PAK HISTORI KODHELI

thumbnail_img_1297-1

TOM GJOKHILAJ

Hershmëria e fshatit Kodhel

Kodheli ka qenë një nga fshatrat më të vjetër të Zadrimës. Për hershmërinë e Kodhelit flasin mjaft fakte domethënëse e mbi të gjitha flasin, krahas toponimisë së pasur dhe të larmishme të cilën do ta paraqesim dhe sqarojmë më poshtë në një pjesë të saj, edhe shumë gjurmë të hershme të vendbanimeve që sot pothuajse janë zhdukur tërësisht, flasin legjendat, gojëdhënat dhe anekdotat e shumta. Gjithashtu, aty-këtu, ka edhe kronika të hershme që flasin për ekzistencën e fshatit.

Edhe kisha e vjetër e Kodhelit, e shembur nga regjimi komunist në vitin 1967 që deri atëherë numëronte në ekzistencën e saj më shumë se treqind vjet ka qenë një dëshmi tjetër. Pranë kishës, gjithashtu, ka ekzistuar edhe Qela që flet se aty kanë shërbyer priftërinj me banim të ngulitur në atë vend. Lidhur me këtë qelë ka pasur edhe një legjendë të një prifti apo frati të humbur dhe i shfaqur pas tridhjetë viteve si një enigmë paksa e çuditshme. Në lidhje me këtë legjendë si dhe për shumë gjëra të tjera kam shkruar e paraqitur edhe tek libri “KODHELI NË KËNDVËSHTRIMIN TIM” dhe nuk po e tregoj edhe një herë tjetër këtu, por po e përmend thjesht si fakt.

Gjetjet arkeologjike në afërsi të varrezave të një tume ilire si dhe varrezat e lashta në Majën e Brokës e dëshmojnë Kodhelin si një vendbanim mjaf të hershëm. Por, nga ana tjetër edhe gojëdhënat për ekzistencën e disa vendbanimeve të hershme në Kodhel e sidomos në Kodrën e Pleshës ku në majën e saj ka qenë një lamë e madhe për grumbullimin e prodhimeve bujqësore e sot ajo lamë(Lamëkodra) është e mbuluar rreth 50-60cm trashësi dheu, por që sipas thënieve të të moçmëve se po të gërmohet, pa diskutim që do të zbulohet ai vend i sistemuar dhe shtruar me rrasa guri, flet edhe si një fakt tjetër. Shpresojmë që arkeologjia ta thotë fjalën e saj dhe aty, ndoshta krahas asaj lame, mund të zbulohen edhe dëshmi të tjera më të bukura e më të vlefshme.

Një gojëdhënë e mbledhur dhe e dokumentuar nga Dom Gaspër Gurakuqi na flet qartë e bukur, jo vetëm për hershmërinë e Kodhelit, por edhe si një nga fshatrat e mëdhenj e me emër që në kohë të vjetra. Këtë le ta shohim tek ky tekst i shkruar nga kleriku dhe shkrimtari i njohur Dom Gaspër Gurakuqi:

S’asht gja për të thanë! Edhe nder katunde të vogla të Zadrimës, gjinden gojëdhana të vjetra të kohës jetë-gjatë të Mathusalamit e të shokëve të tij. Katundi i Kodhelit, dikuer i madh, e sot 10 shpi mi ‘i faqe mbi nji kodrinë, na e ka ruejt ndonji.

T flasë i Kodhelsi vetë.

-Na kalxojshin të paret, lum Zotnija, paçin dritë, se n’at kohë,kuer njerzit paskan pasë jetue shum, shkoi Shkuesi tu i ati i nji vajzes.”

-Kam ardhë, i thotë, me ta lypë vajzën për Filanin; asht djalë i mirë, i urtë, punëtuer, i pa kurrnji ves; shpije së ndershme e pasanike. Mbaesi edhe ti, prej Zotit, s’i len gja të mangut, as vajza e jote, po ma kande me u ba miq me shoqishojn.”.

-Faqe bardhë kjosh, ia këthen i ati i vajzës; unë at djal e shpin e tij e njof diçka, por kah po ma levdon edhe ti, fort më mbushet mendia me ia dhanë. Veçse shka, mbasi vajza vetë do ta shkojnë motin me djalë, po e pves edhe vajzën po le çka thotë.”

-A e ndien Shkuesin, moj bi, qi ka ardhë me të ba për Filanin? Ç’ka thue ti? A të pelqen aj burrë?”

Vajza, ndejë në nji skaj odet tuj këndue nji libër, qeshi të madhe: ha ha haaa!

T’et i ra uji i vluem; më koriti vajza, tha me mende të vet, e tuj iu siedhë Shkuesit: Falemnderës prej tejet, i tha, more mik, që ke mendu kaq mirë per bijen t’eme; por nuk ia kam giasen m’e fejue tesh nji herë; asht teper e re, qetash i ka mbushë 300 vjet.”

Kjo faksimile flet qartë e saktë e nuk po i jap ndonjë koment apo shpjegim tjetër.

Më poshtë, duke e ndarë këtë shkrim në disa kapituj, do të hedhim dritë hap pas hapi më tej me fakte dhe argumente të tjera që bëjnë fjalë për hershmërinë dhe madhësinë e Kodhelit tonë.

Lagjet e vjetra të Kodhelit

Duke u mbështetur nga të dhënat gojore të pleqve të moçëm Zekë Shtjefni, viti i lindjes 1898 si dhe Zog Bardhit viti i lindjes 1894, mund të konkludojmë se Kodheli i moçëm kishte gjithsej tetë lagje. Ata pak a shumë i emërtonin kështu lagjet e Kodheli:

Pleshë,

Shtjepalaj,

Përzhinaj,

Brozaj,

Shlikaj,

Llugaj,

Gjonaj,

Kolgjonaj.

Nuk është e pavend të themi këtu se ata edhe mund të jenë gabuar në emërtimet e lagjeve, pasi besoj se edhe ata vetë nuk kanë arritur t’i shohin konkretisht e t’i saktësonin nga syri i i një vëzhguesi bashkëkohës, por i kanë sjellë në kujtesën tonë nëpërmjet gojëdhënës së trashëguar nga brezi në brez. Megjithatë, unë po përpiqem t’i riprodhoj thëniet e tyre e t’i parashtroj këtu më poshtë:

Sipas vendosjes

Pleshë: Duke filluar që nga Lamëkodra në majën e Kodër Pleshës dhe duke vazhduar për poshtë Ograjës së Ullinit ku sot ka shtëpinë Paulini. Ishte një lagje mjaft e populluar me shtëpi dykatëshe(kulla) të sistemuara me oborre të mëdha para dhe me një rrugë mjaft të gjerë që kalonte para dyerve të oborreve. Kjo rrugë ishte e kalueshme, jo vetëm nga këmbësorët, por edhe nga mjetet e transportit të kohës siç ishin qerret që tërhiqeshin nga qetë e punës. Lidhej me rrugën kryesore që të çonte tek kisha dhe që ishte rrugë për të gjithë banorët e fshatit e më gjerë. Pra fillonte aty afër Brrakës Mihajne dhe përfundonte sipër në Lamëkodër, një rrafshinë mu në majen e Kodër Pleshës. Aty ishte një lamë e madhe e shtruar me rrasa guri dhe i shërbente lagjes për të shirë grurin. Shtëpitë përgjithësisht ishin të pashkëputura nga njëra-tjetra dhe me shtrirje lindje-perëndim me hyrje nga ana jugore. Poshtë kësaj lagjeje shtrihej një ograjë mjaft e butë dhe plot gjelbërim siç ishte Ograja e Palokë Zefit dhe diku nga gjysma e saj kishte një burim uji të mrekullueshëm që shërbente për nevojat e lagjes e të krejt fshatit, pasi kishte ujë të bollshëm dhe mjaft të pastër. Shumë kohë më parë kishte rënë një termet i fuqishëm dhe ia kishte ndryshuar rrjedhjen e nëndheshme këtij burimi saqë humbi njëherë e përgjithmon, por zhurma e ujit që gurgullonte nën tokë ishte mjaft e ndjeshme. Megjithë përpjekjet e banorëve për ta risjellë në sipërfaqe atë burim uji, përsëri nuk u arrit, dhe fshati mbeti pa ujin e pijshëm të pastër derisa u hap Pusi i Fangut disa qindra metra sipër fshatit në drejtim të Krajnit.

Sipas dëshmitarëve okularë të hershëm dhe që e kanë lënë si gojëdhënë, në kohën e pushtimit turk nga ajo lagje kanë dalë 50 burra me 50 kuaj dhe kanë shkuar në punë angari për llogari të qeverisë turke. Kjo flet për një numër të madh familjesh në atë lagje mjaft të populluar. Sipas gojëdhënave, diku në afërsi të asaj lagjeje ishte edhe një pijetore ku pas punës mblidheshin burrat e duke biseduar e kthenin nga një gotë. Kjo gjë mund të jetë mjaft e dyshimtë, por fakti se aty ka ekzistuar emri Ograja Mihajne si dhe diku në një shesh edhe Brraka Mihajne, lë shumë për të dyshuar edhe për ekzistencën e mundshme të një pijetoreje të thjeshtë lidhur edhe me faktin se në turqisht fjala mihajne(mejhane) nënkuptonte një pijetore. Për këtë gojëdhënë askush nuk është shprehur si dëshmitar okular, por veç si gojëdhënë dhe ndoshta e lidhur veç nga emri mejhane. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me emrin Farka që nuk ka pasur të dhëna nga dëshmitarë okularë, as të hershëm dhe as të mëvonshëm, por flitej se ka ekzistuar një farkë mjaft e rëndësishme, jo vetëm për fshatin, por edhe për zonën.

Kolgjonaj: Ishte e vendosur sipër Ograjës së Ullinit dhe pak a shumë nja 100-200 metra sipër Kishës së vjetër. Aty ka ekzistuar një rrugë mjaft e madhe që shkonte nga oborri i Kishës drejt Lamkodrës ku sot është depoja e ujit të pijëshëm për Kodhelin. Kjo lagje kishte një karakteristikë tjetër të veçantë dhe thuhej se ka qenë një lagje-kala e rrethuar me mure të larta dhe me një portë kryesore hyrëse. Thoshin se e kishte marrë emrin nga një banor i asaj lagjeje me emrin Kolë Gjoni i cili kujdesej që dera kryesore hyrëse në lagje të hapej në mëngjes, kur njerëzit shkonin për në punë dhe të mbyllej, pasi të ishte siguruar mirë se askush nuk kishte mbetur pa u kthyer në shtëpitë e tyre. Edhe kjo ka qenë lagje përgjithësisht me kulla dykatëshe, por nuk mund ta konfirmoj faktin se kanë qenë të sistemuara si lagjja tjetër shumë afër me të. Mundësitë kanë qenë për një shtrirje lindje-perëndim, pasi edhe rruga e vjetër ekzistuese deri shumë vonë kishte një shtrirje të tillë. Rrënojat e themeleve kanë ekzistuar deri shumë vonë, por jo aq të dukshme sa tek lagjja Pleshë me konture dhomash e vatrash zjarri.

Llugaj: Ka qenë e mbivendosur që nga shtëpitë e sotme të Mahallës së Sipërme dhe ka vazhduar drejt ograjave të Shukut sipër Ograjës së Marka Lleshit deri tek Lami Plak ku sot kanë shtëpitë e tyre Gac Jaku e disa të tjerë. Besoj se kjo lagje nuk ka qenë e sistemuar si lagjja Pleshë dhe as e rrethuar si lagja Kolgjonaj, por aty kanë vendosur banesat e tyre edhe të ardhurit e mëvonshëm, siç ka qenë fisi i Gjokhilajve të zbritur treqind-treqinde e pesëdhjetë vjet më parë nga malet e Mirditës. Këtë lagje e ndante mespërmes rruga që vinte nga Farka dhe shkonte drejt Dajçit si dhe degëzimi që të çonte nga lagjja Gjonaj pak më poshtë saj në drejtim të kishës. Them se e ndante mespërmes, pasi, jo vetëm kulla ekzistuese e Jak Kolës, stërnip i Gjok Hilës, por edhe mjaft rrënoja të tjera themelesh kanë ekzistuar aty ku sot ka shtëpinë Frrok Gega(Marku) i ardhun vonë në atë lagje, në shtëpinë e Prengë Markut, edhe ky i ardhur vonë(pas Çlirimit). Në anë të rrugës, disi në sqetull të lagjes së vjetër ka qenë hapur një pus uji për nevojat e banorëve të asaj lagjeje. Është quajtur Pusi i Keq, pasi uji i tij nuk ishte i pijshëm, por përdorej për të larë e shpëlarë. Nuk ka qenë shumë i thellë, ndaj në periudhën e verës nuk mbante shumë ujë, veçse kishte një kullim të vazhdueshëm të tokës që brenda një apo disa orësh, mund të mbushje disa kova uji, gjithnjë fjala është për kohë thatësirash, pasi gjatë vjeshtës, dimrit dhe pranverës me shira mbushej plot dhe kishte ujë të bollshëm. Pak më poshtë këtij pusi si dhe rrugës që të çonte drejt Lamit Plak e më tej drejt Skunderes e Dajçit akoma më tej, varej Ograja e Marka Lleshit që dimër-verë kishte mjaft mujaqe, gjë që fliste se mund të kishte potencial për burime uji, por nuk e kishte provuar askush, ndoshta, për të hapur ndonjë pus uji, përsëri ndoshta edhe për faktin se ishte pronë private dhe jo kolektive. Meqë jemi këtu, nuk po largohemi pa e përshkrur pak edhe këtë vend të veçantë për lagjen, ndoshta edhe për Kodhelin. Ograja e Marka Lleshit, deri vonë aty nga viti 1957 kur u kolektivizua bujqësia edhe në Kodhel, ka ekzistuar një pyll me një dru mjaft të rrallë për nga vlerat mobilare siç ishte frashëri i zi. Ishin drurë shumëshekullorë e perimetri mesatar i një trungu mund të ishte sa një sofër burrash. Në kohën e pushtimit fashist, italianët ishin të interesuar ta blinin me para të shumta atë pyll, por gjyshi i babait tim që e kishte në pronësi të tij, nuk pranoi t’ua shiste atyre duke u shprehur: “Ma mirë i fus shkrepsen sesa ua shes të huajve!”.

Gjonaj: Ka qenë vendosur poshtë Brrakës së Kuvendit dhe kryesisht në territorin ku sot janë shtëpitë e Çefës, Lazrit, Ernestit,Antonit dhe Markut. Pra tek Kulla e Zog Bardhit si qendër. Edhe kjo lagje, nuk mund të them se ka qenë e madhe apo e vogël ndahej nga dy lagjet e tjera Llugaj nga sipër në veri-lindje me rrugën që vinte nga Brraka e Kuvendit dhe shkonte poshtë Ograjës së Jakut e binte drejt Bapreçes e Perivolit dhe me lagjen Perzhinaj ndahej me degëzimin e asaj rruge që binte e bie edhe sot e kësaj dite drej kishës së re të sotme. Nuk mund të them se ishte ndonjë lagje e rrethuar si lagjja Kolgjonaj dhe as e sistemuar si lagjja Pleshë, por mendoj se ishte një lagje e vogël me kulla dykatëshe karakteristikë e përgjithshme e Kodhelit dhe e mbarë zonës. Muranat dhe shenjat e themeleve të shtëpive kanë arritur të dukshme deri mjaft vonë edhe deri kur oborret e atyre shtëpive janë kthyer në kopshte perimesh nga banorët e mëvonshëm. Nuk besoj se banorët e hershëm përdornin mure në ndarje kopshtijesh, veç gardhiqeve të thurur me thupra ose me ferra, prandaj ato murana ndarëse siç kanë qenë mes Kopshtit të Lushit me Kopshtin e Zogut, mendoj se kanë qenë muranat e rrënuara, ose të avullive të shtëpive, ose edhe të vetë shtëpive të dikurshme. Tek Kopshti i Lushit ka qenë edhe një man mjaft i madh dhe mjaft i vjetër që zakonisht banorët e hershëm i kanë mbjellë në oborre dhe jo në kopshtije që i përdornin për perime, pasi dihej se nën hijen e pemëve perimet nuk zhvilloheshin. Pra edhe kjo është një shenjë treguese për ekzistencën e ndonjë lagjeje, ose të paktën të ndonjë banese të hershme aty. Po kështu, aq sa mbaj mend unë, aty pranë ka qenë edhe një bërrakë uji, por kjo nuk është ndonjë tregues, pasi bërrakat mundej të hapeshin edhe për përdorim uji për lagien e perimeve, ose edhe për bagëtitë e banorëve, Por mund të ketë qenë edhe ndonjë pus i hershëm uji që kushedi se për ç’arsye ka qenë mbyllur më vonë duke mbetur veç një bërrakë e vogël gati e padukshme.

Shtjepalaj Ka qenë e vendosun tek Lama e Gjok Palit ku sot ka shtëpinë Gjergj Ndoci dhe vazhdonte sipër Kopshtit të Ndrecë Marka Zefit tek Lama e Nukës deri tek Guri i Curkës që është sipër shtëpisë së Pjetër Gacit. Në këtë lagje ka pasur shtëpinë e tij edhe i pari i Marubëve dhe pikërisht tek vendi ku sot ka shtëpinë Gjergj Ndoci. Fundi i kësaj lagjeje ka qenë përmbyllur me vendin që ka marrë emrin Shpia e Re e Syqve dhe besoj se e ka marrë pikërisht atë emër nga që ka qenë ndërtuar më vonë se shtëpitë e tjera të lagjes. Kjo lagje ka qenë e ndarë në dy pjesë dhe këtë përfundim e nxjerr nga rruga e madhe që ndante Lamën e Gjokë Palit me Lamën e Nukës dhe që e kishte nisjen që tek Guri i Curkës e shkonte e bashkohej me rrugën tjetër që vinte që nga Bunari poshtë Ograjave të Palokë Zefit dhe dilte e bashkohej me rrugën tjetër që të çonte tek kisha dhe vinte para shtëpive të Mëhallës së Sipërme, rrugë ekzistuese edhe sot, por me një segment të ndryshuar. Rruga e parë gjurma e së cilës është mjaft e dukshme edhe sot, kalonte sipër jerevisë së Monit(shtëpia e Ndokë Simonit), përbri Ograjës Mihajne duke e ndarë këtë me Ograjën e Rrok Dedës dhe vazhdonte më tej drejt kishës së vjetër nën Ograjën e Ullinit. Kjo rrugë ndarëse që fillin e kishte që nga Guri i Curkës, mendoj se aty mund të ishte edhe lidhja me Farkën që ishte shumë afër me këtë lagje

Shlikaj(ose ndryshe Shtjelikaj) Ka qenë shtrirë duke filluar nga shkolla e Kodhelit dhe sipër saj dhe besoj se ndahej me lagjen Shtjepalaj me rrugën kryesore që ndante shtëpinë e Pjetër Gacit tek Shpia e Re dhe Shkollën e Kodhelit. Shtrihej që nga vendi i quajtun Fiqtë e Lareces dhe shtëpisë së sotme të Nikë Ndocit, poshtë rrugës që të çonte tek shtëpia e sotme e Ndrekë Ndocit. Besoj se shtrihej deri në afërsi të Ograjës së Marjakut dhe sipër Rrugës së Bregut që lidhte Pusin e Poshtër me Bunarin.

Brozaj Vendosja e tyre e hershme nuk ka ndryshuar me të sotmën, por shtrirja besoj se ka shkuar deri afër lagjes Shlikaj afër shpisë ekzistuese të Ndrekë Ndocit, ose duke e përfshirë edhe atë. Besoj se kanë qenë shtrirë edhe këta deri tek fundi i kodrës dhe sipër rrugës së Bregut.

Përzhinaj Ka qenë shtrirë që nga shtëpitë e Zef Markut dhe deri tek Kopshti i Zefit poshtë rrugës që prej Farkës të çonte në drejtim të Dajçit. Ndahej me lagjen Gjonaj me rrugën që bie që nga Mëhalla e Sipërme e sotmja dhe vazhdonte përbri Bërrakës së Kuvendit në drejtim të shtëpisë së Çefë Ndrecës për të dalë tek Kisha e Re e Kodhelit. Vendshtrirja e kësaj lagjeje ka qenë Kopshti i Zef Markut deri tek Lama e syqit dhe ndahej me lagjen Brozaj me rrugën që vinte që nga Pusi i Poshtër deri tek Farka, rrugë që gjithmonë e ka ndarë Mahallën e poshtër në dy pjesë duke konsideruar pjesë edhe shtëpitë e Zef Markut dhe të Lazer Matisë me pjesën tjetër Syq-Brozaj. Sot në atë lagje ekzistojnë shtëpitë e fëmijëve të Rrok Kolës, Tomë Kolës, Shtjefën Kolës si dhe më tej e Gjergj Kolës. Shenjat për këtë shtrirje të kësaj lagjeje deri, ose edhe në Lamën e Syqit e flasin muranat e vjetra ndarëse mes kopshtinjve që kanë ekzistuar deri vonë, por edhe ekzistenca e një pusi uji në një distancë largësie mjaft të konsiderueshme nga kulla e vjeter e Zef Markut. Por, edhe siç e përmenda një fakt për lagjen Gjonaj, aty afër pusit të Zef Markut, nuk jam i sigurt në është ende aty i pambyllur, ka qenë edhe një mand shumë i vjetër, gjë që tregon se duhet të ketë qenë mbjellë në oborrine ndonjë shtëpie dhe jo për t’u bërë hije perimeve e zarzavateve që banorët mbillnin në kopshtijet e tyre. Gjithashtu, poshtë këtyre kopshtijeve ka ekzistuar edhe një gjurmë e vogël rruge që futej disa metra mes Lamës së Syqit dhe Kopshtit të Zef Marku, ose sot në mes shtëpive të Luigj Gacit dhe të Vasë Rrokut e kishte lidhje me rrugën ndarëse mes lagjes Gjonaj me Përzhinaj. Mund të ketë qenë rrugë që futej në oborrin e ndonjë shtëpie, e pse jo në mes të lagjes së vjetër Përzhinaj.

E thashë edhe më sipër se këto konstatime i kam paraqitur duke rindërtuar të dhënat gojore të atyre dy pleqve të nderuar dhe me një kujtesë shumë të admirueshme nga kushdo tjetër, por nuk mund të them se këto janë plotësisht të sakta. Megjithatë, të dhënat gojore të tyre i kam mbështetur edhe me pamjet e mia vizive në kohën e fëmijërisë dhe rinisë time të hershme e konfirmoj se në ato vende që përshkova, në ato kohë kam parë pothuajse në çdo vend themele e murana të vjetra që e dëshmojnë këtë fakt. Duhet ditur se banorët e Kodhelit kurrë nuk e kanë pasur traditë t’i ndanin kopshtijet e tokat me mure e murana guri, prandaj ato mure e murana që i shihnim gjithandej deri aty nga vitet ’70 të shekullit të kaluar këtu e 50 vite më parë kanë qenë një dëshmi e gjallë e atyre që parashtrova më sipër. Por këtu më poshtë po paraqes një dokument të paraqitur nga Dom Gaspër Gurakuqi e publikuar nga Shtypshkronja Pakti, Tiranë, 2019, titulluar: Fiset e Veriut dhe Dioqezat. f. 102-103.

Tregojnë këtu se Kodheli dikur ka kenë pesë lagje: Pleshë, 53 shtëpi;

Perzhinë, 8 shtëpi; Xhulaj, 6 shtëpi; Kolëgjonej, 12 shtëpi; lagja e poshtër, 6 shtëpi.

Se sa mundet me kenë e vërtetë kjo statistikë nuk mund e dijmë, veç po rreshtojmë statistikat historike të Kodhelit:

Frang Bardhi (1641( Kodhelin e ven me Dajç, Koterr e Krythë, 72 shtëpi me 750 frymë.

Miscellanea Vescovile di Sappa (1832) e ven me 34 shtëpi, banorë 264.

Staistika e Austrisë (1917) e qet me 108 banorë. Asht e dijtun, gjithë=herë katolikë.

Nder statistikat e tjera ma të vona kishtare statistika e Kodhelit asht përfshi me statistikën e Famullisë së Nenshatit. Kodheli sot dahet në dy lagje: e sipërme e e poshtme.

Në lagje të sipërme janë 6 shtëpi nji fisit, prej Kushnenit të Mirditës. Në lagjen e poshtme, dy shtëpi: e Gjokë Palokës e e Zekë Filipit janë prej Lurjet; katër shtëpi tjera: e Lazer Lecit, e Zekë Hilës, e Llesh Kolës e Frrokut patën të parë Zef Syqin, për të cilin thohet se Kodhelsit e kanë gjete foshnje e e kanë marrë m’e rritë. Prandej këtyne shtëpive të Syqit nuk u dihet fisi prej kah kanë ardhë. Ndermjet të dy lagjeve të Kodhelit asht shtëpia e Zef Markut, fis prej Oroshit. Fisi i Kushnenit tregon se i pari i tyne ka pasë ngulë përmbi kishë.

Të Kodhelas, të dalun prej këtij katundi, ka edhe në Shkoder, nder të cilët Kel Kodheli, fotograf, të cilin e ka pasë marrë e ba bir në shpirt Pjter Marubbi, e prendaj Keli ka pasë marrë edhe mbiemnin Marubbi.

Pozicjoni i Kodhelit asht kah lindja-jugu i Dajçit, larg kund gjysë orët prej këtij katundi. Kodhelsit kanë nji natyrë të pagjët; e kanë disa anekdota të bukra. “(Don Gaspër Gurakuqi, Fiset e Veriut dhe Dioqezat”, Shtypshkronja Pakti, Tiranë, 2019, f. 102-103.

Duke iu referuar shkrimit të mësipërm të të nderuarit Dom Gaspër Gurakuqi, mund të vërejmë se ka edhe ndonjë pasaktësi, ose edhe ndonjë harresë të vogël që ndoshta duhej paraqitur e shpjeguar. Mendoj se kur flet për fisin Syqi, sipas të dhënave gojore të vetë pleqve të atij fisi, por edhe të pleqve të tjerë të Kodhelit, i pari i tyre ka qenë Tomë Syku dhe jo Zefi. Është thënë se ka qenë fëmijë jetim dhe nuk përcaktohen saktë rrethanat, por edhe mund të ketë qenë edhe fëmija i ndonjë gruaje të ve e martuar në fisin e Gjokhilajve për së dyti dhe e kanë marrë e rritur aty e më pas, sipas gojëdhënave, e kanë martuar me një vajzë të fisit dhe ka krijuar familjen e tij më pas. Edhe mbiemrin Syku(Syqi) thuhet se ia kanë vënë për arsye se ishte dukshëm sykosh ( me shenja dalluese në sy). Gjithashtu në Kodhel ka qenë mjaft i njohur Prendi i Syqit si një nga burrat më të kenun të Kodhelit për kohën e vet për urti e burrëri, por nuk është përfolur ndonjë tjetër në atë fis me emrin Zef. Edhe mundet, por ne nuk i kemi të dhënat gojore për ndonjë të parë të fisit, veç Zekë Hilë Ndrecës, stërnip i të parit të fisit të tij.

Po kështu nuk flitet fare për fisin e Simondocajve, një fis mjaft i vjetër në Kodhel që nuk dihet prejardhja e tij si origjinë. Gjithashtu, aty nuk përmendet as Lazër Matia që sot nuk ka lënë pasardhës, por që shtëpinë e kishte afër shtëpisë së Zef Markut. Ky i fundit sipas Dom Gasprit përcaktohet me origjinë nga Oroshi. Edhe mundet, por gojëdhënat dhe ndonjë fakt tjetër që nuk po e shtjelloj këtu, flasin për një origjinë nga Kthella e jo nga Oroshi, megjithatë, u takon atyre(pasardhësve të tij) të gjurmojnë dhe ta saktësojnë. Mund të jetë shumë e saktë se fisi i Brozajve kanë prejardhje prej Lurës.

Toponimia shpjeguese

Duke e lidhur toponiminë me gjenezëne Kodhelit, mund të themi se ka mjaft toponime shpjeguese në lidhje me hershmërinë e fshatit tonë dhe këtu më poshtë po mundohem t’i paraqes disa dhe të jap komente e shpjegime përkatëse. Sigurisht, toponimia e Kodheli është mjaft e madhe dhe e larmishme nga ana gjuhësore dhe mënyrat e krijimit të saj. Fjalët që janë krijuar dhe e përmbushin toponiminë kanë karakter emërtues dhe kryesisht sipas:

pronësisë përkatëse të personave që i kanë pasur në zotërim vendet përkatëse;

natyrës së vendit dhe llojit të tij;

lidhjes me objekte a punime të ndryshme;

funksioneve që kryenin;

bimësisë që kishin si veçori përkatëse; etj.

Disa nga këto lloje që paraqita më sipër, po i paraqes e po i shtjelloj këtu më poshtë:

Pronësia përkatëse:

Ara e Luke Ndrejes që nuk dihet se cila ka qenë Luke Ndreja dhe cilit fis apo familjeje i përkiste. Nuk besoj se ka lënë pasardhës trashëgimtarë në Kodhel, prandaj edhe familja që ajo grua i përkiste nuk ka lënë pasardhës që kodhelsit t’i përcaktonin se cilët ishin apo janë e ku janë.

Ara Mrigjone. Edhe Mri Gjonja nuk dihet se kush ishte dhe ku banonte në Kodhel, por ama ishte pronare e tokës që i la edhe emrin e saj. Besoj se nuk ka lënë pasardhës në Kodhel e asnjë nga banorët e sotëm nuk ka lidhje me atë person.

Ara Ndregjone besoj se lidhet me fisin tonë dhe mund të jetë blerë nga banorët e vjetër të Kodhelit nga i pari i fisit që ka zbritur nga Kushneni, prandaj nuk po e shtjelloj më tej.

Bërraka e Kolë Ndokës nuk dihet kush ka qenë Kolë Ndoka e si ka qenë përfundimi trashëgues i tij, pasi në Kodhel askush nuk lidhet me emrin apo të ketë gjenezë nga Kolë Ndoka.

Bërraka e Kuvendit gjendej poshtë shkëmbinjve shtuforë që ishin poshtë bashkimit të rrugës që qarkonte Kopshtin e Madh dhe Kopshtin e Zogut duke i ndarë këto me Kopshtin e Zefit, sot shtëpia e Serafin Jakut. Ishte një pus mjaft i vogël dhe i cekët, por askush nuk e përdorte për të marrë ujë aty, pasi në verë e në kohë thatësirash nuk kishte fare ujë aty. Mendoj se pozicioni i saj duhet të ketë qenë në qendrën e fshatit të dikurshëm, ndaj aty mblidheshin burrat në kuvende të ndryshme, të lira apo edhe të orientuara për probleme që fshati kishte. Më vonë, kur Kodheli u bë një fshat i vgël, si vend mbledhjesh fshatçe u bë vendi që është quajtur Farka, pasi aty ishte tashmë qendra e fshatit. Brraka e Kuvendit si vendndodhje ka qenë në Mëhallën e sipërme, por duke menduar se lagjja Gjonej dhe Perzhin ishin e shtriheshin poshtë atij vendi, e bënte që të ishte një pikë krejt qëndrore e fshatit të vjetër. Për Kodhelin duhej të ishte një monument i veçantë kulture, ndaj mendoj se duhej ruajtur dhe jo prishur dhe zhdukur, siç ka ndodhë në kohërat e sotme. Në vende të tjera, jo vetëm që i ruajnë këto objekte, por kujdesen që t’i kthejnë në identitet dhe në atraktivitet.

Bërraka e Sylës mendoj se ishte një oaz që shërbente për të ushqyer bagëtitë me ujë gjatë verës, por këtu e solla në kujtesë për ta lidhur me gjenezën e emrit. Kodheli kurrë nuk ka njohur besimin tjetër veç atij katolik, por emri Sylë na intrigon pak se është emër islamik dhe mbetet enigmë emri i pronarit. Ndoshta ka qenë edhe emër fisi siç ishte ai Syqi, apo të tjerë mbiemra.

Bërraka Kolgjonej sigurisht lidhet me emrin e lagjes që pas Lagjes Pleshë, ishte ndër lagjet më të mëdha dhe njohur edhe nga ana dokumentare, ashtu edhe nga ana gojëdhanore, prandaj nuk po e shtjelloj më tej. Nga ajo lagje, siç e kam cilësuar edhe për të tjerat lagje, sot askush nuk jeton në Kodhel.

Bërraka e Tusheve ka qenë një oaz i vogël tek toka me emrin Tushe. Në Kodhel askush nuk e mban mend të ketë pasur ndonjë fis apo familje, ose edhe ndonjë person të hershëm që të jetë quajtur Tusha, apo Tush. Kjo flet qartë se shumë kohë më parë ndonjë familje apo fis e ka gëzuar këtë mbiemër të panjohur për ne në ditët e sotme. Pra në Kodhel duhet të ketë pasur familje apo fis që sot nuk janë më, pasi, ose nuk kanë lënë pasardhës, ose janë shpërngulur nga Kodheli shumë herët.

Dardha e Hasmemes si toponim na intrigon disi, pasi edhe ky toponim duket sikur ka bazë islamike që Kodheli nuk e kishte asnjëherë si dukuri. Nuk dihet se kush ishte pra Has Mema dhe ku banonte, por që emrin e një cope trualli a toke e la si një nga rastet e toponimisë së veçantë, nuk mund të ishte një pemë në një truall të huaj, por një tokë që pema dhe pronari i saj i dha emër atij trualli, are apo çfarë ishte aty.

Djerri Përzhin mendoj se lidhej edhe me emrin e ndonjë fisi apo të ndonjë lagjeje. Pse jo, ndoshta fisi apo familja i ka dhënë emrin si asaj toke, ashtu edhe lagjes ku kanë qenë ngulitur vendbanimet e tyre, aty tek Kopshti i Zef Markut, sipër shtëpisë së fëmijëve të Vasë Rrokut, përfshirë ndoshta edhe atë vend së bashku me shtëpinë e Luigj Gacit apo ish Vatrën e Kulturës e ambulancën e vjetër në Kodhel. Pra këtu kemi një dëshmi tjetër të ekzistencës së një fisi apo lagjeje të vjetër të Kodhelit. Po ta zbërthejmë emërtimin Përzhin, na del një emër me prejardhje nga Mirdita, nga e kanë morigjinën e hershme pjesa më e madhe e banorëve të sotëm të Kodhelit. Sipas natyrës mirditore të shkurtimit të emrave të njerëzve(burrave) ky emër duhet të ketë qenë i plotë Prend Gjini dhe është thirrur Përzhini, siç edhe sot në Mirditë ka plot emra e mbiemra si: Përpali, Përndreca, Përdoçi, Përlala, Përgjoni, Përkola, Përkeqi, Përndoi, Përdoda, Përdeda, Përgjoka, Përfrroku, etj.

Fiqtë e Larecës ka qenë një ngastër toke sipër Arave të Bardha ku sot është oborri i shkollës. Nuk besoj se ndokush në Kodhel mundet me e lidhë këtë vend me ndonjë pronar që ka lënë trashëgimtarë në Kodhel. Nuk e di askush se kush ka qenë Larecja, apo Lareci, por ajo pronë aty duhet të ketë qenë e ndonjë banori mjaft të hershëm në Kodhel. Nuk ka asnjë trashëgimtar të drejtpërdrejtë nga ajo familje apo person zotërues të asaj toke. Sigurisht, ka pronar, pasi banorët e Kodhelit blenë e trashëguan tokat e të shpërngulurve, ndërsa ata toka e prona ku familjet u shfarosën nga sëmundjet e ndryshme pa lënë trashëgimtarë, si zakonisht kaluan mall vakëf dhe i zotëronte kisha. Tokat e blera i kishin në trashëgimi kodhelësit e jo mallin vakëf.

Frashni i Pecit ishte një tokë poshtë vijës së Urës së Re. Askush nuk e di se kush ishte Peci dhe me kë kishte lidhje në Kodhel apo ku shkuan pasardhësit e tij. Pra edhe ky toponim mbetet enigmë e nuk mund ta lidhim as me hershmërinë e atij që e kishte si pronë e i dha emër atij vendi e as me pasardhës të atij pronari toke atje.

Guri i Curkës ndodhet poshtë Farkës dhe sipër vendit të quajtur Shpia e Re e Syqit. Ka qenë një shkëmb i madh prej graniti. Emri Curka gjendet edhe si emër lagjeje në Nënshat, por nuk besoj se kanë ndonjë lidhje mes tyre, as që banorët e Curkës ta kenë blerë atë shkëmb apo atë vend aty dhe as të kenë sjellë prej andej diçka të tillë, se nuk është as e imagjinueshme një gjë e tillë absurde. Atëherë, me çfarë lidhet ai emër vendi apo shkëmbi. Po hamendësojmë se mund të lidhet me ndonjë emër njeriu që duhet ta ketë pasur në pronësi atë vend, po kush, se? Kjo nuk është dhe as ka qenë e njohur në Kodhel as sot e as nga të moshuarit që prej kohësh nuk jetojnë më. Pra edhe ky toponim flet për një hershmëri të fshatit, por edhe për emra të shumtë njerëzish që prej disa kohësh nuk janë njohur në Kodhel.

Guri i Ndoc Kolës ishte një shkëmb shtufor që ngrihej thik mbi rrugën që binte nga Brraka e Kuvendit drejt Lagjes Gjonaj dhe që më tej e ndante këtë lagje me Lagjen Përzhine. Ishte gjithashtu edhe si kufizues i Kopshtit të Ndoc Kolës që po e paraqes aty më poshtë.

Kloset që u takojnë disa familjeve në Kodhel edhe nga fise të ndryshme, mendoj se kanë qenë prona të ndonjë fisi apo familjeje nga Kodheli i hershëm se nuk lidhet me asnjë banor të Kodhelit. Askush sot nuk e gëzon këtë mbiemër, prandaj është mjaft domethënës si toponim.

Kopshti i Ndoc Kolës ishte pronë e familjes time dhe shtrihet përbri shtëpisë së Jak Kolës. Gjithashtu, nuk dihet se kush ka qenë pronari i mëparshëm, para se familja jonë ta kishte pronë të sajën. Askush më parë nuk është njohur në Kodhel me emrin Ndoc Kola, me përjashtim të Ndoc Kolë Zefit, moshatar me babain tim, por që nuk kishte të bëjë me të, pasi ajo pronësi dhe me atë emër njihej që në kohën e stërgjyshit tim, kur Ndoc Kola në fjalë ende nuk kishte lindur, madje, as i ati, Kolë Zef Marku që ishte banor i Mahallës së Poshtër dhe ajo copë tokë ishte pranë shtëpisë sonë dhe e ndante me oborrin tonë veç rruga që të çonte drejt Pusit të Keq e më tej drejt Dajçit. Si kopsht ishte sipër vendit ku mendohej të kishte qenë vendbanimi i lagjes Gjonaj e mundej të kishte qenë ndoshta pronë e ndonjërit në atë lagje si banor i saj. E gjithë sipërfaqja e kësaj toke përfshirë në të edhe Kopshtin e Jakut, Lamën e Jakut dhe Larin e Zogut, apo Kopshtin e Larit ishte një pllajë e rrafshtë dhe ishte e ngritur sipër ograjave poshtë tyre me një thyerje vertikale që shkonte nga një deri në dy metër lartësi. Meqë jemi këtu, duhet të sjellim edhe një fakt tjetër. Pak më sipër Kopshtit të Larit, apo ndryshe Larit të Zogut ishte një muranë gurësh mjaft e madhe që tregonte se diku aty dikur duhej të kishte ekzistuar një ndërtesë e vjetër. Më vonë aty u ndërtua shtëpia e Prengë Markut nga Kaça, që ishte edhe kunati i Prend Lleshit. Ai nuk qëndroi gjatë aty, pasi u shpërngul e shkoi të banonte në Kaçë duke ia shitur atë shtëpi Gegë Zef Markut. Sot jeton aty Frrok Gega me familje.

Lama e Gjokë Palit është një rrafshinë gropë poshtë kopshtijve të Ndok Simonit e Rrok Dedës nga veriu dhe të Ndoc Lushit nga perëndimi. Me këto kopshtije dikur ndahej me ca murana të vjetra që mundej të kishin qenë edhe muret e ndonjë kulle banim. Nga jugu kufizohej me vendin e quajtur Farka e nga lindja nga një rrugë e madhe që e ndante me Lamën e Nukës që ishte diku aty pak më poshtë edhe kjo e rrethuar me murana të vjetra gjë që mund të mendohet se edhe aty ka pasur banesa të ndonjë lagjeje e ndoshta të Lagjes Shtjepalaj.

Nga kjo lagje dhe pikërisht tek Lama e Gjokë Palit, sipas të dhënave gojore, aty ka pasur shtëpinë Rrok Kodheli, gjyshi i Gegë Marubit. Edhe terreni, por edhe muranat, por edhe pleqtë e Kodhelit e konfirmonin dhe e konfirmojnë këtë fakt. Lidhje me emrin Gjok Pali përsëri këtu mbetet enigmë, pasi nuk dihej se cili ka qenë ky person që e kishte këtë lëmë që i dha edhe emër.

Lama e Nukës, siç e cilësuam edhe aty më sipër ndahej me Lamën e Gjokë Palit një rrugë e gjerë dhe mjaft e dukshme. Aty ishte edhe Kopshti i Marka Zefit. E thamë se edhe aty kishte murana të shumta rrënojash që vazhdonin perkreje të kopshtijve të Zef Markut deri tek Shpia e Re e Syqit, apo pak më sipër deri tek Guri i Curkës për t’u ndërprerë aty afër rrugës që vinte nga Baqli dhe që e ndante me Lagjen e Shtjelikajve. Edhe këtu nuk dihet se kush ishte Nuka që i kishte dhënë emër atij vendi dhe mbetet krejt enigmë dhe e errët për ne, por, sigurisht, ndonjë banor i hershëm që mund të jetë shpërngulur, apo nuk la trashëgimtarë dhe vendin ia shiti Zef Markut apo të parëve të tij që kishin zbritur nga Kthella, apo Oroshi, dilemë që e cilësuam edhe më sipër kur komentuam të dhënat dokumentare nga Dom Gaspër Gurakuqi.

Lisat e Gji(n) Ndrecës quhet vendi mu sipër Rrahut të Zogut në kufi me Rrahun e Patokës. Nuk dihet se kush ishte Gji(n) Ndreca, ose të paktën sot mund të jetë enigmë për ne, por mund t’ia lejojmë vetes të hamendësojmë se mund të ketë qenë i pari i fisit tonë, Tata Gjini. E hamendsojmë se ai vend ka qenë së pari pronë e fisit Gjokhilaj dhe kur shtëpia e madhe u nda, për hise i takoi Zog Bardhit. Mundet që aty i quajturi Gjin Ndreca ka pasur kujdes që një tufë lisash të rriteshin dhe t’i ruante e të kujdesej për të duke i dhënë edhe emër vendit. Duhet ta dimë se Rrahu, ashtu se edhe Faqja e Shejit që i binte më sipër dhe në lindje të Rrahut ishin brinja të zhveshura nga bimësia e kishte veç ca dardhishta të egra dhe murrize. Diku atje sipër edhe ndonjë dëllinjë dhe vetëm kaq. Tash aty është një pyll i mrekullueshëm me pisha që i rri Kodhelit si një kurorë e bukur e madhështore plot gjelbërim e freski dimër e verë.

Aty më sipër hamendësuam se mund të ketë qenë i pari i fisit të Gjokhilajve, por sipas gojëdhënave, i pari i fisit tonë ke qenë quajtur Gjin Gjonaj dhe jo Gjin Ndreca. Ndoshta në të dyja rastet, pasi Ndreca mund të ketë qenë emri i babait të Gjinit e Gjonaj mbiemri, megjithëse në hershmëri rrallëherë ka qenë përdorur mbiemri(llagapi) pranë emrit, por është përdorur si zakonisht emri i babait edhe si mbiemër. Por edhe mbiemri Gjonaj mund të ketë qenë i dyshimtë, se, sipas gjurmimeve të dikurshme të gjurmëve të fisit tim, dikush nga vendorigjina ime e hershme, nga Kuzhneni (Kushndini), më pat konfirmuar se jemi të fisit Ndregjonaj, gjë që nuk është e konfirmuar plotësisht nga ndokush në mënyrë dokumentare. Pra, ose mund të ketë qenë i pari i fisit tim, Gjokhilajt, ose mund të ketë qenë dikush tjetër i panjohur sot për Kodhelin.

Livadhi i Gjo(n) Hilës kanë qenë kullota dhe livadhe që liheshin për t’u kositur në pranverë për grazhde dimri. Ishte pjesë e gjithë atyre livadheve që shtriheshin në pjesën e fushës së Kodhelit në perëndim e jugperëndim të fshatit. Ishte përbri Livadhit të Madh që fillonte që nga Ura e sotme e Kanalit të madh dhe shkonte deri tek Veshet nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug fillonte aty në afërsi të rrugës ekzistuese që sot ndan 22-hektarshin me Bllokun e Trumës. Livadhi i Gjo(n) Hilës ishte poshtë tij. Edhe këtu askush nuk e dinte se kush ishte Gjon Hila që i dha emër atij livadhi. Ndoshta ishte banor i hershëm që ishte shpërngulur nga Kodheli, por ndoshta nuk la trashëgimtar dhe toka mbeti mera e fshatit. Gjithsesi, livadhet kështu funksiononin. Gjatë dimrit dhe verës e vjeshtës ishin si kullota, ndërsa në pranverë liheshin që bari të rritej e dikush do ta kosiste. Ndoshte ishte i ndarë në pjesë për familjet e fshatit, por ndoshta ishin pronë e ndonjërës familje që e shfrytëzonte veç për barin e thatë. Në fëmijërinë time të hershme, para sistemit të kooperativave, mbaj mend se kemi kullotur bagëtitë bashkarisht me fëmijët e të gjithë fshatit pa dallim se të cilës familje apo lagje ishin ato.

Ograja e Marjakut shtrihet në faqen jugore të kodrës ku është vendosur Mëhalla e Poshtër dhe pikërisht poshtë shtëpive të Palokë Gjokës, Zekë Hilës e Ndoc Lazrit dhe zbret deri afër Peshtijeve dhe Arave të Bardha me të cilat i ndan Rruga e Bregut. Marjaku, ose më saktë, Mark Jaku nuk dihet se cili ka qenë dhe cilët ka pasur pasues në Kodhel. Mendoj se asnjëra nga familjet e Mëhallës së Poshtër nuk ka pasur lidhje me atë person e kjo na lë të mendojmë se duhet të ketë qenë një banor i hershëm i shpërngulur ai ose pasardhësit e tij nga Kodheli, ose që nuk pati pasardhës trashëgimtarë në Kodhel.

Ograja Mihajne vjen fill pas shtëpisë së Ndokë Simonit e pak më poshtë, ose para Lagjes Pleshë. Aty në atë vend, pak metra më tej se shtëpia e Ndokë Simonit ishte edhe Brraka Mihajne. Kjo bërrakë si dhe kjo ograjë mundet të lidhen edhe me emrin Mejhane, fjalë turke që në shqip do të thotë pijetore. Këtë fakt e kemi nënvizuar kur folëm për lagjen Pleshë por po e ritheksojmë këtu si toponim shpjegues. Është i dukshëm fakti se ajo lagje mjaft e madhe, të paktën me rreth 53 shtëpi sipas Dom Gaspër Gurakuqit, por edhe nga dëshmitarët okularë që e kanë arritur ta shohin atë lagje në këmbë dhe që e kanë arritur dukshëm lidhjen me ata njerëz që kanë njohur personat në fjalë dhe dëshmitë na i kanë dhënë në mënyrë të drejtpërdrejt e kanë dëshmuar madhësinë e kësaj lagjeje, themelet e së cilës dhe një pjesë të rrënojave kam arritur edhe unë vetë t’i shoh me sytë e mi. Pra, duke qenë një lagje e madhe dhe mjaft e ngjeshur, me një ngjashmëri gati të përpiktë me një lagje të një qyteti, duhet të ketë pasur edhe pijetoren (mejhanen) e vet për banorët e saj, por edhe të krejt Kodhelit. Këtu ne mbështetemi veç nga etimiologjia e atij emri: mejhane.

Ograj Mlikja shtrihet në lindje të Ograjës së Palokë Zefit e varej poshtë Lamëkodrës. Emri Mlike, apo Mlikja as si emër e as si mbiemër nuk ishte i njohur nga banorët e moçëm që unë kam njohur në Kodhelin e fëmijërisë apo rinisë sime të hershme. Ndoshta ka qenë edhe emër fisi të panjohur si shumë fise të tjera që i sqaruam më sipër apo që mund t’i sqarojmë më tej.

Ograja e Palokë Zefit shtrihet poshtë lagjë Pleshë si dhe Ograjës Mihajne. Në lindje kufizohej me Pyllin e Ograj Mlikes. Nga jugu kufizohet me Bunarin, ose më saktë me rrugën që të çonte drejt Pusit të Fangut e Krajnit apo degëzimit që të çonte drejt Baqlit. Palokë Zefi, ose më mirë të themi, Kini i Palok Zefit nuk la trashëgimtarë pasardhës në Kodhel dhe nuk e dimë saktë nëse lidhej me ndonjë nga fiset e sotëm të Kodhelit, por ka gjasë se jo. Mund të them se Kini ishte një person mjaft i përfolur në Kodhel, sidomos nga brezi i vjetër. Ata thoshin se ishte një person që kishte disa qenë që i merrte gjithnjë pas vetes ngado që shkonte dhe nganjëherë, kur zemërohej për ndonjë arsye, i rrihte dhe, kur ata qanin e i shtriheshin tek këmbët, ai i përkëdhelte e qante së bashku me ta. Kur donin ta shanin ndonjë person që sillej në mënyrë të çuditshme i thoshin: “Je ba si Kini i Palokë Zefit që herë i rreh qentë e herë pendohesh dhe qan bashkë me ta duke iu marrë me të mirë”.

Ograja e Pepës është sipër Ograjës së Ullinit ku sot ka shtëpinë Paulini. Me Ograjën e Ullinit, Ograjën e Pepës e ndante një rrugë e madhe dhe mjaft e dukshme që të çonte drejt Lamëkodrës. Aty afër ishte edhe lagjja Kolgjonaj, një lagje kala, ashtu siç e kemi cilësuar edhe më lart, por që sot nga ajo lagje nuk jeton asnjë njeri në Kodhel. Ajo lagje, sipas Dom Gaspër Gurakuqit numëronte 12 shtëpi. Ndoshta Pepa që i dha emër atij vendi mund të ketë qenë i asaj lagjeje, por askush nuk ka arritur ta përcaktojë qartë deri më sot.

Pylla e Brungës. Në Kodhel për aq sa mbahet mend, nuk mbahet mend të ketë pasur ndonjë fis apo njeri me emrin Brunga e kjo do të thotë se në hershmëri duhej të ketë pasur familje apo fis me këtë mbiemër. Në Malin e Nënshatit sot ekziston një fis me këtë mbiemër, por kurrësesi nuk mund ta lidhim me këtë toponim, pasi ata kurrë nuk patën asnjëlloj pronësie në Kodhel.

Pylla e Ndokë Zefit që ka qenë në perëndim të fushave të Kodhelit dhe kjo e bën pak si të diskutueshëm që Ndokë Zefi ka qenë banor i hershëm i Kodhelit, apo ndonjë banor i Gjadrit që e ka pasur në pronësi atë pyll e që më vonë mund ta ketë blerë ndonjë banor i Kodhelit për t’u bër më vonë pjesë e toponimisë së fshatit tonë.

Ura Gjiluke ishte aty ku sot është Ura e Kulakëve. Nuk dihet se kush ishte Gji(n) Luka që e ndërtoi këtë urë. Mund të ketë qen banor i hershëm i Kodhelit, por ndoshta edhe i Dajçit, megjithse me Dajçin nuk e besoj se duhet të ketë pasur lidhje, ngaqë Ura ishte në afërsi të Kodhelit dhe e lidhte këtë të fundit me tokat në zotërim.

Vacrra e Memës shtrihet poshtë Kodrës së Brokës dhe pikërisht në fund të Pyllës së Gjonit dhe deri tek Ura Gjiluke. Nuk dihet se kush ishte Mema që e kishte në pronësi këtë tokë që në fakt ishte një pyllishtë shkurrishte më shumë se me drurë të mëdhenj. Si pronësi e mëvonshme ishte e familjes së Zog Bardhit, kur familja e madhe e Gjok Hilës u nda. Mema ndoshta mund të ketë qenë ndonjë grua e kësaj familjeje, pasi ka edhe një tjetër koinçidencë emri të përsëritur në këtë familje. Kulla e Zog Bardhit që ishte e ngjitur me kullën e Zekë Shtjefnit, kishte një nga dhomat që quhej Oda e Memes dhe ishte dhoma e çiftit Pjetër e Marie Gjokhila, prindërit e Antonit me vëllezër e motra.

Vneshta e Llupit ka qenë emri i një toke, por që ne si banorë të Kodhelit nuk e kemi parë kurrë si vreshtë aty, por problemi qëndron se kur ishte si vreshtë e cilit Llup ishte, pasi nga asnjë fis i sotëm i Kodhelit nuk e njeh si ndonjë nga paraardhës të tij.

Vneshta e Nures. Edhe ky toponim na vë para një enigme a dy, mund të themi. E para se nuk e njeh Kodheli si ekzistencë e ndonjë vreshte në atë vend dhe e dyta kush qe ky, apo kjo Nure? Gjithsesi, ose duhet të ketë qenë ndonjë pronar nga jashtë, ose ka qenë ndonjë banor i hershëm kodhelas që e kishte ngritur atë vresht dhe e kishte në pronësi duke i dhënë emër atij vendi, por një gjë ishte e sigurt; ajo tokë i përkiste Kodhelit, ndoshta e blerë nga banorët e Kodhelit më vonë.

Kisha e vjetër ka qenë ndërtuar pranë lagjeve Pleshë, Kolgjonaj dhe Llugaj. Pranë kishës ka qenë edhe qela në një distancë prej 20-30 metrash në drejtim të lagjes Pleshë e Kolgjonaj. Në hyrje të oborrit të kishës ka qenë ndërtuar një portë guri në formën e kambanjelit dhe aty ishte vendosur këmbana e kishës. Vendi ku ka qenë ndërtuar kisha ka qenë një pikë strategjike, pasi ka qenë mu në rrugën që të çonte tek vorret dhe aty mblidheshin të gjitha rrugët e lagjeve të Kodhelit, ishte pikë ku shiheshin, të paktën dy kisha të tjera, por ajo shihte tri a më shumë. Pra nuk ishte në qendër të fshatit, por shumë afër fshatit.

Qela gjithashtu ka qenë e madhe dhe dykatëshe. Mes qelës dhe kishës ka qenë pusi i qelës dhe mund të them se ishte hapur në një pikë këndore në distancë 10-15m në drejtim të Përroit të Kishës që fillonte disa metra pas kishës dhe shkonte deri tek Stanzat në drejtim të Nënshatit. Poshtë kishës dhe qelës në drejtim të Stanzave varej Përroi i Kishës dhe mbulohej nga një pyll mjaft i dendur me lloj-lloj drurësh. Rrega e Kishës quhej ai pyll shumëshekullor dhe ishte aq i dendur për të hyrë në brendësi, sa ishte pothuajse e pamundur për të depërtuar, veç në qoftë se i dije rrugët e fshehta. Përgjithësisht kodhelësit e hershëm nuk i patën dëmtuar pyjet, prandaj aty gjeje drurë të shumta dhe shumë të moshuara, por sidomos Rregën e Kishës, qoftë në kohët e vjetra, qoftë edhe në ato të rejat, edhe kur shteti komunist i preu rrafsh me tokë pyjet shumë shekullore të kodrave të Kodhelit për t’i kthyer në rezervate gjuetie, përsëri kodhelësit nuk e prenë qoftë edhe një shufër të vogël aty në atë pyll dhe s’e besoj se ndokush mund ta bëjë edhe sot e kësaj dite, pasi shihet si një vend i shenjtë që e ruanin si jetën e tyre.

funksioneve që kryenin;

Farka sot një vend pothuajse në qendër të fshatit dikur ishte në mes dy mëhallave dhe shpesh shërbente si vend takimi a kuvendesh fshatçe. E ndante rruga e madhe që vinte nga Baqli e nga rruga e Gjadrit me shtëpinë e Zer Markut. Pleqtë që kam njohur, thoshin se aty nuk kishin parë asnjëherë asnjë shenjë farke apo ndonjë ndërtese që lidhej me atë zejë mjaft e rëndësishme për fshatin. E solla në mendje për ta sqaruar se shumë herët në Kodhel ka pasur një apo disa farka që u shërbenin banorëve të fshatit. Toponimi na jep një fakt të rëndësishëm edhe për madhësinë e fshatit. Po të ishte një fshat me pak banorë, sigurisht që askush nuk do ta ngrente një zejë të tillë, pasi nuk ia vlente veçse ndoshta për nevojat familjare, por kodhelësit do të vraponin drejt Nënshatit, siç bënin kur Kodheli u bë një fshat me pak familje e banorë.

Me toponimin Farka mendoj se lidhet edhe një tjetër toponim dhe pikërisht Gropat e Qymyrit që mund të ishte në shërbim të Farkës së fshatit. Mundet edhe jo, por fakti që ka ekzistuar farka, duhej edhe qymyri për farkën dhe duhej djegur e përgatitur edhe eshka e farkës, por ndoshta ka qenë djegur qymyr edhe për treg e si mjet jetese e banorëve.

Mendoj se toponimia e Kodhelit, jo vetëm me këto që paraqita më sipër, por edhe me shumë të tjera flet më së miri për një fshat mjaft të hershëm dhe me një numër mjaft të konsiderueshëm familjesh. Këtu mund të sillnim edhe shumë raste të tjera e t’i shpjegonim, por mendoj se edhe kaq sa sollëm është plotësisht e mjaftueshme e nuk ka nevojë për më shumë duke lënë hapësirë edhe për rubrika e tema të tjera me mjaft vlera njohëse për lexuesin duke sjellë në kujtesë mjaft dukuri e fakte të rëndësishme mbi etnogjenezën kodhelase.

Incidenti për tokën Arat e Kadisë

Siç e kam cilësuar edhe më sipër, aty-këtu në toponiminë e Kodhelit kemi hasur edhe emra vendesh apo tokash që kanë mbartur fjalë apo emra të burimit islamik si: Dardha e Hasmemes, apo Hasmemet, Brraka e Sylës, Livadhi i Çahajt(Qehajajt), Ograja Mihajne(Mejhane), Meçet e ndonjë tjetër si këto, por që nuk kemi mundur ta rikujtojmë e ta evidentojmë aty. E kemi theksuar se në Kodhel, qoftë kur ka qenë një fshat i madh, por edhe kur ka qenë një fshat fare i vogël, kurrë nuk ka pasur banorë të besimit islam, po të përjashtojmë familjen e Selman Lalës nga Zalldardha e Dibrës aty nga vitet 70-80 me banim të përkohshëm andej nga Ograj Mlikja kur ishte me shërbim si arman pyjesh për Kodhelin.

Por, megjithatë, hasim edhe në toponimi fjalë e emra me origjinë besimin islamik, ashtu siç i përmenda pak më sipër. Kjo ka ndodhur, mendoj, se me lëvizjet e shumta të popullsisë së Kodhelit ardhje-ikje, mundet që tokat e tyre, për nevoja ekonomike apo për arsye të tjera, ua kanë shitur personave të ndryshëm vendas, apo edhe nga jashtë që mund t’i kenë shfrytëzuar më pas sipas interesave të tjera. Por edhe vetë kodhelas të veçantë mundet edhe ndonjë pronë të tyren ia kishin lënë peng ndonjë personi tjetër nga jashtë për ndonjë favor, apo shuma parash të nevojitura. Kështu, në fund të Peshtijeve dhe pas Arës së Pusit të Poshtër ishte edhe ajo që quhej Ara e Kadisë, apo Fiqtë e Arës së Kadisë. Vetë personalisht e kam parë me sytë e mi kur isha fëmijë atë arë që përfundonte me një rresht fiqsh në pjesën jugore të saj. Nuk jam në gjendje se në pronësinë e cilës familje ishte ajo arë, ndoshta ishte edhe mera për fshatin, por di se atje i kullotnim bagëtitë lirisht të gjitha familjet e Kodhelit. Mbaj mend edhe një incident gjithashtu, që në kohën e mbretit Zog kishte ndodhur mes një pretendenteje për pronësi e ardhur nga Shkodra dhe fshatarëve të Kodhelit, gjithnjë sipas thënieve të të moshuarve.

Ata tregonin se në Kodhel kishte ardhur e shoqja e Çun Hajdarit së bashku me një xhandar të Zogut dhe i kishte mbledhur burrat e Mahallës së sipërme e po u bënte presion për t’u marrë atyre paratë e qerasë apo për t’ia dhanë në pronësi, a diçka të tillë, e saktë nuk më kujtohet për momentin. Banorët e kundërshtonin duke argumentuar se tashmë ajo tokë ishte pronë e fshatit dhe e askujt tjetër.

Duke mos u marrë vesh dhe secila palë duke ngulur këmbë në të drejtën e vet, gjendja u acarua dhe pas shamatës dhe poterës, xhandari i drejton pushkën gati për t’i hequr gisht njërit prej pleqve që po ngulte këmbë më shumë dhe e kundërshtonte me forcë. Në moment dy apo tre të tjerë i vënë pushkën në gjoks e kaptinë xhandarit dhe një tjetër zonjës nga qyteti i Shkodrës. Për pak gati po bahej një gjakderdhje, por e shoqja e Çun Hajdarit, duke e parë se me forcë dhe me fjalë nuk po mundej të zgjidhej çeshtja, por edhe duke mos pasur dokumenta që vertetonin pretendimet e saja për një pronësi të mundshme, propozon që të shkonin në Baqël që ta zgjidhnin atje.

Nuk jam i sigurtë nëse në Baqël kishte ndonjë zyrë vendore zonale shtetërore, apo thjeshtë për ndonjë pleqësi a ndërmjetësim nga banorët e Baqlit, meqë ishte fshati më i afërt me Kodhelin. Xhandari e pranoi propozimin, meqë e shikoi se me forcën e ligjit dhe të armës së tij nuk po e zgjidhte, e heq tytën e pushkës nga plaku kundërshtar dhe ia vë në shpinë kryeplakut që për koinçidencë kishte qëlluar nga Mëhalla e Sipërme. Për hir të së vërtetës, më kujtohen mirë emrat e kryeplakut si dhe të atyre pjesmarrësve në atë debat, por nuk po i shkruaj këtu edhe për çeshtje të etikës, por di se të gjithë ishin të bashkuar si një familje e vetme.

Pra, xhandari i vë pushkën kryeplakut dhe e detyron të marrë rrugën për në Baqel dhe të tjerët i drejtojnë pushkën xhandarit dhe fill pas atyre nusja e Çun Hajdarit e pas saj, gjithnjë me pushkët gati edhe burrat e tjerë të fisit që kishin qëlluar atë ditë aty. Të gjithë rrugën(të paktë afër një gjysëm ore rrugë e bënë ashtu vargan njëri pas tjetrit, pa i hequr armët nga dora deri sa shkuan në Baqel. Edhe atje, siç e tregonin, ajo zonja që pretendonte për pronësi, nuk arriti ta merrte pronën që pretendonte. Që nga ajo ditë e më pas toka i mbeti Kodhelit dhe askush nuk u duk më as ta kërkonte dhe as ta merrte në pronësi.

Votues për dy katunde

Pak më sipër tregova një episod që kishte ndodhur në Kodhel mes një pretendueseje për prona aty dhe banorëve të fshatit dhe nuk e di se pse shkuan për ta zgjidhur çështjen në Baqël, por më kujtohet që thoshin se Shtjefen Zefi, gjyshi i tim eti, ishte përfaqësues i popullit për votime për dy fshatrat Kodhel e Baqël. Nuk jam i qartë sesi ishte përfaqësues, apo, siç e shprehnin: “votues për dy katunde”, por di se në kohën e mbretit Zog ai ishte antizogist dhe ishte me krahun republikan, me Fan Nolin dhe pasi u shtyp revolucioni i Qërshorit 1924, ai u burgos nga qeveria e Zogut.

Di edhe një fakt tjetër se në ato kohëra, kur njerëzit ishin analfabet në masën mbi 99% të popullsisë, sidomos në fshat, votimi bëhej me gogla. Po çfarë ishin ato gogla votimi. Ndoshta për rastësi, kur isha fëmijë, më ka rastisur t’i shoh ato lloj goglash që ishin për votime. Në kujtesën time ato ishin si gogla të vogla në madhësinë e një kokrre qershie të bërë me zift a diçka të ngjajshëm me të. Më kujtohet se ishte e skalitur edhe shqiponja, stemë e flamurit.

Pleqtë tregonin se kur shkonin të votonin, si në kohën e mbretit Zog, ashtu edhe në fillimet e shtetit komunist, votimet bëheshin me ato lloj goglash votimi. Votuesi duhej të merrte një nga ato gogla dhe duhej që ta hidhte në njërën nga dy kutiat që ishin vendosur tek vendi i votimit. Kutitë kishin shënimet e posaçme apo shenja dalluese se cila ishte pro qeverisë dhe cila ishte kundër. Votuesi duhej ta fuste dorën herë tek njëra e herë tek tjetra kuti. Nga kjo, dikush që dëshironte të votonte kundër, merrte gogla nga njëra kuti, aq sa i kapte grushti dhe i hidhte në kutinë që dëshironte, por në fund, përsëri numëroheshin si dëshironin komisionerët “e besueshëm” të vendosur aty, ose hidheshin nga njëra kuti tek tjetra. Pra edhe në të kaluarën nuk pati votime të sakta e reale.

Më vonë, kur shteti komunist i menjanoi partitë e forcat e tjera politike, shkohej tek kutia e votimit, merrje fletën e votimit dhe e hidhje në kuti, pa pasur nevojë të futeshe tek dhoma e fshehtë që shpesh nuk ekzistonte, por edhe po ta kishin bërë formalisht, prap askush nuk guxonte të futej atje, se ndryshe do të vihej në dyshim nga organet e sigurimit të shtetit. Nuk kishe nevojë as t’i hidhje sytë se çfarë ishte shkruar aty, por ta palosje e ta futje në kuti, që shpesh edhe duke ngritur grushtin lart e të thoshe: “Rroftë Partia!” për të lënë të dukeshe se e kishe me shumë zell e qejf ta votoje Partinë e Enverin. Kështu, votimet përfundonin në masën99.99% pjesmarrje dhe po kaq në favor të Partisë së Punës e Frontit Demokratik Shqiptar.

Në kohën e sotme votohet për parti të ndryshme dhe me pjesmarrje aspak të detyruar. Por edhe sot vota nuk shkon krejt aty ku dëshiron, se, ose numërohet jo drejt, ose më parë blihet e shitet aty ku nevojat ekonomike janë më të fuqishme se interesat politike, ose detyrohesh të votosh sipas kërkesës së eprorëve për të ruajtur vendin e punës e bukën e kalamajve. Paradoksale është edhe fakti se sot në Shqipëri votojnë nganjëherë edhe të vdekurit.

Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar

Aty nga fundi i Luftës Nacionalçlirimtare, si në fshehtësi, u thirrën në Nënshat disa burra të Kodhelit, apo nga një për shtëpi dhe atje u zgjodh Këshilli Nacionalçlirimtar. Si kryetar të këtij këshilli u zgjodh Kolë Zef Marku dhe sekretar Zekë Shtjefën Gjokhilaj. Duhet thënë se më saktë mund të thuhet se u emëruan ato këshilltar, se në përgjithësi të gjithë kodhelësit nuk ishin aspak me atë regjim që po vinte në pushtet, se ishte një pushtet që ishte kundra fesë dhe të drejtave elementare njerëzore. Kjo, jo se e dinin, por e ndjenin dhe nga ana tjetër, njerëzit që e dinin se çfarë kishte ngjarë në Rusinë e Leninit dhe të Stalinit ua kishin thënë dhe paralajmëruar se çfarë do të ndodhte. Por tashmë ai sistem ishte në prag dhe nuk kishin më forca ta kundërshtonin, veç ta pranonin nga zori.

Këshillat Nacionalçlirimtare po emëroheshin për të devijuar pushtetin e kryepleqve që lidhej me regjimin e mëparshëm e kryesisht të mbretnisë e mbretit Zog. Ata kishin për detyrë të organizonin popullin të bashkohej e të luftonte pushtuesin në ikje, por edhe ta mirëpriste rendin e ri që po vinte. Aty ku ishte e mundur, të gjenin e të nxirnin djem nga fshati në luftë kundër pushtuesit. Pra, rendi i ri komunist po përpiqej ta përgatiste vendin për ta pranuar ardhjen e tij në pushtet. Nëpërmjet tyre do të organizonte jetën në fshat për interesat e shtetit.

Megjithse i emëruar gati si me forcë, ai këshill luajti një rol jo pak të rëndësishëm në jetën e Kodhelit. Krahas organizimit të rregullit e drejtimit shoqëror, ai edhe doli në mbrojtje të popullit qoftë edhe duke u vënë përballë shtetit dhe veglave të tij vrastare siç ishte famëkeqi Toger Baba që u bë tmerri i popullatës së zonave të Mirditës dhe të Zadrimës. E kam treguar në një vend tjetër dhe nuk po e përsëris edhe këtu, por po mjaftohem të them se u kundërshtua me forcë në kohën kur ai po rrihte e torturonte disa burra të Kodhelit për të treguar se ku e kush i kishte armët. Kundërshtimet e anëtarëve të atij këshilli desh përfundoi me një pushkatim të menjëhershëm e pa gjyq. U desh ndërhyrja e mësuesit Luigj Kosmaçi që ngjarja të mos përfundonte me pushkatim.

Kisha e Kodhelit

Një ndër kishat më të vjetra në Zadrimë ka qenë edhe Kisha e Shën Rrokut e Kodhelit. Deri kur regjimi totalitar komunist e shembi në vitin 1967, pleqtë thoshin se i kishte më shumë se 300 vjet që kishte qenë e ndërtuar. Ishte vërtetë një ndërtesë e vjetër dhe jo shumë e madhe, por ishte e mjaftueshme për popullsinë e Kodhelit në vitet 50-60, kohë kur personalisht e kam njohur dhe vizituar në ditët e diela kur shkoja atje për të parë meshën e zakonshme. Megjithatë, në relacionet e Frang Bardhit, ipezhkëv në Dioqezen e Sapës në Nënshat në vitin 1641, nuk e përmend as në nëntë kishat e Zadrimës dhe as në tetë kapelat kishtare të asaj kohe. Megjithatë, faktin e mosekzistencës së kishës së Kodhelit në atë kohë, jam i prirur ta dyshoj pak. Arsyet e gjykimeve të mia do të përpiqem t’i shtjelloj më poshtë.

Kisha e vjetër ka qenë ndërtuar pranë lagjeve Pleshë, Kolgjonaj dhe Llugaj. Pranë kishës ka qenë edhe qela në një distancë prej 20-30 metrash në drejtim të lagjes Pleshë e Kolgjonaj. Në hyrje të oborrit të kishës ka qenë ndërtuar një portë guri si dhe diku aty në oborr kambanjeli e aty ishte vendosur këmbana e kishës. Nuk e di se ç’u bë më vonë për atë portik, për atë avlli e për muret e Qelës, pasi më vonë nuk ekzistuan më. As themelet.

Vendi ku ka qenë ndërtuar kisha ka qenë një pikë strategjike, pasi ka qenë mu në rrugën që të çonte tek varret dhe aty mblidheshin të gjitha rrugët e lagjeve të Kodhelit. Ishte pikë ku shiheshin, të paktën, dy kisha të tjera, por ajo shihte tri a më shumë. Pra nuk ishte në qendër të fshatit, por shumë afër fshatit. Qela gjithashtu ka qenë e madhe dhe dykatëshe. Mes qelës dhe kishës ka qenë Pusi i Qelës dhe mund të them se ishte hapur në një pikë këndore në distancë 10-15m në drejtim të Përroit të Kishës që fillonte disa metra pas kishës dhe shkonte deri tek Stanzat në drejtim të Nënshatit. Poshtë kishës dhe qelës në drejtim të Stanzave varej Përroi i Kishës dhe mbulohej nga një pyll mjaft i dendur me lloj-lloj drurësh. Rrega e Kishës quhej ai pyll shumëshekullor dhe ishte aq i dendur për të hyrë në brendësi, sa ishte pothuajse e pamundur për të depërtuar në brendësi, veç në qoftë se i dije rrugët e fshehta. Përgjithësisht kodhelësit e hershëm nuk i patën dëmtuar pyjet, prandaj aty gjeje drurë të shumta dhe shumë të hershme, por sidomos Rregën e Kishës, qoftë në kohët e vjetra, qoftë edhe në ato të rejat, edhe kur shteti komunist i preu rrafsh me tokë pyjet shumëshekullore të kodrave të Kodhelit për t’i kthyer në rezervate gjuetie, përsëri kodhelësit nuk e prenë qoftë edhe një shufër të vogël aty në atë pyll dhe s’e besoj se ndokush mund ta bëjë edhe sot e kësaj dite, pasi ishte një vend i shenjtë që e ruanin si jetën e tyre.

Meqë fola për vendndodhjen e kishës së vjetër, më duhet të parashtroj arsyetimet e mia, pse prirem t’u besoj më shumë gojëdhënave sesa relacioneve të të ndriturit Frang Bardhi. E theksova edhe më sipër se qe një ndërtesë jo shumë e madhe, por ishte shumë e vjetër, prandaj ka të ngjarë që të ketë ekzistuar edhe në kohën kur Frang Bardhi ishte ipezhkëv i Dioqezës së Sapës në Nënshat deri nga viti 1641 rreth 300 e sa vjet para se unë të vija në jetë. Por edhe mundej të jetë ndërtuar edhe pak vite më vonë dhe gojëdhënat dhe relacioni këtu mund të përputhen, po qe ashtu.

Sipas Dom Gaspër Gurakuqit, “Tregojnë këtu se Kodheli dikur ka kenë pesë lagje: Pleshë, 53 shtëpi;

Perzhinë, 8 shtëpi; Xhulaj, 6 shtëpi; Kolëgjonej, 12 shtëpi; lagja e poshtër, 6 shtëpi…..” dhe më poshtë shton: “Frang Bardhi (1641( Kodhelin e ven me Dajç, Koterr e Krythë, 72 shtëpi me 750 frymë…..”, pra edhe sipas statistikave të Frang Bardhit, Kodheli ishte një fshat mjaft konsiderueshëm i madh “….72 shtëpi me 750 frymë…”. Duke parë këto të dhëna, mund të nxjerrim përfundimin se Kodheli, duke qenë një fshat mjaft i madh, duhej doemos të kishte kishën e vet dhe nuk kishte pse të rendte drejt Dajçit me mbi një orë larg nga Kodheli, pse atje duhej të shkonin fëmijë, gra, burra e pleq e plaka dhe rruga nuk ishte edhe aq e lehtë për ta, konsideruar këtu edhe vështirësi moti.

Është për t’u marrë në konsideratë se Kodheli, ashtu si Dajçi dhe Kotrri që gjithmonë kanë pasur një kishë të përbashkët, por edhe varrezë të përbashkët, ka lutur festën e Rruzares krahas festës së Shën Rrokut deri mjaft vonë. Përsa i përket varrezës, kodhelësit e kishin të vetën në Majën e Brokës e aty i kishin edhe një pjesë e baqlorëve që shërbesat fetare, gjithashtu, i merrnin tek Kisha e Shën Rrokut në Kodhel. Duhet ditur se Baqli mjaft vonë u popullua me besimtarë katolik, pasi aty kanë qenë më përpara, nuk e di se për sa kohë, popullsi të besimit islamik, por Baqli, në kohët e reja, edhe pse nuk kishte kishën e vet, nxori nga gjiri i tij mjaft klerikë katolikë.

Nga përshkrimi që pak më sipër i bëra ekzistencës së kishës së vjetër, tregova se kishte një oborr të rrethuar me një avlli, por që në fëmijërinë time ishte e rrënuar dhe vetëm portiku dhe ca mure të rrëzuara dukeshin aty që flisnin për një hershmëri mjaft të madhe të asaj avllie e asaj ndërtese. Qela, gjithashtu, kishte qenë e madhe dhe e vjetër e po të kishte qenë thjeshtë ajo kishë e ngritur vonë e veç për shërbesa të rastit (lindje, vdekje), besoj se nuk duhej të kishte prift që mund të banonte aty dhe ajo godinë do të ishte e panevojshme të ngrihej aty, madje e madhe dhe dykatëshe. Po kështu edhe legjenda që ka qarkulluar për një prift(frat) që kishte jetuar në atë qelë, flet për një hershmëri të largët të ekzistencës së kishës së Shën Rrokut.

Po të ishte ngritur më vonë ajo kishë, nuk besoj se kishte më shumë arsye nevoje kur popullata po shterrohej e po paksohej gjithnjë e më tepër. Statistikat e mësipërme të sjella nga Dom Gaspër Gurakuqi e flasin këtë gjë:”…..Miscellanea Vescovile di Sappa (1832) e ven me 34 shtëpi, banorë 264.

Staistika e Austrisë (1917) e qet me 108 banorë. Asht e dijtun, gjithë=herë katolikë…..” dhe shihet qartë se Kodheli gjithnjë ka ardhur në pakësim dhe jo në rritje në kohërat e vjetra dhe sipas atyre statistikave të dokumentuara kemi: para relacionit të Frang Bardhit 85 shtëpi; sipas relacionit të Frang Bardhit 72 shtëpi me 750 frymë; në vitin 1832 kishte 34 shtëpi me 264 frymë; në vitin 1917 me 108 frymë.

Siç e thamë, kjo kishë shërbente për Kodhel e për Baqël. Shpesh kisha mbushej plot me njerëz dhe shumë të tjerë qëndronin jashtë dyerve të saj, sidomos kur nuk kishte më vend brenda dhe kur koha ishte e mirë. Nuk kishte stola ku mund të uleshin besimtarët, por ishte e shtruar me rrasa guri të rrafshta dhe të sistemuara bukur e me kujdes. Tek vendi ku prifti qëndronte, tek altari, ishte një kube rrethore ku ishte shtatorja e Shën Rrokut dhe po aty ishte edhe shtatorja e Zojës. Diku në krahun e djathtë të Altarit ishte një raft ku prifti linte takëmet e meshës. Në mure, në të dyja anët ishin të varura ca fugure. Në mes të tyre spikaste fugurja e Shen Gjergjit hipur mbi kalë dhe me një heshtë të gjatë ngulur në kokën e një dragoi apo kulçedre. E admiroja pa masë atë pikturë dhe kisha dëgjuar me shumë kureshtje ngjarjen e luftës së Shën Gjergjit kundër kulçedrës duke shpëtuar popullin e një krahine që kuçedra u kishte bllokuar ujin dhe u kërkonte nga një njeri çdo ditë që ta hante. Shën Gjergji kishte shkuar atje dhe kishte luftuar me tërbim kundër atij përbindshi deri kur e kishte mbytur.

Figura e Shën Gjergjit më ishte ngulitur thellë në mendjen e zemrën time dhe më vonë do të kërkoja krahasimi tek figurat mitike popullore tonat e sidomos tek Gjergj Elez Alia që kishte shpëtuar krahinën nga Balozi belaxhi e po kështu edhe tek Gjergj Kastrioti që shpëtoi Europën nga gllabrimi turk duke iu bërë asaj një mburojë e fuqishme për gati më shumë se një çerek shekulli. Si për koinçidencë, edhe këta e kishin emrin Gjergj e shpesh më shkonte mendja se ai shenjti aty në atë fugure(pikturë) duhej të ishte ndonjëri prej tyre.

Thashë edhe më sipër se, kur vinin shumë njerëz aty tek kisha për të parë meshë, një pjesë e tyre rrinin jashtë, pasi kisha nuk i zinte të gjithë aty. Oborri ishte mjaft i madh dhe i pastër. Para kishës ishte i shtruar me rrasa guri. Anash kishës kishte barë e gjelbërim. Hyrja e kishës ishte nga perëndimi ndërsa pjesa e pasme ose kubeja nga lindja. Nga ana veriore vendi nuk ishte i shtruar, madje pas pak metrash distancë fillonte një shkurrishtë, por hapësira mes kishës dhe shkurrishtes ishte jo edhe aq e vogël dhe mbaj mend se kur bëhej proçesion, i silleshim kishës përreth lirisht nga të gjitha anët e saj. Edhe nga pjesa jugore oborri ishte i gjerë dhe shkonte deri tek muret e qelës së vjetër. Një pjesë ishte i shtruar me rrasa guri dhe tashti nuk jam shumë i sigurt, nëse aty kishte gurë të mëdhenj që shërbenin për t’u ulur ndenjur besimtarët kur shkonin disa kohë para se të fillonte mesha. Në memorien time, kur shkoja tek kisha para se të fillonte mesha, aty shihja mjaft burra nga Kodheli e Baqli që ishin ulur ndenjur dhe ia shtronin muhabetit e shpesh mes tyre shihja edhe priftin duke kuvenduar me ta, ndërsa gratë e vajzat, sapo shkonin aty, futeshin e zinin vend brenda në kishë.

Siç e cilësuam edhe më parë, aty afër ka qenë edhe Qela e priftit, një ndërtesë e rrënuar dhe gati e shembur tërësisht. Muret e qelës së vjetër ishin deri vonë në këmbë e nuk e di nga se ishte shkatërruar ajo godinë, nga koha apo nga ndonjë zjarr i mundshëm, por di se muret ishin ende në këmbë deri në lartësinë e një kulle dykatëshe. Në mesin e atyre mureve qëndronin ca trarë, nga të cilët disa ishin të rënë e të mbështetur diagonal që nga muri në dysheme e disa të tjerë të vendosur horizontal, ashtu siç i kishin vendosur mjeshtrat në kohën kur e kishin ndërtuar atë godinë që ne e quanim Qela.

Nuk e di se ç’u bë më vonë me ato mure e ato trarë, por di se deri pak vonë qela ka qenë në këmbë (muret) dhe kishte një derë hyrese nga oborri i kishës, por nuk kishte dalje të tjera. Kur ishim fëmijë dhe kur luanim aty me njëri-tjetrin, ajo godinë gjysmë e rrënuar më ngjallte disi frikë dhe nuk futesha pa droje brenda atyre mureve. Kisha frikë, se mos papritur ato mure e ata trarë të nxirë nga koha, apo zjarri i dikurshëm, mund të binin e na zinin brenda pa mundur të shpëtonim. Di, nga ana tjetër, se jo në të njëjtën kohë me kishën u shemben ato mure, pasi u zhdukën pak vite më përpara se në të gjithë vendin do të shembeshin objektet e kultit nga regjimi diktatorial. Fundja, nuk kishin pse të qëndronin në këmbë pa asnjë funksion, veçse si kujtesë e popullit të Kodhelit se aty kishin jetuar priftërinjtë, apo fretërit që bënin shërbesa fetare në kishën e fshatit.

Aty përbri, gati si në një distancë të barabartë me kishën, por disi i shmangur në drejtim të Rregës së Kishës, një përrua e një pyll që varej pas kishës në drejtim të Nënshatit, ishte hapur një pus uji dhe që në atë kohë ishte pa grykë dhe i rrezikshëm për ne fëmijët që shkonim të luanim atje. E quanim Pusi i Qelës. Ne fëmijët nuk afroheshim atje, nga frika se mos binim brenda, por edhe ai pus ishte i rrethuar pothuajse në të gjitha anët me shkurre e ferra, ngaqë askush nuk e përdorte për të mbushur ujë aty për asnjë lloj nevoje e nuk e di se pse, por nuk ishte edhe aq larg nga lagjja jonë. Të paktën në muajt e thatësirës mund të shfrytëzohej, por me sa duket, njerëzit e kishin për gjynah të merrnin ujë aty dhe nuk e shfrytëzonin.

Në vitin 1967 edhe ai pus pati fatin e kishës, pasi u mbulua, madje, ashtu siç kam dëgjuar më vonë, për turpin e kohës, u mbush me objektet kishtare të kultit, por edhe dokumentacionin kishtar dhe libra të tjerë fetarë. Ato objekte ishin një pasuri e çmuar dokumentare, fetare dhe kulturore, por inkuizicioni komunist e shkatërroi pa mëshirë atë pasuri të vyer. Thuhej se në ato materiale ekzistonte edhe një regjistër shumë i vjetër që kishte brenda tij që nga themelimi i asaj kishe mbi treqindvjeçare gjer kur u shemb, të gjitha lindjet dhe martesat e banorëve të Kodhelit e të Baqlit. Mua më ka takuar rasti ta shoh në raste pagëzimesh, kur pas çdo pagëzimi, prifti shënonte aty datën e lindjes së çdo fëmije si dhe prindërit e tij e nun e nunë për secilin.

Ishte një libër shumë i madh që rrallëherë më takoi rasti të shoh të tillë dhe besoj se kishte aty historinë e lindjeve dhe të vdekjeve të banorëve të hershëm e të rinj të Kodhelit. Po të ishte ende ai libër i veçantë dokumentar, historia e fshatit tonë do të ishte e mirëdokumentuar dhe e mbështetur me fakte të pakundërshtueshme, por mjerisht, ai inkuizicion barbar dhe i pamëshirshëm e shkatërroi këtë ashtu siç kishte bërë me shumë gjëra të tjera më parë e më pas që nga instalimi i kobshëm e ogurzi për Shqipërinë dhe deri në shembjen e asaj diktature nga më të egrat që ka njohur njerëzimi, një neronizëm i kohërave të reja që dogji dhe shkatërroi çdo gjë të bukur dhe me vlerë, për të instaluar antivlerat më pas.

img_5473

Po kështu, pas vitit 1967 u shkatërrua edhe godina e Kishës dhe mbetën të dukshme deri në ditët e sotme vetëm konturet e themeleve të saj e asgjë tjetër, pasi inkuizicioni komunist rrënoi çdo gjë.

Pra, nuk u kursye as godina e kishës që asokohe ishte mjaft e fortë dhe e mirëmbajtur, por u shkatërrua deri në themele. Në disa vende, objektet e kultit u ruajtën, jo si kujtesë njerëzore e shoqërore, jo e jo si vende që duheshin vizituar nga turistë, apo besimtarë të ngulitur, por për t’i shfrytëzuar si magazina për prodhime bujqësore, apo më keq akoma, edhe për stalla bagëtish, kuaj, derra apo dele. Kisha e Kodhelit, me sa dukej, nuk mund të shërbente për asnjërën nga këto dhe nuk u përdhos me të tilla gjëra, por nuk i shpëtoi shembjes nga mllefi komunist i kohës. Nuk i shpëtoi shembjes, se komunizmi donte me çdo kusht ta shrrënjoste besimin fetar nga kujtesa e popullit, por kurrë nuk arriti t’ia dilte se, siç e kemi thënë, populli e ruajti thellë në shpirt e në zemër besimin tek feja e Jesusit dhe u përpoq ta ushtronte ashtu si mundte edhe fshehtas.

Dok-Lutje fetare tek vendi i kishës

Aty ku kishte qenë kisha, me mbeturinat që kishin ngelur nga gurët e saj, pasi pjesën e vlefshme të atyre gurve kooperativa i mori për të ndërtuar stalla apo vendstrehime, u krijua një pirg gurësh si memorial ku jo rrallë shkonin njerëz dhe luteshin atje edhe fshehurazi, por edhe po të diktoheshin nga njëri-tjetri, prap nuk paditeshin në shtet e me marrë dënime sipas ligjeve komuniste të kohës.

Me shembjen e diktaturës, edhe në Kodhel si kudo tjetër fryu një erë e re dhe populli pa droje iu drejtua besimit fetar duke kërkuar për ndonjë prift katolik që i kishte shpëtuar regjimit komunist nga pushkatimi. Me shumë respekt duhet kujtuar interesimi i Simon Dodë Ndrecës që shkoi në Shkodër dhe solli në Kodhel Dom Nikollë Troshanin dhe kodhelësit panë meshën e parë në kohën postkomuniste në prill 1991.

thumbnail_PICT0065 (6) e rregulluar

Momente të ardhjes në Kodhel të Dom Nikollë Troshani

thumbnail_PICT0075 (2) mesha pare kodhel
Ll. Prendi-Nga mesha e parë në Kodhel

Këtu në ato dy foto të mësipërme shihen momente të ardhjes së priftit Dom Nikollë Troshani në Kodhel dhe mesha e parë tek vendi i kishës së vjetër.

Pamje e pasme e një kishe të vjetër

Pak a shumë kjo ishte pamja e pasme e kishës së Kodhelit. Sigurisht, kjo nuk është foto autentike e kishës së Kodhelit, por e solla si shembull për ta krijuar një ide se si ishte ajo, para se të shembej nga regjimi komunist i kohës.

Më vonë do të vinin misionarë të fesë katolike nga jashtë vendit dhe sidomos nga Italia dhe me ndihmën e tyre u hapën kisha ngado në Zadrimë e në krejt Shqipërinë e po kështu edhe në Kodhel. Një nga ata ishte edhe Don Antonio Sharra që ndihmoi në ngritjen e Kishës së re të Kodhelit, por tashmë jo tek vendi ku dikur kishte qenë Kisha e vjetër, por diku në qendër të fshatit, pasi atje tashmë nuk ishte ndonjë vend aq shumë i përshtatshëm, për largësinë nga fshati, për rrugën e pashtruar dhe të pasistemuar dhe larg vëmendjes së njerëzve.

Kisha e re u ndërtua e gjitha me gurë të gdhendur dhe nga mjeshtrat vendas. Për ndërtimin e saj u përdor sasia prej 200 mijë gurësh, siç e thamë, të gjithë të gdhendur dhe të skuadruar mjeshtërisht në të njëjtën madhësi secili. Struktura e saj është bashkëkohore dhe mjaft e kompletuar me të gjitha gjërat e duhura.

Kisha_e_Shen_Rrokut

Pamje ballore dhe anësore e Kishës së Re.

Lëvizjet demografike dhe traditat

E kemi cilësuar se nga Kodheli kanë lëvizur mjaft banorë për të shkuar drejt qytetit për një jetë më të mirë e këto shpërngulje të shpeshta shpesh janë shoqëruar edhe me marrjen e emrit të Kodhelit si mbiemër familjar nga ana e tyre, edhe pse në Kodhel kishin pasur mbiemrat e tyre vetiakë. Mjafton të hedhim vështrimin dhe ta kërkojmë si mbiemër familjar, atë e gjejmë pothuajse në çdo cep të Shqipërisë. Si për rastësi, kur sapo kisha publikuar në internet librin tim “Kodheli në këndvështrimin tim” një person nga Vlora i quajtur Reno Kojdheli kërkon profilin tim në Facebook dhe më shkruan këtë mesazh: “Urime e lexova rastesisht duke kerkoijtur nga vjen mbiemri im Kojdheli ose kodheli jan te perafte jam nga Vlora e dija per fshatin kodhel kit shkon per ne Shkoder eshte tabela dhe sa her kaloi ndiei emozione ,gjyshi i gjyshit tim e ka pasur emrin Kojdhel un jam brezi 5 dhe gjithmon kam kerkojtur cfar do te thot ne shqip po pa rezultat titulli i librit me teroqi dhe e lezova me nje frym i vogel po shume i madh brenda tij te uroi me gjith zemer urime un e kam per nder mbiemrin kojdheli sado nuk e di nga se vjen .e Jam gjetur ne Greqi kodhelis ne Austri kufij me Hungarin kodheli ne Itali Codeli po pa rezultat nga historia di me renien e Krujes kan ikur ne jug e ne vende te tjera shum fise kan ndryshuar dhe fene po mbiemrin jo dicka ka ky emer fatati??? Ju lodha profesor po me kenaqi biografia e fshatit kodhel .”.

Nuk e redaktova dhe nuk e solla në normë letrare këtë tekst për ta ruajtur origjinalitetin e tij, por e solla si shembull mbështetës për atë çka theksova më sipër. Pra, ngado në Shqipëri, po të kërkosh për fjalën Kodheli si mbiemër, e gjen ngado, madje jo vetëm si mbiemër, por edhe si emër njeriu. Kjo tregon se prej kohësh banorët e Kodhelit kanë lëvizur prej aty sipas mjaft arsyesh të ndryshme politiko-shoqërore dhe ekonomike. Këtu mund të sjellim si fakte edhe familje famoze dhe kombëtarisht të njohura, por po e kursejmë këtë fakt për ta paraqitur më vonë.

Po shpërngulje nuk pati veç drejt qyteteve të tjera, por edhe drejt fshatrash të tjerë e si fakt po sjellim familjen e Tone Kodhelit që u ngul në Hajmel dhe atje sot nga ajo familje ka plot pasardhës të saj. Mundet që edhe në fshatra të tjerë përreth mund të kenë shkuar kodhelës të ndryshëm, por nuk kemi të dhëna dhe po e lëmë thjeshtë si një hipotezë të pavertetuar. Arsyet mund të ishin të ndryshme, por një nga këto arsye mund të ishin kushtet e papërshtatshme jetese, sidomos mungesa e ujit të pijshëm, për të cilin Kodheli vuajti gjatë.

Shpërnguljet nga Kodheli vazhduan gjatë dhe po vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, por kurrë duke e hequr nga mendja, shpirti e zemra Kodhelin, vendlindjen tonë të përbashkët. Sot kodhelësit kanë marrë rrugët e botës, njëri prej tyre edhe unë, por Kodhelin e kemi marrë me vete, se e kemi në shpirt e në zemër. Megjithatë, le të shikojmë disa nga lëvizjet demografike në kohë që mund t’i konsiderojmë të njohura deri diku edhe nga brezat e sotëm, apo të gojëdhënuar nga baballarët tanë.

Aty nga viti 1924 shpërngulet nga Kodheli dhe shkon në Tiranë familjarisht Rrok Kodheli ku i biri Kel Kodheli që asokohe ishte veçse 6 vjeç, që do të ishte i një viti lindjeje me tim atë, më vonë do të bëhej një nga më të shquarit e pikturës sonë kombëtare duke fituar edhe titullin “Nderi i Kombit”. Më vonë nga Kodheli do të largohet në drejtim të Shkodrës edhe Liq Lazer Leci, por nuk kemi të dhëna se e ndërroi mbiemrin, ose ruajti mbiemrin që kishte pasur më parë.

Aty nga vitet ’50 ndoshta edhe pak më përpara, nga Kodheli u larguan edhe familja e Ndrecë Ndocit për në Shkodër para viteve ’50. Pak më vonë edhe nipi i tij, Rrok Simon Ndoci (Rrok Kodheli) u stabilizua në Lezhë familjarisht. Siç e shohim mori mbiemrin Kodheli dhe sot e trashëgojnë si mbiemër edhe pasardhësit e tij. I asaj kohe ka qenë edhe rasti i shpërnguljes nga Kodheli drejt Shkodrës i Palokë Gjokës familjarisht në vitin 1950. Dimë se mbajti mbiemrin që kishte pasur në Kodhel, Brozi.

Më vonë kemi edhe familjen e Martin Simonit drejt Lezhës për arsye pune dhe akoma më vonë djemtë e Ndrecë Zogut e Tish Tukja gjatë kohës së komunizmit, gjithnjë për arsye pune. Në demokraci u shpërngulën edhe shumë familje të tjera drejt qyteteve e drejt vendeve të huaja për një jetë më të mirë.

Pasi fola për shpërnguljet në kohë të ndryshme, po paraqes këtu edhe ngulmimet e hershme dhe të mëvona në Kodhel. Të paktën tre fise mjaft të mëdhenj të Kodhelit të sotëm janë të ardhur aty prej disa kohësh. Që të tre këta fise (Gjokhilajt, Brozajt dhe Markajt) janë të ardhur nga Mirdita dhe përkatësisht nga Kuzhneni, Kthella (ndoshta edhe Oroshi) dhe Lura. Vendet nga vijmë, kanë tradita, zakone, nuanca gjuhësore dhe veshje të ndryshme nga se sot i kanë dhe i përdorin në Kodhel. Kjo vjen se shpejt, duke u ballafaquar me një kulturë të ndryshme nga ajo që kishin pasur në vendet nga vinim, duke qenë më të pëlqyeshme, por edhe duke qenë në minorancë, morëm të gjitha zakonet e traditat vendase duke përfshirë këtu edhe gjuhën e veshjet. Besoj se më herët, por edhe në kohët e mëvonshme nuk munguan martesat me vajza nga vendet e origjinës, ose nga zona me tradita, veshje e zakone ndryshe nga Zadrima, por gjithmonë veshjet e traditat zadrimore u aplikuan pa asnjë hezitim nga të gjithë, si nuset e ardhura, ashtu edhe fëmijët e lindur prej tyre. Pra veshjet, gjuha, zakonet e traditat mbetën gjithnjë ato të krejt Zadrimës.

Në shekullin e kaluar pati pak prurje në Kodhel dhe për t’u përmendur janë familja e Prend Lleshit, ajo e Kolë Matisë si dhe e Prngë Markut. E kemi thënë se kjo familje nuk qëndroi gjatë dhe shkoi me banim në fshatin Kaçë. Ndoshta që të tria këto familje që erdhën vonë ishin të shtratit zakonor e kulturor zadrimor, ndaj nuk pati ndryshime, as në veshje e as në gjuhë, tradita e zakone të cilat ishin plotësisht të përputhurat me ato të popullsisë vendase që gjetën aty. Në fakt, familja e Kolë Matisë vinte nga Nënshati dhe ishte kunati i gjyshit tim, Zekë Shtjefnit, por, si për koinçidencë, të tria ato familje ishin të gërshetuara me miqësi të ngushtë me njëra-tjetrën. Prend Lleshi kishte për grua motrën e Prengë Markut dhe Kolë Matia kishte për grua motrën e Prend Lleshit. Prend Lleshi vinte nga Karma që mund të themi se ishte pjesë e Dukagjinit, apo në kufij mes dy zonave Zadrimë-Dukagjin. Por ka ekzistuar edhe një fakt tjetër, Mrika, gruaja e Prend Lleshit, si dhe i vëllai Prenga njiheshin si mbesë e nip të Palucës së Kashnjetit, gjë që na bën të mendojmë se e kishin një origjinë mirditore me tradita e zakone disi ndryshe nga ato zadrimore, por në Kodhel zbatuan në masë të plotë e përpikmërisht zakonet e Zadrimës si në veshje e tradita, ashtu edhe në gjuhë e zakone.

Struktura ndërtimore e kullave të Kodhelit

Meqë folëm për disa tipare historiko-shoqërore të Kodhelit, pasi kemi treguar shtrirjen dhe vendndodhjen e lagjeve të vjetra sipas gojëdhënave, por edhe sipas ndonjë kronike të kohërave të vjetra, mund të flasim edhe për disa karakteristika të banesave të kodhelësve të trashëguara nga hershmëria.

Së pari duhet të theksojmë se ndërtesat përgjithësisht ishin kulla dykatëshe dhe fare pak shtëpi përdhese. Si zakonisht, shtëpitë e vjetra ishin kulla, ndërsa ndonjë banesë e ndërtuar më vonë ishte përdhese. Kështu ishte shtëpia e Kolë Matisë, se ishte ndërtuar vonë, e Ndokë Simonit, edhe kjo e ndërtuar vonë, e Lazër Matisë që nuk dihej se kur ishte ndërtuar dhe nga e kishte origjinën ky banor, por ishte i mbështetur tek fisi i Zef Markut dhe shtëpinë e kishte aty përbri të kullës së tij.

Kur kemi folur për vendndodhjen e lagjeve të vjetra, kemi cilësuar se lagjja Kolgjonaj, sipas statistikave, së paku kishte 12 shtëpi, ishte një lagje kala. Ishte e rrethuar me avlli të lartë dhe me një portë të madhe hyrëse brenda asaj lagjeje, të cilën e menaxhonte një nga banorët e saj, sipas gojëdhënave, vetë Kolë Gjoni që i dha edhe emrin asaj lagjeje. Nuk kemi të dhëna nëse ishte një ndërtesë e madhe dhe e vetme me 12 familje, apo ishte një grup kullash të rrethuara të gjitha me të njëjtin mur mbrojtës.

Edhe lagjja Pleshë, sipas gojëdhënave, ishte një lagje me shumë shtëpi, të paktën 53 sipas Dom Gaspër Gurakuqit e të gjitha ishin si të thuash nga shtëpia e parë deri tek e fundit me kulme të përbashkëta. Pozicioni i ndërtesave të saj ishte poshtë Ograjës së Ullinit dhe vinte që nga Lamëkodra deri tek rruga që të çonte tek Kisha e vjetër. Për këtë tregonin edhe rrënojat e vjetra dhe gjurmët e themeleve që kanë pasur dukë deri shumë vonë, deri aty nga vitet ’70 të shekollit të kaluar. Nuk mund të them saktësisht sesi ishin ndërtuar lagjet e tjera, por për disa mund të hamendësoj bazuar mbi paraqitjen e gjurmëve të tyre me shfaqje muranash prej gurësh që, sado që banorët e mëvonshëm ishin përpjekur për t’i pastruar nga gurët, përsëri shenjat e themeleve dhe grumbujt e gurëve si dhe mbetje enësh prej balte të thyera, e tregonin më së miri ekzistencën e tyre të grupuara dhe afër, ose ngjeshur me njëra-tjetrën.

Mendoj se lagjet e Kodhelit kanë qenë ndërtuar të ngjeshura me njëra-tjetrën, jo vetëm si ndërtesa, por edhe si lagjja me lagjen për arsye mbrojtje nga ndonjë agresion i mundshëm nga të huajt. Të gjitha, tetë sipas të dhënave gojore, ose pesë sipas D.G. Gurakuqit, ishin të vendosura në një sipërfaqe jo shumë të madhe dhe kryesisht në faqen perëndimore e veriperëndimore të Kodërpleshës me distanca jo më shumë se 200-300m larg njëra-tjetrës.

Duke iu referuar kullave të vjetra të Kodheli, atyre që kam njohur unë, si dhe atyre që ende ekzistojnë edhe sot, kam konstatuar se ato ishin në hershmëri ca kështjellëza të vogla. Për këtë mund t’i referohem së pari paraqitjes së tri prej tyre: e fisit Gjokhilaj, e fisit Brozi dhe e fisit Syqi. Sipas memories sime, si dhe sipas gjurmëve e strukrurës së ndërtimit, ishin kulla mjaft të mëdha dhe të rrethuara me avlli guri të larta e me nga një portë hyrëse dykapakëshe ku mund të zinte lirisht një pendë qe me gjithë qerr.

Shtëpia e fisit tonë ka qenë një kullë shumë e madhe dhe e rrethuar me një avlli të lartë guri dhe aty deri nga fundi i shekullit XIX jetonte një familje mjaft e madhe me shumë anëtarë. Kjo e bënte që të ishte një ndërtesë gjigande. Strukturën dhe madhësinë e saj e kam njohur me detaje, se kam jetuar aty në fëmijërinë time, ndaj po e paraqes këtu me ekzaktësi ashtu siç ka qenë ajo.

Duke u nisur që nga shtëpia ku unë linda dhe u rrita, fillonte ajo kullë që para shtëpisë sonë kishte një oborr të madh të shtruar me rrasa guri dhe ndahej me oborrin e Zog Bardhit me një mur të thatë guri jo shumë të lartë ku aty tek fundi i shkallëve prej gurësh të gdhendur që na çonin në pjesën e sipërme të kullës, ishte një kapërcyell që na jepte akses me shtëpinë e Zogut që fill pas atij kapërcyelli ishte dera hyrëse dhe pas saj shkallët e drunjta që të çonin në pjesën e sipërme të shtëpisë.

Në krye të shkallëve të gurta të shtëpisë sonë ishte ngritur një softallek(shesh pushimi) i mbuluar me tjegulla dhe prej aty futeshe në qoshk që ishte një dhomë mjaft e madhe me një bodrum aty në anë të oxhakut. Kishte një dritare që shikonte dhe kontrollonte oborrin, shkallët dhe derën e madhe të oborrit. Nga mesi i qoshkut ishte një këmbë shkallë dhe sipër saj dera që të fuste në një korridor të vogël e të errët.

Në të majtë të atij korridori ishte dera që të çonte tek Oda e Burrave që ishte një dhomë shumë e madhe. Quhej Oda e Burrave, por në fakt ishte dhoma e gjumit e xhaxhait tim, Shkurtit me grua e fëmijë. Mendoj se ashtu ishte quajtur që në kohën kur kishte qenë shtëpi e madhe dhe e pandarë. Edhe kjo dhomë kishte dy dritare ku njëra kontrollonte pjesën perëndimore të oborrit, apo të lamës së kotecave, siç e quanim ne vendin ku ishin ngritur kotecat e misrit dhe tjetra kontrollonte Vathën e bletëve nga pjesa veriore e shtëpisë. Gjithashtu, kontrollonte edhe rrugën që vinte nga Dajçi, andej nga Pusi i Keq. Asnjëherë që nga koha kur gjyshi i babait tim, Shtjefën Zefi, ishte ndarë nga shtëpia e madhe, nuk ishte përdorur si dhomë burrash e kjo bën të mendohet se ajo kishte funksionuar si e tillë veç kur shtëpia e madhe pati qenë e bashkuar.

Në krahun e djathtë të korridorit ishte dera që të çonte në dhomën e grave që në fakt shërbente si dhomë ndenjeje dhe kuzhinë, njëkohësisht. Edhe kjo ishte mjaft e madhe dhe e zinte krejt familjen tonë aty që ishte një familje mjaft e madhe në numër. Ajo dhomë ndriçohej nga një baxho e vogël në çati dhe me rrezen e saj përcaktohej edhe koha ditore. Por si ndriçues ishte edhe dritarja që ishte pas lavamanit të kuzhinës që ne e qunim sjolli. Kuzhina ishte e ndarë me një dhomë tjetër jo shumë të madhe, por që shërbente si dhomë gjumi, si dhe me një kthinë tjetër të vogël që përdorej si magazinë ushqimesh.

Po ta merrje në konsideratë sipërfaqen e saj, besoj se mund ti kalonte veç kati i sipërm të 100 metrat katrore, në mos më shumë. Kjo sipërfaqe përsëritej gati identike me shtëpinë e kojshinjve tanë, kullën e Zog Bardhit me të cilën na ndante një mur dhe kishim një kulm shtëpie. Edhe kjo kullë, fillonte me një hapësirë të vogël poshtë shkalleve të brendshme të drunjta dhe në pjesën e sipërme fillonte me dhomën e familjes së Ndrecës dhe më sipër saj në të djathtë ishte Oda e Memës që ishte dhoma e gjumit e Pjetrit me familje. Para këtyre dy dhomave ishte korridori dhe drejt me kryetin e shkallëve ishte dera që të çonte në Odën e madhe, kështu quhej dhoma ku shërbente edhe si ndenje si dhe si kuzhinë. Të gjitha këto dhoma ishin mjaft të mëdha dhe besoj se edhe kjo sipërfaqe e katit të sipërm ishte aty afër të 100m katrore.

Nuk them me saktësi, por pas shtëpisë së Zog Bardhit ka qenë një oborr i rrethuar me një mur që tregonte se dikur kishte qenë një ndërtesë apo banesë anekse e lidhur me të dy kullat, por pas atij muri si dhe pas mureve të shtëpisë së Zogut ishte shtëpia e Shuk Prekës dhe e Rrok Dedës që të dyja nën një kulm dhe me një mur të përbashkët me shtëpinë e Zogut.

Siç e thamë, dy shtëpitë tona kishin oborre çift dhe të rrethuar me një avlli të lartë ku ishin dy dyer të mëdha edhe këta çift. Oborri i Zogut nga ana tjetër kufizohej nga shtëpia e Lush Palokës, edhe kjo kullë dykatëshe që besoj se kishte qenë pjesë e shtëpisë së madhe dhe e pashkëputur dikur. Them e pashkëputur, se si oborr të brendshëm kishte një hapësirë që dukej qartas që kishte qenë një banesë dhe quhej Kulla e Monit ai oborr. Ishin të dukshëm shenjat e vendeve ku dikur kishin qenë vendosur trarët e çordakut të një kulle të dikurshme. Ishte një sipërfaqe mjaft e konsiderueshme ai oborr. Muri i lartë përballë shtëpisë së Lushit ishte njëkohësisht edhe muri i shtëpisë së Rrok Dedës. Pra ishte një sipërfaqe mjaft e madhe me mbi katërqind-katërqind e pesëdhjet metra katrore për të mos thënë edhe më shumë. Sot që pjesa më e madhe e atyre kullave nuk janë më, po ta ndjekësh gjurmën e hershme të tyre, duket si e pabesueshme të ketë qenë dikur një shtëpi e vetme për një familje të vetme, siç ishte familja(shtëpia) e Gjok Hilës.

Si kjo, por ndoshta jo me kaq përmasa ishin edhe në Mëhallën e Poshtër edhe shtëpia e Syqve(shtëpia e Zekë Hilës dhe e Llesh Kolës si dhe e Hilë Filipit me Kullën e Palokë Gjokës. Për të krijuar një ide sa më të qartë, për fatin tim të mirë, aty nga ditët e para të janarit të vitit 2006, si për të pasur një kujtim nga vendlindja ime fokusova dhe fotografova disa kulla të Kodhelit që ende ishin në këmbë dhe ruanin ende të fraskëta gjurmët e hershmërisë së tyre, ndaj po i paraqes këtu më poshtë si ilustrim të hipotezave të mia për strukturën ndërtimore të hershme të Kodhelit. Sigurisht, sot, edhe nëse ndonjëra ekziston akoma, prap ndërtimet e mëvonshme ndryshojnë mjaft nga ato.

Dok-kulla e Zek Hilës

Pamja ballore e shtëpisë së Zekë Hilës dhe anësore e Llesh Kolës, majtas që dikur kanë qenë me një kulm të përbashkët, si dhe pamja anësore e kullës së Hilë Filipit djathtas. Edhe aty shihet qartë avllia e lartë dhe porta e madhe hyrëse në oborrin e brendshëm të asaj shtëpie. Kam përshtypje se kur kam qenë fëmijë edhe kulla e Llesh Kolës kishte një mur të përbashkët me kullën e Zek Hilës, por nuk mund ta konfirmoj se mundet të ketë qenë thjeshtë një iluzion imi fëmijëror. Për këtë mund të dëshmojnë më mirë banorët e atyre shtëpive, bashkëmoshatarë të mi që kanë lindur e janë rritur në ato shtëpi.

Dok-kulla e Hilë Filipit

Edhe kjo foto paraqet pamjen ballore të shtëpisë së vjetër të Hilë Filip Brozit. Pas saj ishte edhe kulla e Palokë Gjokë Brozit. Nuk jam i sigurt, në kishin mure të përbashkëta, ose jo, por ishin shumë afër me njëra-tjetrën dhe mund të ishin një fis i përbashkët të ardhur nga i njëjti vend, Lura. Banorët e sotëm të atyre kullave e kryesisht nga familja e Gjon Hilë Brozit, si dhe fëmijët e Prend Lleshit që e patën blerë kullën e Palok Gjokës, mund ta konfirmojnë dhe tregojnë në kishin qenë me kulme apo mure të përbashkëta.

Përsa u përket kullave të tjera, si ajo e Zef Markut si dhe ajo e Ndoc Lazrit, mund të them se kishin karakteristika të tjera. Kulla e Zef Markut ishte mjaft e gjatë dhe me një kulm të përbashkët. Ishte e ndarë mes tri familjesh. Në fillim ishte vendosur familja e Marka Zefit. Në mes familja e Gegë Zefit dhe përfundonte me familjen e Kolë Zefit. Pas termetit të 15 Prillit 1979 pjesa e Marka Zefit si edhe ajo e Gegë Zefit që në atë kohë e zotëronte i biri, Laca, u shembën dhe shteti i asaj kohe ua ndërtoi të reja në fund të Ograjës së Marjakut, pak metra sipër Rrugës së Bregut.

E cilësova edhe më sipër se ndërtimet e mëvonshme ndryshuan kryekëput nga ndërtimet e hershme, si ato të epokës së kullave, si ato të shtëpive përdhese, siç jemi mësuar t’u themi shtëpive njëkatëshe, si ato të epokës së sotme të tipit të vilave. Deri kur ekzistonte prona private parakooperativiste, kullat, apo shtesat e tyre prap ndërtoheshin me dy pjesë ku pjesa e sipërme ishte për njerëzit dhe pjesa e poshtme për burg bagëtish. Kur ndryshoi sistemi, u ndërtuan dykateshe, por e gjithë kulla veç për njerëzit. Kështu ishte kulla e Zog Bardhit, e reja, një kullë mjaft e madhe me shumë dhoma dhe për tri familje. Kështu u ndërtua edhe kulla e Zekë Shtjefnit, gjyshit tim, mbështetje e kullës së vjetër me shtatë dhoma dhe ndarje, të gjitha veç për njerëzit e jo më për bagëtitë. U ruajt veç pjesa e vjetër e burgut të bagëtive pa u kthyer për njerëzit, pasi dukej jo normale që aty të jetonin njerëzit, edhe pse më nuk u futën bagëti apo shpend. U shfrytëzua veç si magazinim për materiale të ndryshme.

Kulla e Jak Kolës, por besoj se edhe ajo e Zef Markut duhet të jenë ndërtuar jo shumë herët, pasi nuk i patën karakteristikat e kullave të hershme me oborre të rrethuar me mure të larta, por ishin me burgje kafshësh dhe sipër banesa njerëzish. Nuk jam shumë i sigurt për kullën e Ndoc Lazrit, por edhe ajo ishte shumë e vjetër dhe e rrethuar me avlli guri mjaft e lartë.

Fototeka dhe piktura kombëtare shqiptare mbartin edhe stampën “Kodheli”

Nga Kodheli i moçëm dolën edhe familje që më vonë do të merrnin famë. Nga këto familje mund të veçojmë familjen e Rrok Kodhelit që më vonë do të merrte emrin Marubi, pasi e kishte mbajtur për shumë kohë emrin Kodheli. Duke qenë se në familjen e tyre në Shkodër kishte shkuar si qeraxhi italiani fotograf Pjetër Marubi aty nga gjysma e dytë e shekullit XIX, ky, pasi kishte hapur një studio fotografie, merr fëmijët e Rrokut si çirakë në studion e tij, fillimisht Matinë që nuk jetoi gjatë dhe vdiq në moshën e rinisë së hershme e më pas merr edhe Kelin të cilit ia mëson zanatin dhe e bën bir në shpirt duke ia lënë trashëgimi, jo vetëm zanatin, por edhe gjithë ç’kishte së bashku edhe me mbiemrin e tij e famën e mëpastajme. Pas Kelit, zanatin e fotografit e trashëgon i biri, Gega dhe pas tij, i fundit i kësaj dinastie, Kel Marubi i ri. Marubët arritën të fotografojnë mjaft evente kombëtare si dhe mjaft figura të shquara të kombit në kohën e tyre duke zënë vendin e parë dhe të nderit në fototekën kombëtare shqiptare. Ata, Marubët, i dhanë kombit me qindra mijëra foto dhe negativë fotosh që sot janë një pasuri e madhe kombëtare.

220px-Pjeter_Marubi

Pjetro Marubi

FOTO_MATI_MARUBI_1862-1881_006x

Mati Kodheli

Kel_Marubi

Kel Kodheli

gege_marubi_1907_1984

Gegë Marubi

Kel e Gegë Marubi

Gegë e Kel Mrubi

Edhe në ditët e sotme, vazhdën e Marubëve, jo vetëm për Kodhelin, por për mbarë Zadrimën e më tej, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij, po e ndjek djali i Kodhelit, Llesh Prendi. Ai, që në kohëne komunizmit dhe më pas, stampoi dhe regjistroi historinë zadrimore e veçanërisht të Kodhelit. Por Lleshi, ashtu siç e thamë, e shtriu aktivitetin e tij edhe më tej kufijve të Zadrimës dhe jashtë Shqipërisë në disa vende të Europës. Pra, me të drejtë sot mund të themi se fototeka kombëtare shqiptare mbart edhe emrin Kodheli.

Lleshi 2

Fotografi i ditëve tona, mjeshtri Llesh Prendi

Vulën dhe emrin Kodheli me mjaft nder e lavd e mban sot edhe piktura kombëtare shqiptare me piktorin e shquar Kel Kodheli, Nderi i Kombit. Ai, siç e kemi cilësuar edhe më sipër, lindi në Kodhel në vitin 1918 dhe kur ishte gjashtë vjeç, së bashku me familjen e tij shpërngulet për në Tiranë. Prej aty ndjek studimet për pikturë në Romë dhe kur kthehet merret me mjaft aktivitete, ndër të cilat edhe në Bankën Kombëtare Shqiptare si stampist i disa monedhave. Si piktor ai paraqiti dhe hodhi në kanavacë mjaft tabllo që ishin ndër kryeveprat e pikturës shqiptare. Disa prej tyre po i paraqesim këtu më poshtë, por më parë duhet të themi se për kontributin e çmuar të tij në fushën e pikturës shqiptare, Kel Kodhelit iu akordua titulli “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu.

kel3

Me Presidentin e Republikës Alfred Moisiu.

Lutja-e-mbramjes

Piktura Lutja e mbramjes

kel-kodheli-skenderbeu_l

Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti

Kel Kodheli Vallja e shpatave

Vallja e shpatave

kel-kodheli-grua-shkodrane-me-ombrelle_l

Gruaja me çadër

kel-kodheli-portret-vajze_l

Nusja me stoli

kel-kodheli-3

Portret vajze

Dropullitja nga Kel Kodheli

Dropullitja Piktura

kel-kodheli dhe piktura bujku

Bujku dhe autori Kel Kodheli

Shkolla e Kodhelit

Shkolla për fëmijët e Kodhelit dhe të Baqlit u hap aty nga viti 1946 në fshatin Baqël. Mësuesi i parë i kësaj shkolle u bë Filip Gjekë Palushi. Filipi vetë në fëmijëri dhe rini të tij kishte mbaruar një shkollë për prift, por pa e përfituar të drejtën e meshtarisë, për rrethana të panjohura, ndaj ishte plotësisht e mundshme që në mungesë të një mësuesi të mirëfilltë ta ushtronte detyrën e mësuesit. Si godinë shkolle u përdor shtëpia e Simon Kinit, një shtëpi njëkatshe me dy dhoma të mëdha dhe dritare me madhësi të formave të pranueshme për shkollë. Klasa ku bënin mësim (ishte një shkollë që deri shumë vonë kishte katër klasa mësimore që e bënin mësimin së bashku, pra me katër klasa kolektive), ishte e shtruar me një çardak dërrasash ku poshtë tij ishte si një bodrum i cekët.

Si ndërtesë, shkolla ishte ndërtuar në një rrafshinë, mu afër Kanalit të madh që ishte hapur nga të burgosurit dhe e ndante Baqlin në dy pjesë. Para kishte një oborr të madh dhe para oborrit ishte edhe një fushë e lirë që rinia e Baqlit e shfrytëzonte si fushë futbolli. Sot në atë vend kanë ndërtuar shtëpitë e tyre djemtë e Filip Gjekës dhe i kanë kthyer në bahçe të mrekullueshme, por në atë kohë dukej si një tokë gurishtë dhe shterpë.

Që në fillimet e asaj shkolle, ajo shërbeu, jo vetëm për fëmijët e vegjël të Kodhelit e të Baqlit, por edhe për të rriturit që për pak kohë e bënin natën mësimin, kur fëmijët nuk ishin më aty. Këtë gjë e tregonin shpesh të moshuarit dhe thoshin se kishin mjaft vështirësi frekuentimi, por ishin te detyruar të shkonin atje, se shteti i detyronte ta kryenin në kuadër të zhdukjes së analfabetizmit, megjithatë, ashtu siç e thoshin ata, fare pak, ose aspak u zhduk analfabetizmi nga ato kurse të detyrueshme, se shumë pak, ose aspak u mësua aty. Nga ana tjetër kemi të dhëna se kurs kundër analfabetizmit u bë edhe në Kodhel dhe sidomos me gratë e moshuara. Atë kurs e drejtonte Drande Palokë Gjoka e cila në fëmijërinë e saj kishte mbaruar në Shkodër pesë klasë shkollë murgeshash dhe i kishte aftësitë për ta drejtuar atë kurs.

Këtu dua ta falenderoj nga zamra z. Çesk Brozi që solli në kujtesën time emrat e disa mësuesve të tjerë të asaj shkolle dhe po i paraqes emrat e tyre sipas kujtimeve të tij shumë të besueshme, pasi ai ka qenë ndër nxënësit e parë të asaj shkolle. Pas Filip Palushit (nuk kemi të dhëna se sa kohë qëndroi ai si mësues aty), mësues kishin caktuar Luigj Kosmaçin dhe pas tij Fran Dushin. Më pas Ndoc Kolën e me radhë Pina Shestanin e Zef Sheldien. I kujtoj këta emra nga prindërit e mi si dhe nga i nderuari Çesk Brozi, sot i moshës 82 vjeçare, pasi unë nuk arrita t’i gjej si mësues aty kur e fillova shkollën aty nga viti 1957. Në atë vit si mësues pata Vehbi Hoxhën që nuk qëndroi gjatë dhe në semestrin e dytë e zëvendësuan me Angjelina Kastratin, gruan e Pjetër Topallit nga Nënshati, por, me sa di unë, me banim në Shkodër. Jetonin familjarisht në shkollë në dhomën tjetër. Ajo qëndroi aty dy vite e gjysëm dhe më pas u zëvendësua me Zef Simonin, edhe ai nga rrethinat e Shkodrës, ose ndoshta nga Shkodra brenda, për këtë nuk jam shumë i sigurt, por me të ishte viti i fundit i fillores për mua dhe shokët e mi të klasës së katërt, por, aq sa mbaj mend, ishte edhe viti i fundit që fëmijët e Kodhelit shkonin në Baqel për të ndjekur mësimet në shkollën fillore, se e bënë shkollën në Kodhel.

Mendoj se numri i nxënësve për ta hapur shkollën në Kodhel duhej të ishte i mjaftueshëm që në vitin 1957, kur unë e fillova klasën e parë. E them këtë duke iu referuar kujtesës sime e cila arrinë të numërojë mbi 20 nxënës që shkonim në Baqël veç nga Kodheli dhe po kështu veç nga Kodheli në klasën e katërt ishin 9 nxënës dhe me sa mbaj mend nga Baqli nuk kishte fare në atë klasë. Në kujtim të atyre viteve, si dhe të bashkëmoshatarëve të mi të asaj kohe po i rreshtoj emrat e atyre që bënin klasën e katërt duke filluar nga im vëlla Nikollë Gjin Gjokhilaj që ishte më i vogli nga të tjerët se e kishte filluar klasën e parë ende pa i mbushur të 6 vitet. Tjetri ishte Mark Ndoc Gjokhilaj e pas atyre vinin edhe 7 vajza; Çile Ndrecë Gjokhilaj, Çile Ndrecë Marku, Çile Hilë Filipi, Angje Gegë Marku, Drande Ndoc Marku, Zina Dodë Ndreca dhe Kusha Kolë Matia. Në klasën e parë ishim: Unë, Kel Lekë Gjokhilaj, Zina Pjetër Gjokhilaj, Kusha Ndrecë Marku dhe Mrika Gegë Marku. Në klasën e tretë ishin Gjyste Rrok Gjokhilaj e Katrina Pjetër Gjokhilaj dhe në klasën e dytë duke menduar se nuk gaboj në saktësinë e klasës ku bënin mësim, mund të rreshtoj këta emra: Prend Gac Lleshi, Vlash Ndoc Gjokhilaj, Tish Kol Matia, Marie Prend Lleshi, Gjergj Kolë Zefi. Në vitin që do të vinte më pas në atë shkollë do të regjistroheshin edhe një numër mjaft i konsiderueshëm nxënësish nga Kodheli dhe përsëri numri i nxënësve nga Kodheli që shkonin në Baqël nuk do të binte edhe aq shumë duke konsideruar se nga klasa e katërt iknin 9 nxënës e do të vinin 5 në klasë të parë si Prekë Ndrecë Gjokhilaj, Nikë Ndoc Marku, Zef Prend Lleshi, Llesh Kolë Lleshi dhe Serafin Dodë Ndreca e nuk besoj se kam harruar ndonjë tjetër. Pra, siç shihet, kushtet ishin për një shkollë të veten nga Kodheli për fëmijët që vazhdonin shkollën në ato vite.

Tashti nuk jam në gjendje ta përcaktoj qartë se cilët ishin nxënësit e parë që do ta shijonin shkollën në Kodhel, them si emra të të gjithëve, si dhe sa ishte numri i tyre i saktë në atë kohë. Unë dhe brezi im nuk e patëm fatin ta fillonim shkollën aty. Them brezi im duke menduar dhe konsideruar ata që mbaruan të fundit në Baqël klasën e katërt, pasi ne lamë pas nga ajo klasë edhe ndonjë nga ata që kishin ngelë nga klasa e katërt që ishim ne, si dhe ata që vinin në atë klasë fill pas nesh që e mbaruam në Baqël si dhe shumë të tjerë që e kishin filluar shkollën pas nesh e një numër i konsiderueshëm po atë vit shkollor. Numri i fëmijëve do të vinte gjithnjë e më shumë në rritje, pasi Kodhelit po i shtoheshin familjet dhe popullsia nga viti në vit, por jo të ardhur nga vende të tjera, veç nga popullsia vendase.

Aty nga vjeshta e vitit 1961, nuk jam i sigurt në këto momente se që në shtator, apo pak më vonë, me një kërkesë dhe interesim jashtzakonisht të madh nga Luigj Kodheli(Gjokhilaj) u bë e mundur të sillej nga Shkodra Benardin Ashiku, mësuesi i parë që do ta niste mësimin në Kodhel tek shkolla e improvizuar tek Shtëpia e Palokë Gjokës në aneksin e jerevisë së kësaj shtëpie. Benardini, për kohën që jetoi e punoi në Kodhel, jetoi tek një dhomë e sajuar në shtëpinë e Marka Zefit.

Ai nuk qëndroi gjatë aty dhe më vonë u zëvendësua nga mësuesi Shtjefën Sallaku nga Blinishti, një mësues me shumë përvojë dhe me mjaft mjeshtëri zanati. Ai qëndroi gjatë aty dhe më vonë, duke qenë se popullata e Kodhelit po rritej e shumohej e së bashku me të edhe fëmijët e kështu u bë një numër mjaft i konsiderueshëm nxënësish, lindi nevoja për ndarje klasash si dhe për një godinë të re shkolle. Shkolla e re u ndërtua tek Larecja, apo Ara e Lareces. Aty pastaj do të jepnin mësim edhe shumë mësues të tjerë, krahas Shtjefën Sallakut, derisa vitet e fundit edhe kjo shkollë u mbyll, se ra numri i nxënësve dhe përsëri fëmijët e Kodhelit, që nga klasa e parë e deri në klasën e nëntë shkojnë dhe marrin mësime në Blinisht, por në kushte shumë më të favorshme se kur ne shkonim në Baqël. Them në kushte shumë më të favorshme, pasi rruga tashmë është e asfaltuar dhe veç kësaj ata i merr dhe i bie një furgon që është vënë posaçërisht në dispozicion të tyre.

Shkolla e Kodhelit

Shkolla fillore e Kodhelit.

Po si sihte të shkoje në shkollën e Baqlit nga fëmijët e Kodhelit? Ishte mjaft e vështirë. Po ta përshkruaj rrugën që nga Mëhalla e Sipërme dhe deri në shkollë në Baqël, del një kalvar i gjatë mundimesh e vuajtjesh për një fëmijë të moshës 7-11 vjeç, ndoshta edhe më të vegjël se aq. Ishte një rrugë mjaft e gjatë dhe e vështirë për t’u përballuar nga fëmijë të vegjël.

Si zakonisht, mblidheshim bashkë diku aty afër Farkës apo tek Guri i Curkës dhe e bënim rrugën bashkë të gjithë, si nga Mëhalla e Sipërme, ashtu edhe ata të Mëhallës së Poshtme. Si zakonisht, prej nga Guri i Curkës e deri tek Bunari merrnim rrugën që ishte mes vendit që quhej Shpia e Re e Syqit dhe Larecës, vendi ku sot është godina e shkollës së Kodhelit.

Rruga ishte si një rrugë qerri, por në kujtesën time, dukej sikur ishte e shtruar me kalldrëm, por, kur binte shi, kthehej në një kanal ujërash dhe ne detyroheshim ta ndërronim, ose duke i rënë andej nga Ograjat e Palokë Zefit, ose duke këputur shkurt përmes Larecës. Tek Bunari ishte si një tip përroske me ujë që futej andej nga Zabeli i Zef Markut dhe ne na duhej ta kalonim duke u hedhur nga guri në gur, por qëllonte që mbushej me ujë të rrjedhshëm e të rrëmbyeshëm, sidomos kur binin shira të rrëmbyeshme. Atëherë nuk guxonim ta kalonim., kur ishim të vetmuar, por, kur ishim të gjithë së bashku, ata më të rriturit dhe më të guximshmit mbartnin në shpinë më të vegjlit, ose kapeshim dorë përdore zinxhir duke tërhequr fort njëri-tjetrin. Qëllonte që na dilte përpara ndonjë apo disa nga prindërit dhe na prisnin aty për të na ndihmuar ta kapërcenim atë përrua e të dilnim në anën tjetër.

Prej aty i ngjiteshim për nja 100-200m kodrës së Varoshit derisa dilnim në rrafshin përbri Magjypeve. Aty ndiqnim rrugën përbri atyre arave dhe, pasi kalonim prroskën që vinte nga Qfa e Baqlit dhe binte drejt Kloseve, i ngjiteshim një rruge jo shumë të pjerrët dhe kapnim Qafën e Baqlit, një grykë kodrash që ishin të mveshura me pyje që baqlorët e quanin Prozhmja. Edhe ajo rrugë pylli ishte mjaft e rrahur, por shpesh bënte baltë dhe ishte e vështirë për t’u kaluar nga fëmijë të moshës së vogël. Por ishte edhe pak e frikshme, sidomos kur përflitej se ishte parë diku në ato rrethina ndonjë ujk, por shpesh, kur vdiqte ndonjë njeri, qarkullonin edhe legjenda urbane e të ngriturit lugat të ndonjërit dhe ne dridheshim deri në palcë nga frika, se mos ai “lugati” vinte e na merrte me vete. Ishte përfolur, kur unë isha nxënës i fillores, për dy vetë që gjoja ishin ngritur lugat, njëri nga Kodheli që e kisha njohur mirë më parë, e tjetri nga Baqli.

Imagjinata e fëmijës dhe përrallat e kësaj natyre, na bënte të frikësoheshim shumë, por kësaj frike shpesh i shtohej edhe një frikë tjetër, se shpesh, aty nga fundi i Magjypeve, në një djerrishtë mjaft të madhe, ngulnin çadrat e tyre gabelët dhe qëndronin aty për një kohë mjaft të gjatë. Edhe pse rruga jonë kalonte nja treqind-katërqind metra sipër atyre kolonive gabelsh, ne shpesh u frikësoheshim atyre, sidomos kur na qëllonte ta bënim rrugën vetëm e veçanërisht kur mësuesja na ndalte në pendesë pas mësimit dhe na lëshonte duke perënduar dielli, apo pasi kishte përënduar. Kishim frikë, se qarkullonin fjalë se gabelët ishin një njerëz që i grabisnin fëmijët e vegjël dhe ashtu si kanibalët, i piqnin dhe i hanin siç hanin mishin e bagëtive.

Dimri, gjithashtu, ishte mjaft i vështirë për t’u përballuar nga fëmijët e shkollës, se rruga ishte gjithë baltë dhe në shumë vende na zhyteshin këmbët në llucë e, jo vetëm lageshim e bëheshim me baltë, por shpesh na ngelnin edhe opingat aty në llucë e na duhej t’i nxirnim prej aty përmes vështirësish e mundimesh.

Aty nga viti 1959 u hap në Blinisht edhe shkolla shtatëvjeçare që mblidhte nxënës, jo vetëm nga Blinishti, por edhe nga fshatrat përreth si nga Pirajt, nga Fishta, Troshani, Krajni, Baqli dhe Kodheli, por këtu e kisha si qëllim të flisja për shkollën e Kodhelit, pavarësisht se edhe shkolla e Blinishtit në të gjitha nivelet e saj, luajti dhe po luan një rol të rëndësishëm për shkollimin e fëmijëve të Kodhelit dhe të zonës.

Por fëmijë nga Kodheli edhe në kohëra më përpara u arsimuan në vende të ndryshme. Aq sa kemi njohuri, Tuk Hila(vëllai i vogël i Gjokë Hilës) kishte kryer studimet për prift, por nuk e ushtroi meshtarinë për rrethana që ne nuk na janë bërë të ditur. Ndoshta edhe më parë ka pasur priftërinj e meshtarë nga Kodheli dhe njëri prej tyre ka qenë edhe Dom Ndue Kodheli në vitin 1845 që shfaqet nëpër dokumenta kishtare sipas Dom Gaspër Gurakuqit tek Libri Blinishti fq. 272.

Shkollime patën edhe më vonë djem nga Kodheli dhe kryesisht aty nga viti 1926 e më pas bënë mësim në shkollën e hapur nga murgeshat në Nënshat Kolë Matia dhe Gjin Zeka e ndonjë tjetër. Po kështu, më vonë do të çohej dhe do të kryente një shkollë deri edhe në gjimnaz edhe Luigj Kodheli(Gjokhilaj) në Tiranë. Më vonë, ai, falë arsimimit të tij të veçantë për kohën, do të bëhej një nga kuadrot më të përmendur të kohës për zonën e Zadrimës që në fillimet e shtetit komunist deri kur, për të mos thyer fjalën e dhënë motra e tij martohet me një djalë nga familje me njollë në biografi, nga familje kulakësh, e heqin nga partia si dhe nga funksionet shtetërore.

Po kështu kemi edhe Martin Simon Gjokhilën që mbaroi akademinë ushtarake dhe shërbeu në forcat e armatosura deri sa doli në pension aty. Por, edhe pse shkollën fillore e mbaroi në Baqël, Anton Gjokhilaj, kur ende nuk ishte hapur shkolla shtatëvjeçare në Blinisht, u dërgua nga prindërit e tij në Shkodër dhe atje, jo vetëm arsimin shtatëvjeçar, por mori edhe arsimin e lartë dyvjeçar për mësues matematike. Pra siç shihet, kodhelësit dhe fëmijët e tyre e sidomos ata që kishin etje të madhe për arsimim, e kërkuan dhe e morën atë atje ku ishte e mundur në kohë të ndryshme.

Reforma agrare në Kodhel

Me ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste Shqiptare, filluan gjithandej shpronësimet, si në qytet ashtu edhe në fshat. Fshatarëve të mesëm dhe të pasur ua morën pronat dhe, ose i grumbulloi shteti për nevoja të veta, ose ua dha shtresave të varfëra. Në qytet u mor pasuria e shtresave të mesme dhe të pasura duke mos u lënë asgjë, por këtu nuk dua të përgjithësoj historinë e Shqipërisë, po dua të paraqes ato dukuri që ndodhën në Kodhel fill me vendosjen e shtetit komunist. Duhet të shtojmë këtu se edhe pse Kodheli kishte disa familje të pasura që edhe u shpronësuan, përsëri asnjëra prej tyre nuk u shpall familje kulake siç kishte nëpër fshatra të tjera përgjatë Zadrimës. Ky ishte edhe fat, por edhe solidaritet mes banorëve që e mbronin njëri-tjetrin në çdo situatë që ndodheshin.

Disa familje nga Kodheli kishin vënë me shumë mund e djersë njëfarë pasurie si në toka dhe blegtori. Kishte edhe nga ato që nuk u kishte ecur edhe aq sa për të krijuar ndonjë pasuri të kënaqshme, por jetonin jo edhe aq keq duke punuar tokat që kishin dhe duke rritur bagëti të trasha e të imta sipas mundësive që kishin. Por në Kodhel, shtëpitë e Llesh Kolës, të Zekë Hilës që ishin me shumë anëtarë, kishin mjaft toka dhe bagëti e po kështu edhe Zekë Shtjefni e Zog Bardhi që numëronin nga 300 kokrra dele e nga 20 krerë lopë e qe si dhe toka edhe pse nuk ishin në numër aq sa dy familjet që përmenda më sipër. Kështu, kosa i përfshiu që në fillim kopetë me dhi nga Zekë Hila si dhe me dele nga Llesh Kola, Zog Bardhi e Zekë Shtjefni dhe ashtu me tufa i dërguanë në grumbullim si dhe lopët, qetë e viçat që ata kishin.

Nuk vonoi shumë dhe aty nga viti 1946 filloi edhe famëkeqja Reforma Agrare që i merrte tokat tek ata që kishin më shumë dhe ua shpërndanin atyre që kishin më pak. Familja që u shpronësua më shumë nga tokat ishte familja e Zekë Shtjefnit, pasi kishte pak frymë dhe shumë tokë, krahas tufave me bagëti. Pra u morën tokat dhe ua shpërndanë atyre që për frymë kishin më pak se të tjerët.

Edhe pse u redaktuan tokat dhe tufat me bagëti, prap familjet e Kodhelit iu veshën punës dhe punuan shumë duke i rikrijuar përsëri tufat me bagëti për t’ua marrë përsëri aty pak pas dhjetë vitesh kur u formua kooperativa bujqësore. Gjatë kohës që ende nuk ishte formuar kooperativa bujqësore, kodhelësit punuan me se mundën, por duke qenë se shumicën e qeve të punës ua kishte marrë shteti, vështirësitë ishin të mëdha dhe kështu shumë familje i lanë tokat e tyre djerr duke mos mundur të prodhonin drithërat e nevojshme për bukën e tyre e të fëmijëve të tyre. Por, gjithashtu, edhe planet shtetërore qenë të mëdha dhe të papërballueshme e kështu në dyert e Kodhelit, por edhe të të gjithë zonës, trokiti në derë zia e bukës që e gjunjëzoi keqas popullatën duke e kërcënuar edhe me humbje jetësh.

Me gjithë vështirësitë e krijuara nga Reforma dhe planët, përsëri kodhelësit bashkëpunonin e ndihmonin njëri-tjetrin në punim toke, në mbjellje si dhe korrje e shirje të produkteve bujqësore dhe kishin një solidaritet të pakrahasueshëm dhe mjaft të admirueshëm mes tyre.

Kooperativa e Kodhelit

Aty nga viti 1956 apo 57 edhe në Kodhel u krijua kooperativa bujqësore. Formimi i kooperativës nuk ishte gjë e pëlqyeshme nga kodhelësit, por ishin të detyruar ta pranonin forcërisht këtë formë e zgjedhë të re robëruese. Kështu u ribashkuan edhe një herë tokat pas afro dhjetë vitesh që ishin marrë nga shteti dhe shpërndarë tek fshatarët e tjerë. Po vinte përsëri një shpronësim dhe një varfërim i dytë i një forme të re, por edhe më i egër se i pari. Tashmë fshatarët nuk kishin më prona, nuk kishin më liri ta zhvillonin atë si të mundnin e të dëshironin, por të punonin si skllevër dhe po si skllevërit të shpërbleheshin. Pra filloi një skllavëri e bujkrobëri e re për kodhelësit dhe për të gjithë fshatarët shqiptarë në përgjithësi.

Në vendin që sot është shtëpia e murgeshave dhe Kisha e re u bënë stallat e qeve e të rosave, në Kodhel pati një tufë të madhe rosash për të cilat ishte caktuar Mrika e Prend Lleshit të kujdesej për ta për t’i rritur e mbarështuar, si dhe magazinat për prodhimet bujqësore të kooperativës. Ato stalla dhe magazina më vonë, kur aty nga fillimi i viteve ’60 u bashkuan kooperativat e vogla me kooperativën e Dajçit, ato u reformuan dhe u bënë hangarë për tharjen e duhanit e më vonë akoma përsëri si stalla, delesh apo viçash.

Si kryetar i kooperativës u bë Luigj Kodheli dhe u organizuan mënyrat e drejtimit dhe të organizimit të punëve. Si zyra ishin caktuar kulla e Palokë Gjokës, një ndërtesë boshe tashmë dhe nuk e di në ia kishin blerë apo e kishin zënë ashtu, pasi tashmë ishte e pabanueshme. Nuk e di në kishte funksionuar edhe më parë ashtu, apo ishte e përshtatur, por edhe kati i poshtëm i asaj kulle ishte i përshtatur për njerëz dhe nuk kishte gjurmë të dukshme që aty ishin strehuar e bujtur bagëtitë.

Edhe bashkimi i kooperativave nuk solli shumë ndryshime në mirëqenien e njerëzve, përkundrazi, shumë familje u varfëruan dhe u robëruan edhe më shumë, madje disa edhe u përsekutuan edhe më shumë, se dikush-dikush edhe kalonte nga një fshat tek tjetri si për t’u internuar duke punuar larg familjeve të tyre, si në vreshta, në foragjere, në blegtori etj. Sigurisht, rruga e largët dhe drobitëse ndikonte negativisht edhe në realizimin e normave të duhura dhe kështu edhe ajo që ishte si shpërblim pune duhej të ishte i pakët në varësi të normave që merrte. Kështu, shumë familje që nuk e realizonin minimumin e ditëve të punës(normat), nuk e përfitonin racionin e plotë të bukës për frymë që duhej të merrnin në kooperativë. Kishte raste që, nga 700 gr. që i takonte secilit për frymë, u reduktohej deri edhe në 300gr. e ndoshta edhe dikujt që nuk ishte krah pune edhe ia hiqnin fare edhe atë pak racion. Imagjinojeni: në kushte kur mungonin totalisht ushqimet plotësuese, mungesa e bukës ishte fatale për njerëzit.

Duhet ta theksojmë këtu se me ngritjen e koop. bujq. u krijuan edhe statutet bujqësore që ndryshuan herë pas here në dëm të fshatarëve. Në fillim, sipas statutit kooperativist çdo familjeje i lihej një ngastër tokë prej 3dynymë sipërfaqe si dhe deri në 15 kokë dele ose dhi, ose mikse dhe një lopë. Për familjet e mëdha nuk ishte e mjaftueshme, sigurisht, por për familjet e vogla qe mjaft mirë, pse kishin mjaftueshëm bylmet, perime e zarzavate si ushqim. Për familjet e mëdha nuk mjaftonin edhe aq, por ishte disi e mirë edhe kjo gjë.

Më vonë statuti ndryshoi dhe u bë veç një dynym tokë dhe një lopë, ose 15 kokë të imta. Pra ishte shumë më pak se më përpara. Kur një familje e madhe ndahej në disa pjesë, nuk kishte të drejtë ta merrte atë një dynymësh tokë, por ta ndante në pjesë tokën ekzistuese që mund t’i takonte deri edhe në dyqind metra katrore, ose edhe më pak dhe nuk kishte të drejtë ta shtonte edhe po ta kishte mundësinë ta zgjeronte pjesën e takuar me ndonjë copë djerrishtë që mund t’i ndodhej aty përbri tokës së tij. Kishte të drejtë të mbante bagëit sipas statutit dhe veç kjo ishte e mirë, po të ndahej ajo familje e madhe, po jo për të tjera probleme.

          Zyrat e koop. së Kodhelit Kjo foto e vjetër paraqet kullën ku u vendosën zyrat e kooperativës së Kodhelit. Më parë ishte kulla e Palokë Gjokës, i shpërngulur familjarisht në Shkodër aty nga viti 1950. Bujarisht na e dhuroi si një dokument, djali i Palokë Gjokës, Çesku. Në kujtimet e tij Llesh Prendi, mjeshtër i fotografisë dhe banor i mëvonshëm në atë kullë na thoshte: “Para se të shembej kulla, ne që jetonim aty dhomat e saj i cilësonim: kjo asht dhoma e Tomës, kjo asht dhoma e Gegës që do të thotë se ato ishin zyrat ku këta kuadro(Tom Kola dhe Gegë Zeka) i kishin si vende pune kur ishin si zyra të Kooperativës së Kodhelit.”  

Më vonë akoma varfërimi do të arrinte kulmet edhe me fenomenin arëza e tufëza. Edhe ato pak bagëti, apo tokë që kishin në shfrytëzim, me urdhër nga lart, por gjoja me iniciativë nga poshtë, u muar vendimi me i bashku të gjitha ato bagëti në tufëza brigade si dhe u hoqën oborret(kopshtet) private duke ngritur arëzat që gjoja do të shërbenin për furnizim të fshatarëve me mish, perime e qumësht, por nuk funksionoi pothuajse fare kështu. Me krijimin e famëkqijave arëza e tufëza nuk u lejua më të mbahej asnjë këmbë bagëtie dhe pulat gjithashtu, me shumë kufizim dhe të mbyllura nëpër rrjeta e kafaze. Kjo praktikë solli varfërim e robërim të mëtejshëm, se munguan totalisht ushqimet. Megjithatë, mjaft fshehtas banorët mbanin nga një derr, por kontrollet që herë pas here bëheshin nga njerëz të ngarkuar nga shteti e kooperativa, ua merrnin po t’ua gjenin dhe i linin me gisht në gojë.

Aty nga fundi i viteve ’80 dhe fillimi i vitit ’90, duke e parë se tufëzat e arëzat ishin një dështim, filluan edhe shpërndarjet e tyre dhe dikush mori ndonjë dele, dikush ndonjë lopë apo viç femër, sipas frymëve që kishte në familje dhe nga dy dynym tokë për t’i mbjellë sipas dëshirave e nevojave. Por edhe kjo gjë nuk zgjati, pasi regjimi komunist ra, aty nga viti 1991 u prish edhe sistemi kooperativist dhe njerëzit morën tokat e tyre që diku-diku u muar toka që kishin pasur para Reformës, por në disa vende të tjera u bë një reformë e dytë duke zbatuar një ligj neokomunist për rishpërndarjen e tokës e duke lënë mjaft ngatërresa mes njerëzve. Kodheli i mori paqësisht dhe secili zgjodhi të merrte kryesisht aty ku dikur kishte qenë pronë e vjetër familjare, por aq sa ligji i caktonte për frymë.

Ekonomia fshatare edhe në Kodhel, si kudo tjetër u profilizua, por pati edhe kahje të përgjithshme pas marrjes së tokës. Gjithsesi, secili punoi sipas mundësive dhe prodhoi për nevojat e familjes duke sigurur në radhë të parë bukën, bulmetin, mishin dhe perimet e fruta të nevojshme jetësore. Po jo vetëm kaq, u aplikua edhe në kultura bujqësore që më parë dukeshin sikur nuk ishin të përshtatshme për klimën e Kodhelit si ndonjë agrume apo kultura të tjera që nuk njiheshin më parë.

Sot mund të themi se Kodheli është bërë një bahçe e mrekullueshme plot gjelbërim, gjallëri e jetë. Dikur në Kodhel pakkush mbillte ndonjë pemë frutore me pretekstin se nuk bëheshin, por ky tabu kishte filluar të thyhej që nga mesi i viteve ’50 të shekullit të kaluar, pak vite para se të formoheshin kooperativat dhe doli me shumë sukses. Si për koinçidencë, me orientim të miqve të familjes sonë(dajës tim), u caktua një tokë krejt shterpë aty nga Bregu i Ferrcit dhe u ngrit një vreshtë dhe pemtore e mrekullueshme. Ajo tokë kishte qenë djerrishtë dhe e papunuar pothuajse asnjëherë, ngaqë aty as bari nuk rritej veç ca gjëmbaçave, ndaj edhe e kishte marrë emrin Ferrci. Nën shembullin e familjes sonë, aty përbri u ngritën bahçet e Zekë Hilës, e Hilë Filipit, e Marka Zefit dhe ndonjë tjetri dhe u bënë pemëtore e vreshta të mrkullueshme deri kur për fatin e keq të tyre, kooperativa e bashkuar u çoi aty traktorët dhe i përmbysën barbarisht aty nga mesi i viteve ’60, gjoja për sistemim tokash.

Natyra, sistemimi dhe bonifikimi i Kodhelit

Para se të formoheshin kooperativat bujqësore, në Kodhel kishte një natyrë të mrekullueshme me ara të punueshme, me vija uji për peshkim apo shfrytëzim uji për nevoja njerëzore, me pyje shumëshekullore, me livadhe e kullota plot bar e gjelbërim. Vijat e ujit që ishin mespërmes fushës të rrethuara me pyje e me livadhe të mrekullueshme i jepnin një pamje të veçantë fushës së Kodhelit dhe pa frikë mund ta krahasonim me një Amazonë të vogël në mes të Zadrimës. Mu në mes të kësaj natyre të mrekullueshme gjeje plot toka të lira dhe që ishin kthyer në mera për të gjithë fshatin, por pak më tej se tokat e Kodhelit shtrihej fusha e Arrnjetit që ishte një kullotë dhe mera për të gjithë Zdrimën, kush mund të shkonte atje me bagëti duke marrë që nga Rraboshta e Kallmeti e deri edhe nga Nënshati e Hajmeli. Ishte një fushë e madhe dhe plot me bar për bagëtitë e zonës. Edhe kjo tokë shfrytëzohej nga banorët e Kodhelit duke qenë se ishin më afër se nga fshatrat e tjerë, përveç Gjadrit e Blinishtit.

Kur u formoan kooperativat, edhe këtyre kullotave e pyjeve si shumë të tjera vlera dhe resurse ekonomike që pati Kodheli dhe mbarë Zadrima, u erdhi fundi. Nuk vonuan dhe erdhën aty traktorë, buldozerë e stalineska të mëdha dhe iu vunë punës për të shkulur drurët shumëshekullorë që kishin pyjet e papërsëritshme të Kodhelit dhe të Zadrimës. Shumë prej atyre drurëve gjigande ishin drurë të rrallë dhe me vlera të veçanta mobilare, por u shkulën dhe, ose u groposën në pellgje e vija ujërash duke u mbuluar me dhe, ose u dogjën si të ishin barëra të këqija që duheshin zhdukur nga faqja e dheut një herë e mirë. Po kështu u mbushën edhe vijat e ujit dhe bërrakat që kishin ekzistuar mespërmes fushës e pyjeve, për të mos iu gjendur më nami e as nishani si dhe për t’iu harruar edhe emri i tyre.

Por, para të gjitha këtyre të këqijave, u bë edhe një gjë e mirë. Aty nga vitet 1954-55, me punën robëruese e prej skllevërish të të burgosurve që i kishin sjellë në një kamp në Baqël, u hap Kanali i Madh kullues që për Kodhelin qe një vlerë e shtuar mjaft e madhe. Qe një vlerë e madhe, pasi pati shërbime të shumanshme e mjaft të mëdha. Së pari shërbeu për kullimin e tokave. Së dyti, duke sjellë ujëra të rrjedhëshme, solli edhe një lloj mirëqenieje për banorët e Kodhelit që prej kohësh kishin vuajtur për ujë për të larë e shpëlarë, por, sa qe i pandotur dhe me ujë të kulluar e të pastër, shpesh përdorej edhe për të pirë, zierë e gatuar ushqime krahas që përdorej edhe për bagëtitë e fshatit. Veç kësaj dhe vlerave të tjera që pati Kanali i Madh, u bë edhe si një burim peshkimi nga amatorët vendas të peshkimit.

Pasi u shpyllëzua fusha dhe u mbushën bërrakat dhe vijat e ujit, filluan të hapeshin kanale kulluese vertikale me Kanalin e Madh dhe e parcelizuan dhe e sistemuan fushën në blloqe të mëdha. Tashmë kufijtë e vjetër të tokave, pyjeve, kullotave dhe livadheve u zhdukën dhe morën rrugën e harresës, për të mbetur veç si emra e nocione në kujtesën e nostalgjinë e atyre brezave që patën fatin t’i kishin punuar apo kullotur me bagëti. Sot e gjithë fusha ndahet me emra të rinj si 22-hektarshi, 14-hektarshi, Blloku i Trumës, etj. duke u harruar një herë e përgjithmonë emra si Qarret, Gryget, Dardha Shatore, Vneshtë, Gërreje, Ferrc, Livadhi i Madh e duke mbetur fare pak si Tushe, Peshtije, Veshe, Munine e disa fare pak të tjera si këto, duke ruajtur më shumë toponiminë e kodrave dhe pyjeve që nuk u prekën.

Hap pas hapi, këtij sistemimi iu shtua edhe drenazhimi si dhe krijimi i sistemit vaditës. Për çdo bllok, në krye të tyre, përbri kanaleve vertikale kulluese u krijuan kanale vaditëse që ishin kapilarë të lidhur me kanale kryesore vaditëse që e merrnin ujin që nga Lumi Drin në Vaun e Dejës dhe e shpërndanin nëpër fushë përgjatë Zadrimës. Për tokat e Kodhelit pat dy furnizime me ujë vaditës. Njëri vinte që nga Baqli dhe që nga Bunari duke u futur përmes Zabelit kalonte përkryeti Arave të Bardha dhe pastaj degëzohej në dy drejtime. Njëri kalonte përmes Peshtijeve për të dalë te Pusi i Poshtër dhe drejt Kanalit të Madh nga ku me një tub të madh metalik përbri Urës së Kanalit(poshtë saj) e kapërcente Kanalin dhe dilte fill tek Blloku i Trumës dhe shpërndahej në drejtim të Vesheve si dhe paralel me rrugën sipër blloqeve që ishin poshtë kësaj rruge deri tek Arat e Krajnit, tek Rruga e Fermës. Tjetri degëzim dilte poshtë Varoshit dhe shtrihej sipër blloqeve të Tusheve për t’i furnizuar këto blloqe me ujë vaditës përgjatë thatësirës së verës. Drejt Arave të Krajnit dhe Rrugës së Fermës vigonte Kanalin e madh një tub tjetër metalik që besoj se shkarkonte ujë vaditës sipër tokave të Baqlit e Blinishtit.

Kanali tjetër vaditës vinte për rrëzë Kodrave të Dajçit që nga vendi poshtë shtëpisë së Stakë Hubës dhe shpërndante ujë, jo vetëm në blloqet e Dajçit, por edhe në blloqet e Munineve, të Grrejeve dhe me radhë atyre që ishin edhe poshtë Urës së Re. Por një resurs tjetër vaditës ishte edhe Kanali i madh, pasi shpesh zihej me prita, fryhej dhe nxirte ujë në kanalet kulluese vertikale e nga aty, me anën e pompave të fuqishme me traktor a me zetor nxirej e shpërndahej nëpër fushë e shpesh aty edhe instaloheshin edhe impiante vaditëse.

Të themi të vërtetën, ky sistem vaditës me mjaft vlera për Kodhelin, mjerisht sot është i dëmtuar dhe në shumë vende krejt jasht funksionit. Diku-diku edhe vazhdon të funksionojë, por në pjesën më të madhe jo dhe kjo e vështirëson mjaft punën në bujqësi aty. Duke u gjendur para kësaj mungese, shumë banorë të Kodhelit i janë drejtuar sistemit të pompave ku e kanë të mundur për instalimin e tyre, por prap nuk është ajo zgjidhje e duhur. Shpresojmë të bëhet më e mira.

Pyje në Kodhel

Kodheli ka pasur dhe ka një pasuri tjetër që asnjë fshat tjetër i Zadrimës nuk e ka. Fjala është për pyjet e Kodrave të Kodhelit që gjithmonë kanë qenë një resurs i veçantë bukurie, freskie e ekonomie, krahas si një lloj turizmi shtetror në epokën e komunizmit. Aty kishte plot lloje kafshësh e shpendësh që tërhiqnin gjuetar nga vendi, por në komunizëm ishte tabu edhe të shkelje në ato pyje, lë pastaj të prekje ndonjë nga drurët e atij pylli e ruhej me rojtarë pyjesh nga vende të tjera e jo vetëm nga zona si nga Troshani, Kallmeti e Kotrri, por deri edhe nga Malësia e madhe e nga Dibra. Edhe sot janë të ruajtura, madje sot janë shtuar edhe sipërfaqet me pyje aty sidomos me pisha dhe i japin një hijeshi të veçantë Kodhelit duke i qëndruar si një kurorë e gjelbër me plot freski e bukuri. Në të ardhmen, duke qenë se janë me mjaft mundësi, mund të hapen edhe resorte turistike me mjaft interes për zonën.

Meqë fola për natyrën e Kodhelit, sidomos në ditët e sotme dhe evolimit të saj hap pas hapi, dëshiroj të shtoj këtu se Kodheli ka qenë i përmendur sidomos për pyjet e shumta, jo vetëm në sipërfaqet kodrinore, por edhe në ato fushore deri kur masakra pyjore nuk i kurseu, jo vetëm fushat, por për pak kohë edhe kodrat.

Pyjet e fushës zinin një sipërfaqe të konsiderueshme mjaft të madhe dhe aty-këtu mes tyre mund të kishte ndonjë ngastër toke të punueshme, djerrishta dhe ndonjë kullotë apo livadhe që jeshilonin pothuajse në të gjitha stinët e vitit. Të gjitha pyjet e fushës zinin një pjesë të sipërfaqes poshtë Kanalit të Madh dhe disa fare pak sipër atij kanali sidomos Pylli i Tushës.

Mes këtyre pyjeve, ashtu siç e kemi cilësuar edhe më sipër, kishte disa pellgje dhe vija uji, disa nga të cilat rrethoheshin nga pyje e disa ndanin tokat mes tyre. Aty gjeje lloje të ndryshme drurësh shekullorë e kjo e kishte domethënien e saj. Por, para se të shpjegojmë këtë domethënie, le të tregojmë se cilat ishin këto vende kryesisht të pyllëzuara.

Duke filluar që nga tokat kufi me fshatin Dajç, mund të përmendim: Rrethet, Gjiluket, Bërraka e Kolë Ndokës, Bërraka e Kishës, Vneshta e Llupit, Bullet, Gërrejet si dhe ndonjë tjetër si Tushet që e përmenda edhe më sipër. Siç e cilësova edhe më sipër, prania e këtyre pyjeve mespërmes fushës e kishte një kuptim e domethënie. Ashtu siç e thamë, mes tyre kishte edhe toka të punueshme dhe livadhe e kullota, që sigurisht, nuk ishin se ishin hapur të reja si toka bujqësore, por kishin ekzistuar edhe më përpara aty dhe përbri tyre, në ato vende ku tashmë i kishin zënë pyjet, kishte pasur toka të tjera të punueshme, por që popullata që i kishte pasur në pronësi dhe i punonte kur Kodheli kishte qenë një fshat me shumë banorë, në kohë të ndryshme ishte shpërngulur, ose ishin shuar si familje nga smundjet e ndryshme si kolera, apo edhe nuk kishin mundur të linin trashëgimtarë pas vetës së tyre, i kishte lënë djerr e kështu me kalimin e kohës i kishin mbuluar pyjet dhe shkurret e shumta. Këtu mund ta ilustroj me një shembull të thjeshtë.

Poshtë shtëpiave të Mëhallës së Sipërme shtrihej Ograja e Marka Lleshit. Thuhej se ky person ka qenë pjesë e fisit tonë, por që unë nuk kam mundur ta gjej lidhjen me fisin dhe se ku kapej ai si degëzim i fisit tonë. Ndoshta që në Kuzhnen, por ndoshta edhe këtu në Kodhel. Po ashtu edhe Hilë Gjoni që nuk lanë pasues, i pari, se nuk la fëmijë dhe i dyti, se nuk qe martuar, ose, se qe internuar në Anadoll dhe kur u kthye qe në moshë mjaft të thyer. Ograja e Marka Lleshit qe në pronësinë e familjes time, por që ishte një tokë mujake dhe nuk shërbente për asgjë. As për kullota bagëtish, se shpërndante sëmundje tek ata. Por kjo ograjë ishte e mbuluar nga pyje shumë shekullore e sidomos me frashëra gjigandë. Ndoshta, kur i zoti i saj, ai që i la edhe emrin, mundej që kur e kishte në pronësi e kishte ashtu siç u bë kur kooperativa u formua në Kodhel, vend i zhveshur dhe pakurrfarë vlere.

Edhe Bërraka e Kolë Ndokës, Vneshta e Llupit, Bërraka e Kishës, Gjiluket, Tushet e të tjera si këto, në hershmëri duhet të kenë qenë toka të punueshme, por me lënien e tyre djerr nga braktisja e tyre nga pronarët e vjetër të tyre, gradualisht u kthyen në pyje. Është e ditur se një tokë e lënë djerr për njëfarë kohe, shpejt do të mbulohej nga shkurret dhe drurë të ndryshëm. Këtë e kanë vërtetuar edhe kohërat e sotme ku në vende të pavlera për shfrytëzim, në Kodhel e kudo, kanë filluar të dalin ferra e shkurre të ndryshme. Këtu më poshtë do të paraqes një foto që e vërteton këtë konstatim timin më së miri, pa pasur shumë nevojë për ndonjë koment.

Pusi i Keq në Kodhel

Kjo foto që shihni këtu, nuk është as më shumë e as më pak, por Pusi i Keq ku ne si banorë të Mëhallës së Sipërme deri vonë, ndoshta deri më pak se para dhjetë vitesh mbushnim ujë aty në të gjitha stinët e vitit për ta përdorur për larje e shpëlarje si dhe për të vaditur perime e për t’u dhënë ujë bagëtive. Aty përbri atij pusi kalonte rruga që të çonte drejt Dajçit, por ishte gjithashtu një vend i zhveshur nga të gjitha anët e tij me një hapësirë të konsiderueshme. Sot shihet qartë sesi shkurret e kanë mbuluar pothuajse në të gjitha anët e tij. Nga pjesa e sipërme ku duken ato shkurre që gati e kanë mbuluar, ishte rruga që vinte nga shtëpitë e Gjin Shukut, Rrok Dedës dhe e Ndokë Simonit, ndaj edhe ishte vend i hapur e pa bimësi. Ajo pjesë ballore që shihet ishte përbri rrugës kryesore që e cilësuam më lart. Sot nuk e besoj se shkon më ndokush atje, veç në mos e shfrytëzon Frrok Gega për të lagur ndonjë perime gjatë pranverës e verës, pasi e ka shumë afër me kopshtin e tij duke e ndarë veç rruga e vjetër.

Pranverë në Kodhel Kjo pamje i përket Kodhelit të ditëve tona dhe në kohë pranvere. Siç shihet, Kodheli nuk është më një vend i thatë, por plot blerim.

E kam thënë se Kodheli përgjithësisht në të kaluarën nuk kishte shumë pemë frutore pranë vendbanimeve, por aty-këtu kishte ndonjë mand dhe kjo pothuajse çdo familje e kishte nga një apo dy të tillë, kishte ndonjë kypçë (xinxife), ose, karakteristikë e veçantë, në funde oborresh, apo anë kopshtijesh ndonjë foiletë dhe nuk e di se pse, pasi ishte dhe nuk ishte ndonjë dru frutor. Kur vinte vjeshta, aty shpesh ne fëmijët kacavireshim nëpër degët e tyre dhe hanim kaliboba, ca kokrra që kishin ngjyrë të zezë kur piqeshin dhe ishin gati sa një kokërr bizele e që nuk ishin pothuajse aspak mishtake. Ndoshta e kishin si dru, pse shpesh bujqërit merrnin ca nga degët e tyre dhe i bënin kularë për zgjedhat e qeve të punës. Ndoshta se ishte dru i lakueshëm, por ndoshta edhe pse ishte një dru shumë i fortë kur thahej dhe nuk thyehej lehtë e kishte jetëgjatësi përdorimi. Por sot Kodheli është i mbuluar në gjelbërim pemësh nga më të ndryshmet.

Aty-këtu kishte edhe ndonjë kumbull të egër, ndonjë dardhë të egër e ndonjë edhe të shartuar me të buta e vetëm kaq. Ishte krijuar përshtypja se nuk bëheshin pemët aty, por në demokraci, por edhe mjaft kohë më përpara, me pak punë u vertetua e kundërta. E kam thënë sesi ndodhi me krijimin e bahçeve në Bregun e Ferrcit nga disa familje kodhelase, por më vonë, pasi u shkulën barbarisht nga kooperativa, tashmë të mësuar me pemë frutore, i mbollën edhe në kopshtet e kodrave dhe u bënë mrekullisht të bollshme gjë që hodhi poshtë mitin se në Kodhel nuk bëheshin pemët e vreshtat.

E cilësova edhe më sipër se masakra pyjore nuk kurseu as kodrat ku një pjesë të tyre i shkatërroi dhe i la ashtu djerrishta përgjithmonë, por pjesën më të madhe i la të rigjeneroheshin për t’i shfrytëzuar më vonë si rezervate gjuetie për elitën udhëheqëse. Para se të bëheshin rrafsh me tokën edhe pyjet e kodrave ishin me drurë të mëdhenj shumëshekullorë dhe me lloje nga më të ndryshmet duke filluar që nga shkurret e deri tek drurët gjigandë që zotëronin ato pyje.

Por, si para masakrës pyjeor, si pas rigjenerimit të tyre, kodrat e Kodhelit kishin një karakteristikë mjaft të veçantë e mjaft të dukshme që unë, duke mos qenë një biolog i mirëfilltë, nuk di ta shpjegoj se pse ishte ai fenomen natyror. Po t’i marr me radhë e t’i analizoj të gjitha shpatet e kodrave, pothuajse të gjitha ato që ishin nga ana jugore, andej nga dielli i rrihte më mirë se ngado tjetër, ishin pothuajse të zhveshura totalisht. Kështu mund t’i paraqes me radhë. Kodra e Skunderës, Rrahu, Faqja e Shenjit, pothuajse nuk kishin fare bimësi me përjashtim disa dardhishtave e drizave, si dhe ndonjë dëllinjë pothuajse veç nga pjesa e sipërme e tyre. Kështu ishte edhe Patokja, por edhe pak pjesa veriore e Kodrës së Skunderes. Kështu ishte edhe pjesa e sipërme ç’merr nga Qafëgëlqerëza sipër Pyllës së Gjonit dhe deri në Bisht të Presekut si dhe pjesa që kalonte nga Vorri i Nanës së Tatës deri në Stanza kishte veç ca shkurre të vogla. Edhe Kodra e Pleshës që nga pjesa e sipërme e saj përtej Lamëkodres dhe deri poshtë tek Lezet e Lushit ishte e zhveshur. Diku andej nga fundi i asaj pjese të zhveshur u ngritën edhe zyrat e pyjores si dhe shtëpia ku përkohësisht u instalua Selman Lala me familje të tij. Por kishte dhe një ndryshim se pjesa që shtrihej sipër dhe pas Ograjave të Palokë Zefit, edhe pse ishte faqe juglindore, ishte e veshur me pyje të dendura, para dhe pas masakrës pyjore të tyre.

Kodra e Varoshit, edhe nga lindja, edhe nga sipër, edhe nga jugu deri tek Kloset, por edhe nga perëndimi, nuk ishte e veshur me pyje. Veç pjesa veriore përballë fshatit, deri në masakrën pyjore ishte e veshur me pyje, por më pas u pre dhe u shkul me rrënjë e më nuk u bë asgjë edhe pse kooperativa insistoi gjatë për ta kthyer në tokë prodhuese.

E thashë edhe më sipër se nuk di ta shpjegoj këtë fenomen edhe duke bërë një krahasim tjetër. Kodrat e Blinishtit ishin pothuajse të gjitha të zhveshura, por Prozhmja e Baqlit në faqen jugore të saj ishte e mbuluar me pyje, ndoshta jo shumë të mëdha, por ama ishte mjaft e pyllëzuar. E mbaj mend mjaft mirë, se asaj rruge për katër vjet sa isha fëmijë dhe nxënës i shkollës fillore e bënim çdo ditë me këmbë dhe përmes pyjesh një copë rrugë, por mendoj se pjesët e tjera, të populluara, ose të papopulluara nga baqlorët, ishin po ashtu të zhveshura deri në Blinisht.

Përpjekjet për ujin e pijshëm

Një nga vështirësitë e jetesës në Kodhel ka qenë edhe mungesa e ujit të pijshëm. E kemi përmendur diku më lart se dikur ka ekzistuar një burim uji i mrekullueshëm andaj nga Ograjet e Palok Zefit, por që humbi nga një termet i fuqishëm. Pas atij burimi nuk pati ujë të përshtatshëm, edhe pse në kohë të ndryshme ishin hapur aty-këtu edhe pusa uji, por të gjithë me ujë jo të pijshëm. Ndoshta ndër më të fundit që duhet të jetë hapur, duhet të ketë qenë Pusi i Poshtër aty në anë të rrugës së Gjadrit pak metra poshtë kodrës. Ai pus pat ujë në të gjitha stinët e vitit dhe nuk shterrte kurrë, por uji aty nuk ishte i pijshëm e kodhelësit nuk e përdorën kurrë për ta pirë, por ndoshta veç për të larë e shpëlarë.

Diku andej nga Fangu i Krajnit ishte hapur një pus uji që kishte ujë të mrekullueshëm dhe të pashterrshëm dimër verë, por ishte shumë larg dhe duhej të shkohej atje veç me kafshë ngarkese për ta sjellë në shtëpi me boliera uji. U mendua edhe të sillej me tubacione, por u la vetëm si ide e dikurshme dhe e parealizuar asnjëherë deri edhe kur u mbyll fare dhe sot nuk i gjendet as gjurma e as nam e nishan.

Duke qenë se Kodheli gjithmonë pati vuajtur për ujin e pijshëm, ishin bërë përpjekje herë pas here për ta gjetur atë duke hapur puse uji, por rezultuan pa sukses. Fillimisht u soll një teknik pusash që kodhelësit e quanin Met Truma, në mos gaboj, nga Shkodra dhe provuanë të hapnin një pus aty poshtë Kopshtit të Lushit përbri Vidhave të Ardajçës, por doli pa rezultat, se nuk iu gjet amë uji dhe nuk e di se ç’u bë pastaj me të. Më duket se u mbyll përsëri si vend që mund të rrezikonte jetë njerëzish. Në atë vend pastaj u ndërtuan stallat dhe magazinat e kooperativës dhe besoj se nuk mbeti më asnjë gjurmë e atij pusi.

Pasi dështoi gjetja e ujit të pijshëm në atë vend, u hap një pus tjetër në krye të Arave të Bardha dhe uji u gjet, por jo i pijshëm për të cilin ishte kërkuar. Megjithatë, kërkimet nuk mbaruan, ndaj më vonë u shpua dhe doli uji i pijshëm pak metra poshtë Urës së Kanalit aty në anë të rrugës Kodhel-Blinisht. Me sa dukej, ama e atij uji ishte drejtpërdrejt nga Kanali i Madh, por gjithsesi, ishte ujë i pastër dhe i pijshëm, se filtrohej ngë rëra që e lejonte të shkonte deri aty tek truma e vendosur në vendin e shpimit. Ndoshta ishte edhe ujë i ndonjë ame tjetër, por gjithsesi, uji qe i mirë dhe i përshtatshëm. Më vonë u lidh edhe me një depo që u ndërtua aty e një pompë që u instalua dhe e mbushte periodikisht nën kujdesin e një punonjësi të angazhuar posaçërisht nga kooperativa.

Më vonë, që në epokën e sistemit të kaluar, u bënë përpjekje dhe u ndërtua një depo uji në majën e Kodrës Pleshë dhe filloi një rrjet shpërndarjeje si për Kodhelin, ashtu edhe për Baqlin. Uji në atë depo merrej që nga mali i Krajnit dhe me tuba sillej tek ajo depo e pastaj shpërndahej nëpër çezme gati të përbashkëta në bazë lagjesh, por nuk funksionoi mirë, pasi ai rrjet si dhe tubat kryesorë që e sillnin aty u amortizuan dhe shpejt Kodheli mbeti përsëri në mëshirën e Trumës së Urës së Kanalit. Por në demokraci, përsëri iu kthye rrjetit të mëparshëm duke e rikonstruktuar dhe secili duke marrë degëzimin e tij dhe futur në banesë brenda e jo me pronë të përbashkët me çezma.

Sot Kodheli e gëzon ujin e pijshëm në shumicën e kohës 24 orë në ditë duke përjashtuar periudhën e verës e të thatësirave kur burimet nga mali janë disi të pakta e në pamundësi furnizimi të depos së ujit të Kodhelit.

Pasi u publikua ky material në internet dhe prej aty në rrjetin social Facebook, mjaft përdorues të këtij rrjeti social e lexuan dhe disa prej tyre shprehën mendime mjaft pozitive, por më e rëndësishme ishte se disa prej tyre sollën edhe dëshmi të thjeshta, por krejt origjinale dhe me fakte të reja nga hershmëria e Kodhelit, prandaj këtu, ashtu thjeshtë dhe krejt në origjinalitetin e tyre të paredaktuara e të pakorrigjuara nga ana drejtshkrimore po ia bashkangjit këtij materiali këtu më poshtë:

Dëshmi nga Tonin Ndue Ndoci

Mirëdita grupi.

Një falenderim për administratorin e grupit.

Falenderimi dhe mirënjohja për profesor Tom Gjokhilajn. Me punën e tij ka futur në historinë e shkruar Kodhelin, vendlindjen tonë, shkrime me vlera të pallogaritshme.

FALEMINDERIT Tom.!!

Edhe me vështirësitë që ka gjetja e dokumentave të shkruara.

Unë mund t’ju jap një dëshmi të thjeshtë: në vitin 1983 unë dhe baba im, Ndreka, kishim vendosë me hapë një kopsht perimesh poshtë shpisë, te Lama. Aty ishte një dardhë e egër, shekullore, të cilën edhe gjyshi, Ndoc Lazër Ndoci( Shyti) e mbante mend kështu.

Kishim gërmuar gati 1 meter thellë. Papritmas kazma has në copa qeramike qypash me vizatime. Dhe kjo ka vazhduar përr 50 metra katrore. Ndreka me tha se gojëdhana e te parëve fliste për shpinë qendrore të fisit më të lashtë në katund; Simondocajt. Reduktimi i tyre në pak ka dy shpjegime:

– dy ikje masive për arsye të masakrave të turqve. Njëra rreth vitit 1500(për këtë që nuk dihet nga vijmë, sepse ishim gjithmonë aty), dhe tjetra rreth fillimit të viteve 1800, për arsye të një epidemie te madhe). Një tjetër shpërngulje ka qenë në Shkodër.

E fundit aventurë ka qenë kolera spanjolle kur vdiqen pjesa më e madhe. Gjyshin, Ndoc Lazër Ndocin e kanë marrë në moshë 4 ose 5 vjeç dhe fshetas e kanë çuar për ta shpëtu te dajat e vet, (bashkë me vëllain e vet, Martinin ) tek Sulajt e Mirdites dhe rikthehen pas disa vitesh në Kodhel. …

Së dyti, dëshiroj t’i jap Kodhelit kontributin në fushën e studimit të pasurisë natyrore biologjike, duke shfrytëzuar një studim që kam bërë i ngarkuar nga ish Komiteti Ekzekutiv Lezhë në vitet 80′ bashkë me biologun më të njohur, Jak Gjinin, dhe një inxhinier të pyjores. Do ta botoj së shpejti, kështu mund të jetë i dobishëm sidomos në drejtim të pasurisë së florës mjekësore…..

Dëshmi nga Luli Lleshi

Tom, desha me të tregu, me të ndigjume e kam, te Lama e Syqve, ku e kam shpinë unë e te Foileta e Brozve ka qenë edhe Hurdha dhe kur e kam gërmu, në cep të murit ka dalë një gur i madh dhe copa tjegullash të thyeme. E kam pyet babën e më ka thanë se ka qenë rrugë e vjetër, po sa asht e vërtetë, këtë s’e di, por një burim i Hurdhës së Syqit vjen e hyn në pus të timin, po ty të dhashtë Zoti shëndet që me sakrificën tande po i ban jehonë vendlindjes tonë.

Tom, siç më ka thanë axha Kolë i imi, nga ana e rrugës për livadhe, atje ka marr gur baba i im. Këtë ma ka vërtetu edhe baba yt edhe Ndoc Kola e Ndrec Zogu, jo që unë pak i mbaj mend, se jam dt lindjes 67, por unë s’du me ba replikë me ty, se ke ba një punë që ka për të ndejt gjatë ndër breza dhe çdo kuntribut i joti e i Llesh Prendit në foto mirë asht me u hap një muze i vogël tek kisha. Këtë mendim kisha.

Dëshmi nga Çesk Brozi(Paloka)

Z.Tom besoj se kam te drejt edhe un si antar i atij komuniteti te falnderoj per perpjekjet qe ban pe r ti rrit vlerat Kodhelit. Un kam ik 11 vjec prej atje, por asht nji mossh qe i incizon gjanat te gjitha ato qe shkruaje me kujtohemn keto te rejat un kam ken pjestar shu gjanave p.sh. ne shkollen e Baqlit kam ken ne fillimet e saj. Filip Gjeka nuk e di sa ka ndej. Fran Dushi, Pina Shestani, Ndoc Kola etj. Shpin ja kena pas shit koop. Na diten kur i morem ato pak lek.mrend lame Kolen e ikem. Ju i keni fiksu gjanat, por sa per kultur nuk e permend kerkund Ndrec Ndocin. Ky asht axha i Rrokut. Ka ardh ne Shkoder shum para1950. Un sot e lexova ne televizor pak histri kodheli. E lexova pjes pjes sa me marr iden Po te kesh ndoj gja me shkruj se tash po te coi mesazh me za sot nuk jam i pregaditun. Edhe nji her shum te fala familjarisht.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s