Pjesorja e gegnishtes në normën letrare shqipe

Pjesorja e gegnishtes në normën letrare

thumbnail_IMG_1297 (1)Dihet tashmë se norma letrare e vendosur me Kongresin Drejtshkrimor të vitit 1973 vendosi në një shumicë mjaft të madhe dukuritë gjuhësore të toskërishtes dhe kjo u bë gjoja mbi përvojën më të madhe letrare të pranuar të letërsisë. Meqë jemi këtu, mendoj se duhet fare pak analizë historike, pa u shmangur shumë nga objekti i këtij shkrimi.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi shteti komunist i Enver Hoxhës e shumëzoi gati me zero letërsinë e gegnishtes dhe përvojën e saj të gjatë dhe mjaft të ngulitur në fondin e artë të letërsisë shqiptare. Kjo ndodhi sidomos, se shkrimtarët më të shumtë të gegnishtes vinin nga shtresa e klerikëve katolikë me të cilët ky regjim i egër komunist ishte në luftë të papajtueshme me të. Nuk po i hy me detaje se si diktatura i përndoqi dhe i përsekutoi deri me pushkatim e varje priftërinjtë katolikë, pasi duhen libra të tërë dhe jo vetëm pak fraza, apo faqe libri, por po mjaftohem me kaq.. Po kështu, edhe letërsia kosovare nuk u lejua të depërtonte në letërsinë shqiptare dhe pak e aspak ishte e njohur në Shqipëri, gjoja se atë mund ta servirte UDB-ja jugosllave. Gjithashtu edhe mjaft pena që nuk kishin realisht lidhje me fenë katolike u ndaluan të publikonin letërsinë e tyre me pretekste se ishte letërsi reaksionare dhe autorët e tyre, ose u dënuan me burgim, ose, më e pakta, nuk u lejuan të shkruanin e të publikonin në Shqipëri. Të tillë qenë Kin Dushi, Haki Stërmilli, Bernardin Palaj, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa e mjaft të tjerë që nuk shkruanë letërsi komuniste të servirur. U lejuan veç disa prej tyre që u përpoqen të mos dilnin nga vija e kuqe marksiste-leniniste e Enver Hoxhës. Po kështu edhe shumica e veprave të përkthyera nga gjuhët e huaja nga klerikët katolikë të Veriut, ose nuk u pranuan, ose u shpall letërsi e ndaluar dhe kështu që gjuha e gegnishtës e përdorur në përvojën e letrave shqipe u errësua shumë duke lënë si mbizotëruese gjuhën toskërishte të Naimit që herë shkruante shqip e herë persisht, të Hasan Zyko Kamberit me një gjuhë të përzier turko-shqipe ku më shumë zotëronte turqishtja se shqipja e mjaft të tjerë të Paraçlirimit si dhe mjaft shkrimtarë partizanë shumica dërmuese jugorë. Do të kisha dëshirë të mos i fusja të gjithë në një thes, por ama shumica prej tyre u pranuan, pse shkruanë letërsi partiake komuniste, prandaj edhe u pranuan dhe u promovuan fuqishëm.

Kërkoj ndjesë se u largova paksa nga objektivi i temës, por m’u desh të bëja një ekspoze të shkurtër të asaj gjoja “arsyeje”, pse u këmbëngul të pranohej në shumicën dërmuese dukuria gjuhësore e toskërishtes letrare dhe tashti le të hidhemi tek thelbi i temës.

Si në çdo rast tjetër, edhe në rastin e formimit të pjesoreve të foljeve dukuria kryesore dhe në të gjitha rastet pothuajse është pranuar dukuria e toskërishtes, megjithatë janë pranuar disa dukuri të vogla pothuajse sporadike të formimit gegnisht të pjesores të disa foljeve dhe kryesisht të:

-foljeve që dalin me temë në bashkëtingëlloret: rr, l, ll. Këtë temë e kam shtjelluar në një material tjetër mjaft gjerësisht, prandaj këtu po ndalem veç duke sjellë disa shembuj: marr, nxjerr, dal, vjel, mbjell, sjell, etj. Këto folje, pasi në kohën e kryer të thjeshtë të mënyrës dëftore e ndryshojnë zanorën para bashkëtingëlloreve rr,l,ll o. Marr-mora; nxjerr-nxora; dal-dola; vjel-vola, sjell-solla; mbjell-mbolla, etj. Pra dalin: (kam, ke, ka) marrë; nxjerrë; dalë; vjelë; mbjellë; sjellë, etj. Por duhet pasur kujdes, pasi ka mjaft folje që dalin me ndonjërën prej këtyre bashkëtingëlloreve, po nuk e formojnë pjesorën ashtu si: fal: kam falur dhe jo kam falë, ose e tipit: flas-fola, por veç kam folur e jo kam folë. Po kështë edhe foljet e tipit mbledh, zgjedh, hedh, etj si këta pasi në kohën e kryer të thjeshtë e ndryshojnë zanoren e o. Si: mbledh-mblodha-mbledhur dhe jo kam mbledhë; zgjedh- zgjodha- zgjedhur dhe jo kam zgjedhë; hedh-hodha-hedhur dhe jo kam hedhë e kështu me radhë.

-të disa foljeve të parregullta si: jap; them; bie; lë; ha, etj. Le t’i analizojmë këto folje duke i vendosur në tri format e duhura: koha e tashme; koha e kryer e thjeshtë dhe pjesore.

jap – dhashë – dhënë; them – thashë – thënë; bie – rashë – rënë; lë – lashë – lënë; ha – hëngra – ngrënë; e kështu edhe mjaft të tjera si: shtie – shtjeva – shtënë; përzë – përzura – përzënë, etj. Dy foljet e fundit si zakonisht nuk i përkasin fondit të gegnishtes. Në gegnisht përdoren: qit (me pushkë), largoj(dëboj), megjithatë, edhe pse ato dy fjalë nuk janë të fondit të gegnishtes së folur, përsëri aty ka ndikuar fenomeni gegnishte në formimin e formës së pjesores.

Po kështu edhe mbiemrat prejfoljor të formuar nga këto folje formohen mbi bazën e atyre pjesore të paraqiture ashtu, veç duke shtuar nyjet e përparme i ose e apo e . Ja disa shembuj: i/e dhënë, i/e thënë, i/e rënë, i/e lënë, i/engrënë, i/e shtënë, i/e përzënë, ashtu si edhe: i/e marrë, i/e mbjellë, i/e sjellë, i/e dalë, i/e vjelë, etj.

Pra, siç shihet nga shembujt e mësipërm, janë përdorur dukuritë e pjesores së gegnishtes edhe pse të moderuara në njëfarë mënyre, pasi në rastet e mësipërme mund të kishim edhe: dhanë, thanë, ra, lanë, ngranë, ose në rastin ma të rëndomtë (hangër).

Këtu dua të shtoj edhe një fakt tjetër. Toskërishtja nuk e ka në tërësi atë dukuri të gegnishtes në të formuarit e pjesores në këta folje dhe të tjera si këto. Nuk dua të bëj përgjithësime këtu, por po sjell në mendje veç dy vargje nga Andon Zako Çajupi tek poezia e famshme e tij “Mëmëdheu”.

Mëmëdhe quhet toka

ku më ka rënurë koka, etj.

Po të kërkohet, mund të gjenden plot shembuj të tillë që flasin për një kulturë e normë të ngulitur të toskërishtes qoftë në të shkruar, qoftë në të folur dhe sidomos këtu. Përsëri mund të thuhet, ndoshta(nuk mund ta them me saktësi këtë) kam marrur, por kur vjen problemi për të formuar një mbiemër me këtë folje nuk thuhet i/e marrur, por i/e marrë për i/e çmendur dhe jo me kuptimin e të marrit të një objekti.

Megjithatë, siç e kam cilësuar edhe në shkrimin tjetër, dukuria dhe tradita toske në formimin e pjesoreve dhe të mbiemrave prejfoljorë nga ato folje që e formojnë pjesoren sipas fenomenit gegnisht përsëri devijohet aty-këtu si: mbjellur/ i/e mbjellur; nxjerrur/ i/e nxjerrur; vjelur/ i/e vjelur etj. Për këtë arsye theksoj se duhet pasur mjaft kujdes në këtë drejtim.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s