së dytë njëjës. Shikojmë kontekstin e përdorimit: Cili mbyllej? Përgjigjja: njëri sy(ai) dhe jo ti.
Këtu më poshtë po sjellim edhe një shembull tjetër me këtë foto:
do bëhesh – folje; mënyra kushtore; koha e tashme; veta e tretë; numri njëjës. Si përdorim ka qenë i gabuar, pasi është përdorur si e vetës së dytë e kohës së ardhshme e mënyrës dëftore. Por ka edhe një tjetër përdorim të gabuar, se mungon pjesëza “të” që duhej përdorur në këtë rast, por nuk po e theksojmë këtë gjë, nga që objekti është tjetër. Këtu nuk po i analizojmë edhe gabimet e tjera, sidomos në pikësim.
Si këto raste mund të sjellim edhe plot shembuj të tjerë, por për momentin le të shohim se si zgjedhohen këto folje në formën joveprore, formë në të cilën janë vendosur foljet e mësipërme:
Mënyra dëftore
koha e tashme koha e pakryer
unë bëhem; jetohem; mbyllem bëhesha; jetohesha; mbyllesha
ti bëhesh; jetohesh; mbyllesh bëheshe; jetoheshe; mbylleshe
ai/ajo bëhet; jetohet; mbyllet bëhej; jetohej; mbyllej
ne bëhemi; jetohemi; mbyllemi bëheshim; jetoheshim; mbylleshim
ju bëheni; jetoheni; mbylleni bëheshit; jetoheshit; mbylleshit
ata/o bëhen; jetohen; mbyllen bëheshin; jetoheshin; mbylleshin.
Duhet të bëjmë një sqarim: folja “jetoj” si zakonisht nuk përdoret në formën joveprore, sidomos për vetën e parë njëjës dhe shumës, por e paraqita aty vetëm si shembull mbaresor dhe asgjë më shumë. Le të shohim edhe zgjedhimin në kohën e ardhshme të mënyrës dëftore për foljet: bëhem, mbyllem:
unë do të bëhem; do të mbyllem ne do të bëhemi; do të mbyllemi
ti do të bëhesh; do të mbyllesh ju do të bëheni; do të mbylleni
ai/ajo do të bëhet; do të mbyllet ata/ato do të bëhen; do të mbyllen.
Le t’i shohim këta dy folje të zgjedhuara në mënyrën lidhore dhe kushtore:
mënyra lidhore
koha e tashme koha e pakryer
unë të bëhem; të mbyllem të bëhesha; të mbyllesha
ti të bëhesh; të mbyllesh të bëheshe; të mbylleshe
ai/ajo të bëhet; të mbyllet të bëhej; të mbyllej
ne të bëhemi; të mbyllemi të bëheshim; të mbylleshim
ju të bëheni; të mbylleni të bëheshit; të mbylleshit
ata/ato të bëhen; të mbyllen të bëheshin; të mbylleshin.
mënyra kushtore
koha e tashme
unë do të bëhesha; do të mbyllesha; ne do të bëheshim; do të mbylleshim;
ti do të bëheshe; do të mbylleshe; ju do të bëheshit; do të mbylleshit;
ai/ajo do të bëhej; do të mbyllej ata/o do të bëheshin; do të mbylleshin.
Nga tabelat e mësipërme shohim se mbaresën -hesh e ka vetëm veta e dytë në numrin njëjës të kohës së tashme si në mënyrën dëftore, ashtu edhe në mënyrën lidhore si dhe në vetën e dytë numri njëjës të kohës së ardhshme të mënyrës dëftore. Në vetën e tretë njëjës ka tjetër mbaresë dhe jo ato mbaresa që janë paraqitur në fragmentet e fotove të mësipërme. Më poshtë po paraqesim edhe disa shembuj me foto fragmentesh të ndryshme me përdorime të gabuara edhe me folje të tjera dhe ia lë në dorë lexuesit që t’i bëjë analizat dhe konkluzionet.
Megjithëse mund të paraqitja edhe shumë shembuj të tjerë, mendoj se mjaftojnë këto shembuj sa për ta kuptuar se aty nuk paraqitet vetëm për ndonjë folje të veçantë duke krijuar idenë e një tradite të krijuar në mënyrë të gabuar.